ATV

Category: Lajme

  • 80 vjet nga marrëveshja e Bretton Wood-sit (krijimi i FMN dhe Bankës Botërore)

    80 vjet nga marrëveshja e Bretton Wood-sit (krijimi i FMN dhe Bankës Botërore)

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    (Tetëdhjetë vjet më parë, delegatë nga 44 vende u mblodhën në Bretton Woods, New Hampshire, SHBA, për të koordinuar rindërtimin pas Luftës së Dytë Botërore dhe për të promovuar bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Institucionet për të cilat ata hodhën themelet – Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore – qëndrojnë në zemër të rendit monetar dhe financiar aktual global).

    22 korriku i këtij vitit (2024) shënon 80-vjetorin e konferencës së Bretton Woods, në të cilën koalicioni i aleatëve në Luftën e Dytë Botërore nënshkroi aktin e marrëveshjes së krijimit të institucioneve me të rëndësishme financiare ndërkombëtare që krijoi Sistemin Monetar Ndërkombëtar, për të cilin do të kujdeseshin dhe mbikëqyrnin, Institucionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (B.B.) me elementin e parë të saj, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Më vonë Bankës Botërore iu shtuan edhe 4 organizma të tjerë. E më pas, këtyre dy institucioneve të mëdha iu shtua edhe krijimi i Organizatës Botërore të Tregtisë, që në fillim u quajt GATT dhe sot është shndërruar në OBT. Të tre këta organizma kushtëzuan krijimin e Sistemit Ndërkombëtar Monetar (Financiar) dhe krijuan kushtet për një botë më të integruar dhe më të ndërkombëtarizuar pas Luftës së Dytë Botërore. Anëtaret e këtyre organizmave janë shtuar gradualisht, por të gjitha vendet pjesëmarrëse në Breton Woods konsiderohen themeluesit e të tria këtyre institucioneve.

    Në Bretton Woods, pas diskutimeve të forta mes Harry Dexter White, përfaqësuesin amerikan, Kejsi, (Britanik) nuk arriti të bindte përsëri të pranishmit për krijimin e një monedhe të re botërore me kurse të lira këmbimi. Pushteti politik i Amerikës në arenën ndërkombëtare, pozicioni i saj në ekonominë botërore dhe shume arsye e faktorë të tjerë bënë që dollari amerikan të shndërrohet në mjetin kryesor të pagesave ndërkombëtare. Në fakt, teorikisht ai ruajti konvertueshmërinë e tij me arin dhe ruante kursin e këmbimit me të fiks, pavarësisht se Bankat Qendrore të vendeve pjesëmarrëse në organizmat që do të krijoheshin nga kjo mbledhje ishin të detyruara ta përdornin dollarin si një rezervë valutore. Njëherësh përmes kësaj marrëveshjeje u përcaktua një arkitekturë për sigurinë nëpërmjet organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së). Në “jetën” dhe “historinë” e këtyre institucioneve, kjo arkitekturë globale ka vazhduar të ekzistojë duke “rizbuluar dhe rigjetur” veten herë pas here, përmes reformimit të vazhdueshëm. Padyshim, që në këtë proces evoluimi dhe transformimi të këtyre institucioneve, linja e ndjekur ka qenë siguria ndërkombëtare dhe ekuilibri i mundshëm i ekonomisë botërore.

    Marrëveshjet e Bretton Woods ishin një kompromis mes dy planeve, (britanik dhe amerikan) në të cilat plani White (amerikan) kishte më shumë peshë politike. Por, eventi më i rëndësishëm, krahas krijimit të FMN dhe BB, ishte që dollari amerikan u bë përfundimisht monedha e pagesave ndërkombëtare dhe për pasojë monedha e rezervave monetare të pothuajse të gjitha vendeve kapitaliste. Në vijim, Shteteve të Bashkuara iu bënë të qartë aleateve të tyre se edhe pagesat për zhvillimin e Europës pas luftës (plani Marshall) nuk do të ktheheshin në ar, por në dollar. Në këtë konferencë, liderët e botës perëndimore ranë dakord se të paguar Shtetet e Bashkuara për mallrat e dhëna gjatë luftës në dollar amerikan, duke i shkëputur lidhjen e tij me arin. Pavarësisht kësaj, deri në vitin 1971 SHBA ruajtën këmbyeshmërinë e dollarit me arin. Në fillimet e para, FMN ishte “banka kryesore” e shteteve anëtare kryesisht të ekonomive të zhvilluara, por anëtarësimi në të sa vinte dhe rritej jo vetëm nga vendet e zhvilluara, por edhe nga të ashtuquajtura vende në zhvillim apo vende të varfra, që në disa raste nuk paguanin përkohësisht as kuota pjesëmarrjeje. Më pas, në vitet 1970 dhe ‘80, kur sistemi i Bretton Woods kaloi në kolaps dhe qarkullimi global kapitalit u rrit, FMN u bë një organizatë “zjarrfikëse” (për të shuar krizat) duke u fokusuar te krizat e borxhit në Amerikën Latine dhe vende të tjera me një ekuilibër të brishtë makroekonomik anëtarë të kësaj organizate.

