ATV

Category: Lajme

  • Arrestohen pesë persona në aksionin kundër mashtrimit me bitcoin-a, një prej tyre zyrtar i SHKK-së

    Arrestohen pesë persona në aksionin kundër mashtrimit me bitcoin-a, një prej tyre zyrtar i SHKK-së

    Janë arrestuar pesë persona në aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kundër mashtrimit me bitcoin-a. Aksioni është zhvilluar në pesë lokacione në Prishtinë, Kamenicë dhe në Viti.

    Gjatë aksionit janë arrestuar pesë persona, një prej tyre zyrtar i Shërbimit Korrektues. Pas intervistimit të tyre në stacion policor, të njëjtit janë dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48 orësh nga Prokurori i Shtetit, për shkak të veprës penale “Mashtrimi”.

    “Personat me inicialet: B.Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoina, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave. Në këtë çështje penale janë në kërkim edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në objektet përkatëse”, thuhet në njoftim.

    Nga bastisjet e realizuara janë sekuestruar fatura e prova të tjera, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.

    Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.

  • ​Pronat e sekuestruara të terroristit Radoiçiq do t’i kalojnë policisë pa ankand publik

    ​Pronat e sekuestruara të terroristit Radoiçiq do t’i kalojnë policisë pa ankand publik

    Qeveria e Kosovës ka ndryshuar udhëzimin-administrativ që mundëson që pronat e sekuestruara të kryeterroristit Milan Radoiçiq t’i kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim institucioneve të sigurisë. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dërgimin e FSK-së jashtë vendit. Krahas kësaj, u emërua bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovë si dhe u morri vendimi për shpronësimin e pronave nevoja të terminaleve publike doganore.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se pronat në veri të terroristit Milan Radoiçiq do të kalojnë institucioneve të sigurisë pa ankand publik, përmes ndryshimit të udhëzimit administrativ sa përket pronave të sekuestruara dhe konfiskuara.

    “Plotësim-ndryshimi i udhëzimit në fjalë ka një rëndësi esenciale për faktin se eliminon procedurat e tej zgjatura të kalimit në menaxhim të shfrytëzimit të pasurive të luajtshme, por edhe atyre të paluajtshme kur këtë e kërkon institucioni publik. Secili institucion publik që kërkon një pronë që është në fazën e sekuestrimit mund të marrë atë në shfrytëzim me qera pa ekzekutim të procedurave të ankandit publik. Ky ndryshim është bërë edhe me qëllim që disa prona që janë në fazën e sekuestrimit dhe që gjendet në pika të veçanta strategjike të kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim të institucioneve të sigurisë. Synimi është rritja e sigurisë shtetërore dhe territoriale në atë pjesë të vendit. Bëhet fjalë për pronat e kryeterroristit Milan Radoiçiq që tashmë janë në menaxhim të Ministrisë së Drejtësisë”, tha ajo.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, tha se përmes Projektligjit për banim social dhe të përballueshëm do të sigurohet qasje e drejtë dhe barabartë në banim për të gjithë qytetarët.

    Sipas tij, grupet që do të përfitojnë janë familjet me situatë ekonomike të vështirë, të papunët, të pastrehët, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit të qenies njerëzore, të rinjtë, komunitetet jo shumicë.

    “Ky projektligj synon të sigurojë qasje të drejtë dhe të barabartë në banim për të gjithë qytetarët tanë. Grupet që do të përfitojnë janë familjet me situatë ekonomike të vështirë, të papunët, të pastrehët, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit të qenies njerëzore, të rinjtë, komunitetet jo shumicë dhe grupet të tjera të përcaktuara në projektligj. Zbatimi i këtij ligji përfshinë programin për banimin social, banimin e përballueshëm për çiftet e reja dhe rindërtimin dhe ndërtimin e familjeve në nevojë”, deklaroi ai.

    Në anën tjetër, qeveria miratoi edhe udhëzimin administrativ për “edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve”, për çka ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se i njëjti do të garanton se vendimet dhe veprimet që do të merren nga institucionet edukative arsimore, do të jenë në përputhje me Konventën për të drejtat e fëmijëve.

    “Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është përcaktimi i organizimit, funksionimit dhe bashkëpunimit si dhe përcaktimi i roleve dhe detyrave për të gjitha institucionet edukative arsimore në edukimin për mbrojtjen e fëmijës në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky udhëzim garanton se të gjitha vendimet dhe veprimet që ndërmarrin institucionet edukative-arsimore udhëhiqen nga parimet e konventës për të drejtat e fëmijës”, deklaroi ajo.

    Qeveria emëroi Petrit Nahin kryesues të bordit të drejtorëve në Telekomin e Kosovës, ndërkaq anëtarë, Rrezarta Pllanën, Sanije Thaçi dhe Lindita Toçin.

    Ndërkaq, vendosi edhe për hartimin e një strategjie për adaptimin e Kosovës në ndryshimet klimatike./KosovaPress/

  • Futbolli dhe ragbi hapin Lojërat Olimpike Paris 2024

    Futbolli dhe ragbi hapin Lojërat Olimpike Paris 2024

    Futbolli dhe ragbi nisin sot sportin në Lojërat Olimpike Paris 2024 sot, dy ditë para ceremonisë së hapjes, duke shfaqur një yll të lartë francez dhe një prani të madhe policore për paraqitjen e parë të Izraelit.

    Futbollistët e Izraelit përballen me Malin në konkurrencën e meshkujve, nën syrin vigjilent të 1000 oficerëve të policisë, me autoritetet që kanë ngritur një “perimetër anti-terrorist” dhe po përgatiten për përçarje të mundshme rreth stadiumit, raporton KosovaPress.

    Pjesëmarrja e Izraelit në Paris ka qenë një pikë kyçe e bisedimeve në fillim, me thirrjet nga Komiteti Olimpik Palestinez dhe disa deputetë francezë të krahut të majtë që vendi të përjashtohet për shkak të luftës në Gaza.

    Presidenti Emmanuel Macron theksoi se atletët izraelitë ishin “të mirëpritur në vendin tonë”, duke shtuar se “ishte përgjegjësi e Francës t’u sigurojë atyre siguri”.

    Ndërkohë, një “Stade de France” i mbushur plot do të përkrahë Antoine Dupont, pa dyshim lojtari më i mirë i ragbit në botë dhe një pjesë e Lojërave të Parisit – ndërsa fillon turneu i Rugby Sevens.

    Dupont elektrik është lojtari më i madh për 555,000 tifozët që pritet gjatë gjashtë ditëve të aksionit të ragbit, por Francës do t’i duhet të ndërpritet puna për të ndaluar kampionët e dyfishtë olimpik Fijin.

    Franca dhe Fiji janë në të njëjtin grup dhe do të luajnë me Shtetet e Bashkuara dhe Uruguain, përpara se dyshja të përballen me njëri-tjetrin të enjten.

    Të tjerët për të parë në garën e hapur janë fuqitë tradicionale të ragbit, Zelanda e Re, Australia, Argjentina dhe Irlanda.

    Ndërkaq, më poshtë mund të gjeni programin e sotëm të ndeshjeve në futboll në Lojërat Olimpike Paris 2024.

  • ​Kurti: Marrëveshja bazike materializon karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës

    ​Kurti: Marrëveshja bazike materializon karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Marrëveshja Bazike e Brukselit e 27 shkurtit të vitit 2023, është një moment i radhës përmes së cilit u arrit të materializohen karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare në të cilat bazohet mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Kurti e nisi mbledhjen e Qeverisë, duke thënë se këtë javë, gjithashtu, 14 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi në mënyrë të pakthyeshme ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

    “Marrëveshja Bazike e Brukselit e 27 shkurtit të vitit 2023 është një moment i radhës përmes së cilit u arrit të materializohen karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare në të cilat bazohet Mendimi Këshillëdhënës i GjND-së, përfshirë fqinjësinë e mirë, barazinë e sovranëve, respektimin e pavarësisë së tjetrit, njohjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial, të drejtën e vetëvendosjes së popujve dhe parimet e tjera të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Fuqizimi i shtetit të Kosovës dhe shtetësisë së tij në arenën ndërkombëtare e dimë që nuk është një proces automatik, por kërkon kohë e mund, përkushtim e guxim”, thuhet Kurti.

    Sipas tij, kohë, përkushtim dhe vullnet duhet edhe për politika të mira të brendshme të vendit për të mirën e qytetarëve.

    “Nga muaji i ardhshëm mbi 400 mijë fëmijë do t’i marrin shtesat e tyre me rritje. Është dashur që fillimisht të ketë shtesa për të pasur pastaj rritje të tyre. E ne jemi të lumtur që na është dhënë mundësia përmes vullnetit të qytetarëve tanë që edhe t’i nisim edhe t’i rrisim shtesat për fëmijët që janë e tashmja dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës”. Ka thënë ai.

    Kryeminbistir Albin Kurti ka uruar mirëseardhje mërgatës sonë, e cila tashmë ka filluar të vijë e t’i dinamizojë qytetet tona, dhe i ftoj që të marrin pjesë në organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kushtuar mërgatës, bashkatdhetarëve tanë, më 30 korrik, në Sheshin “Skënderbeu”, që nisë qysh në orën 10:00 e vazhdon deri në mbrëmje vonë, me muzikë, kënde argëtimi e kënde informimi.

    Ky organizim që po zhvillohet në 25-vjetorin e çlirimit të vendit është shenjë falënderimi për kontributin e çmuar të mërgatës në çdo etapë të shoqërisë dhe të shtetit tonë.

  • Këto kategori të shoqërisë do të përfitojnë nga Projektligji për Banim Social

    Këto kategori të shoqërisë do të përfitojnë nga Projektligji për Banim Social

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë për media ka thënë se nga Projektligji për Banim Social do të përfitojnë të gjitha familjet që nuk e kanë gjendjen e mirë ekonomike.

    Sipas Aliut krahas kësaj kategorie do të përfitojnë edhe të papunët edhe të pastrehët.

    “Në këtë mbledhje pati mjaftë ligje të rëndësishme që janë miratuar. Janë miratuar Projektligji për banim social dhe të përballueshëm. Në janar të këtij viti kemi thirrur të gjitha komunat t’i identifikojnë pronat komunale për ndërtim. Të banimin social. Kanë qenë 13 komuna që kanë aplikuar në këto lokacione. Në shtator do të bëjmë thirrjen tjetër që te aplikojnë për banim social, kemi shqyrtuar të gjitha lokacionet, kushtet urbanistike. Jemi në fazën e fillimit të projekteve detaje te zhvillimit të këtyre ndërtimeve”.

    “Sapo fillojnë projektet do të aplikohet për leje. Pas kësaj faze do të ketë edhe faza të tjera. Banimi social do të menaxhohet nga komuna por do të monitorohet dhe kjo është për kategorinë e njerëzve që nuk kanë kushte të mira ekonomike. Nga ky projektligj u tha se do të përfitojnë familjet që nuk kanë të ardhura, të papunët dhe të pastrehët. Nuk kemi mundur me hy në fazën e projektit pa hyrë na fazat e para të realizimi puna përgatitore ka marrë shumë kohë, tash është procesi i finalizimit”, ka thënë Aliu.

  • ‘Le të jetojë Gaza’, Netanyahu përballet me protesta në Washington

    ‘Le të jetojë Gaza’, Netanyahu përballet me protesta në Washington

    Vizita e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Washington ka shkaktuar një stuhi protestash në kryeqytetin e SHBA-së.

    Disa nga demonstruesit kanë dënuar Izraelin, por të tjerë kanë shprehur mbështetje ndërsa i kanë bërë presion Netanyahut për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të sjellë në shtëpi pengjet që ende mbahen nga Hamasi, shkruan AP.

    Netanyahu mbërriti në Uashington të hënën për një vizitë që përfshin takime me presidentin Joe Biden dhe një fjalim të mërkurën përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit.

    Dhjetëra protestues u mblodhën jashtë hotelit të tij të hënën në mbrëmje, dhe të martën pasdite, qindra demonstrues organizuan një protestë.

    Organizuar nga Zëri Hebraik për Paqe, protestuesit të veshur me bluza të kuqe që shkruanin “Jo në emrin tonë” dhe duke shpalosur pankarta e duke brohoritur “Le të jetojë Gaza!”.

    Pas rreth gjysmë ore duartrokitje dhe brohoritje, oficerët nga Policia e Kapitolit të SHBA-së lëshuan disa paralajmërime, më pas filluan të arrestonin protestuesit.

