ATV

Category: Lajme

  • U rrahën mes vete në një kafene në Lipjan, arrestohen gjashtë persona

    U rrahën mes vete në një kafene në Lipjan, arrestohen gjashtë persona

    Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona në Lipjan, meqë dyshohet se derisa ishin në një kafene, ishin përfshirë në një rrahje ndërmjet vete.

    Pesë nga ta, kanë pranuar edhe tretman mjekësor.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR /SULM – Lipjan / 17.06.2024 – 21:15. Janë arrestuar gjashtë meshkuj kosovarë për arsye se të njëjtit gjersa ishin duke qëndruar në një kafiteri, ishin përfshirë në një rrahje ndërmjet vete. Pesë nga personat e përfshirë në incident për shkak të lëndimeve të pësuara kanë pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Sulmoi policët gjatë shqiptimit të një gjobe, arrestohet

    Sulmoi policët gjatë shqiptimit të një gjobe, arrestohet

    Një person është arrestuar në Prishtinë pasi që i njëjti kishte penguar zyrtarët policorë derisa po i shqiptonin një gjobë për kundërvajtje në trafik.

    Sipas raportit policor, me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti kishte penguar zyrtarët policor derisa po i shqiptonin një gjobë për një kundërvajtje në trafik. Me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

  • ​Vazhdon aksioni i shkyçjeve ndaj borxhlinjve të ujit, kaq milion euro borxhi ndaj ujësjellësit

    ​Vazhdon aksioni i shkyçjeve ndaj borxhlinjve të ujit, kaq milion euro borxhi ndaj ujësjellësit

    Në lagjen Veternik të Prishtinës të mërkurën do të mbahet një aksion për borxhlinjtë e mëdhenj të shërbimeve të ujit dhe konsumatorët ilegal.

    Zëdhënësja e ujësjellësit Arjeta Mjeku ka njoftuar se borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milion euro, mbi 40 milion nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milion nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha.

    “Në fokus të aksionit, bizneset e vogla, bizneset e mëdha dhe amvisëritë. Nuk ka ujë të pijshëm pa paguar faturat e ujit! Nesër 19 qershor 2024, e mërkurë duke filluar nga ora 10:00 do të kemi aksion të madh me disa ekipe të shkyçjes dhe inspektorë, me fokus konsumatorët që kanë borxhe tejet të mëdha në lagjen Veternik. Nisja bëhet nga objekti i KRU ‘Prishtina’ SH.A në orën 10:00”, thuhet në njoftim.

  • Presidenti Biden me plan të ri që mbron nga dëbimi personat e martuar me amerikanë

    Presidenti Biden me plan të ri që mbron nga dëbimi personat e martuar me amerikanë

    Presidenti Joe Biden pritet të shpallë të martën një masë të re gjithëpërfshirëse që do të mbrojë nga dëbimi dhjetëra mijëra njerëz të martuar me shtetas amerikanë, një masë e fortë mbi emigracionin, në këtë vit zgjedhor, e cila ishte kërkuar nga shumë demokratë.

    Sipas tre burimeve që janë informuar mbi planet e Shtëpisë së Bardhë, Biden do ta shpallë programin e ri një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, për të shënuar programin e administratës së presidentit Obama që u ofronte mbrojtje nga dëbimi emigrantëve të e rinj pa dokumente.

    Kjo masë e re do të mundësojë për rreth 490,000 bashkëshort/bashkëshorte të shtetasve amerikanë që të aplikojnë për një program emigrimi i cili do t’i mbronte nga dëbimi dhe do t’u jepte atyre mundësinë të kishin leje pune nëse kanë jetuar në SHBA për të paktën 10 vjet, thanë dy burime për agjencinë Associated Press.

    Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi njoftimin.

    Biden është përballur me trysni politike për të dëshmuar se ka nën kontroll sigurinë në kufi. Ndërsa përgatitet që të garojë përsëri përballë republikanit Donald Trump, më herët gjatë këtij muaji Presidenti Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kufizon ndjeshëm numrin e personave që kërkojnë azil në kufirin SHBA-Meksikë.

    Ish presidenti Trump është shprehur se do të deportojë miliona emigrantë në rast se do të rizgjidhet, raporton VOA.

  • Lajçak takohet me kryeministrin serb: E informova për zhvillimet aktuale në dialog

    Lajçak takohet me kryeministrin serb: E informova për zhvillimet aktuale në dialog

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me kryeministrin e Serbisë Millosh Vuçeviq, në Athinë.

    Me anë të një postimi në “X”, Lajçak bëri të ditur se kanë diskutuar për atë se ku ndodhet procesi i dialogut, si dhe për marrëdhëniet BE-Serbi.

    “Në Athinë, u takova me kryeministrin e ri Millosh Vuçeviq. E informova për zhvillimet aktuale në dialog dhe fola rreth marrëdhënieve BE-Serbi”, shkroi Lajçak.

