ATV

Category: Lajme

  • Helikopterë e dronë në kërkim të dyshuarit që vrau policin serb – cili është versioni i autoriteteve në Beograd për ngjarjen

    Helikopterë e dronë në kërkim të dyshuarit që vrau policin serb – cili është versioni i autoriteteve në Beograd për ngjarjen

    Një polic në Serbi është vrarë mbrëmë pas mesnate dhe një tjetër është plagosur rëndë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.

    Policia serbe thotë se në vendngjarje ka gjetur “pasaportën e lëshuar nga Kosova e të dyshuarit me emër të Artan Hajziri, 33 vjeç dhe një letërnjoftim gjerman”.

    Tutje, janë dhënë detaje si ka ndodhur incidenti.

    “Sonte, rreth orës 12:55 në Loznicë, gjatë kontrollit të automjeteve në pikën e kontrollit në Lipnički Šor, policët e stacionit kufitar të Trbushnicës ndaluan një Mercedes me targa të Tutin [qytet në rajonin e Rashkës në Serbi], në të cilin ndodheshin dy persona”, tha Daçiq.

    “Kur ka dalë nga vetura, një person ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur policin Nikolla Krsmanoviq (34) në gjoks dhe polici Vjekoslav Iliq (50) në shpatull, pas së cilës ka ikur”, ka thënë policia serbe.

    Të dy policët u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Loznicës, ku Krsmanoviç u nënshtrua plagëve të marra.

    Siç raporton mediumi serb “Kurir”, forca të shumta policore janë në kërkim intensiv të sulmuesit, policët e Departamentit të Policisë së Shabacit, si dhe Drejtoria e Policisë Kriminale, Drejtoria e Policisë Kufitare dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Antiterroriste ndodhen në terren, janë ngritur dronë dhe helikopterë, transmeton Express.

    Hetimet nga Prokurori i Lartë Publik nga Shabac dhe pjesëtarë të policisë janë duke vazhduar.

    “I dërgoj ngushëllimet më të thella familjes së policit të vrarë në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në emrin tim”, tha Daçiq.

  • Hodhën një armë zjarri me fishekë nga vetura, arrestohen një burrë dhe një grua

    Hodhën një armë zjarri me fishekë nga vetura, arrestohen një burrë dhe një grua

    Një burrë dhe një grua janë arrestuar në Prishtinë pasi që nga vetura në të cilin gjendeshin dhe ishin në lëvizje, kanë hedhur një armë zjarri me një karikator dhe katër fishekë.

    Policia bën me dije se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Janë arrestuar një mashkull dhe një femër kosovare, pasi që nga vetura në të cilën gjendeshin dhe ishin në lëvizje kanë hedhur një armë zjarri me një karikatorë dhe katër fishekë, të cilat janë konfiskuar. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

  • Gërvalla: Opozita do të pësojë humbje fatale në zgjedhje

    Gërvalla: Opozita do të pësojë humbje fatale në zgjedhje

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se sivjet nuk ka zgjedhje parlamentare në Kosovë.

    Gërvalla ka theksuar se opozita është e vetëdijshme që humbja e zgjedhjeve të ardhshme do të jetë më fatale se ato të kaluarat.

    “Prandaj nuk ka zgjedhje as në shtator dhe ato do të mbahen në afatin e rregullt, pra në shkurt të vitit të ardhshëm. Vjeshta do të jetë pak më e nxehtë politikisht seç ka qenë vera, sepse do të tregojmë edhe ne pak më tepër seç kemi bërë deri më tash, e para arritjet tona, e dyta vizionin tonë dhe e treta që duhet të përgatitemi për zgjedhje”, ka thënë Gërvalla.

  • Në Britani mbahet samiti i Komunitetit Politik Evropian, merr pjesë edhe Osmani

    Në Britani mbahet samiti i Komunitetit Politik Evropian, merr pjesë edhe Osmani

    Presidentja Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC) që mbahet sot në Britani të Madhe.

    Osmani do t’i bashkohet 46 liderëve të tjerë të shteteve evropiane, institucioneve të BE-së, NATO-s, e organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim të adresimit të çështjeve më urgjente për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve anekënd Evropës.

    Siç bën të ditur, presidenca ajo do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë “Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”.

    Në kuadër të këtij samiti, shefja e shtetit të Kosovës do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe kryeministri Keir Starmer.

    Gjatë takimeve bilaterale, Osmani do të diskutojë rëndësinë e forcimit të aleancave të Republikës sonë, si dhe thellimit të bashkëpunimit me shtetet partnere me fokus të veçantë në fushën e sigurisë.

    Në këtë takim, pjesëmarrës do të jetë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

  • Për 24 orë në Kosovë u shënuan 53 aksidente, një me fatalitet

    Për 24 orë në Kosovë u shënuan 53 aksidente, një me fatalitet

    Në 24 orët e fundit në Kosovë, u shënua një numër i madh i aksidenteve.

    Gjithsej, u regjistruan 53 aksidente, bën me dije Policia e Kosovës.

    Ndër to, një ishte me fatalitet, gjegjësisht në autostradën “Arbën Xhafer”.

    33 aksidente u shënuan me të lënduar.

  • Vrasja e një polici në Serbi, mediat serbe raportojnë se në vendngjarje u gjet pasaporta e një shtetasi të Kosovës

    Vrasja e një polici në Serbi, mediat serbe raportojnë se në vendngjarje u gjet pasaporta e një shtetasi të Kosovës

    Një polic është vrarë dhe njëri është plagosur rëndë të enjten në Serbi. Siç raportojnë mediat serbe, në vendngjarje është gjetur pasaporta e një personi me nënshtetësi kosovare, me emrin Artan Hajrizi. Në vendngjarje ishte gjetur edhe një dokument identifikues gjerman.

    Siç raporton N1-shi serb, duke e cituar Ivica Daçiq, gjatë kontrollit të automjetit në pikën e kontrollit në Lipniçki Sor në Llozhnicë, fshat në afërsi të pikës kufitare mes Serbisë dhe Bosnjës, punonjësit e policisë kanë ndaluar një “Mercedes” me targa të Tutinës, në të cilin ndodheshin dy persona, përcjell Gazeta Insajderi.

    Çdoherë sipas këtij mediumi, Daçiq ka thënë se duke dalë nga vetura, një person ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur policin Nikolla Kërsmanoviq (34-vjeçar) në gjoks dhe Vjekoslav Iliq (50-vjeçar) në shpatull, pas së cilës sulmuesi ka ikur.

    Policia serbe, vijon raportimi, në vend ka gjetur pasaportën e të dyshuarit të lëshuar nga institucionet e Kosovës në emër të Artan Hajrizit (33-vjeçar) dhe një letërnjoftim gjerman.

    MPB’ja serbe ka publikuar fotografinë e Hajrizit.

  • ​Arrestohet një person, tenton ta sulmoj fizikisht zyrtarin policor

    ​Arrestohet një person, tenton ta sulmoj fizikisht zyrtarin policor

    Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut në magjistralen Ferizaj-Gjilan pasi që i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e personit zyrtar dhe ka tentuar edhe ta sulmojë fizikisht atë.

    I dyshuari sipas policisë pasi është sjellë në stacion policor i është bërë matja e alkool testit dhe ka rezultuar prezenca e alkoolit.

    “Të njëjtit i është ofruar ndihma mjekësore. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Policia jep detaje për aksidentin në autostradë ku vdiq një person

    Policia jep detaje për aksidentin në autostradë ku vdiq një person

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje për aksidentin e mbrëmshëm në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku humbi jetën një person, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në raport konfirmohet se viktima është shtetas i Maqedonisë së Veriut.

    Derisa, i dyshuari pas arrestimit është dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i plotë:

    AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET

    Autostrada Arben Xhaferi – Drejtimi Lipjan / 17.07.2024 – 20:40. Ka ndodhur aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa të huaja, një veture me targa vendore dhe një këmbësor shtetas i RMV-së, i cili ka humbur jetën. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa është arrestuar një mashkull kosovar dhe është dërguar në mbajtje.

  • Hyseni thotë se ka trefishuar buxhetin, kërkon mbështetjen e opozitës për projektet komunale

    Hyseni thotë se ka trefishuar buxhetin, kërkon mbështetjen e opozitës për projektet komunale

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se gjatë tri vite të qeverisjes së tij, buxheti i komunës është trefishuar nga viti në vit.

    Ai ka thënë se ndryshime të mëdha kanë bërë në sektorin e arsimit, duke bërë investime në infrastrukturë e në procesin mësimor, ku sipas tij, kanë ndryshuar edhe mënyrën së si menaxhohet procesi në rekrutimi të stafit e regjistrimit të nxënësve.

    Hyseni ka thënë se investime të mëdha janë bërë edhe në sektor të tjerë, duke përfshirë shëndetësinë, mirëqenien sociale e në bujqësi, duke theksuar si më të rëndësishme mënyra e menaxhimit e cilësisë ndaj të projekteve.

    “Kemi shumë tash jemi në fund të pjesës së dytë të vitit të tretë të qeverisjes ka shumë projekte të cilat kanë përfunduar në sfera të ndryshme e që ndryshimet më të mëdha që i kemi bërë deri tash kanë të bëjnë me sferën e arsimit. Kemi investime të mëdha jo vetëm në infrastrukturë por qëndrojnë edhe përmbajtësish në procesin mësimor, ndërkohë është ndryshuar mënyra së si menaxhohet procesi në kuptimin e rekrutimit të stafit, regjistrimit të nxënësve e kështu më radhë. Tjera ka edhe në sferën e shëndetësisë e të mirëqenies sociale, ka projekte të ndryshme që janë investuar bujqësia ka tash kujdes shumë të veçantë edhe për nga projektet të mira të implementimit të inovacionit projekte të reja për nga qasja. Ndërkohë që është edhe buxheti që është trefishuar nga viti në vit. Ndërkohë që pjesa e fundit mbase është edhe kujdesi i infrastrukturës, investimet e nevojshme në përmirësimi por edhe projektet e mëdha që sjellin ndryshim përmbajtjesor në mënyrën së si qasen qytetarët në infrastrukturë. Ndoshta krejt e rëndësishme është mënyra e menaxhimit të projekteve cilësia dhe kujdesi ndaj këtyre”, ka thënë ai.

    Kryetari Hyseni ka thënë se një numër shumë të madh të mjeteve financiare që investohen në komunën janë duke përfituar direkt qytetarët, kështu duke krijuar një infrastrukturë për çështjen e të bërit biznes.

    Ai ka shtuar se një projekt me rëndësi të veçantë për këto dy vite është edhe subvencionimi direkt për hapjen e bizneseve për start-up por edhe për zgjerimin e bizneseve te gratë dhe vajzat.

    “Kjo është çështje tjetër sepse jam kryetar për as tri vite, pra dy vite e gjysmë, pra për dy vite e gjysmë praktikisht është e pamundur të bësh ndryshime me të cilat edhe rritet standardi jetësor i qytetarëve. Ajo që është tepër më rëndësi tash që ka një numër shumë të madh të mjeteve financiare që investohen në komunën tonë prej tyre përfitojnë direkt qytetarët indirekt, pra krijohet një infrastrukturë për çështjen e biznes bërjes. Një projekt tjetër që e kemi implementuar që mendoj që ka rëndësi të veçantë për këto dy vite është edhe përkrahja direket ose subvencionimi direkt për hapjen e bizneseve për start-up por edhe për zgjerimin e bizneseve te gratë dhe vajzat dhe kjo mendoj se ka sjellë një standard të ri edhe më të mirë të jetesës”, ka thënë ai.

    Hyseni, ka theksuar se janë duke punuar shumë edhe në implementimin e projekteve të reja në zonën ekonomike, por që për këtë dhe projekte të tjera tha se i duhet bashkëpunimi i opozitës në këtë komunë.

    “Po punojmë shumë që të implementojmë edhe projekte në zonën ekonomike pavarësisht pengesave administrative që i kemi para vetes, por këtu na duhet bashkëpunim me opozitën në Kuvend në Gjilan sepse edhe tashmë janë shumicë. Na duhet aprovim për planin zhvillimor komunal për të cilin po punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe me fillimin e implementimit të këtij projekti kjo do ketë direkt në përmirësimin e zhvillimit ekonomik në vend”, ka thënë ai për EO.

  • Biden rezulton pozitiv me COVID-19

    Biden rezulton pozitiv me COVID-19

    Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe se po vuan simptoma të lehta.

    Biden ishte në një tubim me mbështetësit e tij në Las Vegas, teksa pas rezultateve, ai e ka anuluar një tjetër tubim që e kishte në agjendë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

    Rezultimi pozitiv me COVID-19 vjen për Bidenin në kohën kur ai po përballet me presion në rritje për t’u larguar nga gara për president nga fronti demokrat për shkak të moshës së tij e edhe pas një debati të dobët kundër kandidatit republikan, Donald Trump, në fund të qershorit.

    Po ashtu, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Biden planifikon të izolohet në shtëpinë e tij në Delaware, por se kjo nuk do të ndikojë në kryerjen e detyrave të tij gjatë kësaj kohe.