ATV

Category: Lajme

  • Në 13-vjetorin e rënies së policit, Enver Zymberi flet axha i tij: Kanë qenë vite goxha të rënda për ne

    Në 13-vjetorin e rënies së policit, Enver Zymberi flet axha i tij: Kanë qenë vite goxha të rënda për ne

    Në 13-vjetorin e rënies së policit, Enver Zymeri, familja ka hapur dyert për të pritur për ngushëllime. Për Ekonomia Online, ka folur Muhamet Zymeri, axha i Enverit.

    Ai ka thënë se këto vite nga rënia e tij kanë qenë të vështira por që sipas tij është dashur t’i përballojnë. Konsideron se që nga rënia e Enverit, ka progres në vend.

    “Këto vite nga rënia e Enverit kanë qenë goxha të rënda por megjithatë është dashur me i përballuar se është një vlerë sublime jo vetëm për familjen por për fshatin, komunën e për krejt shtetin”.

    “Ka progres nuk mund të themi që nuk ka por do të vijë koha kur çdo gjë do të jetë në vendin e duhur”, u shpreh Zymeri.

  • Sveçla për Enver Zymerin: Me shërbimin e tij deri në sakrificë sublime përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës

    Sveçla për Enver Zymerin: Me shërbimin e tij deri në sakrificë sublime përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar heroin Enver Zymeri, në 13-vjetorin e rënies së tij heroike.

    Përmes një postimi në Facebook, Sveçla thotë se Zymeri u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Kosovës.

    Pos kësaj, ministri kujtoi edhe Afrim Bunjakun i cili u vra në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë më 24 shtator, dhe policët e tjerë të rënë në kryerje të detyrës.

    Postimi i plotë:

    13 vjet nga rënia në krye të detyrës e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Heroit Enver Zymeri.

    13 vite më parë, gjatë një operacioni policor në veri të vendit, në fshatin Zubç të Zubin Potokut, nga një grup i armatosur kriminal i Serbisë, u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Heroi Enver Zymeri. Me shërbimin e tij me vullnet e përkushtim deri në sakrificë sublime, Heroi Enver Zymeri përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Ai u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vite pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Republikës së Kosovës.

    Në nderim të sakrificës sublime të Hero Enver Zymerit, prej tre vitesh 26 korrikun e shënojmë si Ditën memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës. Listës së të rënëve, shokëve të tij të lavdisë, këtë vit i është shtuar Heroi Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë me 24 shtator.

    Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës.

  • Zhduket një person në Kamenicë

    Zhduket një person në Kamenicë

    Një burrë nga Kamenica është zhdukur, njoftoi Policia e Kosovës.

    Personi i cili raportoi ngjarjen në polici tha se viktima është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

    Policia tutje tha se rasti është duke u hetuar.

  • Arrestohet një burrë në Skenderaj, dyshohet se theri dy persona

    Arrestohet një burrë në Skenderaj, dyshohet se theri dy persona

    Një person është arrestuar në Skenderaj për vrasje të rëndë në tentativë. 

    Ai ka therur dy persona pas një mosmarrëveshje që kishin mes vete, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Dy personat janë dërguar në QKUK për trajtim.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshje ka therur me thikë dy viktimat meshkuj kosovarë. Viktima janë dërguar në QKUK për  tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Policët e rënë në detyrë gjatë viteve, Sindikata publikon emrat dhe fotografitë

    Policët e rënë në detyrë gjatë viteve, Sindikata publikon emrat dhe fotografitë

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka publikuar emrat dhe fotografitë e policëve të rënë në krye të detyrës gjatë viteve.

    Policët e rënë në krye të detyrës janë Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llaptinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza,  Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj, Sami Thaqi, Arben Sejdiu dhe Afrim Bunjaku.

    Në postimin e sindikatës, me rastin e Ditës Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, thuhet se këta heronj janë “simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona”.

    “Sot, në Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetët e tyre për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Këta heronj janë simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona. Lavdi përherë heronjve të Policisë së Kosovës!”, thuhet në postim.

    Me rastin e ditës memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës dhe 13 vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri, sot do të mbahen disa aktivitete.

    FIllimisht në orën 10:00, do të bëhen homazhe shtetërore pranë lapidarit të policëve të rënë kryerje të detyrës. Pastaj në orën 14:00, do të bëhen homazhe pranë pllakës përkujtimore në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri

    Në fund, do të mbahet gara profesionale të kërcimit në nderim të policëve të rënë në kryerje të detyrës, tek Liqeni i Ujmanit, ura e parë.

  • Kurti përkujton Enver Zymerin: Me policë trima si Enveri dhe si shokët e tij, Kosova do t’i dalë zot gjithë territorit

    Kurti përkujton Enver Zymerin: Me policë trima si Enveri dhe si shokët e tij, Kosova do t’i dalë zot gjithë territorit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar policin Enver Zymeri, i cili 13 vjet më parë u vranë në veri të vendit gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës, raporton Sinjali.

    Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Kurti ka shkruar se Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe i sovranitetit republikan të Kosovës dhe kjo sa vjen e bëhet më e qartë në çdo përvjetor të rënies së tij.

    “Operacioni i Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator 2023, gjatë sulmit terrorist të një grupi paramilitar të mbështetur nga autoritetet shtetërore të Serbisë, me qëllim destabilizimin dhe shkëputjen e një pjese të territorit të Kosovës, është dëshmia më e mirë e nivelit të policëve të Kosovës dhe e faktit që angazhimi dhe rënia e Enver Zymerit nuk kanë shkuar kot.”– ka shkruar ndër të tjer Kurti.

    Postimi i plotë:

    Enver Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe i sovranitetit republikan të Kosovës. Kjo sa vjen e bëhet më e qartë në çdo përvjetor të rënies së tij, teksa gjendja në terren në pjesën veriore të Kosovës, ka ndryshuar rrënjësisht që nga koha kur Enveri u vra, 13 vite më parë.

    Enver Zymeri u plagos në kokë nga një plumb snajperi gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit, i zhvilluar në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011. I qëlluar duke shërbyer në krye të detyrës, polici Enver Zymeri vdiq pas 18 orësh, më 26 korrik, duke rënë dëshmor për vendin e tij, me uniformën policore, siç dikur e kishte mbajtur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër. Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të Kosovës.

    Ndërkohë që edhe vetë institucioni i Policisë së Kosovës, me uniformën e së cilës u vra heroi Enver Zymeri, është në një stad krejt tjetër të zhvillimit dhe në një nivel shumë më të lartë kapacitetesh profesionale, 13 vite pas rënies së Enverit. Besimi në Policinë e Kosovës i vetë qytetarëve në veri të vendit duke përfshirë edhe ata serbë, është rritur ndjeshëm në kohët e fundit, teksa prania, patrullimet dhe kujdesi i policëve tanë u ofron siguri, rregull dhe paqe të gjithë qytetarëve të asaj zone.

    Ndërkohë, njësitet policore kanë vazhduar të forcohen e avancohen, të shtohen e freskohen me policë të ri, të përzgjedhur me kritere gjatë rekrutimit, të stërvitur dhe të edukuar sipas programeve dhe praktikave më moderne të policive të vendeve demokratike perëndimore.

    Operacioni i Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator 2023, gjatë sulmit terrorist të një grupi paramilitar të mbështetur nga autoritetet shtetërore të Serbisë, me qëllim destabilizimin dhe shkëputjen e një pjese të territorit të Kosovës, është dëshmia më e mirë e nivelit të policëve të Kosovës dhe e faktit që angazhimi dhe rënia e Enver Zymerit nuk kanë shkuar kot.

    Me policë trima si Enveri dhe si shokët e kolegët e tij, Kosova do t’i dalë zot gjithë territorit dhe qytetarëve të saj, duke e mbrojtur demokracinë dhe tërësinë e saj.

    Lavdi heroit të Kosovës, policit Enver Zymeri mes nderimesh dhe mirënjohjesh për punën e përditshme të Policisë së Kosovës, për kushtetutshmëri e ligjshmëri, për drejtësi dhe barazi, për liri dhe paqe, për republikën e përbashkët dhe për Kosovën e dashur.

  • Digjen dy vetura me targa zyrtare në Zveçan

    Digjen dy vetura me targa zyrtare në Zveçan

    Dy vetura janë djegur në Zveçan gjatë natës, raporton atvlive.tv.

    Veturat siç mëson ATV- ja janë me tabela zyrtare, dhe rasti ka ndodhur rreth orës 01:00 të mesnatës.

    Për shuarjen e zjarrit deri në arritjen e zjarrfikësve ka ndërhyrë edhe Policia.

  • Presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj, ishin të ftuar sot në darkën e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik në Paris

    Presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj, ishin të ftuar sot në darkën e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik në Paris

    Krahas liderëve të shumtë botërorë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Paris për t’iu dhënë mbështetje 9 sportistët që po e përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

    Gjatë ditës së sotme, ajo së bashku me bashkëshortin e saj Prindonin, ishin të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar.

    “Miqësi, partneritet e diskutime për të ardhmen, siç është edhe fryma e Lojërave Olimpike”, ka shruar Osmani në facebook.

  • UNDP: Varfëria dhe punësia, problemet kryesore në Kosovë

    UNDP: Varfëria dhe punësia, problemet kryesore në Kosovë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Varfëria dhe papunësia janë dy problemet kryesore për qytetarët në Kosovë, vlerëson raporti “Pulsi Publik” i UNDP-së.

    Sipas këtij raporti, mbi 16 për qind e qytetarëve të anketuar, kanë këtë përshtypje.

    Shqetësues për qytetarët mbeten edhe çmimet në produkte esenciale, që raporti e vlerëson si problematikën e tretë më të madhe në Kosovë.

    “Tri çështjet kryesore të cilat janë identifikuar në raport, me të cilat përballen njerëzit, kanë qenë varfëria, papunësia dhe çmimet që duhet të paguhen për produkte esenciale”, tha përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros.

    Kësisoj edhe kënaqshmëria në ekonomi nuk është edhe aq e madhe.
    Vetëm 27 për qind e qytetarëve të pyetur janë të kënaqur me gjendjen ekonomike në vend.

    Problem tjetër, sipas qytetarëve, mbetet edhe korrupsioni. Por pavarësisht problemeve, qytetarëve iu është shtuar besimi në institucionet qendrore.

    Kënaqshmëria e qytetarëve me punën e Presidentes Vjosa Osmani, sipas rezultateve është 69 %. 58 për qind e të anketuarve i besojnë punës së kryeministrit, ndërkaq 64 për qind, apo rreth 6 për qind më shumë qytetarë vlerësojnë punën e kryekuvendarit Glauk Konjufca.

    “Kënaqshmëria e punës së kryeministrit është rritur krahasuar me anketën në nëntor, derisa shohim një rritje të lartë në vlerësim edhe ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit në UNDP.

    Njëkohësisht, qytetarët nuk është se besojnë shumë në punën e institucioneve të drejtësisë, meqë të kënaqur me sistemin janë vetëm 30 për qind e të anketuarve.

    Sidoqoftë, qytetarët në masë të madhe besojnë në siguri.

    Në anën tjetër, tri shqetësimet kryesore për serbët në Kosovë janë: varfëria, problemet e hapësirës urbane dhe marrëdhëniet ndëretnike.

    Ndonëse ndihen më të sigurt, kanë mendime të ndryshme rreth asaj nëse marrëveshja potenciale mes Kosovës e Serbisë, do ta ndryshonte në të mirë jetën e tyre.

  • Të hënën vendimi për Krivaqën, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm

    Të hënën vendimi për Krivaqën, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    As rigjykimi nuk e ndryshoi dosjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për akuzat ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut në vrasjen e Marigona Osmanit.

    Në fjalën përfundimtare, Prokuroria kërkoi që të mos ketë ulje të dënimit për dy të akuzuarit, derisa deklarata e Krivaqës se lëndimet Marigona i mori nga rrëzimi në shkallë, u vlerësua absurde.

    Megjithatë, i akuzuari kryesor në këtë rast Dardan Krivaqa, duke thënë se Marigona ishte personi që e donte, përsëriti se vrasja e saj nuk që e qëllimshme.

    Në emër të të akuzuarit të dytë, Arbër Sejdiut, foli avokatja e tij. Ajo kritikoi prokurorinë duke thënë se ka mungesë provash që dëshmojnë se klienti i saj ishte i përfshirë në vrasjen e Marigonës.

    Por deklarimet e të akuzuarve i kundërshtoi avokati i familjes Osmani.

    E disa minuta për t’u deklaruar i pati edhe i dëmtuari, babai i Marigonës, Muhabi Osmani.

    Derisa të hënën e 29 korrikut do të shpallet vendimi për të akuzuarit Krivaqa e Sejdiu, ulje të dënimit kërkoi avokati mbrojtës i Krivaqës.

    Në procesin e parë gjyqësor, Gjykata Themelore në Ferizaj dënoi me burgim të përjetshëm Krivaqën dhe me 15 vjet burgim Arbër Sejdiun.