ATV

Category: Lajme

  • Kurti në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale: Është detyrim yni t’i përkrahim të mbijetuarat

    Kurti në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale: Është detyrim yni t’i përkrahim të mbijetuarat

    Sot në botë shënohet Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt. Për për rast ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti.

    “Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka thënë se “ne angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi”.

    Postimi i plotë:

    Gjatë viteve 1998 – 99, në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë. Andaj ka lënë pasoja të thella dhe të gjëra.

    Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë.

    Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi.

    Përmes ndryshimit të ligjit e kemi zgjatur afatin për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025. Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte.

  • Izraeli “mund të ketë shkelur ligjet e luftës” gjatë fushatës ushtarake në Gazë

    Izraeli “mund të ketë shkelur ligjet e luftës” gjatë fushatës ushtarake në Gazë

    Forcat izraelite në mënyrë të përsëritur mund të kenë shkelur ligjet e luftës dhe kanë dështuar që të bëjnë dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve gjatë fushatës së tyre ushtarake në Rripin e Gazës, tha Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara.

    Në një raport, që ka analizuar gjashtë sulme izraelite që kanë shkaktuar numër të lartë të viktimave dhe shkatërrim të infrastrukturës civile, Zyra për të Drejtat e Njeriut tha se forcat izraelite “mund të kenë shkelur në mënyrë sistematike parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave parandaluese në sulm”.

    “Kërkesa për të zgjedhur mjetet dhe metodat e luftës që shmangin ose të paktën minimizojnë në çdo masë dëmin e civilëve duket se në mënyrë të vazhdueshme është shkelur gjatë fushatës bombarduese të Izraelit”, tha Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

    Ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit ka vrarë më shumë se 37.000 persona në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore në këtë enklavë.

    Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake pasi luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Javën e kaluar, Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së tha se vrasja e civilëve gjatë operacionit izraelit për të liruar katër pengje mund të përbëjë krim lufte, por po ashtu krim lufte mund të jetë edhe mbajtja e civilëve nga Hamasi në zona të populluara./REL/

  • Masat e BE-së ndaj Kosovës, sot diskutohet raporti i Borrellit

    Masat e BE-së ndaj Kosovës, sot diskutohet raporti i Borrellit

    Në takimin e sotëm të Komitetit për Politikë dhe Siguri, do të bisedohet edhe për raportin e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, për masat e BE-së ndaj Kosovës, për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, një vit më parë.

    Kështu bëri të ditur dje emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    “Për aq sa di unë, ky raport do të diskutohet nesër në Komitetin për Politikë dhe Siguri dhe kjo varet nga rezultati i diskutimit”, tha Lajçak.

    “E kam bërë të qartë qëndrimin tim për sa i përket masave, që në shtator, kur kam rekomanduar që këto të hiqen. Por siç e thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi, ky është vendim i shteteve anëtare. Qëndrimi im personal është që ato duhet të hiqen. Kryeministri Kurti nuk është brenda vendit, për këtë s’kemi pasur takim”, deklaroi Lajçak.

    Ai qëndroi dje për vizitë në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin diskutuan së bashku rifokusimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Pas përfundimit të takimit, Lajçak tha se u fol për mundësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit.

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë, ka konfirmuar zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

    Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.

  • Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Josep Borrellin dhe cili është raporti i saj me Kosovën?

    Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Josep Borrellin dhe cili është raporti i saj me Kosovën?

    Kritike e madhe e Rusisë, mbështetëse e vazhdueshme e Ukrainës, dhe përkrahëse e idesë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

    Këto janë vetëm disa prej pikave të forta për të cilat njihet kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

    Sa i përket Kosovës, ajo është takuar disa herë me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ka thënë se mbështet synimet euro-atlantike të këtij shteti.

    Emri i 47-vjeçares po përmendet shpesh së fundmi, si mundësi për t’u emëruar si kryediplomate e Bashkimit Evropian në legjislaturën e re të bllokut evropian.

    Aktualisht këtë pozitë e mban Josep Borrell.

    Liderët e BE-së janë takuar më 17 qershor për të diskutuar emrat e rinj në pozitat kryesore të bllokut, por nuk kanë arritur pajtueshmëri.

    Ky ka qenë takimi i tyre i parë pas zgjedhjeve të mbajtura për Parlamentin Evropian më 6-9 qershor.

    Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të partive të së djathtës ekstreme, partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë kanë dalë të parat.

    Kjo nënkupton që shefja aktuale e BE-së, Ursula von der Leyen e Partisë Popullore Evropiane – që ka fituar më së shumti vota – ka shumë mundësi të fitojë një mandat të dytë.

    Përveç emrit të Kallasit për pozitën e kryediplomates së BE-së, në qarqet diplomatike po përmendet edhe emri i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa për pozitën e shefit të Këshillit Evropian, shkruan REL.

    E kërkuar në Rusi

    Qëndrimi i ashpër ndaj politikave të Rusisë mund të jetë njëra prej dilemave nëse Kallas do të mund të bëhet kryediplomate e BE-së, duke marrë parasysh qëndrimet e disa liderëve evropianë ndaj Moskës, edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, thuhet në një material të agjencisë Reuters.

    Shembull, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban vazhdon të kultivojë marrëdhënie miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin.

    Për dallim prej Orbanit, Kallas e ka ngjitur Estoninë lart në listën e vendeve që kanë ndihmuar Ukrainën për t’i bërë ballë konfliktit.

    Emri i saj është në listën e kërkimit të Ministrisë së Brendshme ruse për, siç është thënë, shkatërrimin e monumenteve të epokës sovjetike.

    Estonia, bashkë me Letoninë dhe Lituaninë, kanë rrëzuar shumicën e monumenteve të kësaj periudhe, sidomos ato që përkujtojnë ushtarët sovjetikë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

    E lindur në Tallin, ajo është stërmbesa e shefit të parë të Policisë së Estonisë, pas daljes së vendit nga Perandoria Ruse kur ka përfunduar Lufta e Parë Botërore, por që është zhytur më pas në Bashkimin Sovjetik, më 1940.

    Nëna e Kallasit i ka pasur vetëm gjashtë muaj kur familja e saj është detyruar të zhvendoset me forcë në Siberi, më 1949, bashkë me 20.000 estonezë tjerë.

    “Rusia nuk ka ndryshuar”, ka thënë ajo vitin e kaluar, sipas raportimeve të Reutersit, kur e ka shënuar përvjetorin e ekzilit të nënës së saj.

    “Ky djall jeton ende në Rusi”.

    Kosova dhe Estonia – “të kaluar të ngjashme historike”

    Kryeministrja Kallas është takuar vjetëve të fundit edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe me kryeministrin, Albin Kurtin.

    Pas takimit me Osmanin, më 2021, Kallas pati thënë se Estonia mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe që çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së” – referencë për Sllovakinë, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Spanjën.

    Ajo e ka përmendur në atë takim edhe nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, me arsyetimin se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

  • Doris Pack do të dekorohet me çmimin “Qytetare Nderi”

    Doris Pack do të dekorohet me çmimin “Qytetare Nderi”

    Ish-eurodeputetja, Doris Pack do të dekorohet me çmimin “Qytetare Nderi” e Komunës së Podujevës.

    Sipas njoftimit, ceremonia do të mbahet në Teatrin “Avdush Hasani”, duke filluar nga ora 10:00.

    Përndryshe, ndihma e saj gjatë dhe pas luftës për Kosovën dhe popullin e saj, janë arsyeja pse dje Komuna e Podujevës ka emërtuar një rrugë në qytet me emrin e ish-eurodeputetës, Doris Pack.

    Ish-eurodeputetja, Pack, e cila ndjehej krenare për këtë ngjarje, ka thënë se do të ketë kontakte me kolegët e saj në Parlamentin Evropian për ta ndihmuar popullin e Kosovës.

    Sipas saj, Kosova meriton të jetë anëtar i Këshillit të Evropës dhe shpreson se do të ndodhë së shpejti.

  • Sot parashihen temperatura të larta

    Sot parashihen temperatura të larta

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-34 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s. Rekomandohet që në intervalin kohorë 10-16h mundësisht mos t’iu ekspozoheni rrezeve direkte të diellit ,sepse ky mot është i papërshtatshëm për një shtresë të popullatës me sëmundje kronike. Të bartim masa mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë”, thuhet në njoftim.

  • Lajçak arrrin në Qeveri, do të takohet me Bislimin

    Lajçak arrrin në Qeveri, do të takohet me Bislimin

    Emisari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbërritur në objektin e Qeverisë së Kosovës.

    Aty ai pritet të takohet me zv/kryeministrin Besnik Bislimi.

    Ende është bërë e ditur se për çfarë tema do të diskutojnë Lajçak e Bislimi.

    Ndryshe, Lajçak më herët ka thënë për Kosovo Online ka thënë se hapja e Urës është objekt i marrëveshjeve të arritur anë Bruksel dhe se hapja duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe dakorduar.

    Emisari sllovak ka thënë se asnjëherë s’është mirë që partnerët të befasohen.

    Ai ka shprehur gatishmëri që ta vendos në axhendë të takimit të radhës në Bruksel nëse Kosova dhe Serbia kanë gatishmëri.

  • Miq e bashkëpunëtorë e vlerësojnë veprën e Sylë Tahirsylajt: Ishte shembull!

    Miq e bashkëpunëtorë e vlerësojnë veprën e Sylë Tahirsylajt: Ishte shembull!

    Profesor doktor, Sylë Tahirsylaj, është vlerësuar lart nga miq e bashkëpunëtorë, në një mbledhje komemorative që është mbajtur të martën, raporton Ekonomia Online.

    Profesori, Bedri Dragusha, tha se profesor Tahirsylaj, nuk është fizikisht në mesin tyre, por puna, vepra dhe shkrimet e tij, do të jetojnë çdo herë.

    “Lajmi i hidhur për vdekjen e profesorit Sylë Tahirsylaj na preku të gjithëve. Të vetëdijshëm për këtë humbje të madhe, kolegët e të gjithë personeli i këtij institucioni, studentët, familja dhe miqtë e shumtë nga Kosova, nga të gjitha fiset shqiptare, diaspora, sot ndjejnë dhimbje dhe pikëllim të thellë për vdekjen profesorit Sylë Tahirsylaj. Është e vështirë për mua sot të mbaj këtë fjalë për profesorin Tahirsylaj që nuk është në mesin tonë, por njëkohësisht jam krenar dhe ndihem i privilegjuar që pata fatin të jem koleg dhe mik i ngushtë i profesorit Tahirsylaj”.

    “Ishte shembull për të tjerët se si dhe sa duhet të punohet me gjeneratat e reja. Profesori Tahirsylaj nuk është fizikisht në mesin tonë, por puna, vepra dhe shkrimet e tij do të jenë çdo herë në mesin tone”, tha Dragusha.

    Ndërkohë, Don Lush Gjergji, theksoi se profesori Sylë Tahirsylaj ka lënë shembull të jetës familjare, profesionale që ka qenë përshtypje, përjetime të paharrueshme, jo vetëm për familje, po edhe me gjerë për popullin.

    “Le një shembull të jetës familjare, profesionale të njeriut që ka lënë mbresa përshtypje, përjetime të paharrueshme jo vetëm për familje po edhe me gjerë për shoqërinë tonë, popullin tonë për Kosovën tonë. Ne familja jote, populli yt, Kosova jonë gjithmonë të kujtoftë dhe kurrë mos të harroftë, pusho në paqe”, theksoi ai.

    Ndërsa, kryetar i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se baçi Sylë, siç e quajti ai, do të kujtohet shumë gjatë.

    “Baci Sylë do të jetë i gjallë për ne dhe do te kujtohet shume gjatë. Ngushëllime për të gjithë që keni punuar dhe sidomos familjes së ngushtë”, tha Ramosaj.

    Edhe, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, i shprehu ngushëllime familjes dhe të gjithë të afërmeve të profesorit, Sylë Tahirsylaj.

    “Në momentet si këto kur bohemi bashkë për të dhënë lamtumirën e fundit, fjalë janë të paketa për të shprehur gjithë dhimbjen. Ne e vlerësojmë dhe shprehim mirënjohjen më të thellë të profesorit Tahirsylaj”, tha ajo.

    Meteorologu i njohur kosovar, vdiq të dielën.

  • Shtyhet për 7 ditë afati për rekrutimin e kadetëve të rinj, kjo është data e fundit

    Shtyhet për 7 ditë afati për rekrutimin e kadetëve të rinj, kjo është data e fundit

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se afati për konkurrim në konkursin e shpallur më 3 qershor, për rektrutimin e kadetëve për vitin 20224/2025 është zgjatur edhe për shtatë ditë tjera.

    Në njoftimin thuhet se data e fundit për aplikim është 24 qershor 2024 dhe se personat që kanë aplikuar nuk kanë nevojë të aplikojnë sërish.

    “Ministria e Mbrojtjes njofton të gjithë kandidatët e interesuar se afati për konkurrim në konkursin e shpallur më 3 qershor, për rekrutimin e kadetëve për vitin 2024/2025, vazhdohet edhe për shtatë ditë tjera dhe data e fundit për aplikim është deri më 24.06.2024. Të gjithë kandidatët të cilët kanë konkurruar nuk kanë nevojë për rikonkurrim.”

  • Prokuroria merr aktvendim për fillim të hetimeve ndaj profesorit Xhevat Krasniqi

    Prokuroria merr aktvendim për fillim të hetimeve ndaj profesorit Xhevat Krasniqi

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj profesorit, Xhevat Krasniqi.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal ndaj çështjes në fjalë. Prokurori i Shtetit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Xh. K. Kjo çështje penale është duke u trajtuar në pajtim me dispozitat ligjore të KPPRK-së”, tha Ulaj.

    Xhevat Krasniqi është pezulluar nga puna më 23 prill pasi ishte denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.