ATV

Category: Lajme

  • Kosova me shkallë të lartë të varfërisë, Sadiku: Rritja ekonomike e pamjaftueshme

    Kosova me shkallë të lartë të varfërisë, Sadiku: Rritja ekonomike e pamjaftueshme

    Varfëria, mungesa e fuqizimit të sektorit prodhues, mospërkrahja e bizneseve, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vend, janë disa nga problemet që po ballafaqohet Kosova 25 vjet pas çlirimit. Profesori universitar, Muhamet Sadiku derisa kërkon nga qeveria më shumë reforma në çështjet që ndikojnë në ekonominë, thotë se Kosova vazhdon për vite të tëra të përballet me probleme të njëjta.

    Në një intervistë për KosovaPress, profesori Sadiku thotë se derisa të gjitha vendet kanë bërë indeksimin e shpenzimeve sociale, e të pensioneve, Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur në këtë aspekt, për çfarë thotë se kjo ka ndikuar që të mos zhvillohet ekonomia e vendit.

    Sipas Sadikut, në vend mungon ndjesia për zhvillim social, i cili thotë, se Kosova vazhdon të ketë problemet e njëjta edhe në shëndetësi, arsim dhe në sektorë të tjerë.

    Derisa flet për ngecjet ekonomike, Sadiku rendit problemet që po ballafaqohet vendi në aspektin ekonomik, dhe shton se sfidë mbetet edhe bilanci tregtar negativ. Në këtë drejtim vlerëson se Kosova duhet të fuqizojë sektorin eksportues.

    Ai mes tjerash, nënvizon se Kosova vazhdon të përballet me problemn e varferisë, për cfarë thotë se shteti duhet të përmirësojë qeverisjen me rritje ekonomike.

    Në anën tjetër, ai thotë se shqetësuese mbetet edhe rënia e investimeve të huaja.

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike për Kosovën në 3.8 për qind në vitin 2024. Sipas FMN-së, kjo normë e rritjes në vitin 2023 ishte 3.3 për qind.

  • Autostrada Thumanë-Kashar hapet sot, Rama: Na shërben të gjithëve dhe turizmit

    Autostrada Thumanë-Kashar hapet sot, Rama: Na shërben të gjithëve dhe turizmit

    Prej orës 19:00 të ditës së sotme (e diel), aksi rrugor Thumanë-Kashar në Shqipëri do të jetë i hapur për të gjithë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama teksa ka ndarë pamjet me dron nga rruga e përfunduar, shkruan në Facebook se ky aks rrugor do t’u shërbejë të gjithëve dhe turizmit.

    “…dhe me këtë fluturim mbi Thumanë-Kashar për të shijuar atë që është ndërtuar në tokë, një aks rrugor që na shërben të gjithëve dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit duke qenë i aksesueshëm për të gjithë nga sot prej orës 19:00, ju uroj të diel të mbarë”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • Intervistohen dy persona nga policia pasi u kacafytën në Gazimestan

    Intervistohen dy persona nga policia pasi u kacafytën në Gazimestan

    Dy persona janë intervistuar të shtunën, më 29 qershor, nga policia pasi dyshohet se janë kacafytur me njëri-tjetrin në Gazimestan, më 28 qershor.

    Në raportin 24 orësh thuhet se personat në fjalë janë parë duke u kacafytur në një video të publikuar në rrjete sociale.

    Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • Fluks i lartë udhëtarësh nga Kosova drejt bregdetit

    Fluks i lartë udhëtarësh nga Kosova drejt bregdetit

    Fluks i lartë pushuesish nga Kosova, të cilët këtë fundjavë kanë zgjedhur bregdetin.

    ABC News raporton se vargu i gjatë i automjeve, kryesisht pushues ditor nga Kosova në këtë ditë të fundit të qershorit janë drejtuar zonave bregdetare.

    Pas udhëtimit në Rrugën e Kombit, vargu i gjatë i automjeteve pranë kryqëzimit në Fushë Milot përballen me një trafik të renduar. Pushuesit më pas i drejtohen zonave të preferuara të bregdetit për të kaluar fundjavën.

