ATV

Category: Lajme

  • Autori i përgatitur, u informua për vrasjen e Kenedit para atentatit ndaj Trump! Drejtori i FBI-së zbulon detajet

    Autori i përgatitur, u informua për vrasjen e Kenedit para atentatit ndaj Trump! Drejtori i FBI-së zbulon detajet

    Autori i atentatit ndaj ish Presidentit Donald Trump besohet të ketë kërkuar në internet një javë para sulmit të dhëna mbi vrasjen e presidentit amerikan John Kennedy, tha gjatë dëshmisë së tij të mërkurën drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

    Por drejtori Wray shtoi se ndonëse atentatori kishte treguar interesim të shtuar rreth figurave publike, ai nuk ka lënë prapa gjurmë të qarta rreth motiveve ideologjike.

    Sipas zotit Wray, autori i sulmit Thomas Matthew Crooks kërkoi në internet përgjigje për pyetjen se “sa ishte distanca ndërmjet Oswaldit dhe Kennedy-t?”, duke iu referuar Lee Harvey Oswald-it, i cili vrau me snajper Presidentin Kennedy në vitin 1963, në Dallas.

    Drejtori Wray i zbuloi këto detaje para ligjvënësve të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve si pjesë e informacioneve të reja të ofruara nga ai rreth sulmit të 13 korrikut në tubimin zgjedhor të zotit Trump në Batllër të Pensilvanisë.

    Hetimet e FBI-së e kanë vënë agjencinë në mes të stuhisë politike pak muaj para zgjedhjeve presidenciale, me ligjvënësit dhe publikun që kërkojnë me ngulm detaje për motivet që nxitën autorin e sulmit, përpjekja më serioze për të vrarë një president apo kandidat presidencial që nga atentati ndaj Presidentit Ronald Reagan në vitin 1981.

    FBI-ja ka ndërtuar një orar të detajuar të lëvizjeve dhe aktiviteteve në internet të autorit të sulmit, por motivi i saktë – ose arsyeja se përse zoti Trump ishte objektivi i tij – mbesin të panjohura, deklaroi zoti Wray.

    “Shumë nga burimet e zakonshme të informacionit ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat që ia vlen të përmendet sa i përket motivit apo ideologjisë,” tha ai. Zoti Wray theksoi se autori i sulmit kishte treguar interesim të shtuar ndaj figurave publike. Krahas zotit Trump, Crooks kishte në telefonin e tij fotografi të Presidentit Joe Biden dhe figurave tjera kryesore – dhe se në ditët para sulmit ai dukej i interesuar në veçanti për zotin Trump.

    Sipas zotit Wray, dy orë para sulmit, Crooks përdori një dron rreth 180 metra nga skena e tubimit ku zoti Trump qëndroi më vonë. Crooks i kishte transmetuar drejtpërdrejt inçizimet nga vendi i ngjarjes dhe i kishte riparë regjistrimet më vonë. Përdorimi i dronit në afërsi të tubimit vetëm disa orë para se zoti Trump të qëndronte në skenë, nxiti pyetje shtesë rreth mangësive të masave sigurisë para ngjarjes.

    Wray u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën se institucioni i tij “do të bëjë të gjitha përpjekjet” për të zbuluar se çfarë e shkaktoi dështimin e autoriteteve për të parandaluar atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

    “Prej kohësh kam thënë se jetojmë në një ambient me kërcënime të shtuara. Dhe atentati ishte një shembull tragjik dhe veçanërisht i neveritshëm i një ambjenti të tillë”, tha drejtori Wray në dëshminë e tij. “Do të bëjmë çmos. Vrasësi ka vdekur, por hetimet e FBI-së po vazhdojnë.”

    Drejtori Wray, po dëshmon në një seancë në Kongres mbi hetimin e byrosë lidhur me atentatin ndaj ish-presidentit Donald Trump. Ligjvënësit pritet t’i kërkojnë atij detaje të reja mbi motivin dhe të kaluarën e autorit të sulmit.

    Seanca në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve është hera e parë që zoti Wray flet në detaje mbi ngjarjen, ndërsa agjentët vazhdojnë të kryejnë hetime mbi 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks.

    Por seanca mbi atentatin ndaj zotit Trump u mbajt nën hijen e përçarjeve partiake brenda komisionit.

    Seanca ishte planifikuar shumë përpara sulmit ndaj ish-Presidentit Trump më 13 korrik, në kuadër të mbikëqyrjes rutinë mbi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë nga Komisioni, por pyetjet rreth atentatit po dominojnë.

    Në fillim të seancës, kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Jim Jordan tha se ai pret që drejtori Wray t’u përgjigjet pyetjeve rreth ngjarjeve që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas incidentit, por shprehu dyshimet se do të marrë përgjigje edhe para se të fillonin pyetjet.

    “Jam i sigurt se e kuptoni që një pjesë e konsiderueshme e vendit është skeptike rreth aftësisë së FBI-së për të zhvilluar një hetim të drejtë, të sinqertë, të hapur dhe transparent,” deklaroi ai.

    Ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler e dënoi sulmin ndaj ish Presidentit Trump “pa mëdyshje dhe me forcë”, por në komentet e tij vuri theksin tek kërcënimet dhe dhuna politike ndër vite si dhe tek retorika e dhunshme, siç tha ai, nga ana e republikanëve, përfshirë nga vetë zoti Trump.

    “Nëse mendoni që ky plumb i atentatorit ishte i befasishëm dhe jo pjesë e një vale të dhunës që po kërcënon vendin tonë me vite, atëherë nuk e keni kuptuar thelbin,” deklaroi ai.

    Deri më tani ndaj FBI-së nuk janë ngritur të njejtat shqetësime si ato me të cilat u përball Shërbimi Sekret, që çoi në dorëheqjen e drejtores Kimberly Cheatle.

    FBI ka thënë se po e heton ngjarjen në Batlër të Pensilvanisë, nga e cila gjeti vdekjen një pjesëmarrës në tubim dhe dy të tjerë u plagosën rëndë, si një akt terrorizmi të brendshëm dhe tentativë për vrasje./ VOA

  • A mund të hapet ura në Mitrovicë pa pajtimin e KFOR-it?

    A mund të hapet ura në Mitrovicë pa pajtimin e KFOR-it?

    Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në mes të korrikut se Qeveria e tij synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, KFOR-i tha se NATO-ja e mbështet këtë dialog dhe se ai është aty për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    “Kjo përfshin praninë e vazhdueshme në urën në Mitrovicë dhe patrullime të rregullta në zonën përreth”, tha KFOR-i.

    Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse dikush nga Qeveria e Kosovës e ka kontaktuar në lidhje me këtë çështje.

    Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Prandaj, nga sektori civil në Kosovë thonë se faktor kyç në hapjen e urës është, në fakt, KFOR-i, sepse ai duhet t’i lëvizë ushtarët e tij, gjegjësisht ta japë pëlqimin.

    Kjo urë e ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore, ku komunitet shumicë janë serbët.

    Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.

    Derisa Qeveria e Kosovës beson se hapja e urës do të siguronte liri të lëvizjes për të gjithë, Serbia e sheh këtë çështje si “provokim”.

    Më 17 korrik, kryeministri i Kosovës e ngriti çështjen e hapjes së saj në një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, pas të cilit tha se “askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë dhe korrekte”.

    Vendet e QUINT-it përfshijnë: Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë e Madhe.

    “Duam që ligji të zbatohet, të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të ketë paqe dhe siguri për të gjithë”, u tha Kurti gazetarëve më 18 korrik, duke folur për hapjen e urës në Mitrovicë.

    Çfarë thotë QUINT-i?

    Ambasada britanike në Kosovë i tha Radios Evropa e Lirë se qëndrim i vendit të saj është që ura në Mitrovicë të hapet në përputhje me marrëveshjet përkatëse, të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne jemi të hapur për diskutime me Qeverinë e Kosovës, se si mund të arrihet kjo”, thuhet në përgjigje.

    REL-i iu drejtua edhe ambasadave të tjera të shteteve të QUINT-it për t’i pyetur se cili është qëndrimi i tyre për hapjen e urës në Mitrovicë dhe nëse e përkrahin synimin e Qeverisë së Kosovës për ta hapur atë për qarkullim, por nuk mori përgjigje.

    Ngjashëm nuk u përgjigj as Bashkimi Evropian, por më herët ai rikujtoi se kjo çështje ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se, për këtë arsye, të gjitha vendimet duhet të merren në kuadër të dialogut, me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Prishtinës dhe Beogradit.

    BE-ja, po ashtu, u bëri thirrje palëve që t’i zbatojnë pa vonesë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë Marrëveshjen për urën, por të mos e rrezikojnë stabilitetin në terren.

    Si të hapet ura pa rrezikuar stabilitetin në terren?

    Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se si mund të hapet ura mbi Ibër pa e rrezikuar stabilitetin në terren – ashtu siç kërkon bashkësia ndërkombëtare.

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, beson se ura kryesore në Mitrovicë duhet të hapet për lëvizje më të lehtë të të gjithë qytetarëve, por thekson se kjo duhet të bëhet në koordinim të plotë me KFOR-in dhe me vendet e QUINT-it.

    “Çdo veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, i cili mund të shoqërohet me përshkallëzim ndëretnik të situatës, mund të ketë efekt të kundërt”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se Qeveria e Kosovës, bashkë me KFOR-in dhe QUINT-in, duhet të bisedojnë me qytetarët e Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut për rëndësinë e hapjes së urës.

    “Ura duhet të hapet [për trafik] kur të arrihet një marrëveshje”, thotë Demhasaj.

    Qytetarët në jug dhe në veri të urës e shohin ndryshe-ndryshe hapjen e saj.

    Nga radhët e komunitetit shqiptar i thanë më herët REL-it se ura duhet të hapet, sepse do të kontribuonte në bashkëpunim dhe liri të lëvizjes, ndërsa në mesin e serbëve besojnë se kjo çështje mund t’i ngrejë tensionet etnike.

    Miodrag Marinkoviq, nga Qendra joqeveritare për Veprime Afirmative Sociale, thotë se mandat i KFOR-it është sigurimi i paqes dhe stabilitetit në tërë territorin e Kosovës dhe se prania e tij në urë në vitet e fundit ishte garanci për këtë.

    Ai thotë se “rezervimi” i KFOR-it, kur bëhet fjalë për hapjen e urës, mund të bëjë që autoritetet e Kosovës sërish të mos konsultohen me komunitetin që e prek vendimi i tyre.

    “E vetmja mënyrë për ta hapur urën pa shkaktuar tensione, është që kjo të bëhet në një hapësirë simbolike, ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit legjitimë të të dyja komuniteteve dhe ku do të arrihej një marrëveshje se si do të dukej gjithçka”, thotë Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – u shpreh më herët kundër hapjes së urës mbi Ibër.

    Sipas saj, një veprim i tillë synon “destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

    Lista Serbe, po ashtu, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që “t’i thotë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.

    Marinkoviq beson, gjithashtu, se hapja e urës mbi Ibër është një “akt simbolik i autoriteteve të Kosovës, për të treguar se kanë marrë kontrollin e veriut”.

    Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – popullata shumicë është serbe dhe ajo, prej vitesh, refuzon të integrohet në sistemin e Kosovës.

    “Janë tri-katër ura që njerëzit i shfrytëzojnë për të lëvizur nga jugu në veri. Ka rrugë, njerëzit lëvizin. Ura kryesore ka më shumë vlerë simbolike, sepse ka qenë pikë qendrore e konfliktit mes serbëve dhe shqiptarëve. Prandaj, është mbyllur. Për të arritur stabilitet. Nëse në hapjen e saj tani nuk përfshihen të dyja palët, ekziston mundësia që ky stabilitet të dëmtohet”, thotë Marinkoviq.

    Kush është përgjegjës për hapjen e urës?

    Në prill të vitit të kaluar, deputetët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut miratuan një vendim për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas iu përcoll Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    REL-i i pyeti të dyja këto ministri nëse dhe në çfarë mënyre po shqyrtohet hapja e urës mbi Ibër, por nuk mori përgjigje.

    Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, tha në fund të majit se përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi janë tani institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian.

    Ai tha se me këtë vendim duhet të pajtohen edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut. /REL

  • Policia me plan operativ për festivalin “Sunny Hill”

    Policia me plan operativ për festivalin “Sunny Hill”

    Policia e rajonit të Prishtinës për të siguruar mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill”, ka hartuar planin operativ në të cilin parashihen detyra konkrete për zyrtarët policorë të angazhuar në këtë operacion.

    Festivali do të mbahet nga data 25.07.2024 deri më 28.07.2024, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës.

    Transporti i pjesmarrësve është i organizuar nga komuna e Prishtinës, ndërsa për pjesëmarrësit që kanë lejen përkatëse (hyrja do të jetë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë e dalja në autostradë).

    Për mbarëvajtje dhe evitim të ngarrkesave në trafik, nga policia do të bëhen ri-drejtime të automjeteve, bllokime të plota dhe të pjesshme të rrugëve që qojnë në atë zonë.

    Përjashtimisht do të lejohen automjetet e policisë, ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve si dhe mjetet e akredituara në shërbim të festivalit.

    Policia falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe kërkon që gjatë kohës kur mbahet festivali të shfrytëzohen rrugët tjera alternative nga qytetarët që të shmangin ngarrkesën në trafik.

  • Kastrati: Oferta e re e shpërndarjes së teksteve shkollore me miliona më e shtrenjtë

    Kastrati: Oferta e re e shpërndarjes së teksteve shkollore me miliona më e shtrenjtë

    Kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore në Ministrinë e Arismit, Merita Januzaj ka thënë se për rreth një milion kanë ulur çmimin e teksteve shkollore nga mbi 5 milion sa ishte.

    Gjatë intervistimit të saj për gati dy orë në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, Januzaj ka thënë se janë munduar në maksimum të bëjnë punën e tyre duke lidhur me tekstet shkollore duke negociuar me shtëpitë botuese.

    Ndërkaq, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ardian Kastrati ka thënë se shumë më mirë do të ishte për 500 mijë euro të vazhdohej me metodën e vjetër se sa të shkohet me një ofertë me miliona më shtrenjtë.

    “Shumë më mirë do të ishte për 500 mijë të vazhdohej me metodën e vjetër të subvencionimit se sa të shkohet me një ofertë me miliona më shtrenjtë. Për 500 mijë euro e kanë prish pazarin”, tha ai.

  • Arrestohen persona të dyshimtë për terrorizëm në Paris

    Arrestohen persona të dyshimtë për terrorizëm në Paris

    Kërcënimi i terrorizimit në Francës konsiderohet i lartë gjatë Lojërave Olimpike në Paris. Në kuadër të hetimit antiterror, të martën u arrestua një 18-vjeçar, i cili dyshohet se kishte planifikuar sulme terroriste në Lojërat Olimpike që nisin të premten dhe përfundojnë më 11 gusht.

    Sipas “BFMTV”, i cituar nga “Blick”, një tjetër 18-vjeçar është arrestuar të enjten dhe mësohet se ka lidhje me personin e parë.

    “Siç raporton portali francez, personi i dytë i arrestuar thuhet se ka ideologji xhihadiste. Të dy thuhet se kanë shkëmbyer ide dhe kanë planifikuar akte dhune përmes rrjeteve sociale”, citon Blick sajtin francez.

  • Putin zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që tentojnë “të përçajnë” Rusinë

    Putin zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që tentojnë “të përçajnë” Rusinë

    Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se do të hakmerret ndaj kujtdo që tenton të përçajë shoqërinë ruse, teksa lavdëroi efikasitetin dhe besnikërinë e agjencive të zbatimit të ligjit të shtetit të tij.

    Putin ka përshkallëzuar shtypjen e shoqërisë civile, mediave të pavarura dhe opozitës, teksa po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në Ukrainë. Kundërshtarët dhe kritikët e Kremlinit ndiqen penalisht dhe dënohen me burgime të gjata.

