ATV

Category: Lajme

  • ​Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

    ​Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

    Për sot në ora 11:00 është caktuar seanca konstituive e Kuvendit të Mqedonisë së Veriut, të cilën pritet që ta udhëëheqë deputetja më e moshuar e përbërjes së re parlamentare, Merita Kollçi Koxhaxhiku.

    Sipas rendit të ditës, seanca plenare ka katër pika.

    Pasi të konstatohet kuorumi, zgjedhet përbërja e Komisionit Verifikues të Kuvendit, me propozimin e të cilit Kuvendi i verifikon mandatet e deputetëve. Në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit, Komisioni Verifikues, dorëzon raport për çdo deputet dhe më pas i njëjti votohet.

    Pas kësaj, deputetët do të zgjedhin përbërjen e Komisionit për Çështje Zgjedhjeve dhe Emërimeve, ndërkaq në fund, deputetët do të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

    Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive mund të zgjasë më së shumti tre ditë, ndërkaq Kuvendi llogaritet i konstituuar me zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit.

    10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e shtetit është e obliguar që ta japë mandatin për formimin e Qeverisë. Mandatari, në afat prej 20 ditësh duhet të dorëzojë në Kuvend program qeveritar dhe propozim të përbërjes qeveritare, që më pas të bëhet votimi në Kuvend me minimum 61 vota. /Alsat.mk/

  • Rrufeja godet aeroplanin Cyrih-Shkup

    Rrufeja godet aeroplanin Cyrih-Shkup

    Ekipi i volejbollit të Maqedonisë është përballur me një situatë të të rrezikshme gjatë ditës së djeshme, pasi rrufeja ka goditur aeroplanin gjatë fluturimit nga Cyrihu për në Shkup.

    Për shkak të kësaj, piloti vendosi të kthehej menjëherë në Cyrih ku bëri një ulje emergjente. Volejbollistet tanë po qëndrojnë në hotel dhe pritet që sot të marrin një fluturim të ri për në Shkup.

    “Situatë vërtet e pabesueshme, ndërsa ne po fluturonim avioni u godit nga rrufeja dhe piloti vendosi të kthehej në Cyrih. Nuk ishte e këndshme kur dëgjuam se çfarë ndodhi, pamë një dritë të fortë në afërsi”, thotë kapiteni Nikolla Gjorgiev për mediumin Ekipa.

  • Arrestohet një person në Prizren për “vrasje në tentativë”

    Arrestohet një person në Prizren për “vrasje në tentativë”

    Një person është arrestuar në Prizren për veprën penale “vrasje në tentativë” të ndodhur më 27 maj të këtij viti.

    Sipas policisë, njësiti i hetimeve ka arritur që të lokalizoj të dyshuarit, i cili është intervistuar në prani të avokatit.

    “Në lidhje me këtë është informuar prokurori i rasti, i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim te dyshuarin për 48 ore. Rasti është nen hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohin sot zyrtarisht shtetin palestinez

    Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohin sot zyrtarisht shtetin palestinez

    Spanja, Irlanda dhe Norvegjia do ta njohin të martën edhe zyrtarisht shtetin palestinez.

    Ky vendim është dënuar ashpër nga Izraeli dhe është parë si “shpërblim” për Hamasin, grupin palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që udhëheq Gazën.

    Këto tri shtete evropiane besojnë se iniciativa e tyre ka ndikim të madh dhe që do t’i inkurajojë edhe vendet tjera të veprojnë njëjtë.

    Ato përmendin edhe rolin historik të Norvegjisë dhe Spanjës në avancimin e përpjekjeve për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.

    Më 1991, dy palët janë ulur së bashku, për herë të parë ndonjëherë, në konferencën për paqe në Madrid, e cila më pas ua ka hapur rrugën të ashtuquajturave Marrëveshje të Oslos, të nënshkruara më 1993.

    “Njohja e shtetit palestinez ka të bëjë me drejtësi për popullin palestinez”, ka thënë ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, të hënën në Bruksel.

    Sipas tij, ky vendim përbën “garancinë më të mirë të sigurisë për Izraelin dhe është absolutisht thelbësore të arrihet paqja në rajon”.

    Planet për njohje të shtetit palestinez janë prezantuar javën e kaluar përmes një njoftimi të koordinuar në mes të tre kryeministrave.

    Vendimi i tyre vjen teksa vazhdon lufta Izrael-Hamas.

    Lufta e nisur më 7 tetor të vitit të kaluar është nxitur prej Hamasit.

    Militantët e grupit kanë hyrë në jug të Izraelit atë ditë dhe kanë kryer sulm që ka rezultuar me më shumë se 1.200 persona të vrarë, kryesisht civilë, dhe marrjen peng të rreth 250 të tjerëve.

    Izraeli, më pas, ka nisur fushatë ushtarake në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të Hamasit.

    Si pasojë e sulmeve hakmarrëse janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë në Gazë, kryesisht civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL

  • Jeta dhe aksionet heroike të Mensur Zyberajt

    Jeta dhe aksionet heroike të Mensur Zyberajt

    Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e dëshmorit i kombit, Mensur Sefer Zyberaj, i lindur më 7 korrik të vitit 1965 në fshatin Drenaj të Anadrinit. Heroi Mensur Zyberaj ishte ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së.

    Pas përfundimit të shkollës së mesme, Mensur Zyberaj është regjistruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë studimeve, duke kaluar shtigjeve kah dituria dhe liria, ka zgjeruar veprimtarinë dhe rrethin e shokëve. Fakulteti, studimet dhe veprimtaria patriotike e ka lidhur ideali i bashkimit kombëtar dhe kështu Mensuri është lidhur edhe me: Lahi Ibrahimajn, Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nuri Behxhetin, Nait Hasanin, prof. Muhamet Malësorin dhe prof. Ukshin Hotin dhe në Prishtinë është faktorizuar së bashku me Feim Gashin e Muhamet Malësorin në organizimin e rezistencës së armatosur për çka e frymëzonte veçanërisht prof. Ukshin Hoti, “Promethe i Shtetësisë së Kosovës”.

    Në frymën e parimeve përgatitore të kalimit nga veprimtaria ilegale në veprimtari më të konsoliduar operative, ai ka marrë pjesë në aksionet sulmuese mbi stacionet dhe postblloqet e policisë serbe dhe është zbrazur Stacioni Policor i Drinasit (ish – Ratkocit) të cilin e kanë shkatërruar: Mensur Zyberaj, Feim e Bedrush Gashi me shokë, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Pas këtij aksioni të suksesshëm për Grupin e Anadrinit, Mensuri e ka vazhduar veprimtarinë me Vehbi Muharremin, Bedri Zyberajn, Tafil Zyberajn e Muharrem Berishën dhe kanë përshpejtuar dinamikën për organizimin e rezistencës së armatosur në fshatrat e Anadrinit. Për ta realizuar këtë detyrë, Mensuri ka bashkëvepruar me luftëtarët e lirisë nga Drenica e Komandantit Legjenda, Adem Jashari. Në Likoc e Açarevë është gjendur së bashku me Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Sabit Gecin, Sami Lushtakun e Xheladin Gashin – Plakun.

    Rënia e dëshmorit Luan Haradinaj më 6 maj të vitit 1997 në “Qafën E Mullarit”, Mensurin e gjeti në Shqiponjë, ndërsa rënia e mësuesit Halit Geci në Llaushë, në Skënderaj. Së bashku me Bedrush Gashin, Feim Gashin, Haxhi Hotin dhe Sakip Bellaqën. Në Likoc marrin detyra për të vepruar në sektorin e logjistikës i cili kalonte nëpër Has. Kishte mbështetje nga i vëllaj Osman Zyberaj i njohur si “Baca i Vogël” e nga fqiu Isuf Sherif Gashi, “Baca i Madh” – dy shtylla në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Më 26 prill të vitit 1998, në fshatin Drenaj ka dalë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe fshati është shndërruar në kazermë, ndërsa me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm është themeluar Shtabi Operativ Lokal, i cili shumë shpejt ka avancuar në nivelin rajonal të Anadrinit me stafin komplet dhe planin operativ për shtrirje. Punën e shtabit e ka drejtuar Mensur Zyberaj me ndihmën e vëllezërve Gashi; Bedrushit dhe Feimit. Me konstituimin e shtabit Operativ Rajonal, në ballë ka dalë Xhemë Gashi me: Gani Paçarizin, Selajdin Mullabazin, Selim Krasniqin, Isuf Gashin, Bedrush Gashin dhe Mensur Zyberajn. Pas aksionit të 26 prillit 1998, ndërmjet Krushës së Vogël e Piranës, më 12 maj kanë shpërthyer luftimet e para frontale ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore serbe në kodrinat pranë fshatrave: Franjakë, Bardhatin, Drenaj e Drinas.

    Këto luftime kanë shënuar Betejën e Bardhatinit, në të cilën janë thyer forcat policore – ushtarake serbe, ndërsa në radhët e luftëtarëve të lirisë janë përjetësuar: Milaim Krasniqi e Elmi Morina e Mensurit i është plagosur rëndë i vëllaj Osmani. Por atyre ditëve, pas betejës së Balincës e Grykës së Llapushnikut, luftimet janë shtrirë në Rrafshin e Anadrinit.

    Pas thyerjes së forcave serbe në Gardhisht, policia ka kurthyer “Pritën e Përudhës”, ndërmjet fshatrave: Fortesë e Xërxë në të cilën Mensurit i janë përjetësuar: Përparim Thaçi i Landavicës, Sakip Bellaqa i Burimit të Epërm dhe Feim Gashi i Drenajt e është plagosur rëndë Islam Gashi, por Mensuri ka qëndruar i pathyshëm dhe ka vazhduar luftën, e cila ka qenë e shtrirë nëpër fshatrat e Anadrinit. Më 6 qershor, Mensur Zyberaj është gjetur në luftimet e Drinasit kurse më 18 – 19 qershor në Bokat e Kromnikut.

    Më 17 korrik 1998 “Komandant Pesqinshi” ka qenë në luftimet për Rahavecin, kurse më 18 korrik në Betejën e Fortesës ka mbetur pa Gani Paçarizin, pa Agim Kelmendin, pa Tafil Zyberajn e pa Skënder Jahë Kastratin.

    Por, menjëherë pas luftimeve të korrikut, është hetuar zbehja logjistike prandaj Mensur Zyberaj është angazhuar sërish në korridorin logjistik: Drenaj – Celinë – Rogovë – Kushnin – Cahan, në të cilin ka vepruar deri më 27 tetor 1998, kur u ka prirë shokëve për t’u riarmatosur. Më 6 nëntor ka mbetur pa Xhelal Hajdën e Selajdin Mullabazin, kurse më 3 dhjetor në Gurrazhub i është përjetësuar bashkëluftëtari dhe shoku i idealit, profesor Muhamet Malësori.

    Më 12 dhjetor, ai është rreshtuar në “Eshalonin e Mujë Krasniqit” dhe me luftime nëpër dëborë e stuhi ka arritur edhe një herë në Kosovë, por tash pa dyzetë shokë e pa dhëndrin Isaj Muharrem Morina nga Franjaka e Anadrinit.

    Marsi i vitit 1998, dëshmorin e kombit, Mensur Zyberaj e ka gjetur nëpër luftimet përreth “Qafës së Pagarushës”, prilli nëpër “Malet e Berishës” prej nga ka zbritur në Rrafshin e Anadrinit; aty është gjetur së bashku me komandant Tahir Sinanin dhe koordinojnë taktikën për t’u inkorporuar në operacionin “Shigjeta” në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë e së andejmi deri në fshatrat përreth Drinit të Bardhë.

    Më 26, 27 e 28 maj të vitit 1999, Anadrini është rrethuar përsëri pasi që forcat e mëdha serbe kanë ndërmarrë “krehjen me këmbësori” prej “Rrihjeve” të Rahavecit në drejtim të “Hamoceve”, “Pisjakut”, “Bërnajakës”, “Rrapishteve”, “Izbishtit” e kah “Lugu i Qëndresës”, ndërmjet fshatrave: Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Zaçisht, Apterrush, Reti, Reti e Ulët dhe Qëndresë (ish – Randubravë) dhe kështu më 28 maj kah ora ll, 30, janë ballafaquar forcat serbe me luftëtarët e lirisë dhe luftimet kanë zgjatur deri në shkatërrimin total të forcave të Milintijeviqit. Në fushën e nderit të altarit të lirisë në kodrat dhe lugjet e Mileskës kanë rënë: Habib Gashi, Kurtish e Nazmi Hasani, Ismajl Gashi, Bedri Berisha i Valljakës, Manush Berisha, Agron Bytyçi dhe komandant “Pesqinshi” – Mensur Zyberaj i Drenajt të Rahavecit. Por, në këtë betejë duke bërë rezistencë e sulme të parreshtura mbi forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe bri “Lugjeve të Mileskës” janë plagosur rëndë edhe Rexhep Krasniqi, Selim Gashi e Isa Gashi.

    Forcat serbe, pjesa e mbetur, është dëbuar në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë kurse luftëtarët e Adem Jasharit pozicionohen në aksin e përmendur rrugor te “Ura e Piranës”, ku edhe kishte filluar lufta në fshatrat e Anadrinit më 26 prill të vitit 1998.

    Serbët nuk kishin arritur t’i merrnin trupat e dëshmorëve Habib Gashi, Bedri Berisha e Kurtish Hasani, por e kanë marrë Mensur Zyberajn dhe Ismajl Gashin. Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të Zonës Operative të Pashtrikut, trupat e pajetë të Mensur Zyberajt, Bekim Gashit, Dalip Behrës e të Ismajl Gashit janë zbuluar në varrezat e Prizrenit. Rivarrimi i dëshmorit Mensur Zyberaj është bërë më 30 qershor të vitit 1999 në fshatin Drenaj të Rahavecit pranë dëshmorëve: Bedrush e Feim Gashi, Tafil Zyberaj e viktimave të luftës, të cilëve i është bashkuar edhe Isuf Berisha, i ekzekutuar në Burgun e Dubravës./KosovaPress

  • Mehaj: Kosova do luajë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e demokracisë

    Mehaj: Kosova do luajë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e demokracisë

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka mirëpritur vendimin e avancimit të statusit të Kosovës në anëtar të asocuar të NATO-s.

    Mehaj shkruan se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, po shkon përtej bashkimit në një aleancë, ndaj dhe me hapa të tillë, do të luajë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave të demokracisë.

    ”Sot shënojme edhe një moment tjeter historik për Kosovën, me ç’rast, Asambleja Parlamentare e NATO-s, ka miratuar me shumicë votash avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues, në anëtar të asociuar.Rruga jonë drejt anëtarësimit në NATO nuk ka të bëjë vetëm me bashkimin në një aleancë; por shkon përtej, për të afirmuar përkushtimin tonë për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.

    Në këto kohë sfiduese, ku rrethanat e reja gjeopolitike kanë ndryshuar, roli i Kosovës brenda NATO-s është më jetik se kurrë.

    Ndërsa qëndrojmë në prag të këtij kapitulli të ri, për shtetin tonë, ne po i hapim rrugë së ardhmes, ku Kosova do të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave të demokracisë, sigurisë dhe respektit të ndërsjellë në skenën globale.

    Ne kemi shumë punë përpara për PFP-në dhe disa procese të NATO-s, por duke punuar së bashku me aleatët tanë do ta arrijmë edhe atë”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

  • Moti sot me vranësira e me diell

    Moti sot me vranësira e me diell

    Në Kosovë sot moti do të jetë i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen të sjellin riga shiu.

    Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-6m/s.

    Kushtet agrometeorologjike dhe biometeorologjike vazhdojnë të jenë relativisht të mira dhe stabile. Fillimi i qershorit parashihet me kushte të qëndrueshme meteorologjike.

  • Kurti thotë se BE-ja e SHBA-ja po sillen “shumë butë” ndaj Serbisë

    Kurti thotë se BE-ja e SHBA-ja po sillen “shumë butë” ndaj Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë treguar shumë të buta ndaj Serbisë dhe duhet t’ia caktojnë një ultimatum për t’i vënë sanksione Rusisë.

    Në një intervistë për “Financial Times”, Kurti ka thënë se Beogradi duhet të rreshtohet kah Perëndimi ndaj Moskës në mënyrë që t’i japë Kosovës siguri se është e përkushtuar në normalizim raportesh.

    “Brukseli dhe Washintgoni duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’i japin ultimatum Serbisë… që t’i vë sanksione Federatës Ruse dhe të ndalë përpjekjet që të ulet në tre ose katër stola”, ka thënë Kurti.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ruajtur raportet e ngushta me Kremlinin dhe Pekinin. Vuçiqi ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë.

    “Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”, ka thënë Kurti.

  • Fillon shqyrtimi gjyqësor ndaj Dragisa Milenkoviçit

    Fillon shqyrtimi gjyqësor ndaj Dragisa Milenkoviçit

    Nga Burgu i Sigurisë së Lartë, ku po qëndron nga viti i kaluar, Dragisa Milenkoviç të hënën u soll pas katër muajve sërish në Gjykatën e Prishtinës.

    Millenkoviçit i është konfirmuar aktakuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit dhe të hënën u hap shqyrtimi gjyqësor.

    Prokuroria Speciale gjatë fjalës hyrëse tha se gjatë gjykimit do të dëgjohen dëshmitarë okularë, e do të prezantohen prova, që, sipas saj, do të vërtetojnë se ish-gardiani i burgut të Lipjanit, keqtrajtoi e rrahu edhe me kabllo elektrike të burgosurit shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

    PSRK-ja e ka theksuar faktin se Milenkoviçi kreu krime ndaj civilëve në cilësinë e personit zyrtar.

