ATV

Category: Lajme

  • Konjufca: 23 policët e rënë në detyrë janë shembulli se si mbrohet e ardhmja jonë

    Konjufca: 23 policët e rënë në detyrë janë shembulli se si mbrohet e ardhmja jonë

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se se policët që ranë në kryerje të detyrës janë shembulli se për mbrojtjen e vendit nuk duhet të kursehet as jeta, raporton Ekonomia Online.

    Para pllakës përkujtimore në vendin e rënies së heroit Enver Zymeri, Konjufca u zotua për mbështetje të përhershme ndaj familjeve të policëve të rënë.

    Pas vizitave që i bëri te familja e Zymeri e Bunjaku, Konjufca së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, vizituan vendin e rënies së heroit Enver Zymeri.

    “Më 26 korrik është dita e kujtimit të të gjithë policëve të rënë në detyrë. Ne vizituam edhe familjet e Afrim Banjakut dhe Enver Zymerit të cilët e dhanë jetën e tyre duke e mbrojtur shtetin dhe sovranitetin e Kosovës. Bëmë homazhe për Afrimin, Enverin dhe të gjithë policët e tjerë që kanë rënë në detyrë, 23 prej tyre duke e dhënë jetën dhe shembullin se për të mbrojtur sigurinë e ardhmërisë sonë, sigurinë e fëmijëve tanë, nuk duhet të kursehet as jeta. Institucionet e Republikës gjithmonë do qëndrojnë pranë familjeve të heronjve tanë, policëve të rënë, sepse vetëm kështu tregojmë se jemi shtet serioz, shtet që e ngreh në nivelin më të lartë shembullin e sakrificës për të mirën e përgjithshme”, ka thënë Konjufca pas homazheve.

  • Aivo Orav emërohet ambasador i ri i BE-së në Kosovë

    Aivo Orav emërohet ambasador i ri i BE-së në Kosovë

    Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin estonez, Aivo Orav, në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë.

    Sipas BE-së, ai do të marrë detyrën më 1 shtator 2024 dhe do të ketë një mandat fillestar prej dy vjetësh, duke pasur Tomas Szunyog, që ka qenë në këtë post që nga viti 2020.

    “Orav do të ketë rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike, e cila bashkëpunon me rajonin. Ai po ashtu mbështet perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në. Ai do të monitorojë, ndihmojë dhe lehtësojë përparimin në fushën politike, ekonomike dhe prioritetet evropiane”, tha BE-ja.

    Orav aktualisht është përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE. Paraprakisht ai ka shërbyer si udhëheqës i delegacioneve të BE-së në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut./REL

  • Kurti mori pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik

    Kurti mori pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik

    Mbrëmë në Paris, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mori pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Thomas Bach, në prag të fillimit të Lojërave Olimpike 2024.

    Në mesin e shumë liderëve botërorë, Kryeministri Kurti po qëndron në Paris në mbështetje të sportistëve që përfaqësojnë Kosovën në këtë olimpiadë.

    Sporti shërben si një kujtesë e fuqishme për pengesat që mund të kapërcehen për të arritur gjëra të mëdha, dhe që në të njëjtën kohë na bën bashkë.

    Kosova është gjithmonë krenare që është pjesë e ngjarjeve të këtilla, u shpreh kryeministri Kurti.

  • Barack dhe Michelle Obama mbështesin Harrisin për presidente

    Barack dhe Michelle Obama mbështesin Harrisin për presidente

    Ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe ish-zonja e parë Michelle Obama miratuan ofertën presidenciale të zëvendëspresidentes Kamala Harris, në një video të publikuar të premten.

    “Michelle dhe unë nuk mund të ishim më krenarë që të mbështesnim dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju kaluar në këto zgjedhje dhe në Zyrën Ovale,” i tha Obama Harrisit në një telefonatë të përbashkët me gruan e tij, sipas videos.

    Harrisi falënderoi familjen Obama për mbështetjen e tyre dhe shprehu mirënjohjen për miqësinë e tyre prej disa dekadash, raporton CNN.

    “Oh zoti im. Michelle, Barack, kjo do të thotë shumë për mua”, tha nënkryetari.

    “Por mbi të gjitha, dua t’ju them vetëm fjalët që keni thënë dhe miqësia që keni dhënë gjatë gjithë këtyre viteve do të thotë më shumë sesa mund t’i shpreh unë, ndaj ju falënderoj të dyve. Do të thotë kaq shumë?”, shtoi ajo.

    Ish-zonja e parë tha se është krenare për Harrisin dhe pret që zgjedhjet e ardhshme të jenë historike.

    “Nuk mund ta bëj këtë telefonatë pa i thënë vajzës sime, Kamala, jam krenare për ty. Kjo do të jetë historike,” i tha ajo Harrisit.

  • Serbia kërkon nga BeH që të ekstradojë të dyshuarin për ndihmën që dyshohet se ia ofroi Faton Hajrizit natën kritike

    Serbia kërkon nga BeH që të ekstradojë të dyshuarin për ndihmën që dyshohet se ia ofroi Faton Hajrizit natën kritike

    Ministria e Drejtësisë e Serbisë i dërgoi një kërkesë gjyqësorit të Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH) për ekstradimin e Z.R si i dyshuar për organizimin e transportit të Faton Hajrizit, i cili vrau një polic dhe plagosi një tjetër në Lloznicë natën e 17-18 korrikut.

    Dyshohet se Z .R. i cili u arrestua më 18 korrik në Bijelijina të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe gruaja e tij I.R e cila u arrestua në Mlladenoc afër Beogradit, organizuan transportin për Hajrizin nga Presheva në jug të Serbisë për në Lloznicë, ku i qëlloi policët.

    Mediat e Beogradit raportojnë se urdhërarresti i Serbisë për Z.R është në fuqi edhe për vuajtjen e dënimit me tetë vjet burg që ai ishte dënuar për trafik droge.

    Përveç çiftit të martuar, është arrestuar edhe një burrë nga Tutini i Serbisë, i cili atë natë e ka çuar Hajrizin nga Presheva në Loznicë.

    Më 19 korrik, policia në Serbi vrau Faton Hajrizin në afërsi të kufirit me Bosnjë dhe Hercegovinën, pasi thuhet se ai vrau një dhe plagosi një polic tjetër.

    Sulmi ka ndodhur kur policët gjatë një kontrolli rutinë kanë ndaluar veturën në të cilën ndodhej i dyshuari. Teksa ka dalë nga vetura ka qëlluar me pistoletë policët, e më pas ka ikur, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Kur policia e gjeti atë pas një kërkimi dyditor, ai qëlloi në pjesëtarët e policisë, pas së cilës ai u likuidua, tha ministri i Brendshëm Ivica Daçiq më 19 korrik.

    Më 6 korrik, Hajrizi ishte arratisur nga IEVP në Smrekonicë të Kosovës.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për dhunën e shkaktuar më 29 maj 2023 në Zveçan

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për dhunën e shkaktuar më 29 maj 2023 në Zveçan

    Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit me inicialet D.D., lidhur me dhunën e shkaktuar më 29 maj të vitit 2023, në Zveçan.

    Ai u arrestua dy ditë më parë në Mitrovicë të Jugut, nën dyshimin se ai është njëri ndër personat që ka përdorur dhunë në mënyrë aktive, në Zveçan.

    Ndryshe, ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, pasi D.D., dyshohet për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare– Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 16-vjeçarit që u qëllua nga zyrtari policor në Istog

    Sot i jepet lamtumira e fundit 16-vjeçarit që u qëllua nga zyrtari policor në Istog

    Familja Kameraj nga Istogu sot i jep lamtumirën e fundit djalit 16-vjeçar, i cili vdiq në QKUK pas disa ditësh trajtim që kur u plagos nga tezaku polic.

    Në njoftimin e familjes thuhet se Getuarti do të varroset në varrezat e fshatit Uçë, nga ora 18:00.

    “Ju njoftojmë se ka ndërruar jetë djali, nipi, vëllau jonë Getuart Kameraj. Varrimi i me te dashurit tone do te organizohet sot (ora 18:00). Varrimi bëhet në varrezat e fshatit Uçë (tek vorret e mdhaja).”

    16-vjeçari vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej si pasojë plagëve të rënda që i mori nga arma e zjarrit që rreth 10 ditë.

    Ditën kur u plagos i mituri, zyrtari policor Fatjon Hoti ishte arrestuar dhe suspenduar nga detyra.

  • Konfiskohet afër gjysmë milioni euro ari dhe argjend, në disa argjendari të Prizrenit

    Konfiskohet afër gjysmë milioni euro ari dhe argjend, në disa argjendari të Prizrenit

    Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë kryer një operacion të përbashkët kontrolli, në pesë argjendari në qytetin e Prizrenit, gjatë ditës së djeshme.

    Aksioni i zhvilluar rezultoi me konfiskimin e afër gjysmë milioni mallra të kontrabanduara.

    Sipas njoftimin, janë konfiskuar 10 kilogramë ari pa dokumentacion të rregullt dhe 3 kilogramë argjend pa dokumentacion të rregullt, dhe vlera totale e tyre arrin rreth 450,000.00 euro.

    “Kontrollet u kryen në disa lokacione të ndryshme brenda qytetit të Prizrenit.” – thuhet në njoftimin e doganës.

  • Vetëm për një ditë 94 aksidente në rrugët e Kosovës, dhjetëra të lënduar

    Vetëm për një ditë 94 aksidente në rrugët e Kosovës, dhjetëra të lënduar

    Policia rrugore e Kosovës ka bërë bilancin ditor të kontrollove me qëllim mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave në rrugë.

    94 aksidente kanë ndodhur vetëm gjatë 24-orëve të fundit në rrugët e Kosovës. 30 me të lënduar, ndërsa 64 vetëm me dëme materiale.

    Ndërsa, 2 mijë e 388 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë të enjtes.

    Po ashtu të enjten policia ka arrestuar 16 persona, 11 janë dërguar në mbajtje.

  • Gërvalla: Heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe e të gjithë zyrtarëve policorë janë një burim frymëzimi dhe krenarie

    Gërvalla: Heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe e të gjithë zyrtarëve policorë janë një burim frymëzimi dhe krenarie

    Ministrja e Punës së Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka bërë homazhe për ditën Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës dhe në 13 vjetorin e rënies së Heroit Enver Zymeri.

    Përmes një postimi në Facebook, Donika Gërvalla ka thënë se falë përkushtimit dhe profesionalizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Kosovës, vendi është sot më e sigurtë dhe më sovrane, raporton Ekonomia Online.

    Tutje, ajo ka thënë se heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe e të gjithë zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës, janë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne.