ATV

Category: Lajme

  • Kamerat e trupit të Policisë së Kosovës bëhen të qasshme për publikun

    Kamerat e trupit të Policisë së Kosovës bëhen të qasshme për publikun

    Organizata AVONET, ka njoftuar se kamerat e trupit të Policisë së Kosovës janë bërë të qasshme për publikun.

    “Procedura Standarte e Operimit (PSO) për përdorimin dhe administrimin e sistemit të kamerave të trupit në Policinë e Kosovës është deklasifikuar pjesërisht për qasje publike nga të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    Deri te kjo arritje ka ardhur pas një hulumtimi të z. Lorik Krasniqi – Zv. Drejtor Ekzekutiv i AVONET, rast i cili ka filluar në muajin dhjetor të vitit 2023, ku duke shfrytëzuar dispozitat ligjore pozitive ka kërkuar qasje në disa PSO të Policisë së Kosovës, në lidhje me këtë në janar të këtij viti (2024) kemi pranuar përgjigjen në raport me kërkesën tonë nga Policia e Kosovës, ku është ofruar qasje në të gjitha PSO-të, përveç në PSO-në për përdorimin dhe administrimin e sistemit të kamerave të trupit në Policinë e Kosovës, me arsyetimin se bazuar në Ligjin për Informacionin e Klasifikuar dhe verifikim të sigurisë qasje nuk mund të ofrohet në PSO-në ”Përdorimi dhe administrimi i sistemit të kamerave të trupit”, për shkak se ky dokument është i klasifikuar.

    Në lidhje me këtë, AVONET ka konsideruar se ky dokument nuk ka arsye të mjaftueshme që të cilësohet ende si i klasifikuar.

    Andaj, duke shfrytëzuar të drejtën për ndjekjen e mjeteve juridike, në janar të vitit 2024, kemi kontaktuar AIP-në, në lidhje me rastin e paraqitur për PSO-në në fjalë.

    Rrjedhimisht, kjo çështje ka vazhduar të trajtohet nga AIP-ja, ku në maj të këtij viti e njejta ka parashtruar kërkesë në Policinë e Kosovës për deklasifikimin e dokumentit publik.

    Policia e Kosovës në fund të muajit maj, na ka njoftuar se ka formuar komisionin përkatës përmes vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për deklasifikimin e dokumentit në fjalë. Kështu që nga fundi i muajit maj ky dokument më nuk është plotësisht i klasifikuar, rrjedhimmisht i njëjti është i qasshëm për publikun.

    Komisioni i formuar nga Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur që informacione konfidenciale të jenë vetëm paragrafet ku përcaktohen detajet e serverëve të këtij sistemi. AVONET vlerëson rëndësinë e privatësisë së qytetarëve dhe siguron se hapësira për qasje të hapur dhe transparente në PSO-në në fjalë ka një impakt pozitiv në rritjen e besimit publik dhe përmirësimin e mëtejshëm të praktikave të sigurisë publike.

    Ne vazhdimisht me vite të tëra kemi angazhuar resurset tona për të mbështetur qeverisjen e hapur dhe përgjegjëse në Kosovë, andaj konsiderojmë se çdo veprim në lidhje me përdorimin e kamerave të trupit duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe të respektoj të drejtat dhe privatësinë e qytetarëve. Të bashkangjitura mund të gjeni disa informacione dhe grafika, që shpjegojnë se cilat janë të drejtat e qytetarëve dhe palëve të tjera që derivojnë nga dispozitat e kësaj Procedure Standarte të Operimit. Me respekt, Zyra për Informim Rrjeti i OJQ-ve AVONET”

  • Kjo është data e publikimit të rezultateve të Provimit të Maturës

    Kjo është data e publikimit të rezultateve të Provimit të Maturës

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka përfunduar provimi i maturës, të cilit iu nënshtruan rreth 19 mijë maturantë.

    Provimi i Maturës këtë vit është organizuar në 151 Qendra të Testimit, ku maturantët kanë qenë të sistemuar në 1500 klasa.

    Derisa sipas raporteve të administratorëve, në disa Qendra ka pasur largim të nxënësve nga provimi, për shkak të përdorimit të telefonave. Siç mësohet rezultatet e Provimit të Maturës do të publikohen më 01.07.2024.

    Testi i Maturës kopjohet dhe shpërndahet me të madhe në rrjete sociale

  • Rruga “Nekibe Kelmendi” në Prishtinë mbyllet për dy muaj, shkak punimet

    Rruga “Nekibe Kelmendi” në Prishtinë mbyllet për dy muaj, shkak punimet

    Komuna e Prishtinës njofton se për arsye të realizimit të kontratës “Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi, faza III”, kjo rrugë do të mbyllet përkohësisht.

    Në njoftimin për media thuhet se rruga do të mbyllet nga e hëna (24 qershor), deri më 24 gusht.

    “Për arsye të realizimit të kontratës “Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi, faza III”, rruga “Nekibe Kelmendi” do të mbyllet përkohësisht: Të hënën, më datë 24.06.2024, deri më 24.08.2024”, njofton Komuna.

    Mes tjerash në njoftim thuhet se qytetarët mund të përdorin rrugët alternative.

  • Gjykata Themelore lë në paraburgim për një muaj dy të dyshuarit për fajde dhe detyrim

    Gjykata Themelore lë në paraburgim për një muaj dy të dyshuarit për fajde dhe detyrim

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehurve M.SH dhe E.SH, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘Fajdeja’ dhe ‘Detyrimi’.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.SH dhe E.SH dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një një muaji, për secilin.

    Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse lihen në liri të pandehurit M.SH dhe E.SH mund të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, po ashtu nëse do të mbrohen në liri, mund të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale para se cilës ndodhen, si dhe ekziston mundësia për të ndikuar tek i dëmtuari si dhe dëshmitarët, me qëllim që ti ndryshojnë rrethanat e kryerjes së veprës penale si dhe për ti fshehur dhe asgjësuar provat.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

     

  • Aksident trafiku në Zonën Industriale në Suharekë, lëndohen dy persona

    Aksident trafiku në Zonën Industriale në Suharekë, lëndohen dy persona

    Dy persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy automjeteve në Zonën Industriale, në Suharekë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Në zonën Industriale në Suharekë ka ndodhur një aksident mes dy automjeteve. Si pasojë kanë mbetur të lënduar dy persona”, tha Byqyqi.

    Tutje ai tha se me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor i rajonit të Prizrenit.

  • Vdes ish-kryetari i Klinës, Prenkë Gjetaj

    Vdes ish-kryetari i Klinës, Prenkë Gjetaj

    Ka vdekur ish-kryetari i komunës së Klinës, Prenkë Gjetaj, njëherit ish kryetar i Komisionit për Persona të Pagjetur të Luftës në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

    Njoftimin e ka dhënë kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, përmes një postimi në Facebook.

    Postimi i tij:

    TELEGRAM NGUSHËLLIMI

    Me dhimbje të madhe kam marrë lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit, atdhetarit e ish-kryetarit të komunës së Klinës, Prenkë Gjetaj.

    Prenkë Gjetaj ka qenë personalitet i shquar i jetës pedagogjike, politike dhe shoqërore në Klinë dhe Kosovë. Ai ka dhënë një kontribut të madh në Klinë, si mësimdhënës e pastaj edhe si kryetar i komunës. Kontribut e angazhim maksimal ka dhënë edhe si kryetar i Komisionit për Persona të Pagjetur të Luftës në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

    Ai do të mbahet mend si një njeri i dashur, i sjellshëm, i afërt, punëtor, me të gjithë e mbi të gjitha i sinqertë e atdhetar. Kjo është një humbje e madhe për familjen Gjetaj, Klinën dhe Kosovën.
    Në emrin tim dhe të Komunës së Klinës i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Prenkën!

    Në shenjë nderimi e mirënjohje për kontributin e angazhimin e tij për Komunën e Klinës, nesër, në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, në orën 10:00, do të mbahet një mbledhje përkujtimore.

    I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

  • Murati: Mbi 61 mijë familje u ndihmuan me faturat e energjisë elektrike, edhe këtë muaj vazhdon e njëjta

    Murati: Mbi 61 mijë familje u ndihmuan me faturat e energjisë elektrike, edhe këtë muaj vazhdon e njëjta

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë një postim në Facebook, ku thotë se për gjashtë muaj qeveria ka mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike.

    Tutje, ministri thotë se familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike.

    “Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme. Mësimet e informatat që kemi mbledhur përgjatë pilotimit 6-mujor do të përdoren që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të ri-aktivizohet në stinën e dimri”, shton tutje Murati.

  • Testi i Maturës kopjohet dhe shpërndahet me të madhe në rrjete sociale

    Testi i Maturës kopjohet dhe shpërndahet me të madhe në rrjete sociale

    Kopjimet në Testin e Maturës Shtetërore nuk kanë të ndalur. Për çdo vit raportohet për kopjime masive të nxënësve të cilët edhe pas kontrolleve të rrepta nuk arrijnë t’i parandalojnë.

    Kopjimet zakonisht shpërndahen nëpër rrjete sociale. Edhe këtë vit, provimi i maturës ka filluar të shpërndahet me të madhe.

    Nxënësit kanë hapur me dhjetëra grupe ku po publikojnë provimet dhe nën to po shkruajnë përgjigjet që ata mendojnë se janë të sakta.

    Ndonëse MAShT-i ka paralajmëruar dënime të ashpra për ata që zihen duke kopjuar me telefonë, kjo nuk po i ndalon nxënësit që ta bëjnë një gjë të tillë.

    Kjo formë e kopjimit tanimë është bërë zakon viteve të fundit.

  • Sulmi në Banjskë, Qorrolli kritikon Prokurorinë Speciale për vonesa në ngritjen e aktakuzave

    Sulmi në Banjskë, Qorrolli kritikon Prokurorinë Speciale për vonesa në ngritjen e aktakuzave

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, kritikon Prokurorinë Speciale se po vonohet në ngritjen e aktakuzave për autorët e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Sipas tij, një vonesë e tillë është e pajustifikueshme pasi ka prova dhe incizime për aktakuza ndaj përgjegjësit Millan Radojiçiq dhe të tjerëve.

    Qorrolli në një intervistë për KosovaPress thotë se po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë. Krahas kësaj, ai flet për mundësitë e miratimit të kodit civil dhe largimin e masave ndëshkuese nga BE-ja.

    “Është çështje e institucioneve ligjzbatuese dhe të atyre të prokurorisë që të bëjnë një përmbledhje të të gjitha fakteve dhe më pas organet kompetente siç është Prokuroria Speciale që të bëjë të gjithë grumbullimin e provave dhe më pas ngritjen e aktakuzave. Ne kemi pritur që prokuroria të bëjë një reagim më të shpejtë dhe të ketë një efikasitet në trajtimin e këtij rasti terrorist, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës. Por edhe partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur indinjatën e tyre për rastin e Banjskës. Sigurisht ne presim që në periudhën në vijim të ketë ngritje të aktakuzave. Ky zinxhiri i organeve ligjzbatuese duhet të reagojnë në një mënyrë më të shpejtë në mënyrë që të prodhohet drejtësi… Meqenëse rasti ka qenë tronditës atëherë prokuroria e shtetit nuk do të duhej që të priste maksimumin e këtij afati që e ka të parashikuar në ligj, por do të duhej më shpejt. Sigurisht që ka një vonesë dhe për ne mbetet e pakuptueshme si e tillë”, thotë Qorrolli.

    Qorrolli thotë se po shikojnë mundësinë që Shqipëria ta deponojë padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    “Kosova do të bëjë të gjitha përgatitjet dhe është duke bërë çdo ditë përmes Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës, Ministrisë së Drejtësisë dhe mekanizmave të tjerë institucional. Aktualisht ju e dini se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është palë e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne po shikojmë mundësinë që eventualisht një shtet, si Shqipëria të deponojë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne kemi diskutuar mirëpo duhet të ketë një vendimmarrje institucionale, parlamenti dhe qeveria e Shqipërisë”, deklaron Qorrolli.

    Sa i përket miratimit të kodit civil, Qorrolli thotë se ai do të procedohet në Kuvend në momentin kur të arrihet konsensusi.

    “Ne do të procedojmë në momentin kur të arrihet konsensusi. Aktualisht s’ka konsensus. Kërkesa e kryeministrit Kurti, por edhe imja ka qenë që kjo të bëhet në kuptimin mbi politik. Të këtë përfshirje edhe të opozitës, jo që LVV-ja nuk i ka votat apo ka disa dilema të deputetëve që tashmë janë publike. Në kuadër të kësaj, siç ka bërë pas takimit të Kurtit me liderin e PDK-së për t’i kaluar marrëveshjet ndërkombëtare në parlament, atëherë besoj se do të ketë konsensus edhe për Kodin Civil”, tha Qorrolli.

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, zëvendësministri Qorrolli i quan të padrejta dhe jo-proporcionale, teksa shprehet optimist se ato do të largohen në tërësi deri në vjeshtë pavarësisht paralajmërimeve të BE-së se ato do të largohen në mënyrë të pjesshme dhe graduale.

    “Mungesa e konsensusit brenda shteteve anëtare ka bërë që masat të hiqen në mënyrë graduale. Shpresojmë që deri në vjeshtë, pasi e dimë se jemi në stinën e verës, pastaj korriku dhe gusht, Brukseli ndodhet në “vdekje klinike” dhe vendimmarrja do të pushojë. Shpresojmë se deri në vjeshtë të gjitha masat të eliminohen, ndonëse ato kanë qenë jo-proporcionale dhe të padrejta”, tha Qorrolli.

  • I nxehti saharian edhe sot në Kosovë e Shqipëri

    I nxehti saharian edhe sot në Kosovë e Shqipëri

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës, ndërsa gjatë orëve të pasdites priten vranësira të pjesshme, të cilat në zona të caktuara pritet të sjellin ndonjë rrebesh të izoluar.

    Pluhuri Saharian, sipas Meteo Kosova, do të vazhdojë edhe të shtunën, me ç’rast pamja e qiellit do të jetë pak a shumë e turbullt, e në zonat me të reshura do të jenë të përziera me baltë.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila në momente të caktuara pritet të jetë e fuqishme, veçanërisht aty ku ka zhvillime të vranësirave, me shpejtësi prej 10-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 19 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale prej 34 deri në 37°C, njofton MK.

    Edhe në Shqipëri, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton për një mot të nxehtë me temperatura të lartë që shkojnë deri në 40 Gradë.

    “Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme për shkak të masave ajrore të nxehta dhe të thata me origjinë nga shkretëtira e Afrikës së Veriut”, njofton ky shërim.

    Megjithatë në njoftim thuhet se dita e sotme Anticikloni Afrikan fillon gradualisht tërheqjen e tij duke i lënë vendin masave ajrore më të freskëta dhe relativisht më të lagështa me origjinë veriperëndimore.

    Temperaturat edhe nesër do të vijojnë të jenë relativisht të larta. Ndërsa për ata që do ta kalojnë fundjavën në bregdet era do të jetë pak “problematike” pasi në mesditë deri në orët e pasdites (dhe kryesisht ditën e Diel) do të fryjë me shpejtësi mesatare 3-7m/s dhe me rrahje deri në 10m/s dhe drejtim kryesor nga kuadrati i veriut.

    Temperaturat më të ulëta do të jenë në Dibër dhe në pjesën veriore 22 Gradë Celsius, ndërsa më të lartat në Fier e Elbasan 39 Gradë.