    Me hapjen e rrugës Thumanë-Kashar pasditen e së dielës për turistët vendas dhe të huaj, pritet një përmirësim i ndjeshëm i lëvizjes së pushuesve që preferojnë të vizitojnë bukuritë e natyrës shqiptare gjatë këtij sezoni turistik.

  • Nga janari deri më sot, AUV asgjësoi 400 mijë kilogram produkte

    Nga janari deri më sot, AUV asgjësoi 400 mijë kilogram produkte

    400 mijë kilogram produkte të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum, janë asgjësuar me vendim nga Agjencia Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë institucion.

    Thaçi ka thënë se krahas mungesës së kushteve për konsum, janë larguar edhe për shkak të mungesës së dokumentacionin e origjinës.

    “Në planet nacionale, ne fokusin e kontrollit me inspektim e kemi në sezonën e verës e kemi në produktet që kërkojmë kushte të ruajtjes. Kemi pasur raste ku në produktet e caktuara të cilat janë hasur duke u ruajtur në kushte jo adekuate, menjëherë janë largu nga tregu dhe janë asgjësuar dhe ndaj palës është iniciuar fletëparaqitje për gjykatë. Edhe këtë vit kemi pasur produktet që janë larguar në disa raste arsyeja ka qenë ruajtje jo adekuate dhe sasia e përgjithshme e asgjësimit për këtë vit e kalon rreth 400 mijë kilogram. Nuk është vetëm për shkak të kushteve të ruajtjes por ka me lajmërimin e vet bizneseve për arsye të ndryshme, mungesë dokumentacioni, origjine të cilat kanë rezultuar analizave që nuk është për konsumim”, ka thënë Thaçi.

    Thaçi në këto temperatura të larta, ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes permanent në produktet ushqimore. Ai ka deklaruar se të gjithë produktet që janë në treg janë të inspektuara dhe janë të sigurta për konsumim.

    “Të gjithë konsumatorët sigurisht duhet të ushtrojnë kujdes sidomos në produkte që i blejnë, sidomos në atë që kërkojnë kushte adekuate të ruajtjes apo regjim frigoriferik. Secili produkt e ka të shkruar në deklaracionin e vet edhe elementin e kushteve të ruajtjes që gjithmonë përveç ne si autoritet në kontrollin zyrtar e kemi gjithmonë në fokus qendror gjatë verës për kontroll, njëjtë duhet të veprojnë edhe konsumatorët, sepse nga momentin që ata blejnë produktin gjithmonë është në përgjegjësinë e tyre për ta ruajtur produktin deri në momentin që ata konsumojnë. Produktet që kërkojnë kushte apo regjim të ruajtjes që janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta. Në secilin rast në kushte mund të vije deri tek kontaminimi i tyre”, deklaroi Thaçi.

    Tutje, Thaçi ka thënë se nuk ka ndonjë kategori të caktuar se çka duhet eliminuar në stinën e verës, mirëpo ai tha se të gjitha produktet që janë të ndjeshme duhet të ruhen në temperatura adekuate.

    “Nuk mund të jap një kategori të gjitha ato që kërkojnë kushte të ruajtjes ato duhet të ruhen përderisa i kanë të shkruar kushtet e ruajtjes, nënkupton se jetëgjatësia e tyre është e vlefshme dhe i sigurt me atë jetëgjatësi që është shkruar nëse ai është ruajtur në kushte adekuate. Përderisa jemi autoritet qendror secili produkt që është në treg është i sigurt sepse nëse s’do të ishte ai produkt i sigurt ne do ta largonim nga tregu, por gjithmonë gjatë regjimit apo dietës së ushqyerit gjithmonë konsumatorët duhet të ushtrojnë kujdes. Sepse produkte pa marrë parasysh kategorinë e tyre dhe sezonën e tyre në momentin që janë në treg janë të kontrolluara dhe janë të sigurt për konsumatorët”, ka thënë ai.

    Krahas temperaturave të larta, inspektimi nga AUV nuk mungon, sipas Thaçit gjithmonë dalin në inspektim për të parë gjendjen faktike në terren dhe çdo parregullsi është vepër penale.