    Nëse vitet ‘80 i dhanë jetë konceptit të konsensusit të Uashingtonit, FMN ishte ajo që e përfaqësoi atë. Parashikimet e politologut amerikan Francis Fukuyama për fundin e historisë nuk dolën të sakta. Ato që ne tani i konsiderojmë si dekadat e arta të globalizimit, pas vitit 1989 ishin larg nga një “udhëtim i thjeshtë”. Krizat shpërthyen në Meksikë, Lindjen e Mesme dhe juglindjen e Azisë, Rusi dhe përsëri më pas në Argjentinë dhe Brazil. Kushtet e ashpra të vendosura nga FMN u përballën me një reagim të fortë edhe nga ekonomistë të njohur në perëndim. Për shkak të ekonomisë së tyre në rritje, Kina u fut në lojë me premtimet e ndryshimit të pjesëmarrjes së votimit të FMN-së. Ndërkohë, udhëheqja evropiane e FMN-së u pajtua me qeverinë e ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe administratën “Obama” për të vendosur burimet e fondit pas ndihmave të radhës për eurozonën. Periudha e post-rënies së Murit të Berlinit dhe përmbysjes së regjimeve komuniste në vendet e Europës Lindore u shoqërua me reformat politike demokratike, vendosjen e pluralizmit politik dhe kalimin e ekonomive të tyre në ekonominë e tregut. Vendet e ish- bllokut komunist, përfshi edhe Shqipërinë, u anëtrësuan në FMN dhe BB. Në këtë periudhë, veçanërisht nën drejtimin e FMN nga Michael Camdessus, FMN u fokusua në politikat e stabilizimit ekonomik të këtyre vendeve, reformat fiskale, buxhetore e bankare, privatizimin e pronës shtetërore dhe funksionimin e tregut etj.. Ne mënyrë të jashtëzakonshme, disa nga programet më të mëdha në historinë e fondit u mobilizuan për Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë, veçanërisht në krizën e viteve 2008-2012. Situata u përkeqësua nga fakti se ndryshimet në pjesëmarrjen në votime që u premtuan për Kinën dhe tregjet e tjera në zhvillim u sanksionuan në Kongresin amerikan nga republikanët, të cilët ndoqën parimin dhe sloganin “Amerika e Para”. Vetëm në vitin 2016, pjesëmarrja e Kinës u rrit në diku mbi 6 për qind, shumë pak nga 16.5 për qind që mban SHBA-të.

    Në 10 vitet e fundit, nën udhëheqjen e Dominique Strauss-Kahn, Christine Lagarde dhe Georgieva, stafi i fondit ka qenë i angazhuar në rishikimin e paragjykimeve për ashpërsimin fiskal dhe lirinë absolute të lëvizjeve të kapitalit. Ata kanë zbutur kushtet e kredidhënieve të mëdha dhe të ndjeshme politikisht. Fondi gjithashtu ka zgjeruar mbikëqyrjen e tij për të përfshirë çështje të pjesëmarrjes në tregun e punës të grave dhe trajtuar çështje të pabarazisë dhe të ndryshimeve klimaterike. Nga viti 2020 e këtej, ai ishte në mënyrë të konsiderueshme proaktiv në reagimin ndaj pandemisë COVID-19, luftës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme dhe mbi të gjitha, në të drejtat e tij për analizën e gjendjes ekonomike të vendeve pjesëmarrëse edhe në politikat ekonomike të shumë vendeve afrikane dhe të Amerikës Latine.

    Por, edhe pse agjenda e FMN mund të jetë e përditësuar, pyetja të cilës nuk mund t’i shmangemi është – çfarë dhe kë përfaqësojnë institucionet e Bretton Woods? Ashtu siç ka argumentuar Martin Wolf, një gjë që dimë me siguri për drejtimin e ekonomisë botërore është se balanca po zhvendoset nga perëndimi në lindje. Kur u mbajt takimi i G20 në New Delhi në shtator të 2023, rreth 59.1% e aksioneve votuese në FMN ishin në duart e vendeve që përbëjnë 13.7 për qind të popullsisë së botës në një kohë kur pjesa e votimit të Indisë dhe Kinës të marra së bashku arrinte rreth 9%. Kjo duket se shkon kundër tendencave që po shfaqen për të ardhmen e ekonomisë botërore. Por, para se të analizojmë ndikimin e këtyre ndryshimeve le të hedhim një vështrim të shkurtër:

    Shqipëria dhe FMN – 33 vjet bashkëpunim

    Më 15 tetor të këtij viti, Shqipëria bën plot 33 vite si anëtare e institucioneve të Bretton Woods-it, FMN dhe Bankës Botërore. Rëndësia e kësaj date nuk qëndron thjesht në një nënshkrim dhe anëtarësim. Anëtarësimi në FMN dhe Bankën Botërore nuk do të konvertohej thjesht në një llogari huaje me këto dy institucione. Kjo do të thoshte që Shqipëria kishte tashmë mundësi të përpunonte strategjitë e saj të kalimit të krizës dhe të zhvillimit, programet e ndihmave, programet e investimeve, programet e tërheqjes së investimeve të huaja dhe të teknologjisë së përparuar, zhvillimin e reformave strukturore dhe të privatizimit, ato të tregut etj.. Rrugëtimi i bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN-në, në këto 33 vjet tranzicion nuk ka se si të mos vlerësohet, përgjithësisht i suksesshëm si në drejtim të mbështetjes përmes Asistencës Financiare, ashtu edhe përmes Asistencës Teknike. Padyshim, me gjithë qëndrimet e ndryshme në disa raste dhe “zigzaget” në llojin e marrëveshjeve të arritura e të realizuara me të, bashkëpunimi, mbështetja dhe këshillimi me këtë institucion ndërkombëtar mbetet shumë i suksesshëm e i dobishëm. Numri i marrëveshjeve Shqipëri-FMN që nga data e anëtarësimit është 8 dhe gjenden në tabelën më lart.

    Përmes programeve të realizuara me FMN-në, në tranzicionin ekonomik të Shqipërisë, në periudha të ndryshme janë realizuar objektiva të ndryshme. Kështu, në periudhën 1992-1993 (programi stand-by) kishte si prioritet injektimin e forcave të tregut në ekonominë tonë, në periudhën 1993-1996 (në programin ESAF) ishin politikat e konsolidimit të stabilizimit për të siguruar rritjen, në periudhën 1997-1998 (në programin EPCA-ja) prioritet ishte konsolidimi fiskal, në kushtet post-konfliktuale emergjente, në periudhën 1998-2001, (me programin ESAF/PRGF) prioritet ishte vazhdimi i konsolidimit fiskal, kontrolli dhe mbyllja e skemave piramidale, privatizimi i bankave etj., në periudhën 2001- 2006 (me programin PRGF) dhe më pas 2001-2006 me programin PRGF EFF) prioritetet ishin krijimi i klimës makroekonomike për zhvillim, përmirësimi i klimës së biznesit, politikat e shpenzimeve, reduktimi i varfërisë, përmirësimi i sektorit energjetik, apo mbështetja në bilancin e pagesave, në dy vitet e fundit për ringritjen ekonomike, për rindërtimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë së COVID-19 etj..

    Gjithashtu, FMN-ja ka mbështetur Shqipërinë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me asistencë teknike në një numër fushash ku përfshihen: shpenzimet publike dhe cilësia e tyre, tatimet dhe doganat, mbikëqyrja e bankave, në Bankën e Shqipërisë, politikën monetare, bilancin e pagesave, financat dhe qeverisjen, në fushën e statistikave qeveritare etj..

    REFORMIM APO NJË BRETTON WOODS I RI?

    Ka disa politika të këtyre institucioneve që tashmë, pas 80 vjetëve të funksionimit të tyre duket që shkojnë disi kundër tendencave që po shfaqen për të ardhmen e ekonomisë botërore. Kjo, sepse bota po ndryshon dhe padyshim dhe zhvillimet dhe ekuilibrat ekonomike. Veçanërisht me ndryshimet e mëdha klimaterike dhe ndryshimet e vrullshme teknologjike dhe të Inteligjencës Srtificiale, pas krizës financiare të viteve 2008- 2012, krizës së pandemisë, luftës RusiUkrainë dhe Izraelit në Gaza, këto ndryshime kanë dalë më në pah.

    Sipas shumë studimeve, 10 ekonomitë më të forta në botë në vitin 2050 do të udhëhiqen nga SHBA, Kina, India, ndërsa BE-ja do të luajë një rol shtesë. Pra, brenda 25 viteve do të ketë një ndryshim brezash në 10 ekonomitë më të forta në botë: do të shohim zhvendosjen e fuqisë ekonomike globale nga ekonomitë e përparuara drejt atyre në zhvillim, veçanërisht në Azi dhe Amerikën Latine. Analistët thonë se ekonomia botërore mund të dyfishohet në madhësi deri në vitin 2050, duke tejkaluar shumë rritjen e popullsisë, falë përmirësimeve të vazhdueshme të produktivitetit të drejtuar nga teknologjia. Sipas Goldman Sachs, vendet anëtare të BRICS, në vitin 2075, do të jenë ekonomia më e madhe botërore. Prandaj dhe tashmë debatet dhe diskutimet po bëhen për: “Një rend monetar dhe ekonomik të përshtatshëm për shekullin e 21-të” dhe a do të ketë një Bretton Wood-s të ri?

    Shumë analistë dhe institute të specializuara mendojnë se trajtimi i sfidave të shekullit të njëzet e një, nga komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë efektive dhe të barabartë, nuk mund të arrihet pa një arkitekture globale ekonomike dhe financiare të reformuar. Në këtë proces reformimi, sipas shumë analistëve, duhet të konsiderohen disa prioritete që kanë dalë në pah si:

    Së pari, ekonomive në zhvillim duhet t’u jepet më shumë zë në institucionet shumëpalëshe.

    Së dyti, Rrjeti Global i Sigurisë Financiare (GFSN) – rrjeti i institucioneve që ofrojnë financime kritike në kohë krize – duhet të forcohet dhe të bëhet më i përgjegjshëm ndaj nevojave të ekonomive në zhvillim që përballen me ndryshimet klimatike dhe rreziqet makroekonomike.

    Së treti, duhet të krijohet një mekanizëm ndërkombëtar për të dhënë zgjidhje të drejta dhe të shpejta për krizat e borxhit sovran.

    Së katërti, financimi i problemeve të ndryshimeve klimaterike duhet të rritet shumë dhe të gjitha flukset financiare publike dhe private – duke përfshirë huadhënien nga institucionet financiare ndërkombëtare – duhet të përputhen me qëllimet e përcaktuara në marrëveshjen e Parisit për klimën.

