ATV

Category: Lajme

  • Ligji i ri për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës, Gërxhaliu: Diskriminues dhe vështirësues për ekzistencën e NVM-ve

    Ligji i ri për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës, Gërxhaliu: Diskriminues dhe vështirësues për ekzistencën e NVM-ve

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mungesa e një dialogu të mirëfillt publiko – privat gjeneron bariera për sektorin privat dhe forcon byrokracin institucionale në dëmë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

    “Ligji i ri për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) po krijon sfida të reja dhe të mëdha për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në vendin tonë. Një ndër ndryshimet më të diskutueshme është obligimi për kryerjen e transaksioneve përmes bankës për shumën mbi 300 €. Kjo rregullore po krijon një barrë të rëndë financiare për kompanitë e vogla dhe të mesme, të cilat shpeshherë varen nga pagesat në dorë për të mbajtur aktivitetet e tyre të përditshme”, ka thënë Gërxhaliu.

    Sipas tij, me hyrjen në fuqi të këtij ligji NVM kanë hasur në vështirësi për të mbledhur pagesat e shitjeve në kohë, raporton Ekonomia Online.

    “Në të kaluarën, pagesat bëheshin në dorë në kohën reale të furnizimit të produkteve, ndërsa tani, çdo transaksion mbi 300 € duhet të kryhet përmes bankës. Ky ndryshim ka çuar në vonesa të shumta në ekzekutimin e pagesave nga klientët, duke zhytur shumë kompani në borxhe dhe duke krijuar një cikël negativ financiar. Ligji i ri gjithashtu përmban zgjatjen e afatit të vlerësimit tatimor retroaktiv nga 6 në 10 vite dhe zgjatjen e afatit të ruajtjes së librave nga 6 në 10 vite. Këto ndryshime përfaqësojnë një barrë të shtuar për bizneset, sidomos për NVM-të, të cilat tashmë përballen me 101 barriera në ushtrimin e veprimtarive të tyre. Kjo rritje e byrokracisë dhe përgjegjësive administrative vetëm sa i komplikon më tej funksionimin e tyre ”, shtoi ai.

    Po ashtu ai ka treguar edhe për efektet negative të shkaktuara në Mjedisin Biznesor më sektorin privat në Kosovë.

    “Në një situatë ku sektori privat në Kosovë tashmë përballet me sfida të mëdha, këto ndryshime të ligjit janë si një goditje e dyfishtë. Nuk është çudi që shumë NVM po mendojnë të mbyllen ose të zhvendosen jashtë Kosovës, duke e bërë kështu mjedisin biznesor në vendin tonë edhe më të pafavorshëm për investitorët e huaj. Siç duket, në vend që të përmirësojmë mjedisin biznesor, po e bëjmë më të vështirë dhe të paqëndrueshëm Një nga arsyet kryesore për këto ndryshime të papërballueshme është mungesa e diskutimeve me sektorin privat gjatë hartimit të këtyre ligjeve. Këto vendime janë marrë nga kolltuqet dhe zyrat e institucioneve, pa u dëgjuar zëri i atyre që preken direkt nga këto ndryshime – bizneset private”, tregoi ai.

    Megjithëkëtë, ish-kryetari ka folur edhe për Sektorin Privat Heronjtë e Pasluftës, duke thënë se me shumë sakrifica kanë ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie funksionale dhe të qëndrueshme.

    “Sektori privat në Kosovë është boshti kurrizor i shtetësisë së vendit tonë. Ata janë heronjtë e pasluftës, të cilët me shumë sakrifica kanë ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie funksionale dhe të qëndrueshme. Nëse dëshirojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën, duhet të krijojmë ligje që i mbështesin dhe i ndihmojnë këto biznese të zhvillohen dhe të përparojnë, jo t’i ngarkojmë me barriera të panevojshme dhe burokraci të tepruar. Tentativa për rritjen e burokracis dhe qasja për barazi në varfëri duke demtuar sektorin privat e në veqanti atë prodhues ështē rreziku që po forcohet e në heshtje po zbatohet”, foli ish-kryetari.

  • Nesër vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Nesër vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Ditën e hënë do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

    Sipas njoftimit në kalendarin zyrtar të Dhomave të Specializuara, seanca të hënën do të nisë në ora nëntë.

