ATV

Category: Lajme

  • Nuk dihet për çka do ta shfrytëzojë Policia vilën e Radojçiqit

    Nuk dihet për çka do ta shfrytëzojë Policia vilën e Radojçiqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Ndonëse nga muaji maj, Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka dhënë pëlqimin që pasuria e sekuestruar e Milan Radojicicit të mund të shfrytëzohet me qira, ende nuk dihet se kur dhe sa do të ketë Policia qasje në të.

    Të mërkurën, përveç vilës milionëshe buzë liqenit të Ujmanit, Qeveria hapi rrugë që edhe restoranti “Grey” e banesa e përgjegjësit kryesor për sulmin në Banjskë t’i kalojnë në shfrytëzim Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Por ky dikaster që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, ndonëse ka muaj që ka bërë një kërkesë të tillë, nuk ka treguar se për çfarë do të shfrytëzohen ato.

    Jozyrtarisht ATV-ja mëson se mundësitë janë të vogla që brenda vilës të vendosen zyrtarët policorë, por kryesisht do të mund të shfrytëzohet për logjistikë oborri i saj.

    Në Drejtorinë e Policisë në veri, ende nuk kanë asnjë informacion se për çfarë do të shfrytëzohet vila, e as pjesa tjetër e pasurisë së sekuestruar të Radojicicit.

    Në maj të këtij viti, Gjykata dha pëlqimin për dhënien me qira të aseteve të sekuestruara, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.

    Agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, dhënien me qira e kishte vlerësuar si një ndër format më të duhura për administrimin e tyre deri në përfundim të procesit gjyqësor.

    Ndërkohë, Gjykata, urdhrat ndalues ia ka dërguar edhe Odës së Noterëve dhe Agjencisë Kadastrale, në mënyrë që të mos lejohet ndryshimi i pronësisë.

  • Minitria e Shëndetësisë ia dhuron një veturë komunës së Zubin Potokut

    Minitria e Shëndetësisë ia dhuron një veturë komunës së Zubin Potokut

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ende nuk dihet sa banorë i ka Zubin Potoku. Por ata të cilët jetojnë në fshatra të thella dhe nuk arrijnë dot në qendrën e mjekësisë familjare do të vizitohen me këtë veturë nga zyrtarët komunalë.

    Këtë Suzuki Vitara, që është i destinuar edhe për rrugë të paasfaltuara, komunës ia dhuroi Ministria e Shëndetësisë, udhëheqësi i së cilës paraprakisht zhvilloi një bisedë me kryetarin Izmir Zeqiri dhe ministrat e tjerë që i kishte marrë me vete.

    Ndërkohë, fare pranë komunës ndodhet Qendra e Mjekësisë Familjare që funksionon me sistem paralel. Por, se kur mund të vendoset nën sistemin e Kosovës, nuk e di as vetë Vitia.

    Pas nënshkrimit të marrëveshjes për veturën, tre ministra dhe kryetari vizituan bodrumin në të cilin planifikohet të funksionalizohet një ordinancë diagnostike.

  • Bashkimi Evropian: Nëse Serbia e dëshiron vërtet BE-në, ta zbatojë marrëveshjen!

    Bashkimi Evropian: Nëse Serbia e dëshiron vërtet BE-në, ta zbatojë marrëveshjen!

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht obliguese, në tërësinë e saj”, është përgjigjja që Bashkimi Evropian i dha kryeministrit të Serbisë, Milos Vucevic, pas deklaratës se shteti i tij nuk e ka pranuar ujdinë e Brukselit dhe shtojcën Ohrit.

    Në këtë kontekst, në një përgjigje për ATV-në, BE-ja përmendi përfshirjen e zbatimit të marrëveshjes dhe shtojcës si obligim në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në bllokun evropian.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht obliguese në tërësinë e saj për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Zbatimi i saj është pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse evropiane, gjë që është konfirmuar nëpërmjet përfshirje në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim. Nëse përparimi në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është vërtet interes strategjik i Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit e Serbisë që të përmbahen nga deklaratat që vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e Marrëveshjes, si dhe të nisin zbatimin e obligimeve të tyre… Marrëveshja me shtojcën e saj për zbatim u bënë ligjërisht obliguese nëpërmjet deklaratës së shkruar nga Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti më 18 Mars 2023. Këtë e kanë pranuar të dy, presidenti Vucic dhe kryeministri Kurti”, thuhet në reagimin e BE-së.

    Në një reagim, zëvendëskryeministri për Dialog, Besnik Bislimi, shkroi se Vucevic po pyet se “çfarë tjetër nevojitet për ta bindur BE-në që për Serbinë nuk ka marrëveshje bazike? Që pjesëmarrja e tyre në dialog është e rreme, vetëm sa për t’i shmangur sanksionet eventuale”.

