ATV

Category: Lajme

  • ​Kriza e buxhetit në Gjilan, Hyseni ngre alarmin për bllokimin e 2.5 milionë eurove

    ​Kriza e buxhetit në Gjilan, Hyseni ngre alarmin për bllokimin e 2.5 milionë eurove

    2.5 milionë euro rrezikohet t’i humb Komuna e Gjilanit për shkak të bllokimit të të hyrave vetanake nga Kuvendi komunal. Kështu ka deklaruar i pari i kësaj komune, Alban Hyseni.

    Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se ende vazhdojnë të përballen me sfida të trashëguara nga qeverisjet e kaluara, derisa shton se duhet të votohet bartja e buxhetit, në të kundërtën këto fonde nuk mund të shpenzohen për të mirën e qytetarëve.

    “Ndërkohë edhe për këtë vit problemin më shumë e kemi me Kuvendin komunal që na ka bllokuar të hyrat vetanake nga viti paraprak për këtë vit dhe është tash muaji i pestë që nuk na voton bartjen e buxhetit, me të cilën 2.5 milionë euro rrezikojnë të na humbin ose të mos shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve në projekte kapitale, subvencione dhe kategori të ndryshme të buxhetit”, thotë Hyseni.

    Hyseni gjithashtu theksoi sfidat e shumta me të cilat përballet kjo komunë, përfshirë borxhet e trashëguara dhe problemet me implementimin e projekteve të mëparshme.

    “(Sfida) ka të shumta e të panumërta. Një prej sfidave me të cilat jemi përballur dhe vazhdojmë të kemi ende me gjithë se jo në nivelin e njëjtë është edhe çështja e borxheve që kemi trashëguar. Janë mbi 10.5 milionë euro që brenda këtij viti do të bëhen total të paguara nga qeverisja jonë për tre vite me radhë. Ndërkohë që sfidat tjera kanë të bëjnë edhe me implementimin e projekteve që i kemi trashëguar, hyrje-daljet e qytetit, autostrada dhe projekte të shumta të cilat po vazhdojmë të ballafaqohemi me probleme të ndryshme, me kontrata të vjetra që pas inflacionit po bëhen të vështira të realizohen por edhe defekte në projekte, mungesa të planifikimeve e kështu me radhë”, tha ai.

    Megjithatë, Hyseni thotë ka edhe rezultate të shumta të cilat mund të maten në këtë komunë, derisa tregon për punën që kanë bërë prej marrjes së mandatit.

    “Ka rezultate të shumta të cilat mund të maten në komunën tonë. Kemi gjithsej 12 sektorë të ndarë nëpër drejtori që funksionojnë, ndërkohë që prioritet për ne ka qenë arsimi, shëndetësia dhe fushat e tjera, ndërkohë që edhe bujqësia është një prej sektorëve që është përkrahur shumë. Në vitin 2021 planifikimi i buxhetit dhe votimi nga ish qeverisja ka qenë 400 mijë euro, me të cilin ne kemi punuar në vitin 2022. Ndërkohë viti 2022 ka qenë vit planifikimi për ne për vitin 2023 me të cilin kemi punuar ne me buxhetin tonë dhe nga 400 mijë kemi rrit buxhetin në 800 mijë euro, ndërkohë përmes organizatave tjera kemi rrit buxhetin edhe për 700 mijë të tjera që i bie 1.5 milion

    Ndërkaq, sa i përket bashkëpunimit me qeverinë, ai shprehet se janë të kënaqur.

    “Jemi të kënaqur, nuk kemi ndonjë telash të veçantë, sigurisht që kërkesat dhe nevojat janë shumë të mëdha, mirëpo praktikisht aty ku janë të arsyeshme, mbështetja është edhe në nivel”, thotë Hyseni.

  • Kurti: Faton Hajrizi nuk duhet të heroizohet, hero është Afrim Bunjaku

    Kurti: Faton Hajrizi nuk duhet të heroizohet, hero është Afrim Bunjaku

    Kryeministri Albin Kurti ka ftuar qytetarët që të mos bien e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit, shtetasi kosovar që dyshohet se u vra në Serbi të premten.

    Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka kërkuar hetim vendor e ndërkombëtar për të qartësuar gjithçka që ndodhi me Faton Hajrizin, që nga ikja drejt Serbisë deri në vrasjen e raportuar të tij.

    “I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë të Zveçanit. Heronj janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka thënë kryeministri.

    Faton Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik. Më 18 korrik, ai dyshohet se vrau një polic e plagosi një tjetër në Lloznicë të Serbisë.

    Një ditë më vonë, autoritetet serbe raportuan për vrasjen e tij.

    Më 22 korrik, Ministria e Jashtme ka njoftuar se shenjat e gishtërinjve të dërguar nga Serbia i përkasin shtetasit Faton Hajrizi. Megjithatë, procedurat për kthimin e trupit në Kosovë janë ende duke vazhduar.

  • Ky shtet pritet të vendosë tatim për bakshish

    Ky shtet pritet të vendosë tatim për bakshish

    Në Zvicër punonjësit e restoranteve fitojnë kolektivisht më shumë se një miliard franga në vit nga bakshishi, shkruajnë mediat zvicerane.

    Duke qenë se këto para nuk figurojnë në llogaritë e ndërmarrjeve, nuk tatohen dhe, për rrjedhojë, nuk derdhen në skemën e sigurimeve shoqërore kontribute sociale nga këto ‘fitime’.

    Tani, Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore (OFAS) po shqyrton shtrëngimin e rregullave të bakshishit – domethënë vendosjen e taksës për bakshishët e paguara në kartën e kreditit të një klienti (pasi taksa mbi bakshishet në para do të ishte e vështirë të zbatohej).

    Ndërsa kjo lëvizje do të nënkuptonte që më pak para do të përfundonin në xhepat e punonjësve, ata përfundimisht do të përfitonin në drejtim të mbrojtjes së sigurimeve shoqërore, sipas OFAS, si dhe do të merrnin pension më të lartë në pension.

    Ndërsa diskutimi është ende në vazhdim dhe nuk është caktuar një afat kohor për ndonjë zbatim eventual, Gastrosuisse, organizata ombrellë për punonjësit e restoranteve, e hodhi poshtë kategorikisht masën e propozuar, përcjell albinfo.ch.

    “Bashkimi është një çështje mes klientit dhe punonjësit. Nuk është paga”, tha zëdhënësi Patrik Hasler-Olbrych.

  • Nënkryetarja e PDK-së: Haxhiu ra në grackën që e ndërtoi vet

    Nënkryetarja e PDK-së: Haxhiu ra në grackën që e ndërtoi vet

    Mimoza Ahmetaj, Nënkryetare e PDK-së, ka thënë se deklarata e ministres së Drejtësie, Albulena Haxhiu se me intervistimin e saj nga Prokuroria Special, “puna e saj po e pengon dikë”, nuk është asgjë e re.

    Ahmetaj ka thënë se zyrtarë të kësaj qeveri gjithmonë ankohen se dhe dikush tjerët u ka faj.

    Nënkryetarja e PDK-së, ka thënë se Haxhiu ra në grackën që e kishte ndërtuar vetë me deklaratat e thëna për rastet e fundit të arratisjeve nga burgjet e Kosovës.

    “Asgjë e re në raport me deklaratat e zyrtarëve shtetëror të cilët në deklarimet e tyre janë në vazhdën e skandaleve të vazhdueshme të qases joserioze ndaj situatave të rëndësinë së tillë. Asgjë e befasishme, edhe një deklaratë e radhës e cila e solli atë në grackën që e kishte ndërtuar vet dhe për këtë u intervistua nga Prokuroria”, ka thënë Ahmetaj.

    Prokuroria Speciale ka intervistuar për dy ditë rresht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me deklarimet e dhëna se prokuror e gjyqtarë kanë mbajtur takime për raste të caktuara si dhe për deklarimin për rastet e arratisjes nga burgjet e Kosovës.

    Ajo kishte thënë se të arratisurit destinacion të parë e kanë Serbinë dhe se janë të ndikuar nga grupet kriminale.

