ATV

Category: Lajme

  • “E ka marrë armën dhe e ka drejtu në drejtim të kokës…”, dosja e prokurorisë ndaj policit të dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit

    “E ka marrë armën dhe e ka drejtu në drejtim të kokës…”, dosja e prokurorisë ndaj policit të dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit

    Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor Fatjon Hoti, nën dyshimin për “Vrasje të rëndë në tentativë” të familjarit të tij 16-vjeçar.

    Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Inspektorati Policor i Kosovës ka parashtruar kallëzim penal më 16 korrik 2024 kundër Fatjon Hotit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje”, e mbetur në tentativë.

    Në Dosje thuhet se pas analizimit të kallëzimit penal në fjalë dhe shkresave të bashkëngjitura, Prokuroria ka ardhur në përfundim se në veprimet e të pandehurit në fjalë formohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, pasi që ka të bëjë me viktimën e mitur të moshës 16-vjeçare.

    Në kërkesë thuhet se sipas raportit të oficerit, të datës 16 korrik, rezulton se më 15 korrik rreth orës 23:35 kanë pranuar informatën se polici i gjeneratës së fundit Fatjon Hoti, me armë zjarri ka plagosur një person në shtëpinë e vet, e më pas policia kanë shkuar në vendngjarje dhe janë ndërmarrë veprimet.

    Më tej, thuhet se sipas procesverbalit të marrjes në pyetje për dëshmitarin (i mitur) në Polici, ai në prezencë të përfaqësuesit ligjor ka deklaruar se “…unë e pashë armën e Fatjonit që e ka të punës duke e mbajt në dorë G,. Unë sa e kom pa G., asnjëherë nuk e ka raportirat por e ka nxjerrë karikatorin dhe ka fillu mi hek plumbat prej tij, plumbat G., i gjuajke në kauq, më duket se i ka hjek të gjitha plumbat prej karikatorit, pas kësaj e ka marrë Fatjoni armën dhe ka raportirat dhe e ka drejtu në drejtim të kokës së G., dhe kam dëgjuar që ka kërsit arma, unë nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë që e ka dhënë Fatjoni”.

    Aty thuhet se dëshmitari ka deklaruar se distanca mes të dyshuarit dhe viktimës ka qenë afërsisht 2 metra.

    Gjithnjë sipas kërkesës, i dyshuari është ekzaminuar dhe është konstatuar se gjendja e përgjithshme shëndetësore e tij është e mirë.

    Andaj, sipas Prokurorisë, nëse i dyshuari mbrohet në liri mund të ndikojë në dëshmitarë dhe të ndikojë në sigurimin e provave materiale të cilat priten të sigurohen në fazat e mëtutjeshme të procedurës penale.

    Gjithashtu, Prokuroria thekson se kërkesa për paraburgim bëhet edhe duke marrë parasysh peshën, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, më pastaj se i dyshuari Fatjon Hoti, duke qenë polic i gjeneratës së 59-të, i njëjti ishte në uniformë zyrtare, armë dhe pajisje për të filluar orarin e punës, kishte shtënë me armë ndaj të miturit në prezencën e vëllait të tij dhe vëllait të tani viktimës në dhomën e gjumit të të pandehurit, e që me gjetjen e tij në liri apo ndonjë masë tjetër të butë, ekziston rreziku se mund të përserisë veprën penalë të njëjtë apo të ngjashme.

    Prokuroria ka ardhë në përfundim se masat e tjera për sigurinë e të pandehurit në procedure nuk janë të mjaftueshme. /BetimipërDrejtësi

  • Ministri Aliu për dënimin e Pjetër Shalës: Edhe një tjetër padrejtësi e madhe e radhës ndaj kombit tonë

    Ministri Aliu për dënimin e Pjetër Shalës: Edhe një tjetër padrejtësi e madhe e radhës ndaj kombit tonë

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka reaguar pasi Pjetër Shala u dënua më 18 vjet burgim dje nga Gjykata Speciale.

    Për këtë dënim Aliu ka thënë se është “një tjetër padrejtësi e madhe e radhës ndaj gjithë kombit tonë”.

    Ai ka thënë se dënimi i Shalës është “i rëndë e i pamerituar”.

    “Edhe një tjetër padrejtësi e madhe e rradhës ndaj gjithë kombit tonë, dënimi i rëndë e i pamerituar ndaj Pjetër Shalës.”

    Aliu ka thënë se qëndrojnë gjithnjë në mbrojtje të luftës çlirimtare të UÇK-së.

    “Ashtu siç ishim kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend atëherë, dhe sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim plotësisht të drejtë. Qëndrojmë gjithnjë në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Lavdi luftës së pastër së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”

  • Serwer: Qëllimi i dialogut është gjetja e zgjidhjes së përhershme, por Kosova e Serbia ende s’janë gati

    Serwer: Qëllimi i dialogut është gjetja e zgjidhjes së përhershme, por Kosova e Serbia ende s’janë gati

    Daniel Serwer, profesor amerikan në universitetin Johns Hopkins, ka folur për dinamikën e zhvillimeve politike që lidhen mes Kosovës dhe Serbisë.

    Serwr duke komentuar dinamikën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tha se orientimi në tij do të duhej të ishte drejt çështjeve më praktike.

    “Ka shumë çështje praktike që duhet të gjinden zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë. Besoj që dialogu teknik, ai që ishte para vitit 2013 ishte qartësisht shumë më i suksesshëm se sa dialogu politik që ka zënë vend që prej atëherë”.

    “Pra nuk besoj që duhet të kufizohemi tek çështjet teknike apo ekonomike, por që ka çështje të shumta praktike që edhe ato do të ishin teknike e ekonomike që do të mund të gjenin zgjidhje”, tha Serwer.

    Ai theksoi se është shumë e qartë që Serbia dhe Kosova nuk janë të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve.

    “Mendoj që është krejt e qartë që as autoritetet e Serbisë e as autoritetet e Kosovës nuk janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve. Qëllimi i dialogut do të duhej të ishte një zgjidhje e përhershme ligjore mes Kosovës dhe Serbisë. Por që është e qartë se ende nuk jemi të gatshëm për një gjë të tillë”.

  • Gjykatësi në pushim mjekësor, anulohet seanca në rastin “Stenta 3”

    Gjykatësi në pushim mjekësor, anulohet seanca në rastin “Stenta 3”

    Për shkak se kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi gjendet në pushim mjekësor, është anuluar seanca e së mërkurës në rastin e njohur si “Stenta 3”.

    Në këtë rast, të akuzuar janë Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina, si dhe tre persona juridik, përkatësisht spitalet private “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”.

    Lajmi për anulimin e seancës, është bërë i ditur nga zyra e gjykatësit, ku u tha se palët ishin njoftuar me kohë për anulimin e seancës.

    Seanca e radhës pritet të mbahet sipas orarit të paraparë.

    Ndryshe, seanca e datës 16 prill 2024 ishte anuluar për shkak se Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar më shumë kohë që të përmbush obligimin e marrë nga seanca e 26 marsit 2024 lidhur me precizmin e dëshmitarëve.

    Ndryshe, në seancën e mbajtur më 24 mars 2022, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj kishte kërkuar nga KGJK që të shkarkohet nga ky rast. Kuka-Mekaj kishte thënë se kjo kërkesë kishte ardhur për shkak që i ishin vështirësuar rrethanat që të jetë gjyqtare e kësaj çështje dhe se e njëjta është e angazhuar në Pejë, me lëndë të natyrave të ndryshme.

    Ndaj të akuzuarve rëndojnë akuzat që kanë të bëjnë me veprat penale, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

    Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019.

    Të akuzuarit Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.

    Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet se nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe me mjekët (të akuzuarit në rastin “Stenta 2”), ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.

    Ndërsa, për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet, ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.

    Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.

    Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

    Me këtë rast, sipas Prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

    Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna akuzohen se në periudhën nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin kanë ushtruar në mënyrë të kundërligjshme veprimet mjekësore në atë mënyrë që duke punuar në spitalin “Intermed”, kohë pas kohe i palicensuar, dhe duke vepruar edhe vetë kohë pas kohe si mjek të palicensuar, kanë trajtuar pacientë, me ç’rast edhe kanë përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

    Me këtë rast, sipas Prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor. Kurse, spitalet private “IMH”, “Intermed”, po akuzohen për dhënie ryshfeti dhe trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Për dhënie ryshfeti po akuzohet edhe spitali privat “Doktor”. Që të tri këto spitale akuzohen edhe për veprën penale “shmangia nga tatimi”.

    Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani dhe ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 45 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar të mbajtur në shkurt të 2018-ës.

    Këto raste tashmë njihen si “Stenta 1”, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”.

    Agani dhe Shabani, më 1 gusht 2022 ishin liruar nga akuza, e këtë vendim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit. Kurse, më 20 shtator 2023 ishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 36 të akuzuarve në rastin e njohur si “Stenta 2”.

