ATV

Category: Lajme

  • Blinken në Egjipt, kërkon përparim drejt marrëveshjes së armëpushimit të Gazës

    Blinken në Egjipt, kërkon përparim drejt marrëveshjes së armëpushimit të Gazës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shtyu përparimin drejt një armëpushimi në Gaza dhe marrëveshjes për lirimin e pengjeve, ndërsa vizitoi Egjiptin të martën, por fushat kryesore të mosmarrëveshjeve ende duhet të zgjidhen në bisedimet e planifikuara për më vonë këtë javë.

    Blinken fluturoi në Egjipt nga Tel Avivi, ku tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte pranuar një propozim të SHBA-së që synonte ngushtimin e boshllëqeve midis dy palëve pasi bisedimet javën e kaluar u ndërprenë pa ndonjë përparim. Ai i kërkoi Hamasit të pranojë gjithashtu propozimin si bazë për më shumë bisedime.

    Grupi militant palestinez nuk e ka refuzuar në mënyrë eksplicite propozimin, por tha në një deklaratë se ai përmbys atë që ishte rënë dakord më parë, pa specifikuar se si, dhe akuzoi Izraelin dhe aleatin e tij të SHBA-së për kthimin e negociatave me keqbesim, raporton Reuters.

    Në Egjipt, Blinken u takua me presidentin Abdel-Fattah El-Sisi, vendi i të cilit ka ndihmuar në ndërmjetësimin e bisedimeve në Gaza prej muajsh së bashku me SHBA-në dhe Katarin. Sisi tha pas takimit se ishte koha për t’i dhënë fund luftës dhe paralajmëroi zgjerimin e konfliktit në rajon.

    Në rrezik është fati i Gazës së vogël e të mbushur me njerëz, ku fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë më shumë se 40,000 njerëz që nga tetori sipas autoriteteve palestineze shëndetësore, dhe të pengjeve të mbetura që mbahen atje.

  • Stano për urën e Ibrit: Pozicioni i BE-së s’ka ndryshuar, Qeveria t’i dëgjojë aleatët

    Stano për urën e Ibrit: Pozicioni i BE-së s’ka ndryshuar, Qeveria t’i dëgjojë aleatët

    Pozicioni i BE-së rreth çështjes së hapjes së urës së Ibrit nuk ka ndryshuar, thotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Në një konferencë për media, Stano ka thënë se po vazhdojnë diskutimet në lidhje me këtë çështje edhe se pikëvështrimi i partnerëve ndërkombëtarë është se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” nga qeveria e Kosovës duhet të shmangen.

    “Qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me urën është thënë qartë gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, si dhe u është komunikuar partnerëve në Prishtinë, dhe është diskutuar gjerësisht me të gjithë partnerët tjerë brenda BE-së, me SHBA-në dhe KFOR-in. Pozicioni i BE-së nuk ka ndryshuar. Nuk ka asgjë të re për të shtuar, vetëm ritheksoj që po, ka diskutime dhe ndërveprime që po vazhdojnë lidhur me këtë çështje, në linjë me qëndrimin e BE-së që veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara duhet të shmangen dhe që kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Ky është pikë-vështrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës”, ka deklaruar Stano.

    Stano ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të bënte mirë po të dëgjonte këto mesazhe nga aleatët.

    “Autoritetet e Kosovës do t’i bënin një shërbim të mirë vetes dhe qytetarëve të tyre nëse do të dëgjonin dhe do t’ua vinin veshin mesazheve nga partnerët dhe aleatët. Preferojmë të mos spekulojmë në skenarët: çka nëse. Ne jemi të angazhuar me partnerët, në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtarë për të shmangur çfarëdo hapi të njëanshëm dhe të pakoordinuar që mund të ketë më shumë ndikim negativ dhe pasoja, jo vetëm në komunitetet e prekur, por edhe administratën kosovare dhe Qeverinë në Prishtinë”, ka vijuar ai.

    Ai ka thënë se nuk ka ndonjë datë për takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi duke theksuar se qëndrimi i BE-së për çështjen e urës është i qartë.

    “Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Nuk kam datë për takim të cilën mund ta njoftoj tani, por qëndrimi i BE-së dhe i të gjithë partnerëve të BE-së është shumë i qartë kur bëhet fjalë për atë se si duhet ta trajtojmë ri-hapjen e urës dhe kjo po diskutohet me Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shtuar Stano ndër të tjera.

    Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të “njëanshëm” synimin e Qeverisë së Kosovës për rihapjen e urës së Ibrit në këtë kohë.

    Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

  • Kurteshi: Kam parë fakte dhe dëshmi që Astrit Dehari është vrarë me urdhër nga lartë

    Kurteshi: Kam parë fakte dhe dëshmi që Astrit Dehari është vrarë me urdhër nga lartë

    Për më shumë se tri orë, është intervistuar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, nga Prokuroria Speciale, pas deklaratave të bëra lidhur me rastin e vdekjes së ish anëtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online.

    Kurteshi ka thënë se intervistimi i tij është bërë në cilësinë e dëshmitarit, duke thënë se i qëndron pas çdo deklarate të bërë në konferencën për media më 12 gusht. Ai ka thënë se ka parë mijëra faqe që dëshmojnë se Astrit Dehari është vrarë me urdhër të “ish-funksionarëve të shtetit”.

    “Jam intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për deklaratat e bëra dhe të shkruara të publikuara më 12 gusht para Prokurorisë Speciale, për pensionimin e të prokurorit Afrim Shefkiu që ka udhëhequr rastin e Deharit. Kjo ka shkuar me autorizim të prokurorit të rastit. Prokuroria Speciale ka caktuar prokurorin e ri për rastin e Deharit dhe ai është Bekim Kodraliu. Pyetjet kanë qenë në lidhje me deklaratat dhe prononcimin tim më 12 gusht në konferencën time të mbajtur para PSRK-së. Ka qenë një paragraf i përdorur në konferencën për media dhe në komunikatën për media nga Lëvizja Vetëvendosje që ka të bëjë me implikimin dhe urdhrat e dhëna nga maja e shtetit për institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovës”, ka thënë Kurteshi, teksa shton se i qëndron të gjitha deklarimeve të tij. Këmbëngul se mbrapa vdekjes së ish-aktivistit, Astrit Dehari qëndrojnë ish-krerët e shtetit.

    “Unë jam përgjigjur në të gjitha pyetjet, natyrisht që kam deklaruar dhe qëndroj pas çdo fjalie të dhënë më 12 gusht në atë konferencë. Ka shumë fakte që i dhashë në Prokurori se implikimi i funksionarëve të majës së shtetit bashkë me institucionet të sigurisë dhe drejtësisë është e dukshme nga të gjitha dëshmitë, provat, dokumentet që deri sot janë në dorë të publikut dhe në dorë të institucioneve”, u shpreh Kurteshi.

    Kurteshi ka thënë se ka parë fakte e dokumente që Astrit Dehari është vrarë.

    “Unë nuk i posedoj ato fakte, vetëm jam njëri nga personat që e përcjelli rastin. Janë mbi tre mijë faqe, dokumente të ndryshme në lidhje më rastin, prova, analiza e rekomandime në lidhje me rastin Dehari. Shumicën prej tyre i kam lexuar e përcjelli rastin. Aty ka me qindra dëshmi dhe fakte qe vërtetojnë bindjen time që rasti i Deharit është vrasja e plotë me urdhër nga lartë”, u shpreh ai.

  • Vrasja në Shkup, arrestohen dy persona – Policia zbardh detajet e para

    Vrasja në Shkup, arrestohen dy persona – Policia zbardh detajet e para

    Ministria e Brendshme në Shkup sot ka raportuar për një vrasje në parkingun përballë qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup, me ç’rast një person është qëlluar me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë në vend.

    Policia ka marrë menjëherë masat operativo-taktike, duke mbyllur një pjesë të zonës së qytetit, duke kontrolluar disa banesa dhe kontrolluar disa automjete, ku përfshiheshin forca speciale të policisë, helikopterë dhe dronë.

    Gjegjësisht, në zonën e komunës së Çairit, është vërejtur një veturë e udhëtarëve, e cila ka tentuar të largohet, ndërsa personat nga automjeti kanë bërë rezistencë me përdorimin e armëve të zjarrit.

    Punonjësit e policisë janë kundërpërgjigjur, pas së cilës një person është privuar nga liria.

    Gjatë masave të mëtejshme është privuar nga liria edhe një person, ndërsa policia e di edhe identitetin e të dyshuarit të tretë i cili ndodhet në arrati dhe për të cilin po merren masa për gjetjen e tij.

    Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se në periudhën në vijim do të ketë prani të shtuar policore në disa pjesë të qytetit të Shkupit për zbardhjen e plotë të rastit.

  • Largohen grilat që rrethonin objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut

    Largohen grilat që rrethonin objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka njoftuar se janë larguar grilat që rrethonin oborrin e Komunës.

    Përmes një njoftimi të bërë në rrjetin e tij social ‘Facebook’, Atiq tha se ai kishte kërkuar largimin e rrethojave në objektin e Komunës, pas vlerësimit profesional se situata e sigurisë në Mitrovicën e Veriut është përmirësuar dukshëm.

    “Nuk duhet dhe nuk do të ketë barriera mes atyre që ju shërbejnë qytetarëve dhe vetë qytetarëve. Do të vazhdojmë që çdo ditë e më shumë të ju shërbejmë qytetarëve me përkushtim e pa dallim”, shtoi tutje ai.

  • Haradinaj: Kurti dhe LV-ja vodhën popullin e Kosovës, janë kriminelët më të mëdhenj

    Haradinaj: Kurti dhe LV-ja vodhën popullin e Kosovës, janë kriminelët më të mëdhenj

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka lëshuar sërish akuza në drejtim të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, duke ua drejtuar gishtin për vjedhje e madje është treguar edhe i ashpër, duke i quajtur kriminelë, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh se Kurti dhe LV-ja “vodhën popullin e Kosovës”.

    “Kur flet Kurti për korrupsionin sikur edhe për shumë tema tjera vjen një shprehje ajo fjala popullore “të vret natën e të vajton ditën”. Që nga ardhja në pushtet Kurti dhe VV me mashtrime dhe në formën më tinzare në mënyrë sistematike dhe tek resorët më të ndjeshëm vodhën popullin e Kosovës”, shkroi Haradinaj

    “Me Ridin vodhën bukën e Kosovës atëherë kur kishte frikë botërore nga kriza e bukës. Me Nagipin vodhën rrymën në kohën kur në bursa çmimi kishte arritur majat e papara. Popullit ja dyfishuan çmimin e Nagipin e Martinin që ndërmjetësoj në shitjen e rrymës serbe ende i mbrojnë dhe i mbajnë si heronj. Mbi 280 milionë euro para të popullit i larguan nga konkurrenca dhe ligji dhe me partnerë në krim i përdorën si me qenë plaqkë gjahu”, shtoi ai.

     

  • Bleu drogë në Shëngjin për ta shitur në Kosovë, prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një personi

    Bleu drogë në Shëngjin për ta shitur në Kosovë, prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një personi

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Sh.G., i cili gjendet në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Në njoftimin për media, bëhet e ditur se sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.G., me 2 korrik të këtij viti, në ora 17:35 në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, pa autorizim transporton substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi policia kufitare kishte ndaluar automjetin e markës ‘’AUDI A8’’, të cilin ishte duke e drejtuar vëllai i të pandehurit, A.G., gjatë kontrollit të automjetit, saktësisht në ulësen e pasme të tij, policia ka gjetur një qese plastike me ngjyrë të verdhë me substancë narkotike të llojit “marihunë”, në peshë të përgjithshme prej 300 gram të cilën substancë e kishte blerë i pandehuri në Shëngjin në shumën prej 500 eurove, me qëllim që të njëjtën ta vë në qarkullim për shitje brenda territorit të Kosovës.

    Tutje thuhet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

  • Vritet një person në parkingun e një qendre tregtare në Shkup

    Vritet një person në parkingun e një qendre tregtare në Shkup

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot paradite në parkingun e qendrës tregtare “Mavrovasja”, në Shkup, për motive akoma të panjohura.

    Rasti dyshohet të ketë ndodhur jashtë makinës të së ndjerit, i cili ishte i shoqëruar nga një grua.

    Ambulanca është në vendin e ngjarjes e cila po bën tërheqjen e trupit, derisa është konfirmuar vdekja e viktimës, raportojnë mediat atje.

    Pritet që autoritetet më vonë të dalin me detaje rreth kësaj ngjarje.

  • Themelorja edhe në rivendosje konfirmon aktakuzën ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve

    Themelorja edhe në rivendosje konfirmon aktakuzën ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve

    Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rivendosje ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të ushtruara nga mbrojtja e të akuzuarve Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Jesmir Badallaj dhe Roland Susuri, duke konfirmuar kështu aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tyre.