    “Në secilin inspektim gjithmonë e shkruan gjendjen faktike në terren. Kushdo që vendos produktet të dyshimta edhe në kodin penal edhe me ligje të tjera përcaktohet që të ketë ndjekje penale ndaj tij apo të shqiptohet gjobë mandatore. Kjo është sipas vlerësimit të inspektonit në terren, në rastin kur është vlerësuar se në terren është vendosur një produkt në treg që është i dyshimte ai e inicion fletë paraqitjen në gjykatë. Pastaj Gjykata është ajo që e peshon fajin dhe ndëshkimin”, shtoi ai.

  • Franca mban zgjedhjet parlamentare

    Franca mban zgjedhjet parlamentare

    Në Francë janë hapur qendrat e votimit për rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mund ta sjellin në pushtet partinë e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, për herë të parë në histori.

    Me luftën e Rusisë kundër Ukrainës që është në muajin e tretë dhe me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit, mbështetja për partinë Tubimi Kombëtar – që është kundër migrantëve dhe është euroskeptike – është rritur, pavarësisht zotimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, se do të parandalojë ngritjen e kësaj partie.

    Qendrat e votimit në mbarë Francën u hapën në ora 08:00 dhe do të mbyllen 12 orë më vonë. Pas mbylljes së votimeve do të nisë publikimi i projeksioneve, që rëndom parashikojnë rezultatin me një shkallë të saktësisë.

    Votuesit në territoret e tjera franceze në mbarë botën votuan më herët gjatë fundjavës. Rreth 49 milionë persona kanë të drejtë vote.

    Zgjedhjet për 577 ulëset e Asamblesë Kombëtare janë një proces me dy runde. Përbërja e Parlamentit të ri do të bëhet e qartë vetëm pas rundit të dytë që do të mbahet më 7 korrik.

    Shumica e sondazheve thonë se Tubimi Kombëtar i Le Pen është në rrugën drejt fitimit të më së shumti ulëseve në Asamblenë Kombëtare – Dhomës së Ulët të Parlamentit – edhe pse ende mbetet e paqartë nëse kjo parti do të fitojë një shumicë të plotë.

    Parashihet që dalja në zgjedhje të jetë e lartë dhe sondazhet e fundit kanë thënë se partia e Le Pen do të fitojë në mes të 35 për qind deri në 37 për qind të votave, aleanca e Frontit të Ri Popullor e krahut të majtë parashihet të marrë 27.5-29 për qind, dhe kampi centrist e Macronit 20 deri në 21 për qind.

    Nëse Tubimi Popullor fiton një shumicë absolute, kryetari i partisë, Jordan Bardella, 28 vjeç, mund të bëhet kryeministër i ri i shtetit, në një “bashkëjetesë” të tensionuar me Macronin.

    Vendimi i Macronit për të thirrur zgjedhje të parakohshme erdhi pasi Tubimi Kombëtar doli mirë në zgjedhjet Parlamentare që u mbajtën këtë muaj, duke habitur miqtë dhe armiqtë dhe nxitur paqartësi në ekonominë e dytë më të madhe të Evropës.

    Gjatë fushatës zgjedhore ka pasur rritje të gjuhës së urrejtjes, jotolerancës, dhe racizmit. Madje, në një tubim të partisë së Le Pen, mbështetësit kanë sulmuar verbalilisht një grua me ngjyrë.

    Macron, ndërkaq ka dënuar “racizmin apo antisemitizmin”. Por, mbështetja për kampin centrist të Macronit ka rënë dhe partitë e krahut të majtë tejkaluan mosmarrëveshjet e tyre dhe u bashkuan për të garuar në kuadër të Frontit të Ri Popullor.

    Analistët kanë thënë se përpjekjet shumëvjeçare të Le Pen për të përmirësuar imazhin e partisë së saj, të bashkëthemeluar nga një ish-anëtar i një grupi nazist, janë shpaguar.

    Kjo parti ka premtuar se nëse fiton pushtetin do të forcojë fuqinë blerëse, do të frenojë emigrimin dhe do të forcojë sundimin e ligjit.

