ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit për sot, temperaturat arrijnë deri në 38 gradë Celsius

    Parashikimi i motit për sot, temperaturat arrijnë deri në 38 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se moti sot në vendin tonë do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Vranësirat parashihen kryesisht gjatë relievit malor.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 35-38 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

  • Drejtori i AKI-së raporton sot në komisionin mbikëqyrës

    Drejtori i AKI-së raporton sot në komisionin mbikëqyrës

    Sot me fillim në ora 09:00 do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

    Në këtë mbledhje do të raportojë drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

    Raportimi i tij vjen pas shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e institucioneve për situatën e sigurisë.

  • 18 vjet burg për Pjetër Shalën

    18 vjet burg për Pjetër Shalën

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Tri vjet pas arrestimit, Pjetër Shala dëgjoi aktgjykimin e trupit gjykues të Dhomave të Specializuara.

    Vendimi për ish-pjesëtarin e UÇK-së doli të jetë dënues, meqë ai u shpall fajtor për tri nga katër pikat e aktakuzës, përfshirë atë për vrasje.

    “Ju shpall fajtor për veprat penale në vijim: ndalim arbitrar si krim lufte… si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën e saj bazë. Për pikën 3 të aktakuzës për torturë si krim lufte, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën bazë të saj dhe pika 4 – vrasje e paligjshme si krim lufte, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën bazë të saj”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

    “Keni ndaluar 18 persona duke i rrahur me shkopinj gome, njëri nga ta ka vdekur pasi ishte plagosur me armë zjarri”, tha më tej Veldt-Foglia.

    Për këto krime, që sipas aktakuzës u kryen mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999, Shala u dënua me katër dekada burgim, por trupi gjykues shpalli vendim unik, duke ia përgjysmuar kohën e qëndrimit prapa grilave.

    “Për pikën 1 të akuzës, Shala u dënua me 6 vjet burgim, me 16 vjet burgim për pikën tre dhe 18 për pikën 4. Andaj, ndaj tij u shpall dënim unik me 18 vjet burgim. Në dënimin me burgim, Shalës do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, tha Veldt-Foglia.

    Me këtë rast, Shala pati diçka për të thënë, por, sipas kryetares, nuk ishte momenti.

    Pjetër Shala ishte arrestuar në vitin 2021 në Belgjikë, si i dyshuar për krime lufte. Ndaj tij gjykimi filloi në fillim të vitit 2023 dhe u dëgjuan gjithsej 12 dëshmitarë.

  • Lansohet dritarja për investime të diasporës

    Lansohet dritarja për investime të diasporës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Shteti synon t’ua lehtësojë mërgimtarëve biznesmenë investimin në Kosovë.

    “Dritarja për Investime të Diasporës”, që u lansua të martën, do t’u mundësojë ndërmarrësve mërgimtarë, marrjen e kredive në bankat vendore, për të investuar në atdhe.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se me funksionalizimin e projektit financiar, investitorët mërgimtarë do të kenë garanci në përfitimin e kredive.

    “Kur kanë ardhur këtu dhe kanë tentuar të qasen në financa në një bankë lokale, problematika ka qenë se si biznes i diasporës nuk kanë pasur historik kreditor në Kosovë, dhe janë trajtuar si biznese start up-e, pa historik… Ideja ka qenë që të krijohet një instrument, një dritare e re, përmes së cilës Fondi për Garanci Kreditore, me kapital shtesë edhe nga Qeveria të mundësojë garantimin e këtyre kredive”, tha Murati.

    Nisma inovative parasheh krijimin e një fondi kreditimi deri në 100 milionë euro.

    Deri në tre milionë euro kredi, është vlera për të cilën investitorët do të mund të aplikojnë. Pjesëmarrja e tyre në kapital, do të duhet të jetë së paku 20% e vlerës.

    Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të japë garanci kreditore deri në dy milionë euro, nëse investitori i përmbush kriteret.

    Kryeministri Albin Kurti thekson se “Dritarja për Investime të Diasporës”, do ta orientojë potencialin e mërgimtarëve në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në një linjë më direkte.

    “Po krijojmë mundësi që ta shndërrojmë mërgatën tonë nga investitorë pasivë, në instrumente financiare dhe tërthorazi të mbështetet zhvillimi i vendit, në investitorë aktivë që investojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Kurti.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia shtrin Kosovës dorën e mbështetjes edhe në këtë projekt.

    Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka ndihmuar në themelimin e kësaj dritare të re investuese përmes mbështetjes financiare dhe teknike nga USAID, sepse ne e kuptojmë atë që kryeministri Kurti tha: mundësinë e radhë që bizneset nga diaspora prezantojnë”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Mërgata e Kosovës, ndër vite ka investuar kryesisht në sektorin e patundshmërisë.

  • Gjykimi për rastin Toka shtyhet në shtator, rrezikon të stërzgjatet

    Gjykimi për rastin Toka shtyhet në shtator, rrezikon të stërzgjatet

    Përgatiti: Nora Luta

    Për të dytën ditë me radhë ka dështuar të mbahet seanca në rastin “Toka”.

    Këtë herë shkak u bë mungesa e Shaban Sylës, i cili një ditë më parë erdhi pa avokat.

    E kur mendohej se rasti do të merrte epilog brenda këtij muaji, pasi ishte planifikuar fjala përfundimtare, ai rrezikon të kthehet nga fillimi.

    Mospajtimet mes mbrojtjes për një datë të re gjatë korrikut, bëri që gjykata të caktojë seancën në shtator, ndonëse vetë kryetari i trupit gjykues tha që rasti rrezikon të stërzgjatet.

    Edhe herën e fundit kur gjykimi ishte gati të përfundojë, nisi nga fillimi kur kryetari i trupit gjykues, në atë kohë Beqir Kalludra, u avancua në Apel.

    E më pas seancat nuk ishin caktuar pas një periudhe të gjatë.

    Për rastin që u përcoll me zvarritje, aktakuza u ngrit në vitin 2016 nga prokurorë të EULEX-it.

    Mungesa e palëve gjatë seancave, e deri te ankesat e avokatëve për shkresat e lëndës, e karakterizuan rastin, i cili nga viti 2022 po gjykohet nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Arben Hoti, dhe anëtarët Mentor Bajraktari e Lutfi Shala.

    Shoqëria civile përmend disa nga mekanizmat, që, sipas saj, gjykata mund t’i shfrytëzojë për ta shmangur zvarritjen.

    Sipas GLPS-së, dështimi për të sjellë një epilog në rastet e profilit të lartë të korrupsionit, ka efekt negativ në sistemin gjyqësor.

    Azem Syla, dhe të tjerët, po gjykohen ndër të tjera për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, e legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar.

    Sipas aktakuzës, ata përvetësuan prona shtetërore te personat fizikë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 30 milionë euro.

    Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, rasti është ndarë në dy procese.

  • Regjistrimi i popullsisë ndryshon të hyrat e komunave nga granti i përgjithshëm

    Regjistrimi i popullsisë ndryshon të hyrat e komunave nga granti i përgjithshëm

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Rreth 2 milionë euro më pak do të marrë vitin e ardhshëm komuna e Prizrenit nga granti qeveritar nga 33 milionë sa mori deri më tani.

    Kjo komunë ndonëse u renditë e dyta, në të dhënat preliminare të procesit të regjistrimit të popullsisë, pati rënie të dukshme të numrit të banorëve.

    Në Prizren tani jetojnë mbi 147 mijë banorë, teksa në vitin 2011 ky qytet kishte 178 mijë banorë.

    Veç Prizrenit edhe 19 komuna të tjera parashikohet se do të përfitojnë miliona euro më pak nga Qeveria, pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Sipas instituti GAP, nga buxheti vjetor i komunave që ndahet në bazë të numrit të banorëve, 13 komuna të tjera do të marrin miliona euro më shumë.

    “Prishtina është komuna që do të marrë më së shumti para, fuqinë më të madhe komunat e kanë prej granateve dhe të hyrave vetjake dhe në momentin që zvogëlohet normal që reflekton…”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Vlerësohet se komunat u dëmtuan vitet e fundit, shkaku i statistikave të pasakta lidhur me numrin e banorëve.

    “Shërbimet që iu ofrohen qytetarëve, u ofrohen për kokë banori dhe natyrisht kjo i shkakton dëme, sepse mungesa e buxhetit natyrisht shkakton pengesa edhe në zbatimin e politikave lokale që i kanë komunat…”, tha Kenan Gashi nga Avonet.