    Prokurori i Shtetit më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh-së, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

    Në ndërkohë, Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

    Në këtë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

    Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

    Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi

  • Fushat dhe malet e Suharekës përfshihen nga zjarri

    Fushat dhe malet e Suharekës përfshihen nga zjarri

    Ka ditë që autoritetet kanë bërë thirrje që të ketë kujdes në ndezjen e zjarreve apo edhe hedhjen e gjërave të rrezikshme – shkaku i motit të nxehtë.

    Nuk dihet nëse për shkak të kësaj të fundit, apo për arsye të tjera, kanë marrë flakë edhe fushat dhe malet e Suharekës.

    Lajmin e ka bërë të ditur Organizata Vullnetare Zjarrfikësit dhe Shpëtimit.

    “Suhareka përfshihet nga zjarre të mëdha Malore-Fushore”, thuhet në njoftimin e tyre.

  • Mbi 60 palestinezë të vrarë nga sulmet e djeshme të Izraelit në Gazë

    Mbi 60 palestinezë të vrarë nga sulmet e djeshme të Izraelit në Gazë

    Sulmet ajrore izraelite vranë më shumë se 60 palestinezë në Gazën jugore dhe qendrore gjatë ditë së djeshme dhe natës së shkuar, raportojnë agjencitë e lajmeve.

    Njëri prej sulmeve goditi një “zonë të sigurt”, të shpallur nga Izraeli, e cila ishte e mbushur me mijëra njerëz të zhvendosur.

    Duke iu referuar mesa duket këtij sulmi, ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër një komandant në njësinë detare të grupit militant, Xhihadi Islamik, në perëndim të qytetit Kan Jonis.

    Ajo tha se është duke i analizuar raportet për vrasjen e civilëve.

    Zyrtarët në Spitalin Naser të Kan Jonisit thanë se së paku 17 persona janë vrarë vetëm në këtë sulm.

    Ushtria izraelite kreu disa sulme vdekjeprurëse në ditët e fundit në Gazë, përfshirë një më 13 korrik në kampin e refugjatëve, Al Mavasi, ku u vranë më shumë se 90 njerëz.

    Lufta në Gazë nisi tetorin e kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

    Në përgjigje, Izraeli nisi një fushatë intensive sulmesh në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, e cila vazhdon ende.

    Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz u vranë prej se nisi lufta.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha këtë javë se numri i viktimave në Gazë “është në mënyrë të papranushme i lartë”.

    Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, përfshirë ata nga Egjipti dhe Katari, janë duke punuar për të bindur Izraelin dhe Hamasin për një marrëveshje, që do t’i ndalonte luftimet dhe do t’i lironte rreth 120 pengje që mbahen ende nga grupi militant në Gazë.

  • IKShPK-ja jep këshilla për pushuesit që shkojnë në deti

    IKShPK-ja jep këshilla për pushuesit që shkojnë në deti

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka dhënë këshilla për pushuesit që gjatë këtyre temperaturave vendosin të shkojnë në deti. Sipas IKSHPK-së, pushimet ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme.

    IKSHPK ka këshilluar që të përdoret kremi mbrojtës, të pihet më shumë ujë, të mbahen syzet e diellit dhe të mbahet kapela.

    Njoftimi i plotë:

    Pushimet ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme. Pavarësisht nga mosha apo aftësitë fizike, çdo pushues duhet të ketë mundësinë të shijojë kohën e tij pa shqetësime për rreziqet e mundshme.

    Pushimet në det janë një mundësi e mirë për t’u relaksuar dhe për të kaluar kohë të mirë me familjen dhe miqtë, por që ato të jenë sa më të rehatshme dhe të sigurta për të gjithë, ndiqni këshillat si në vijim:

    •Përdorni krem mbrojtës nga dielli! 🧴☀️– Mbrohuni lëkurën tuaj nga rrezet e dëmshme të diellit.

    •Pini sa më shumë ujë! 💧– Qëndroni të hidratuar gjatë gjithë ditës.

    •Mbani syze dielli! 🕶️– Mbroni sytë tuaj nga rrezet ultra violet.

    •Shmangni notin vetëm! 🏊‍♂️ – Gjithmonë notoni me një mik ose nën mbikëqyrje.

    •Kontrolloni kushtet e detit! 🌊⚠️ – Respektoni sinjalet dhe paralajmërimet e plazhit.

    •Mos harroni kapelën tuaj! 🧢– Mbroni kokën dhe fytyrën nga dielli.

    Pushime të mbara!

