ATV

Category: Lajme

  • ​Bastisje në disa lokacione nga aksioni i prokurorisë dhe policisë në Prishtinë

    ​Bastisje në disa lokacione nga aksioni i prokurorisë dhe policisë në Prishtinë

    Një aksion për bastisje është duke u realizuar në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë dhe policinë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se po kryhen bastisje në disa lokacione, nën dyshimin për mashtrime.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, si dhe pas aprovimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, është duke realizuar një aksion, me ç’ rast janë duke u bërë bastisje në disa lokacione, mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Prokuroria ka shtuar se për zhvillimet rreth këtij aksioni do të ketë njoftim me kohë.

  • ​Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore

    ​Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore

    Shqipëria po lulëzon dhe numri i turistëve në vend po rritet me shpejtësi. Ne vizituam vendin ballkanik dhe zbuluam fshatra të vegjël magjepsës dhe një ndjenjë autentike për jetën, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen gjermane “Blick”.

    Vizita në Shqipëri kërkon një ndjenjë aventure – dhe pikërisht kjo është arsyeja pse një udhëtim rrugor është e vetmja mënyrë për të depërtuar në vendin ballkanik.

    Na u desh pak më shumë se një javë për të eksploruar pikat turistike në jug të vendit: Liqenin mistik të Ohrit, Parkun Kombëtar të pyllëzuar të Llogorasë, zonën arkeologjike të Butrintit dhe vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Gjirokastrës dhe Beratit.

    Vendet kryesore të Tiranës

    Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është plot ngjyra. Kaloni disa ditë në qytetin me 400 000 banorë.

    Kushdo që viziton kryeqytetin shqiptar duhet të shijojë edhe kulturën e kafenesë dhe pub-it, e cila ka një traditë të gjatë në Shqipëri.

    Tirana karakterizohet nga jeta e gjallë e natës në zonën e Bllokut, ku dikur jetonin politikanët komunistë.

    Gjithashtu, në qytet po krijohen gjithnjë e më shumë restorante kreative.

    Shumë sundimtarë gjatë shekujve

    Shqipëria ofron një ndërthurje të kulturës dhe historisë.

    Falë vendndodhjes së saj në qendër të Ballkanit, rajoni pati shumë sundues gjatë shekujve: grekët e lashtë, romakët, bizantinët dhe, për rreth 500 vjet, osmanët turq.

    Të gjithë ndihmuan në formësimin e vendit dhe këta të fundit lanë gjurmë jo vetëm në arkitekturë dhe kuzhinë, por edhe në besim.

    Veçanërisht Berati, me shtëpitë e tij osmane dhe rrugët e ngushta të shtruara me guralecë të Lumit Osum – është një Perlë.

    Infrastruktura turistike

    Berati, si i gjithë vendi, është në një udhëkryq. Shumë njerëz po lëvizin nga shtëpitë shekullore në qytetin e ri, i cili ka formuar një unazë rreth bërthamës së vjetër.

    Biznesmenët po investojnë në ndërtesat historike dhe po i shndërrojnë ato në hotele, restorante dhe dyqane.

    Pas pak vitesh, qytetet e vjetra do të bëhen parqe historike – siç ka ndodhur tashmë në shumicën e vendeve turistike rreth Mesdheut.

    Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është – tani!

    Butrinti

    Butrinti ndodhet në jug të vendit – dhe u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992.

    Ju mund të shihni tempuj, rrugë, teatro dhe kisha – që nga periudha e grekëve të lashtë, romakëve, të krishterëve të hershëm dhe osmanëve.

    Mos e humbisni një vizitë në muzeun arkeologjik, ku mund të eksploroni gjetjet më të mira në gadishull.

    Gjirokastra

    Gjirokastra ndryshe quhet edhe “Qyteti i Gurtë”.

    Shtëpitë në qytetin malor – me rreth 20 000 banorë – janë ndërtuar nga guri gri vendas, me të cilin janë mbuluar edhe çatitë.

    Në qytetin e vjetër ndodhen rreth 600 ndërtesa të periudhës osmane (shek. XV- XIX), kjo është arsyeja pse Gjirokastra u bë gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

    Gjithashtu, mund të vizitoni disa nga shtëpitë e dekoruara në mënyrë madhështore, siç është “Shtëpia e Zekatëve”, e cila ngrihet mbi qytetin e vjetër apo xhamitë.