    Macron ka paralajmëruar votuesit se një fitore nga ekstremi i djathtë apo nga e majta e fortë, mund të nxisë një “luftë civile”.

    Ai ka insistuar se do të çojë deri në fund mandatin e tij të dytë presidencial – që përfundon më 2027 – pavarësisht se cila parti fiton zgjedhjet. /REL/

  • Nëna e raporton në polici vajzën e mitur, thotë se e ofendoi dhe e sulmon herë pas here

    Nëna e raporton në polici vajzën e mitur, thotë se e ofendoi dhe e sulmon herë pas here

    Një grua ka raportuar se vajza e saj e ka ofenduar dhe herë pas herë e sulmon fizikisht.

    Palët janë intervistuar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

    “Prishtinë 29.06.2024 – 00:30. Ankuesja femër shtetase e Malit të Zi, ka njoftuar se vajza e saj e moshës se mitur, e ka ofenduar dhe herë pas here e sulmon edhe fizikisht. Të dy palët janë intervistuar dhe me vendim te prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.”

  • Torakalja pa listë të pritjes për kancer të gjirit dhe mushkërisë

    Torakalja pa listë të pritjes për kancer të gjirit dhe mushkërisë

    Mbi 260 operacione janë kryer në sallën e madhe të Kirurgjisë Torakale në QKUK, ndërsa janë kryer rreth 120 vizita. Punë të madhe janë bërë edhe në ambulanten specialistike me gjithsej 1700 sosh. Këto të dhëna i ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i klinikës, Nazmi Kolgeci.

    Kolgeci ka thënë se në klinikën që udhëheq ai, ka larguar listën e pritjes me kancer të gjirit dhe kancer në mushkri.

    Ndonëse ka kohë që operojnë me vetëm një sallë operative, Kolgeci është i bindur se javën e ardhshme do të lëshohet në funksion edhe salla e dytë. Kjo sipas tij do ta ulë ndjeshëm numrin e listës së pritjes, që kryesisht është për tumore.

    “Gjatë gjashtë muajt e kaluar i kemi pasur 260 operacione në sallën e madhe, kemi pasur vizita diku rreth 120, kemi pasur vizita në ambulanten specialistike 1700, EHO 80, drenazhet torakale që është intervenim kirurgjik invaziv është diku rreth 200 dhe diagnostikimi i gjirit që është bërë me metoda më të reja është diku rreth 70 me metodë jo invazive, është e thjeshtë por faktikisht edhe e shkurton kohën e pritjes për pacientet që presin për operacion. Një sallë të vogël që e kemi që është renim me anestezion të shkurtër janë bërë diku 150 operacione”, ka thënë Kolgeci.

    Kolgeci u shpreh me renovimin e sallës së dy operative, do të ndikojë ndjeshëm numri i pacientëve që presin. Këtë dukuri e konsideron normale pasi edhe në shtet perëndimore pritet për intervenime kirurgjike.

    “Deri tani ne kemi qenë me një sallë operacioni edhe kjo ka shërbyer për krejt qytetarët e Kosovës, tani vetëm javën që vjen do të lëshohet edhe salla e dytë që do ta zbusë dukshëm numrin e pritjes se pacienteve që presin për ndërhyrje kirurgjike. Një sallë operacioni deri tani që ka qenë ka qenë e pa mjaftueshme për këtë numër të popullatës që kemi po me sallën e dytë besoj që ka më qenë edhe ne do të ndihemi komod edhe pacientë nuk kanë me pas që të presin shumë gjatë. Sallat për intervenime kirurgjik çdo kund pritet, edhe në Gjermani edhe në Amerikë, çdo kund është lista e pritjes, edhe atje presin 5-6 muaj në listë të pritjes”, u shpreh Kolgeci.

    Sfidë si çdo klinikë është mungesa e stafit, ndërsa më e theksuar vërehet mungesa e anesteziologëve.