    “Ata që përpiqen të frikësojnë njerëzit, të përçajnë shoqërinë tonë, të luajnë me ndjenjat fetare apo kombëtare, nuk do të kenë kurrë sukses”, tha Putin përmes një video-mesazhi të publikuar nga Kremlini më 25 korrik.

    “Ata i pret një hakmarrje e pashmangshme”, shtoi ai.

    Rusia rregullisht përdorë shprehje sikurse “spiunë perëndimorë” dhe “kukulla të Perëndimit” për të përshkruar ata që kundërshtojnë Kremlinin, përfshirë kritikët në vend.

    Kremlini publikoi këtë video të Putinit për të shënuar “Ditën e hetuesve” dhe lideri rus nderoi agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit, përfshirë Komitetin Hetues dhe shërbimin e sigurisë, FSB, që është pasardhës i KGB-së të kohës sovjetike.

    “Hetuesit tregojnë besnikëri pa kushte për Atdheun dhe popullin tonë”, tha Putin.

    Kritikët e Kremlinit thonë se fokusi i Rusisë në hetimin dhe ndjekjen penale të kundërshtarëve politikë brenda vendit e bën shtetin të pambrojtur nga kërcënimet reale të sigurisë.

    Pothuajse të gjithë kundërshtarët kryesorë të Putinit janë në burg apo janë larguar në mërgim.

    Për të shtypur kritikat, Rusia aplikon dënime të ashpra për ata që kritikojnë veprimet ushtarake në Ukrainë, përderisa Putini vazhdimisht ka pretenduar se shoqëria ruse është e bashkuar sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, të nisur në shkurt të vitit 2022./rel

  • Hamza: Kosova përjetësisht mirënjohëse për kontributin e Enver Zymberit

    Hamza: Kosova përjetësisht mirënjohëse për kontributin e Enver Zymberit

    Kryetari i Mitrovicës dhe njëherit kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, e ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Enver Zymberin, në 13 vjetorin e rënies në detyrë.

    Hamza tha se Kosova është përjetësisht mirënjohëse për kontributin e Zymerit.

    “Enver Zymeri është hero i integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës së pavarur”, tha ai.

    Enver Zymberi, u vra më 25 korrik 2011-të.

    Atë ditë, forcat speciale ROSU hasën në rezistencën e serbëve, derisa po e zhvillonin aksionin për marrjen në kontroll të pikave kufitare.

    Ai u shpall “Hero i Kosovës”, asokohe nga presidentja Atifete Jahjaga.

  • Nga 1 gushti, KEDS-i aplikon tarifat e rikyçjes për amvisëri me vlerë 17.70 euro

    Nga 1 gushti, KEDS-i aplikon tarifat e rikyçjes për amvisëri me vlerë 17.70 euro

    Nga 1 gushti, do të fillojë aplikimi i një takse të re për rikyçje të konsumatorëve të amvisërisë që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor. Vlera për konsumatorët e amvisërisë është 17.70 euro, përderisa për ata komercialë vlera e ri-kyçjes është 30 euro.

    Kompania e Distribucionit të Energjisë Elektrike (KEDS) nga fillimi i muajit gusht, do të aplikojë një skemë të re taksash e ndëshkimesh për të gjithë ata konsumatorë që neglizhojnë pagesën e faturës elektrike pas afatit 15 ditor.

    Kjo nënkupton që ri-kyçja prej ekipeve të KEDS-it do i kushtojë një familjeje 17:70 euro ndërsa një biznesi deri në 30 euro. Por, disa qytetarë të intervistuar Radio Kosova, thonë se me inflacionin e rritur të viteve të fundit, kjo vetëm sa do ta rëndojë edhe më shumë buxhetin e qytetarëve.

    “Me këtë buxhet të qytetarëve, këto ndëshkime i dëmtojnë edhe më shumë. Çdo plus në faturë të qytetarit, është shumë e dëmshme dhe papërballueshme. Kjo mund t’i vetëdijesojë pak qytetarët që t’i rrinë gati pagesave të faturave, por në anën tjetër është e vështirë e përballueshme, duke pasur parasysh çmimet që janë rritë shumë kohën e fundit…”.

    Zëdhënësi i KEDS-s, Lulëzim Krasniqi, thotë se kjo masë e bazuar në rregulloren e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është më tepër për të siguruar pagesa të rregullta por edhe ri-kyçje profesionale.

    “Nëse konsumatori e ka pranuar një faturë në muajin e kaluar, e ka një afat për pagesë, por nëse nuk e paguan brenda atij afati, atëherë në muajin e dytë e pranon faturën me vërejtje që është në subjektin e shkyçjes, dhe të cilët ngarkohen me një taksë”, tha ai.

    I pyetur nga Radio Kosova për keqpërdorimet elektrike nga ana e konsumatorëve, zëdhënësi Lulëzim Krasniqi thotë se në baza ditore KEDS-i identifikon mesatarisht 25 raste të keqpërdorimeve elektrike.

    “KEDS-i bënë kontrolle të tilla në baza ditore në mbarë Kosovën, kryesisht realizon rreth 400 kontrolle brenda ditës prej të cilave, mesatarisht 20-25 sosh, identifikohen si keqpërdorime të energjisë elektrike”, deklaroi Krasniqi.

    Keqpërdorimi i energjisë elektrike bazuar në Kodin Penal, cilësohet si vjedhje e energjisë elektrike, dhe rastet e tilla janë të dënuara me gjobë dhe me tri vite burg.

  • Trump komenton fjalimin e Biden: Ishte shumë i dobët

    Trump komenton fjalimin e Biden: Ishte shumë i dobët

    Kandidati i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e kritikoi fjalimin e Presidentit Biden.

    Ai u shpreh në rrjetin ‘TruthSocial’ se fjalimi i “Mashtruesit Joe Biden në Zyrën Ovale mezi kuptohej dhe ishte shumë i dobët!”

    Trump tha se, “Mashtruesi Joe Biden dhe gënjeshtarja Harris janë një turp i madh për Amerikën. Kurrë nuk kemi patur një periudhë si kjo”. Donald Trump ka ndjekur fjalimin e Joe Biden nga avioni i tij personal, ndërsa ka ironizuar presidentin amerikan.

    Në foton e parë, të realizuar nga fotografi i New York Times, Doug Mills, ish-presidenti shikon në një ekran televizori me vëmendje, ndërsa Joe Biden flet nga Zyra Ovale.

    Ndërsa në foton e dytë, nga këshilltari i tij Chris LaCivita ka publikuar foton e Trump, i cili ka kthyer shpinën nga Biden, në dukje i pashqetësuar për atë që ka për të thënë. Më pas LaCivita teksa ka publikuar foton, kujton thënien e Trumpit: “Joe, je pushuar nga puna!”.

    Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha herët të mërkurën se çdo aludim për dorëheqjen e Presidentit Biden nga posti i tij përpara zgjedhjeve, që do të mundësonte që zonja Harris të kandidonte si presidente në detyrë, ishte “qesharak”.

    Zëdhënësja Jean-Pierre tha se Presidenti Biden “nuk është penduar” për vendimin e tij për të qëndruar në garë për aq kohë sa qëndroi, apo për vendimin gjatë fundjavës për t’u tërhequr. Ajo tha se vendimi i Presidentit Biden nuk kishte të bënte me shëndetin e tij.

  • Transporti pa pagesë: Ndryshon orari i nisjes së autobusave për SunnyHill Festival

    Transporti pa pagesë: Ndryshon orari i nisjes së autobusave për SunnyHill Festival

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka ndryshuar orari i nisjes së autobusëve për në Bërnicë ku edhe pritet të mbahet festivali SunnyHill.

    Përmes një postimi në Facebook, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se nisja tani do të bëhet në orën 14:00 te parkingu i Pallatit të Rinisë dhe se transport do të ketë deri në orën 05:00 të mëngjesit.

    Derisa vendimi për pagesë nuk ka ndryshuar, transporti vazhdon të jetë pa pagesë për pjesëmarrësit në festivalin SunnyHill përgjatë katër ditëve.