  • Pengoi zyrtarët policorë, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Pengoi zyrtarët policorë, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Është arrestuar një burrë në Prishtinë, pasi i pengoi zyrtarët policorë, derisa po i shqiptonin një gjobë për një kundërvajtje në trafik.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë / 17.06.2024 – 18:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti kishte penguar zyrtarët policor derisa po i shqiptonin një gjobë për një kundërvajtje në trafik. Me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Hekurudha Prishtinë-Durrës, punimet në rrugët për Podujevë e Pejë, ministri Aliu jep detaje

    Hekurudha Prishtinë-Durrës, punimet në rrugët për Podujevë e Pejë, ministri Aliu jep detaje

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tregon se cili do të jetë fati i projektit për hekurudhën Prishtinë-Durrës. Derisa ka dhënë më shumë detaje për përfitimet që do të ketë Kosova nga ky projekt madhor ndër shqiptar.

    Minisri Aliu në një intervistë për KosovaPress ka treguar si po realizohen projektet infrastrukturore për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, projektin për Bujanoc, dhe rrugën tjetër për Pejë.

    Ndërsa, ai thotë se projekti për hekurudhën Prishtinë-Durrës, e shndërron Kosovën në një vend kryesor të transitit dhe një pikë shpërndarëse të mallrave.

    “Kosova përmes linjës Durrës-Prishtinë bëhet pjesë e një rrjeti regjional, aktualisht është jashtë korridoreve. Pra, të gjithë transporti i mallrave për gjithë regjionin, qoftë në drejtim të porteve, qoftë nga portat në drejtim të regjionit arrin të bëhet përmes Kosovës. Kjo e shndërron Kosovën në një vend kryesor transitit dhe një hap apo një pik shpërndarëse të mallrave, kjo krijon mandej mundësi për zhvillim ekonomik dhe krijim të zonave ekonomike rreth përqark kësaj zone të shpërndarjes së mallrave. Të dy portet edhe Durrësi dhe Tivari që janë të lidhura, tash do të lidhen me hekurudhën mes vete, do të lidhen me Prishtinën, dhe nga Prishtina me linjën hekurudhore Prishtinë- Shkup, apo Prishtinë-Nish-Sofie, ose Prishtinë-Leshak-Mitrovicë-Salsburg, lidhet gjithë regjioni përmes këtyre”, thotë Aliu.

    Ministri Aliu shprehet se janë duke punuar të përfundojë çështja e fizibilitettit në mënyrë që të realizohet sa më shpejtë projekti për hekurudhën Prishtinë-Durrës.

    “Sapo te përfundon çështja e fizibilitetit e që po urojmë të përfundojë më herët, sepse opsionet tashmë janë duke u dhënë në tavolina, presim që të kemi interesimin për financim, tashmë e kemi edhe nga britaniket, gjermanet, dhe të tjerë që veç kanë lëvizur këto mekanizma, që për mua është një befasi e mirë. Nuk kam prit që aq shpejtë do të mund të ketë rritje të interesimit. Pra, nëse para tre vitesh nuk është folë fare për këtë punë, tash është bërë temë e çdo paneli, lidhja hekurudhore e Prishtinës me Durrësin me gjithë regjionin. Nuk është çështja e financave atë që ne si ministri do e shtymë, ne do të merrem me fizibilitetin dhe projektin që ta kemi sa më shpejtë të kemi të realizuar”, shton Aliu.

    Ndërsa, tregon edhe për projektet infrastrukturore që janë duke u kryer në nivel vendi, atë për Llap, Dukagjin dhe Luginë.

    “Tek ujërat, pra në njërën anë është kyçja nëpër korridore është jetike për Kosovën për të ndërruar komplet faqen ekonomike të vendit, e që po ecë mjaftë mirë, dhe me autostradat po ecën mirë. Pra, do të fillojmë shpejtë edhe autostradën për Bujanoc që na lidhë tek korridori i Dheut, rruga e Podujevës po shkon mirë, rruga drejt Pejës po ashtu po shkon mirë. Kjo do të na krijojë mundësi që ne të kyçemi dhe Kosova të behet vend transit, njëjtë edhe me hekurudha, por kryesorja është uji. Kosova ka shumë pak ujë, kemi arrit të bëjmë me sukses pesë plane të fizibilitetit, dy prej tyre janë në fazën e projekteve, dizajnëve, do të fillojmë me projektet e shpronësimit për to, do të fillon realizimi e që këto pesë projektet e para, duhet të shoqërohen shumë shpejtë nga pesë fizibilitete tjera që mendojmë t’i bëjmë vitin e ardhshëm. Në projektin me Bankën Botërore e kemi komplet hartën, masterplanin e digave për vendin tonë, që duhet të jemi tepër shumë të kujdesshëm të shfrytëzimin e resurseve ujore që kemi, se pse Kosova ka resurse tepër të limituara ujore, ne kemi tepër pak ujë”, thotë ai.

    Ndërkaq, ai thekson se janë duke punuar të menaxhojnë ujin që shkaktohet nga vërshime, për të cilën thotë, se në këtë mënyrë do të tejkalohet situata e thatesirave e cila Kosovën e pret pashmangshëm.

    “Ndryshimet klimatike do të na rrezikojnë, dhe ato tashmë po na rrezikojnë, do të kemi vërshime nga një anë siç kemi, dhe do të shkojnë duke u shtuar, dhe në anën tjetër do të kemi thatësira. Pra, ujë të pijes, dhe ujë për ujitje të tokave nuk do të kemi, në ndërkohë që do të kemi vërshime, prandaj edhe menaxhimi i ujit të vërshimeve, grumbullimi i atij uji, dhe ndërtimit të sistemit të ujitjes që do të shërbenin edhe për bujqësinë, por edhe për ujin e pijes do të mund në njërën anë t’i menaxhojmë vërshimet, në anën tjetër ta tejkalojmë situatën e thatësiravë, e cila Kosovën e pret pashmangshëm, sepse jemi pjesë e Mesdheut”, përfundon Aliu.

    Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë qëndrimit në Kosovë, ka thënë se po punohet për projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës për opsionet më të mira. Ndërsa, ka shtuar se janë duke pritur studimin e fizibilitetit.

  • ​Rrëfimi i popullit të Kosovës përmes Osmanit në Samitin e Paqes për Ukrainën

    ​Rrëfimi i popullit të Kosovës përmes Osmanit në Samitin e Paqes për Ukrainën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin e Paqes për Ukrainën.

    Përmes një video të shpërndarë në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se ishte për ti treguar botës rrëfimin e popullit të Kosovës.

    “Në Samitin e Paqes për Ukrainën, për t’i treguar botës rrëfimin e popullit të Kosovës, por edhe përkushtimin e çdoditshëm të vendit tonë për paqe të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë e kudo në botë”, ka shkruar Osmani sipër videos.

    Në Samitin e 15-16 Zelensky në 19 muajt e fundit për t’i angazhuar liderët globalë që të ndihmojnë në dhënien fund të luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

    Samiti i nivelit të lartë, ka mbledhur liderët botërorë për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.

    Derisa presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën.

  • Një 45-vjeçare dyshohet se është vetëvrarë mëngjesin e sotëm në Prizren

    Një 45-vjeçare dyshohet se është vetëvrarë mëngjesin e sotëm në Prizren

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren, ku një grua dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj. Viktima u gjet pa shenja jete në rrugën “Beteja e Jeshkovës”, rreth orës 06:00 të mëngjesit, raporton Gazeta Sinjali.

    Në bazë të informacioneve të para, viktima ka bërë vetëvrasje me armë zjarri në shtëpinë e saj.

    E ndjera që i dha fund jetës është Q.B., rreth 45-vjeçare.

    Vdekja e saj është konfirmuar nga ekipi mjekësor që ka intervenuar, teksa Policia ndodhet në vendin e ngjarjes.

    Akoma nuk dihen detajet e tjera të këtij rasti të rëndë, por që tashmë është urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe të nisin hetimet.

    Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren.

    “Policia nën udhëheqjen e prokurorit janë duke bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e provave dhe dëshmive.”.

  • Putini arrin në Korenë e Veriut për herë të parë pas 24 vjetësh

    Putini arrin në Korenë e Veriut për herë të parë pas 24 vjetësh

    Presidenti rus, Vladimir Putin do të vizitojë Phenianin më 18-19 qershor për t’u takuar me liderin verikorean, Kim Jong Un.

    Putin e ka vizituar për herë të fundit këtë vend në vitin 2000.

    Historiku i marrëdhënieve mes dy vendeve

    Teksa Perëndimi vazhdon të izolojë Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë, analistët kanë vërejtur që Koreja e Veriut është bërë secilën herë e më e vlefshme për Moskën.

    Nga këndvështrimi i Koresë së Veriut, marrëdhëniet me Rusinë nuk kanë qenë gjithmonë aq të ngrohta sikurse në epokën e Bashkimit Sovjetik, mirëpo ky shtet e ka nuhatur mirë nevojën e Moskës për më shumë miq.

    Koreja e Veriut, vend komunist, është krijuar në fillim të Luftës së Ftohtë, me përkrahje të Bashkimit Sovjetik.

    Koreja e Veriut ka luftuar me Korenë e Jugut në periudhën 1950-1953, me ndihmë të konsiderueshme të Kinës dhe Bashkimit Sovjetik.

    Koreja e Veriut është varur me dekada prej ndihmës sovjetike dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitet ’90 ka kontribuuar në rritje të shkallës së urisë në Korenë e Veriut.

    Kim, i cili ka ardhur në pushtet më 2011, ka pasur në fillim marrëdhënie të ftohta me Rusinë dhe Kinën, kur të dyja vendet u janë bashkuar Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione të ashpra ndaj Koresë së Veriut për kryerje të testimeve bërthamore.

    Rusia i është bashkuar Kinës në thirrjet kundër sanksioneve të reja ndaj Koresë së Veriut, duke bllokuar kështu nismën e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Në mars, Rusia e ka bllokuar edhe vazhdimin e monitorimit të programit verikorean prej një ekipi ekspertësh të OKB-së, të cilët analizojnë nëse Pheniani po vepron në kundërshtim me sanksionet.

    Angazhimi mes Rusisë dhe Koresë së Veriut

    Pas testimit të fundit bërthamor më 2017, Kimi ka marrë hapa për të përmirësuar lidhjet me Rusinë dhe e ka takuar Putinin për herë të parë më 2019, në qytetin rus, Vlladivostok.

    Në shtator të vitit të kaluar, Putin e ka mirëpritur Kimin në hapësirën Vostoçni në Lindje të Largët të Rusisë dhe është zotuar se do t’i ndihmojë Koresë së Veriut që të ndërtojë satelitë, dhe që dy vendet do të shtrijnë bashkëpunimin në shumë fusha.

    Duke përmendur rëndësinë e thellimit të lidhjeve, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, e ka vizituar Phenianin në korrik të vitit 2023 dhe ka marrë pjesë në një paradë ushtarake, në të cilën janë prezantuar edhe raketat e ndaluara balistike.

    Prej kur Kim dhe Putin janë takuar vitin e kaluar, është vërejtur një thellim bashkëpunimi dhe vizita më të shpeshta të delegacioneve të specializuara në shumë fusha: bujqësi, kulturë, e deri te ato që merren me kopshte zoologjike.

    Si ka ndikuar lufta në Ukrainë në marrëdhëniet mes dy vendeve?

    Koreja e Veriut i ka ofruar mbështetje publike Moskës për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Ky ka qenë një ndër vendet e pakta që njeh pavarësinë e territoreve ukrainase që Rusia i konsideron të vetat, dhe që shpreh mbështetje të hapur për aneksimin e disa pjesëve të Ukrainës nga ana e Moskës.

    Shtetet e Bashkuara, dhe disa vende tjera, e kanë akuzuar Korenë e Veriut për transferim të armëve në Rusi, që ajo më pas t’i përdorë në Ukrainë.

    Një raketë e nisur në qytetin ukrainas të Harkivit, më 2 janar të këtij viti, ka qenë raketë verikoreane, Hwasong-11, e nisur prej territorit rus, sipas një ekipi monitoruesish të OKB-së.

    Si Moska, ashtu edhe Pheniani i kanë hedhur poshtë akuzat, mirëpo janë zotuar se do të thellojnë lidhjet ushtarake.

    Shoigu u ka thënë mediave ruse vitin e kaluar se Moska është duke diskutuar mundësinë e mbajtjes së një parade të përbashkët ushtarake me Korenë e Veriut.

    “Pse jo, ata janë fqinjët tanë. Është një fjalë e urtë ruse që thotë se fqinjët nuk i zgjedh dot dhe është më mirë të jetosh me fqinjët në paqe dhe harmoni”, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve Interfax, duke cituar ministrin rus.

    Lidhjet ekonomike

    Më 2022, Rusia dhe Koreja e Veriut kanë rikthyer udhëtimet me trena, për herë të parë prej ndërprerjes së tyre si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

    Në tren ka qenë një ngarkesë e pazakonshme: 30 kuaj të racës së pastër.

    Nuk ka kaluar shumë kohë dhe Rusia i ka rikthyer eksportet e naftës në Korenë e Veriut, për herë të parë qysh prej vitit 2020.

    Verikoreanët bëjnë më së shumti tregti me Kinën, mirëpo Rusia është partnere potencialisht e rëndësishme, kanë thënë ekspertët.

    Moska e ka mohuar se ka shkelur sanksionet e OKB-së kur ka eksportuar naftë në Phenian.

    Zyrtarët rusë kanë diskutuar hapur mundësinë e punësimit të 20.000 deri në 50.000 punëtorëve verikoreanë, pavarësisht se rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndalojnë praktika të tilla.

    Zyrtarët rusë dhe liderët e rajoneve të pushtuara në Ukrainë kanë diskutuar edhe mundësinë e punësimit të punëtorëve verikoreanë, për të ndihmuar në rindërtim të pjesëve të shkatërruara prej luftës, raporton REL.