    Në këtë rast, Kobra dhe të tjerët akuzohen për rastin e vrasjes së V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Refuzohen kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës… të paraqitura nga av. Florent Latifaj mbrojtës i të pandehurit Dibran Hoxha, av.Jeton Rekathati, mbrojtës i të pandehurit Jesmir Badallaj, av.Sahadete Gashi, mbrojtëse e të pandehurit Roland Susuri, si të pabazuara”, “Në këtë çështje penale do të vazhdohet me procedim sipas kësaj aktakuze pasi që ky aktvendim të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në aktvendimin e Themelores të marrë më 5 gusht të këtij viti.

    “Gjykata thekson se qëllimi i kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, të parashikuar nga KPP, është të eliminohen lëndët që vërtetë nuk kanë meritë dhe të mbrohen të pandehurit nga ekspozimi i pajustifikuar dhe potencialisht i gjatë në shqyrtimin giyqësor. Në kundërshtim me KPPK-në, sipas struktures ligjore te KPP-së, gykata nuk ka me të drejtë të vleresojë plotësisht aktakuzën dhe pranueshmërinë e provave duke vepruar sipas detyrës zyrtare“, thuhet në aktvendim të Gjykatës Themelore, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

    Ndërkaq, mbrojtësi i Hoxhajt, avokati Florent Latifaj në ankesë kishte pretenduar se deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve janë marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe se aktakuza ndaj klientit të tij është bazuar në deklarimet e bashkë-të akuzuarve të marra në procedurë paraprake, që sipas mbrojtjes janë në kundërshtim me KPPRK-në. Andaj, Latifaj ka kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Badallaj, avokati Rekathati përmes ankesës ka pretenduar se dëshmitë e të dëmtuarve Rutgen dhe Arben nuk konsistojnë më njëra-tjetrën, duke pas kundërthënie, andaj i njëjti ka kërkuar nga Themelorja që të shpallën si të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës, duke kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.

    Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Susuri, avokatja Sahadete Gashi ka pretenduar se aktakuza nuk i plotëson elementet e domosdoshme, siç janë provat në të cilat duhet të mbështetet si dhe kundërshtoi cilësimin e veprimit inkriminues për të mbrojturin e saj. Sipas saj, aktakuza u ngrit në bazë të deklarimeve të bashkë-të pandehurve, veprim ky në kundërshtim me KPPRK-në. Në fund, Gashi ka kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.

    Kujtojmë se Gjykata Themelore e Prishtinës përmes aktvendimit të 29 prillit 2024, kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes, duke e konfirmuar kështu aktakuzën ndaj të lartcekurve.

    Por, duke mos u pajtuar me vendimin e Themelores mbrojtja ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, ndërsa kjo e fundit rastin e kishte kthyer në rivendosje.

    Ndryshe, në seancën fillestare më 7 mars 2024 Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.

    Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

    Të ngjajshme
    Ekskluzive: Apeli kthen në rivendosje vendimin e Themelores…

    1 Gus, 2024, 12:34
    Ekskluzive: Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Kobrës dhe…

    13 Maj, 2024, 16:35
    “Kobër për armiqtë, qingj për miqtë”, Prokuroria thotë se…

    20 Shk, 2024, 17:59
    Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

    Pas zënkës, thuhet se viktima dhe të dëmtuarit, kishin hyrë në veturën “Mercedes”, me qëllim që të largoheshin nga lokali. Por, thuhet se tashmë i akuzuari Dibran Hoxhaj pasi ishte njoftuar për ngjarjen, në ato momente kishte arritur në lokal me veturën “Audi Q7”, pronë e dëshmitarit Enver Amrllahu. “Kobra”, thuhet se kishte hyrë në lokal, kishte marrë pistoletën dhe iu ka afruar veturës së të dëmtuarve.

    Sipas aktakuzës, nga motive të ulëta, demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe kërcënim për të gjithë ata që e kundërshtojnë në çfarëdo mënyre, ka hapur derën e vozitësit tani të dëmtuarit R.T (Sh) dhe ka shkrepur me armë dhe ka plagosur në kofshë të djathë të dëmtuarin T (Sh).

    Ky i fundit, thuhet se kishte rritur shpejtësinë e veturës dhe kishte dalë në rrugë, por që i akuzuari “Kobra”, kishte shtënë me armë edhe katër herë tjera, duke goditur tashmë viktimën V.C në shpinë, pasi i njëjti ishte i ulur në ulëset e pasme të veturës.

    Viktima V.C, të cilit plumbi i kishte shkaktuar gjakderdhje të brendshme, nuk kishte arritur t’i përballonte plagët ku edhe kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit.

    Më këtë, “Kobra”, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së.

    Ai po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje nga neni 366, par.1 të KPRK-së, pasi thuhet se nga koha e pavërtetuar deri më 3 janar 2023, në lokalin e tij ka mbajtur në posedim një pistoletë gjysmë-automatike, me një karikator me kapacitet 13 fishekë, të cilin edhe e ka përdorur për të kryer veprën penale nga dispozitivi i parë si dhe një pistoletë tjetër me një karikator me 8 fishekë.

    Tutje në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Roland Susuri dhe Burim Mazreku në lokalin “Kobra City” pas ngjarjeve të ndodhura i fshehin provat, ku fillimisht Mazreku me kërkesë të Dibran Hoxhës fsheh pistoletën si dhe armën tjetër. Aktakuza thotë se arma është gjetur nga ana e policisë në afërsi të lokalit “Kobra City”, kurse Susuri kishte fshehur DVR e kamerave të sigurisë së lokalit në vend të paidentifikuar.

    Me këto, veprime Susuri dhe Mazreku po ngarkohen për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, paragrafi 1 KPRK-së.

    Kurse në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Roland Susuri, Jesmir Badalli dhe Arben Vezaj me qëllim të frikësimit të të dëmtuarve R.T dhe A.B dhe tani të ndjerit V.C., ku si të dëmtuar refuzonin të paguanin faturën prej 400 euro, gjatë rrahjes të pandehurit Susuri dhe Badalli me rrokin armën, kurse shkopin e bejsbollit Vezaj.

    Prandaj, për këto veprime Susuri, Badalli dhe Vezaj po ngarkohen për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 31 të KPRK-së.

    Në dispozitivin e katërt të aktakuzës Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj po ngarkohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

  • Deklaratat për rastin Dehari, Sami Kurteshi paraqitet në Polici për intervistim

    Deklaratat për rastin Dehari, Sami Kurteshi paraqitet në Polici për intervistim

    Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi është paraqitur sot në Polici, pas ftesës nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar rreth deklaratave që i ka dhënë në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

    Kurteshi tha se më datë 16.08. 2024, me autorizimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, ka pranuar thirrje nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për marrje në pyetje.

    Ftesa sipas Kurteshit ka të bëjë në lidhje me deklaratat e bëra në konferencën për media me rastin e pensionimit të Afrim Shefkiut, i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit, të mbajtur para Prokurorisë Speciale.

    “Pas marrjes në pyetje të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale si dëshmitare për rastin, pas deklarimit publik në rrjetet sociale, në lidhje me rastin A. Dehari, po për deklarimin publik në konferencë për media për rastin Dehari, më thirr për marrje në pyetje edhe mua” – tha Kurteshi.

    Kjo sjellje e prokurorisë, sipas tij, në thelb nxjerr dy pyetje thelbore: A po rifillon hetimi i njëmendtë i rastit A. Dehari nga Prokuroria Speciale dhe a po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?

    I njëjti tha se sidoqoftë drejtësia për Astritin do të arrijë dhe se koha vonon, por e drejta nuk shuhet.

    Lëvizja Vetëvendosje më 12.08.2024 pretendoi se aktivisti i saj, Astrit Dehari, është vrarë me urdhër politik; se në këtë rast po vendosen si prokurorë vetëm ata që janë afër pensionimit në mënyrë që të zvarritet procesi; dhe se në inskenimin e rastit Dehari janë përfshirë të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë.

    Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, përmes një konference, më 12.08.2024, ka vrasja e Deharit është inskenuar me urdhër nga “maja e shtetit”, duke përkujtuar se në atë kohë president ka qenë Hashim Thaçi, ndërsa kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.

    Konferenca, dëshmitë për rastin Dehari dhe pankartat kundër prokurorëve u vendosën para Prokurorisë Speciale.

    Të pranishëm ishin prindërit e Astrit Deharit, bashkëshortja e tij dhe avokati Tomë Gashi.