    Në po të njëjtin orar do të fillojnë edhe seancat për ditën e martë, mërkurë dhe të enjte.

    Kjo është java e parafundit e seancave, përpara se trupi gjykues të shkojë në pushim veror.

    Përgjatë kësaj jave janë dëgjuar dëshmi të dëshmitarëve të ftuar nga Prokuroria Speciale.

    Ditën e enjte, nga Prokuroria deklaruan se dëshmitari i mbrojtur, që ka deklaruar po atë ditë, ka thënë se ai dhe i afërmi i tij kanë përkrahur partinë LDK.

    Sipas dëshmisë, në vitin 1998, anëtarët e UÇK-së rrëmbyen të afërmin e dëshmitarit, trupi i të cilit u gjet më vonë atë vit. Në të njëjtin vit, dëshmitari gjithashtu u ndalua dhe u keqtrajtua nga pjesëtarët e UÇK-së.

    Kujtojmë se të hënën do të vazhdojë dëshminë edhe Bislim Zyrapi.

  • Gjuriq: Kam nderin ta përfaqësoj Serbinë në ngjarjet e Samitit të NATO’s në Uashington- ushtarakisht mbesim neutral

    Gjuriq: Kam nderin ta përfaqësoj Serbinë në ngjarjet e Samitit të NATO’s në Uashington- ushtarakisht mbesim neutral

    Ministri i Punëve të Jashme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se do të marrë pjesë në disa ngjarje të samitit të NATO’s në Uashington.

    Ai ka shtuar se ushtarakisht mbesin neutral.

    “Kam nderin të përfaqësoj Serbinë në Uashington në një sërë ngjarjesh gjatë javës së Samitit të NATO’s. Ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut dhe bashkëpunimit duke qëndruar të palëkundur ndaj politikës sonë të neutralitetit ushtarak dhe interesave kombëtare. Unë do të prezantoj politikën tonë dhe do të bisedoj me përfaqësuesit e vendeve me të cilat ne ndajmë, dhe me ata me të cilët ndajmë më pak ose aspak pikëpamje për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Misioni ynë është të forcojmë pozitën e Serbisë”, ka shkruar ai në “X”.

  • Policia ndalon një veturë në “Rrugën B” në Prishtinë, gjatë kontrollit gjen drogë

    Policia ndalon një veturë në “Rrugën B” në Prishtinë, gjatë kontrollit gjen drogë

    Mbrëmë në rrugën B, policia ka ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin tre persona ku gjatë kontrolli është konfiskuar një sasi substancë e dyshuar e llojit marihuanë.

    Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi:

    POSEDIM I PAAUTORIZUAR I NARKOTIKËVE

    Rr. B, Prishtinë 06.07.2024 – 22:00. Policia ka ndaluar veturën me targa vendore ku gjendeshin tre persona meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit në veturë është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 15.08 gram . Dy prej tyre janë intervistuar si të dyshuar, ndërsa personi i tretë si dëshmitar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Zv.ministri Durmishi jep lajmin e mirë: Ndërtohet një mbikalim për këmbësorë në Veternik

    Zv.ministri Durmishi jep lajmin e mirë: Ndërtohet një mbikalim për këmbësorë në Veternik

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, sot gjatë ditës ka bërë të ditur se ka përfunduar ndërtimi i mbikalimit për këmbësorë në Veternik.

    Tutje ai ka thënë se ky mbikalim është me konstruksion metalik.

    “Lajm tejet i mirë. Ka përfunduar ndërtimi i (konstruksionit metalik) mbikalimit për këmbësorë në rrugën nacionale N25.2 në Veternik”, ka shkruar Durmishi në “Facebook”, ku ka postuar dhe disa foto.

  • Kurti takon mërgatën në Turqi, e fton që të investojnë në Kosovë

    Kurti takon mërgatën në Turqi, e fton që të investojnë në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Turqi, ka takuar dhe bashkëbiseduar në Izmir pjesëtarë të mërgatës, studentë dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare nga Izmiri, Bursa, Manisa e Stambolli.

    Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti i njoftoi ata me “progresin, zhvillimet në vend” dhe qeverisjen në këto më shumë se tre vjet, “duke veçuar indikatorët ekonomikë që tregojnë rritjen për dyfish të investimeve të huaja dhe eksporteve, rritjen e të hyrave tatimore për 2/3, pa ndërruar politikën fiskale, dhe nivelin e punësimit, sidomos te të rinjtë”.

    “Kryeministri gjithashtu veçoi arsyet se pse Kosova ofron një mjedis të favorshëm për investime, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, besimin në institucionet publike, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating”, thuhet në njoftim.

    Në këtë drejtim, ai u bëri thirrje që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi dhe të investojnë, teksa shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës në Turqi, “sa në ruajtjen e raporteve të mira, aq edhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”.

    Pjesë e këtij takimi ishte edhe Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Cemil Tugay, me të cili Kurti gjithashtu pati një takim gjatë qëndrimit në Izmir.

  • Haxhiu për konkursin e noterëve: Një nga proceset më transparente, s’ka asnjë ndikim të MD-së siç ka ndodhur në të kaluarën

    Haxhiu për konkursin e noterëve: Një nga proceset më transparente, s’ka asnjë ndikim të MD-së siç ka ndodhur në të kaluarën

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për EO se konkursi për noterë është në fazën e përzgjedhjes dhe se ky ka qenë proces transparent, derisa sipas saj në të kaluarën kishte pasur ndërhyrje politike.

    Kreu i MD-së ka thënë se e kupton që ka mungesë të noterëve, mirëpo zotohet se procesi do të përfundojë në afat sa më të shpejtë.

    Haxhiu ka përmendur konkursin e vitit 2019, të cilën e kishte anuluar me ardhjen në krye të këtij dikasteri.

    “Çështja e provimit të noterisë, por edhe faza e përzgjedhjes së noterëve, kanë qenë konsideroj një nga proceset më transparente, për të cilat janë kujdesur që të mos ketë asnjë ndikim as nga brenda Ministrisë së Drejtësisë, qysh ka ndodhur në të kaluarën; më kujtohet në vitin 2019, kur i kishin futur duart nga niveli politik deri te zyrtarë civilë”, ka thënë Haxhiu.

    “Nuk kam vërejtur që ka një përpjekje ose një presion, që mund të më vijë mua, nga noterët aktualë që të mos e kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë që kemi, sepse këtë nuk do ta tolerojmë. Unë e kuptoj që në Kosovë ka shumë pak noterë, mirëpo shumë shpejt iu garantoj që do procedojmë për përgjegjësitë që kemi”, ka thënë kreu i MD-së.

    Ministrja e Drejtësisë ka thënë se ka kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kushtet për pozitën e punës si noterë, ndërsa pjesa tjetër i ka plotësuar kriteret në përputhje me konkursin e hapur.

    “Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, tashmë e ka përfunduar punën që e ka pasur në përgjegjësi, e ka dorëzuar raportin në të cilin theksohet puna që e kanë adresuar gjatë kohës së intervistimit të kandidatëve të cilët kanë aplikuar për t’u licencuar për noterë”, ka thënë Haxhiu.

    “Sigurisht që ne shumë shpejt do të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi, por më lejoni t’ju njoftoj që ky raport përmban atë që disa prej atyre kandidatëve, komisioni rekomandon që nuk i plotësojnë kushtet. Dhe në anën tjetër janë qindra të tjerë të cilët komisioni konsideron që i plotësojnë kushtet, prandaj në përputhje me këtë raport dhe në përputhje me përgjegjësitë e mia si ministre dhe me diskrecionin që kam ne shumë shpejt do të licencojmë noterët në mënyrë që të përmbushim obligim ligjor që kemi”, ka shtuar Haxhiu.

  • PDK e AAK të shqetësuar për akuzat e Qeverisë ndaj Kushtetueses, do t’i drejtohen sërish për projektligje të tjera

    PDK e AAK të shqetësuar për akuzat e Qeverisë ndaj Kushtetueses, do t’i drejtohen sërish për projektligje të tjera

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kritikuar qëndrimin e Qeverise së Kosovës sa i përket deklaratave akuzuese që kanë bërë në adresë të Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit shpalli dy projektligje dhe një vendim të Kuvendit si anti-kushtetues. Deputetë opozitarë, të cilët folën për Ekonomia Online, u shprehen të shqetësuar edhe për shkak se Qeveria nuk po i merr parasysh komentet e as rekomandimet BE-së.

    Gjykata Kushtetuese muajin që lamë pas e shpalli të pavlefshëm projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Ndërsa, në kundërshtim me Kushtetutën është shpallur edhe vendimi i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.

    Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se si opozitë rrugë të vetme për të mbrojtur Kushtetutën kanë dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, sipas tij, qeveri është duke harton ligje që nuk janë në funksion të qytetarëve.

    “Ne nga fillimi në mungesë të votave që kemi pasur si opozitë nuk kemi pasur rrugë tjetër vetëm ta mbrojmë Kushtetutën përmes veprimeve duke dërguar ligjet në Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi parë që çdo herë ka qenë insistimi i Qeverisë aktuale që të bëjë ligje të fushatës dhe jo ligje që i hynë në funksion qytetarëve dhe normal që është dashur të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe kemi parë që edhe Ligji për Byronë por edhe ligjet tjera paraprake siç është Ligji Prokurorial dhe shumë ligje të tjera që janë ardhur në Komision për Legjislacion. Ne i kemi ngritur paraprakisht shqetësimet, ju kemi thënë se nëse me të vërtetë kemi interes për me pas funksion këtë ligj atëherë hajde ta harmonizojmë me Kushtetutën sepse e kemi një përshtypje që këtë ligj po e bëni për popullizëm apo për vota por jo për me shti në funksion andaj kjo po shihet se nuk e ka pasur serioz Qeveria aktuale ligjin sa i përket Byrosë”, ka thënë Beqa.

    Deputeti Beqa, ka shtuar se edhe ligji për KPK do të dërgohet në Kushtetuese, pasi sipas tij ky ligj është më shumë lojë numrash për zgjedhjen e kryeprokurorit se sa të bëjë reforma në drejtësi.

    “Por edhe në ligjin më herët që tani prapë do të shkoj në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli Prokurorial është më shumë lojë numrash qa ta zgjedhin kryeprokurorin se sa të bëjë reformën në drejtësi. Fatkeqësia jonë është që ne po flasim për luftim të korrupsionit por jemi në vitin e katërt të kësaj Qeverie që Kosova nuk ka kryeprokuror, ka vetëm ushtrues të detyrës. Por edhe ligjet e tjera që presin fatin e njëjtë si të ligjit të Byrosë, që do të shkojë nga kjo javë në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria është e paaftë që të hartojë ligje në harmonizim me Kushtetutën atëherë gjen arsyetim dhe alibi për t’i përdorur në fushatë, por e them edhe një herë se Mistria e Drejtësisë nuk ka qenë edhe një herë e sinqertë sa i përket këtij ligji edhe as kryeministri”, ka thënë ai.

    Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, ka thënë se qeveria është duke tentuar që edhe ligjet që miraton të i vë në funksion të politikave të tyre.

    Ajo ka thënë se nuk ka ndodhur në historinë e jetës politike në Kosovë që qeveritë të akuzojnë Gjykatën Kushtetuese për vendimet që merr.

    “Po dëshirojnë që edhe ligjet me i vu në funksion të politikave të tyre, politikat e Lëvizjes Vetëvendosjes sepse ne përplot këto ligje para se me kaluar, i kemi dhënë vërejtje dhe kemi thënë që këto ligje janë antikushtetuese dhe që nëse kalojnë do t’i dërgojmë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ashtu ka vepruar opozita në fakt dhe është parë që opozita e kishte me të drejtë sepse ato ligje e kthyen prapë nga Gjykata Kushtetuese duke u konsideruar se janë antikushtetuese dhe shifni tash vrapimet e kësaj qeveri duke e akuzuar edhe Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka ndodh në historinë parlamentarizmit ose në jetën politike në Kosovë që në partitë politike me sulmuar edhe me atakuar edhe vendimet e gjykatës që është institucioni më i lartë kushtetuese dhe ligjor”, ka thënë ajo.

    Kadrijaj ka thënë se përkundër vërejtjeve që janë duke ju dhënë BE-ja, pushteti nuk është duke i marr parasysh ato dhe është duke proceduar ligje që janë antikushtetuese.

    Ajo ka thënë se edhe projektligjet për KPK, KPM dhe për Zyrtarët Publik, do të dërgohen për interpretim në Kushtetuese.

