ATV

Category: Lajme

  • 750 mijë euro investime në Kardiokirurgji, Kurti premton përmirësim të kushteve në QKUK

    750 mijë euro investime në Kardiokirurgji, Kurti premton përmirësim të kushteve në QKUK

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, kanë vizituar Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me ç’rast u përuruan renovimet në vlerë prej 750 mijë euro, raporton EO.

    Kurti tha se krahas renovimit të tërësishëm, janë shtuar edhe shtretërit dhe hapësira brenda kësaj klinike.

    “Ky investim është bërë në vlerën e 750 mijë eurove. Në kujdesin intensiv nga katër në 10 ndërkaq në repart nga 14 në 17, gjithashtu janë edhe zona e filtrimit të cilat ndalojnë infektimit, si dhe kemi arritur që gjatë renovimi të zbulojmë 200 metra katror hapësirë që nuk është përdorur më herët dhe që tash kemi vend edhe për arkiva dhe për zyrë dhe ka kushte të mira si për pacientë por edhe për mjekët. Siç themi klinikë pas klinike po rregullojë shëndetin, para meje kemi një aparaturë e cila shërben që gjatë operacioneve që kur ndalen zemra zëvendëson edhe zemrën edhe mushkëritë”, u shpreh Kurti.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha sfidë ka qenë vendi për t’i vendosur pacientët në kohën sa është rinovuar kjo klinikë.

    “Sot po e lansojmë edhe një klinikë me kushtet me moderne të mundshme, një klinikë si kjo kanë mundësi që t’i marrin shërbimet që nuk kanë mundur t’i marrin më herët. Sfida e vetme ka qenë ku t’i vendosin pacientët kur bëhen këto renovime. Në mënyrën më të mirë e kemi bërë zhvendosjen e pacientëve dhe nuk ka pasur mosndalje të shërbimeve. Të gjithë njerëzit vullnetmirë që kanë kontribuar në këtë renovim iu falënderojmë, iu garantojmë që të gjithë shërbimet do të kryhen në këtë klinikë”, u shpreh Vitia.

    E këto investime u panë të mirëseardhura nga drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi. Ai tha se do të jetë lehtësim për stafin e për pacientët.

    “Kemi arritur të bëjmë një ritransformim jashtëzakonisht të mirë të Kardiologjisë. Që nga hapja e tij në vitin 2013 ka pasur nevojë për një renovim sigurisht që do të jetë një lehtësim i madh për stafin dhe sigurisht edhe për pacientët dhe kjo aparaturë mundëson që të rriten numri i pacientëve dhe krijon mundësinë e kryerjes së operacioneve më komplekse. E cila ka një shpresë që brenda dy viteve vazhdojmë me procedura të tjera më specifike që ne i synojmë”, u shpreh ai.

  • ​Kurti pyetet për Faton Hajrizin, thotë se s’ka nevojë të merret me punët e ministrave

    ​Kurti pyetet për Faton Hajrizin, thotë se s’ka nevojë të merret me punët e ministrave

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nëse dinë zyrtarisht se i vrari në Serbi, është Faton Hajrizi, por ai ka thënë se dy ministrinë e qeverisë që drejton po e trajtojnë këtë çështje.

    “Dy ministritë tona, e punëve të brendshme dhe të drejtësisë e trajtojnë këtë çështje, nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, ka thënë ai.

    Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, Ministria e Punëve të Jashtme dje ka njoftuar që janë njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.

    “Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’iu mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftim.

  • Nis intervistimi i Haxhiut nga Prokuroria Speciale për deklaratat rreth Faton Hajrizit

    Nis intervistimi i Haxhiut nga Prokuroria Speciale për deklaratat rreth Faton Hajrizit

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka vazhduar të martën intervistimin nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Haxhiu është parë së bashku me avokatin e saj, Tomë Gashi, teksa hyjnë në objektin e Policisë së Kosovë mbi deklarimet e saj për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës, raporton EO.

    Për të njëjtën temë, Haxhiu është intervistuar edhe të hënën.

    Ditë më parë, Haxhiu shkroi në Facebook se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës – e mes të arratisurve ishte edhe Faton Hajrizi – janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.

