ATV

Category: Lajme

  • Shefi i NATO-s kërkon kosto për Kinën për shkak të mbështetjes së Rusisë

    Shefi i NATO-s kërkon kosto për Kinën për shkak të mbështetjes së Rusisë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kina po i ofronte Rusisë teknologji që po zgjat pushtimin rus të Ukrainës dhe i bëri thirrje Pekinit të përballet me pasojat e kësaj mbështetjeje.

    “Pekini nuk mund të ketë të dyja anët. Në një moment dhe nëse Kina nuk ndryshon kursin aleatët duhet të imponojnë një kosto. Duhet të ketë pasoja,” tha Stoltenberg më 17 qershor në Qendrën Wilson në Uashington.

    Stoltenberg tha se në dy vitet e fundit 90 për qind e mikroelektronikës ruse e kishte origjinën në Kinë dhe se ky vend po punon për të përmirësuar aftësitë satelitore ruse.

    Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha gjithashtu se Kina po vazhdon t’i sigurojë Rusisë komponentë për pajisjet ushtarake dhe sistemet e armëve.

    Duke folur në një konferencë më 17 qershor, ai tha se mikroelektronika kishte ndihmuar “të forcohej…ajo që do të kishte qenë një bazë industriale e mbrojtjes ruse me të vërtetë e shkatërruar”.

    Kirby shtoi se Shtetet e Bashkuara e kishin ngritur këtë çështje me Kinën.

    Rusia gjithashtu ka ndërtuar marrëdhënie me Korenë e Veriut.

    Presidenti rus, Vladimir Putin do ta vizitojë Korenë e Veriut këtë javë, për herë të parë që 24 vjet.

    Një udhëtim i tillë i rrallë do të zhvillohet teksa Moska rrit partneritetin me këtë shtet që ka armë bërthamore.

    Lideri verikorean, Kim Jong Un i pati bërë ftesë Putinit për vizitë, gjatë udhëtimit që ai e ka pasur në Lindje të Largët të Rusisë, në shtator të vitit të kaluar.

    Marrëdhëniet e thelluara janë një shqetësim për Shtetet e Bashkuara, tha Kirby.

    “Ne e dimë se raketat balistike të Koresë së Veriut po përdoren për të goditur objektivat ukrainase”, tha ai.

    Si Pheniani ashtu edhe Moska kanë mohuar akuzat për transferimin e armëve të Koresë së Veriut, të cilat do të ishin në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Sekretari i Përgjithshëm tha se lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë “tema më urgjente” për diskutim në samitin e NATO-s që do të mbahet nga 9 deri më 11 korrik, së bashku me shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s.

    Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes ka forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, sipas Stoltenberg i cili shtoi se rruga drejt paqes është më shumë armë për Ukrainën.

    Shpenzimet e mbrojtjes nga shumë vende evropiane janë rritur ndjeshëm që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 dhe zyrtarët e NATO-s kanë qenë të prirur të theksojnë se anëtarët evropianë tani po ecin përpara.

    Megjithëse Ukraina nuk do të bëhet anëtare e aleancës në samitin e Uashingtonit, Stoltenberg tha se NATO do të “ndërtojë një urë” për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.

    “Ne po ndihmojmë që forcat e armatosura të Ukrainës të jenë gjithnjë e më shumë të ndërveprueshme me NATO-n, të përmbushin standardet e NATO-s dhe të përmbushin doktrinat e NATO-s”, tha Stoltenberg.

    “Ideja është t’i afrojmë ata aq afër anëtarësimit, saqë kur të arrijmë një konsensus, t’i bëjmë ata anëtarë menjëherë”.

  • Takimi i udhëheqësve evropianë përfundon pa dakordësi mbi propozimet për postet kyçe të BE-së

    Takimi i udhëheqësve evropianë përfundon pa dakordësi mbi propozimet për postet kyçe të BE-së

    Udhëheqësit e Bashkimit Evropian përfunduan pa marrëveshje një diskutim të hënën se kush duhet të marrë postet kryesore të bllokut evropian për pesë vitet e ardhshme.

    Vendimi për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së synohet të merret në një takim të nivelit të lartë javën e ardhshme.

    Takimi i drejtuesve evropianë ishte i pari që nga zgjedhjet për Parlamentit Evropian, ku partitë e qendërs së djathtë, por edhe e djatha e skajshme shënuan fitore, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz pësuan humbje të fortë.

    Gjatë darkës në Bruksel, 27 udhëheqësit evropian diskutuan se kush duhet të drejtojë organin e fuqishëm ekzekutiv të Komisionit Evropian, kush duhet të drejtojë Këshillin Evropian dhe kush duhet të marrë postin e shefit të Politikës së Jashtme.

    Pritej gjerësisht që ata të propozonin zonjën Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si Presidente e Komisionit Europian, ish-kryeministrin portugez Antonio Costa si President të Këshillit Europian dhe kryeministren e Estonisë Kaja Kallas si shefe të Politikës së Jashtme.

    Por presidenti aktual i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se u nevojitej më shumë kohë.

    “Ishte një bisedë e mirë e cila po shkon në drejtimin e duhur. Por nuk ka marrëveshje sonte”, u tha ai gazetarëve pas darkës.

    Von der Leyen drejt një mandati të dytë…

    Ursula Von der Leyen mbetet në pozitat më të favorshme për të siguruar edhe një mandat tjetër si Presidente e Komisionit Evropian, sidomos pas fitores së partisë së saj të qendrës së djathtë, Partisë Popullore Europiane në zgjedhjet që u mbajtën nga 6-9 qershor.

    Franca kishte shqyrtuar më parë edhe mundësinë e kandidaturave të tjera veç zonjës Von der Leyen, por tani që presidenti Macron thirri zgjedhjet e parakohshme parlamentare qeveria preferon qëndrueshmërinë e Bashkimit Europian.

    Gjermania e ka bërë të qartë se mbështet zonjën Von der Leyen për një mandat tjetër.

    Mundësia që udhëheqësit të marrin formalisht një vendim është takimi i nivelit të lartë që do të mbahet më 27 dhe 28 qershor./VOA

  • Izraeli ishte i fundit, pse Kosova nuk mori njohje të reja në qeverisjen e Kurtit?

    Izraeli ishte i fundit, pse Kosova nuk mori njohje të reja në qeverisjen e Kurtit?

    Ka gati katër vjet prej kur diplomacia kosovare udhëhiqet nga Donika Gërvalla, e po kaq janë bërë edhe nga njohja e fundit që ka marrë Kosova nga një shtet.

    Izraeli që erdhi si njohje nga marrëveshja e Uashingtonit, ishte e fundit që do të shënohej në listën e shteteve që kanë pranuar Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.

    Por, MPJD në pyetjet e vazhdueshme të Dukagjinit për të ditur se cili është plani dhe si po veprohet tutje për të lobuar në njohjet e reja dhe nëse do ketë një të tillë deri në fund të vitit, kanë refuzuar që të përgjigjen.

    Në mungesë të përgjigjeve nga Ministria që udhëhiqet nga Gërvalla, bashkëpartiaku i saj, Haxhi Avdyli ka thënë se po punohet me shtetet që kanë dyshime në për shtetësinë e Republikës.

    “Ne jemi duke punuar me grupin e shteteve që janë të dyshimta apo që nuk e kanë vendosur në kuptimin që skanë vendosur që të njohin Kosovës. Ne po punojmë me një grup shtetesh nuk po them që janë enorme por një grup që mund të jenë 10 shtete që janë në proces, që kanë disa dilema e paqartësi. Pastaj është edhe ndikimi rus, kinez i vendeve të ndryshme që janë shtete të mëdha që po ndikojnë në këtë proces,” ka thënë Haxhi Avdyli nga Lista Guxo.

    E që njohjet po varen prej rrethanave të tjera e thotë edhe anëtari i komisionit për punë të Jashtme, Dimal Basha.

    Sipas tij gjithcka po varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

    “Njohjet e reja varen shumë edhe nga normalizimi i marrëdhënjeve të Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi një marrëveshje të cilën e shkel vet Serbia. Këtu është njëfar paradoksi sepse marrëveshjet behen, Serbia i shkel dhe Kosova ndëshkohet,” Dimal Basha, anëtarë i komisionit për Punë të Jashtme.

    Por, kritikë të ashpër karshi kësaj çështje diplomatike kanë opozita.

    Sipas Time Kadriajt, që përfaqëson AAK-në në komisionin parlamentar për punë të jashtme, kjo qeverisje do të njihet për populizëm e jo për punë të kryera.

    “Në fakt nga kjo qeveri nuk do të kemi njohje, sepse me ato premtime që kanë ardh në pushtet që nuk do të dialogojnë, që do t’i shpërbëjnë të gjitha marrëveshjet me këtë qasje të kësaj qeverie jemi të izoluar, nuk do të kemi njohje,” ka thënë Kadriaj

    Kosovën që nga 2008-ta e deri më tani e kanë njohur vetëm 117 shtete të botës.

  • Sot zbulohet skulptura e 7-vjeçarit, Leotrim Ahmeti të vrarë gjatë luftës në Kosovë

    Sot zbulohet skulptura e 7-vjeçarit, Leotrim Ahmeti të vrarë gjatë luftës në Kosovë

    Sot, në Ditën e Çlirimit të Skenderajt zbulohet skulptura e 7-vjeçari, Leotrim Ahmeti, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka njoftuar se skulptura është bërë gati për “Ditën e Çlirimit”.

    “Nga një lule për mirëseardhjen e Leotrimit, nesër në Ditën e Çlirimit!” – shkruan Nura në “Facebook” .

  • ​Podujeva do ta emëroj një rrugë me emrin ish-eurodeputetes gjermane Doris Pack

    ​Podujeva do ta emëroj një rrugë me emrin ish-eurodeputetes gjermane Doris Pack

    Komuna e Podujevës ka njoftuar se të martën do ta emërojë një rrugë me emrin e ish-eurodeputetes gjermane Doris Pack.

    Në këtë ceremoni e cila pritet të mbahet rreth orës 14 e pranishme do të jetë edhe ish-zyrtarja gjermane Doris Pack dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    “Në këtë ceremoni do të marrin pjesë Kryetari i Komunës së Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi dhe ish-eurodeputetja, Doris Pack. Vendi: Nga kryqëzimi i rrugës ‘Agron Rrahmani’ dhe ‘Ali Ajeti’ deri te kryqëzimi me rrugën ‘Bedri Bajrami’ dhe ‘Fahri Fazliu’”, thuhet në njoftim.

  • Ish-ministri i MPB-së: Serbia e pafuqishme të përballet me NATO

    Ish-ministri i MPB-së: Serbia e pafuqishme të përballet me NATO

    Lordi George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, nuk e përjashtoi mundësinë e përshkallëzimit të situatës në Ballkanin Perëndimor, kur solli në vëmendje se në skenarët e Rusisë qëndrojnë planet për destabilizimin e disa shteteve të rajonit.

    I ashtuquajturi “Kuvend panserb” dhe deklaratat kërcënuese që ai prodhoi, sipas ish-ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bejtush Gashi, legjitimuan paralajmërimet ish-shefit të Aleancës Veriatlantike.

    “Realiteti i sotëm dikton dhe një përgjigje ndaj rrezikut për një ballafaqim ushtarak mes ushtrisë së Serbisë dhe misioneve të NATO-s, në Kosovë dhe Bosnjë”.

    Gashi e konsideron të nevojshëm një përgatitje treplanëshe për reagim.

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të sot do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Sipas njoftimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-4m/s”, thuhet në njoftim.

  • ​10 vjet nga vendosja e “Parkut të Paqes”

    ​10 vjet nga vendosja e “Parkut të Paqes”

    Një ditë pas heqjes së barrikadës mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, konkretisht më 18 qershor 2014, serbët e veriut sërish bllokuan urën me barrikadën të quajtur “Parku i Paqes”.

    Kryetari i atëhershëm i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pati thënë se këtë veprim për ri-bllokimin e urës po e merr në koordinim të plotë me Qeverinë e Serbisë. I pranishëm gjatë gjithë aksionit ka qenë edhe shefi i së ashtuquajturës zyrë e qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

    Forca të shumta policore nuk kanë tentuar të parandalojnë bllokimin. Ndërkohë, kryetari i pjesës veriore e ka ftuar atë të pjesës jugore, Agim Bahtirin, që pjesën tjetër të urës së Ibrit ta shndërrojë po ashtu në park.

    “Parku i Paqes”, është hequr më 14 gusht 2016, pas implementimit të marrëveshjes nga dialogu Kosovë-Serbi lidhur me urën në Mitrovicë.

  • Apeli i kthen në pikën zero lëndët nga vitet 2021-2022

    Apeli i kthen në pikën zero lëndët nga vitet 2021-2022

    Përgatiti: Nora Luta

    Brenda gjashtë muajve pritet të marrin epilog rastet civile të viteve 2021 dhe 2022, që ishin duke u trajtuar nga Gjykata e Apelit. Për lëndët që u grumbulluan, Apeli vendosi të kthehet në pikën zero dhe të rishpërndahen në mënyrë të barabartë te gjyqtarët.

    Kryetari Valon Totaj thotë se pabarazia në trajtimin e lëndëve është krijuar gjatë viteve.

    Sipas Totajt, ky vendim ka qenë proces i domosdoshëm në raport me qytetarin.

    Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike e shohin si të duhur këtë vendim.

    “Ky vendim i Gjykatës së Apelit është marrë në koordinim të plotë me Këshillin Gjyqësor dhe në vlerësimin tonë nuk ka ndonjë pengesë ligjore, që rastet civile të viteve 2021-2022 të rishpërndahen në mënyrë proporcionale te të gjithë gjyqtarët. Qëllimi është që ato të trajtohen njëkohësisht dhe që ngarkesa e gjyqtarëve të jetë e njëjtë”, tha Liridon Salihi nga GLSP.

    Megjithatë, një këndvështrim tjetër e kanë avokatët, të cilët si zgjidhje e shohin shtimin e resurseve njerëzore.

    Ndërkohë, rastet e vitit 2021 pritet të përfundojnë në korrik, ndërsa ato të vitit 2022 në fund të dhjetorit.

  • Komuna e Prishtinës planifikon blerjen e kontejnerëve për mbeturina të vëllimshme

    Komuna e Prishtinës planifikon blerjen e kontejnerëve për mbeturina të vëllimshme

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komuna e Prishtinës synon që së shpejti t’i blejë 40 kontejnerë të rinj.

    Kështu, planifikohet t’u bëhet vend mbeturinave të teknikës së bardhë dhe orendive shtëpiake, por edhe atyre që derivojnë nga ndërtimi e demolimi.

    Komuna e Prishtinës është e gatshme të paguajë deri në 300 mijë euro për këta kontejnerë. Përmasat tyre do të variojnë nga tri metra kub deri në 20 metra kub.

    Me këtë prurje, sipas drejtorit për Shërbime Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, Prishtina do të bëhet më e pastër.

    “Ne Prishtinën do ta ndajmë në gjashtë zona dhe një ditë të javës në secilën zonë do të vendosen deri në 15 kontejnerë të përmasave të mëdha ku qytetarët më pas do të kenë mundësi t’i hedhin mbetjet e vëllimshme, por edhe ato ndërtimore që krijohen nga banorët e lagjes”, tha Brestovci.

    Iniciativa e komunës mirëpritet nga ambientalistët. Megjithatë, kërkohet kujdes në përcaktimin e lokacioneve ku do të vendosen kontejnerët.

    “Komuna nëse ka plan specifik, të detajuar, që i përfshin edhe hapat se si duhet të zbatohet ky projekt, mendoj që zonat të cilat janë targetuar, të cilat kanë zhvillim të hovshëm në kuptimin e ndërtimit dhe vendosja e tyre në lokacione specifike të cilat nuk e rëndojnë komunikacionin, nuk e rrezikojnë popullatën mendoj që do ishte shumë e favorshme”, tha Faruk Foniqi, ambientalist.

    Megjithatë, Faruk Foniqi ka kritikuar menaxhimin e këtyre mbeturinave deri tash, duke thënë se ka lënë pasojë afatgjatë.

    “Këto veprimtari i rrezikojnë edhe tokat bujqësore, deponimi vend e pa vend i tyre, i rrezikon edhe tokat bujqësore e në masë të madhe pastaj bëhet edhe rrezikimi i mjedisit, ujërave e kështu me radhë”, tha Foniqi.

    Kontejnerët pritet të vendosen në zona të monitoruara nga kamerat e sigurisë.

    Referuar rregullores së komunës, personi që hedh mbeturina ndërtimore dhe të vëllimshme jashtë vendit të përcaktuar, gjobitet me 200 euro.

    Ndërkaq, tenderi për blerjen e kontejnerëve, sipas zyrtarëve komunalë, do të hapet këtë muaj.