ATV

Category: Lajme

  • Ish-ministri Berisha mungon për arsye shëndetësore, anulohet seanca në rastin “Veteranët”

    Ish-ministri Berisha mungon për arsye shëndetësore, anulohet seanca në rastin “Veteranët”

    Për shkak i akuzuari Rrustem Berisha mungoi për arsye shëndetësore, është anuluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”,

    Nga zyra e gjykatësit Gazmend Bahtiri kanë njoftuar se mbrojtësi i Berishës, avokati Artan Qerkini ka njoftuar me e-mail se i mbrojturi i tij ka probleme shëndetësore, duke bashkëngjitur edhe raporte mjekësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, u bë e ditur se palët janë njoftuar paraprakisht për anulimin e kësaj seance, ndërsa e radhës nuk është konfirmuar ende se kur do të mbahet.

    Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

    Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

    Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

    Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

    Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi

  • Prej 1 qershori, qytetarët e Ballkanit mund të punojnë në Gjermani pa dëshmuar kualifikimet

    Prej 1 qershori, qytetarët e Ballkanit mund të punojnë në Gjermani pa dëshmuar kualifikimet

    Të shtunën, më 1 qershor, hyn në fuqi faza e tretë e ligjit gjerman, qëllimi i të cilit është tërheqja e fuqisë punëtore të kualifikuar të huaj, e cila do të sjellë përfitime të shumta për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe mbi të gjitha një kuotë të dyfishtë të punëtorëve nga rajoni të cilët do të mund të gjejnë më lehtë punë në Gjermani.

    Vitin e kaluar qeveria gjermane prezantoi Ligjin për Imigrimin e Punëtorëve të Kualifikuar (FEG), dispozitat e të cilit hyjnë në fuqi gradualisht.

    Në fakt, bëhet fjalë për zgjatjen e ligjit nga viti 2016, i cili u mundësoi qytetarëve të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë qasje më të lehtë në tregun gjerman të punës, deri diku pavarësisht nga kualifikimet formale.

    Ligji u zgjat dhe u ndryshua vitin e kaluar dhe hyn në fuqi me faza. Ndryshimet nuk zbatohen për vendet e punës, kryerja e të cilave është në lidhje me ligj me nostrifikimin e diplomave, për shembull, profesione akademike si mjekësia apo kujdesi mjekësor për të pafuqishmit.

    Sipas ligjit, kushdo që ka kualifikim profesional do të mund ta kryejë atë punë në Gjermani dhe e njëjta gjë vlen, pa dëshmuar, për personat që, nga kanë ardhur, kanë punuar për të paktën dy vjet në një punë që kërkon “diplomë profesionale të njohur nga shteti”.

    E reja është e ashtuquajtura “karta e shansit” për kërkimin e punës, e cila bazohet në ndarjen e pikëve sipas kritereve të ndryshme, si kualifikimet, njohja e gjuhës gjermane apo angleze, përvoja e punës, lidhjet me Gjermaninë, mosha dhe ndoshta familja që shoqëron punëtorin e huaj.

    Faza e tretë e ligjit do t’ua lehtësojë punonjësve të huaj që gjejnë punë, të sjellin me vete jo vetëm anëtarët e ngushtë, por edhe anëtarët e familjes së gjerë, përcjell Paparaci.

    Kjo fazë është veçanërisht interesante për ekspertët e profesioneve të zejeve, sepse ndër të tjera, nga 1 qershori 2024, kuota për banorët e Ballkanit Perëndimor do të dyfishohet nga 25 mijë në 50 mijë, njofton sindikata qendrore e zejtarëve gjermanë ZDH.

    Konkretisht, kjo do të thotë se 50,000 qytetarë të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të kenë qasje më të lehtë në tregun gjerman të punës, pa pasur nevojë të dëshmojnë kualifikime profesionale. Përveç kësaj, do të ketë kontigjente mujore.

    Agjencia Federale Gjermane e Punësimit do të japë leje punësimi paraprakisht, dhe jo si më parë, leje paraprake dhe punëdhënësit do të mund ta kërkojnë lejen edhe online.

    Sapo Agjencia të japë miratimin, punëtori i ardhshëm nga Ballkani Perëndimor do të mund të kërkojë vizë gjermane qëndrimi dhe pune në përfaqësinë konsullore kompetente.

    Megjithatë, përfitimet nuk do të zbatohen për zgjatjen e lejes së qëndrimit, në këtë rast punonjësi do të duhet të kontaktojë administratën kompetente për të huajt.

    ZDH theksoi se suksesi i ligjit, i cili duhet të tërheqë fuqinë punëtore profesionale kronike të mangët në Gjermani, varet kryesisht nga shpejtësia dhe efikasiteti i institucioneve.