    “Po i shihni përkundër vërejtjeve edhe të gazetarëve por edhe të këshillave të zyrave të Këshillit Evropian që i ka dhënë në Kosovë pra po proceduar ligje që janë antikushtetuese. Po dihet paraprakisht që nuk janë në frymën evropiane sepse ne në Komisionin për Integrime Evropian në secilin projektligj kalon dhe ne e analizojmë se a është në përputhje dhe në ligjin e Bashkimit Evropian. Këta përkundër vërejtjeve dhe sugjerimeve prapë po i kalojnë këto ligje dhe normal që edhe këto ligje do të shkojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Këta tash le ta akuzojnë opozitën dhe gjykatën si pengesë në reformat sipas modelit të Lëvizjes Vetëvendosjes, sepse këta ende mendojnë që janë mbi pushtetin, ligjet, mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke u sjellë me arrogancën e numrave”, ka thënë ajo për EO.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për ta arrestuar Faton Hajrizin

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për ta arrestuar Faton Hajrizin

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe mediave për ta gjetur dhe arrestuar Faton Hajrizin, i cili është raportuar se është arratisur nga burgu i Smrekovnicës.

    “Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që për çdo informatë që ndërlidhet me personin në kërkim apo vendndodhjen e tije, të lajmëroj Policinë e Kosovës .

    Informatat për personin në kërkim, mund të dërgoni në Stacionin Policor me të afërt, përmes telefonit apo edhe përmes aplikacionit ,,Lajmëro Policinë””, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas njoftimit të SHKK-së, i arratisuri është larguar nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë pasi kishte shfrytëzuar “të drejtën e vikendit”.

    Për largimin e tij nga institucioni është përgatitur letërrreshtimi dhe është njoftuar edhe policia.

    “Lidhur me rastin, deri në përfundim të hetimeve, është suspenduar oficeri i dhomës së vëzhgimit, F.R dhe oficeri i krahut, N.A”. – njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës.

  • Suhareka në pritje të stadiumit me standarde evropiane

    Suhareka në pritje të stadiumit me standarde evropiane

    PËRGATITI: ARTON HAMITI   

    Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku premtimin për ndërtimin e stadiumit me standarde evropiane në Suharekë, para deputetëve e kishte dhënë në shtator të vitit të kaluar.  

    Por, dhjetë muaj pas ende nuk është përzgjedhur projekti final stadiumit, ani pse konkursi për zhvillimin e projektit ideor ishte hapur në prill të këtij viti.

    MKRS-ja nuk dha detaje, por, tha se aktualisht është duke u zhvilluar faza e përzgjedhjes së projektit, përçka kanë aplikuar katër operatorë ekonomikë.

    Sidoqoftë, kurdo që përzgjidhet projekti, Komuna e Suharekës është gati.

    “Kohëve të fundit me keni parë se kam qenë i zëshëm dhe kam kërkuar stadium me standarde evropiane sepse ne e kemi ndarë një lokacion 15 hektar për fusha sportive që është i paraparë me harta zonale, pra me letra jemi në rregull.”, tha kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. 

    Kryetari Bali Muharremaj, pret që puna në ndërtimin e stadiumit që e konsideroi shumë të nevojshëm, të fillojë sa më parë.  

    “Ka qenë një komision qeveritar këtu në zyre para dy muajve kemi biseduar dhe nga ajo që di është duke u bërë projekti dhe me ndërtimin e tij ne do të kemi lehtësira. Momentalisht ai që e fiton projektin besoj që ministri do te marrë masa dhe te fillojë sepse me të vërtetë kemi nevojë.”, shtoi Muharremaj.

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 100 mijë euro për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit të Suharekës. Sipas projektbuxhetit për vitin 2024, këto mjete, janë dedikuar për hartimin e projektit. Ndërkohë, sa do të kushtojë ndërtimi i stadiumit nuk dihet akoma.

    Ditë më parë, ATV-ja raportoi se Komuna e Suharekës përballet edhe me një problematikë, meqë tashmë Klubi i Suharekës që garon për herë të parë në Superligë ka bërë kërkesë për qasje të plotë  në stadiumin e qytetit të cilin komuna i kishte dhënë në shfrytëzim Ballkanit për 10 vjet.

    Në mungesë të një stadiumi të përmasave evropiane, Klubi i Futbollit, “Ballkani” ndeshjet ndërkombëtare nuk mundi t’i zhvilloi në shtëpi./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://youtu.be/gw1qJ_hNvKo?si=jr2x4Ek7aIlP33v-