ATV

Category: Lajme

  • ​KQZ miraton Rregulloren për votimin jashtë Kosovës

    ​KQZ miraton Rregulloren për votimin jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar sot rregulloren regjistrimi dhe votimi jashtë Kosovës.

    Sipas KQZ-së, kjo rregullore përcakton mënyrën e regjistrimit për të votuar nga jashtë Kosovës, pranimin dhe evidentimin e dërgesave postare, procedimin dhe vlerësimin e aplikacioneve të pranuara përmes postës dhe platformës elektronike, procesin e konfirmimit dhe kundërshtimit, votimin përmes postës, vlerësimin e dërgesave postare të pranuara përmes postës dhe votimin në përfaqësi diplomatike.

    Gjithashtu, gjatë votimit do të dërgohen 3 deri në 5 anëtarë në këshilla të vendvotimit.

    Sipas anëtarit të KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani kjo rregullore, rregullon të gjithë procedurën e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës.

    “Kjo rregullore, rregullon gjithë procedurën e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës, duke përfshirë votimin në ambasadë, përmes postës, në ambasada dhe përmes postës në Kosovë. I ka parapa të gjitha çështjet”, ka thënë Elshani.

    Ndërsa, deputeti i LVV-së, Sami Kurteshi, ka theksuar se është folur që prej të gjitha subjekteve politike të kërkohen përfaqësues të subjekteve që janë të gatshëm të marrin pjesë në këshillat e vendvotimit, me arsyen që të mos dërgohen njerëzit nga Kosova.

    “Ne kemi menduar që prej të gjitha subjekteve politike të kërkohen përfaqësues të subjekteve që janë të gatshëm të marrin pjesë në këshillat e vendvotimit që të mos dërgojmë njerëz nga këtu”, ka shtuar Kurteshi.

    Po ashtu, Fazli Stollaj, drejtori pwr Operacione Zgjedhore, ka shtuar se kjo rregullore do të garantojë zgjedhje të lira.

    Stollaj, ka shtuar se rregullorja është komfort ligjit të miratuar dhe plotëson gjithë përfshirjen dhe komunitetin pakicë.

    “Legjislacioni por edhe rregullorja do të garantojë që të ketë gjithë përfshirje në të gjitha këto mekanizma që do të garantojnë zgjedhje të lira. Departamenti i operacioneve zgjedhore që do tu dërgojë ftesë subjekteve politike për bërjen e këshillit të vendvotimeve edhe jashtë Kosovës do t’i dërgojë të gjithë atyre që kanë interes, kanë anëtarë kështu që besoj se kjo rregullore është komfort ligjit të miratuar dhe plotëson gjithë përfshirjen edhe komunitetit pakicë”, ka shtuar ai.

    Gjatë vazhdimit të mbledhjes së KQZ-së është folur edhe për këshillin për buxhet dhe financa, shqyrtimin dhe miratimin e raportit të buxhetit dhe shpenzimet për periudhën janar- qershor 2024, shqyrtimi dhe miratimi i raportit të shpenzimeve të derivateve për periudhën janar-qershor 2024,informim dhe raportim të prokurimit për periudhën janar- qershor 2024 dhe shumë pika të tjera./kp

  • ​Zjarret shpërthejnë në të gjithë SHBA-në perëndimore, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar evakuime

    ​Zjarret shpërthejnë në të gjithë SHBA-në perëndimore, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar evakuime

    Një seri zjarresh të rrezikshme të shkaktuara nga nxehtësia ekstreme dhe kushtet e thata po shkatërrojnë komunitetet në të gjithë SHBA-në perëndimore, duke shkatërruar shtëpi dhe duke nxitur evakuime të gjera.

    Në Kaliforninë Jugore, një zjarr i ndezur nga fishekzjarrë shkatërroi të paktën gjashtë shtëpi dhe dëmtoi shtatë të tjera në Riverside të dielën.

    Zjarri, i cili shpërtheu gjatë një valë të nxehtë, dogji gati një milje katror përpara se të frenohej, sipas ABC News, duke cituar autoritetet.

    Ndërkohë, në Paqësorin Veriperëndimor, zjarre të shumta po digjen në të gjithë Oregon, Uashington dhe Idaho. Në Oregon, qyteti Huntington, me një popullsi prej rreth 500 banorësh, u evakuua vonë të dielën.

    Zjarri, duke mbuluar më shumë se 272 milje katrorë pa kontroll, shkaktoi mbylljen e një pjese të Interstate 84.

    Më në perëndim, një zjarr i shpejtë filloi të hënën pasdite në anën e Oregonit të grykës së lumit Kolumbia, duke çuar në njoftime të detyrueshme evakuimi për zonat pranë qytetit Mosier.

    Në Utah, autoritetet hoqën urdhrat e evakuimit për një zjarr në afërsi të Salt Lake City që kishte kërcënuar lagjet afër Kapitolit të shtetit gjatë fundjavës. Zjarri, i cili filloi të shtunën dhe u rrit në rreth 200 hektarë, tani është pjesërisht nën kontroll.

    Vala e vazhdueshme e të nxehtit dhe kushtet jashtëzakonisht të thata vazhdojnë të përkeqësojnë rreziqet e zjarrit në të gjithë rajonin, me zjarrfikësit dhe banorët që mbeten në gatishmëri të lartë ndërsa luftojnë me këto flakë të rrezikshme./AA/

  • ​Policia sekuestron dy armë zjarri në Xërxë të Rahovecit

    ​Policia sekuestron dy armë zjarri në Xërxë të Rahovecit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar dy armë zjarri në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit.

    “Gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë zjarri: Një pushkë automatike me një karikator dhe një pistoletë me një karikator”, bën të ditur Policia.

    “Pas një hetimi preliminar të zhvilluar nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Rahovec, lidhur me informatën e pranuar se i dyshuari D. Th., mashkull kosovar, i lindur në vitin 2001, posedonte armë në mënyrë të paautorizuar, me datën 23.07.2024 në koordinim me prokurorin e shtetit, është kryer kontroll në vendbanimin e tij në fshatin Xërxë-Rahovec”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

  • ​Gjashtë zyrtarë të arrestuar në aksionin për patentë shoferë

    ​Gjashtë zyrtarë të arrestuar në aksionin për patentë shoferë

    Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj ka deklaruar se janë arrestuar gjashtë persona nga aksioni që ka nisur në orët e hershme që ka të bëjë me qendrën për patentë shoferë në Pejë.

    Ajo ka thënë se një prej të arrestuarve është liruar për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ndërkaq tre të tjerë nuk janë hasur në shtëpi.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, pas hetimeve që kemi bërë më shumë se një vit, sot kemi ndërmarrë një aksion që ka të bëjë me qendrën për patentë shoferë në Pejë. Ky aksion është zhvilluar në Komunën e Pejës, Deçanit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës dhe si rezultat i këtyre veprimeve hetimore janë arrestuar gjashtë persona. Një person për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është liruar dhe tre të tjerë nuk janë hasur në shtëpi. Sipas familjarëve të njëjtit kanë deklaruar se këta persona gjenden diku për pushime. Këta që janë arrestuar dyshohen për vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së rëndë e po ashtu edhe për vepër penale ndihmë në kryerjen e veprës penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare. Hetimet i kemi zhvilluar me drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prishtinë”, tha Disha-Haxhosaj.

    E pyetur sa supozohet se është koha që këta persona kanë kryer këtë vepër penale për të cilën dyshohen, ajo tha se nga viti 2021 dhe në vazhdimësi.

    “Diku nga viti 2021 dhe në vazhdimësi”, tha ajo.

    Aksioni ka filluar që nga orët e hershme të mëngjesit. Zëvendësministri Hysen Durmishi kishte thënë se janë të pa kompromis në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

  • Netanyahu thotë se mund të jetë afër arritja e një marrëveshjeje për pengjet

    Netanyahu thotë se mund të jetë afër arritja e një marrëveshjeje për pengjet

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka thënë familjarëve të pengjeve që po mbahen në Gazë se mund të jetë afër arritja e një marrëveshjeje për lirimin e tyre, njoftoi Zyra e kryeministrit izraelit, teksa lufta në enklavën palestineze po vazhdon.

    Forcat izraelite po vazhdojnë operacionet e tyre në jug, në Han Junis, pasi urdhëruan civilët të evakuohen nga disa qarqe të këtij qyteti që thanë se po përdoren për të kryer sulme nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se mijëra persona po largohen në zonat më të sigurta, teksa Izraeli po vazhdon sulmet ajrore.

    Netanyahu aktualisht gjendet në Uashington dhe pritet të takohet me presidentin Joe Biden gjatë kësaj jave, pas adresimit para Kongresit amerikan.

    Në Uashington ai është takuar me familjarët e pengjeve të marra nga Hamasi. Ai u tha atyre se “kushtet [për marrëveshje] po piqen. Kjo është shenjë e mirë”.

    Për muaj të tërë, ndërmjetësit nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Përpjekjet janë shpeshtuar javët e fundit.

    “Fatkeqësisht, jo gjithçka do të ndodhë menjëherë. Do të ketë faza. Megjithatë, unë besoj se mund të çojmë përpara marrëveshjen”, tha Netanyahu.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

    Disa pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntorin e vitit të kaluar. Aktualisht, besohet se janë edhe 120 pengje, një e treta e të cilëve Izraeli beson se nuk janë gjallë.

    Teksa lufta po vazhdon, në Gazë autoritetet shëndetësore kanë thënë se më shumë se 39.000 palestinezë janë vrarë si pasojë e ofensivës izraelite./REL

  • KQZ-ja miraton Rregulloren për votimin jashtë Kosovës

    KQZ-ja miraton Rregulloren për votimin jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe miratoi një nga rregulloret më të rëndësishme të procesit zgjedhor Rregulloren nr. 17/2024 Regjistrimi dhe votimi jashtë Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Sipas KQZ-së, kjo rregullore përcakton mënyrën e regjistrimit për të votuar nga jashtë Kosovës, pranimin dhe evidentimin e dërgesave postare, procedimin dhe vlerësimin e aplikacioneve të pranuara përmes postës dhe platformës elektronike, procesin e konfirmimit dhe kundërshtimit, votimin përmes postës, vlerësimin e dërgesave postare të pranuara përmes postës dhe votimin në përfaqësi diplomatike.

  • 21 korriku, dita më e nxehtë që bota ka regjistruar ndonjëherë

    21 korriku, dita më e nxehtë që bota ka regjistruar ndonjëherë

    E diela e 21 korrikut ishte dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në botë, sipas të dhënave paraprake nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian, Copernicus.

    Temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe të dielën arriti në 17,09 gradë Celsius pak më e lartë se rekordi i mëparshëm i vendosur korrikun e kaluar prej 17,08 gradë Celsius.

    Valët e të nxehtit ka prekur pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Rusisë gjatë javës së kaluar.

    Copernicus konfirmoi për Reuters se rekordi mesatar i temperaturës ditore i vendosur vitin e kaluar dukej se ishte thyer të dielën, në rekordet e tyre që shtrihen në vitin 1940.

    Viti i kaluar pati katër ditë radhazi që thyen rekordin, nga 3 korriku deri më 6 korrik, pasi ndryshimi i klimës, i nxitur nga djegia e lëndëve djegëse fosile, çoi nxehtësinë ekstreme në të gjithë hemisferën veriore.

    Çdo muaj që nga qershori i vit5it 2023 – 13 muaj me radhë – tani është renditur si më i nxehti i planetit që nga fillimi i regjistrimeve, krahasuar me muajin korrespondues në vitet e mëparshme, tha Copernicus, shkruan Reuters

  • Stano: Ura e Ibrit është çështje e dialogut, të shmangen veprimet e pakoordinuara

    Stano: Ura e Ibrit është çështje e dialogut, të shmangen veprimet e pakoordinuara

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se çështja e rihapjes së Urës së Ibrit për qarkullim është çështje që i përket dialogut dhe se çdo vendim për hapjen duhet të merret në kuadër të dialogut.

    Ai ka thënë se diskutimet janë duke vazhduar dhe se BE-ja po bashkëpunon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë – duke bërë thirrje që të shmangen veprimet e njëanshme.

    “Bisedimet janë duke vazhduar dhe BE-ja po bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë. BE u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm”, ka thënë Stano.

    Stano tutje ka shtuar se të gjitha marrëveshjet nga dialogu, përfshirë edhe ato për urën në Ibër, duhet të zbatohen plotësisht.

    Tema e Urës së Ibrit është ngritur si çështje edhe në takimin e javës së kaluar që kryeministri Albin Kurti ka pasur me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

  • ​A po rrezikohet zhvillimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë? Përgjigjet Kurti

    ​A po rrezikohet zhvillimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë? Përgjigjet Kurti

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka informacione nëse ka telashe në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në Kosovë në vitin 2030.

    I pyetur nga media për këtë çështje, Kurti ka theksuar se është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që mund të jap përgjigje më të detajuara rreth kësaj çështje.

    “Për çështjen e Lojërave Mesdhetare, unë nuk kam kurrfarë informacioni që ka probleme, përkundrazi, dhe për këtë është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht zëvendësministrja Daulina Osmani e cila mund t’iu jep përgjigje më të mirë”.

  • IKD-së i refuzohet monitorimi i konkursit për zgjedhjen e përfaqësuesit të sindikatave në FKP

    IKD-së i refuzohet monitorimi i konkursit për zgjedhjen e përfaqësuesit të sindikatave në FKP

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) njoftoi se i është refuzuar monitorimi i konkursit për zgjedhjen e përfaqësuesit të sindikatave në Fondin Pensional.

    IKD-ja ka thënë të martën se kërkesa ishte bërë me qëllim të monitorimit për të rritur nivelin e integritetit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve në Bordin e FKP-së.

    Kjo organizatë tha se s’ka marrë përgjigje në dy kërkesat e bëra.

    Në ndërkohë, sipas informacioneve tona, procesi i intervistimit për këto dy pozita do të fillojë sot.

    “IKD shpreh shqetësimin e thellë për qasjen mospërfillëse të institucioneve të lartpërmendura ndaj mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, duke injoruar në heshtje kërkesën e shoqërisë civile. Andaj, vlerësojmë se qasja e tillë është tregues i qartë i refuzimit në heshtje për ta monitoruar këtë proces. Kjo mospërgjigje dëshmon qëllimin për të shmangur situatat ku duhet të promovohen parimet dhe praktikat e bazuar në meritë në këtë proces të rëndësishëm të rekrutimit. Kufizimi i qasjes për IKD-në, tregon mungesën e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet, e që në mungesë të mbikëqyrjes së nevojshme mund të dërgojë edhe në rritjen e rrezikut të abuzimit dhe mungesës së një procesi të bazuar në integritet dhe meritokraci. IKD vlerëson se bashkëpunimi i hapur dhe konstruktiv mes institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, është vlerë që do ta përforconte demokracinë, transparencën dhe do të ndihmonte në ndërtimin e një administrate të qëndrueshme dhe efektive për të mirën e të gjithë qytetarëve. Në anën tjetër, për të përmirësuar situatën, është e nevojshme që institucionet shtetërore të zbatojnë standarde më të larta të transparencës dhe të lejojnë monitorimin e pavarur nga organizatat e shoqërisë civile, e që në situatën aktuale po ndodh e kundërta”, thuhet në komunikatë.

    Instituti ka thënë tutje se konkursi për pozitën e përfaqësuesit të sindikatave u bë vetëm pas reagimit të IKD-së.