ATV

Category: Lajme

  • Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina

    Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina

    Analisti politik është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.

    Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, është shprehur se ardhja e mundshme e Kamala Harrisit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të mund të kishte ndikim edhe në politikën në Ballkan.

    Sipas tij, ajo është e ashpër ndaj Kinës, ashtu si presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump, por që është shprehur se “Kosova asaj mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina”, në aspektin e konflikteve territoriale.

    “Harris është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës, si Bideni ashtu edhe Trumpi. Kosova mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina. Kjo do të thotë se ajo duhet të ushqehet dhe mbrohet nga pretendimet territoriale të një shteti që është shpërbërë. Ajo s’ka gjasa të ketë simpati ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo autonomisë së Republika Sërpskas. Dikush duhet ta këshillojë herët dhe shpesh se të dyja janë të këqija”, ka shkruar Serwer në blogun e tij në internet.

    Analisti politik është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.

    “Presidenti Vuçiq e ka orientuar Beogradin drejt Lindjes, duke u rreshtuar me Kinën, Rusinë dhe autokracitë e tjera, përfshirë Azerbajxhanin dhe Hungarinë. Furnizimet serbe me armatim për Ukrainë vlejnë, por ka mundësi që rrjedhin për çështje ekonomike…”, ka thënë ai.

    Për luftën në Ukrainë, Serwer ka thënë se Harris do që Kievi të fitojë dhe Moska të humbasë, por “ajo nuk do të pajtohet lehtë për ndarjen e territorit”.

    “Ky qëndrim mund të bartet në Ballkan. Nuk do të doja të isha ai që do t’i thoshte një presidenteje grua, me ngjyrë, se njerëzit e etnive të ndryshme nuk mund të jetojnë së bashku”, ka shtuar Serwer, derisa “risi” e ka cilësuar marrjen e detyrës së zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor nga Alexander Kasanof.

  • ​Gërmoi me ekskavator pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, arrestohet në Leposaviq

    ​Gërmoi me ekskavator pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, arrestohet në Leposaviq

    Një person është në Leposaviq arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti kishte gërmuar me ekskavator një sipërfaqe afër rrugës pa pasur pëlqimin nga institucionet e Kosovës.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në 20 korrik, ku nga i dyshuari është sekuestruar një ekskavator.

    Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

  • Vdes një person në Tërstenik të Drenasit, ra në kontakt me energjinë elektrike

    Vdes një person në Tërstenik të Drenasit, ra në kontakt me energjinë elektrike

    Një person ka humbur jetën tragjikisht të hënën pasdite në fshatin Tërstenik të Drenasit.

    Sipas DrenicaOnline viktima ka humbur jetën në kontakt me energjinē elektrike derisa po punonte në ujtje.

    Viktima është nga Vërboci, ndërsa ngjarja tragjike ka ndodhur në Tërstenik.

    Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin.

  • 91 aksidente vetëm dje në rrugët e Kosovës, dhjetëra të lënduar

    91 aksidente vetëm dje në rrugët e Kosovës, dhjetëra të lënduar

    Polica e Kosovës ka bërë bilancin ditor të kontrollove me qëllim mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave në rrugë.

    2 mijë e 213 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë të hënës.

    Ndërsa, Policia ka raportuar se kanë ndodhur 91 aksidente trafiku, ku 26 prej tyre ishin me të lënduar, ndërsa 65 vetëm me dëme materiale.

    Po ashtu të hënën policia ka arrestuar 21 persona, 14 janë dërguar në mbajtje dhe një në vuajtje të dënimit.

  • Kamala Harris siguron mjaftueshëm mbështetje për të fituar nominimin e demokratëve

    Kamala Harris siguron mjaftueshëm mbështetje për të fituar nominimin e demokratëve

    Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, siguroi mbështetje të mjaftueshme në mesin e delegatëve të Partisë Demokratike, për t’u bërë kandidate e saj për presidente.

    Një sondazh i agjencisë Associated Press, i publikuar mbrëmjen e së hënës, nxori në pah se Harris ka mbështetjen e më shumë se 1.976 delegatëve të nevojshëm, për të fituar nominimin.

    Votimi do të zhvillohet nga data 1 deri më 7 gusht.

    Delegatët janë njerëzit që zgjidhen për të përfaqësuar zonën e tyre zgjedhore në Konventën Kombëtare Demokratike, ku, formalisht, shpallet kandidati për president.

    Kjo konventë do t’i nisë punimet më 19 gusht dhe do t’i përfundojë në datën 22 të atij muaji.

    Presidenti Joe Biden i dha mbështetje Harrisit për të garuar për presidente, pasi vetë ai u tërhoq nga gara për rizgjedhje në zgjedhjet e nëntorit.

    Biden mori vendimin më 21 korrik, pas shqetësimeve në rritje për moshën dhe shëndetin e tij, por u zotua se do të mbetet në detyrë deri në përfundimin e mandatit presidencial, më 20 janar të vitit 2025.

    Pasi i dha mbështetje Harrisit, në fushatën e saj hynë miliona dollarë donacione, ndërsa përfaqësuesit kryesorë të Partisë Demokratike u rreshtuan, po ashtu, pas saj.

    Nëse e fiton nominimin e partisë, Harris do të garojë në zgjedhjet e 5 nëntorit kundër kandidatit republikan dhe ish-presidentit, Donald Trump.

    “I kemi 106 ditë deri në ditën e zgjedhjeve dhe, gjatë kësaj periudhe, kemi një punë të vështirë për të bërë”, tha Harris para stafit të fushatës së saj në Uillmington të shtetit Dellauer.

    “Fushata jonë ka qenë gjithmonë rreth dy versioneve të ndryshme të asaj që ne e shohim si të ardhmen e vendit tonë. Njëri fokusohet në të ardhmen, tjetri fokusohet në të kaluarën. Donald Trump dëshiron ta çojë vendin tonë prapa… Ne besojmë në një të ardhme më të ndritshme, që u bën vend të gjithë amerikanëve”, tha Harris, e cila përpara se të shërbente si nënpresidente, ishte prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe senatore.

    Komenteve të saj iu përgjigj fushata e Trumpit. Sekretarja për media, Karoline Leavitt, tha se Harris “është po aq e paaftë sa Joe Biden, e madje edhe më liberale”.

    “Kamala, jo vetëm që duhet ta mbrojë mbështetjen e saj për agjendën e dështuar të Joe Bidenit gjatë katër vjetëve të fundit, por, gjithashtu, duhet të përgjigjet për rekordin e saj tmerrshëm të dobët ndaj krimit në Kaliforni”, tha Leavitt.

    Harris, 59 vjeçe, përshkroi disa politika që tha se do t’i ndjekë nëse zgjidhet presidente, përfshirë nënshkrimin e ligjeve për të mbrojtur të drejtat e abortit dhe ndalimin e pushkëve të sulmit.

    Ajo tha se rindërtimin e klasës së mesme do ta nxjerrë në fokus të presidencës së saj.

    Harris, gjithashtu, vuri në dukje arritjet e presidentit Biden, duke thënë se shërbimi i saj si zëvendëse e tij ka qenë “një nga nderet më të mëdha të jetës sime”.

    “Unë e dua Joe Bidenin dhe e di që të gjithë e duam”, tha Harris.

    Ueb-faqja e lajmeve The Hill raporton se një total prej 72 sondazhesh e nxjerrin Trumpin në epërsi kundrejt Harrisit me rreth 2.5 për qind më shumë mbështetje.

    Por, analistët politikë thonë se Harris nuk është ende aq e njohur nga publiku dhe mund të fitojë në sondazhe, pasi të bëjë fushatë intensive në të gjithë vendin dhe të ketë më shumë mbulim mediatik. /REL

  • Vëllai rrah vëllain në Prishtinë

    Vëllai rrah vëllain në Prishtinë

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në Policinë e Kosovës të hënën.

    Një person nga Prishtina ka denoncuar vëllain e tij për sulm fizik.

    I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë 22.07.2024 – 14:50. Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, njofton PK.

  • Mashtrimet me patent-shofer, sërish aksion në rajonin e Pejës

    Mashtrimet me patent-shofer, sërish aksion në rajonin e Pejës

    Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorin e Shtetit është duke zhvilluar një aksion në qytetin e Pejës.

    Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj.

    “Po mund të ju konfirmoj se është duke u zhvilluar aksioni, por detaje tjera do të bëhen publike më vonë”, tha ai.

    Sipas informatave të deritanishme, aksioni po zhvillohet kundër veprimtarisë së kundërligjshme me patent shofer.

    Aksion i ngjashëm nga organet përgjegjëse ishte zhvilluar edhe para disa ditësh në rajonin e Pejës, ku edhe kishte rezultuar me arrestimin e disa personave.

  • AAK organizon tryezë diskutimi për çështjet e sigurisë

    AAK organizon tryezë diskutimi për çështjet e sigurisë

    Sot Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës organizon tryezë diskutimi për prioritetet e Aleancës në fushën e sigurisë.

    Tryeza mbahet në selinë qendrore të AAK-së, në lagjen Arbëria, në Prishtinë.

    Tryeza fillon nga ora 17:00.

  • Mblidhen komisionet hetimore për tekste shkollore dhe MPJD

    Mblidhen komisionet hetimore për tekste shkollore dhe MPJD

    Sot do të mbahen mbledhjet e dy komisioneve hetimore të Kuvendit të Kosovës.

    Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, do të bëjë intervistimin e dëshmitarëve: Luljeta Veselaj Gutaj nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prizrenit, Afrim Llabjani nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Ferizajt dhe Albana Demiri,ë nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Gjilanit.

    Kurse Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të bëjë hartimin e listës së dëshmitarëve për intervistim në komision.

  • ​Mot sot në vendin tonë

    ​Mot sot në vendin tonë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i qetë.

    Sipas institutit, vranësirat më të fokusuara parashihen për rreth relievit malor.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 28-32 gradë. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë deri mesatare.