    Pretendimet e Prokurorisë i mohon i pandehuri, dhe mbrojtja e Milenkoviçit, e cila nuk ka hequr dorë nga dëgjimi i kryeministrit Albin Kurti si dëshmitar, duke i propozuar edhe Gjykatës, pasi gjatë fazës të hetimeve kërkesa nuk iu aprovua.

    “Këtu është prezente një pjesë e familjes, një pjesë e kam në Serbi. Betohem në kokë të familjes se nuk i kam prekë me gisht”, deklaroi i akuzuari Dragisa Milenkoviç.

    “Kemi kërkuar që kryeministri Albin Kurti të dëshmojë pasi e njeh mirë të pandehurin, i di shumë mirë veprimet e tij, sjelljen e tij ndaj të burgosurve”, tha Dejan Vasiç, avokat i Dragisa Milenkoviçit.

    Milenkoviç e ka pranuar fajësinë për posedim të armëve pa leje, të cilat i ishin sekuestruar në shtëpinë e tij nga Policia e Kosovës, në qershorin e vitit të kaluar.

    Arrestimi i tij po në këtë muaj kishte nxitur protesta në Graçanicë, e reagime në Serbi.

    Ndërsa, të hënën përveç mediave serbe, interesim për monitorim të seancës pati edhe nga një pjesëtar i KFOR-it amerikan, i cili i tha televizionit që nuk është në cilësinë e personit zyrtar, por është avokat me profesion.

  • Kosova, anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare të NATO-s

    Kosova, anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare të NATO-s

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Asambleja Parlamentare e NATO-s avancoi statusin e Kosovës, në këtë organizatë ndërlidhëse të aleancës veri-atlantike, nga vëzhguese në anëtare bashkëpunëtore.

    Vendimi i marrë të hënën në Sofje të Bullgarisë, i mundëson Kuvendit të Kosovës pjesëmarrje në pothuajse të gjitha komitetet dhe nën-komitetet e asamblesë, si dhe të diskutojë e propozojë amendamente dhe rezoluta.

    Megjithatë, delegacioni kosovar nuk do të ketë të drejtë vote.

    “Kosova tani ka të drejtë të marrë pjesë në takime, në mbledhje të rëndësishme të asamblesë së NATO-s, megjithatë nuk e ka të drejtën e votimit për raportet, propozimet dhe vendimet që merren atje. Megjithatë, është një shkallë ose hap tutje drejt anëtarësimit, që është epilogu i synuar i yni, por edhe i NATO-s që ta ketë Kosovën brenda saj”, tha Fatmir Çollaku, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Asambleja Parlamentare funksionon institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si lidhje ndërmjet kuvendeve të shteteve anëtare.

    Në këtë kontekst, edhe pse avancimin e vlerësoi zhvillim të rëndësishëm, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, theksoi nevojën e përqendrimit te programi që i paraprin anëtarësimit të plotë.

    “Është një tregues dhe një trajektore e mirë në kontekstin afatgjatë, sepse Kosova e ka këtë synim edhe politik edhe ushtarak, të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike… Ne duhet të punojmë fuqishëm me partnerët tanë strategjikë që të jemi në programin e partneritetit për paqe, i cili është segmenti kryesor apo çelësi i derës për të hyrë në NATO”, tha Shala.

    Pasi shpjegoi se procesi i anëtarësimit ka gjithsej shtatë faza që përfshijnë një sërë çështjesh, ai vlerësoi se në situatën aktuale, zyrtarisht, Kosova është në atë zero.

    “Në hapin zero konsiderohet transformimi në Forca të Armatosura, përmbyllja e marrëveshjes finale me Serbinë, demarkimi i kufirit me Serbinë, sepse çdo anëtar i NATO-s i di kufijtë e tij shtetërorë. Dhe, në këtë mori (çështjesh) teknike të cilat Kosova duhet t’i përmbyllë në hapin zero, mendoj që në periudhën më të përshpejtuar të mundshme, më 2028-29 ne mund të jemi anëtar të plotë të NATO-s”, tha Shala.

    Kosova u bë anëtarja e 11-të e asociuar apo bashkëpunëtore e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Të njëjtin status e ka edhe Serbia.

    Aktualisht, Aleanca Veri-Atlantike ka 32 shtete anëtare, ndërsa Kosova ka shprehur haptas ambiciet për t’u bërë pjesë e saj.