    Në mënyrë që bizneset e vogla të përfitojnë nga rregullorja për Ballkanin Perëndimor, duhet të futen procedura administrative të shpejta dhe efikase në përfaqësitë gjermane jashtë vendit dhe në shërbimet gjermane të ngarkuara për të huajt, theksohet në shoqatë.

  • Sanchez: Njohja e Palestinës është thelbësore për paqen, s’jemi kundër Izraelit

    Sanchez: Njohja e Palestinës është thelbësore për paqen, s’jemi kundër Izraelit

    “Njohja e shtetit të Palestinës është e nevojshme për të arritur paqen midis izraelitëve dhe palestinezëve”! Kështu është shprehur kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

    Në një deklaratë të shkurtër të bërë spanjisht dhe anglisht, Sanchez ka argumentuar se është pro ndarjes në 2 shtete, duke theksuar se ky qëndrim i tyre nuk është marrë “kundër askujt, aq më tepër kundër Izraelit”.

    Në fjalimin e tij, kryeministri spanjoll vuri në dukje se Spanja do të njohë një shtet palestinez që përfshin Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, të bashkuar nën Autoritetin Kombëtar Palestinez, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Ai shtoi se Madridi nuk do të njihte ndryshimet në kufijtë palestinezë të pas vitit 1967.

    Pas Spanjës, edhe Irlanda dhe Norvegjia do të njohin gjithashtu zyrtarisht një shtet palestinez.

  • Kujtim Shala i LDK-së para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm: E votojmë shpërndarjen e Kuvendit, por me këtë kusht

    Kujtim Shala i LDK-së para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm: E votojmë shpërndarjen e Kuvendit, por me këtë kusht

    Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot duke filluar nga ora 18:00 pritet të ketë një mbledhje.

    Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, ka folur për FrontOnline pak orë para mbledhjes së këtij këshilli të kësaj partie.

    I pyetur nga FrontOnline, nëse LDK do të ndryshojë qëndrim sa i përket shpërbërjes së Kuvendit, Shala ka thënë se LDK e voton shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, por vetëm pas dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti.

    “Ne e votojmë shpërbërjen e Kuvendit, por vetëm pas dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti” thotë Shala.

    Deputeti Shala, po ashtu ka treguar se mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, sot në ora 18:00 ka të bëjë me çështje organizative të partisë.

    “Mbledhja e Këshillit, ka të bëjë me çështje organizative të partisë dhe në lidhje me mundësinë e organizimi të zgjedhjeve” deklaroj Shala.

  • Torres: Do të vazhdoj të angazhohem që Kosova të bëhet anëtare e plotë në NATO

    Torres: Do të vazhdoj të angazhohem që Kosova të bëhet anëtare e plotë në NATO

    Kongresisti amerikan, Ritchie Torres i është gëzuar lajmit të avancimit të të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar në Asamblenë Parlamentare e NATO-s.

    Torres me anë të një postimi në “X”, ka thënë se do të vazhdoj të angazhohet për anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO.

    “Jam i kënaqur që shoh se Republika e Kosovës ka avancuar në një anëtare të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ka kaluar shumë kohë që Kosova jo vetëm të anëtarësohet në asamblenë parlamentare, por më e rëndësishmja, të jetë përfundimisht një anëtare e plotë e NATO-s. Duhet bërë më shumë – mbani mend fjalët e mia se unë do të vazhdoj të shtyj para përfshirjen e tyre të plotë në NATO”, ka shkruar Torres.

  • ​Aktakuzë kundër dy personave për “nxitje të përçarjes dhe mos durimit’’

    ​Aktakuzë kundër dy personave për “nxitje të përçarjes dhe mos durimit’’

    Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër dy të pandehurve me inicialet N.B dhe L.Z.

    Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve të lartcekur është ngritur për shkak të veprës penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’’.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së në takim urgjent pas sulmit në Rafah

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së në takim urgjent pas sulmit në Rafah

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë të martën një takim urgjent, pas sulmeve izraelite që kanë lënë të vrarë dhjetëra persona të zhvendosur në një kamp në Rafah të Gazës.

    Sulmet e së dielës kanë lënë të vdekur 45 persona, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Sulmi ka nxitur kritika ndërkombëtare. Shumë shtete arabe e kanë quajtur sulmin si “masakër”.

    Izraeli, në anën tjetër, ka thënë se po kryen hetime për këtë “aksident tragjik”.

    “Nuk ka vend të sigurt në Gazë. Ky tmerr duhet të përfundojë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Shefi i Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, Martin Griffiths, ka thënë se përshkrimi i sulmit në Gazë si “gabim”, nuk do të thotë asgjë për personat e vrarë, ata që kanë humbur familjarë, dhe ata që po tentojnë të shpëtojnë.

    Mbledhja e së martës është thirrur prej Algjerisë.

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell ka thënë se është “i tmerruar nga lajmi” për sulmin në Gazë, derisa presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se është i “indinjuar”.

    yrtarë prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se Izraeli duhet të marrë çdo masë të mundshme për t’i mbrojtur civilët.

    Ushtria izraelite ka thënë se po kryen hetime për rastin.

    Lufta në Gazë është nxitur prej sulmeve të kryera prej Hamasit në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 persona dhe duke marrë peng 250 të tjerë.

    Hamasi është grup palestinez, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    Izraeli, më pas, ka nisur fushatë ushtarake në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të Hamasit.

    Si pasojë e sulmeve hakmarrëse janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë në Gazë, kryesisht civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL

  • Shala: Situata është nën kontrollë, por nga Serbia në çdo moment mund të presim aktivitete kriminale

    Shala: Situata është nën kontrollë, por nga Serbia në çdo moment mund të presim aktivitete kriminale

    Njohësi i çështjeve së sigurisë, Drizan Shala, derisa flet për një vjetorin e katër kryetarëve në komunat veriore, për FrontOnline e konsideron të qetë gjendjen në Veri dhe thotë se Policia e Kosovës e ka nën kontrolle atë pjesë.

    ‘’Sa i përket gjendjes se qeverisjes në katër komunat veriore, mund të konstatojmë se Policia e Kosovës ka në duar, kontrollin e saj në katër komunat veriore, që ishin vatër e aktiviteteve kriminale dhe strukturave të Serbisë’’ thekson ai.

    Ai shton se situata edhe pse është nën kontrolle, mund të ketë nga momenti në moment nxitje të situatës nga Serbia.

    ‘’Mund të vijmë në një konkludim se siguri a deri më tani është nën kontrolle. Nga pjesa e Serbisë mund të presim nga momenti në moment nxitje të situatës në atë pjesë si dhe aktivitete kriminale që nxisin në prishjen e qetësisë në atë pjesë’’ deklaron ai.

  • Përfaqësuesja e Kosovës U13 kthehet nga kampionati evropian i Pingpongut

    Përfaqësuesja e Kosovës U13 kthehet nga kampionati evropian i Pingpongut

    Përfaqësuesja e Kosovës U13 në Pingpong, është kthyer nga kampionati Evropian i Pingpongut që këtë vit është mbajtur në Bukuresht të Rumanisë, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë kampionat, i cili ësht ëi dyti me radhë, Kosova nuk arriti ndonjë sukses, pasi u rëndit e fundit në grup, duke u mposhtur nga Franca, Spanja dhe Italia.

    “Në fazën e parë, ekipi ynë ka garuar në konkurrencën ekipore në grupin F me Francën, Spanjën dhe Italinë, ku i humbën të tria ndeshjet me rezultatin 5:0. Në fazën e dytë garuan për pozicionet 17-29 në grupin 7 me Kroacinë, Anglinë dhe Slloveninë. Ndeshjet ndaj Anglisë dhe Sllovenisë i kemi humbur me 5:0, kurse ndaj Kroacisë me 4:1. Në ndeshjen ndaj Kroacisë, Olti Behluli, ka arritur një fitore”.

    “Në konkurrencën ekipore Kampione ka dalë Gjermania, pasi ka fituar në finale ndaj Spanjës me 3:0. Në konkurrencën individuale, lojtarët tanë nuk kanë arritur të kalojnë fazën e grupeve, por vlen të përmendet fitorja e Olti Behlulit, ndaj lojtarit të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e komisionit të garave të Federatës së Pingpongut.

    Kosova në këtë kampionat është përfaqësuar, Olti Behluli, Muhammet Mudut, Resul Smaili, Vlera Beqa, Sara Hoxha, dy trajnerët Ardian Lamaxhema dhe Sadri Abazi, si dhe udhëheqësi i delegacionit Remzi Shala.

    Kampionati Evropian për U13 vjeç, filloi si një ngjarje eksperimentale në vitin 2022 në Podgoricë të Malit të Zi, pastaj vitin e kaluar, Kampionati u mbajt për herë të parë në Zagreb, kurse ky në Bukuresht ishte Kampionati i dytë me radhë.

  • Edhe sot vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Edhe sot vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Gjykatën Speciale në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i njohur si rasti “Thaçi dhe të tjerët”.

    Ky process gjyqësor pritet të fillojë nga ora 09:00 dhe të zgjasë deri në ora 16:30.

    Ndryshe, dje për herë të parë pas nisjes së gjykimit në Gjykatën Speciale, u deklarua ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

    Deklarata e Veselit pati të bëjë me orët e përdorura për marrjen në pyetje të dëshmitarëve, që më pas po ndikojnë në tejzgjatjen e paarsyeshme të procesit ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.