ATV

Category: Lajme

  • Gërvalla takohet me ministrin turk Hakan Fidan, diksutojnë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

    Gërvalla takohet me ministrin turk Hakan Fidan, diksutojnë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

    Takimi ka ndodhur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut.

    Ndërsa, temë e takimit ishte fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik, mbështetja në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje

    “Fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik, mbështetja në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, ishin temat në fokus të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pati me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, të mbajtur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut”, bëhet e ditur në komunikatë.

    Ministrja Gërvalla dhe Ministri Fidan vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona, përfshirë përkrahjen unanime nga deputetët e Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Një vlerësim i veçantë u shpreh për angazhimin e Turqisë në kuadër të NATO-s dhe KFOR-it, duke e cilësuar si një përkrahje të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në rajon.

    Ministrja Gërvalla veçanërisht mirëpriti rolin konstruktiv të komandantit turk të KFOR-it në Kosovë.

    Në kontekst të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe aspiratës legjitime të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, Ministrja Gërvalla mirëpriti vazhdimin e përkrahjes turke për realizimin sa më të shpejtë të këtij synimi./kp

  • ​Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

    ​Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot pret në takim kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq.

    Sipas njoftimit, takimi nis në orën 12:30, dhe mediat mund të marrin pamje tek pritja në hyrje të Presidencës dhe në fillim të takimit.

    Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë pritet të ketë takime edhe me përfaqësues tjerë të institucioneve.

  • ​Ja kur Anglia ndaloi pirjen e duhanit në hapësirat e brendshme publike

    ​Ja kur Anglia ndaloi pirjen e duhanit në hapësirat e brendshme publike

    Më 1 korrik 2007 pirja e duhanit në Angli ndalohet në të gjitha hapësirat e brendshme publike.

    Qe nga ai moment, pirja e duhanit në këto vende i takoi historisë dhe ishte në kundërvajtje me ligjin.

    Mendohej se ligji do të ndihmojë shpëtimin e mijëra jetëve njerëzore gjatë dekadës së ardhshme, si dhe të krijojë objekte më të shëndetshme dhe të pastra argëtimi dhe pune.

    Megjithëkëtë, çdokush që shkel ligjin e ri të ndalimit të duhanit bën vepër penale dhe mund të gjobitet deri me 200 euro për pirjen e duhanit në një vend të ndaluar.

    Tymi i duhanit pasiv që hyn në organizmin tuaj përmban mbi 4.000 kimikate, mbi 50 prej të cilave shkaktojnë kancer.

    Ekspozimi për një kohë të gjatë mund të shtojë rrezikun për sëmundje të rëndë, duke përfshirë kancerin e mushkërive, sëmundje të zemrës ose atakun e astmës.

    Ai po ashtu rrezikon fëmijët të marrin sëmundje të rënda të rrugëve të frymëmarrjes, si dhe sindromën e vdekjes së menjëhershme të foshnjave (SIDS).

  • ​Nga sot fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën

    ​Nga sot fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën

    Duke filluar nga sot, datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

    Ministri i Financave Hekuran Murati ka bërë të ditur se polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri një muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.

    Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij një mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj.

    Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.

    Ndryshe, marrëveshja e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët është nënshkruar më 28 qershor.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dalin përsëri para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

    Seanca e ish-krerëve të UÇK-së pritet të nisë në orën 10:00.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

  • Mot me diell e vranësira, temperaturat deri në 33 gradë

    Mot me diell e vranësira, temperaturat deri në 33 gradë

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat në ditën e sotme do të lëvizin ndërmjet 15-18, kurse ato maksimale ndërmjet 27-33 gradë Celsius.

    Sipas IHMK-së, sot do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-7 metër për sekondë.

  • Vazhdojnë hetimet për lëvizjen nga Deçani me motive për shqiptarizmin

    Vazhdojnë hetimet për lëvizjen nga Deçani me motive për shqiptarizmin

    Përgatiti: Nora Luta

    Veprimet e disa qytetarëve nga Deçani, që publikisht bënë thirrje për braktisje të fesë islame, po hetohen nën dyshimet për cenim të sigurisë kombëtare dhe nxitje të urrejtjes apo përçarjes e mosdurimit fetar.

    Prokuroria e Pejës, rezultatet e hetimeve që i kishte filluar në tetor të vitit të kaluar, kur edhe ishte mbajtur tubimi publik me thirrjet për braktisje të fesë, ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale.

    Rasti aktualisht po vlerësohet nga Prokuroria Speciale.

    Lëvizja, e cila kishte tubuar disa qytetarë në një ndërtesë në Deçan, duke thënë se është formuar me motive për shqiptarizmin, kishte nxitur reagimi në publik, përfshirë të përfaqësuesve të Bashkësisë Islame dhe drejtuesve komunalë.

    Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në fund të muajit maj ndaj dy priftërinjve ortodoksë nga Shqipëria, Nikolla Xhufka dhe Lejdi Zagalli, nën akuzën për nxitje të urrejtjes kombëtare, fetare dhe etnike.

    Ata e kishin dëmtuar një kishë ortodokse serbe të pashfrytëzuar, në nëntor të vitit të kaluar, në rajonin e Prizrenit.

    Nga Gjykata e Prishtinës e kanë konfirmuar pranimin e aktakuzës, dhe se deri tash nuk është mbajtur asnjë seancë, por shqyrtimi gjyqësor pritet të fillojë në Departamentin Special.

  • Shtyhet afati për vendosjen e fotografive në pakot e cigareve

    Shtyhet afati për vendosjen e fotografive në pakot e cigareve

    Përgatiti: Armand Hoti

    Vetëm forma e shkruar vazhdon t’ua tërheqë vërejtjen konsumuesve të duhanit.

    Ministria e Shëndetësisë e ka shtyrë afatin që pakot e cigareve të kenë patjetër fotografitë me dëmet shëndetësore nga duhanpirja.

    Udhëzimi Administrativ që e rregullon dizajnin e ri kishte hyrë në fuqi në shtator të 2023-ës, ndërsa nga muaji mars i vitit aktual, të gjitha produktet e duhanit që importohen në Kosovë, do të duhej t’i kishin të stampuara vërejtjet e kombinuara.

    Por tash Ministria u dha kohë shtesë importuesve deri në shtator të këtij viti.

    “Të gjitha produktet e duhanit të cilat importohen apo prodhohen për tregun e Republikës së Kosovës, nga 1 shtatori 2024, duhet të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë.

    Ndërsa, nga shtatori, pakot me dizajn të vjetër që kanë mbetur në stoqet brenda Kosovës, do të mund të shiten për gjashtë muaj.

    “Të gjitha produktet e duhanit të cilat qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, nga 1 marsi 2025, duhet të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ, thuhet më tej në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë.

    Nga Dogana e Kosovës thonë se afati u shty, meqë industria e duhanit ende nuk është gati t’i aplikojë udhëzimet e Ministrisë.

    “Duke qenë se shumica e prodhuesve nuk kanë qenë në mundësi të përgatisin linjat e prodhimit për të përmbushur kërkesat e udhëzimit në fjalë, Ministria e Shëndetësisë me UA Nr. 02/2024 për plotësim-ndryshim të UA të lartcekur (Shëndetësisë) Nr. 05/2023 për Vërejtjet e Kombinuara, i cili ka hyrë në fuqi me datën 25.04.2024, e ka shtyrë zbatimin e Udhëzimit”, thuhet në përgjigjen nga Dogana E Kosovës.

    Shkumbin Spahiu nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, thotë se shtyrja e afatit u bë pas lobimit të prodhuesve të duhanit.

    “Megjithatë, është një lajm i mirë se ky do të hyjë në fuqi, në shtator të vitit 2024, dhe është një lajm i mirë që popullata në Kosovë, veçanërisht fëmijët mund të njoftohen për dëmet që shkaktojnë këto produkte”, tha Spahiu.

    Sipas Udhëzimit Administrativ, vërejtja e kombinuar duhet të mbulojë 65% të sipërfaqes së dukshme të anës së përparme dhe po aq në pjesën e pasme të paketimit.

    Nëpër pako do të vendosen 10 fotografi të ndryshme, me pasojat që mund t’i sjellë pirja e duhanit në shëndetin e njeriut.

  • Qeveria paguan 27 mijë euro për kontratën e pranverës për pastrim të borës

    Qeveria paguan 27 mijë euro për kontratën e pranverës për pastrim të borës

    Përgatiti: Arton Hamiti

    26 mijë e 677 euro është totali i faturës që e ka paguar Ministria e Infrastrukturës, për mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale, në katër komunat veriore të Kosovës.

    Vlera totale e kontratës ishte 138 mijë euro, por ministria nuk kishte arritur ta nënshkruajë atë me kohë.

    Ndonëse, pjesa kryesore kishte të bënte me pastrimin e borës, kontrata ishte nënshkruar kah fundi i dimrit, më 28 shkurt, ndërsa filloi zbatimin në mars.

    Në faturën të cilën e ka siguruar televizioni, ani pse pati vetëm një herë reshje të vogla bore, për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja dimërore” figuron se janë paguar pak mbi 12 mijë euro.
    Pjesa më e madhe prej 7800 euro është paguar për pozicionin “Koha e kujdestarisë”, e cila ishte ofertuar me 65 euro për 24 orë, për çka janë llogaritur 120 ditë.

    Në dokument nuk është dhënë ndonjë sqarim se pse është paguar kujdestari për 120 ditë edhe pse deri në mes të prillit kishin kaluar më pak se 50 ditë nga zbatimi të kontratës.

    Ministria kishte paguar edhe rreth 3500 euro për 50.350 kilogramë kripë, nga 7 cent për kilogram. Ndërkaq, 9 mijë e 350 u ekzekutuan për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja verore”.
    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pohoi se gjatë këtyre muajve nuk kishte shumë reshje të borës në katër komunat veriore. Megjithatë, ai tha se për këtë çështje duhet pyetur Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve.

    AUDIO: HYSEN DURMISHI, ZV.MINISTËR I INFRASTRUKTURËS
    “Po, po atje ka pasë shumë pak reshje prej kohës kur është nënshkruar kontrata, por nëse ju i keni dërgu pyetjet duhet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve me ju përgjigj”, tha Durmishi.

    Ndërsa, Agron Beshiri, menaxher i kontratës nga Autoriteti Kontraktues, dërgoi raportin e punës në kuadër të kësaj kontrate. Ai tha se kontrata me kompaninë “Shkoza F007” ka filluar zbatimin në fillim të muajit mars.

    “Meqenëse në muajin mars temperatura ka shënuar mbi 0°, aktivitetet e intervenimit ku përfshihen: pastrimi i borës, hedhjes së kripës dhe rërës, kanë qenë thuajse të panevojshme me përjashtim të datës 30 mars 2023. Vlera financiare për punët e kryera gjatë muajit mars ka qenë 26.677 euro. Përqindja e realizimit del të jetë 19,26%”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Infrastrukturës.

    Beshiri, mes tjerash siguroi se, përveç kësaj pagese, nuk do të ekzekutohet asnjë tjetër.

    Për të marrë përgjigje rreth zbatimit të kësaj kontrate, ATV-ja kishte kontaktuar dy herë edhe kompaninë “SHKOZA F007”, por personi përgjegjës e kishte bllokuar numrin, posa kuptoi që po thirrej nga një gazetar. Kompania nuk është përgjigjur as në rrjetet sociale.

  • Një vit me “masën e sigurisë”, importi nga Serbia bie për 68%

    Një vit me “masën e sigurisë”, importi nga Serbia bie për 68%

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në 12 muaj të plotë, qëkur Kosova vendosi masën e sigurisë – si reagim pas rrëmbimit nga Serbia të tre policëve kufitarë – importi nga ky shtet shënoi rënie për 68% në raport me vitin 2022.

    Vlera e përgjithshme e mallrave serbe që hynë në vend, nga Qershori i vitit të kaluar deri në fund të Majit, është rreth 117 milionë euro.

    Ndërsa, më 2022, bazuar në raportet publike të Doganës, vlera e përgjithshme e importit nga Serbia ishte rreth 370 milionë euro.

    Pa dhënë shifra konkrete, në një përgjigje për ATV-në, Dogana njoftoi se Turqia është shteti nga i cili Kosova importoi më së shumti vitin e kaluar, pasuar nga Gjermania, Kina, Greqia dhe Shqipëria.

    Ndër vite, Serbia ishte në krye të listës ose në mesin e pesë shteteve që sillnin më së shumti mallra në Kosovë.

    Pa dhënë detaje, Qeveria njoftoi se masa e sigurisë nuk ka ndryshuar.

    Muajin e kaluar, ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, teksa përmendi lirinë e lëvizjes së mallrave në kontest të parimeve bazë të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, inkurajoi Kosovën që “të heqë ndalesën” për importin nga Serbia.

    Por, ekzekutivi njoftoi se nuk ka asnjë kërkesë si kushtëzim, për këtë masë, që ndërlidhet me përfitimet eventuale nga plani në vlerë totale, 6 miliardë euro.

    Në periudhën Nëntor 2018 – Nëntor 2019, apo 12 muajt e parë të aplikimit të taksës 100% ndaj mallrave serbe, importi nga ky shtet ishte 8 milionë euro, një rënie për 98% krahasuar me vitin paraprak – kur totali ishte 440 milionë euro.