ATV

Category: Lajme

  • UEFA gjobit sërish FSHF-në për incidentet e shkaktuara nga tifozët shqiptarë gjatë ndeshjes së Euro 2024, Kroaci -Shqipëri

    UEFA gjobit sërish FSHF-në për incidentet e shkaktuara nga tifozët shqiptarë gjatë ndeshjes së Euro 2024, Kroaci -Shqipëri

    Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë sërish Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën 47,500 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së raundit të dytë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” ndaj Kroacisë, e luajtur në stadiumin e Hamburgut më 19 qershor 2024.

    Penalizimi financiar ka ardhur sërish nga problematika e shkaktuar nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, transmetuan mesazhe të papërshtatshme gjatë ndeshjes Kroaci – Shqipëri si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës.

    Edhe njëherë tjetër Federata e Futbollit gjen rastin t’u bëjë apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Gjithashtu, FSHF bën me dije se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj).

    FSHF fton tifozët dhe futbolldashësit të mbështesin deri në fund Kombëtaren shqiptare në këtë rrugëtim magjik dhe historik në EURO 2024, duke treguar qytetari dhe përgjegjshmëri përmes një sjellje korrekte e duke respektuar rregullat dhe kundërshtarët.

    Vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:

    Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 2500 euro për ndezjen e fishekzjarreve.

    Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 20.000 euro për pushtimin e fushës.

    Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.

  • Shqipëria mirëpret më shumë turistë, por me çmime më të larta

    Shqipëria mirëpret më shumë turistë, por me çmime më të larta

    Shifrat e institucioneve në Shqipëri tregojnë rritje të numrit të turistëve në këtë vend.

    Të fundit, të publikuara nga Instituti i Statistikave – Instat, janë për tremujorin e parë të vitit 2024 dhe flasin për 1 milion e 700 mijë turistë, ose 59% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Pushues dhe ekspertë të turizmit e ekonomisë thonë se turizmi në vend është shtrenjtuar dhe arsyet, sipas tyre, janë nga më të ndryshmet.

    Më shtrenjtë njësitë akomoduese, por edhe ushqimet

    Mehdi Olluri, nga Lipjani i Kosovës, zgjodhi që edhe sivjet pushimet t’i bëjë në Shëngjin – pjesa veriperëndimore e Shqipërisë.

    Ai thotë se krahasuar me një vit më parë, çmimet janë më të larta.

    “Ka rritje të [çmimeve të] ushqimeve në dyqane, në restorante, e gjithashtu edhe banesa është më e shtrenjtë se vjet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Të dhënat e operatorëve turistikë tregojnë se të gjitha produktet turistike janë shtrenjtuar. Kështu, një çadër me dy shezlonë nuk gjenden më me afërsisht 5 euro, por mbi 7 euro, e në disa zona në jug të Shqipërisë arrijnë deri në 50 euro.

    Edhe apartamentet që vjet mund të gjendeshin edhe me 25 euro, sivjet variojnë nga 30 deri në 100 euro për një natë, ndërsa dhomat në hotele nga 100 deri në 500 euro.

    Çmimet, sigurisht, ndryshojnë nga zona dhe periudha – në korrik dhe në gusht janë më të shtrenjta.

    Mirilda Tili, gazetare e ekonomisë në Shqipëri, thotë se turizmi sivjet është më i shtrenjtë se një vit më parë, apo në krejt 5-vjeçarin e fundit.

    Arsyet, thotë ajo, lidhen me investimet në turizëm dhe tregun e punës.

    “Është fakt që në vitin 2024 ka struktura të shtuara akomoduese, sepse edhe lejet e ndërtimit kanë qenë për 30-40 për qind më shumë se një vit më parë. Janë shtuar hotelet që tentojnë të sjellin brende, sepse janë të përjashtuara nga taksat dhe TVSH-në e kanë 5 për qind”.

    “Kjo do të thotë se ka kërkesa për staf të shtuar, por se burimet janë të pakta, ka mungesë punëtorësh. Kështu që, ata pak punëtorë që gjenden, do të paguhen me paga të larta dhe, detyrimisht, kjo është kosto që faturohet te turisti”, thotë Tili për Radion Evropa e Lirë.

    Si një problem të madh, ajo përmend edhe zhvlerësimin e euros.

    “Rënia e euros ka sjellë rritje të çdo produkti turistik. Një vit më parë, euroja këmbehej me 109 lekë, ndërsa aktualisht këmbehet me 100 lekë ose më pak”, thotë gazetarja e ekonomisë.

    Mbiçmimin e lekut e sheh si arsye kryesore të rritjes së çmimeve në turizëm edhe ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba.

