ATV

Category: Lajme

  • Mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit  janë shqiptuar dy mijë e 262 gjoba trafiku.

    Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe ka ndodhur një aksident me fatalitet, 17 me të lënduar dhe 25 me dëme materiale.

    Tutje, Policia njoftoi se në 24 orët e fundit janë arrestuar 18 persona dhe nëntë janë dërguar në mbajtje.

  • ​Ish-kryetari i Kushtetueses kritikon Qeverinë për dështim në reforma të drejtësisë

    ​Ish-kryetari i Kushtetueses kritikon Qeverinë për dështim në reforma të drejtësisë

    Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se Qeveria Kurti ka dështuar në reformën në drejtësi.

    Pas rrëzimit të Projektligjit për byronë për verifikimin, konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikueshme, Hasani deklaron se reforma në drejtësi i mbetet mandatit të radhës të kësaj qeverise ose ndonjë tjetër.

    Sipas tij, kushtetuesja ka pasur të drejtë kur e ka shpallë të pavlefshëm ligjin për byronë, derisa i konsideron si të papranueshme sulmet politike ndaj Gjykatës Kushtetuese. Hasani vazhdon akuzat ndaj dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratën në Itali në Universitetin “La Sapienza”.

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese në një intervistë për KosovaPress thotë se qeveria duhet të kishte parasysh se para reformën në drejtësi duhet t’i paraprinte me nxjerrjen e normave të duhura ligjore dhe analizën e detajuar të afateve kohore të shqyrtimeve në gjykata, pasi siç konsideron një reformë kaq e thellë në drejtësi është e pashmangshme të mos shkohet nën filtrin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Në këtë mandat po. Këta dhe çdo qeveri duhet të ketë parasysh dhe ky është mësim për të ardhmen se çdo herë kur të bësh reformë që duhet t’i paraprihet nxjerra e strukturave normative. Me këqyrë afatet në gjykatë me bërë një analizë se sa vonohen. Nuk mundesh të fajësosh në asnjë rrethanë gjykatën pasi ajo atë punë e ka…Nuk mund të bësh reformë pa i llogaritur organet kushtetuese, të cilat kanë mandat kushtetues me të këqyrë a e ki mirë apo jo reformën. Në të ardhmen ky është mësim për mandatin e ardhshëm të kësaj qeverie apo kushdo tjetër që fiton,” tha Hasani.

    Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka pasur të drejtë me shpalljen të pavlefshëm të Projektligji për byronë, derisa konsideron se sulmet ndaj këtij mekanizmi janë të papranueshme.

    “Janë po ato arsye që i ka thënë Komisioni i Venecias. Të njëjta. Prej garancive që lidhen me barrën e të provuarit, mënyrën e zgjedhjes së shefit të asaj agjencie, natyrës dhe karakterit të saj. Këto gjëra këta i kanë ditur dhe s’kam asnjë dyshim se ajo çka e ka thënë Komisioni i Venecias dhe ky aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është në margjinë 1 për qind. Ajo çka është shqetësuese është mënyra e arsyetimit të goditjes së gjykatës. Për shembull, mënyra e votimit. Mënyra e votimit nuk tregon asgjë, përkundrazi tregon pasuri. Nuk tregon asnjëherë keq ose nuk e përshkruan cilësinë e vendimit, as mendimi mospajtues i gjyqtarëve. Kjo është pasuri që flet për dinamikat e brendshëm të gjykatës”, deklaron Hasani.

    Hasani, i cili ka qenë edhe rektor i Universitetit të Prishtinës, thotë se është në pritje të vendimit të Ministrisë së Arsimit në lidhje me pretendimet e tij se dekani i fakultetit juridik, Avni Puka ka diplomë false.

    “Për çështjen e Dekanit të Fakultetit Juridik ajo çka kam thënë unë është e saktë 100 për qind. Ai nuk ka diplomë doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”, siç na ka thënë neve. Siç shkruan raporti ai është avancuar në thirrjen akademike të profesorit të asociuar për shkak se është thënë se ka diplomë siç na ka thënë edhe në e-mail. Unë i kam provat që nuk është ashtu. Vetëm në Kosovë mund të ndodh ku dekani i juridikut ku supozohet që prodhohet drejtësia dhe kryeprokurori i shtetit ku implementohet mund të kenë diplomë false dhe të kryejnë mandatin. Për diplomën që e ka fituar këtu shkel e shko unë i kam po ashtu provat i kam dërguar rektorit dhe Ministrisë së Arsimit…Rektori nuk është përzier në këtë, ata kanë themeluar, ka shkuar dekani i ka thënë komisionit të etikës që të formohet një komision për ta pastruar atë. Ai komision është përbërë prej tre pensionistëve të cilët nuk dinë asnjë fjalë anglisht dhe italisht. Literatura ku ka qenë plagjiat, ka qenë në këto gjuhë”, deklaron Hasani.

    Ai kritikon edhe Këshillin e Etikës në rastin e profesorit Xhevat Krasniqi, i cili akuzohet për ngacmim seksual, derisa konsideron se ka probleme edhe me avancimet akademike në UP.

  • Pesë të vrarë dhe disa të plagosur nga një sulm rus në rajonin Donjeck

    Pesë të vrarë dhe disa të plagosur nga një sulm rus në rajonin Donjeck

    Forca Ajrore e Ukrainës tha se e ka zmbrapsur edhe një valë sulmesh ruse me dronë në 12 rajone ukrainase mëngjesin e së shtunës, por sulmet me bomba në rajonin e Donjeckut vranë së paku pesë njerëz dhe plagosën disa të tjerë.

    “Natën e 6 korrikut, armiku goditi me 27 dronë [të tipit] Shahed”, tha Forca Ajrore në një mesazh në Telegram.

    Kundërajrorët ukrainas “ia dolën t’i rrëzojnë 24 dronë në rajonet Dnipropetrovsk, Poltava, Zaporizhja, Herson, Harkiv, Donjeck, Sumi, Çernihiv, Vinitsia, Kiev, Kirovohard dhe Mikolaiv”, tha Forca Ajrore.

    Ndërkohë, zyrtarët në rajonin Sumi, në veri të kryeqytetit, Kiev, thanë se dronët rusë e prishën lidhjen e rrymës me ujësjellësin, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.

    Më 5 korrik, trupat ruse i hodhën dy bomba në qytetin Selidove në lindje të rajonit Donjeck, duke i vrarë së paku pesë njerëz dhe duke i plagosur tetë të tjerë, tha shefi i administratës ushtarake të këtij rajoni, Vadym Filashkin, në Telegram.

    Ndërkohë, në rajonin e Rusisë Krasnodar, dy depo nafte u përfshinë nga zjarri dhe një ndërtesë e telefonisë mobile u dëmtua nga një sulm me dronë gjatë natës së 6 korrikut, thanë zyrtarët rusë, duke e fajësuar Ukrainën për sulmin.

    Zyrtarët thanë se dronët ukrainas u rrëzuan mbi dy qarqe të Krasnodarit. Rënia e copëzave të dronëve shkaktoi dëme në ndërtesën e telefonisë mobile në Yeisk, ndërsa një cisternë nafte u përfshi nga zjarri në një depo nafte në fshatin Pavlovskaja.

    Nuk ka qenë e mundur të verifikohet ky pretendim.

    Në muajt e kaluar, Ukraina, infrastruktura e së cilës është dëmtuar rëndë nga sulmet e pareshtura ruse gjatë vitit të fundit, i ka rritur sulmet ndaj zonave për prodhimin e karburanteve brenda Rusisë, kryesisht kundër ndërtesave të rafinerisë së naftës, të cilat punojnë për ushtrinë ruse./REL

  • Biden thotë se “vetëm Zoti” mund ta bindë të heqë dorë nga gara presidenciale

    Biden thotë se “vetëm Zoti” mund ta bindë të heqë dorë nga gara presidenciale

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se vetëm “Zoti i plotfuqishëm” mund ta bindë atë të heqë dorë nga përpjekja për t’u rizgjedhur.

    Biden i bëri këto komente të premten në një intervistë për ABC News, në përpjekje për t’ua larguar dyshimet dhe shqetësimet demokratëve rreth garimit të tij në zgjedhjet e 5 nëntorit.

    Ai përsëri e cilësoi si “një episod të keq” paraqitjen e tij të dobët në debatin presidencial kundër rivalit të tij republikan, Donald Trump, më 27 qershor në CNN.

    “Nuk ka tregues për ndonjë sëmundje serioze. Isha i dërrmuar. Nuk ua vura veshin instinkteve të mia në lidhje përgatitjet… ishte një natë e keqe”, tha Biden, 81 vjeç.

    “E kisha thjesht një natë të keqe. Nuk e di përse”, shtoi Biden.

    Biden u pyet butësisht por vazhdimisht nga moderatori George Stephanopoulos nëse ishte real në besimin e tij se mund t’ia dalë ta mposhtë Trumpin, duke i parë sondazhet mes tyre dhe rritjen e shqetësimeve nga demokratët.

    “Mendoj se askush tjetër nuk është më i kualifikuar”, theksoi Biden.

    Sondazhet, sipas tij, nuk janë të sakta.

    I pyetur nëse do të hiqte dorë nëse ndonjë nga demokratët në Kongres thotë ai po i dëmtonte shanset për t’u rizgjedhur në nëntor, Biden theksoi: “Nëse Zoti i plotfuqishëm vjen dhe ma kërkon këtë, atëherë mund ta bëj”.

    Presidenti iu përgjigj pyetjeve më qartë se sa në debatin kundër Trumpit javën e kaluar, por zëri i tij përsëri dukej i dobët dhe herë pas here i ngjirur.

    Në fillim të kësaj jave, një sondazh gjeti se një në tre demokratë mendon se Biden duhet t’i japë fund garës së tij për rizgjedhje, pas debatit të javës së kaluar me kundërkandidatin republikan Donald Trump.

    Sondazhi dyditor që u mbyll të martën, zbuloi se Trump, 78 vjeç, dhe Biden, 81 vjeç, ruajnë mbështetjen e 40% të votuesve të regjistruar.

    Rreth 32% e demokratëve në sondazh kanë thënë se Biden duhet të heqë dorë nga gara për rizgjedhje pas debatit të 27 qershorit.

    Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë pretendime të rreme.

    Vetë Biden ka pranuar se nuk ka pasur paraqitje të mirë gjatë debatit me Trumpin, por ka thënë se rizgjedhja e tij “do ta shkatërronte demokracinë”./REL

  • Arratiset për herë të nëntë nga burgu Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e policit rus

    Arratiset për herë të nëntë nga burgu Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e policit rus

    Gjatë ditës së sotme nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës është arratisur Faton Hajrizi, raporton Sinjali.

    Hajrizi ishte gjithashtu përfitues i vikendit dhe se herën e fundit që ka shfrytëzuar vikendin ishte nga data 01 deri më 03 të këtij muaji.

    Siç mëson Sinjali, lidhur me rastin, deri në përfundim të hetimeve janë suspenduar dy oficerë policorë.

    Faton Hajrizi është i dënuar për vrasjen e policit rus të UNMIK-ut dhe se kjo është hera e nëntë që ai arrin të arratiset nga burgjet e Kosovës.

  • Vidhen pajisje me vlerë rreth 550 euro në një pompë derivatesh në Zubin Potok

    Vidhen pajisje me vlerë rreth 550 euro në një pompë derivatesh në Zubin Potok

    Një person ka njoftuar policinë, se persona të panjohur kanë hyrë me forcë në një pompë derivatesh ku kanë vjedhur disa pajisje pune me vlerë 550 euro.

    Rasti ka ndodhur në Zubin Potok.

    Sipas policisë, rasti është duke u hetuar.

    “Fsh. Zupc, Zubin Potok 04-05.07.2024 – NN. Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se persona të pa njohur kanë hy me forcë në pompën e derivateve dhe kanë vjedhur disa pajisje pune me vlerë rreth 550€. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Vdes në QKUK personi që u aksidentua muaj më parë në Kamenicë

    Vdes në QKUK personi që u aksidentua muaj më parë në Kamenicë

    Një person ka vdekur në QKUK, si pasojë e plagëve të marra nga një aksident trafiku që kishte ndodhur muaj më parë, në Kamenicë.

    Sipas raportit të policisë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Fsh. Koretin, Kamenicë 02.04.2024 – 17:20. Lidhur me rastin, nga QKUK është raportuar se viktima mashkull kosovar, i cili ishte duke u trajtuar ka vdekur. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Muja: Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.2 miliardë, s’ka pasur keqpërdorime nga Qeveria

    Muja: Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.2 miliardë, s’ka pasur keqpërdorime nga Qeveria

    Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, pret që buxheti për vitin 2025 të jetë 3.2 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2020, Muja ka thënë për Ekonomia Online se ka dyfishim të të hyrave buxhetore.

    Deputeti i VV-së ka thënë se pas katër viteve mandat ne do të kemi dyfishim të hyrave, ndërsa mohon se ka pasur keqpërdorim të buxhetit të shtetit.

    Muja ka thënë se pret që të ketë rritje edhe tek të ardhurat nga korporatat, pasi nga 86 milionë euro në vit sa kanë qenë, sipas tij do të shkojnë në rreth 230 milionë euro në vit.

    “Ministri i Financave është në proces të konsultimeve pas përpilimit të tavaneve buxhetore, pres që deri me datën 30 tetor Ministria e Financave ta sjellë në Komisionin për Buxhet në Kuvend një projektligj për projektin të buxhet. Dinamikat që unë i parashikoj është fillimisht duhet të shihen të hyrat nga po vijnë dhe e dyta ku po orientohen shpenzimet struktura e shpenzimeve. Ajo që unë parashoh tek të hyrat është që të hyrat duhet për vitin 2025 duhet të jenë në bazë të dinamikave dikur rreth 3.2 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2020 është pothuajse dyfishimi i të hyrave dhe këtë duhet të keni parasysh. Sa do që të kenë debat të madh në shoqëri këtë e konsiderojë një arritje të jashtëzakonshme”.

    “Shteti i Kosovës me të gjitha ato kapacitete që i ka, ka arritur t’i sigurojë 1.7 miliardë euro të hyra. Pas katër viteve mandat ne do të kemi dyfishim të hyrave. Unë pres tek strukturat se nga po vijnë të hyrat pres një rritje të ndjeshme tek të hyrat e të ardhurave personale, të ardhurave të korporatave. Të ardhurat tek korporatave kur kemi ardhur ne kanë qenë 86 milionë euro në vit, kurse në vitin që po vjen pres që ato të trefishohen të shkojnë diku rreth 230 milionë euro në vit. Të hyrat në TVSH pres të kalkulohen 1.5 miliardë, kur kemi ardhur të hyrat nga TVSH kanë qenë 750 milionë euro. Subvencionet dhe transferet pres që të vlerësohen dikur rreth 1.2 miliardë në buxhet e radhës, kurse në shpenzimet kapitale unë pres të vlerësohen 950 milionë eurove”, ka thënë Muja.

    Muja ka thënë se për vitin e ardhshëm do të ketë rritje të buxhetit për mbrojtje për rreth dy për qind të GDP-së. Rritje beson se do të ketë në arsim, shëndetësi e bujqësi.

    “Sa i përket shpenzimeve të tjera që lidhen me mallra dhe shërbimet po ashtu pres që të ketë një rritje të lehtë, mirëpo përgjithësisht buxheti në kuptimin sektorial që pres të rritet është buxheti në shpenzimin në mbrojte i cili duhet të jetë në pah dikur rreth dy për qind në raport me GDP. Pres që shpenzimet të rriten në arsim, në shëndetësi, bujqësi të shkojnë nga 90 milionë në 100 milionë euro”, ka thënë Muja, teksa përmend edhe rritjen e koeficientit për paga.

    “Koeficienti i pagave, kur kemi ardhur ne paga mesatare në sektorin publik ka qenë kur jemi ardhur, mandati ka qenë 580, kurse në këtë vit paga mesatare është 780 euro. Një rritje mbi 30 për qind krahasuar me vitin 2019. Pres që në vitin 2025 të ketë një reflektim të bazuar në trendin e rritjes ekonomike të vitit paraprak. Duhet të jetë domosdoshmërish 4-5 për qind reflektim në bazë të ligjit. Pres që paga mesatare në sektorin publik ta mbërrijë një nivel i cili është shumë më i mirë sesa që ka qenë. Ne kur kemi ardhur në pushtet kemi marrë me 83 mijë punëtorë, diku tash janë 81 mijë punëtor që i bie rreth dy mijë pozita më pak”.

    Muja ka mohuar se nuk ka keqpërdorime të buxhetit shtetëror, pasi sipas tij kanë trashëguar 300 milionë euro detyrime të papaguara.

    Gjithashtu për detyrimin nga shpronësimi ai ka thënë se nga 185 milionë euro është ulur në 85 milionë euro

    “Të dhënat buxhetore janë gjakftohtë ato reflektohen në raste se ka kontekste politike gjithmonë të gjithë mund t’i drejtohen thesarit të shtetit, agjencisë të ATK-së dhe duhet të japin një opinion të saktë pa u ndikuar nga politika. Mirëpo kur jemi ardhur në pushtet kanë qenë rreth 300 milionë euro detyrime të papaguara pra afatshkurtra që ishte dashur që të kryhen brenda vitit. E di që i kemi trashëguar edhe 185 milionë euro detyrime nga shpronësimi. Faktuarat e papaguara dhe detyrimet e papaguara këtë vit kanë rënë ndjeshme dhe është stabilizuar. Gjithashtu detyrimi nga shpronësimi nga 185 milionë euro kanë mbërri në 85 milionë euro. Detyrimet për shpronësimet ka qenë tmerri i të gjithave investimet kapitale. Në vitin 2023 nuk ka asnjë financim nga ATK-ja as nuk ka huazime të ndjeshme, ne po i mbledhim dhe po i shpenzojmë ashtu si po i marrim”, u shpreh Muja.

    Ai ka theksuar se deri në fund të mandatit do t’i realizojë të gjithë premtimet, dhe si rezultat Kosova do të ketë dyfishim të rritjes ekonomike.

    Sipas tij, të hyrat doganore kanë qenë 1.1 miliardë euro dhe të njëjtat sipas tij pritet të shkojnë në 2 miliardë euro.

    “Në fund të mandatit pres që viti 2025 të shkoj gjithçka që të dyfishohet. Të hyrat që i ka mbledh ATK-ja ne i kemi pasur i kemi marrë diku rreth 530 milionë eurove unë pres që deri në fund të mandatit të shkojnë të hyrat diku 1.1 miliardë euro që do të thotë është dyfishim i të hyrave. Të hyrat nga dogana kur kemi ardhur ne 1.1 miliardë ne presim që të shkoj deri në dy miliardë në vitin 2025. Do të marrë pak kohë derisa impakti të rrjedh e rëndësishme që transferet sociale janë rekord, investimet kapitale. Këto janë projekte strategjike kombëtare, pres që linja hekurudhore midis Hanit të Elezit deri në Mitrovicë të përfundojë gjatë këtij viti, gjithashtu edhe hekurudhën tjetër, do të kemi qasje për rritjen ekonomike”, ka deklaruar Muja.

  • Sekuestrohen 266 paketime të barnave në një barnatore në Prizren

    Sekuestrohen 266 paketime të barnave në një barnatore në Prizren

    Policia e Kosovës ka sekuestruar barna në një barnatore në Prizren, të cilat ishin pa banderola.

    Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të policisë.

    Me ndihmën e Inspektoratit Farmaceutik, Policia ka sekuestruar 84 artikuj me gjithsej 266 paketime të ndryshime medicinale, të cilat ishin me origjinë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

    “Njësiti relevant policor, në përkrahje të inspektoriatit farmaceutik, me datën 05.07.2024 ka bërë një inspektim në një barnatore pronë e të dyshuarit mashkull kosovar dhe gjatë inspektimit kanë hasur në paketime të barnave medicinale pa banderola, të cilat barna janë sekuestruar nga inspektorati farmaceutik. Sasia e barërave të konfiskuara është: 84 artikuj me gjithsejtë 266 paketime medicinale të ndryshme me origjinë nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Me rekomandim të prokurorit lënda e rastit procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Arrestohet një i mitur në Prishtinë, theri me thikë vëllain e tij

    Arrestohet një i mitur në Prishtinë, theri me thikë vëllain e tij

    Policia e Kosovës ka arrestuar një të mitur në Prishtinë nën dyshimin se ka therë me thikë vëllain e tij të mitur.

    Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të policisë.

    I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar-i mitur, për shkak se me thikë e kishte therur në krahë vëllain e tij të mitur, i cili ka pranuar tretman mjekësor në QKUK. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

    Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.