ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri Kurti priti në takim bordin e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë

    Kryeministri Kurti priti në takim bordin e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, zhvilluan sot një takim me anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë.

    Kjo shoqatë e themeluar në vitin 2013, luan rol kyç në nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve ndërmjet dy vendeve tona, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për kompanitë në aktivitetet e tyre komerciale dhe duke vepruar si një katalizator për zhvillimin ekonomik.

    Gjatë takimit, u diskutua për politikat më të fundit industriale dhe tregtare, rëndësinë e diasporës së Kosovës në Zvicër, për procesin e sapo përfunduar të regjistrimit të popullsisë, dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e sistemit të arsimit dual.

    Ky i fundit, cilësohet nga qeveria me prioritet të lartë, si sistem kyç për ndërlidhjen e tregut me fuqinë punëtore.

    Aktualisht janë 12 profile të ndryshme të arsimit dual në 14 komuna përreth vendit, me pritshmërinë që në qershor të vitit të ardhshëm të dalin të parët absolventë me një çertifikatë të zyrtarizuar të përfundimit të arsimit.

    Më tej, kryeministri Kurti theksoi se Zvicra ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe se ka qenë e mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë, me vlerë investimesh direkte prej rreth 1.1 miliardë euro nga viti 2007 deri në fund të vitit 2023 dhe se Zvicra renditet si vendi i dytë për sa i përket eksporteve më të mëdha të Kosovës.

    Gjatë bisedës u nënvizua poashtu që deri më tani, Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar 18 marrëveshje të ratifikuara, 6 nisma për marrëveshje ndërkombëtare që mbulojnë bashkëpunimin teknik dhe financiar, aviacionin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave, tregtinë, mbrojtjen e investimeve dhe sigurimet shoqërore.

  • Komisioni Parlamentar diskuton për dezinformimin dhe pronësinë e medieve

    Komisioni Parlamentar diskuton për dezinformimin dhe pronësinë e medieve

    Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e së martës ka vazhduar diskutimin për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ku u diskutua përkufizimi i dezinformimit dhe për koncentrimin medial.

    Kryetari i KPM-së, Jeton Mehemeti tha se edhe opinioni i Këshillit të Evropës, paraqet rrezikun e definimit të dezinformimit dhe keqinformimit.

    “Aty opinioni ligjor paraqet edhe rrezikun e definicionit të dezinformimit dhe keqinformimit në legjislaturat vendore sepse thotë se është ende një term i paqartë, mund të jetë me shumë kuptimësi, në kuptimin që mund të cenojë edhe lirinë e shprehjes nëse vendoset në disa ligje, si referencë përmend edhe rezolutën e Parlamentit ku fton disa akterë të qasen bashkërisht, përmes edukimit medial të qytetarëve, të vet përforcimit të mediave”, tha ai.

    Mehmeti shtoi se edhe ashtu, neni 41 flet për parimet themelore të ofruesve të kompanive mediale, ku paragrafi 4 thotë “ofruesit e shërbimeve mediale sigurojnë informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet duke respektuar formimin e lirë të opinionit”.

    Ai propozoi që kjo mund të përforcohet me dy paragrafë, të cilët ata i kanë formuluar si “ofruesit e shërbimeve mediale nuk duhet të transmetojnë material për të cilin e dinë ose duhet ta dinë që është i pavërtetë ose mashtrues”.

    Si dhe paragrafin “ofruesit e shërbimeve mediale si dhe platformat për shpërndarjen e videove promovojnë zhvillimin e edukimit medial në të gjithë segmentet e shoqërisë të qytetarët e të gjitha moshave”, tha ai.

    Kryesuesi i Komisionit, Valon Ramadani tha se duhet që me amendament ta fusin në ligj që për dezinformimit të nxjerret një rregullore.

    Në anën tjetër, Mehmeti tha ekziston Kodi i Etikës ku flitet për lajmin e pasaktë, jo të balancuar, andaj mund të propozohet që në Kod të shpjegohet më gjerësisht.

    Sa i përket transparencës së pronësisë së mediave, u tha se duhet të përfshihen standarde minimale të pronësisë se mediave dhe një definicion i koncentrimit të mediave.

    “Definicioni i cili tashmë e kemi në rregullore thotë se nënkupton një situatë kur një numër i vogël individësh, persona juridikë ose kompani kontrollojnë aksionet në disa ofrues të shërbimeve mediale dhe kanë kontroll efektiv gjë që mund të çojë në një ndikim negativ në nivelin e pluralitetit të zërave dhe opinioneve në dispozicion dhe për këtë arsye pluralizmi dhe diversiteti mediatik nuk sigurohet”, tha Mehmeti.

    Ndërsa, tha se “pluralizmi mediatik përcakton gjendjen për të pasur një sërë zërash, opinionesh, analizave mbi sistemin mediatik ose bashkëjetesa e llojeve të ndryshme të larmishme të mediave dhe mbështetjes mediatike”.

    Ai tha se ata mund të ofrojnë këto dy definicione konform Këshillit të Evropës, por tha që nuk mund të propozojnë sot standarde minimale sa i përket pronësisë së mediave.

    Mehmeti tha se që 5 muaj kanë miratuar rregulloren për koncentrim medial, e cila është hartuar me ndihmën e ekspertëve Bashkimit Evropian, dhe nuk ka çfarë të shtojë më shumë se ajo që përcakton rregullorja.

    Mbledhja do të vazhdojë të enjten, ku pritet që të votohen amendamentet për ndryshimet në Projektligjin për KPM-në. /BetimipërDrejtësi

  • Afrim Gashi është kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

    Afrim Gashi është kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

    Deputeti i Koalicionit VLEN, Afrim Gashi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

    Gashi është propozuar si kandidat për kryetar Kuvendi nga 75 deputetë të shumicës së re.

    PËR Gashin votuan 76 deputetë, 6 kundër dhe asnjë të përmbajtur.

    Gashi ka qenë bartës i listës së deputetëve të VLEN në zonën e dytë zgjedhore.

    Deri ditën e djeshme (27 maj) ai ka qenë kryetar i partisë Alternativa.

  • Diplomati austriak: Thaçin e kanë cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

    Diplomati austriak: Thaçin e kanë cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitar Jan Kickert tha se gjatë vitit 1998, Hashim Thaçin më shumë e kanë konsideruar si figurë politike sesa ushtarake.

    Dëshmitari tha se një gazetar kosovar i kishte thënë se Thaçi ishte një personalitet i nivelit të lartë, i cili mund të fliste në emër të UÇK-së në procesin politik.

    “Është e saktë sepse atë po kërkonim edhe ne. Kjo më ishte thënë mua nga një gazetar vendor, si personalitet potencial i nivelit të lartë me të cilin mund të fliste me autoritet në emër të UÇK-së për procesin politik të cilin ne po përpiqeshim ta arrinim”, tha Jan Kickert.

    Ai gjithashtu shtoi se është takuar disa herë edhe me Kadri Veselin gjatë kësaj periudhë kohore.

    Dëshmitari pohoi se më 1999 kishte shkuar edhe në zonën e Llapit, e cila komandohej nga komandant Remi.

    “Nuk e di, më duket që Remi ka qenë në rajonin e Llapit, por nuk e di se kur mund të kem shkuar në komandën e tij. Nuk e di as deri ku shtrihej kjo zonë dhe ne kemi pasur zhvilluar diskutime në janar të 1999-ës lidhur me ushtarët e ushtrisë jugosllave”, tha diplomati austriak, duke mohuar se ka shkuar ndonjëherë në këtë zonë më 1998.

    Jan Kickert tha se në atë kohë e kishte përshtypjen se rajonet ishin grupe që vepronin në mënyrë autonome sesa përmes një komande hierarkike.

    Dëshmitari pohoi se UÇK-ja ekzagjeronte strukturën e saj, koordinimin për t’u marrë më seriozisht nga ndërkombëtarët.

    “Për të çuar përpara statusin e tyre- Kosovës, por edhe për neve në sy tanë të ndërkombëtarëve që t’i merrnim ata më seriozisht. Kjo ka qenë tendenca kryesisht e tyre në mesin e diplomacisë amerikane, për të vënë në një anë UÇK-në në formimin e platformës politike të përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës. Ne evropianët, ne austriaket nuk besonim që kjo ishte e mundur, por ishte një përplasje e vazhdueshme. Në verë të vitit 1998 mendoj së ata kanë mbivlerësuar veten e tyre, aftësitë e tyre…”, tha ai raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se postblloqet e vendosura nga UÇK-ja gjatë periudhës së luftës kanë qenë të kontrolluara më shumë nga bujq sesa nga ushtarë.

    “Kjo ka qenë përvoja kur jemi takuar për herë të parë në Malishevë. Kur kemi kaluar nga rruga kryesore tek një pikë kontrolli që ishte qartësisht e mbajtur nga individë që nuk ishin të trajnuar apo të stërvitur. Ishin njerëz të armatosur thjesht”, tha ai.

  • ​Nga 1 qershori bllokohet një pjesë e rrugës Kaçanik-Hani i Elezit, shkak punimet në hekurudhë

    ​Nga 1 qershori bllokohet një pjesë e rrugës Kaçanik-Hani i Elezit, shkak punimet në hekurudhë

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se duke filluar nga data 1 qershor 2024, do të bllokohet për qarkullimin e automjete një pjesë e segmentit të rrugës nacionale N2, Kaçanik- Hani i Elezit.

    Bllokimi i këtij segmenti sipas njoftimit bëhet për arsye të zhvillimit të punimeve në hekurudhë – pjesa jugore e hekurudhës 10 Fushë Kosovë – Hani i Elezit.

    Nëpër autoudhën “Arbën Xhaferi” do të mund të qarkullojnë automjetet e rënda që kalojnë transit në Kaçanik.

    Ndërsa, automjetet tjera thuhet se mund ta shfrytëzojnë bajpasin e ndërtuar në rrugën “Agim Bajrami” ku përjashtohen mjetet e rënda.

    Ky vendim i cili hyn në fuqi nga sot, do të mbetet në fuqi deri në njoftimin e radhës.

  • Osmani përmend rëndësinë e mbështetjes gjermane për Kosovën në skenën ndërkombëtare

    Osmani përmend rëndësinë e mbështetjes gjermane për Kosovën në skenën ndërkombëtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, janë takuar të martën me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Presidenca ka thënë përmes një komunikate për media, se Osmani i ka thënë të dërguarit gjerman se Kosova ka nevojë të vazhdueshme për mbështetjen gjermane teksa e forcon pozitën në skenën ndërkombëtare, duke përmendur Këshillin e Evropën, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

    Kosova i ka kaluar dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

    Në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova nuk është përfshirë në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjatë muajit maj do të dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë thënë se diçka e tillë është e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.

    Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet një herë në vit dhe mbetet e paqartë se kur Kosova do të mund të bëhet anëtare e organizatës.

    Zyra e kryeministrit Kurti ka thënë se ka biseduar me zyrtarin gjerman për zbatimin e marrëveshjeve që kanë dalë prej Procesit të Berlinit.

    Ai e ka përmendur në veçanti nevojën për zbatimin e marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, para mbajtjes së samitit të këtij viti.

    Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në të ardhmen. /REL

  • Aktakuzë ndaj personit që dyshohet se dhunoi 18-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

    Aktakuzë ndaj personit që dyshohet se dhunoi 18-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Xh.D. nën dyshimin se ka dhunuar seksualisht një 18-vjeçare me aftësi të kufizuara mendore.

    Vepra dyshohet se ndodhi nga data 1 deri më 2 maj, në një motel në Ferizaj.

    Sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e kishte detyruar viktimën të kryente akt seksual pa pëlqim.

    Ai akuzohet se fillimisht e kishte bindur të dëmtuarën që të dilte me të dhe e kishte dërguar në një motel e ndaj saj kishte ushtruar dhunë seksuale e fizike duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas kësaj, ai e kishte lënë në rrugë viktimën.

  • Një këmbësore goditet nga vetura në lagjen Ulpiana në Prishtinë

    Një këmbësore goditet nga vetura në lagjen Ulpiana në Prishtinë

    Një këmbësore është goditur nga një veturë në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

    Siç mund të shini në videot e siguruara nga ATV, në vendngjarje kanë dalë policia si dhe autoambulanca dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor.

    Ende nuk dihet gjendja e saj shëndetësore.

  • Spanja: Situata e Palestinës ndryshon prej asaj të Kosovës

    Spanja: Situata e Palestinës ndryshon prej asaj të Kosovës

    Spanja i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se situata e Kosovës me shtetin palestinez është krejtësisht ndryshe, teksa ka përsëritur se nuk ka ndryshuar qëndrim për shtetësinë e Kosovës.

    Spanja është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian – bashkë me Qipron, Greqinë Sllovakinë dhe Rumaninë – që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

    Arsyeja kryesore për mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Spanjës besohet se lidhet me qëndrimin spanjoll karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të pavarësohet.

    Ky rajon ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme që të ndahet nga Spanja, ndërsa Madridi zyrtar e ka kundërshtuar ashpër këtë lëvizje.

    “Situata në Palestinë është ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk prek në integritetin territorial të Izraelit, pasi ai territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezon, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas saj, vendimi i marrë më 28 maj, për të njohur zyrtarisht shtetësinë e Palestinës, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë detyruese, pasi të miratohen.

    Çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja është diskutuar në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, më 27 maj në Bruksel.

    Disa burime i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë pikë ka pasur grindje të hapur ndërmjet palëve nga Gjermania dhe Spanja.

    Derisa Gjermania ka qenë “shumë bindëse” për njohjen e Kosovës, “Spanja ishte në mbrojtje, duke argumentuar se Kosova nuk ishte në agjendë”.

    Në linjë me Spanjën, shtetësinë palestineze e ka njohur të martën edhe Norvegjia.

    Irlanda do të veprojë njëjtë, më vonë gjatë ditës.

    Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë në mëngjes se vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij.

    Ai ka thënë se Spanja nuk do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të përcaktuar më 1967, përveç nëse pajtohen palët.

  • Kurti pret ambasadorin dhe përfaqësues tjerë të ambasadës britanike në kuadër të një projekti për rekrutim

    Kurti pret ambasadorin dhe përfaqësues tjerë të ambasadës britanike në kuadër të një projekti për rekrutim

    Kryeministri i Kosovës, sot ka pritur ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, bashkë me përfaqësues të ambasadës në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë.

    “Mëngjesin e sotëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në hapësirat e Ballkonit të Hapur ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, së bashku me përfaqësues të Ambasadës Britanike në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë”.”

    “Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti theksoi suksesin e projektit të rekrutimit në Kosovë, teksa shtoi se kanë një rrugë të gjatë përpara për të ndërtuar një sistem rekrutimi bazuar në meritokraci në sektorin publik. Ai shtoi se rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, i bazuar në meritë dhe profesional është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.”

    Kurti ka folur edhe për “rëndësinë e eliminimit të hendekut gjinor”.

    “Një nga arritjet më të mëdha që nga viti 2021 është se 40% e profesionistëve të emëruar janë gra, duke ndihmuar në eliminimin e hendekut gjinor dhe thyerjen e tavanit e xhamit për gratë—një prioritet i lartë ky për qeverinë tonë. Projekti ka gjeneruar gjithashtu metoda të shumta për të kultivuar një kulturë respekti për aftësinë dhe ekselencën brenda institucioneve tona. Një shembull kryesor është “Harta e Procesit,” një manual gjithëpërfshirës që përshkruan praktikat më të mira të rekrutimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret tona”, tha Kurti.

    Në fund, Kurti i falënderoi përfaqësuesit e projektit dhe ambasadën britanike për kontributin e përkrahjen e tyre si dhe bëri thirrje për më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe meritokraci në procese të ngjashme, për një të ardhme më të ndritur për Kosovën.