    “Kirurgjia është punë ekipore dhe normalisht edhe ka sfidat edhe problemet e veta. Normalisht stafi i mesëm mendoj që duhet me qenë një numër edhe më i madh i infermiereve po më se shumti probleme kemi me anesteziolog, për shkak se numri sipas të dhënave që i kemi numri i anesteziologëve është i pamjaftueshëm aktualisht. Ne përballemi me mungesa të anesteziologëve për arsye se ka ndodhur do raste kur s’kemi pasur edhe operator për shkak të mungese së tyre”, ka deklaruar Kolgeci.

    Ai u shpreh se krahas operacioneve tjera, kanë larguar listën e pritjes për pacientët që vuajnë nga kanceri i gjirit dhe mushkërive. Ndërsa pak më e gjatë është për tumore.

    “Me kancer të gjirit nuk kemi listë të pritjes, ne e kemi bërë si prioritet edhe kanceri i gjirit edhe kanceri në mushkri, por edhe kancerat e regjionit torakal ne nuk kemi listë të pritjes. Lista e pritjes është shumë e shkurtër, aq sa është e mjaftueshme për një pacient që të përgatitet, bile mund të them se shumë më shpejt hynë pacientët të ne në Kosovë se sa hynë në shtet tjera për kancer të gjirit. Lista e pritjes është për pacientët që janë me tumoret që presin që shkon goxha gjatë, që mund të shkon pese muaj, gjashtë muaj, deri në një vit shkon me listë të pritjes për pacientet që edhe mund të presin. Por kjo listë edhe në Gjermani edhe në shtet e tjera presin”, u shpreh Kolgeci.

  • Lobimi i Gërvallës për njohje të reja, përplasë pozitën e opozitën: Qeveria i ka lënduar raportet me vendet mike

    Lobimi i Gërvallës për njohje të reja, përplasë pozitën e opozitën: Qeveria i ka lënduar raportet me vendet mike

    Vizitat e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, në vende të ndryshme, po shihen pa rezultate nga partitë opozitare për shkak të “lëndimit të raporteve” me ndërkombëtarët. Ndërsa të kundërtën e mendon partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

    Ndonëse kanë kaluar mbi tri vite qeverisje, pushteti i Albin Kurtit nuk ka arritur ta sigurojë një njohje. Njohja e fundit për Republikën e Kosovës është ajo e Izraelit, nën drejtimin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti.

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë për Ekonomia Online se Qeveria Kurti i ka lënduar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, kjo si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe dakordimeve me ta.

    “Nuk e ka një performancë të mirë, nuk e kemi asnjë njohje nuk e kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përkundrazi i kanë lënduar raportet me vendet mike dhe sa herë që kanë marrë një veprim të pa dakorduar, ne kemi ardhë në situata të tilla. Asnjëherë në këto situata nuk e amnistojë Serbinë sepse Serbia kuptohet që ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, po Kosova duhet ta shohë rrugëtimin e vetë dhe rrugëtimi i Kosovës është drejt anëtarësimit në BE në familjen e madhe evropiane”, ka thënë Kadrijaj.

    Deputetja nga AAK, ka fajësuar Qeverinë për mos shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës, duke shtuar se shteti i ka humbur aleatët.

    “Vendet mike, që ndoshta vendet e kanë përkrahë këtë qeveri për me ardh në pushtet sepse kanë menduar në sistemin e njëjtë me mashtrime, qysh kanë ardh në pushtet që nuk do të dialogojnë që nuk do ketë dialog fare veç me serbët kanë menduar se me të njëjtin kut do të trajtohen edhe me ndërkombëtarët do i mashtrojnë ndërkombëtarët por po shifet së i ka hup aleatët”, u shpreh Kadrijaj.

    Por ndryshe nga Kadriaj, mendon deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

    Sipas saj, ministrja Gërvalla, angazhohet çdo ditë për rezultate pozitive në diplomaci. Kontributin e saj, e ndërlidh me vizitën e fundit të kryediplomatës në Luksemburg me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

    “Unë besoj që ajo këto i bën kurdo që i jepet mundësia, jo vetëm në takime specifike me ta, por kurdo që ka pjesëmarrje në secilëndo konferencë dhe ka homologë të saj aty ajo e bën këtë gjë ajo lobon për Republikën e Kosovës dhe lobon bën thirrje që të merren këto vendime të cilat do duhej tashmë të merreshin pa pasur nevojë që të bëhej një lobim kaq i madh prej anës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeziu për Ekonomia Online.

