ATV

Category: Lajme

  • Konvertimi i armëve me gaz në armë zjarri

    Konvertimi i armëve me gaz në armë zjarri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Duket si armë e vërtetë, por në fakt është armë me gaz. Por me pak punë, ajo mund të konvertohet në armë zjarri.

    “Duhet të përpunohet tyta për arsye se armët me gaz e kanë tytën të zënë me një pjesë që e lejon gazin, por jo predhën, është një proces i cili bëhet në mënyrë artizanale, por jo çdoherë bëhet në formën e duhur për arsye se ajo është e rrezikshme”, tha Fadil Kajtazi, ekspert i armëve.

    Kjo praktikë tashmë është bërë e zakonshme në vend. Shkak për këtë thuhet të jetë çmimi i lirë për blerjen e këtyre armëve e gjithashtu edhe modifikimi.
    Megjithatë, sipas Kajtazit, armët me gaz s’mund të përdoren gjatë. Por, shton se mund të jenë vdekjeprurëse.

    “Nuk e ka efektin e armës standarde, për arsye se pas dy-tre fishekëve që shkrepen me atë armë, tyta hapet sepse nuk e ka cilësinë dhe predhat nuk e kanë efektin goditës që e kanë armët e vërteta”, tha Kajtazi.

    Ndërkohë, policia nuk tregoi se sa armë të tilla ka konfiskuar deri tash, por sipas ish-drejtorit të policisë, Rashit Qalaj, kjo çështje ka qenë sfidë për institucionet e sigurisë kaherë.

    “Fatkeqësisht në Kosovë ka një numër të madh të armëve meqë janë ilegalisht në duart e qytetarëve, ka armë të vërteta, por një numër i madh i tyre janë edhe me gaz e që po konvertohen në armë zjarri. Mendoj që këto janë sfida për policinë e Kosovës”, tha ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

    Pa bërë klasifikimin e armëve, policia tha se brenda një viti afërisht 1500 armë ilegale konfiskohen, derisa konsiderohet se rreth 260 mijë janë në duar të qytetarëve.

  • Ky është filantropi shqiptar që mori mirënjohje nga Donald Trump, ndërsa Kosova e harroi

    Ky është filantropi shqiptar që mori mirënjohje nga Donald Trump, ndërsa Kosova e harroi

    Biznesmeni Ramiz Tafilaj ani pse jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), krahas Amerikës, nuk ka reshtur kurrë së kontribuari (edhe) për Kosovën, para, gjatë dhe pas luftës.

    Tafilaj dha kontribut të pashoq, në shkollimin e shumë të rinjve (nga të gjitha anët e botës), duke i mbështetur financiarisht afër 300 studentë, qoftë për studime themelore apo edhe ato të doktoratës… Në mesin e tyre (edhe) emra të njohur për publikun, përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin.

    Ish-presidenti Donald Trump, duke e falënderuar z.Tafilaj për shërbimin e tij jetësor ndaj bashkëqytetarëve amerikanë dhe gjithë atyre që kishin nevojë për të, e nderoi me mirënjohjen “President’s Lifetime Achievement Award”, që konsiderohet si shpërblimi më i lartë për vullnetarët në SHBA.

    “Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë…”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e Trump.

    Në lidhje me këtë, në intervistën e tij ekskluzive në “LIBERO” Tafilaj tha se këtë moment e përjetoi me emocione të mëdha, derisa theksoi se kjo mirënjohje ishte krejtësisht e papritur.

    “…Nuk e kam mendu që marrë mirënjohje nga një president… Masanej e kam kuptu që ata kanë hulumtu 17-18 muaj, kanë fillu në kohën e Bidenit (kur ka qenë nënkryetar) dhe ka përfundu kur Trump është bërë kryetar…”, deklaroi ai.

    Tafilaj kurrë nuk mori ndonjë vlerësim nga presidenca dhe kryeministria e Kosovës, dhe në lidhje me këtë – ai tha me ironi se ata kanë telashe tjera dhe nuk pret mirënjohje nga ta.

    Vlen të theksohet se Ramiz Tafilaj, arriti të depërtonte në qarqe vendimmarrëse amerikane dhe krahas Donald Trump dhe Joe Biden, takoi edhe njerëz të tjerë me ndikim dhe të pushtetshëm në Amerikë, përfshirë Jimmy Carter, Donald Regan, George Bush, Bill Klinton e të tjerë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ramiz Tafilajt, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Krasniqi letër Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt, ua propozon datat për zgjedhje: Ta shpërndajmë Kuvendin deri më 29 maj

    Krasniqi letër Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt, ua propozon datat për zgjedhje: Ta shpërndajmë Kuvendin deri më 29 maj

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se sot, u ka dërguar nga një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Në këtë letër, Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme dhe ua ka propozuar datat për zgjedhje, 30 qershorin dhe 7 korrikun.

    “Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai ka thënë se Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik.

    “Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar. Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afatave ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka përfunduar Krasniqi.

  • Vetëaksident në Pejë, vetura bie në lumë

    Vetëaksident në Pejë, vetura bie në lumë

    Të premten rreth orës 14:50 në fshatin Dubovë të Pejës ka ndodhur një vetëaksident, ku një veturë ka rënë në lumë tek ura e Drinit të Bardhë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Siç bëhet e ditur, në veturë kanë qenë tre persona, ndërsa të njëjtit nuk kanë pësuar lëndime serioze.

    “Rreth orës 14:50, Policia ka marrë informatën për një vetaksident tek ura e Drinit të Bardhë, ku një veturë ka rënë në lumë, në fshatin Dubovë. Në veturë kanë qenë tre persona, të cilët me ndihmën e qytetarëve janë larguar nga vetura dhe nuk kanë pësua lëndime serioze. Të njëjtit me autoambulancë janë dërguar në Spitalin e Pejës”, njoftoi Fadil Gashi.

     

     

     

  • ​Lajmëroi 20 raste të rrejshme, kapet 26-vjeçari në Fushë Kosovë

    ​Lajmëroi 20 raste të rrejshme, kapet 26-vjeçari në Fushë Kosovë

    Sot nga Njësiti i Hetimeve të Fushë Kosovës, është arrestuar një person për veprën lajmërim apo kallëzim i rrejshëm.

    Pas hetimeve lidhur me disa denoncime ndaj një personi, nga hetuesit është ngritur dyshimi i bazuar se personi i arrestuar, qe nga janari deri më 23 maj 2024, ka lajmëruar 20 raste rrejshëm.

    B.G. (26), pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje për lajmërim apo kallëzim të rrejshëm.

  • Ish-ambasadorja serbe: Nëse dikush është gjenocidal, ai është Aleksandar Vuçiq

    Ish-ambasadorja serbe: Nëse dikush është gjenocidal, ai është Aleksandar Vuçiq

    Ish-ambasadorja e Serbisë në Meksikë, Vesna Peshiq, ka folur në lidhje me Rezolutën e OKB-së, që sipas saj e cilëson popullin serb si gjenocidal.

    Sipas saj, Vuçiq mbulohet si një njeri që autorët e krimit dhe gjenocidit i konsideron si heronj serbë sikur në kohën e gjenocidit në Srebrenicë, njëjtë edhe tre dekada pas saj.

    “Nuk e di pse Aleksandar Vuçiq mendon se ai është fituesi moral në lidhje me Rezolutën e OKB-së, të cilën e falsifikoi – që e cilëson popullin serb si gjenocid. Një fushatë e tillë është tashmë e pamoralshme në vetvete, sepse është e qartë se aktgjykimet për gjenocid janë shqiptuar ndaj individëve, jo ndaj popullit serb”, ka thënë ajo.

    “Dhe kjo përkoi edhe me fushatën zgjedhore. Epo, ajo mashtrim ra në kohën e duhur. Ai vazhdon të pretendojë se Rezoluta gjithashtu “vë shenjën e një kombi gjenocidal mbi viktimat”. Ai në këtë mënyrë mbulohet si një njeri që autorët e gjenocidit i konsideron heronj serbë, si kur ndodhi gjenocidi në Srebrenicë dhe tre dekada pas tij, ashtu edhe në pozitën e Presidentes së Serbisë”, thotë Peshiq.

    Sipas saj, nëse dikush është gjenocidal, ai është Aleksandar Vuçiq.

    “Nëse dikush është gjenocid, është vetë Aleksandar Vuçiq dhe miqtë e tij radikalë, partia të cilës i ka shërbyer me përkushtim”, ka përfunduar ajo.

  • GjND-ja urdhëron Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah

    GjND-ja urdhëron Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.

    Gjykata tha se ky urdhër vjen për shkak të “rrezikut të menjëhershëm” me të cilin përballen palestinezët, raporton REL.

    Afrika e Jugut i kishte kërkuar gjykatës, me seli në Hagë, që të urdhërojë ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah dhe tërheqjen e trupave nga i gjithë Rripi i Gazës.

    Afrika e Jugut po e akuzon Izraelin për gjenocid, ndërsa avokatët e saj kërkuan nga gjykata javën e kaluar të vendosë masa urgjente.

    Ata thanë se sulmet izraelite në Rafah duhen ndalur për të siguruar mbijetesën e popullit palestinez.

    Vendimet e kësaj gjykate e cila është organi më i lartë i OKB-së për mosmarrëveshjet midis shteteve, janë përfundimtare dhe detyruese, por janë injoruar në të kaluarën.

    Izraeli vazhdimisht i ka kundërshtuar akuzat për gjenocid, ajo ato i ka cilësuar si të pabaza.

    Shteti i cili po akuzohet për vrasjen e civilëve, ka thënë në gjykatë se operacionet në Gaza janë vetëmbrojtje, dhe sipas saj synojnë militantët e organizatës Hamas, të cilët sulmuan Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar.

    Një zëdhënës i qeverisë izraelite, tha dje se “asnjë fuqi në tokë nuk mund ta ndalojë Izraelin të mbrojë qytetarët e saj dhe të ndjekë Hamasin në Gaza”.

  • Komuna e Prishtinës ndan kompensim për Elza Ujkanin që u lëndua nga rënia e kulmit të komunës

    Komuna e Prishtinës ndan kompensim për Elza Ujkanin që u lëndua nga rënia e kulmit të komunës

    Kuvendi komunal i Prishtinës me 36 vota për, asnjë kundër e ka miratuar propozim-vendimin për kompensimin e Elza Ujkanit, e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit të objektit të komunë së re të kryeqytetit, raporton EO.

    Ujkani do të kompensohet me 110 mijë euro për lëndimet e marra në këtë rast.

    Kryetari i komunës, Përparim Rama, ka thënë se kjo është për shëndetin e Elzës.

    “Ka të bëj rreth përmirësimit të shëndetit të zonjushës Ujkani e cila sot është me ne, kështu që propozimi është për të vazhduar shërimi”, ka thënë Rama.

    Ndërsa, shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, tha se e përkrahin propozimin.

    “Ashtu siç e ka potencuar kryetari, ku propozimi për paradhënie nuk e ndalon asnjë proces, çoftë të organeve të hetuesisë për gjetjen e fajtorit të rastit, e në një situate të tillë, ne e mbështesim dhe përkrahim ketë propozim”, theksoi ai.

    Edhe asamblistët e PDK-së i kanë dhënë mbështetje këtij propozimi.

    “Edhe ne si grup përkrahim këtë ndihmë financiare e cila do shkoj tek Elza Ujkani. Më e rëndësishme është që të bëhet sigurimi i kulmeve të objekteve të vjetra, edhe banorët e lagjes Ulpiana kanë kërkuar ndihmë për një kulm, pas një lëvizje të madhe. Andaj kërkojmë nga kryetari dhe organet të merren me rastet e tilla të mos përsëriten”, tha asamblistja e PDK-së, Gresa Lahu.

  • ​Gërvalla diskuton me kongresistin Keating mbi bashkëpunimin ekonomik Kosovë-SHBA

    ​Gërvalla diskuton me kongresistin Keating mbi bashkëpunimin ekonomik Kosovë-SHBA

    Rritja ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm në Kosovë, bashkëpunimi ekonomik dhe mbështetja në transformimin e burimeve të energjisë dhe fuqizimi i rolit të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, ishin temë diskutimi në takimin e shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla me kongresistin demokrat William Keating.

    Ministrja Gërvalla e njoftoi kongresistin amerikan rreth veprimeve të Kosovës në luftimin e krimit dhe korrupsionit, informalitetit dhe shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vendit.

    Gërvalla dhe Keating diskutuan edhe mbi propagandën ruso-serbe, dezinformimin dhe veprimet destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor.

    Shefja e diplomacisë kosovare ndodhet për vizitë zyrtare në Uashington, ku gjatë ditëve të kaluara ka takuar edhe kongresistë të tjerë amerikan, si dhe ka marrë pjesë në inaugurimin e objektit të ri të Ambasadës së Kosovës në Uashington.

  • ​Promovohet libri me fjalime të presidentit Rugova “Liria si imanencë njerëzore”

    ​Promovohet libri me fjalime të presidentit Rugova “Liria si imanencë njerëzore”

    Me rastin e Ditës së Presidentit, sot është promovuar libri “Liria si imanencë njerëzore“ me përmbledhje të fjalimeve të ish-presidentit Ibrahim Rugova gjatë periudhës 1976-2005.

    Ideja për botimin e këtij libri, u tha se ishte e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i cili është edhe botimi i parë i Bibliotekës Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.

    Në një fjalë rasti, e para e vendit tha se presidenti Rugova ishte dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyesi dhe ndërtuesi i aleancave strategjike të Kosovës me perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ajo potencoi se libri “Liria si një imanencë njerëzore” ofron një njoftim gjithëpërfshirës me idetë, por edhe vizionin për studiuesit dhe udhëheqësit politikë e shtetërorë të presidentit Rugova. Osmani tha se presidenti Rugova kultivoi dhe mbrojti pa frikë fjalën dhe mendimin e lirë.

    “Presidenti Rugova ishte dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin e në veçanti me aleatin tonë kryesor e të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky libër është vetëm një dedikim i vogël për kontributin e tij të jashtëzakonshëm të Kosovës dhe është botimi i parë i bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”. Këto fjalime të përmbledhura në libër nga Hyseni janë jo vetëm histori personale e presidentit historik, por edhe historia e vetë rrugëtimit të Kosovës deri në ikjen e presidentit në amshim. Libri “Liria si një imanencë njerëzore” ofron një njoftim gjithëpërfshirës me idetë, por edhe vizionin për studiuesit, udhëheqësit politikë e shtetërorë të presidentit Rugova. Nëpërmjet fjalimeve të tij mund të kuptohet qartë lidhka e lirisë krijuese me lirinë politike siç bëri presidenti Rugova vazhdimisht. Ai e kultivoi dhe mbrojti pa frikë fjalën e lirë, mendimin e lirë,” tha Osmani.

    Ndërkaq, autori i këtij libri, Munish Hyseni tha se ndër çështjet fundamentale që dominojnë diskursin e këtyre teksteve janë liria dhe identiteti në krijimtari dhe shoqëri. Ai citoi presidentin Rugova duke thënë se liria është kërkesë e njeriut.

    “Dy janë çështjet fundamentale që dominojnë diskursin e këtyre teksteve: liria dhe identiteti në krijimtari dhe shoqëri. Të dy këto çështje janë të lidhura ngushtë njëra-tjetrën. ‘Liria është element dhe fenomen i njeriut i kërkesave dhe realizimit të tij si në planin e veprimit ashtu edhe në atë të ekzistencën dhe in-ekzistencës së tij’ thotë Rugova. Duke u marrë me konceptin e përgjithshëm të teorisë pohon se shikuar nga praktika historike del se liria është e lidhur ngushtë me lirinë sociale, kulturore dhe nacionale. Duke njohur realitetin historik, identitetin individual, kolektiv, përkatësisht një kategori mjaft të gjerë që përmban në vete të gjitha aspektet kombëtare, sociale dhe intelektuale,” tha Hyseni.

    Në kuadër të këtij organizimi, presidentja Vjosa Osmani, i dorëzoi kopjen e parë të librit Fanë Rugovës, bashkëshortes së ish-presidentit Ibrahim Rugova. /kp