    Alpet Shqiptare

    Malet në veri të vendit njihen edhe si Alpet Shqiptare.

    Majat e tyre arrijnë më pak se 3000 metra, malet me luginat e tyre të gjelbërta dhe pyjet e dendura janë një Perlë e vërtetë.

    Rrëqebullët, ujqërit dhe arinjtë kalojnë fshehurazi nëpër shkurre dhe shqiponjat qarkullojnë rreth majave. Përveç ecjes, mund të bëni edhe rafting.

    Bukuri origjinale

    Ne u kthyem në qytetin e Himarës pas perëndimit të diellit, kur njerëzit ishin duke shëtitur përgjatë mini-shëtitores.

    Himara ka një bukuri origjinale që nuk do ta gjeni në shumë destinacione pushimesh.

    Nga qyteti i Himarës, afërsisht në mes të detit Jon, një shteg i zhvilluar ecjeje përshkon rrugën në veri drejt gjireve të ndryshëm shkëmbor.

    Riviera Shqiptare

    Shqipëria krenohet me plazhet fantastike, ushqimin e thjeshtë por shumë të shijshëm dhe natyrën ende të pacënuar.

    Plazhet në jug në detin Jon, e ashtuquajtura Riviera Shqiptare, janë më të bukura se ato në veri.

    Një nga plazhet më të bukura është Plazhi i Gjipesë, i cili mund të arrihet vetëm në këmbë ose me automjet fuoristradë.

    Ia vlen të ecësh gjysmë ore për në plazh. Folie Marine – Hotel & Beach Club ndodhet në plazhin e Jalës.

    Ky është bari ideal për turistët që duan të kërcejnë rreth pishinës deri herët në mëngjes në korrik/gusht.

    Gjithashtu, vizitoni Syrin e Kaltër. Ky burim ujor është më i pasuri në vend – me ngjyra mbresëlënëse. /ATSh/

  • ​Harris dhe Trump me sulme verbale ndaj njëri-tjetrit

    ​Harris dhe Trump me sulme verbale ndaj njëri-tjetrit

    Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, tha se zgjedhjet presidenciale të nëntorit në këtë vend do të jenë zgjedhje midis një ish-prokuroreje dhe një “krimineli të dënuar”.

    Me këtë të fundit, kandidatja e pritur për presidente nga Partia Demokratike iu referua kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump.

    Harris i bëri komentet në tubimin e parë të saj zgjedhor në Uiskonsin.

    Një ditë më herët u bë e qartë se ajo ka mbështetjen e shumicës së delegatëve demokratë, për t’u nominuar kandidate për presidente.

    Presidenti aktual, Joe Biden, i dha asaj mbështetje, pasi vetë u tërhoq nga gara për rizgjedhje më 21 korrik.

    Duke folur para mijëra mbështetësve në Uiskonsin, Harris e krahasoi Trumpin me, siç tha, mashtruesit që si ish-prokurore i ka ndjekur penalisht.

    Gjatë fjalimit, ajo parashtroi edhe një sërë prioritetesh liberale që tha se do t’i ketë nëse zgjidhet presidente, përfshirë këtu: kontrollin e armëve dhe qasjen në abort.

    “A duam të jetojmë në një vend të lirisë, ndjesisë dhe sundimit të ligjit, apo në një vend të kaosit, frikës dhe urrejtjes?”, tha ajo.

    Trump reagoi me një postim në rrjetet sociale, ku shkroi se “Kamala Harris gënjen” dhe “shkatërron gjithçka që prek”.

    Ai u dënua në muajin maj për ndikim të paligjshëm në zgjedhjet e vitit 2016 dhe përballet me disa gjyqe të tjera./REL/

  • ​Dezinformimi në rritje nga Rusia kërcënon zgjedhjet në Moldavi

    ​Dezinformimi në rritje nga Rusia kërcënon zgjedhjet në Moldavi

    Dezinformimi rus kërcënon zgjedhjet në Moldavi, thanë zyrtarë të këtij vendi dhe të Shteteve të Bashkuara në ngjarje të ndryshme në Uashington.

    Zgjedhjet në Moldavi do të mbahen më 20 tetor dhe do të përfshijnë edhe referendumin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Presidentja properëndimore, Maia Sandu, e cila e mundi socialistin pro-rus, Igor Dodon, në vitin 2020, dhe u zotua se e ardhmja e Moldavisë do të jetë në BE, do të garojë për rizgjedhje.