  • Zëdhënësi i DASH-it: Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë

    Zëdhënësi i DASH-it: Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë

    Zëvendësi i ri i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, do të mbikëqyrë politikën amerikane për këtë rajon, e cila ka në thelb mbështetjen e tij në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucionet euroatlantike.

    Kështu tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), i pyetur nga Radio Evropa e Lirë lidhur me qëllimet e Kasanofit në detyrën e re.

    Kasanof mori postin e zëvendësit të ndihmësit të sekretarit për Ballkanin Perëndimor më 19 korrik të këtij viti.

    Paraprakisht, në këtë post ishte Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj.

    “Politika jonë promovon bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe reformat që do të sjellin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Ne do të vazhdojmë të punojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët tanë evropianë për t’i avancuar këto qëllime gjatë udhëheqjes së Kasanofit”, tha zëdhënësi i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shtoi se Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe me partnerët evropianë, “në rrugën drejt arritjes së një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive midis dy vendeve”.

    Kasanof, që nga 19 korriku, është edhe zëvendës i ndihmësit të sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të Departamentit amerikan të Shtetit.

    Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e DASH-it, ai ka shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.

    Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë.

    Ai ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.

  • Serbët protestuan kundër Vuçiqit

    Serbët protestuan kundër Vuçiqit

    Qytetarët e qytetit të Valjevos u ngritën dje në protesta kundër minierës së litiumit.

    Mijëra qytetarë protestuan kundër marrëveshjes së arritur mes Serbisë dhe Gjermanisë, e cila i parapriu një takimi mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

    Ata janë mbledhur në mënyrë spontane, pa pjesëmarrjen e partive politike ndërsa u organizuar përmes rrjeteve sociale.Nova.rs shkruan se qeveria serbe duhet të shqetësohet, sepse ky fenomen rrezikon të prekë tërë Serbinë ndërsa nesër do të protestohet në Loznicë.

    Protesta në Valjevë ishte një befasi për shumë njerëz. Pa shumë zhurmë dhe njoftime, në mesin e muajit korrik, sezonit të pushimeve dhe temperaturave rekorde, qytetarët u mblodhën dhe dërguan një mesazh shumë të qartë – nuk do të ketë minierë litiumi, që rrezikon të kërcënojë edhe qytetin e tyre.

    Kujtojmë se gjatë vizitës së fundit të kancelarit gjerman në kryeqytetin serb u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi midis BE-së dhe Serbisë për një partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, i cili është një prelud i hapjes së një miniere litiumi në Serbi.

  • Kurti në Festivalin ndërkombëtar të domates: Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë

    Kurti në Festivalin ndërkombëtar të domates: Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë

    Me rastin e shënimit të edicionit të 15-të të hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Domates, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, mbrëmë mori pjesë në hapjen tradicionale të këtij festivali. Atje u mirëprit nga Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç. I pranishëm ishte edhe Kryetari e Komunës së Ankarasë, Mansur Yavas.

    Fjalën e tij, kryeministri Kurti e filloi duke shprehur ngushëllimet e tij të thella me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit dhe iniciatorit të Festivalit të Domates, Arif Bytyq.

    Ai vazhdoi duke i vlerësuar fermerët e Mamushës si punëtorë të zot dhe shembull i mirë për Kosovën. Tutje, ai shtoi se kur flitet për Mamushën, njëkohësisht flitet për njerëz punëtorë që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në kultivimin e produkteve më cilësore dhe me prodhimtarinë më të madhe në vend.

    Sa i përket përkrahjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këtë rast përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryeministri nënvizoi se fermerët e Mamushës kanë përfituar mbi 10 milionë euro nga viti 2021 deri në vitin 2024. Kjo mbështetjeje ka ndikuar në rritjen e sasisë prodhuese, sidomos e domates, sipërfaqet e së cilës janë shtuar për 100% në krahasim me vitin 2021, gjë që ka rritur eksportin në vlerë për mbi tetë herë, dhe sasinë, mbi gati tetë herë.

    “Ajo çka synojmë si qeveri është ta shtojmë mbështetjen dhe ngritjen e vlerës së prodhimeve tona bujqësore, e në këtë rast sidomos të domates përmes skemës së granteve. Në këtë fazë ne kemi përkrahur shtimin e sipërfaqeve me serra, veçanërisht në Mamushë, falë organizimit dhe punës suaj, e kjo nënkupton prodhim më shumë. Uroj që viteve në vijim ta shtoni gamën e nënprodukteve përmes ruajtjes dhe përpunimit”, tha kryeministri.

    Pra, “Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë!”

    Përveç zgjerimit të sipërfaqeve me domate, kryeministri përmendi edhe shtimin e sipërfaqeve me serra, me anë të mbështetjes nëpërmjet granteve nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e veçanërisht në Mamushë, ku puna, përkushtimi i fermerëve, organizimi si dhe prodhimtaria është në masë më të madhe.

    Ai theksoi gjithashtu se investimet në rrugën e “Bashqeve” përmes Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në Shtëpinë e Kulturës përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë investime tjera shtesë që gradualisht, por sigurt, do ta bëjmë Mamushën dhe Kosovën vend të begatë përmes vlerësimit të punës dhe njerëzve punëtorë.

  • Jepet fjala përfundimtare në gjykimin për vrasjen e rëndë në Baks të Skenderajt, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve

    Jepet fjala përfundimtare në gjykimin për vrasjen e rëndë në Baks të Skenderajt, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve

    Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të martën është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku të akuzuarit Shukri dhe Rexhep Rexhepi në bashkëkryerje po ngarkohen për vrasje të rëndë të B.M, në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt. Kurse, Fiton Musliu ngarkohet për vrasje të mbetur në tentativë.

    Prokurorja Fetije Bajrami fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim në gjykatë, duke shtuar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ngritur ndaj të të pandehurve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ajo tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor, dhe pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitarëve, pas rikonstruimit të vendit të ngjarjes, pas marrjes se ekspertizave të balistikës dhe ekspertizave mjeko-ligjore, nga raporti i autopsisë së të ndjerit B.M., pa mëdyshje u vërtetua se të pandehurit kanë kryer veprat penale sipas aktakuzës.

    Bajrami i propozoi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

    Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Amir Bunjaku fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim në gjykatë.

    Ai tha se gjatë këtij procesi gjyqësor pa mëdyshje është vërtetuar se është humbur jeta e njeriut, e cila është e garantuar me aktet më të larta juridike ndërkombëtare, e që kjo e drejtë iu cenua tani të ndjerit B.M. Ndërsa i propozoi gjykatës që dënimi për të pandehurit të jetë maksimal.

    Fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi avokati Mahmut Halimi, duke thënë ndër të tjera se në ditën kritike të akuzuarit Rexhepi kishin shkuar në dyqan për të blerë pije freskuese me rastin e dasmës së motrës së tyre.

    Në ato momente, përfaqësuesit e palës së dëmtuar në cilësi të publikut reagojnë, duke thënë “e ka vendos armën me shku në shitore fëmija me ta, me kallash me shku në shitore”.

    Më pas situata u tensionua teksa tre nga pjesëmarrësit u larguan nga salla, ku njëri prej tyre derisa dilte jashtë tha: “nuk është në rregull o gjyqtar se ti e ke punën në dorë këtu, te kom kallxu edhe në ditët e para, ti e ke në dorë me vendosë këta, mbaje në mend mirë qita, ja ki me i gjyku edhe nja 4 a 5 tjerë..”

    Lidhur me këto reagime, kryetari i trupit gjykues Mentor Hajraj njoftoi se edhe në seancën e 24 nëntorit 2023 i njëjti person është nxjerrë nga salla e gjykimit për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë, dhe me rastin e largimit nga salla e gjykimit kishte përdorur fjalë kanosje.

    Gjykatësi Hajraj tha se procesverbali i datës 24 nëntor 2023, dhe procesverbali i seancës së sotme do t’i dorëzohet kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në mënyrë që ky organ të vlerësojë nëse është konsumuar ndonjë element i veprës penale apo jo.

    Tutje, seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalës përfundimtare nga avokati Halimi, duke shtuar se në bazë të analizës së rastit, veprimet e ndërmarra nga i mbrojturi i tij Shukri Rexhepi rregullohen me dispozitat e institutit të mbrojtjes së nevojshme. Ai i propozoi gjykatës që i akuzuari Shukri Rexhepi për veprën penale vrasje e rëndë të lirohet nga akuza, ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje t’i shqiptohet një dënim i butë.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Shyqyri Syla e mbështeti fjalën përfundimtare të avokatit Halimi, dhe shtoi se nga provat e mjaftueshme në këtë shqyrtim gjyqësor nuk u vërtetua se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha në fjalën përfundimtare tha se deklarimi i ekspertit të psikatrisë lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit Musliu në ditën kritike ka qenë kontradiktor dhe kërkoi që gjykata mos t’ia falë besimin të njëjtit.

    Ai propozoi që i mbrojturi i tij Fiton Musliu të shpallet fajtor për veprën penale “Vrasje e kryer në gjende të tronditjes së rëndë mendore” nga neni 174, e jo për shkak të veprës penale për të cilën po akuzohet “Vrasje në tentativë”. Ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje gjykata t‘i shqiptojë një dënim të butë me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit.

    Ndërkaq, i pandehuri Fiton Musliu deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, avokatit Rexha, dhe deklaroi se në këtë fazë të procedurës e pranon fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

    Më pas, gjykata në bazë të dispozitave ligjore të nenit 322 të KPP-së e aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit Musliu, me arsyetimin se në shkresa të lëndës ka prova të mjaftueshme në bazë të të cilave vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale.

    Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.

    Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.

  • Tre të dyshuar e bëjnë për spital një person në Fushë-Kosovë

    Tre të dyshuar e bëjnë për spital një person në Fushë-Kosovë

    Një person është sulmuar fizikisht në Fushë-Kosovë.

    Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

    Viktima ka raportuar në polici se u sulmua nga tre të dyshuarit, si shkak i një mosmarrëveshjeje.

    Ai ka marrë trajtim mjekësor, për shkak të lëndimeve të pësuara.

    “Lidhur me rastin njëri prej të dyshuarve është arrestuar dhe në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë ndodhen në kërkim policor” thuhet në njoftimin e policisë.

    Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.

  • Osmani ia shpreh Hovenierit shqetësimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe

    Osmani ia shpreh Hovenierit shqetësimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe

    Presidenca ka dhënë detaje lidhur me takimin që ka pasur dje Presidentja Vjosa Osmani me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Në këtë takim është diskutuar për pjesëmarrjen e Osmanit në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO’s, takimet e saj me zyrtarë të lartë amerikanë, dhe “hapat konkret që duhet të ndërmerren në vijim sa i përket koordinimit të veprimeve në dobi të interesave të Kosovës dhe të partneritetit me SHBA-të”.

    Osmani i ka shprehur Hovenierit shqetësimin për vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe.

    “…duke theksuar se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

    Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet kohëve të fundit, me ç’rast konfirmuan rëndësinë që të garantohet respektimi i parimeve demokratike dhe standardeve më të larta për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur dje në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

    Në takim është diskutuar për pjesëmarrjen e Presidentes në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s, me ftesë të Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, respektivisht . Duke e vlerësuar ftesën e SHBA-ve dhe prezencën e Kosovës në këto aktivitete kyçe të Samitit si një zhvillim strategjik në dobi të avancimit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe përtej, Presidentja Osmani potencoi impaktin pozitiv që do të kishte anëtarësimi i Kosovës në NATO për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme dhe afatgjate.

    Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për takimet e fundit të Presidentes me zyrtarë të lartë amerikanë, si dhe hapat konkret që duhet të ndërmerren në vijim sa i përket koordinimit të veprimeve në dobi të interesave të Kosovës dhe të partneritetit me SHBA-të.

    Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja shprehu shqetësimin për vendimin e djeshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, duke theksuar se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

    Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet kohëve të fundit, me ç’rast konfirmuan rëndësinë që të garantohet respektimi i parimeve demokratike dhe standardeve më të larta për të drejtat e njeriut.