    Qëndrimi i Vucevicit është në linjë me letrën që ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ia dërgoi BE-së në Dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ajo vendos vija të kuqe në raport me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

  • BE-ja përgjigjet pak deklarimeve të kryeministrit serb: Mos bëni deklarata që vënë në pikëpyetje marrëveshjet me Kosovën

    BE-ja përgjigjet pak deklarimeve të kryeministrit serb: Mos bëni deklarata që vënë në pikëpyetje marrëveshjet me Kosovën

    Bashkimi Evropian në një përgjigje me shkrim është deklaruar pasi kryeministri serb Millosh Vuçeviq deklaroi dje në Parlamentin e vendit të tij që “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht obliguese në tërësinë e saj për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Zbatimi i saj është pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse evropiane, e cila u konfirmua së fundmi përmes përfshirjes së saj në kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë për anëtarësim ”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Po në atë përgjigje thuhet se “Nëse përparimi në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është vërtetë interes strategjik i Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit e Serbisë që të përmbahen nga deklaratat që vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e Marrëveshjes, si dhe të nisin zbatimin e obligimeve të tyre”.

  • Arrestohen një burrë dhe një grua në Prishtinë, dyshohet se mashtruan disa këmbimore

    Arrestohen një burrë dhe një grua në Prishtinë, dyshohet se mashtruan disa këmbimore

    Policia Rajonale në Prishtinë ka zhvilluar një aksion gjatë ditës së sotme që rezultoi me arrestimin e dy personave, të cilët dyshohen për veprën penale “Mashtrimi”.

    Gjatë operacionit policor janë sekuestruar edhe një shumë e parave, që dyshohet se janë përfituar në rastet kur të dyshuarit kanë mashtruar.

    Personat e dyshuar që ranë në prangat e Policisë janë një 47-vjeçar dhe një grua 28-vjeçare, të dy shtetas të Kolumbisë.

    “Personat e arrestuar dyshohet të kenë marrë nga ankuesit (punëtor të këmbimoreve) shuma të ndryshme parash duke i mashtruar (gjatë ri-numërimit kanë fshehur një shumë parash derisa kanë qenë duke i konvertuar).

    Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi edhe jashtë rajonit të Prishtinës, si dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar.” – njoftoi Policia.

  • Holandezët dhe danezët do të furnizojnë më shumë tanke për Ukrainën

    Holandezët dhe danezët do të furnizojnë më shumë tanke për Ukrainën

    Holanda dhe Danimarka do të dorëzojnë 14 tanke të rinovuar Leopard 2 në Ukrainë, sipas një deklarate nga ministria holandeze e Mbrojtjes.

    Të dy vendet në prill të vitit të kaluar thanë se do të blinin tanket nga një palë e tretë dhe do t’i bënin gati për betejë në Ukrainë, shkruan Sky News.

    Tanket janë sjellë plotësisht në standardin e fushëbetejës nga prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall pas muajsh testimi.

    “Ato do të dorëzohen para fundit të verës”, tha ministria.

    “Tanket Leopard 2A4 mund të ndihmojnë Ukrainën të fitojë dorën e sipërme në fushën e betejës”, thuhej ndër të tjera një deklaratë.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, të hënën shpallet aktgjykimi ndaj Krivaçës dhe Sejdiut

    Vrasja e Marigona Osmanit, të hënën shpallet aktgjykimi ndaj Krivaçës dhe Sejdiut

    Të hënën nga ora 11:00 do të vazhdojë seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Seanca e shpalljes së aktgjykimit do të jetë e hapur për publikun.

    Ndryshe, sot në fjalën përfundimtare në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaça tha se tani e ndjera Marigona Osmani është personi që e ka dashur dhe se vrasja e saj nuk ka qenë e qëllimshme.

    “Është personi që e kam dashtë, nuk ka qenë e qëllimshme, nuk kam qenë në dijeni që do të shkaktoja kaq shumë lëndime që ajo të vdiste, unë kam dashtë me kriju familje me të. Edhe një herë, ju kërkoj falje familjarëve”, tha Krivaça.

    Në këtë seancë, u dha fjala përfundimtare nga të gjitha palët në procedurë.

    Kujtojmë se Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça, në qytetin e Ferizajt.

  • 20 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen në Hajvali

    20 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen në Hajvali

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Kryeziut, duke e dënuar me dënim unik prej 20 vjet burgim për vrasjen e V.Xh., në dhjetor të 2021-ës në Hajvali.