    “Unë jam vajza e të mbijetuarve të Holokaustit dhe e di se si duket një Holokaust,” tha Jane Hirschmann, një vendase nga Saugerties, Nju Jork, e cila shkoi në protestë së bashku me dy vajzat e saj – të dyja të arrestuara. “Kur themi “Kurrë më”, nënkuptojmë kurrë për askënd”.

    Demonstruesit e përqendruan zemërimin e tyre në administratën Biden, duke kërkuar që presidenti të ndalojë menjëherë të gjitha dërgesat e armëve në Izrael.

    “Ne nuk po përqendrohemi te Netanyahu. Ai është vetëm një simptomë”, tha Hirschmann.

    “Por si mundet (Biden) të bëjë thirrje për një armëpushim kur ai u dërgon bomba dhe aeroplanë?”.

  • Nagavci për furnizimin me tekstet shkollore: Po vazhdon puna, së shpejti do të dalim me konferencë

    Nagavci për furnizimin me tekstet shkollore: Po vazhdon puna, së shpejti do të dalim me konferencë

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është duke u punuar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore dhe se pritet që së shpejti të mbahet një konferencë e veçantë për media për këtë çështje e ku do të jepen më tepër informata, raporton Ekonomia Online.

    Nagavci ka thënë se puna për furnizim është nisur, ku janë finalizuar listat e teksteve të miratuara dhe se ato janë ndarë me drejtoritë e arsimit.

    “Të njëjtat janë dorëzuar te MASHTI. Kemi pranuar tashmë edhe prej shtëpive botuese të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve. Puna po vazhdon. Besoj se për procesin e furnizimit me tekste shkollore, shumë shpejt do të kemi konferencë të veçantë, ku do të ndajmë të gjitha të dhënat”, ka thënë Nagavci në konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.

    Ajo ka folur edhe për Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës të cilit nuk i janë akredituar katër programe, shkaku i problemeve me infrastrukturë.

    Nagavci ka thënë se janë të ditura tashmë problemet me infrastrukturë në Fakultetin e Bujqësisë.

    Ajo ka thënë se ndonëse janë realizuar pagesat fakulteti nuk është ndërtuar asnjëherë dhe ka probleme serioze. Ajo ka thënë se Universiteti i Prishtinës e ka dërguar lëndën në prokurori, pasi ka pretendime për abuzime me kontratën për ndërtim.

    “Përveç që është keqpërdorur buxheti i shtetit, është rrezikuar edhe akreditimi i programeve të reja. Bashkë me rektorin Qerimi jemi mobilizuar të gjejmë zgjidhje të mos dështojnë këto programe. UP ka sjellë kërkesë, janë identifikuar hapësirat ku mund të realizohet zhvillimi i ligjëratave deri te finalizimi i ndërtimit të Fakultetit. Është në mandatin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të trajtojë kërkesën”, ka thënë Nagavci, ndërsa ka shtuar se UP ka ofruar hapësira për një periudhë njëvjeçare.

    Sa i përket përfshirjes së lëndës së kodimit në shkolla, Nagavci ka thënë se ka filluar të implementohet nëpër disa shkolla në komuna të ndryshme, ku po zgjidhet si lëndë zgjedhore.

    Nagavci ka pasur edhe kërkesë për DKA-të që çdo kërkesë të bëhet nëpërmjet rrugëve zyrtare.

    “Deklarata se e kemi njoftuar dikë në Ministri, po i referohem çështjes së teksteve, mund të mbesin të parealizuara për shkak të komunikimit jo të duhur formal”, u shpreh Nagavci.

  • Digjen 10 hektarë me pemishte dhe vreshta në Suharekë

    Digjen 10 hektarë me pemishte dhe vreshta në Suharekë

    Policia e Kosovës njoftoi se një sipërfaqe prej 10 hektarëve janë djegur në Suharekë të martën.

    Zjarri thuhet se ka shpërthyer për shkaqe të panjohura, ku janë djegur pemishte, vreshta dhe pjesë djerrine. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, derisa rasti po i nënshtrohet procedurave hetimore.

    “Është raportuar se si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të panjohura është djegur një sipërfaqe prej rreth 10 hektarë (pemishte, vreshta dhe djerrinë). Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse edhe nga zjarrfikësit, derisa rasti i nënshtrohet procedurave hetimore”, thuhet në njoftim.

    Rasti është iniciuar si “zjarr”.

  • Dimiq: Nuk përjashtohet përfshirja e Milan Radoiçiqit në aktin terrorist në Ujman

    Dimiq: Nuk përjashtohet përfshirja e Milan Radoiçiqit në aktin terrorist në Ujman

    Radomir Dimiq, kryetar i Perspektivës Multietnike Evropiane të Kosovës, ka dënuar hedhjen e bombës që ndodhi gjatë fundjavës, në afërsi të Tunelit 5, në rrugën magjistrale në drejtim të Ujmanit, me ç’rast u dëmtuan dy vetura, njëra me traga vendore dhe tjetra me targa amerikane.

    Dimiq ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që në këtë akt terrorist të jetë përfshirë Millan Radoiqiqi.

    “Dihet se kujt nuk i konvenon normalizimin i situatës dhe kush kërkon ta minojë punën e suksesshme të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Të jepet përshtypja se është Serbia, kjo për shkak të humbjes së kontrollit dhe ndikimit në Veri të Kosovës, derisa Albin Kurti u bë kryeministër. Po ashtu nuk përjashtohet mundësia që në këtë akt terrorist të jetë përfshirë edhe Millan Radoiqiqi, si dhe shumë grupe tjera kriminale të cilat kanë bërë çfarë kanë dashur, duke u pasuruar jashtëligjshëm. Nga këtu edhe ky akt kriminal, sepse nuk e kanë të lehtë të pajtohen me humbjet politike dhe çdo fuqie tjetër, që padyshim e kanë pasur. Më shumë se dy dekada kanë qenë ‘shtet në shtet’ dhe natyrisht kësaj i ka ardhur fundi, kjo duke e falënderuar qeverinë e Albin Kurtit, që ka arritur t’i dëbojë këta kriminelë të rremë, të vendosë ligjin, sigurinë publike dhe paqen”, thuhet në komunikatën për medie të Perspektivës Multietnike Evropiane të Kosovës.

    “Dua ta falënderojë këmbënguljen e Qeverisë së Kosovës që ka ndërmarrë veprime dhe masa ligjore për sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë Policinë e Kosovës dhe të gjitha strukturat e sigurisë. Pres që sa më shpejt që zbulohen kryesit e këtij krimi dhe të paraqiten para drejtësisë. Po ashtu apeloj tek qytetarët që mos të bien pre e provokimeve që kanë për qëllim të nxisin konflikt të ri dhe eskalim të problemit, ndoshta kjo edhe me qëllim që ta largojnë nga pushteti Albin Kurtin”.

    Sa i përket përpjekjeve që qytetarët të frikësohen në Gazivodë, respektivisht Ujman, që të paraqitet kinse vend i rrezikshëm, ai ka një porosi “Nuk frikësohet arusha me shoshë”.

  • Autori i masakrës në shtëpinë e pleqve në Kroaci del para gjykatësit, e pret paraburgimi prej një muaji

    Autori i masakrës në shtëpinë e pleqve në Kroaci del para gjykatësit, e pret paraburgimi prej një muaji

    I dyshuari për masakrën në shtëpinë e të moshuarve ku vdiqën gjashtë persona në Daruvar, Kresimir Pahoki, ka dalë para Gjykatës për t’u marrë në pyetje për rastin e rëndë.

    Sipas mediave kroate, Pahokit iu shqiptua një muaj paraburgim për shkak të rrezikut për të ndikuar mbi dëshmitarët dhe për të përsëritur krimin.

    Intervistimi i mbrëmshëm ka qenë shumë i shkurtër, ndaj supozohet se është mbrojtur në heshtje, ashtu si në hetimin policor.

    Po ashtu, marrja në pyetje e dëshmitarëve të masakrës po zhvillohet dhe duhet të bëhen disa ekspertiza.

    Kujtojmë se Pahoki akuzohet për 11 vepra penale, përfshirë edhe vrasjen e femrës. U vranë kujdestari dhe pesë plaka, banore të shtëpisë, përfshirë edhe nënën e tij. Pas sulmit, ai shkoi në një kafene aty pranë, ku u arrestua me shpejtësi.

    Për shkak të krimit të paprecedentë në Shtëpinë e të Moshuarve në Daruvar, në qarkun Bjelovar-Bilogora është shpallur Ditë zie.