    Andaj ndarja e granteve në mënyrë të saktë, duke u bazuar në numër të banorëve po konsiderohet shumë e rëndësishme.

    “Teknikisht ka mundësi të bëhet që grantet të realizohen vitin e ardhshëm, por gjasat ekzistojnë se ky aplikim të bëhet edhe në 2026, por nuk ka mundësi të shtyhet sepse komunat dëmtohen…”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Mbi 40% e buxhetit vjetor të komunave vjen nga granti i përgjithshëm, derisa 89 përqind e këtij buxheti ndahet bazuar nga numri i popullsisë së komunës.

  • 1 milion euro import i rrymës për çdo ditë

    1 milion euro import i rrymës për çdo ditë

    Përgatiti: Haris Ademi

    Temperaturat e larta të ditëve të fundit, e kanë rritur konsumin e energjisë elektrike në Kosovë për 13%.

    Meqë blloku B1 është në remont vjetor, KESCO-ja thotë se prodhimi vendor nuk po e mbulon kërkesën, prandaj është dashur import i rrymës, në shifra milionëshe.

    “Konsumatorët po i përdorin kondicionerët për ftohje të ambientit. Për çdo ditë jemi duke importuar nga 1 milion euro”, tha zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.

    Sipas njohësit të sektorit, Lulzim Syla, janë disa faktorë pse gjatë verës rritet konsumi i rrymës.

    “Rritet konsumi gjatë verës shkaku i sezonit turistik në gjithë regjionin, prandaj është rritë çmimi. Rritja shtesë e konsumit të energjisë vjen si rezultat i ardhjes së diasporës”, tha Syla.

    Kohë pas kohe, KESCO-ja thotë se blen rrymë edhe në bursën shqiptare të energjisë “ALPEX”. Megjithatë, në disa raste, çmimet këtu janë më të larta se në bursat e tjera rajonale. Për shembull, më 15 korrik, çmimi më i lartë në ALPEX ishte 843 euro në orën 22, ndërsa në bursën hungareze “HUPX”, 700 euro në orën 21.

    Por ka raste kur çmimi në bursën shqiptare është më i lirë.

    Megjithatë, kjo situatë, sipas njohësit Azmer Duleviç, nuk alarmon për krizë gjatë dimrit.

    “Shkëmbimin e energjisë elektrike, kur ka nevojë Kosova, do ta marrë nga Shqipëria dhe anasjelltas. Kjo marrëveshje siguron stabilitet energjetik, për sigurim me energji elektrike”, tha Duleviç.

    Tregtia mes Kosovës dhe Shqipërisë në bursën ALPEX nisi më 31 janar të këtij viti.

  • Aktivistë të AAK së kritikojnë koalicionin

    Aktivistë të AAK së kritikojnë koalicionin

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Aktivistë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë që iu bashkua pushtetit për qeverisje në kryeqytet të hënën, po e kritikojnë mënyrën e koalicionit mes AAK-së dhe LDK-së.

    Visar Dili nga dega e AAK-së në Prishtinë, thotë se anëtarët e partisë nuk ishin të njoftuar për lëvizjet që po bëheshin për koalicion, pasi për këtë marrëveshje u dakorduan vetëm kryetarët e të dy partive.

    “Asnjë njoftim zyrtar, të gjitha i kanë bërë vetëm biseda mesnate, të nesërmen veçse u dha lajmi, ne si anëtarë aty besoj që duhet të kemi drejt përfshirjen…”, tha Dili.

    Derisa nuk pret ndonjë rezultat, Dili thotë se AAK-ja do të njolloset nga mospuna e LDK-së, gjatë 3 vjetëve qeverisje në Prishtinë.

    “Krejt çka ka mu përfitua kanë me na thanë edhe ju jeni kanë qaty, edhe ju keni bo kështu, kanë me na u ngjitë të gjitha ato tiparet negative, pavarësisht që koalicioni u bë vonë…”, tha Dili.

    Por nga komuna e Prishtinës shprehen optimist se kjo lidhje do të ndikojë pozitivisht në votimin e projekteve që kanë mbetur pezull në mungesë të votave.
    Nga 17 sa kishte më parë, tash LDK-ja ka edhe 5 anëtarë më shumë nga AAK-ja.

    “Po prapë ne jemi duke u mundu me ju tregu që ka shumë projekte të rëndësishme për qytetarët që nuk kanë kalua, e kemi planin zhvillimor të kryeqytetit…”, tha Dili.