    Zgjedhjet do të jenë “historike dhe shumë të rëndësishme” për vendin me 2.5 milionë banorë, ku tranzicioni drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut ishte më i ngadalshëm se në shumë shtete post-sovjetike, tha ambasadori moldav në SHBA, Viorel Ursu.

    Ai tha se Moldavia, e cila gjithashtu përballet me rreth 1.000 trupa ruse në rajonin e saj separatist të Transdniestrisë, si dhe me një fluks prej rreth 1 milion refugjatësh nga lufta në Ukrainë, mbetet në një pozicion të cenueshëm, pasi Rusia e përdor si “terren testimi” për dezinformim, që “është i pranishëm kudo dhe është duke u rritur”.

    Ursu vuri në dukje, po ashtu, se dezinformimi rus dikur ishte në rusisht, por në gjashtë muajt e fundit tha se bëhet edhe në gjuhën rumune, e cila është e ngjashme me gjuhën moldave dhe flitet nga shumica e popullsisë.

    Ai tha se pret shtim të informacioneve të rreme në javën përpara zgjedhjeve, kur nuk do të ketë kohë për t’i demantuar ato.

    Këtyre deklaratave u bëri jehonë edhe zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Christopher Smith.

    Duke folur në një seancë dëgjimore përpara anëtarëve të Kongresit amerikan, ai tha se zgjedhjet në Moldavi do të jenë një “mundësi historike” për qytetarët e këtij vendi, por shtoi se shumëçka do të jetë në rrezik, pasi vendi përballet me agresionin e Rusisë, ndërhyrjen dhe dezinformimin e saj.

    “Ne shohim veprime shumë të qarta nga rusët, për të minuar zgjedhjet dhe referendumin e ardhshëm. Ata po angazhojnë rrjete ndërhyrjesh, të financuara nga shteti rus, të projektuara për t’ia privuar popullit moldav të drejtën për të zgjedhur të ardhmen”, i tha Smith një nënkomisioni të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Kryetari i nënkomitetit, Thomas Kean, tha se Moldavia ishte në rrugë të duhur për t’u bërë një histori suksesi post-sovjetik, por se tani përballet me pyetjen nëse do të vazhdojë në rrugën perëndimore apo do të bjerë përsëri në sferën e ndikimit të Kremlinit.

    Smith i tha Keanit se Rusia përdor një sërë metodash për të përhapur dezinformata, përfshirë fushatat e financuara nga oligarkët rusë, që i paguajnë njerëzit për të protestuar.

    Rusia përpiqet, gjithashtu, ta minojë pjesëmarrjen në zgjedhje, duke përhapur informacione të rreme se Moldavia do të tërhiqet zvarrë në luftën në Ukrainë, tha ai.

    “Është e qartë se [Rusia] po e bën këtë në përpjekje për të siguruar fitoren e një kandidati që mbështet Kremlinin”, tha Smith.

    Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara e kanë ndihmuar Moldavinë për të forcuar sigurinë dhe integritetin e saj territorial, për të integruar ekonominë e saj dhe për të zbatuar sanksione kundër ndikimit keqdashës të Rusisë.

    Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur luftën e Moldavisë kundër korrupsionit dhe përpjekjet e saj për t’iu afruar BE-së me 824 milionë dollarë ndihma, tha Smith.

    Për programe të ngjashme, BE-ja i ka ndarë 2.4 miliardë euro Moldavisë që nga viti 2021./REL/

  • ​18 vjet nga ”takimi i elefantëve”

    ​18 vjet nga ”takimi i elefantëve”

    Më 24 korrik 2006 u mbajt takimi i zyrtarëve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë në pallatin Niederosterich, në Vjenë të Austrisë.

    Aty prezent ishin Agim Çeku – kryeministër i Kosovës, Fatmir Sejdiu – president i Kosovës, Vojslav Kostunica – kryeministër i Serbisë, Boris Tadiq – president i Serbisë dhe anëtarët tjerë.

    Ashtu siç ishte e pritur nuk ishte arritur asnjë marrëveshje, por Martti Ahtisaari e konsideron të suksesshëm për faktin se këta liderë janë takuar sy në sy.

    Në Kosovë ky takim u përshkruante si “takimi i elefantëve”. Lëvizja “Vetëvendosje” protestoi në Prishtinë kundër bisedimeve.

    Por çka ndodhi më pas ?

    Më 27 korrik 2006, Tomislav Nikoliq, lider i Partisë Radikale të Serbisë, kërcënoi me luftë nëse Kosova merr pavarësinë. Më 28 korrik 2006 International Crisis Group publikon raportin “An Army for Kosovo?”, ku thuhet se Kosova duhet të ketë ushtrinë e vet pas zgjidhjes së statusit, që sipas tyre duhet të jetë pavarësia.

    Ndërsa, më 7 gusht 2006 vazhdojnë bisedimet mes autoriteteve kosovare dhe serbe në Vjenë. Në fokus ishte decentralizimi. Delegacioni shqiptar drejtohet nga Veton Surroi. Pas mbarimit të këtyre takimeve thuhet se ka pasur progres minimal.

    Më 28 dhe 29 tetor 2006 mbahet referendum në Serbi për kushtetutën e re që u hartua brenda disa muajve pa debate publike. Në kushtetutë nënvizohet se Kosova është “pjesë e pandarë e Serbisë”. Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin me titullin “Serbia’s Neë Constitution: Democracy Going Backëards”, kritikoi përmbajtjen dhe mënyrën se si është hartuar kushtetuta.

    Në dhjetor 2006, bëhet e ditur se publikimi i propozimit të Maarti Ahtisarit për statusin përfundimtar të Kosovës do të shtyhet deri në janar 2007, me mundësi për shtyrje të mëtejshme.

    24 janar 2007: Asambleja e Këshillit të Evropës (Council of Evrope) miraton rezolutën 1533 në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Disa nga nenet e projektrezolutës që u paraqit para përfaqësuesve nga e gjithë Evropa u hoqën për shkak se disa përfaqësues të prirë nga Serbia, Rusia dhe Greqia votuan kundra inkuadrimit të tyre në rezolutën përfundimtare. Njëri nga nenet ishte dhe ai për pavarësinë ku thuhej se Kosova duhet të merr pavarësi për të siguruar paqe në Ballkan. Rezoluta që u miratua nuk përmban fjalën pavarësi, por thotë se një zgjidhje e negociuar preferohet nga ky këshill por nëse kjo zgjidhe nuk arrihet atëherë është nevojshme që zgjidhja përfundimtare të imponohet.

    26 janar 2007: Ahtisaari takim me të ashtuquajturin Grupi i Kontaktit që përbëhet nga ShBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia. Nuk kishte prononcim për media dhe takimi ishte me dyer të mbyllura, por njoftohet se Ahtisaari ka informuar se do të propozoj pavarësi të kushtëzuar.[19][20] Në të gjitha shtetet e botës njoftohet se Kosova do të marr pavarësi të kushtëzuar.[21] Mediat lajmërojnë se Rusia është skeptike në lidhje me planin e Ahtisaarit. Sekretari gjeneral i NATO-s holandezi, Jaap de Hoop Scheffer shprehet se NATO përkrah planin e Ahtisaarit në lidhje me statusin e Kosovës.

    2 shkurt 2007: Martti Ahtisaari dorëzon propozimin e tij në Beograd dhe Prishtinë. Edhe pse nuk përmendet fjala pavarësi të gjithë, edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, janë të mendimit se ky propozim e çon Kosovën drejt pavarësisë.

    10 shkurt 2007: Lëvizja “Vetëvendosje” organizon protestë në Prishtinë kundra pakos së Ahtissarit që ata mendojnë nuk i bien Kosovës pavarësi. Disa nga protestuesit filluan të përleshen me policinë (që përbëhej nga ata kosovar dhe ndërkombëtar). Policia u përgjigje me dhunë ndaj të gjithë protestuesve. Dhjetëra të lënduar. Më 11 shkurt u njoftua se dy (Vetëvendosje thotë tre) protestues kanë vdekur nga plagët që morën një ditë më parë nga dhuna e policisë. Të vdekurit janë Arben Xheladini (1972) nga Prishtina dhe Mon Balaj (1976) nga Besiana. KMLDNJ dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve dhe e quan një krim atë që ka bërë policia. KMLDNJ së bashku me Prishtinën zyrtare kërkojnë hetim të gjerë të asaj që ndodhi. ¨Pas mbarimit të protestave në zyrat e lëvizjes “Vetëvendosje” arrestohet lideri i lëvizjes Albin Kurti.

    12 shkurt 2007: Ministri Brendshëm i Kosovës, Fatmir Rexhepi, jep dorëheqje pas dhunës në protestat e 10 shkurtit të organizuara nga Vetëvendosje ku vdiqën dy shqiptar të rinj. Ai thotë se ndjenë përgjegjësi morale, edhe pse policia as ajo e UNMIK dhe as SHPK nuk janë nën kontroll të tij. Po këtë ditë Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) viziton Albin Kurtin në paraburgim.

    13 shkurt 2007: Në Besianë (ish Podujevë) varroset Mon Balaj. KMLDNJ kërkon shkarkimin e shefit të polic së UNMIK-ut, Stephen Curtis.

    14 shkurt 2007: Stephen Curtis, shef i policisë ndërkombëtare në Kosovë, jep dorëheqje pas kërkesës së kryeadministratorit Joachim Ruecker.

    21 shkurt 2007: Negociata të reja në Vjenë që kanë për qëllim gjetjen e një kompromisi. Pas këtyre negociatave njoftohet se asgjë nuk është arritur dhe se qëndrimet e të dy palëve janë të njëjta: shqiptarët duan pavarësi kurse serbët ofrojnë autonomi. Edhe Ahtisaari por edhe ndihmësit e tij kishin sinjalizuar se këto negociata nuk do të sjellin asgjë. Albert Rohan, anëtar i ekipit të Ahtisaarit i tha BBC se këto negociata janë shansi i fundit për kompromis.

    3 mars 2007: Protesta paqësore në Prishtinë të organizuara nga lëvizja Vetëvendosje.

    10 mars 2007: Në Vjenë të Austrisë mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrëveshje. Të pranishëm ishin krerët e Kosovës (Fatmir Sejdiu, Agim Ceku, Kolë Berisha dhe të tjerë) dhe Serbisë (Boris Tadic, Vojislav Kostunica dhe të tjerë) si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari. Ahtissari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai edhe njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës do ti dërgohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të këtij muaji.

    15 mars 2007: Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaari i dorëzon OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve, Reuters, plani direkt propozon pavarësi për Kosovën.

    26 mars 2007: Martti Ahtisaari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku ai thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur. Nicholas Burns, zëvendës ministër i jashtëm i SHBA-ve thotë se SHBA-të përkrahin planin e Ahtisaarit dhe mendojnë se Kosova duhet të bëhet e pavarur. Serbët vazhdojnë ta kundërshtojnë planin. Rusia bënë deklarata që mund të interpretohen si kundra pavarësis por nuk përmend përdorimin e vetos.

    29 mars 2007: Parlamenti Evropian miraton një rezolutë ku shprehet përkrahja për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. 490 vota pro, 80 kundër dhe me 87 abstenime.

    3 prill 2007: Fillon shqyrtimi i planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pas dyerve të mbyllura është dëgjuar i dërguari special për Kosovën Marti Ahtisari duke shpalosur planin që pritet t’i jap Kosovës një pavarësi të mbikëqyrur. Ishte planifikuar që edhe Fatmir Sejdiu të merrte fjalën por pas protestave të Serbisë dhe Rusis u vendos që ai të mos flas dhe fjalimin e tij ta lexoj PSSP-ja Joachim Ruecker. Kryeministri nacionalist i Serbisë, Vosjlav Kostunica, kundërshtoi planin dhe kërkoi negociata dhe kryenegociatorë të ri. Shtete perendimore si ShBA, Britania e Madhe, Franca po përkrahin planin e Ahtisaarit.

    5 prill 2007: Kuvendi i Kosovës miraton një deklaratë për përcaktimin e statusit të Kosovës ku mbështetet propozimi i kryenegociatorit Martti Ahtisaari.

    13 prill 2007: Këshilli i Sigurimit i OKB-se njofton se ka vendosur të dërgoj në Kosovë në fund të prillit një mision faktmbledhës pas kërkesës së Rusisë që ka të drejtë vetoje në këtë këshill.

    17 prill 2007: Zëvendësministri i jashtëm i ShBA-ve, Nicholas Burns, në një fjalim para Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington tha se Uashingtoni e konsideronte pavarësinë si opsionin më të përshtatshëm për Kosovën dhe se ai priste që Këshilli i Sigurimi të aprovonte planin për pavarësi të prezantuar nga i ngarkuari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari. Ai edhe shtoi se autonomia ofruar nga Serbia është dashtë të ofrohej para 12 vjetëve dhe jo tani. Kai Eide, zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë thotë se Norvegjia përkrah planin e Ahtisaarit për pavarësi dhe se ai nuk e ka ndërmend të bëhet ndërmjetësues siç ishte kërkuar nga serbët.

    25 prill 2007: Misioni fakt-mbledhës që përbëhet nga 15 ambasadorët/zëvendës ambasadorët për në OKB të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit arrin në Bruksel ku ka takime mes tjerash me sekretarin gjeneral të NATO- s Jaap de Hoop Scheffer dhe zyrtar të Bashkimit Evropian. Scheffer iu tregon ambasadorëve se NATO përkrah planin e Ahtisaarit për t’i dhënë pavarësi Kosovës. Ambasadorët erdhën në Kosovë pas kërkesës së Rusisë që ka të drejtë vetoje në KS të OKB-së, për tu njoftuar më afër me gjendjen e minoriteteve. Pjesëmarrës janë ambasadorët e këtyre shteteve: ShBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe, Kinës, Kongos, Ganës, Afrikës së Jugut, Katarit, Indonezisë, Sllovakisë, Panamasë, Rusisë, Belgjikës, Italisë dhe Perusë.

    Zhvillimet vazhdojnë deri në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

  • Jep dorëheqje senatori Menendez pasi u dënua për korrupsion

    Jep dorëheqje senatori Menendez pasi u dënua për korrupsion

    Senatori amerikan, Bob Menendez, dha dorëheqje nga pozita, pasi u dënua për korrupsion.

    Menendez tha në një letër se dita e tij e fundit si senator i SHBA-së do të jetë 20 gushti.

    Senatori demokrat nga Nju Xhërsi tha se planifikon ta apelojë aktgjykimin dhe se nuk do që Senati “të përfshihet në një proces të gjatë që do ta dëmtonte punën e tij të rëndësishme”.

    Guvernatori i Nju Xhërsit, Phil Murphy, gjithashtu demokrat, do të emërojë tani një zëvendësues për Menendezin, i cili ka shërbyer si senator që nga viti 2006.

    Ai ka qenë edhe kryetar i Komitetit me ndikim për Marrëdhënie me Jashtë, por ka hequr dorë nga ky post, pasi është akuzuar për korrupsion, vitin e kaluar.

    Menendez, 70 vjeç, u shpall fajtor më 16 korrik për të 16 akuzat penale me të cilat ngarkohej, përfshirë pengimin e drejtësisë, mashtrimin dhe zhvatjen.

    Vendimi u mor nga një juri në gjykatën federale në Manhatan, pas një gjyqi 9-javor.

    Në të njëjtin rast u dënuan edhe dy të bashkëpandehur.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Këtë të mërkurë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa pritet të ketë edhe rrebeshe të izoluara para mesditës.

    Ndërsa gjatë orëve të pasdites pritet të depërtojnë masat e ftohta, të cilat do të sjellin lokalisht shira të rrëmbyeshëm, breshër, shkarkesa të forta rrufesh dhe erëra jashtëzakonisht të fuqishme.

    Nuk përjashtohet mundësia për vërshime të shpejta në zona të caktuara.

    Era do fryjë nga drejtimi i veriut, e cila gjatë kalimit të frontit pritet të jetë jashtëzakonisht e fuqishme në zona të caktuara, me shpejtësi deri në 80 km/h, ku mund të shkaktojnë edhe dëme materiale, shkruan MateoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 17 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 32°C. Gjatë kalimit të frontit, temperaturat parashihet të ulen diku për 15°C.

  • Tërmet në Shqipëri, lëkundjet ndihen në disa zona

    Tërmet në Shqipëri, lëkundjet ndihen në disa zona

    Një tërmet e ka tronditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Raportohet se lëkundjet kanë qenë me magnitudë 4.6 të shkallës së rihterit.

    Mediat në Shqipëri kanë raportuar se epiqendra ka qenë në detin Adriatik 48 kilometër nga Tirana dhe 35 km nga Durrësi dhe ka pasur një thellësi 6.5 km.

    Tërmeti është ndjerë dhe në zona të tjera si Lezhë, Laç apo Fushë Krujë, ndërsa ka shkaktuar panik te banorët kryesisht në zonat afër epiqendrës ku edhe lëkundjet janë ndjerë më shumë.

  • Haxhiu pas intervistimit nga PSRK-ja: Dikujt po i pengon puna e Qeverisë

    Haxhiu pas intervistimit nga PSRK-ja: Dikujt po i pengon puna e Qeverisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur para mediave për intervistimin e saj afro 3 orësh nga Prokuroria Speciale lidhur me deklarimet e saj, për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës.

    Ministrja Haxhiu ka thënë se intervistimi i saj është tendencioz dhe se dikujt sipas saj po i pengon puna e Qeverisë.

    “Siç e dini me urdhër të PSRK-së, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, që ndërlidhet me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj. dhe me ç’rast ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën por që ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi dhe duket se dikujt po i pengon dhe siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time”, tha Haxhiu.

    Nis intervistimi i Haxhiut nga Prokuroria Speciale për deklaratat rreth Faton Hajrizit

  • ​Vendimi i BE-së për vizat me pasaporta ilegale serbe, PDK: Qeveria dështoi të mbrojë interesin e shtetit

    ​Vendimi i BE-së për vizat me pasaporta ilegale serbe, PDK: Qeveria dështoi të mbrojë interesin e shtetit

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj ka shprehur pakënaqësi lidhur me vendimin për liberalizimin e vizave të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të lëshuara nga institucionet ilegale serbe, respektivisht nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

    Ahmetaj, tha se ky vendim që e vendosë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës dhe nxitë vetëm veprimin e strukturave paralele ilegale serbe dhe sipas saj është rezultat i paaftësisë së Qeverisë Kurti.

    “PDK ka pritur nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Kosovën në qëllimin e saj për integrimin e serbëve të Kosovës brenda institucioneve legjitime të shtetit tonë, që ata të pajisjen me dokumente zyrtare të Kosovës he të jetojnë si gjithë qytetarët e tjerë në vend. Ky vendim kontribuon vetëm në distancimin e serbëve të Kosovës dhe inkurajon ata që të mos bëhen pjesë përbërëse e shoqërisë dhe shtetit të tonë. Megjithatë, edhe ky vendim ndërkombëtar që vjen si pasojë për Kosovën, dje e kishte një shkak vendor: Qeverinë e Kosovës! Që nga dita e parë e qeverisjes, pushteti aktual ka pasur një qasje joserioze ndaj dialogut dhe aleatëve tanë. Kjo Qeveri ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme, përmes së cilave po vërtetohet sot se ka dëmtuar edhe interesat e vendit tonë”, tha ajo.

    Ahmetaj theksoi se Qeveria Kurti nuk ka reaguar në kohë dhe nuk ka insistuar sa duhet që të respektohet marrëveshja e arritur në Dialog për lëvizjen e lirë.

    “Politikat e gabuara të kësaj Qeverie, të cilat gjithmonë janë reaktive dhe asnjëherë aktive, nuk kanë arritur të mbrojnë në asnjë rast interesat e vendit tonë dhe as të shtyjnë përpara agjendën e shtet ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. Qeveria jonë, fatkeqësisht, nuk e ka kuptuar akoma se komentet e saj të vakëta brenda katër mureve në Prishtinë, janë zë i shurdhër në Institucionet e Bashkimit Evropian”, shtoi Ahmetaj.

    PDK vlerëson se ky vendim i BE-së dhe kjo qasje e Qeverisë ri konfirmojnë se Qeveria Kurti është strukturë në Prishtinë që ka zero komunikim me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

    “Këto vendime nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, e cenojnë integritetin territorial dhe institucional të Kosovës dhe dërgojnë mesazhe tjera, të cilat, në vend të promovimit të stabilitetit nxisin edhe me tutje politikat cenuese të Serbisë ndaj Kosovës në gjithë ballkanin. Para 14 vitesh, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e gjithë bota demokratike ishte me Kosovën dhe të drejtën e saj për shtet. Sot, 14 vite më vonë, nën udhëheqjen e papërgjegjshme dhe pa vizion të kësaj Qeverie, bota është larguar nga ne dhe Kosova po shkon drejt humbjes së momentumeve të rëndësishme në integrimin e zhvillimin e saj”, tha Ahmetaj.

    Po ashtu, nënkryetarja Ahmetaj ka dënuar ashpër sulmet e njëpasnjëshme që po u bëhen nga ky pushtet mediave të lira dhe gazetarëve.