ATV

Category: Lajme

  • 3500 lindje nga janari në Gjinekologji – Rënie e lehtë krahasuar me vitin e kaluar

    3500 lindje nga janari në Gjinekologji – Rënie e lehtë krahasuar me vitin e kaluar

    Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Zef Ndrejaj, ka thënë për Ekonomia Online, se gjatë gjysmës së parë të këtij viti është vërejtur një rënie e lehtë e lindjeve krahasuar me vitin e kaluar.

    Ai për Ekonomia Online ka thënë se deri më tani janë regjistruar rreth 3500 lindje, teksa i gëzohet edhe renovimit të klinikës në vlerë prej mbi 5 milionë euro.

    “Në Klinikën Gjinekologjike është një rënie e vogël, e lehtë, jo e madhe, por ka rënie deri tash janë diku 3500 lindje deri në gjysmën e vitit. Ku duke krahasuar me vitin e kaluar aty është ndonjë numër i vogël në rënie, por jo shumë i rëndësishëm”, ka thënë Ndrejaj.

    Ai ka folur edhe për renovimet që janë bërë në këtë klinikë, shtimit të shtretërve, ndërsa së shpejti do të shtohet dhe shërbimi i fertilitetit (IVF).

    “Është bërë një renovim substancial shumë i rëndësishëm, një renovim që është me vite ka pasur nevojë, sidomos në repartet e lehonave pas lindjes dhe pas lindjeve me prerje cezariane dhe repartet e zyrës së pranimit dhe ambulantave specialistike. Është renovim i tërësishëm, ku janë shtuar përpos renovimin edhe disa shërbime, shërbimi i mjekësisë fetale dhe shërbimi i amiocentezës, pritet shumë shpejt të aktivizohet edhe shërbimi i fertilitetit apo IVF”, ka thënë ai.

    Ndrejaj ka thënë se në këtë klinikë nuk ka pasur ikje të mjekëve, sipas tij, klinika ka pasur mungesë të infermiereve por me hapjen e konkursit të ri për pranimin e 20 mamive të reja pritet që të përmirësohet gjendja.

    “Deri më tani nuk kemi asnjë mjek që ka shprehur dëshirën të shkojë. Më shumë kërkesat janë për mjekët e rinj që janë në specializim, ose në fillim të specializimit ose pas specializimit. Mirëpo mjekët të cilët janë të punësuar në Klinikën Gjinekologjike nuk ka asnjë mjek që ka shprehur dëshirën për të ikur. Klinika e jonë është më numër të mjekëve e mbuluar shumë mirë, kemi mjaftueshëm. Ndërsa pak kemi mungesë të numrit të infermiereve, të mamive. Por, edhe kjo do të përmirësohet shumë shpejt për shkak se është hapur konkursi këto ditë për pranimin e 20 mamive të reja edhe presim shumë shpejt që të përmirësohet edhe gjendja”, ka thënë ai.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Kjo sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 17 deri në 20 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31 deri 36 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi prej 1 deri 3m/s.

    “Të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 17-20 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31 deri 36 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-3m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • ​Serbi mohon krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Prizren

    ​Serbi mohon krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Prizren

    Sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të dyshuarit për krime lufte gjatë luftës në Prizren, Milosh Pleskoviq.

    Sipas aktakuzës, Pleskoviq, gjatë kohës së luftës 1998-1999 në Prizren, me dashje dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer vrasjen e tre civilëve shqiptarë. Pleskoviq në paraqitjen e tij para gjykatës ka mohuar të ketë kryer krime lufte.

    Prokurori i rastit Ilir Morina ka treguar se si ka ndodhur rasti sipas aktakuzës.

    “Më 1 shtator 1998 në afërsi të lagjes Hoqa Mahall Prizren, viktimat Reshat Daçaj, Binak Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiu, së bashku me të dëmtuarit Fezi Cana, Gjenger Cana dhe Bashkim Kastrati kanë shkuar në malin e tyre në afërsi 300 metra të mëhallës për të marrë dru për ngrohje. Derisa ishin duke ecur, kanë hasur në grup tetë persona të armatosur të nacionalitetit serb me uniforma policore ushtarake, me shirita në krah dhe të armatosur me armë të gjata automatike. Të njëjtit kanë urdhëruar që të ndaleshin, pastaj i ka fyer në gjuhën serbe, ku në mesin e tyre kishin pa të pandehurin. Në atë moment i pandehuri ka shtënë me kallashnikov në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri Binak Daçaj, e ka shtyrë me krahë të dëmtuarin Gjenger Cana, duke e futur në rrugë në mënyrë që të shpëtojë nga vrasja pasi që ishte më i riu në grup. Kurse, të dëmtuarit Gjenger Cana, Fezi Cana dhe Bashkim Kastrati, i kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat tani të ndjerit Binak dhe Reshat Daçaj, Fatmir Bojaxhiu kanë vdekur në vendin e ngjarjes si pasojë e të shtënave. Pas një jave me lejen e policisë serbe familjarët kanë shkuar që të marrin trupat të ndjerëve dhe kanë parë se trupat ishin të gjymtuar, Binaku, Reshati ishin të vendosur mbi njëri tjetrin, njëri kishte këmbën e prerë, viktima Fatmiri nuk e kishte pasur kokën në trup”, ka thënë Morina.

    I dyshuari për krime lufte Milosh Pleskoviq nuk ka pranuar akuzat ndaj tij.

    “Nuk e pranoj dhe nuk e kam kryer, më vjen keq për viktimat. Duhet të përgjigjet ai që ka kryer këtë krim, jo unë”, ka deklaruar Pleskoviq.

    Avokatja e të pandehurit, Johanna Filipoviq, ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, por kjo u kundërshtua nga ana e prokurorit Ilir Morina.

    Morina tha se ka dëshmitar anonim, i cili ka frikë për jetën e tij, dhe nëse i pandehuri gjendet në liri mund të rrezikojë jetën e tij.

    “Propozoj që kërkesa e avokatit të mbrojtës për ndryshimin e masës te sigurisë të refuzohet për shkak se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë faktike apo juridike nga dita kur është caktuar paraburgimi. Deri më tani e vetmja fazë është mundësia e arratisjes, gjithashtu duke marrë parasysh atë që tha avokatja dhe bazë autorizimeve ligjore propozoj edhe bazën e dytë ndikimi në dëshmitarë. Në rastin konkret kemi dëshmitar anonim, i cili ka frikë për jetën e vet dhe mbi bazën e kësaj nëse i pandehuri gjendet në liri, mund të ndikojë në këtë dëshmitar dhe të rrezikojë jetën e tij”, ka thënë Morina.

    Gjyqtari në përfundim të seancës ka thënë se për ndryshim e masës së paraburgimit, gjykata do të vendosë jashtë seancës gjyqësore.

    Ndryshe, Milosh Pleskoviq është arrestuar më 29 shtator 2023 pasi dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve, në lagjen “Hoqa Mahall” në Prizren në vitin 1998. /KP

  • Kontrata e pranverës për pastrim të borës

    Kontrata e pranverës për pastrim të borës

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka arritur të nënshkruajë me kohë kontratën për mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

    Edhe pse pjesa kryesore e kontratës kishte të bënte me pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës nëpër rrugë, kjo ministri e kishte nënshkruar kontratën vetëm më 28.02.2024.

    Në tenderin me procedurë të negociuar “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.”, që ishte iniciuar më 19.12.2023, kishte ankesa dhe pretendime për shkelje të Ligjit të Prokurimit.

    Sipas kësaj ministrie, ky aktivitet i prokurimit ishte nisur gjatë sezonit dimëror dhe është rezultat i një memorandumi bashkëpunimi me komunat respektive.

    “Inicimi i procedurave të prokurimit për projektin: “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.” është rezultat i Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të MMPHI dhe Komunave Mitrovice e V., Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok nënshkruar me date 19.12.2023 dhe se ky inicim është filluar me datë 20 dhjetor të vitit 2023”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Megjithatë, bazuar në dokumentet e publikuara në E-prokurim, Ministria e Infrastrukturës e ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës vetëm më 21.02.2024, apo 2 muaj pas inicimit të tenderit.

    Ministria nuk ka publikuar ndonjë sqarim pse është vonuar procesi për dy muaj përkundër faktit që ishte zgjedhur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

    Për të parë punët që janë kryer bazuar në këtë kontratë, më 14 maj 2024 është kërkuar qasje në faturat e paguara në kuadër të kësaj kontrate.

    Ministria na ka dhënë qasje në një faturë të muajit prill në vlerë prej 26 mijë e 677 euro.

    Në këtë faturë nga 26 mijë euro, ani pse nuk pati reshje të borës, për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja dimërore” janë paguar 12 mijë e 183 euro.

    Pjesa më e madhe e këtij situacioni kishte shkuar për pozicionin “Koha e kujdestarisë 24 orë, e cila ishte ofertuar me 65 euro për 24 orë.

    Në këtë faturë janë faturuar 120 ditë me nga 65 euro dhe totali i pagesës ishte 7,800 euro. Në dokumentin nuk është dhënë ndonjë sqarim se pse është paguar kujdestari për 120 ditë edhe pse deri në mes të muajit prill kishin kaluar më pakë se 50 ditë nga dita e fillimit të zbatimit të kontratës.

    Ministria kishte paguar edhe 50,350 kilogram krypë, të cilat ishin paguar me një çmim prej 0.07 euro, që në total pagesa ishte 3,524 euro.

    Ndërkaq, 9 mijë e 350 u ekzekutuan për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja verore”.

    Sipas paramasës së nënshkruar, të cilën e posedon televizioni, 64 mijë euro ishin paraparë të shpenzoheshin për furnizim dhe shpërndarje të kripës, kurse 5 mijë e 880 euro për furnizim me rërë dhe shpërndarje të saj. Ndërkaq, pjesa tjetër e mjeteve ishte paraparë të shpenzohet për automjete dhe sinjalizim të trafikut.

    Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, pohoi se gjatë këtyre muajve nuk kishte shumë reshje të borës në katër komunat veriore.

    Megjithatë, ai nuk u përgjigj në gjitha pyetjet duke thënë se në pyetjet e dërguara më datën 3 qershor 2024 do të përgjigjet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve.

    “Po po atje ka pas shumë pak reshje prej kohës kur është nënshkruar kontrata por nëse ju i keni dergu pyetjet duhet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve me ju përgjigj”- është përgjigjur zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në pyetjen se sa është shpenzuar nga kontrata e nënshkruar për mirëmbajtjen e rrugëve në katër komunat veriore.

    Ndërsa, Agron Beshiri, menaxher i projektit nga ana e Autoritetit Kontraktuese e ka dërguar tek televizioni një raport të punës së këtij projekti.

    Ai ka thënë se kontrata me kompaninë “Shkoza F007” ka filluar zbatimin në fillim të muajit mars.

    “Meqenëse në muajin mars temperatura ka shënuar mbi 0°, aktivitetet e intervenimit ku përfshihen: pastrimi i borës, hedhjes së kripës dhe rërës, kanë qenë thuajse të panevojshme me përjashtim të datës 30 mars 2023”- thuhet në raportin e Beshirit.

    Përkundër motit të mirë, Operatori Ekonomik siç parashihet në kontratë ka bërë kujdestari.

    “Gatishmëria e kujdestarisë ka qenë prezente gjatë gjithë muajit mars me ndërrim 24/7. Gjatë kësaj periudhë ka pasur inspektime të rregullta ditore të rrugëve lokale”- thuhet në këtë raport të menaxherit të kontratës, Agron Beshiri.

    Tutje, në raport janë listuar punët e realizuara bazuar në këtë kontratë, që përputhen me faturën e dërguar nga Ministria e Infrastrukturës, në vlerë 26,677 euro.

    “Vlera financiare për punët e kryera gjatë muajit mars ka qenë 26,677 euro. Përqindja e realizimit del të jetë 19.26%”- thuhet në raport, në të cilin nuk ka asnjë detaj nëse gjatë muajit prill e maj është bërë ndonjë shpenzim tjetër bazuar në këtë kontratë.

    Për të marrë përgjigje rreth zbatimit të kësaj kontrate dy herë ishte kontaktuar edhe kompania “SHKOZA F007”. Herën e parë ishte kontaktuar më 13 prill 2024, por kur personi kontaktues kishte kuptuar se po kontaktohej nga një gazetar, e kishte bllokuar numrin. Në të njëjtën datë, televizoni kishte tentuar të marrë

    përgjigje edhe përmes platformës sociale FACEBOOK, por i njëjti kishte bllokuar llogarinë kontaktuese.

    Kurse, herën e dytë është kontaktuar më 18.06.2024 dhe personi që është lajmëruar në telefon ka thënë se është nga kompania “SHKOZA F007” pasi e ka dëgjuar pyetjen ka thënë se është shofer dhe e ka mbyllur telefonin.

    Ankesat në tender

    Mes tjerash, ky aktivitet i prokurimit ishte përcjellë edhe me pretendime për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik nga ana e një operatori ekonomik, që ishte në garë. Fillimisht më 9 shkurt 2024, pas kërkesës për rishqyrtim të një operatori ekonomik, zyrtari përgjegjës i prokurimit në këtë dikaster qeveritar kishte nxjerrë vendim për pezullim të këtij aktiviteti të prokurimit.

    Megjithatë në të njëjtën ditë, Autoriteti Kontraktues e kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim të “B CORP SH.P.K.”.

    Kompania ankuese kishte pretenduar se Operatori Ekonomik i propozuar për kontratë ishte i papërgjegjshëm meqë nuk kishte përmbushur kërkesat e përshtatshmërisë: Vërtetim nga një Gjykatë kompetente ku vërteton se drejtuesit, menaxheret e saj gjatë dhjetë viteve të kaluara nuk janë shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhe ose aktivitetet e ngjashme.

    Në këtë përfundim “B CORP SH.P.K.” kishte ardhur pasi ishte qasur në dosjen e Operatorit Ekonomik ankues.

    Ky pretendim ishte hedhur poshtë, meqë sipas Ministrisë së Infrastrukturës, Operatori Ekonomik fitues i kishte sjellë dokumentet para Njoftimit mbi vendim e Autoritetit Kontraktues dhe ishin të ngarkuara te dëshmitë e pranueshmërisë në platformën e-prokurimi.

    Ky artikull është përgatitur përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara apo BIRN.

  • ​Paraburgoset shtetasi i Serbisë për sulm ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan

    ​Paraburgoset shtetasi i Serbisë për sulm ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan

    Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit një muaj ndaj të pandehurit me nënshtetësi të Serbisë L.D., nën dyshimet se ka kryer veprat penale bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

    Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 29.05.2023, në intervalin kohor prej orës 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L.D. së bashku me të pandehur tjerë kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Kosovës në komunat veriore të vendit.

    Përkundër urdhrave të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kanë nxitur dhe filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit.

    Po ashtu, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe veturat e gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtim fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të lartë për jetën e shumë njerëzve dhe pasurisë.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • ​Këshilli i BE-së miraton hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë

    ​Këshilli i BE-së miraton hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë

    Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot zyrtarisht mandatin për negociatat e anëtarësimit në BE me Ukrainën dhe Moldavinë, për të cilin ishte rënë dakord më parë në nivel ambasadorësh, duke i hapur rrugën konferencës së parë ndërqeveritare që do të mbahet të martën e ardhshme.

    Këtë e ka bërë të ditur Presidenca belge në Këshillin e Bashkimit Evropian, transmeton Ukrinform.

    “Këshilli i BE-së miratoi qëndrimet e përgjithshme të BE-së, përfshirë kornizat negociuese, për negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Kjo hap rrugën për nisjen e negociatave të martën më 25 qershor në Luksemburg. 15:30 – IGC me Ukrainën. 18:00 – IGC me Moldavinë”, thuhet në postim.

    Siç është raportuar, më 14 dhjetor 2023, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, Bosnje-Hercegovinën dhe i dha statusin e kandidatit Gjeorgjisë.

    Të premten e kaluar, më 14 qershor, përfaqësuesit e përhershëm të BE-së ranë dakord në parim për kornizat e negociatave për negociatat e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.

  • ​Itali: 8 të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë

    ​Itali: 8 të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë

    Tetë punëtorë u plagosën, pesë në gjendje kritike, në një shpërthim në një fabrikë alumini në Bolzano të Italisë gjatë natës, thanë burimet të premten.

    Pesë rastet më të rënda u dërguan me helikopter në qendra të rëndësishme të djegieve – dy u dërguan në Verona, një në Padova, një në Milano dhe tjetri në Murnau në Bavari, thanë burimet.

    Punëtorët më pak të lënduar po marrin trajtim në Bolzano.

    Ky është shpërthimi i fundit në një seri të gjatë aksidentesh të rënda në vendin e punës në Itali.

    Sipas të dhënave zyrtare ka pasur mbi 1000 aksidente fatale në punë vitin e kaluar.

  • ​Presidenti i Bullgarisë merr pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington

    ​Presidenti i Bullgarisë merr pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington

    Presidenti dhe njëherësh komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Bullgarisë Rumen Radev do të merr pjesë në Samitin e ardhshëm të NATO-s më 9-11 korrik në Uashington, njoftoi sot Këshilli i Ministrave.

    Në takim do të merr pjesë edhe kryeministri në detyrë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Dimitar Glavchev.

    Forumi është niveli më i lartë i vendimmarrjes në Aleancë dhe do të shënojë 75-vjetorin e Traktatit të Atlantikut të Veriut, të nënshkruar në Uashington. Vendimet që do të merren në takim përfshijnë zbatimin e angazhimeve afatgjata nga aleatët, me një fokus të veçantë në investimet në mbrojtjen e çdo vendi anëtar të NATO-s dhe mbështetjen afatgjatë për Ukrainën dhe mbështetjen e saj financiare.

    Të enjten, kryeministri Glavchev i dërgoi një letër kryetarit të Asamblesë Kombëtare Raya Nazaryan dhe grupeve parlamentare duke u kërkuar atyre të vendosin se kush do të përfaqësojë Bullgarinë në samit.

    Partitë MRF dhe CC-DB kundërshtuan që Radev të përfaqësonte Bullgarinë në forum, duke i kërkuar kryeministrit ta bënte këtë, ndërsa BSP donte që vendi të përfaqësohej nga presidenti. Partia Velichie tha se vendimi duhet të merret nga Këshilli i Ministrave. /BTA

  • 7 persona nën pranga për fajde dhe haraç, Sveçla publikon pamjet e arrestimit nga policia speciale

    7 persona nën pranga për fajde dhe haraç, Sveçla publikon pamjet e arrestimit nga policia speciale

    Kreu i Minsitrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamjet nga aksioni që ka nisur dje dhe që ka vazhduar edhe sot kundër aktiviteteve kriminale të fajdes dhe detyrimit.

    Sveçla ka bërë të ditur se deri më tani janë arrestuar shtatë persona, të cilat dyshohet se kan përfituar vlera milionëshe përmes frikësimit dhe detyrimit fizik.

    “Në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, Policia e Kosovës ka realizuar dje dhe sot operacione në luftimin e aktiviteteve kriminale të fajdes dhe detyrimit. Deri më tash janë arrestuar 7 persona, të cilët përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët tanë përmes frikësimit dhe detyrimit fizik.Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë tonë ka përfunduar. Do ta vazhdojmë pa u ndalur dhe pa kompromis luftën ndaj çdo ilegaliteti në Republikën tonë.I lus dhe inkurajoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë që askush të mos jetë viktimë e individëve apo organizimeve kriminale”, ka shkruar Sveçla.

  • ​Begaj në Kosovë, pritet të shpallet “Qytetar Nderi” nga Drenasi e Deçani

    ​Begaj në Kosovë, pritet të shpallet “Qytetar Nderi” nga Drenasi e Deçani

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, pritet të shpallet “Qytetar Nderi” nga dy komuna të Kosovës, ajo e Drenasit dhe e Deçanit.

    Në njoftimin për media nga Komuna e Deçanit bëhet e ditur se presidenti Begaj do ta vizitojë këtë komunë të dielën, teksa ai në ora 11:00 pritet të bëj homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

    Ndërsa në ora 12:00 Presidenti Begaj do të shpallet “Qytetar Nderi” i kësaj komune, në sallën e Kuvendit Komunal, në një seancë solemne.

    Kurse, të nesërmen, i pari i shtetit shqiptar do të nderohet edhe nga Komuna e Drenasit.

    Në njoftim thuhet se Begaj do të shpallet “Qytetar Nderi” në një seancë solemne që do të fillojë nga ora 11:00, teksa ai pritet të ketë edhe aktivitete të tjera gjatë ditës në këtë komunë.