    Pavarësisht kësaj, partia në pushtet ende nuk e ka arritur përkrahjen e shumicës së asamblistëve.

    Kështu opozita ka 7 anëtarë më shumë se LDK-ja.

    Aktualisht, 4 ndërmarrjet publike, “Trafiku Urban”, “Pastrimi”, “Gjelbër” dhe “Ndërmarrja Publike Banesore” udhëhiqen nga kryeshefa të cilët i përkasin PDK-së, partisë që dha dorëheqje nga koalicioni me LDK-në, në shkurt të këtij viti.

    Për këtë pjesë, Lushaku tha se të paktën deri në këtë fazë s’ka diçka konkrete, nëse do të bëhet emërimi i të tjerëve.

  • Temperaturat e larta, komuna e Suharekës me vetëm dy zjarrfikës në ndërrim

    Temperaturat e larta, komuna e Suharekës me vetëm dy zjarrfikës në ndërrim

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Zjarri në këtë zonë perëndimore të Suharekës u shua në mëngjesin e së martës, falë intervenimit të zjarrfikëseve.

    Në fakt, zjarri te “Malet e Cerit” që njihet ndryshe, në trekëndëshin Rahovec – Suharekë – Malishevë, ishte më seriozi me të cilin u përballën zjarrfikësit.

    “Aty ekipi ynë i zjarrfikësve u përball prej dje gjer më sot në mëngjes, që kemi arritur ta shuajmë. Aty ka qenë zjarri më seriozi me të cilën jemi sfiduar kohëve të fundit. Por duhet theksuar se siç duket qytetarët janë vetëdijesuar dhe më nuk ka zjarre aq të mëdha, duke marrë parasysh temperaturat e larta”, tha komandanti i Njësisë Shpëtuese dhe Zjarrfikëse, Vehbi Krasniqi.

    Por, zjarrfikësit suharekas nuk dihet sa do t’ia dalin nëse komuna përballet me një situatë kritike sikurse para 3 vjetëve kur në të njëjtën kohë ishin aktive 5 vatra zjarri.

    “Jemi një staf shumë i vogël, faktikisht kemi 11 zjarrfikës dhe neve aktualisht jemi vetëm 2 zjarrfikës në ndërrim, vetëm 2 pra”, tha Krasniqi.

    Teksa apeloi qytetarët që në këto temperatura të larta të kenë kujdes të shtuar, kryetari Bali Muharremaj tha se shtimi i numrit të zjarrfikësve nuk është në kompetencën e tij.

    “Ju e dini që zjarrfikësit janë kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë disa vende vakante edhe është e pamundur me i plotësua. Neve në aspektin ligjor nuk kemi bazë ligjore me shpallë konkurse presim prej tyre. Janë 4 vende të lira me u plotësua”, tha Muharremaj.

    Ndërkaq, komandanti i zjarrfikësve e ka një propozim tjetër.

    “Vite më parë kemi marrë punëtor sezonal dhe na kanë ofruar një ndihmë të mirë”, tha Krasniqi.

    Megjithatë, as kjo mundësi nuk ekziston, sipas kryetarit Bali Muharremaj.

    “Më herët kemi marrë punëtorë çdo verë ka 10 por, tash me disa rregullore të reja nuk na e mundëson ligji”, tha Muharremaj.

    Derisa, stafi i zjarrfikësve me gjasë nuk do të shtohet, Komuna e Suharekës nga java tjetër për intervenime në objekte të larta do ta ketë në shërbim edhe një kamion.

  • Mbytet një 13-vjeçar në lumin Drin

    Mbytet një 13-vjeçar në lumin Drin

    Një fëmijë i moshës 13 vjeçare ka vdekur aksidentalisht në lumin Drin, në fshatin Mjedë.

    I mituri ka qenë duke u larë në lumin Drin kur i ka ndodh rasti.

    Për ngjarjen ka folur edhe Policia, e cila është duke hetuar rrethanat e vdekjes së 13-vjeçarit.

    “Rreth orës 13:35, në fshatin Mjedë, dyshohet se është mbytur aksidentalisht duke u larë në lumin Drin, shtetasi D. P., rreth 13 vjeç, banues në fshatin Mjedë“, thuhet në njoftimin e Policisë.