    “Paketat turistike janë rritur për 10-15%. Arsyeja kryesore është luhatja e madhe e euros”, sipas saj.

    “Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se kjo nuk ndodh për shkak të sezonit turistik dhe kërkesës së lartë, por për arsye të brendshme të qarkullimit joformal të parasë në ekonomi”, thotë Xhemani Baba.

    Sipas saj, një prej arsyeve që ka rritur numrin e turistëve në Shqipëri është edhe shtimi i fluturimeve ‘low cost’, apo me çmime më të volitshme, ashtu si edhe i fluturimeve direkte nga disa qytete të Evropës.

    “Tjetër arsye e rëndësishme është edhe marketingu ndërkombëtar që i është bërë Shqipërisë si nga burime zyrtare, nga vetë kryeministri dhe agjenci të turizmit, por edhe nga ata që njihen si influencues të opinionit”, thotë Xhemani Baba.

    Ajo shton se rritja e numrit të turistëve është një trend në të gjithë botën dhe, në këtë aspekt, turizmi në Ballkan është ndër më të kërkuarit.

    “Rreth 750 milionë njerëz në botë udhëtojnë çdo vit në vendet e Mesdheut dhe Shqipëria është pjesë e kësaj pakete”, thotë Xhemani Baba.

    Ajo, po ashtu, vë re se ka shtim të turistëve individualë, që, siç thotë, udhëtojnë për aventura të ndryshme, e jo për turizëm plazhi, dielli a rëre.

    “… sepse, aktualisht, në plazhe është njësoj si çdo vit tjetër. Jemi në fund të qershorit dhe plazhet gjatë javës janë thuajse boshe, por qytetet turistike janë plot – Tirana, Durrësi, Berati, Kruja, Shkodra, Gjirokastra, Saranda, apo edhe qytetet e vogla si: Gramshi, Belshi, Puka, Dibra, Përmeti, që ofrojnë turizëm të aventurës dhe trashëgimisë kulturore”, thotë Xhemani Baba.

    Më shumë turistë, por shpenzojnë më pak

    Ajo dhe ekspertë të tjerë ngrenë shqetësimin, po ashtu, për mosdeklarimin e të ardhurave nga turizmi. Sipas saj, autoritetet e vendit nuk duhet të përqendrohen te numrat, por te të ardhurat.

    “Nëse kemi të ardhura prej 4.2 milionë eurosh në vitin 2023 me 10 milionë turistë… i bie që një turist vjen për 4-5 ditë dhe shpenzon rreth 350 euro… Ose diçka nuk shkon me shifrat e turistëve, ose evazioni është shumë i lartë”, thotë ajo.

    Sipas Fjerolt Ozunit, ekspert dhe operator turistik në Shqipëri, sektori i turizmit nuk është ende i qëndrueshëm.

    “Ne duhet të mësojmë se si ta bëjmë turistin e huaj të shpenzojë këtu te ne. Duhet të mësojmë t’i shesim paketat në mënyrë të tillë që ata t’i harxhojnë paratë. Ka nga ato grupe që vijnë dhe thonë që nuk kemi se si t’i shpenzojmë… kishim parashikuar të shpenzonim më shumë”, thotë Ozuni për Radion Evropa e Lirë.

    Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga turizmi në periudhën janar-mars 2024 arritën në 778 milionë euro nga 624 milionë sa ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por, sipas tyre, një turist shpenzoi më pak se një vit më parë. Sivjet, një turist i huaj shpenzoi mesatarisht 513 euro, ndërsa në janar-mars të 2023-ës kjo shifër ishte 582 euro.

    Më 18 qershor, Administrata Tatimore e Shqipërisë u bëri thirrje bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, ta deklarojnë numrin real të punonjësve si dhe pagat reale të tyre. Në letrën sensibilizuese u tha se do të nisin kontrolle fizike dhe se do të ketë edhe masa ndëshkuese.

    Vitin e kaluar, media ndërkombëtare e renditën Shqipërinë si një ndër destinacionet më interesante të atij sezoni veror, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.

    “Turizmi masiv i ka sjellë vendit shumë të ardhura, por duhet të synojmë majat e industrisë turistike botërore”, tha atëkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Për të përballuar fluksin e turistëve gjatë këtij sezoni, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, firmosi një urdhër për anulimin e lejeve të pushimit për punonjësit që kanë detyrë sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.

    Sipas këtij urdhri, lejet anulohen nga data 20 qershor deri më 15 shtator.

  • Rusia “mund të zvogëlojë kohën e vendimmarrjes” për përdorim të armëve bërthamore

    Rusia “mund të zvogëlojë kohën e vendimmarrjes” për përdorim të armëve bërthamore

    Rusia, shteti me më së shumti armë bërthamore në botë, mund të zvogëlojë kohën e vendimmarrjes për përdorimin e tyre, nëse Moska beson që kërcënimet po rriten, ka thënë Andrei Kartapolov, udhëheqës i Komitetit parlamentar rus për Mbrojtje.

    Lufta në Ukrainë e ka nxitur konfrontimin më të madh në mes të Rusisë dhe Perëndimit, prej Krizës Kubane të Raketave, më 1962, dhe së fundmi presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia mund të ndryshojë doktrinën e saj bërthamore, duke përcaktuar kushte të reja se kur mund të përdoren ato armë.

    Kartapolov është cituar të ketë thënë – sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA – që nëse kërcënimet rriten, atëherë koha e vendimmarrjes mund të shkurtohet.

    “Nëse shohim që sfidat dhe kërcënimet rriten, kjo nënkupton që mund të përmirësojmë diçka në këtë doktrinë, sa i përket kohës së përdorimit të armëve bërthamore dhe vendimit për t’i përdorur ato”, është cituar të ketë thënë Kartapolov.

    Kartapolov, i cili dikur i ka komanduar forcat ruse në Siri, dhe tani është deputet i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, ka thënë se tani është shumë herët për të folur për ndryshime specifike në doktrinën bërthamore.

    Doktrina bërthamore e Rusisë, e vitit 2020, përcakton se kur mund të konsiderojë presidenti përdorimin e një arme bërthamore: kryesisht si përgjigje ndaj një sulmi që është përdorur armë bërthamore, armë të shkatërrimit në masë, ose “kur ekzistenca e shtetit është nën rrezik”.

    Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti armë bërthamore apo 88 për qind të të gjitha armëve të tilla në botë, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.

    Të dyja vendet janë duke modernizuar arsenalet bërthamore, derisa Kina është duke u forcuar secilën herë e më shumë në këtë drejtim.

    Putin ka thënë këtë muaj se Rusia nuk duhet të përdorë armët bërthamore për të fituar luftën në Ukrainë, sinjali më i qartë i Kremlinit që konflikti më vdekjeprurës në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore, nuk do të përshkallëzohet në luftë bërthamore.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

  • Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga komuna e Deçanit

    Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga komuna e Deçanit

    Komuna e Deçanit përmes një seance solemne ka ndarë titullin “Qytetar Nderi” për presidentin shqiptar, Bajram Begajn “Qytetar Nderi”.

    Përmes një postimi në Facebook, më parë komuna njoftoi se në mbledhjen e mbledhja e IIl-të të Jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës, është miratuar vendimi për shpalljen “Qytetar Nderi” të Begajt.

    “U mbajt mbledhja e IIl-të e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës. Mbledhja u kryesua nga Kryesuesi, Hajdar Sutaj, i pranishëm ishte Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, Nënkryetari i Komunës, Sami Cacaj, anëtarët e Kuvendit, drejtorë të Drejtorive Komunale, zyrtarë komunal”.

    “Për rend dite ishte propozuar kjo pikë: 1. Shqyrtimi i Propozimit të Kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj dhe marrja e Vendimit për shpalljen “QYTETAR NDERI” i Komunës së Deçanit, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. U miratua Vendimi për shpalljen “QYTETAR NDERI” i Komunës së Deçanit, Bajram Begaj”, thuhet tutje në njoftimin e komunës.

  • Rama njofton për mbajtjen e një festivali të ri në Prishtinë, do mbledh entuziast të Vespa-së nga rajoni

    Rama njofton për mbajtjen e një festivali të ri në Prishtinë, do mbledh entuziast të Vespa-së nga rajoni

    I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se më 31 gusht dhe 1 shtator do mbahet festival i kushtuar entuaziastëve të Vespasë.

    Sipas Ramës, ky festival do mbledh në kryeqytet persona nga shumë vende të rajonit.

    “Festival i mrekullueshëm dy ditor me vespa na pret me 31 gusht – 1 shtator. 🚀
    Entuziastë të skuterit Vespa 🛵 nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Greqia dhe Italia do të mblidhen në sheshin “Xhorxh Bush” për të na dhuruar emocione të veçanta. 🎉
    Gjatë dy ditëve, do të ketë shumë aktivitete për promovimin e kulturës së Vespave dhe Kryeqytetit tonë. Këtë na e premtuan gjatë takimit që kishim me Enisin, Aganin, Arbenin, Vetonin e shumë anëtarë tjerë fantastik të klubit Vespa Fanatics Kosova/ Vespa Kosova.
    🌟 Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë bukuritë e Prishtinës përmes shëtitjeve në parkun e Gërmisë dhe malësitë e Gollakut dhe Marevcit. 🌳🚴
    Ejani të gjithë bashkë në sheshin “Xhorxh Bush” për të përjetuar spektakël”, ka shkruar Rama.

  • Haradinaj takon presidentin Begaj, thotë se Komuna e Deçanit e nderoi me titullin “Qytetar nderi i Deçanit”

    Haradinaj takon presidentin Begaj, thotë se Komuna e Deçanit e nderoi me titullin “Qytetar nderi i Deçanit”

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në Gllogjan presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Haradinaj ka bërë të ditur se Komuna e Deçanit ka nderuar presidentin Begaj me titullin “Qytetar nderi i Deçanit”.

    “Sot na nderoi me vizitë në familje në Gllogjan dhe në komunë në Deçan, Presidenti i Shqipërisë, Shkelqësia e tij, Gjeneral Bajram Begaj. Komuna e Deçanit nderoi Presidentin Begaj duke i dedikuar titullin “Qytetar nderi i Deçanit””, ka thënë Haradinaj.

  • Latifi ngushëllon familjen e 17-vjeçarit nga Rahoveci që vdiq në aksident me motoçikletë

    Latifi ngushëllon familjen e 17-vjeçarit nga Rahoveci që vdiq në aksident me motoçikletë

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi i ka shprehur ngushëllime familjes së 17-vjeçarit nga Rahoveci që vdiq në aksident me motoçikletë.

    Ai është shprehur i tronditur nga vdekja tragjike e këtij të riu.

    “I tronditur nga vdekja tragjike në aksident komunikacioni me motoçikletẽ e të riut 17 vjeçar, Adonis Raba nga Rahoveci, nxënës i klasës së 11-të në ShML “Xhelal Hajda – Toni”.

    “Ngushëllimet më të sinqerta familjes Raba! Ngushëllime shoqërisë, mësimdhënësve e drejtoreshës së ShML “Xhelal Hajda – Toni”! Adonisi pushoftë në paqe”, ka shkruar Latifi.

  • Vdes në QKUK gruaja që po trajtohej nga një aksident trafiku në janar

    Vdes në QKUK gruaja që po trajtohej nga një aksident trafiku në janar

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vdekur të shtunën në QKUK një grua e cila po trajtohej si pasojë e një aksidenti trafiku që kishte ndodhur në Besi të Prishtinës.

    Policia përmes raportit ditor ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur më 19 janar.

    “Lidhur me rastin, me 22.06.2024 viktima femër kosovare, e cila ishte duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë të dielën.

  • Fshati rumun është gati të bëhet baza ajrore më e madhe e NATO-s në Evropë

    Fshati rumun është gati të bëhet baza ajrore më e madhe e NATO-s në Evropë

    Baza ajrore Mihai Kogalniceanu (MK) e Rumanisë, e quajtur sipas një fshati aty pranë që nderon një politikan liberal të shekullit të 19-të, do të bëhet baza më e madhe e NATO-s në Evropë, duke tejkaluar Ramsteinin në Gjermani.

    Ky veprim vjen si një përgjigje ndaj justifikimit të liderit rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë, duke përmendur shkeljen e NATO-s në krahun evropian të Rusisë.

    Rritja e pranisë së NATO-s në Rumani është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në shkallë të gjerë, tashmë në vitin e saj të tretë.

    Baza MK së shpejti do të presë një skuadron të F-16 rumune, të blera së fundmi nga Norvegjia, si dhe dronët MQ-9 Reaper.

    Përveç kësaj, një qytet ushtarak është duke u zhvilluar për të akomoduar ushtrinë e NATO-s, forcat ajrore dhe personelin e rradhës detare nga 32 vende, sipas BBC.

  • FSK-ja zhvillon me sukses testimin e komunikimit “Sinjali 2024”

    FSK-ja zhvillon me sukses testimin e komunikimit “Sinjali 2024”

    Forca e Sigurisë së Kosovës [FSK] ka njoftuar se ka zhvilluar me sukses ushtrimin për testimin e kapaciteteve të komunikimit i quajtur “Sinjali 2024”.

    FSK-ja përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se testimi i komunikimit ka qenë në tri nivele: strategjik, operacional dhe taktik.

    “Ushtrimi është zhvilluar në territorit Republikës së Kosovës, ku njësitë e komunikimit të FSK-së, të udhëhequra nga Departamenti i Komunikimit dhe Teknologjisë Informative i Shtabit të Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë dislokuar në terren, në lokacione të ndryshme dhe kanë testuar kapacitet e komunikimit duke ofruar shërbime me radio rrjetin luftarak, radio rrjetin administrativ mbështetës, intranet, internet dhe ndërveprueshmëri të sistemeve dhe rrjeteve të komunikimit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.