  • E mitura në Obiliq ngelet shtatzënë nga bashkëjetesa me një burrë, i dyshuari arrestohet për dhunim

    E mitura në Obiliq ngelet shtatzënë nga bashkëjetesa me një burrë, i dyshuari arrestohet për dhunim

    Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Ka pasur shumë raste kur si pasojë e dhunimit, viktimat që kryesisht janë të mitura kanë mbetur edhe shtatzënë. Në raste të tilla, të dyshuarit shpesh dalin të jenë persona me të cilët ato krijojnë raporte të afërta, raporton Gazeta Sinjali.

    Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Obiliq dhe është zbuluar pasi një e mitur është dërguar në QKUK dhe është konfirmuar shtatzënia e saj.

    Mësohet se viktima është një vajzë 15-vjeçare, kurse i dyshuari është 15-vjeçar, me të cilin kanë qenë në lidhje qe një kohë.

    Burimet thonë se i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale me 15-vjeçaren dhe si rezultat e njëjta ka mbetur shtatzënë.

    Pasi u dërgua në Gjinekologji për trajtim, Policia është vënë në dijeni për rastin.

    I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

    Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tij është iniciuar hetimi për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Seanca e sotme është njoftuar të nisë në ora 09:00, teksa është seanca e parafundit e këtij sesioni, përpara se trupi gjykues të shkojë në pushim veror.

    Edhe sot, trupi gjykues pritet të vazhdojë me paraqitjen e dëshmive dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

    Gjatë ditës së djeshme, po i njëjti trup gjykues e shpalli aktgjykimin ndaj Pjetër Shalës, të cilin e dënoi me 18 vjet burgim.

    Shala u shpall fajtor për tri akuzat që u ngritën ndaj tij: paraburgim arbitrar, tortura dhe vrasje.

    Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet:

    Krimet e z. Shala u kryen rreth 17 maj 1999 dhe 5 qershor 1999 kundër personave të ndaluar në Fabrikën e Metaleve në Kukёs, Shqipëri.

    Në aktgjykimin e tij, Trupi Gjykues vendosi se së paku 18 persona u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe degraduese dhe iu nënshtruan abuzimit psikologjik dhe fizik, dhe një viktimë u vra.

    Ndër provat e pranuara gjatë gjykimit ishin deklaratat në të cilat z. Shala pranoi praninë e tij në Kombinatin e Metalit të Kukësit në periudhën e aktakuzës dhe keqtrajtimin e të arrestuarve.

  • Rritet numri i evropianëve që po vdesin nga alkooli i tepërt

    Rritet numri i evropianëve që po vdesin nga alkooli i tepërt

    Hulumtimi i fundit i kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregon se në vitin 2019 ka pasur 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin.

    Shumica e vdekjeve janë regjistruar në Evropë.

    Siç thekson më tej OBSH, njerëzit kanë më shumë gjasa të vdesin nga problemet e lidhura me alkoolin në Evropë se kudo tjetër në botë.

    Në të dhënat globale, ka pasur 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin në vitin 2019, që është një rënie prej 2.5 për qind në krahasim me vitin 2010, por është ende “e papranueshme e lartë”, thotë Vladimir Poznijak, i cili drejton Departamentin për Alkoolin, Drogën dhe Varësinë Departamenti i Shëndetit Mendor dhe Substancave të OBSH-së.

    Rajoni evropian kishte shkallën më të lartë të vdekjeve nga alkooli – 52.9 për qind për 100,000 banorë, si dhe shkallën më të lartë të çrregullimeve të lidhura me alkoolin në botë.

    Shkalla e çrregullimeve të përdorimit të alkoolit u ul gjithashtu në Amerikën dhe vendet e Paqësorit Perëndimor, ndërsa u rrit në rajonet e Afrikës, Mesdheut Lindor dhe Azisë Juglindore.

    Përdorimi i drogës dhe varësia janë gjithashtu sfida të mëdha shëndetësore globale.

    Në vitin 2019, pothuajse 600,000 njerëz vdiqën si rezultat i përdorimit të drogave psikoaktive, sipas raportit. Çrregullimet e përdorimit të substancave janë të lidhura ngushtë me kushtet e shëndetit mendor dhe mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve jo të transmetueshme, infeksioneve të lidhura me injeksione dhe vdekjeve aksidentale.

    Qasja në trajtim për problemet e përdorimit të substancave mbetet një pengesë kryesore në pjesën më të madhe të botës, sipas një raporti të OBSH-së. Në të gjitha vendet e përfshira në hulumtim, aplikimi i trajtimit varion nga më pak se një për qind në 35 për qind.