    Ajo ka shtuar se krahas lobimit për njohje, Gërvalla vazhdimisht punon edhe për heqjen e masave nga BE-ja ndaj Kosovës.

    “Ajo lobon për Republikën e Kosovës dhe lobon bën thirrje që të merren këto vendime të cilat do duhej tashmë të merreshin, pa pasur nevojë që të bëhej një lobim kaq i madh prej anës së Republikës së Kosovës dhe unë nuk pres diçka ndryshe prej ministres sepse ministrja e bën punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe lobimi i saj është i atillë që gjithmonë shkon në favor të Republikës së Kosovës. Prandaj si besoj se si ministrja e punëve të jashtme si përfaqësues tjera institucional do ta japin maksimumin e tyre që një vendim pozitiv të vjen edhe pas kësaj faze apo pas këtij procesi”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.

    Ndërsa, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha për Ekonomia Online se nga ministrja e jashtme nuk ka diplomaci funksionale.

    “Fatkeqësisht nga kjo ministrja e jashtme unë nuk pres asgjë, ne gati thuajse nuk kemi fare ministri të jashtme nuk kemi fare diplomaci funksionale për shkak të sjelljes së saj i mbani mend sa kritika në Kuvend të Kosovës pse e vendosen një moratorium njëvjeçar pse nuk ka njohje, njohja e Izraelit nuk është e plotë e krejt e krejt ato erdhën këta mburren tash me njohjen e Izraelit dhe heqjen e vizave ndërkohë asnjë njohje të vetme dhe nuk ka asnjë përkushtim dorën në zemër e kemi kriju bindjen se këta nuk dinë as të lobojnë nuk dinë as të negociojnë nuk dinë të bëjnë as politikë në fakt, e patë dështimin për anëtarësim në Këshill të Evropës”, tha deputeti.

    Ai shton se Kosova në aspektin e diplomacisë së jashtme është në izolim total si dhe në vetëdëmtim e vetëshkatërrim të perspektives së shtetit të Kosovës.

    “Jemi në ditën e 367 të sanksioneve të vendosura nga BE-ja dhe sot Kuvendi i Kosovës i vendos në agjendë dhe nuk i pranon vërejtjet dhe rekomandimet e qarta dhe shumë konkrete të vetë BE-së që i bie nëse këtë nuk janë në rrugë me standardet e BE-së nuk kanë komunikim të rregullt dhe miqësor me shtetin e BE-së nëse nuk janë në gjendje që t’i bindin ata se Kosovës duhet t’i hiqen masat se jemi në rrugën e drejtë çfarë njohje mundëson kjo kjo është diplomaci, diplomaci vetëizoluese, vetëshkatërruese dhe vetëdëmtuese e perspektivës së shtetit të Kosovës dhe si të tillë këta që nga 2021 në kontekstin e rolit të Kosovës pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare e kanë degraduar skajshmërisht. Këta e kanë ulë nivelin për tokë të imazhit të Kosovës në perëndim fatkeqësisht e vërteta është kjo kemi mendu ndoshta mund të kenë vullnet për me i përmirësua gjërat mirëpo kanë tregu që vullneti është i mbrapsht dhe e dyta kompetenca nuk ka dije kjo qeveri, ministria e jashtme është e padijshme është mediokriteti këmbëkryq me këtë qeveri përfshirë edhe në çdo agjenci ku këta po i vendosin njerëzit e vetë fatkeqësisht”, tha ai.

    Ndryshe, Kosova është e njohur në mbi 100 shtete të Bashkimit Evropian, ndërsa shteti i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli me 1 shkurt të vitit 2021.

  • Të dielën parashihet të mbajë mot me diell, maksimalja 33 gradë Celsius

    Të dielën parashihet të mbajë mot me diell, maksimalja 33 gradë Celsius

    Vazhdojnë temperaturat e larta në Kosovë edhe këtë vikend.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-33 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes.