ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mban seancë për votimin e Qeverisë së re

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mban seancë për votimin e Qeverisë së re

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë të shtunën seancën për votimin e Qeverisë së re, që do të drejtohet nga Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së, partisë e cila fitoi zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

    Qeveria e re do t’i ketë 24 ministri, apo katër më shumë sesa përbërja e deritashme, ndërsa pjesë e saj, përveç VMRO DPMNE-së, do të jetë koalicioni VLEN, që e përbëjnë katër parti shqiptare dhe partia ZNAM, të cilën e përbëjnë ish-anëtar të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

    Këto parti kanë një shumicë parlamentare prej 78 deputetëve nga 120, sa numëron gjithsej Kuvendi.

    Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë.

    Në fjalimin para deputetëve, i nominuari për kryeministër, Hristijan Mickoski do të prezantojë ministrat e kabinetit qeveritar dhe programin e punës.

    Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian i vendit, do të jenë prioritetet kryesore të punës së Qeverisë, sipas Mickoskit.

    VMRO DPMNE-ja, ka garuar në zgjedhje me atë që njihet si programi #1198 – si referencë për numrin e projekteve në sfera të ndryshme që tani janë pjesë e programit të punës.

    Edhe partitë shqiptare të koalicionit VLEN, që do të jenë pjesë e Qeverisë së re, janë zotuar se do të kenë një qasje të ndryshme nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila ishte në pushtet që nga viti 2002.

    Izet Mexheti, i cili në Qeverinë e re do të jetë zëvendëskryeministër i parë, ka thënë se “puna dhe jo demagogjia” do të jenë parimet mbi të cilat do të angazhohen ministrat shqiptarë në Qeveri.

    Ndarja e ministrive në Qeverinë e re

    VMRO DPMNE-ja, dhe partnerët e saj të koalicionit “Maqedonia Ime”, do të kenë numrin më të madh të ministrive, gjithsej 16.

    Ministër i Punëve të Brendshme është propozuar, Pançe Toshkoski ndërsa i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë pritet të drejtohet nga Timço Mucunski, ndërsa Ministria e Transportit nga Aleksandar Nikollovski, i cili është propozuar edhe për zëvendëskryeministër.

    Ministrinë e Financave do ta udhëheqë Gordana Dimitrieska-Koçoska, ndërsa të Energjetikës, Sanja Bozhinovska, dhe të Arsimit, Vesna Janevska.

    Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike Serbe do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike.

    Caktimi i Stoilkoviqit për ministër ka nxitur reagime të shumta pasi Stoilkoviq konsiderohet i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodikun, si dhe kultivon marrëdhënie të mira me Rusinë.

    Forca e partive shqiptare në Qeverinë e re

    Koalicioni VLEN, që përbëhet nga katër parti shqiptare, në Qeverinë e re do të drejtojë gjashtë ministri.

    Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Ekologjisë pritet të jetë Izet Mexhiti.

    Besar Durmishi do të drejtojë Ministritë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, ndërsa Fatmir Limani, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës.

    Arben Taravari është propozuar për ministër të Shëndetësisë, ndërsa Arben Fetai për zëvendëskryeministër.

    Orhan Murtezani pritet të drejtojë Ministrinë e re për Eurointegrime.

    Pjesëmarrja e koalicionit VLEN në Qeveri, për Bashkimin Demokratik për Integrim është jolegjitime, pasi BDI-ja, e cila drejton Frontin Evropian, thotë se opozita e deritanishme shqiptare ka humbur zgjedhjet më 8 maj, andaj edhe nuk mund t’i përfaqësojë shqiptarët.

    BDI-ja pretendon se VLEN-i i ka “dëmtuar interesat shqiptare” duke pranuar rolin e “vasalit” në Qeverinë e Mickoskit.

    Por, nga koalicioni VLEN thonë se BDI-ja në zgjedhje ka marrë vota nga të gjitha bashkësitë etnike me të cilat ishte në koalicion, andaj edhe nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare.

    BDI-ja ishte pjesë e Qeverive të Maqedonisë së Veriut, qoftë me VMRO DPMNE-në apo LSDM-në, që nga viti 2002./REL

  • Furnizimi i nxënësve me libra, Dreshaj: Subvencionimi pati probleme, ende s’dihet si do të bëhet këtë vit

    Furnizimi i nxënësve me libra, Dreshaj: Subvencionimi pati probleme, ende s’dihet si do të bëhet këtë vit

    Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve arsimore, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se viti i parë i shpërndarjes së librave përmes platformës online e-Kosova, është përcjellë me probleme e dështime të shumta, raporton Ekonomia Online.

    Për këtë proces, Dreshaj ka kërkuar ndërmarrjen e hapave urgjentë për të zbardhur gjithçka rreth këtij procesi.

    “Mendoj që jemi shumë vonë edhe për hapat që duhet të ndërmerren rreth vendimmarrjes se në cilën formë duhet të shpërndahen tekstet shkollore, ose si formën e vitit që lamë pas, që u dëshmua me shumë probleme e me shumë dështime apo forma paraprake kur Ministria i ka siguruar tekstet dhe i ka dërguar nëpër shkolla”, ka thënë Dreshaj për Ekonomia Online.

    Sipas Dreshajt, tashmë kur viti shkollor 2023/24 është në prag të përfundimit, është dashur të dihet forma e shpërndarjes së teksteve për vitin tjetër startues në muajin shtator.

    “Mendoj qe kjo është dashur tash të jetë e kryer, e jo praktikisht në fillim të vitit shkollor, për shkak se ju e dini që tash fillon muaji korrik, pastaj muaji gusht i pushimeve, me një shtator duhet të filloj procesi mësimor, ndërsa hala as ujdia lidhur me formën se si do të subvencionohen dhe si do të furnizohen nxënësit me libra ende nuk është e dakorduar, nuk e kemi nga ana e Ministrisë së Arsimit se cila formë do të jetë e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore”, theksoi Dreshaj.

    Tutje, ai u shpreh i pakënaqur me formën aktuale elektronike, teksa përmendi metodat e viteve paraprake, që sipas tij ishin më kursimtare për buxhetin e shtetit.

    “Mendoj që një punë e mirë e dëshmuar nuk duhet të pengohet, por duhet të mbështetet. Definitivisht përshtypjet tona janë që forma paraprake e dërgimit të teksteve shkollore ka qenë më e drejtë dhe formë më e lirë për buxhetin. Pa i marrë parasysh këto, ne do t’i shohim në vazhdim se sa ka bazë që në esencë shteti ka paguar më shumë për subvencionim përmes dërgimit të parave në familjet individuale të nxënësve, sesa në dërgimin e shtëpive botuese siç ka qenë paraprakisht”, shtoi deputeti Dreshaj.

    Deputeti Dreshaj ka folur edhe për përfundimin e vitit të parë mësimor përmes shpërndarjes së teksteve online, e të cilin e ka konsideruar si proces të përcjellë me shumë probleme, për të cilat do të merret komisioni aktual.

    “Unë mendoj që metoda e re elektronike ka pasur shumë probleme, ka nxënës të cilët kanë mbetur të pa furnizuar, ka të atillë që kanë përdorur mjetet për qëllime tjera, pra jo për furnizim të nxënësve me libra dhe mu për këtë është themeluar ky komision i cili do të merret me në veçanti me këto probleme që janë evidentuar në proces”, theksoi kreu i Komisionit Hetimor.

    Për herë të parë, në Kosovë në vitin shkollor 2023/24, tekstet mësimore për nivelin parauniversitar u shpërndan përmes platformës elektronike E-Kosova, ku prindërit do të rimbursoheshin pasi t’i kenë blerë librat për fëmijët e tyre.

    Ndërkaq më 4 prill të këtij vitit, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, i cili do t’i hetojë pretendimet për keqpërdorime të mundshme në këtë proces.

  • Nuk respektuan rregullat në trafik, Policia për 24 orë shqiptoi afro 1700 gjoba

    Nuk respektuan rregullat në trafik, Policia për 24 orë shqiptoi afro 1700 gjoba

    Policia e Kosovës po tregon seriozitetin e saj me shifrat e larta të gjobave për çdo ditë.

    Për vetëm 24 orë në vendin tonë, janë shqiptuar 1 mijë e 645 gjoba trafiku.

    Ndërkaq janë regjistruar dhe 17 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa sipas raportit të policisë, 37 aksidente kanë ndodhur vetëm me dëme materiale.

    Po ashtu janë arrestuar 14 persona, kurse 12 janë dërguar në mbajtje.

  • Policia jep detaje për aksionin kundër fajdeve në Gjilan

    Policia jep detaje për aksionin kundër fajdeve në Gjilan

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin kundër fajdeve që ka zhvilluar dje në Gjilan, ku janë arrestuar dy të dyshuar.

    Sipas Policisë, të dyshuarit në këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdesë duke e detyruar të njëjtën të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600 mijë euro, duke e detyruar viktimën që ta mbyllë dhe ta shes kompaninë e tij.

    Lidhur me rastin janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

    “Gjilan, 2023/2024. Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, më 21.06.2024 ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’. Gjatë hetimit të këtij rasti janë gjetura prova, se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit’ për të cilat janë hetuar. Të dyshuarit në këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdesë duke e detyruar të njëjtën të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro, duke e detyruar viktimën që ta mbyllë dhe ta shes kompaninë e tij. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 2 të dyshuar meshkuj kosovarë, ndërsa lidhur me rastin janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Sot mbi 19 mijë nxënës i nënshtrohen testit të maturës

    Sot mbi 19 mijë nxënës i nënshtrohen testit të maturës

    Sot mbahet testi i maturës në Kosovë, ku 19 mijë e 200 nxënës kanë aplikuar për t’iu nënshtruar këtij testimi.

    500 prej tyre iu është refuzuar aplikimi për shkak të mospasjes të drejtë nënshtrimi në këtë afat.

    Fatmir Elezi, drejtor i Divizionit për Vlerësim në MAShT, ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij testi.

  • Zelensky e përgëzon Ukrainën për fitoren në Euro 2024, e krahason me përpjekjet e luftës

    Zelensky e përgëzon Ukrainën për fitoren në Euro 2024, e krahason me përpjekjet e luftës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka uruar ekipin kombëtar ukrainas për fitoren kundër Sllovakisë në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, duke e krahasuar atë me përpjekjet e vendit në luftë kundër Rusisë.

    “Ne i besojmë njëri-tjetrit! E mbështesim njëri-tjetrin! Luftojmë për njëri-tjetrin! Kjo duhet të na bashkojë secilin prej nesh. Dhe, tani secili prej nesh duhet të luftojë: për liri, jetë, dhe për perceptimin e saktë të Ukrainës në botë”, shkroi ai në Telegram.

    Pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi në shkurt të vitit 2022.

    “Pikërisht këtë po e bën sot ekipi kombëtar i Ukrainës. Vazhdoni kështu, djem!” shtoi ai.

    Ukraina e mposhti 2:1 Sllovakinë në ndeshjen e dytë të Grupit E të premten në Duseldorf.

    Kjo ishte fitorja e parë e ukrainasve në Euro 2024, pas disfatës kundër Rumanisë në ndeshjen e parë.

    Ajo tani ka 3 pikë në vendin e dytë në grup dhe përballet me Belgjikën në ndeshjen e fundit, në kërkim të kalimit në fazën tjetër të garës. Dy ekipet e para në grup kalojnë në rrethin e 16 të mirëve.

  • Gërvalla nga Vjena: Kërkova përshpejtim të procesit të anëtarësimit në BE

    Gërvalla nga Vjena: Kërkova përshpejtim të procesit të anëtarësimit në BE

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, mori pjesë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Austri, ku bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Gërvalla theksoi se në dy panele të ndara, para homologëve të shteteve pjesëmarrëse, prezantoi qëndrimet e Kosovës mbi sigurinë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella për sundimin e ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ajo kërkoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe veprime konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    “Para homologëve nga shtetet pjesëmarrëse, në dy panele të ndara shpalosa qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik si dhe bëra thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Gërvalla.

    Ajo gjithashtu ritheksoi mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës në kontekstin e agresionit rus, duke theksuar solidaritetin e pakusht të Kosovës për Ukrainën.

    “Pashmangshëm diskutuam edhe për agresionin rus në Ukrainë duke vënë në pah mbështetjen dhe solidaritetin e pakusht të Kosovës për Ukrainën”, shtoi ajo.

    Në të njëjtin takim, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë, Tanja Fajon, theksoi se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri gjeostrategjike që kërkon mbështetje politike të menjëhershme.

    “Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i cili ekziston prej një viti, është një dëshmi e mirë se ne duhet ta trajtojmë zgjerimin si një domosdoshmëri gjeostrategjike që ka nevojë për mbështetje politike. Është tani ose kurrë”, tha Fajon.

    Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për aspiratat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi miratimin e një Deklarate që synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

    “Në mbledhjen e sotme u miratua Deklarata, e cila synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën evropiane, bazuar në arritjet e tyre, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë,” deklaroi Radman.

  • ​Opozita kërkon nga Kurti që njohja reciproke të jetë qëllim final i dialogut

    ​Opozita kërkon nga Kurti që njohja reciproke të jetë qëllim final i dialogut

    Në prag të takimit të kryeministrit, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, partitë opozitare kërkojnë nga Kurti që qëllim final i dialogut të jetë njohja reciproke. Sipas tyre, kreu qeveritar nuk duhet të devijojë përpjekjet shumëvjeçare të Kosovës që njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes dhe jo vetëm të jetë fokus normalizimi i marrëdhënieve përmes Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

    Opozitarët kërkojnë nga ekzekutivi që t’i bindin edhe partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që mos të ndryshojnë qëndrim sa i përket njohjes reciproke si qëllim final të dialogut.

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, thotë për KosovaPress, se qasja e qeverisë në dialog duhet të jetë e mirë koordinuar me aleatët e Kosovës.

    Duke folur për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit të arritur vitin e kaluar, deputetja Deliu, deklaron se Kurti nuk do të duhej as të diskutonte për një marrëveshje ku nuk është njohja de-jure në qendër të saj.

    Ajo kritikon kryeministrin që ka sjell një marrëveshje të keqe për Kosovën me një autonomi për serbët në veri.

    “Nëse qasja e qeverisë do të ishte e mirë koordinuar. Nëse partneriteti i qeverisë lidhur me procesin e dialogut dhe partnerët do të kishte një koordinim më të mirë absolutisht nuk do të duhej fare as që të diskutohet një marrëveshje finale pa njohje në qendër. Ky nuk ka qenë as synim, por kjo pastaj është devijim i përpjekës sonë disa vjeçare për të mbyllur një herë e mirë raportin me Serbinë. Një marrëveshje finale, apo siç e thatë normalizimi i marrëdhënieve është një proces që po ndodh që një kohë të gjatë. Përpjekjet e dialogut janë bërë për të normalizuar marrëdhëniet, mirëpo themeli duhet të jetë njohja në qendër. Prandaj kur nuk diskutohet sot për njohje dhe ka devijim të kësaj përpjekje dhe kur diskutimet zbresin te autonomia e serbëve dhe kompetenca shtesë për serbët në veri, natyrisht se ky nuk është një hap i mirë që e ka bërë qeveria”, thotë ajo.

    Kritika për devijim të procesit të dialogut adreson edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila thotë për KosovaPress, se në Qeverinë Kurti nuk flitet më për njohje reciproke por vetëm për zbatim të marrëveshjes së Brukselit e cila sipas saj primare ka autonominë për serbët në Kosovë.

    “Ka qenë pikërisht kryeministri Kurti që e ka sjell dialogun deri këtu, ku nuk flitet për njohjen reciproke. Munden këta me fol në vete, por sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ju e keni pa se të gjitha marrëveshjet çka ka qenë kanë janë për normalizimin e raporteve dhe jo njohje reciproke”, shton Krasniqi.

    Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se kryeministri Kurti duhet të insistojë që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, pavarësisht marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

    “Gjithmonë kemi thënë se luftën e kemi bërë dhe përfundu me aleatë. Shtet ndërtimin e Kosovës e kemi bërë me aleatë, mirëpo këto veprime të pakoordinuara të kësaj qeverie kanë bërë që të humbin aleatët, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do t’i shkaktojë dëme Kosovës, andaj ne kemi përsëritur se duhet ruajtur aleancat që i kemi ndërtu…Duhet të insistohet dhe duhet të kërkohet (Njohja e reciproke). Ne kërkojmë që dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke”, thotë deputetja opozitar.

    Takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel më 26 qershor e kanë konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre në këtë takim do të flitet për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin Ohrit. Ky është i pari pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit që ndodhi në shtator të vitit 2023. Pikërisht në shtator të vitit të kaluar ishte takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Vuçiq.

  • Prishtinë, nëna raporton zhdukjen e vajzës

    Prishtinë, nëna raporton zhdukjen e vajzës

    Është raportuar e zhdukur një vajzë në Prishtinë.

    Sipas policisë rasti në polici është lajmëruar nga nëna e saj.

    “Rr. Vëllezërit Fazliu-Prishtinë, 17.06.2024-NN. Me 21.06.2024 ankuesja femër kosovare, ka raportuar se vajza e saj, ka dalq nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftim.

  • Evakuohen banorët e Meksikës, shkak përmbytjet e rënda

    Evakuohen banorët e Meksikës, shkak përmbytjet e rënda

    Banorët në Meksikën veriore janë shpëtuar pasi një stuhi tropikale ka shkaktuar përmbytje të rënda.

    Rreth 40 persona ishin evakuuar, raportuan mediat lokale të premten, duke cituar policinë, duke shtuar se mbi 100 banorë të tjerë të bllokuar po prisnin të shpëtoheshin. Pamjet me dron treguan një rrugë që kalonte përmes Kanionit Huasteca të shkatërruar plotësisht nga uji.

    Alberto, stuhia e parë e emërtuar e sezonit të uraganeve të Atlantikut 2024, u dobësua të enjten në një depresion tropikal ndërsa lëvizte në brendësi të Meksikës verilindore, duke sjellë më shumë shira të dendur dhe përmbytje pasi la katër të vdekur, duke përfshirë tre fëmijë.