    Së pesti, bankat ndërkombëtare, kombëtare dhe nënkombëtare të zhvillimit duhet të forcohen. Përshtatja dhe zbutja ndaj ndryshimeve klimatike do të kërkojë shuma të mëdha investimesh. Prandaj, bankat dhe fondet publike të zhvillimit duhet të luajnë një rol shumë më të madh në financimin e transformimit strukturor dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

    Së gjashti, duhet të ketë përparim drejt një sistemi shumëpalësh të monedhës dhe rezervës të përqendruar në njësinë e llogarisë së FMN-së, të Drejtat e Tërheqjes Speciale (SDRS).

    Së shtati, FMN-ja dhe institucionet financiare rajonale duhet të krijojnë mekanizma të koordinimit të politikave për të menaxhuar paqëndrueshmërinë në flukset e kapitalit nëpër rajone dhe midis ekonomive në zhvillim dhe atyre të përparuara.

    Së fundi, arkitektura ndërkombëtare e taksave duhet të forcohet për të mbështetur zhvillimin e barabartë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

    Natyrisht, pa vullnetin dhe vendimmarrjen e SHBA dhe vendeve perëndimore,(sidomos çështja e kuotave të përfaqësimit), të cilat sot për sot mbeten lokomotiva të zhvillimit ekonomisë globale, vështirë se këto çështje mund të konsiderohen. Të tjerë analistë pretendojnë se: bota po ndryshon, bashkime të reja ekonomike po lindin (dhe zhvillohen me shpejtësi (BRICS) dhe pas çdo ndryshimi të madh, lind nevoja për marrëveshje të reja dhe hedhin idenë, veç të tjerash, edhe të një marrëveshjeje të re, një Bretton Woods i ri”. Ndërkaq, “pretendimet e BRICS, vazhdojnë me tendencë, veç bashkimit ekonomik e monetar, edhe për zgjerim dhe bashkepunim politik (Putin hodhi idenë e krijimit të Parlamentit të vendeve BRICS,) Por…

    A do të ketë një Bretton Woods të ri?

    Kjo është një pyetje që shumë e bëjnë, shumë e mendojnë, por pak flasin. Kjo për faktin se nuk di asnjë se kush do të jetë në qendër të një Bretton Woods të ri. Do të jetë dollari, do të jetë euro, do të jene të gjitha këto dhe do të dalë një para digjitale e garantuar nga të gjithë?

    Sa afër aq edhe larg, ideja e një Bretton Woodsi të ri. Kjo sepse ato (vendet BRICS) që “janë ngritur kryen kundër dhe kërkojnë shkëputje nga dollari”, edhe pse përfaqësojnë një territor dhe popullsi të madhe, (42% të popullsisë së botës, 30% të territorit të saj) ato kontribuojnë vetëm me 23% të PBB-së dhe 18% të tregtisë botërore. Megjithatë, ndërmjet tyre, vendet BRICS realizojnë vetëm 6% të tregtisë totale. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), deri në vitin 2028, ato mund të përfaqësojnë një të tretën e ekonomisë botërore dhe në 2075 të udhëheqin ekonominë botërore. Por, ajo që është më e rëndësishme sot në ekonominë botërore, rreth 60% e tregtisë ndërkombëtare kryhet në dollar amerikan dhe gati 40% në euro (një pjesë e vogël bëhet në monedhat vendëse).

    Të gjithë pranojnë se roli i dollarit, pas daljes së euros, ka rënë disi në arenën ndërkombëtare, por s’duhet harruar dhe të gjithë e dinë që Sterlina humbi hegjemoninë e saj 2 shekuj pas ripozicionimit të Anglisë në tregun ndërkombëtar, ndërsa Holanda humbi dominimin e saj 100 vjet pas krizës se tulipanëve. Të gjithë e dinë që diçka do të ndodhë, por asnjë nuk e di se kur çfarë dhe si do të ndodhë. Duhet tëe presim, ndoshta shumë.

  • Nis hetimi ndaj Shërbimit Sekret pas atentatit ndaj Trumpit

    Nis hetimi ndaj Shërbimit Sekret pas atentatit ndaj Trumpit

    Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan për Siguri të Brendshme tha se ka nisur një hetim për të kuptuar se si e ka menaxhuar Shërbimi Sekret sigurinë për ish-presidentin Donald Trump, në ditën kur një sulmues i armatosur tentoi ta vriste gjatë një tubimi në Pensilvani.

    Përmes një njoftimi të shkurtër të publikuar në ueb-faqen e Inspektorit të Përgjithshëm, agjencia tha se objektivi i hetimit është “vlerësimi i procesit të Shërbimit Sekret për sigurinë në tubimin e ish-presidentit Trump më 13 korrik 2024”.

    Në njoftim nuk u bë i ditur se kur ka nisur hetimi.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, veçse ka urdhëruar një shqyrtim të pavarur të sigurisë në mitingun zgjedhor.

    Të shtënat ngritën pikëpyetje se si sulmuesi mundi të hipte në çatinë afër vendit ku po mbahej mitingu dhe të qëllonte drejt ish-presidentit, i cili u plagos lehtë.

    Sulmuesi 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, arriti t’i afrohej 135 metra nga skena ku ish-presidenti republikan po fliste dhe më pas hapi zjarr.

    Trump, që u godit në veshin e djathtë, u largua me shpejtësi nga skena nga agjentët e Shërbimit Sekret dhe agjentët qëlluan për vdekje sulmuesin. Si pasojë e të shtënave u vra një person që ishte në audiencë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

    Drejtoresha e Shërbimit Sekret, Kim Cheatle, tha se agjencia e kupton rëndësinë e rishikimit të urdhëruar nga Bideni dhe do të marrë pjesë në të. Ajo tha se agjencia po punon për të kuptuar se si ndodhën të shtënat dhe a mund të bëhet diçka që gjëra të tilla të mos përsëriten.

    Shërbimi Sekret ka afër 7.800 anëtarë që janë përgjegjës për mbrojtjen e presidentëve, nënpresidentëve, familjarëve të tyre, ish-presidentëve, familjarë të tyre dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit amerikan./REL

  • Scholz të premten takohet me Vuçiqin në Serbi, shkak një marrëveshje e BE-së

    Scholz të premten takohet me Vuçiqin në Serbi, shkak një marrëveshje e BE-së

    Kancelari gjerman Olaf Scholz do të udhëtojë në Serbi ku do të zhvillojë bisedime me presidentin Aleksandar Vuçiq të premten, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane, duke përmendur lëndët e para kritike si temë kryesore të udhëtimit.

    Scholz do të marrë pjesë në një samit kritik të lëndëve të para së bashku me nënpresidentin e Komisionit Evropian Marosh Shefçoviq, gjatë të cilit Serbia do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Bashkimin Evropian për një partneritet strategjik mbi lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e furnizimit me bateri dhe makinat elektrike, shkruan Reuters.

    “Sfondi i këtij është një projekt për minierat e qëndrueshme të litiumit në Serbi. Në përgjithësi, ka të bëjë me zhvillimin e mëtejshëm të një programi evropian të lëndëve të para dhe talljen e burimeve të lëndëve të para”, tha zëdhënësi në një konferencë të rregullt për shtyp të qeverisë në Berlin më e mërkurë.

    Vizita vjen pasi qeveria serbe rivendosi një licencë për Rio Tinto për të zhvilluar minierën më të madhe të litiumit në Evropë në një nxitje të mundshme për industrinë e automjeteve elektrike të kontinentit.

    Nëse zhvillohet, projekti 2.4 miliardë dollarësh i litiumit Jadar në Serbinë perëndimore mund të mbulojë 90% të nevojave aktuale të litiumit të Evropës dhe të ndihmojë që kompania të bëhet një prodhues kryesor i litiumit.

    Megjithatë, ka pasur kundërshtim të fortë ndaj projektit nga aktivistët mjedisorë dhe partitë opozitare në Serbi.

  • Në BE vazhdojnë diskutimet për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Në BE vazhdojnë diskutimet për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Përkundër pritjeve dhe paralajmërimeve se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen, së paku gradualisht, kjo nuk ka ndodhur ende.

    Verën e kaluar, BE-ja ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës – përfshirë anulimin e disa takimeve në nivel të lartë – duke vlerësuar se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veriun e banuar me shumicë serbe.

    Tensionet në këtë zonë janë rritur pasi Qeveria e Kosovës ka instaluar kryetarët shqiptarë në komunat me shumicë serbe, në fund të majit të vitit 2023.

    Rekomandimin për heqjen e masave e ka dhënë në qershor përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, duke e arsyetuar atë me hapat që ka marrë Kosova për përmbushjen e kushteve për heqjen e tyre.

    Tani thuhet se Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) është duke i vazhduar konsultimet me vendet anëtare për tekstin e një deklarate të përfaqësuesit të lartë, me të cilën do të njoftohej për heqjen e masave.

    Por, disa versione të tekstit të një deklarate të tillë nuk kanë arritur të marrin mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare.

    Sipas burimeve diplomatike në BE, shumica e vendeve janë pajtuar që të hiqen masat, disa kanë dashur të hiqet vetëm një pjesë e tyre, por disa kanë kërkuar edhe vendosjen e një klauzole, sipas së cilës masat do të mund të ktheheshin me automatizëm, nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmerrnin ndonjë hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri, që do t’i rriste tensionet.

    Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Borrell, ashtu siç është kërkuar prej tij, u ka dërguar raportin vendeve anëtare dhe diskutimi për të është zhvilluar në qershor.

    Por, Stano tha se “përmbajtja e atij raporti nuk do të bëhet publike”.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur rast ta shohë atë raport dhe në të është rekomanduar heqja e masave.

    “Marrë parasysh hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së, të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit [Evropian] që të marrë qëndrim për heqjen e masave për Kosovën, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionale”, është thënë në raportin e Borrellit.

    Borrell, në rekomandimin e tij, ka thënë se vendimi nga ana e Këshillit do të kontribuonte në një kontekst të balancuar, në të cilin dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, i lehtësuar nga BE-ja, do të mund të ecë përpara.

    “Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë depërshkallëzuese dhe për t’i evituar veprimet e pakoordinuara”, është thënë në raportin e Borrellit.

    Por, gjatë diskutimeve, disa vende anëtare kanë argumentuar se përmbushja e kushteve nga ana e Kosovës “nuk është e plotë”.

    Stano thotë se “diskutimet në Këshill po vazhdojnë”.

    Në Bashkimin Evropian nuk duan të flasin për afatet kohore se kur do të mund të hiqeshin masat, por zyrtarë të BE-së – në kushte anonimiteti – thonë se “vendimi është bërë më i vështirë pas sjelljes jokonstruktive” në takimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të lartë dhe në nivel të kryenegociatorëve.

    Në fund të qershorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar në Bruksel për një rund të ri bisedimesh, por takimi i përbashkët nuk është zhvilluar, për shkak të disa kushteve që ka nxjerrë Kurti e që i ka refuzuar Vuçiq.

    Disa burime të BE-së thonë se në mesin e arsyeve përse disa shtete nuk duan të hiqen masat, janë niveli i ulët i besimit ndaj autoriteteve të Kosovës dhe frika se Kosova mund të ndërmarrë hapa të njëanshëm për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës./REL

  • Shefi i EULEX-it: Do ta vazhdojmë mbështetjen për Shërbimin Korrektues

    Shefi i EULEX-it: Do ta vazhdojmë mbështetjen për Shërbimin Korrektues

    Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë me kënaqësi në në Ceremoninë e Diplomimit të Gjeneratës së 44-të të 64 kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

    Në platformën ‘X’, ai e ka konfirmuar vazhdimin e mbështetjes së EULEX-it.

    “Me kënaqësi të marrë pjesë në Ceremoninë e Diplomimit të Gjeneratës së 44-të të Trajnimit Profesional të Oficerëve Korrektues për 64kKadetët e Shërbimit Korrektues të Kosovës”.

    “Duke ju uruar të gjithë të diplomuarve më të mirën në përpjekjet e tyre dhe ritheksoj mbështetjen e EULEX-it për SHKK-në”, ka thënë Barbano.

  • IS-i merr përgjegjësinë për sulmin e rrallë në Oman

    IS-i merr përgjegjësinë për sulmin e rrallë në Oman

    Grupi militant Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë për sulmin e rrallë pranë një xhamie shiite në kryeqytetin e Omanit, Maskat.

    Ai tha se tre pjesëtarë të tij ishin të përfshirë në sulmin e së martës me armë zjarri.

    Gjashtë persona, përfshirë një polic, u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën, tha policia e Omanit.

    Sipas saj, tre sulmuesit u vranë gjithashtu nga forcat e sigurisë.

    Policia nuk dha detaje për identitetin e viktimave dhe të personave të armatosur.

    Por, Pakistani tha se katër shtetas të tij janë në mesin e të vrarëve në sulmin pranë xhamisë Imami Ali.

    India tha, gjithashtu, se një shtetas i saj është vrarë.

    Shteti Islamik, që grumbullon militantë sunitë, ka sulmuar shpesh ceremonitë, procesionet dhe besimtarët shiitë në vende si Iraku, Afganistani dhe Pakistani.

    Por, kurrë më parë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për një sulm në Oman, ku shiitët janë pakicë./REL

  • ​Rama: Për 25 për qind është rritur numri i turistëve kosovar krahasuar me vitin e kaluar

    ​Rama: Për 25 për qind është rritur numri i turistëve kosovar krahasuar me vitin e kaluar

    Një sulm i organizuar po kryhet për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kështu u shpreh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një mbledhje me 61 kryebashkiakët e Shqipërisë.

    Sipas kryeministrit Edi Rama janë hapur profile false në rrjetet sociale që komentojnë kundër turizmit në Shqipëri dhe publikojnë lajme të rreme sikur nuk ka turistë.

    “Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për këto sulme” u shpreh Edi Rama, ndërsa shtoi se shifrat në raportet e Komisionit Evropian të Udhëtimeve e rendisin Shqipërinë të parën për rritjen e flukseve turistike për 2024 me një rritje prej 86 % më shumë se vjet.

    “Këtu janë të pranishëm edhe bashkitë kryesore të truizmit por edhe të tjerë që po rrisin flukset e tyre turistike për të shkuar përtej detit dhe eksploruar pika që deri dje nuk mund të imagjinoheshin me turistë, është e rëndësishme që sot të jeni të vetëdijshëm që ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me kryetrarë e bashkive detare, të gjithë janë të skandalizuar nga shumë video lajme e komente të rreme të manipuluar të bëra me qëllime duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Nuk është ky preukupimi kryesor që të merrni me atë aq janë pjesë e këtij sulmi të organizuar që vijnë nga disa anë, sistemimet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për këtë, flasim për sigurinë kibernetike, shumë profile false që përdoren për këtë sulm. Kjo vlen për të kuptuar që ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botë erdhi dhe me sfida të reja, sfida që janë komplekse që kanë të bëjnë me të gjithë elementet. Sivjet para pak ditësh KE i udhëtimeve nxori një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë , me 86 % rritje të fluksit të turisteve”, tha Rama.

    Duke iu referuar lajmeve për “braktisjen” e turizmit të shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri, Edi Rama tha se vetëm në 6 muajt e parë të 2024 kanë ardhur 25 % më shumë se vjet ose 1.7 milionë qytetarë nga Kosova.

    “Pjesë e këtij sulmi është dhe një përpjeke shumë e ulët për të dhënat se shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë, ndërkohë që fakti nga janari-qershor janë 1.7 milionë hyrje të qytetarëve të Kosovës ose 25 % më shumë se vjet. Këtë vit shtetasit italianë deri në qershor kanë ardhur 57 % më shumë se vjet. Turistët turq janë 61 % më shumë dhe polakët me 74 % më shumë që janë të parët që kanë ardhur në Shqipëri. Aeroporti i Tiranës në pamundësi për të dhënë leje për çarter së nuk ka vend në 24 orë. Për të ulur çartera në Rinas duhet të prenotosh 3 ditë para”, tha Rama./RTSH/

  • Shqyrtohet raporti financiar i buxhetit për vitin 2023, opozita e quan “mashtrues” ministrin Murati

    Shqyrtohet raporti financiar i buxhetit për vitin 2023, opozita e quan “mashtrues” ministrin Murati

    Deputet e opozitës e kanë quajtur mashtrues ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku u shqyrtua raporti vjetor financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, kanë akuzuar ministrin Murati se është duke gënjyer e mashtruar me shifra të cilat ai i prezantoj në këtë mbledhje.

    Ministri Hekuran Murati, ka thënë se vitin e kaluar ka pasur rritje dyshifrore të të hyrave direkete, sipas tij, një rritje të madhe ka pasur edhe tekë investimet kapitale.

    “Vitin e kaluar kemi rritje dyshifror të hyrave direkete. Në aspektin e të hyrave tatimore kemi pasur rritje 16 për qind, 185 milionë euro kemi të hyra krahas vitit të kaluar që ishte 160 milionë. Tek tatimi në pronë kemi një performancë më të mirë, tek tatimet direkete ka rreth 16 për qind rritje. Kjo tregon qe ka pasur rritje të qarkullimit të bizneseve pra të TVSH-së. Vitin e kaluar rritja e inflacionit ka qenë 5 për qind. Muaji janar ka qenë në ligjin e ri të pagave. Tek mallrat dhe shërbimet ka pasur një ritëm të rritjes. Një rritje e madhe të investimeve kapitale në 561 milionë ku vitin e kaluar ka qenë 422 milionë. Në vitin 2023 kemi pasur rënie të borxhit publikë të GDP-së”, ka thënë ai.

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë është shqetësueses tekë pagat dhe shtesat përgjysmimin i pagesave në sindikata, sipas tij, në këtë qeveri ka pasur rritje tekë shpenzimet për dreka zyrtare.

    Ai ka thënë se tek subvencionet dhe transferet janë shpenzuar 520 milionë, ku sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë shpenzime.

    “Tek të ardhurat e korporatave ka pasur një rritje siç e theksuar edhe ju, i bie që krejt kjo është në fitimin e bankave. Tek tatimi në pronë nuk është rezultati i rritjeve të pagesave po shkak i debateve që kemi pasur, kur u rriten pa prite faturat e janarit. Qytetaret kanë paguar 12 milionë sepse i ke rritur faturat. Lëshimi i faturave në tokat bujqësore është një tjetër problematikë, nëse tokat janë të punueshme nuk duhet të kenë tatime. Gati është dyfishuar importet duke krahasuar vitin paraprake. Të hyrat e AKP 39 mijë euro janë vitin 2021 mirëpo nuk ka ndonjë të hyrat gjatë këtyre tri viteve. Tek pagat dhe shtesat më shqetëson përgjysmimin i pagesave në sindikata çfarë po ndodh qytetarët po kanë frikë te paguajnë. Drekat zyrtare 1.9 milionë euro në vitin 2021 kurse tani 3.2 milionë euro janë në vitin 2024. Vendimet e gjykatave 22 milionë euro. Tek subvencionet dhe transferet janë shpenzuar 520 milionë, asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë shpenzime, ku po shkojnë këto pagesa. Tek shpenzimet kapitale 263 mijë euro për telefona kanë qenë 0 në vitin 2021. Pse ka shkelje të kontratave”, tha Hoti.

    Murati duke replikuar me deputetin Hoti ka thënë se janë rritur të ardhurat e po ashtu janë rritur edhe rezervat shtetërore.

    “Çështja e tatimit në pronë, ju vetë e keni sponsorizuar dhe e ka pasur të tjera, ligji e parasheh rivlerësimin dhe nuk ka pasur rritje. Viti aktual është ristabilizuar, nëse qytetaret kanë të ardhura më pak nuk do të munden të blejnë import do të thotë është rritur të ardhurat. Besoj që kontrollet nga qeveritë e kaluara nuk kanë qenë të dukura. Tani dy viteve të fundit kemi stabilizuar mjetet e KEK-ut. Në vitin 2021 është futur në dispozitë ky ligj i buxhet por nuk e kemi pa të arsyeshme ta fusim këtë vit. Tek rezervat shtetërore është rritur buxhetin ka qenë 300 mijë euro dhe e kemi rritur në 10 milionë euro. Kemi pasur rritjes të jashtëzakonshme të blerjeve të mbrojtës dhe sigurisë. Tek qiraja ka rënie nga vitet paraprake merr pakë kohë deri të rregullohet”, ka thënë ai.

    Hoti ju është ju është kundërpërgjigjur Muratit duke e quajtur atë një mashtrues, kjo pasi sipas tij, nuk është e mundur që Kosova të ketë më 200 mijë qytetarë me pak, e të ketë rritje të importit për 2 miliard eurove.

    “Ministrit Financave nuk i ka hije kështu duhet më serioz dhe jo të mashtroi opinionin, kthehu tek tabela dhe shikoi rritjet. Si ju sqarojmë qytetarëve nëse janë më shumë 2 miliardë import. Nëse ki 200 mijë qytetarë më pak në Kosovë kjo është indikativë që po ndodh në vend, mashtruesi. Kur ke regjistruar më shumë në kulm e ki ekonominë formale, ti po merr masa, mashtruesi. Këtë që po e thua nuk është e prezantuar në raportin e ndërmarrjeve publike. Kjo që po thua ti është mashtrim. Me qenë student so t’i kisha bërë problem për këtë logjik, mos se je ministër i financave është turp çka po thua ketë fryrje të buxhetit shtetëror, je personi më i rëndësishëm i qeverisë me qenë kaq jo serioz kaq jo profesional”, reagoi Hoti.

    E kritika për ministrin Murati ka patur edhe deputeti i AAK-së, Palë Lekaj, i cili e quajti ministrin mashtrues që fajëson vetëm qeveritë e mëparshme.

    “Turp duhet me ju ardhë, nuk tolerohet kështu, nuk mundet me mashtruar çdo gjë që flet thotë qeveritë e mëparshme, po çka ke bo o ministër, ku janë çerdhet, arsimi pagat. Këtu bijën na shet pallavra po mashtron çdo gjë që flet. Thua ti që janë paguar prej babës tënd”, tha Lekaj.

  • Sveçla dhe Balla dakordohen për bashkëpunim në luftimin e migracionit të paligjshëm

    Sveçla dhe Balla dakordohen për bashkëpunim në luftimin e migracionit të paligjshëm

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar sot me homologun e tij, Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla.

    Ministri Sveçla, u takua në Tiranë me homologun e tij, bashkë me menaxhmentin e Policisë së dy shteteve, para takimit të Komitetit Mbikëqyrës me Britaninë e Madhe për luftimin e migracionit të paligjshëm.

    Sipas njoftimit, gjatë diskutimeve, ata trajtuan rezultatet e arritura në luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit, duke e parë këtë si një vizion për një rajon më të sigurt.

    “Ministri Sveçla theksoi se në bashkëpunimet tona, kemi marrë vendime për hapa konkrete dhe projekte për përparimin e bashkëpunimit dhe për rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknologjike, me qëllim të forcimit të sigurisë dhe goditjes së fuqishme të grupeve kriminale.

    Bashkërisht të dy ministrat në këtë takim u dakorduan për nevojën e vazhdimit dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër migracionit të paligjshëm, duke siguruar prezantimin e rezultateve të këtij bashkëpunimi në takimin e ardhshëm të Komitetit Mbikëqyrës me Britaninë e Madhe. Gjithashtu, u vendos që takimi i radhës i këtij Komiteti të mbahet në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Raportimi i drejtorit të AKI-së, Musliu: Kërcënimi është i lartë nga grupet terroriste që po trajnohen në Serbi

    Raportimi i drejtorit të AKI-së, Musliu: Kërcënimi është i lartë nga grupet terroriste që po trajnohen në Serbi

    Kryetarja e Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë për Inteligjencë (AKI), Ganimete Musliu, pas raportimit të kryeshefit të AKI-së Petrit Ajeti, ka deklaruar se grupi paramilitar i terroristit i Milan Radojiçiqit është duke vazhduar ushtrime në disa lokacione të ndryshme dhe se vazhdimisht janë duke planifikuar mundësi për sulme në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ajo këto deklarata i bëri në një konferencë për media pas raportimit të Ajetit në Komision, ku shtoi se gjendja e sigurisë në veri është e qëndrueshme ndërsa ajo e përgjithshme “stabile”.

    “Pas këtij takimi gjendja e sigurisë në Kosovë në përgjithësi është stabile, situata në katër komunat është e qëndrueshme dhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizata paramilitare dhe terroriste anëtarë te të cilave po strehohen dhe trajnohen në Serbi vlerësohet si shumë i lartë, bazuar në të dhënat inteligjente grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopavnikut dhe të Kralevës”.

    “Grupi i paramilitareve terrorist i udhëhequr nga Milan Radojiçiqi vazhdon të jetë i strukturuar ka mjete të mjaftueshme financiare, ka armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar në vazhdimësi janë duke planifikuar diskutuar mundësitë për sulme udhëheqësi i grupit Milan Radojiçiqit vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë me zyrtar të lartë shtetëror si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe organizata radikale e kriminale e rajonale. Ushtria serbe ka rritur numrin e patrullave dhe dronëve në zonën përreth kufirit në veriun e Kosovës sidomos nga Zubin Potoku deri në Leposaviq rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, përqendrimi i forcave serbe afër Kufirit me Kosovën si dhe stërvitjet ushtarake të anëtarëve të formacioneve terroriste janë tregues se Serbia vazhdon të ketë synime agresive ndaj Kosovës”, ka thënë ajo.

    Musliu theksoi se kërcënimet nga Serbia për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë i lartë dhe në forma të ndryshme qoftë ato shtetërore apo jo shtetërore.

    “Shërbimet sekrete serbe vazhdojnë të kenë si qëllim cenimin e sigurisë së Kosovës përmes mekanizmave shtetëror dhe jo shtetëror së fundmi janë rritur aktivitetet hibride që kanë për synim polarizimin e shoqërisë për hapjen e lajmeve të rreme dhe inskenim të incidenteve. Avancimi i projektit nacionalist-Serb Bota Serbe vlerësohet se do ketë ndikim në sigurinë rajonale. Kuvendi i mbajtur e 8 qershor të vitit 2024 në Serbi i cili u mbështet nga Rusia, shpërfaqi tendencat dhe stabilizimin i cili u mbështet nga Rusia shpërfaqi tendencat dhe stabilizuese për rajonin me qëllim të arritjes së objektivave të caktuara që ndërlidhen me pretendime territoriale të Serbisë ndaj fqinjëve dhe prolongimin e proceseve integruese sipas interesave të Rusisë”, ka thënë ajo.