    “Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

  • Hamasi bën marrëveshje për unitet me rivalët palestinezë

    Hamasi bën marrëveshje për unitet me rivalët palestinezë

    Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje në Pekin me organizatat e tjera palestineze, për të punuar së bashku për “unitetin kombëtar”.

    Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, i cili priti zyrtarin e lartë të Hamasit, Musa Abu Marzuk, të dërguarin e Fatahut, Mahmud al-Aloul, dhe emisarë nga 12 grupe të tjera palestineze, tha se ata kanë rënë dakord për të krijuar një “qeveri të përkohshme të pajtimit kombëtar”, për të qeverisur Gazën e pasluftës.

    “Sot, ne nënshkruam një marrëveshje për bashkim kombëtar. Jemi të përkushtuar për të dhe bëjmë thirrje për të”, tha Abu Marzuk pas takimit me Wangun dhe të dërguarit e tjerë.

    Njoftimi vjen më shumë se nëntë muaj pas shpërthimit të luftës në enklavën e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi.

    Shkas për këtë luftë është bërë një sulm i Hamasit në Izrael, më 7 tetor, i cili ka lënë të vrarë afro 1.200 njerëz – shumica civilë.

    Atë ditë, grupi ka marrë peng edhe mbi 250 njerëz – prej të cilëve 116 mbeten në Gazë, ndërsa të tjerët ose janë liruar, ose janë vrarë.

    Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, sulmet hakmarrëse të Izraelit në enklavë kanë lënë të vrarë mbi 39.000 njerëz – kryesisht civilë – që nga nisja e luftës.

    Kina ka bërë përpjekje të luajë një rol ndërmjetësues në këtë konflikt, i cili është bërë edhe më i ndërlikuar për shkak të rivalitetit midis Hamasit, i cili kontrollon Gazën, dhe Fatahut, i cili qeveris pjesërisht Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Në fund të takimit, Wang tha se grupet u zotuan për “pajtim”.

    “Pika më e spikatur është dakordimi për të formuar një qeveri të përkohshme në Gazën e pasluftës”, tha Wang pas nënshkrimit të marrëveshjes në Pekin.

    “Pajtimi është një çështje e brendshme për fraksionet palestineze, por, në të njëjtën kohë, ai nuk mund të arrihet pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, shtoi ai.

    Kina është mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez. /REL

  • ​Kurti komenton liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaportë të Serbisë

    ​Kurti komenton liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaportë të Serbisë

    Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se vendimi i djeshëm për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë, është i padrejtë, i dëmshëm dhe dekurajuese për integrimin e serbëve.

    Kurti i bëri këto komente pas përurimit Përurohen renovimet në Klinikën e Kardiokirurgjisë.

    “E konsiderojmë të padrejtë ,të dëmshme dhe dekurajuese për integrimin e serbët, sidoqoftë Republika demokraitke dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq, ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë në vendimet e Brukselit, japim qëndirmin tonë dhe nuk mund të jetë i ndryshëm, ajo çka ka thënë presidentja, Ministria e Punëve të Jashmte, është qëndrimi i përbashkët i institucioneve të republikës”, ka thënë ai.

    Raporti u përpilua nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, dhe u votua me 34 vota pro. Në arsyetim thuhet se; zgjerimi i liberalizimit të vizavetë BE-së për banorët serbë të Kosovës është i rendësishëm për të parandaluar diskriminim ndaj këtyre qytetarëve të cilët rrezikojnë të trajtohen ndryshe nga banorët e tjerë.

    Këtë vendim e ka kundërshtuar edhe Qeveria e Kosovës.

    Klisman Kadiu, këshilltari i zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi, në një përgjigje për RTV21 ka shprehur keqardhje për vendimin e PE-së duke thënë se arsyetimi i raportit nuk reflekton realitetin e së drejtës për udhëtime pa viza te qytetarve nga komuniteti serb.

    “Qytetaret tanë nga komuniteti serb nuk janë të izoluar e as komuniteti i vetëm që nuk mund të udhëtojë drejt Evropës. Qytetarët tanë nga komuniteti serb, po vazhdon të pajisen me dokumente të shtetit tonë dhe të ketë interesim të lartë, e ne vazhdojmë t’i bejmë thirrje qytetarëve që të pajisen me to, në mënyre që ta shfrytezoinë të drejtën e lëvizjes se lirë pas arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin tonë. Ne vijojmë te qëndrojme në gatishmëri e me kapacitete të plota për të përmbushur kërkesat e tyre. Ritheksojmë se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial te Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk mund të njihen apo te jenë dokumente të vlefshme udhetimi. Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrëzikshem, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentative e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit të leshuara në Ukraine dhe Georgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-se”, tha ai. /kp

  • ​Konfiskohen sasi e madhe e armëve në një fshat të Prishtinës

    ​Konfiskohen sasi e madhe e armëve në një fshat të Prishtinës

    Policia e Kosovës si rezultat i angazhimeve hetimore dhe operative në terren, të cilat kanë për qëllim identifikimin e personave të dyshuar kryes të veprave penale dhe parandalimin e kryerjes së aktivitetit të tyre, ka realizuar një operacion policor i cili ka rezultuar me sekuestrim të armëve dhe municionit.

    Sipas Policisë, më datën 23.07.2024 Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pas dyshimeve se po kryhet vepra penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’, ka bërë kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në fshatin Koliq të Prishtinë, pronë e të dyshuarit mashkull kosovar, kontroll i cili është kryer me urdhër të gjykatës kompetente.

    “Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armatimi e municioni një armë (pistoletë) kal: 7.62mm, dy armë (pistoletë) kal: 9×19 mm, tetë karikatorë, 61 fishekë kalibër 7.62, dy armë gjuetie, kal: 12 GA, një pushkë me dylbi prodhim italian dhe 303 fishekë kalibrash të ndryshëm. Personi i dyshuar është arrestuar dhe rasti i nënshtrohet vijueshmërisë së procedurave të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.

  • ​Problemet në shpërndarjen e teksteve shkollore në Prizren, i raporton Veselaj Gutaj

    ​Problemet në shpërndarjen e teksteve shkollore në Prizren, i raporton Veselaj Gutaj

    Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prizrenit nuk ka bërë shpërndarjen me teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për vitin 2023-2024.

    Kështu ka deklaruar drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Luljeta Veselaj Gutaj gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit Fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Ajo ka bërë me dije se ka pasur fëmijë që komuniteti shkollor ia ka gjetur librat.

    Kryetari i këtij komisioni Shemsedin Dreshaj ka pyetur drejtoreshën Veselaj Gutaj se cilat janë problemet që ka hasur kjo drejtori lidhur me shpërndarjen e teksteve shkollore.

    “Informatat kanë qenë shumë të mangëta në raport me pyetjet që i kemi dorëzuar. Cilat janë problemet që i keni hasur si drejtori e arsimit, lidhur me shpërndarjen e teksteve? Kur është bërë kompletimi i literaturës për nxënës? Sa nxënës nën moshën 6 vjeçare kanë mbetur pa tekste?”, ka pyetur ai.

    Gutaj, është përgjigjur se arsyeja që kjo drejtori nuk ka bërë shpërndarjen e teksteve është sepse nuk kanë qenë të informuar.

    Informatën për subvencionim kjo komunë e ka marrë pas një deklarate të MAShT në media.

    Gjithashtu, ajo ka shtuar se prindërit nga buxheti i tyre kanë blerë librat dhe këtë e dëshmon me deklarata të prindërve.

    “Drejtoria e Arsimit në Prizren nuk e ka bërë shpërndarjen me tekste sepse 10 ditë para se te filloj viti shkollor ka dale ministrja e Arsimit me një komunikatë për media dhe jemi njoftuar përmes mediave se do të bëhet subvencionimi. Vetë prindërit i kanë ble librat, ne nuk kemi bë shpërndarje. Ne kemi pas nxënës që nuk ka pasur libra fare. Kemi fëmijë që komuniteti shkollor ia ka gjetur librat. Kemi edhe deklarata të prindërve. Shkolla Lekë Dukagjini që ma listuar dhe protokolluar procesverbalin që prindërit kanë blerë librat pa u bërë rimbursimi dhe nuk u kanë dalë mjetet në gjirollogari emër mbiemër cilën klasë”, ka thënë ajo.

    Ndërkaq, mbledhja është ndërprerë pasi që nuk ka pasur kuorum.

  • Biden: Tërheqja ishte gjëja e duhur për t’u bërë

    Biden: Tërheqja ishte gjëja e duhur për t’u bërë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendimi i tij për t’u tërhequr nga gara për rizgjedhje, ka qenë “gjëja e duhur për t’u bërë”.

    Biden i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me ndihmësit e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike.

    Këto ishin të parat prej tij, prej se u tërhoq nga gara më 21 korrik.

    Ai i dha mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, e cila tani duhet të sigurojë nominimin e partisë si kandidate për presidente.

    “E di që lajmi [për tërheqjen time] ishte befasues dhe i vështirë për t’u dëgjuar, por ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, u tha Biden përfaqësuesve të fushatës.

    Ai tha se ekipi ka punuar “me shpirt” për ta ndihmuar atë që të qëndronte në detyrë edhe për një mandat të dytë, por shtoi se “nuk do të shkojë askund” dhe se do të mbetet “plotësisht i angazhuar” në fushatë.

    “Shpresoj që ju t’i jepni Kamalës një pjesë të zemrës dhe shpirtit tuaj, që ma keni dhënë mua”, u tha Biden përfaqësuesve të fushatës.

    “Ne ende duhet ta shpëtojmë këtë demokraci. Trump paraqet ende rrezik për këtë komb”, tha Biden duke iu referuar kandidatit republikan për president, Donald Trump.

    Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor.

  • Dy gra lëndohen në ashensorin e një objekti në Vushtrri, dërgohen në spital

    Dy gra lëndohen në ashensorin e një objekti në Vushtrri, dërgohen në spital

    Mbrëmë pak para mesnate dy gra janë lënduar në ashensorin e një objekti banesor në Vushtrri.

    Viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor, derisa Policia e Kosovës ka dal në vendin e ngjarjes.

    Lajmi e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.

    “Është raportuar se dy viktima f/sh/k kanë pësuar lëndime në ashensor. Rasti është iniciuar dhe po hetohet për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithëshëm””, tha ai.

  • Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS-K gjatë Olimpiadës

    Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS-K gjatë Olimpiadës

    Gazetari taxhik, Temur Varki, është habitur kur e ka pranuar një thirrje prej policisë së Parisit, në fund të marsit, disa ditë pasi militantë prej vendlindjes së tij, të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), janë dyshuar se kanë kryer një masakër në Moskë.

    Dy zyrtarë e kanë marrë në pyetje për komunitetin e vogël të imigrantëve taxhikë në Francë.

    “Kë e njihni? Sa prej tyre? Ku?”, ka rikujtuar Varki ta kenë pyetur zyrtarët, dhe njëri prej tyre ka folur rusisht, gjuhë e përdorur shpesh në Azinë Qendrore, ku gjendet Taxhikistani.

    Varki, refugjat në Francë, i cili ka punuar për media të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë BBC-në, u ka thënë zyrtarëve policorë se njeh pak taxhikë në Francë dhe ata janë kryesisht disidentë.

    “Por, nuk e njoh asnjë xhihadist”, u ka thënë ai.

    Pak ditë para se të nisin Lojërat Olimpike Verore në Paris, më 26 korrik, shërbimet franceze të sigurisë janë duke bërë përpjekje të shumta për të siguruar informacione dhe për të thelluar lidhjet me taxhikët në Francë, sipas dhjetëra njerëzve të afërt me këto zhvillime, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

    Aty përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës, policë, diplomatë dhe migrantë të Azisë Qendrore, të cilët janë kontaktuar prej autoriteteve.

    Këto operacione vijnë pas dy sulmeve të mëdha të këtij viti, për të cilat autoritetet deklarojnë se janë kryer prej anëtarëve taxhikë të grupit Shteti Islamik i Korasanit (IS-K), degë e IS-it, që është emëruar sipas rajonit historik të Korasanit, e që përfshin pjesë të Iranit, Afganistanit dhe Azisë Qendrore.

    Sulmet me bomba në Iran, më 3 janar, kanë vrarë rreth 100 njerëz në një ceremoni përkujtimore për komandantin e vrarë iranian, Qassem Soleimani, derisa më 22 mars, në Moskë, sulmuesit kanë shtënë me armë në sallën e koncerteve Crocus, duke vrarë më shumë se 120 njerëz.

    Autoritetet franceze kanë thënë se tashmë kanë penguar kryerjen e një sulmi islamik në Olimpiadë, duke arrestuar në maj një çeçen, 18-vjeçar, të dyshuar për planifikim të një sulmi terrorist në emër të IS-it, në stadiumin e futbollit Saint-Etienne, në të cilin do të luajnë Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

    Duke marrë parasysh të kaluarën koloniale dhe rritjen e disponimit kundër myslimanëve, por edhe përfshirjen historike në luftërat në Lindje të Mesme dhe ato afrikane, Franca ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve islamiste.

    Muajin e kaluar, shefi policor i Parisit, Laurent Nunez, ka thënë se “terrorizmi islamist është shqetësimi ynë kryesor” në Olimpiadë, ndonëse autoritetet kanë thënë se nuk kanë vërejtur kërcënime direkte kundër Lojërave.

    Taxhikistani, i prekur prej luftërave civile në vitet ’90, është vendi më i varfër në ish-republikat sovjetike.

    Ai varet prej remitencave të migrantëve, që jetojnë kryesisht në Rusi, dhe përbëjnë gati gjysmën e hyrave në ekonomi.

    Burrat e varfër dhe të izoluar të diasporës taxhike kanë dalë të jenë shënjestra atraktive për rekrutim prej anëtarëve të grupit IS-K, sipas shumë ekspertëve të sigurisë.

    Megjithatë, inteligjenca franceze ka pak asete të Azisë Qendrore, ka thënë një burim për Reutersin, prandaj vështirë depërton ne komunitetin e tyre.

    Sipas Asociacionit të Taxhikëve të Francës, në këtë vend janë rreth 30 familje taxhike.

    Ky burim i inteligjencës ka thënë se IS-K përbën kërcënim relativisht të ri, pasi të rekrutuarit që jetojnë jashtë vendit mund të radikalizojnë shtetasit e Azisë Qendrore në Francë, për të kryer sulme në tokën franceze.

    Si dëshmi, ky burim e ka përmendur rastin e një burri taxhik, që është arrestuar më 2022, për organizim të një sulmi në Strasburg. Ky burim ka thënë se ai person ka qenë duke vepruar sipas udhëzimeve të anëtarëve të grupit IS-K, jashtë shtetit.

    Një burim tjetër ka thënë se Franca ka identifikuar dhjetëra anëtarë të grupit IS-K në shumë shtete rreth Afganistanit, të cilët kanë prezencë të madhe online dhe tentojnë të bindin të rinjtë në shtetet evropiane, që janë të interesuar për t’iu bashkuar grupit, për të kryer sulme.

    Ata persona, më pas, lidhin të rekrutuarit me njëri-tjetrin, për t’u pajisur me dokumente të rreme dhe armë, dhe që ky proces mund të zgjasë disa javë.

    Ministria e Jashtme e Taxhikistanit, nuk ka pranuar të komentojë lidhur me këtë temë.

    Ceremoni komplekse

    Përveç Varkit, Reuters ka folur me dy taxhikë tjerë dhe një uzbek, që jeton në Francë, të cilat janë kontaktuar prej policisë dhe janë marrë në pyetje për komunitetet e tyre.

    Nadejda Atayeva, aktiviste uzbeke për të drejta të njeriut në qytetin veriperëndimor, Le Mans, ka thënë se ua ka dhënë zyrtarëve numrin kontaktues të Varkit, pasi është takuar me zyrtarët policorë në Paris.

    “Jam pyetur për kontakte të taxhikëve që u besoj. Më është thënë se kanë dashur të flasin me taxhikët për të marrë mendimin e tyre për zhvillimet në Moskë”, ka thënë ajo.

    Sebastien Peyrouse, akademik francez që i ka informuar agjencitë franceze dhe amerikane për natyrën e militantëve të Azisë Qendrore, ka thënë se Parisi mund të ketë qenë i ngadalshëm për të shmangur kërcënimin e mundshëm taxhik.

    “Franca është fokusuar më shumë te njerëzit e radikalizuar të Lindjes së Mesme, prej Algjerisë, veriut të Afrikës, sesa në ata të Azisë Qendrore”, ka thënë ai.

    “Mendoj që Franca është befasuar me atë që ka ndodhur në Moskë, dhe mund të jetë pak vonë”.

    Inteligjenca ruse, ndonëse ka informacione të detajuara për rrjetet e militantëve të Azisë Qendrore, ka dështuar që të parandalojë sulmin në sallën Crocus, ka thënë Edward Lemon, ekspert i Taxhikistanit, që ka kontakte të shpeshta me agjencitë perëndimore të spiunimit.

    Inteligjenca e këmbyer në mes të Rusisë dhe Francës për Shtetin Islamik, dhe grupet tjera ekstremiste, është zvogëluar dukshëm pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, ka thënë ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, në prill të këtij viti.

    Dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, që koordinojnë sigurinë e ekipit amerikan në Olimpiadë, i kanë thënë Reutersit se, kanë besim në përgatitjet e Francës.

    Pa hyrë në hollësi, ata kanë thënë se tentimet franceze për të krijuar lidhje të ngushta me popullatën taxhike, kanë reflektuar për një praktikë e zakonshme kundër terrorizmit, për të mësuar më shumë për figurat kërcënuese brenda komunitetit.

    “Secili do të kishte më shumë” informacione për kërcënimet prej Azisë Qendrore, ka thënë njëri prej tyre.

    Luftëtarë të ikur prej Sirisë

    Kërcënimi më i madh prej militantëve taxhikë në Evropë vjen prej dhjetëra burrave të radikalizuar që kanë luftuar në Siri dhe kanë depërtuar në kontinentin evropian prej Ukrainës, sipas Lemonit dhe dy ekspertëve tjerë për Azinë Qendrore.

    Vitin e kaluar, autoritetet gjermane kanë arrestuar gjashtë persona të Azisë Qendrore, për të cilët ka pasur dyshimet se kanë tentuar të krijojnë një organizatë terroriste.

    Këta persona, me shtetësi turkmene, taxhike dhe kirgize, kanë hyrë në Gjermani prej Ukrainës, pak pasi ka nisur pushtimi rus, më 2022, kanë thënë prokurorët.

    Ata tani janë në burg, në pritje të gjyqit.

    Lemon beson se në Evropë jetojnë mijëra taxhikë, kryesisht në Poloni dhe Gjermani.

    Shumica prej tyre janë refugjatë politikë, që janë shpërngulur një dekadë më parë, pasi presidenti taxhik, Emomali Rakhmon, ka shpallur dy lëvizjet opozitare – Grupi 24 dhe Partia Islamike e Rezistencës – si parti terroriste dhe ekstremiste.

    Rakhmon, aleat i Rusisë, e ka udhëhequr Taxhikistanin për 30 vjet.

    Varki, kritik i hapur i Rakhmonit, ka thënë se ka kërkuar azil në Francë më 2016, sepse ai e pëlqen shumë kulturën dhe letërsinë franceze.

    Ai ka thënë se nuk ka biseduar kurrë me autoritetet franceze të sigurisë në Francë, derisa ata e kanë kontaktuar në mars.

    Muhammadiqboli Sadriddin, një tjetër disident taxhik, që jeton në Francë, ka thënë se edhe ai është ftuar prej policisë.

    “Më kanë pyetur se çfarë di”, ka thënë Sadriddin.

    Ai ka thënë se ka dashur të ndihmojë, por nuk e ka njohur asnjë taxhik me ide radikale.

    Tre ekspertë i kanë thënë Reutersit që tentimet e Francës për të depërtuar te komuniteti taxhik mund të kenë efekt të kundërt.

    Një ish-spiun amerikan, ka thënë në kushte anonimiteti se, inteligjenca franceze është duke bërë punë të mirë, në përgjithësi.

    Mirëpo, ai beson që rritja e presionit ndaj taxhikëve për informacion, mund t’i stigmatizojë ata dhe t’i frikësojë që të identifikojnë ndonjë individ të rrezikshëm.

    Jean-Francois Ratelle, specialist për militantët islamikë në Universitetin e Otavës, është pajtuar.

    “Ky ndërtim i marrëdhënies me komunitetin do të duhej të kishte ndodhur vite më parë. Nëse mendësia është te luftimi i terrorizmit, receta është e dështuar”, ka thënë ai. /REL