    Aktgjykimi ndaj Kryeziut u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    I pandehuri Kryeziu ngarkohej e së bashku me të miturin A.K., pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me tani të ndjerin V.Xh, me dashje që ta privojë nga jeta, në oborrin e shkollës në Hajvali e kishin therur me thika në trup e që si pasojë e plagëve të marra Xh., kishte ndërruar jetë në QKUK.

    Gjykatësi Shyti tha se i akuzuari Kryeziu për “Vrasje” dënohet me 19 vjet e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 1 vit burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 20 vjet burgim.

    Ndryshe, në fjalën përfundimtare, prokurori Arben Hoti ka bërë rikualifikimin e cilësimit juridik të kësaj çështje penale nga “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje në veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje nga neni 172 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Sipas aktgjykimit, dënimi i shqiptuar me burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Po ashtu, atij i vazhdohet masa e paraburgimit derisa ky aktgjykim të marrë formën e prerë por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim. Urdhërohet konfiskimi i thikës me gjatësi 6 cm.

    Po ashtu, i akuzuari u obligua që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 200 euro dhe shumën prej 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

    Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar u udhëzua në kontest juridiko-civil.

    Ndryshe, ricilësimin juridik, Prokuroria e ka bërë duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme sipas të cilit gjykata duke vepruar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të të miturit A.K (i cili është dënuar si bashkëkryerës në procedurën për të mitur) kishte aprovuar kërkesën dhe kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe atë Gjykatës Themelore, me të cilët i mituri fillimisht ishte gjykuar për vepër penale të “Vrasjes së rëndë” në bashkekryerje, mirëpo Supremja kishte bërë ricilësimin e kësaj vepre penale në “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

  • Bullgarët ngasin 21 mijë kilometra në vit mesatarisht, tregojnë sondazhet

    Bullgarët ngasin 21 mijë kilometra në vit mesatarisht, tregojnë sondazhet

    Makinat nga Bullgaria kanë një kilometrazh mesatar vjetor prej 20.999 km, që është shifra e 13-të më e lartë midis 27 vendeve evropiane plus Shtetet e Bashkuara, automjetet e të cilave kontrollohen në CarVertical, një shërbim i kontrollit të historisë së automjeteve me bazë në Talin.

    Raporti u publikua në faqen e internetit të kompanisë në fillim të korrikut dhe u mbulua nga media bullgare.

    Automjetet nga Holanda kanë kilometrazhin mesatar vjetor më të lartë – 29.851 km, të ndjekura nga makinat nga Spanja (29.017), Danimarka (27.346), Belgjika (24.308) dhe Franca (23.775), thuhet në raport.

    Çuditërisht, kilometrazhi i raportuar për Bullgarinë është më i lartë se ai për makinat e importuara nga Shtetet e Bashkuara (16.941 km). Në fakt, SHBA-të janë në fund të renditjes. Kjo nuk do të thotë që amerikanët ngasin më pak se njerëzit në vende të tjera, por sepse shumica e automjeteve të importuara nga SHBA mbërrijnë në Evropë të dëmtuara rëndë. Përndryshe, tregtarët e makinave nuk do ta kishin fitimprurëse t’i shisnin ato, shpjegon CarVertical.

    Numri i kilometrave që udhëtojnë makinat në vit është një nga faktorët më të rëndësishëm që duhet marrë parasysh kur blini një makinë, dhe njohja se sa larg ngasin njerëzit në vendin tuaj në vit mund t’ju ndihmojë të mbani një sy për rikthimet e mundshme të odometrit, thotë kompania. /BTA

  • IKShPK: Kujdes nga pickimi i mushkonjave, rrezik infektimi nga Virusi i Nilit Perëndimor

    IKShPK: Kujdes nga pickimi i mushkonjave, rrezik infektimi nga Virusi i Nilit Perëndimor

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës paralajmëroi qytetarët që të bëhet kujdes nga pickimi i mushkonjave në verë për shkak të një sëmundjeje që u mund të transmetojnë.

    “Virusi i Nilit Perëndimor, i cili është sëmundje sezonale e muajve të verës, ka bërë që ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të shtojnë gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjes.

    Në Kosovë nuk ka raste të raportuara të Virusit të Nilit Perëndimor, por duke pasur parasysh se raste të këtij virusi janë regjistruar në disa vende të Evropës si në Spanjë, Itali, Greqi dhe në rajon gjithashtu, IKSHPK bën thirrje për kujdes të qytetarëve dhe parandalim të infeksioni që tek njerëzit kryesisht është rezultat i pickimit nga mushkonjat e infektuara.

    IKSHPK ndan përmes infografikave në vijim për qytetarët informacionet dhe rekomandimet lidhur me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV).”