ATV

Category: Lajme

  • “Trupi im nuk është tabu”, Konferencë e cila synon zbutjen e varfërisë menstruale

    “Trupi im nuk është tabu”, Konferencë e cila synon zbutjen e varfërisë menstruale

    Nën moton” Trupi im nuk është tabu” është mbajtur Konferenca regjionale për higjienën menstruale” në kuadër të projektit “Our bodies are not a taboo. Period” zbatuar nga EcoKosWomen, raporton EO.

    Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Magbule Hyseni tha se kjo ngjarje është e ndërlidhur me 28 majin, ditën ndërkombëtare të higjienës menstruale, si promovim i njohjes së rëndësisë rreth menstruacioneve dhe thyerjeve të tabuve e miteve rreth saj.

    Hyseni falënderoi Ambasadën franceze në Kosovë, duke thënë se janë shenjë shprese drejt kësaj dukurie. Tutje ajo bëri të ditur se qëllimi i kësaj konference dhe aktiviteteve është zbutja e varfërisë menstruale në Kosovë, me projekte të kushtuara enkas për to. Hyseni përmendi taksat e larta mbi produktet higjienike duke thënë se mitet mbi shëndetin menstrual duhet luftuar.

    Ajo bëri të ditur se organizata e tyre ka bërë sesione ndërgjegjësimi në 20 shkolla me ku janë furnizuar me 2800 pako.

    Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se raportet e ndryshme ndërkombëtare tregojnë se 55% e grave në botë janë të lira të vendosin rreth autonomisë së trupit. Deri sa ka theksuar se në Kosovë ka raste të shumta kur të tjerët vendosin për gratë e vajzat.

    “Të jesh i lirë do të thotë të kesh autonomi mbi trupin tënd e në Kosovë kemi raste kur këto raste kalojnë në heshtje. Mos tolero nga askush, raportet e ndryshme ndërkombëtare tregojnë se 55% e grave në botë janë të lira të vendosin rreth autonomisë së trupit. Në Kosovë kemi raste të shumta kur te tjerët vendosin për gratë e vajzat në Kosovë. Duhet të kemi angazhim të përditshëm në mënyrë që në Kosovë çdo grua të marrë vendim rreth trupit të saj. Respektimi autonomisë së trupit është etik e kjo përfshin vendime për trupin dhe shëndetin e tyre. Qeveria e Kosovës ka nisur iniciativa për të rritur vlerën e barazisë gjinore. Po i përmend disa aspekte: janë zbatuar fushatat për normat e barazisë gjinore, synojmë të zhdukim nocionin një gjinie”, ka thënë Haxhiu.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur e krenare që sipas saj Kosova po u jep zë temave të tilla. Ajo ka theksuar se Edukimi seksual realizohet në lëndën e shkencës së natyrës e edukatës fizike, në harmoni me nivelin psikofizik të nxënësve.

    “Jam krenare të shoh se Kosova po u jep zë temave që japin aspekt qenësor pra grave e vajzave, shëndetit seksual. Është aspekt i jetës që duhet të marrë. Në shkollat e vendit tonë, përgatitja e nxënësve për një jetë të sigurte shihet tek edukimi seksual gjithëpërfshirës, synon vlerat që mundëson koncepte të shëndosha për veten dhe tjetrin. Edukimi seksual realizohet në lëndën e shkencës së natyrës, edukatës fizike, në harmoni me nivelin psikofizik të nxënësve. Janë hartuar tre doracakë ndihmës të emëruar “Edukimi seksual dhe shëndeti ripordhues”, kemi hartuar një doracak për fëmijët me aftësi të kufizuar, kemi trajnuar mësimdhënës me qëllim që të jenë kompetentë me tema të trajtuara me përgjegjësi. Kemi hartuar udhëzues të veçantë për higjienë në shkolla që për herë të parë do bëj shpërndarjen e pakove higjienike nëpër shkolla dhe jemi në proces të furnizimit”, ka thënë Nagavci.

    Edhe Ambasadori francez në Kosovës, Olivier Guerot tha se ka një përmirësim drejt rritjes së vetëdijes ndaj higjienës menstruale.

    “Në ketë ditë ndërkombëtare të higjienës menstruale jam i kënaqur të shoh implementimin e projektit “Trupi im nuk është tabu”, drejt rritjes së ndërgjegjësimit”, ka thënë ai.

  • Marrëveshja për Agjendën e Gjelbër mundëson zhvillim ekonomik, Qeverisë i kërkohet të punojë për implementim

    Marrëveshja për Agjendën e Gjelbër mundëson zhvillim ekonomik, Qeverisë i kërkohet të punojë për implementim

    Marrëveshja për Agjendën e Gjelbër mundëson zhvillim ekonomik, andaj institucionet përgjegjëse duhet të punojnë drejt implementimit të kësaj marrëveshjeje. Kështu u tha në ditën e dytë të Forumit për Investime të Qëndrueshme, organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë – EIC, raporton EO.

    Në këtë panel u fol në lidhje me “Investime të Qëndrueshme – Dialogu dhe zbatimi i Marrëveshjes së Gjelbër”, në të cilin u diskutuan hapat që vendi është duke marr për zbatim të kësaj marrëveshje.

    Avni Mazreku nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tha se vendi ka marrë disa hapa drejt implementimit të kësaj marrëveshjeje.

    Ai deklaroi se përpjekjet e shtetit në drejtim të kësaj marrëveshje janë duke i ndjekur në tre hapa: e para sipas tij, sigurimi i kornizës, sigurimi i kapaciteteve të mjaftueshme teknike e koordinimi ndërinstitucional.

    “Desha të hap me një dokument madhor legjislativ që është ligji për ndryshime klimatike që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti. Jemi duke marr këto përpjekjet në tre hapa, pikë së pari duke u siguruar që korniza legjislative është në vend që na mundëson neve të kemi vizon të mirë strategjike sa i përket investimeve të qëndrueshme dhe sektorëve të ndryshëm të mjedisit. Pjesa e dytë që po punojmë në ligj po sigurohemi që ka kapacitete të mjaftueshme teknike për të siguruar mënyrën transparentë dhe shumë më efikase për mundësin që investitorët të vijnë në Kosovë dhe të investojnë në mënyrë të qëndrueshëm. E treta të kemi momentumin dhe koordinimin ndërinstitucional, dhe këtu ndërhyn sekretariati për ndryshime klimatike i përbërë nga të gjitha ministritë, shoqëria civile, bota akademike dhe tani po mendoj për rigatimin e vendimit që të përfshijmë edhe sektorin privat për vendimmarrje kur kemi të bëjmë me sektorin e ndryshimeve klimatike”, ka thënë Mazreku.

    Menaxheri i kompanisë “Sharrcem”, Behar Disha, tha se si kompani janë duke ndërmarr hapa të ndryshëm, si investime teknologjike brenda kompanisë, në mënyrë që të zvogëlohet ndotja e mjedisit.

    “Pasi që jemi në një industri intensive me energji dhe karbon, sfidat tona me qëllim që ne t’i respektojmë zotimet tona që deri më vitin 2050 të kalojmë në të gjelbërën. Ne kemi një udhërrëfyes të qartë që është validuar edhe me nismat të bazuara në shkencë. Në bëjmë edhe shumë investime në kuptim të përmirësimit të efiçencës që kërkon investime të larta kapitale. Ne me institucionet e Kosovës do të përshpejtojmë implementimet e marrëveshje së gjelbërt që do të na vendosin në një pozitë më të mirë në të ardhmen”, u shpreh ai.

    Ivana Markovic-Boskovic, eksperte e Lartë për Agjendën e Gjelbër, tha se agjenda e gjelbërt nuk është vetëm një marrëveshje të cilën shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i përmbahen, por që kjo sipas saj do të këtë ndikim edhe ne zhvillimin ekonomik.

    Ajo tha se në Ballkanin Perëndimor investimet më të madha do të jenë në fushën e energjisë.

    “Shembulli kryesor se si bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i njohurive mund të ofroj një shtytje shtesë dhe vlerë të shtuar është plani i aprovimit të agjendës së gjelbërt. RCC e ka mbështetur përpilimin e agjendës regjionale për Ballkanin Perëndimor dhe planin e veprimit që përbëhet nga 58 veprime se si regjioni duhet të ndjek hapat që t’i plotësojë zotimet. Agjenda e gjelbër nuk është vetëm vizion, apo 58 veprime që regjioni duhet t’i plotësoj, por paraqet një plan për arritjen e zhvillimit ekonomik. Kur kemi të bëjmë me përfshirjen e sektorit privat, pritet në një mënyrë që investimet që do të vinë nga sektori privat me një përqindje të madhe me qëllim që të mundësoj tranzicionin e gjelbërt. Kur vjen puna të regjioni i Ballkanit Perëndimor ja vlen të përmend që investimet më të madh do të jenë në fushën e energjisë”, ka thënë ajo.

  • Jasharaj: Qeveria në emër të dialogut të jashtëm, po ngulfat dialogun e brendshëm

    Jasharaj: Qeveria në emër të dialogut të jashtëm, po ngulfat dialogun e brendshëm

    Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, për të cilën ka thënë se në emër të dialogut të jashtëm, po e ngulfat dialogun e brendshëm.

    “Nuk është e imja të bëj analizë të dialogut të jashtëm të Qeverisë e as të veprimeve të saj në Veri, por këto po i përmend për të theksuar se Kurti dhe Qeveria e tij në emër të dialogut të jashtëm dhe veprimeve dhe gjendjes në Veri ka ngulfatur dialogun e brendshëm dhe ka zhvilluar luftë të vazhdueshme të për shuar sindikatat dhe këtë detyrë e ka marrë nga Kurti ministri Murati”, ka thënë Jasharaj.

    Ministri i Ekonomisë Hekuran Murati sipas Jasharajt i urren sindikatat dhe se ka bërë çmos për t’i shuar ato.

    “Ky ministër i urren sindikatat dhe bëri çmos që t’i shuaj ato me përpjekjet fillestare bashkë me Kurtin që të krijojnë tronditje brenda sindikatave dhe të sjellin udhëheqës sindikalë që janë njerëz të tyre. Po ta kishin arritur këtë , atëherë Qeveria do të zhvillonte përditë takime me ta , do të fotografoheshin dhe ata udhëheqësit sindikalë të shitur do të ngritnin në qiell Qeverinë duke gënjyer për të. Qeveria Kurti dështoi në këtë përpjekje dhe prandaj SBASHK-u dhe disa nga sindikatat tjera u janë bërë halë në sy dhe nuk pushuan me luftën kundër tyre.”, ka thënë ai.

    Ministri Murati sipas Jasharajt kishte shpresë se me platformën e Kosova do t’i gjunjëzonte sindikatat duke menduar se anëtarësia do të hezitonte të regjistrohej, sepse edhe procedurat janë të koklavitura. “Duhet pranuar se me këtë veprim, të vetmin në Evropën demokratike, ai arriti të godas rënd disa nga sindikatat sepse anëtarësia e tyre në numër të vogël është regjistruar në këtë platformën e Hekuranit dhe në mungesë mjetesh ato vështirë se mund të funksionojnë dhe rrezikojnë të shuhen. Hekurani syrin e kishte të SBASHK-u për ta shuar, por i shkoi plani huq sepse në këtë platformë u regjistruan me mijëra anëtarë e po vazhdojnë të regjistrohen sepse ata kanë besim të plotë në sindikatën e tyre. Hekurani duke e parë këtë realitet u inatos dhe bëri tash një veprim tjetër qindra anëtarëve të regjistruar nuk ua ndal kuotën sindikale. Kjo është goditje e radhës e tij, por pa rezultate”, ka thënë Jasharaj.

    Jasharaj po ashtu ka pohuar se Ministri Murati në vend të këtyre goditjeve, duhet ta kryej detyrën e tij e të mos e ngulfat dialogun e brendshëm, por të riaktivizojë Këshillin Ekonomik Social dhe përmes tij edhe të krijohen kushtet që të nënshkruhet Marrëveshja Kolektive , e cila vetëm në Kosovë, krahasuar me vendet e Ballkanit e Evropës , mungon .

    “Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati duhet të pajtohen se këto janë sindikatat në Kosovë dhe këta janë udhëheqësit e tyre që janë zgjedhur me votën e anëtarësisë dhe se vetëm kjo votë mund t’i shkarkojë ata dhe të nis me dialogun e sinqertë me ta duke shqyrtuar kërkesat e anëtarësisë e duke i zgjedhur e realizuar ato”, ka thënë Jasharaj.

  • ​Protesta në Tiranë, hidhet molotov drejt bashkisë, rrezikohet jeta e efektivëve

    ​Protesta në Tiranë, hidhet molotov drejt bashkisë, rrezikohet jeta e efektivëve

    “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” së bashku me opozitën po zhvillojnë protestën e radhës para bashkisë së Tiranës. Njësoj si herët e tjera protesta është shoqëruar me tensione, pasi në drejtim të bashkisë është hedhur molotov.

    Në një moment molotovi rrezikon jetën e efektivëve të cilët përpiqen që të fikin zjarrin. Ky është tubimi i nëntë, që bëhet kundër kryebashkiakut Erion Veliaj e për të cilin demokratët e “Rithemelimit” dhe Partia E Lirisë, kërkojnë largimin nga detyra.

    Forca të shumta policie rrethuan godinën e bashkisë, ndërkohë që edhe sot protestuesit hodhën bomba molotov dhe sende të tjera. Opozita e akuzon Erion Veliajn për përfshirje në korrupsion, pas arrestimit të disa prej drejtorëve më të rëndësishëm të bashkisë, në dosjen e njohur si “5 D”./Vizionlus.tv/

  • KQZ-ja me fushatën për edukimin dhe informimin e votusve të rinj: Zëri yt, vota jote!

    KQZ-ja me fushatën për edukimin dhe informimin e votusve të rinj: Zëri yt, vota jote!

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me fushatën informuese dhe edukuese për të rinjtë të cilët mund të jenë votues për herë të parë në procesin e ardhshëm zgjedhor.

    Gjatë ditëve të fundit, KQZ takoi të rinjtë nga komunat Ferizaj, Skënderaj, Klinë, Deçan, Hani i Elezit dhe Viti, për t’i informuar lidhur me aspekte të ndryshme për procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës.

    Kush ka të drejtë vote? Kush garon në zgjedhje? Pse duhet të votosh? Çka është vota? – janë vetëm disa nga pyetjet me përgjigjet e të cilave po informohen të rinjtë gjatë fushatës edukuese dhe informuese: Vota jote, zëri yt!

    Deri më tani, ligjëratat dhe takimet e tilla janë mbajtur në komunat tjera, si: Prishtinë, Prizren, Gllogoc, Gjilan, Istog, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Shtime, Novëbërd, Gracanicë. Kaçanik, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Shtërpcë dhe Junik.

  • Tërmet në Maqedoninë e Veriut, lëkundjet ndihen edhe në Kosovë

    Tërmet në Maqedoninë e Veriut, lëkundjet ndihen edhe në Kosovë

    Një tërmet prej 2.4 ballësh ka ndodhur sot në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në Shkup.

    Siç raportohet, lëkundjet janë ndjerë edhe në Kosovë.

  • Lansohet në e-Kosova paraqitja online e Provimit të Maturës

    Lansohet në e-Kosova paraqitja online e Provimit të Maturës

    Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se është lansuar në platformën e-Kosova paraqitja online e Provimit të Maturës Shtetërore.

    Sipas MAShTI-it, paraqitja online e provimit ka për qëllim të lehtësojë punën e të gjithë maturantëve, shkollave, komunave dhe MAShTI-t në këtë proces.

    “Përveç paraqitjes online të Provimit Shtetëror të Maturës, kjo platformë do të mundësojë edhe gjenerimin e të dhënave për orientimin dhe sistemimin e maturantëve në qendrat e testimit, shpalljen e rezultateve dhe përgatitjen e certifikatës së maturës online”.

    “Procesi i aplikimit për maturantët në platformën e e-Kosova do të jetë shumë i lehtë, i shpejt dhe efektiv në procesimin e të dhënave dhe adresimin e informatave”, thuhet në njoftim.

    Më tej, ministria ka shpjeguar edhe procedurat e procesit të aplikimit për maturantë në platformën e-Kosova.

    “Nxënësi (maturanti) sapo të ketë krijuar llogarinë në adresën https://ekosova.rks-gov.net/ , duhet të orientohet te dritarja duke zgjedhur opsionin Shërbime → Arsimi → Apliko për paraqitje të provimit të maturës dhe të ndjekë hapat sipas përshkrimit të paraqitur në linkun më poshtë”, shkroi MAShTI-i.

    Për detaje tjera gjeni Udhëzuesin për paraqitjen e provimit shtetëror të maturës në Platformën eKosova.

  • ​Situata në Ukrainë, Borrell: Ndihma ushtarake e BE-së është vendimtare

    ​Situata në Ukrainë, Borrell: Ndihma ushtarake e BE-së është vendimtare

    Situata në Ukrainë tregon se ndihma ushtarake e BE-së është “vendimtare”, tha të martën shefi i politikës së jashtme të bllokut.

    “Situata bën që ndihma jonë ushtarake është ende më e rëndësishme, vendimtare, kritike, ajo mund të bëjë një ndryshim,” u tha Josep Borrell gazetarëve në pragun e takimit të ministrave të mbrojtjes të BE-së në Bruksel.

    “Mendoj se gjëja e rëndësishme është të vendoset baza për financim më të mirë të zhvillimit të mbrojtjes evropiane.

    “Ne kemi nevojë për më shumë financime private dhe më shumë financime publike,” tha ai, transmeton AA.

    I pyetur në lidhje me qëndrimin bllokues të Hungarisë ndaj fondit të Fondit Evropian të Paqes (EFF) për Ukrainën, Borrell tha se Budapesti “ka shqetësime që nuk lidhen saktësisht me çështjen e mbrojtjes”.

    “Firmat hungareze janë marrë me problemet në Ukrainë. Ukraina po merret me minoritetin hungarez në territorin e saj. Ne po bëjmë maksimumin për t’i zgjidhur këto probleme,” tha ai.

    Edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është deklaruar se Rusia shkeli ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën dhe se Kievi ka të drejtën të vetëmbrohet dhe vendet e NATO-s kanë të drejtën ta ndihmojnë atë.

  • Diplomati austriak nis dëshminë në Hagë, ZPS thotë se ka takuar katër të akuzuarit gjatë luftës në Kosovë

    Diplomati austriak nis dëshminë në Hagë, ZPS thotë se ka takuar katër të akuzuarit gjatë luftës në Kosovë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jan Kickert, i cili mban kodin W02144 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selmit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori John Capin, ky dëshmitar gjatë vitit 1997 deri në vitin 1999 ka punuar si diplomat austriak në Kosovë dhe se është takuar me krerë të UÇK-së duke përfshirë katër të akuzuarit,

    “Nga fundi i vitit 1997 deri në mars të vitit 1999, Jan Kickert ka punuar në Beograd si diplomat austriak. Në fillim të vitit 1998 ka udhëtuar në Kosovë i ngarkuar për t’u takuar me udhëheqësit e partive, ndërkombëtarë dhe anëtarëve të tjerë. Vizitat e Kickert në Kosovë janë bërë më të shpeshta në pjesën e dytë të vitit 1998 pasi ai ishte udhëzuar të krijojë një pikë kontakti me udhëheqjen e UÇK-së për t’i angazhuar ata në procesin politik. Për të arritur këtë qëllim, ai ka marrë pjesë në disa takime me anëtarë të Shtabit të Përgjithshme; përfshirë Hashim Thacin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin”, ka thënë prokurori Capin.

    Prokurori Capin ka thënë se dëshmitari ka marrë pjesë në një takim për të diskutuar lidhur me lirimin e disa ushtarëve serbë.

    “Në korrik të vitit 1998, Kickert u takua me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe pastaj ndaras me Jakup Krasniqin. Më 1999, Kickert mori pjesë në takim për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë. Kickert ishte vëzhgues gjatë negocitave gjatë dhe pas Konferencës së Paqes në Rambuje, duke ndërvepruar me udhëheqjen UÇK-së, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin. Në mars të vitit 1999, Kickert mori pjesë në një takim për të diskutuar marrëveshjen e Rambujesë me udhëheqësit e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Jakup Krasniqit”, ka deklaruar Capin, raporton Betimi për Drejtësi.

    Më 1999, është thënë se ishte këshilltar politik i UNMIK-ut.

    Dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi edhe në rastin e Fatmir Limajt. Si rrjedhojë e seancës, në prova materiale u pranuan dy dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth tetë orë e gjysmë e që një prej tyre është parashikuar për pyetjet e ZPS-së ndërsa shtatë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

    Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, përveç Jakup Krasniqit i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

  • Zelensky nënshkruan marrëveshje të sigurisë me Belgjikën

    Zelensky nënshkruan marrëveshje të sigurisë me Belgjikën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka nënshkruar të martën një marrëveshje të sigurisë me kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo në Bruksel.

    Zelensky ka thënë se marrëveshja në vlerë të 977 milionë dollarëve tregon për përkushtimin e Belgjikës për t’i ofruar mbështetjes Ukrainës në periudhë 10-vjeçare.

    Sipas presidentit ukrainas, marrëveshja tregon “për herë të parë” që Ukraina do të pranojë 30 aeroplanë ushtarakë F-16, dhe i pari do të dërgohet më vonë gjatë këtij viti.

    Kjo marrëveshje e sigurisë është rezultat i një vendimi të marrë prej krerëve të shteteve anëtare të NATO-s, përgjatë një samiti në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, në korrik të vitit të kaluar.

    Atëherë, vendet anëtare janë pajtuar që të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me Ukrainën, për t’ia garantuar sigurinë këtij vendi në periudhë afatgjatë.

    Marrëveshjet garantojnë që Ukraina do të pranojë armë dhe ndihmë financiare, për t’i mbushur zbrazëtirat që ka, derisa vendi të jetësojë synimin për anëtarësim në NATO.

    Marrëveshja vjen teksa Rusia vazhdon të avancojë në fushëbetejë në tokën ukrainase.

    Ushtria ukrainase e ka vuajtur mungesën e armëve dhe municionit në muajt e fundit, derisa Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar ndihmën ushtarake në vlerë të 61 miliardë dollarëve për këtë vend.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL