ATV

Category: Lajme

  • Rifillon puna në katër repartet e rinovuara në Gjinekologji

    Rifillon puna në katër repartet e rinovuara në Gjinekologji

    Rreth 5.5 milionë euro janë investuar në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të Kosovës. Prej kësaj vlere, mbi 3 milionë janë për fertelizimin e asistuar mjekësor, ndërsa 2.4 milionë euro për mjekësinë fetale.

    Në përurimin e klinikës së rinovuar, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar se investimet e realizuara në këtë klinikë janë të mëdha. Duke shtuar se kjo klinikë ka ndryshuar rrënjësisht për të mirë krahasim me 10 vite më parë.

    “Një investim të jashtëzakonshëm që ka transformuar rrënjësisht këtë klinikë. Bëhet fjalë për 5.5 milionë euro përafërsisht që janë investuar këtu, me ç’rast mbi 3 milionë euro janë për fertelizimin e asistuar mjekësor, ndërkaq rreth 2.4 milionë euro janë për mjekësinë fetale dhe për aminiciontezen. Dikur kanë qenë shtatë apo tetë gra në një dhomë, ndërkohë që tualeti ka qenë në një skaj të korridorit e përbashkët, tash në secilën dhomë janë vetëm dy krevate dhe në secilën dhomë ka nyje sanitare dhe banjo. Pastërtia është maksimale, cilësia e ajrit është e lartë, ndriçimi është i këndshëm dhe përkushtimi i mjekeve dhe i infermiereve është maksimal. Përafërsisht dhjetë vjetëve, unë e kam pasur gruan time që pat lindur vajzën tonë, mirëpo sot kur hyn këtu në spital dhe në Kliniken Gjinekologjike nuk mund të dallosh që je në Prishtinë nëse e krahasojmë me kohen para një dekade në vendin e njëjtë. Tash gjysma e këtyre investimeve prej mbi 3 milionë euro tek fertelizimi janë për infrastrukturë e gjysma për pajisje dhe ën të njëjtën kohë jemi me fat që nenat lehona dhe foshnjat e fëmijët në përgjithësi kanë klinikë më të mirë gjinekologjike si asnjëherë më parë pikërisht kur po marrin shtesat për fëmijë e lehona. Mbi 55 mijë lehona marrin mbështetje financiare dhe mbi 400 mijë fëmijë në Republikën e Kosovës për herë të parë me qeverinë aktuale që paraqet edhe një dëshmi të kompletuar se nëna dhe fëmija, shëndeti i saj dhe fëmijës janë në fokus të qeverisë sonë”, tha Kurti.

    Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka treguar më shumë detaje për këtë investim.

    “I lumtur që sot po fillojnë katër repartet më të rëndësishme të rinovuara në Klinikën e Gjinekologjisë. Në këto reparte janë instaluar edhe njësit e tjera të cilat do të ndihmojnë në sistemin informativ shëndetësor, do të ketë digjitalizim të radhëve, do të këtë procese të digjitalozuara në proces. Dhe gjithë kjo përveç kushteve të jashtëzakonshme që tani e tutje do t’i kenë gratë në këtë klinikë, edhe punëtorët do ta kenë shumë më lehët që të bëjnë punën e tyre dhe natyrisht sot edhe patëm falënderim nga ta, jo vetëm për shkak të kushteve por edhe për shkak të rrjedhjes së pacientëve dhe mënyrës më të dinjitetshme të trajtimit të grave në klinikë”, tha Vitia.

  • Daçiq bën thirrje për anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

    Daçiq bën thirrje për anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha më 18 qershor se beson që festivali “Mirëdita, dobar dan” që pritet të mbahet në fund të qershorit në Beograd, duhet të anulohet.

    Festivali organizohet që prej vitit 2014 dhe ka për qëllim krijimin e një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

    Daçiq tha se ngjarja nuk po organizohet “në hapësirën shtetërore” dhe se nuk mund të thotë në këtë moment se çfarë do të marrë përsipër shteti.

    “Policia ka autoritet kur bëhet fjalë për tubime në ambiente të jashtme, kurse kur bëhet fjalë për tubime në ambiente të mbyllura ne nuk kemi asnjë rol. Mendoj se në përgjithësi është një tubim me rrezikshmëri të lartë dhe apelojmë që të anulohet e gjithë ngjarja”, tha ai në televizionin Pink.

    Festivali prezanton për publikun skenën kulturore dhe sociale të Kosovës dhe këtë vit organizohet nga 27 deri më 29 qershor.

    Më herët, organizatorët e festivalit njoftuan se programi këtë vit do të modifikohet në mënyrë që të mos ketë ngjarje publike kur në Serbi festohet Vidovdani – më 28 qershor.

    Paraprakisht, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, deklaroi më 15 qershor se administrata e qytetit nuk do të japë asnjë lloj miratimi për mbajtjen e këtij festivali, ndërsa organizatorët i akuzoi se “ia kanë futur gishtin në sy shtetit serb” pasi “Mirëdita” po mbahet në Vidovdan.

    Vidovdani është një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

    Në të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se mbajtja e festivalit të kulturës së Kosovës në Vidovdan është “fyerje të cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet”.

    “Nëse shteti nuk përgjigjet, do të ketë vend që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”, tha Vulin.

    Sipas njoftimeve të organizatorëve, edicioni këtë vit “do të përfaqësojë një ndërthurje të artit, skenës bashkëkohore kulturore, por edhe inicimin e çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në kohë që paraqesin një sfidë të madhe për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës”.

    Festivali, prej vitesh, shoqërohet me thirrjet dhe përpjekjet e organizatave dhe të partive të djathta në Serbi për ndalimin e tij.

    Festivali “Mirëdita, Dobar dan” u mbajt për herë të parë me kapacitet të plotë në Prishtinë në vitin 2021.

    Ai organizohet nga OJQ Integra, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Forumi ZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur. /REL

  • Vuçiq në takim me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Evropën, kërkon sërish themelimin e Asociacionit

    Vuçiq në takim me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Evropën, kërkon sërish themelimin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar edhe njëherë si nevojë urgjente, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Këtë Vuçiq, e tha pas një takimi që ka zhvilluar me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jença.

    ”Në këtë pikë, posaçërisht theksova nevojën për formimin urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe dhe përmbushjen e përpiktë të obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit, të cilën Prishtina e ka shmangur për më shumë se dhjetë vjet”, ka shkruar Vuçiq ndërsa i është anuar Jançait për veprime të njëanshme të Kosovës.

    Madje ai ka përmendur edhe Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që sipas tij ka rëndësi jetike zbatimi.

    ”Theksova rëndësinë kritike të respektimit të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe rolin kyç të UNMIK-ut në përputhje me mandatin që i është besuar këtij misioni me qëllim të ruajtjes së paqes, por edhe të mbrojtjes së të drejtave të serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë, në të cilat, si më parë, ne do të ofrojmë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme”, theksoi ai.

  • Kurti i reagon BE-së për masat: Nuk spekuloj për spekulimet

    Kurti i reagon BE-së për masat: Nuk spekuloj për spekulimet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është përgjigjur lidhur me deklaratat e zyrtarëve të BE-së, të cilët i kanë quajtur spekulime lajmet lidhur me heqjen e masave të vendosura për Kosovën.

    “Nuk mendoj që duhet të spekuloj për spekulimet”, ka thënë Kurti.

    Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

  • Misteri i zhdukjes së turistëve në ishujt grekë, çfarë dyshon policia

    Misteri i zhdukjes së turistëve në ishujt grekë, çfarë dyshon policia

    Operacionet e kërkimit për gjetjen e tre turistëve të zhdukur në dy ishuj grekë janë intensifikuar pasi policia njoftoi se dy pushues ishin gjetur të vdekur në ishuj të tjerë gjatë fundjavës.

    Ekipet e shpëtimit të mbështetur nga qen snifer, helikopterë dhe dronë kanë kërkuar në ishujt cikladikë të Sikinos dhe Amorgos për dy gra franceze dhe një burrë amerikan që u zhdukën javën e kaluar.

    Duke e përshkruar përpjekjen e kërkimit si “të pamëshirshme”, kryebashkiaku i Sikinos, Vassilis Marakis, tha se shërbimet e urgjencës e kishin kaluar të hënën duke u fokusuar në terrenin shkëmbor në të cilin dy alpinistet femra mund të kenë humbur.

    “Ne kemi qenë jashtë gjatë gjithë mëngjesit për të kërkuar,” tha Marakis. “Vullnetarët kanë mbërritur nga Santorini, zjarrfikësit, policia, një qen i trajnuar posaçërisht kanë kërkuar të gjithë, por terreni është shkëmbor dhe plot lugina. Përpjekja ka qenë e madhe, por zona ku ata u zhdukën është e vështirë dhe, për fat të keq, ne ende nuk i kemi gjetur”.

    Në harkun e nëntë ditëve, gjashtë pushues, përfshirë prezantuesin televiziv britanik dhe nutricionistin Michael Mosley, ose kanë gjetur vdekjen ose janë zhdukur në ishujt grekë.

    Mosley, 67 vjeç, mendohet se ka vdekur brenda disa orësh pasi doli për një shëtitje gjatë së cilës mori një kthesë të gabuar dhe përfundoi duke u ngjitur në një gadishull shkëmbor në Symi, një ishull tjetër i largët në Egje.

    Të shtunën, ekipet greke të kërkimit njoftuan se trupi i një holandezi 74-vjeçar, i zhdukur për gati një javë, ishte gjetur nga një dron i shërbimit zjarrfikës në një grykë në ishullin lindor të Egjeut, Samos, afër bregdetit turk. Ai gjithashtu kishte dalë në një shëtitje në mot të nxehtë.

    Disa orë më vonë, të dielën, policia njoftoi se një turist amerikan 70-vjeçar, i cili ishte zhdukur që nga e enjtja në ishullin Mathraki, në perëndim të Korfuzit, ishte gjetur i vdekur në një plazh të largët.

    Në Amorgos, ishulli më lindor në zinxhirin e Cyclades, kërkimi për një oficer policie në pension të Los Anxhelosit, Albert Calibet, vazhdoi për të gjashtën ditë të hënën, pa sukses.

    Ish-sherifi 59-vjeçar, një vizitor i rregullt në Amorgos, u zhduk pasi u nis i vetëm për një ecje katër-orëshe në një ditë kur temperaturat arritën në 40 gradë Celsius.

    Kryebashkiaku i Sikinos tha se dy turistët francezë, të moshës 73 dhe 64 vjeç, kishin nisur një shëtitje kur ishulli i Egjeut po përjetonte një periudhë të motit “jashtëzakonisht të nxehtë” të qershorit.

    “Ishte jashtëzakonisht nxehtë të premten, ditën kur ata u zhdukën,” tha ai. “Ne kishim dëgjuar për incidente të tilla që po ndodhnin në ishuj të tjerë dhe tani ka ndodhur këtu. Dje, ne kishim edhe një varkë të rojes bregdetare që patrullonte bregdetin e ishullit tonë. Nuk e fsheh që jam shumë i shqetësuar.”

  • Ministri i Brendshëm i Izraelit mbërrin në Qeveri

    Ministri i Brendshëm i Izraelit mbërrin në Qeveri

    Ministri i Punëve të Brendshme të Izraelit, Moshe Arbel, po qëndron për vizitë në Kosovë.

    Ai tashmë ka arritur në Qeveri, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, raporton ATV.

    Gjatë ditës së sotme, ambasada ka njoftuar se ambasadorja Tamar Ziv do të organizojë pritjen e Ministrit Arbel për ditën e Pavarësisë së Izraelit, ku pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e vizave për shtetasit kosovarë. /atvlive.tv

  • Ministria e Arsimit në LIBERO jep të gjitha informacionet për testin e maturës, ja çfarë duhet të dini

    Ministria e Arsimit në LIBERO jep të gjitha informacionet për testin e maturës, ja çfarë duhet të dini

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), për herë të parë ka lansuar në platformën e-Kosova paraqitjen e provimit të maturës. Mbi 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen më 22 qershor testit të vlefshëm për ta siguruar të drejtën e aplikimit për studime universitare.

    Ndërkohë që rreth 3 mijë nxënës kanë mbetur jashtë testit të maturës, dhe në lidhje me këtë, Fatmir Elezi – Shef i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit dha arsyet se pse ndodhi kjo!

    “…Një numër i nxënësve nuk ka interesim për të hyrë në maturë (sidomos nga shkollat profesionale)… Nxënës të rregullt (që e mbarojnë klasën e 12-të) i kemi diku  20 mijë e 500 maturantë, ka disa që kanë mbetë prej viteve të kaluara. Nëpërmjet platformës e-Kosova kanë hy për të paraqitur provimin diku 19 mijë e 149 nxënës dhe 18 mijë e 648 janë të verifikuar nga shkollat…”, deklaroi Elezi nga MASHTI.

    Gjithashtu, ai njoftoi se të gjithë nxënësit të cilët ende nuk kanë aplikuar (për shkak të vështirësive teknike), do të mund të aplikojnë.

    “…Do t’i shtijmë me metodën e vjetër dhe ju krijojmë llogari më vonë. Do të thotë, nxënësit nuk do të mbesin pa hyrë në maturë për shkak të platformës e-Kosova…”, theksoi Elezi.

    Po ashtu ai njoftoi të gjithë nxënësit se këtë vit ata nuk do të lejohen (as) të posedojnë telefonë e lëre më ta përdorin. Vlen të ceket se këtë vit, për ta penguar kopjimin në Testin e Maturës Shtetërore, maturantët do të shpërndahen nëpër objekte të shkollave të ndryshme.

    Për të marrë më shumë informacione rreth kësaj teme, mund ta ndiqni tërësisht emisionin “LIBERO”, në linkun e mëposhtëm:

     

  • Kosova sot ia dorëzon Serbisë mbetjet e tre trupave të vrarë gjatë luftës

    Kosova sot ia dorëzon Serbisë mbetjet e tre trupave të vrarë gjatë luftës

    Mbetjet e tre trupa të qytetarëve serbë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, pritet t’u dorëzohen autoriteteve të Serbisë, të martën, në pikën kufitare në Merdarë. Ata kanë qenë në mesin e 280 trupave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.

    Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mbetjet e trupave që do të dorëzohen sot, kanë qëndruar në Institut që nga paslufta, por ka qenë problem identifikimi i tyre.

    “Kanë qenë në Institut sepse nuk kanë mundur të identifikohen gjatë kësaj kohe për arsye se familjarët nuk kanë dhënë mostra të gjakut që të identifikohen. Vitin e kaluar janë dhënë mostrat e gjakut të familjarëve edhe janë dërguar mostra shtesë të ADN-së, të cilat na kanë dhënë rezultatet e tyre që janë të identifikuar”, ka thënë ai.

    Për pranimin e këtyre trupave kanë njoftuar edhe autoritet e Serbisë. Në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Serbisë bëhet e ditur se sot në Merdarë, autoritetet e tyre do të pranojnë mbetjet e dy personave, ndërsa për personin e tretë, mbetjet do t’i pranojë familja e tij. Sipas Qeverisë së Serbisë, ata janë vrarë në Ferizaj, Prizren dhe Prishtinë në vitin 1999.

    Haliti ka thënë se në Institut janë ende shumë mbetje mortore të paidentifikuara.

    “I kemi 280 trupa (mbetje kockore) që nuk kanë përputhje me mostrat e gjakut, janë të dy komuniteteve, serbë dhe shqiptarë. Po punohet edhe në rrafshin e zhvarrimeve që janë bërë vitin e kaluar, por edhe rishikimin e mbetjeve mortore që janë”, ka thënë ai.

    Haliti, po ashtu, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës, misioni i EULEX-it e Komisioni qeveritar për të pagjeturit, janë duke i vazhduar kërkimet për mbetje mortore, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

    Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, 10.794 shqiptarë, 2.119 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.

    Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe më shumë se 1.600 persona. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

    Sipas Komisionit qeveritar të Kosovës për persona të pagjetur, gjatë vitit 2023 u gërmua në 15 lokacione brenda territorit të Kosovës, që ndërlidhen me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, si dhe në një lokacion në Serbi.

    “Të zhvarrosura janë mbetjet mortore të njëzet individëve – viktima të luftës, edhe pse numri i personave të zhvarrosur dhe identiteti i tyre do të përcaktohen pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet mjeko-ligjore dhe identifikimi përmes analizës së ADN-së”, thuhet në raportin e Komisionit qeveritar të Kosovës./REL/

  • Specialja i jep paralajmërimin e fundit Nasim Haradinajt

    Specialja i jep paralajmërimin e fundit Nasim Haradinajt

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e ka paralajmëruar Nasim Haradinajn që t’iu përmbahet kushteve të përcaktuara mbi vendimin e dënimit, duke thënë se Haradinaj ka zhvilluar intervista në media “pa kërkuar paraprakisht leje”.

    Në komunikatën për media, Trendafilova tha se i ka dhënë paralajmërimin e fundit Haradinajt për këtë, duke shtuar se “çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit”.

    “Kryetarja shpjegoi se megjithëse Vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që zotit Haradinaj t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit, dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit të DHSK-së për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në komunikatë.

    Nasim Haradinaj ishte dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë për frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

    Ai ishte liruar me kusht në dhjetorin e 2023-s, pasi kishte vuajtur dy të tretën e dënimit të tij.

  • Izraeli ia heq vizat Kosovës

    Izraeli ia heq vizat Kosovës

    Këtë të martë do të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave nga Izraeli për shtetasit e Kosovës.

    Lajmi është bërë i ditur nga ambasada izraelite në Prishtinë, e ku thuhet se prezentë do jetë edhe ambasadorja Tamar Ziv.

    “Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në pritjen e nesërme të organizuar nga Shkëlqesia e Saj znj. Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, me ç’rast do ta shënojmë Ditën e Pavarësisë së Izraelit dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për shtetasit kosovarë”, thuhet në njoftim.

    Më 29 janar të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës.

    Ky vendim i Izraelit i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, thuhej se do të hynte në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.

    “Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhej në komunikatën e presidencës.

    Ndryshe, prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

    Që nga 5 janari, kosovarëve iu mundësua ta vizitojnë edhe Spanjën pa viza.

    Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

    Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme.

    Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.