ATV

Category: LAJME

  • Specialja: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së

    Specialja: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së

     

    Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

    Të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.

    Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së.

    “Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues./REL

  • Charles L. Smith III: Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me përgjegjësi personale

    Charles L. Smith III: Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me përgjegjësi personale

    Kryesuesi i Panelit të Trupit Gjykues në Hagë, Charles L. Smith III ka kërkuar nga të pranishmit në sallën e gjyqit që të ruajnë qetësinë, duke theksuar rëndësinë e procesit gjyqësor.

    “U kërkojmë me mirësjellje personave të qëndrojnë në heshtje. Mbani parasysh që këtu jemi në gjykatë dhe po shqyrtojmë çështje të rëndësishme. Çdo prishje e qetësisë do të çojë në marrjen e masave nga gjykata”, ka thënë Smith, përcjell Telegrafi.

    Duke shpjeguar se çfarë është objekt i procesit gjyqësor, Smith ka theksuar se çështja ka të bëjë me veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve dhe jo me vlerësimin e UÇK-së apo të qëllimit të saj politik.

    “Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve që lidhen me këtë çështje. Nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur”, është shprehur ai.

    Sipas tij, procesi nuk ka për qëllim as krahasimin apo vlerësimin e përgjegjësive të palëve të ndryshme në konflikt.

    “Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me vlerësimin e përgjegjësive të njërës palë kundër atyre të palës tjetër. Nuk ka të bëjë me veprimet e forcave paramilitare dhe ushtarake që, padyshim, forcat serbe kryen kundër shqiptarëve të Kosovës”, ka deklaruar Smith.

    Ai ka theksuar gjithashtu se procesi nuk lidhet me ndonjë pretendim të përgjithshëm për vetëmbrojtje, por vetëm me akuzat konkrete të paraqitura në aktakuzë.

    “Kjo çështje nuk ka të bëjë me çfarëdo pretendimi për vetëmbrojtje. Kjo çështje ka të bëjë vetëm me pyetjen nëse janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe nëse mund të mbahen penalisht të akuzuarit përgjegjës për këto”, ka thënë ai.

    Smith ka specifikuar se bëhet fjalë për krimet e pretenduara kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilat aktakuza i lidh me pjesëtarë të UÇK-së dhe me të akuzuarit.

    “Lidhur me këtë aspekt, përgjegjësia e të akuzuarve është vetëm personale. Ky parim mishërohet në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara”, ka përfunduar kryesuesi i Panelit të Trupit Gjykues.

  • Nis seanca – Kosova në pritje të vendimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së

    Nis seanca – Kosova në pritje të vendimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së

    Shtatori pritet të jetë një nga muajt më të rëndësishëm në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Më 16 shtator 2026 është caktuar shpallja e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

  • Samiti i 18 i BRICS-it në Nju Dehli

    Samiti i 18 i BRICS-it në Nju Dehli

    AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI

    Samiti i 18-të në Nju Delhit përfaqësojë më shumë sesa një takim të përvitshëm diplomatik. Ai reflekton kërkesën në rritje të fuqive të reja ekonomike për të pasur një rol më të madh në përcaktimin e rregullave të sistemit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ky samit, nxori në pah kontradiktat e një grupimi që përfshin rivalë strategjikë, eksportues dhe importues energjie, demokraci dhe regjime autoritare dhe në të njëjtën kohë kompleksitetin e marrëdhënieve ndërmjet vendesh që gjenden në anë të ndryshme të konflikteve ndërkombëtare të periudhës së sotme.

    ÇFARË PËRFAQËSON BRISC?

    Në burimet zyrtare indiane, BRICS numëron 11 shtete anëtare: pesë themeluesit, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, katër vendet që iu bashkuan në vitin 2024, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezinë, e pranuar në vitin 2025, si dhe Arabinë Saudite, ndonëse statusi formal i kësaj të fundit mbetet i paqartë në raportimet ndërkombëtare. Krahas anëtarëve të plotë, është krijuar edhe një rreth prej dhjetë vendesh partnere, Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Kazakistani, Malajzia, Nigeria, Tajlanda, Uganda, Uzbekistani dhe Vietnami, duke i dhënë grupimit një shtrirje edhe më të gjerë në Euroazi, Afrikë, Amerikën Latine dhe Azinë Juglindore. Ky zgjerim e ka shndërruar BRICS-in në një grupim që përfaqëson rreth 48,5% të popullsisë botërore, kundrejt më pak se 10% të G7. Në terma të fuqisë blerëse, vendet e BRICS prodhojnë rreth 40,7% të GDP botërore, krahasuar me 28,4% të G7; megjithatë, në vlerë nominale, G7 vazhdon të kryesojë, me rreth 54,5 trilionë dollarë, kundrejt afro 32 trilionëve të BRICS. Edhe në tregtinë e mallrave diferenca është ngushtuar, BRICS siguron afërsisht një të katërtën e eksporteve botërore, ndërsa G7 ruan një epërsi të vogël. Në teknologji, pamja është më e ndërlikuar, G7, sidomos Shtetet e Bashkuara, vazhdon të mbizotërojë në investimet private dhe modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale, por Kina, motori teknologjik i BRICS, kryeson botën në aplikimet për patenta dhe botimet shkencore mbi inteligjencën artificiale, duke synuar te ngushtoje hendekun cilësor.

    ÇFARE ISHTE KY SAMIT?

    Detyra e Indisë në samitin e BRICS-it, më 12–13 shtator nuk ishte thjesht të mirëpriste udhëheqësit e një grupimi tashmë të zgjeruar. Nju Delhi synojë të tregojë se BRICS është ende në gjendje të arrijë qëndrime të përbashkëta dhe të prodhojë forma konkrete bashkëpunimi, pikërisht në një kohë kur zgjerimi rrezikon t’ia zbehë qëllimin fillestar. Tema zyrtare e samitit ishte “Ndërtimi i qëndrueshmërisë përmes inovacionit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm” dhe ishte orientuar qëllimisht drejt zhvillimit dhe jo drejt përplasjeve ideologjike. Miratimi unanim i Deklaratës së Nju Delhit që në ditën e parë përbëri një sukses të rëndësishëm diplomatik për Indinë. Konsensusi nuk ishte aspak i garantuar. Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kishte krijuar përplasje të forta mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe interesat e ndryshme kombëtare vazhdonjnë të krijojnë blloqe të ndryshme brenda BRICS.

    Megjithatë, vetë deklarata zbulon edhe natyrën thelbësore të BRICS. Një hapësirë ku nga njëra anë artikulohet pakënaqësia me rendin ndërkombëtar ekzistues dhe nga ana tjetër mbetet shumë më i kujdesshëm kur duhet të përcaktojë një alternativë të përbashkët. Forca e tij buron nga pesha politike, ekonomike dhe demografike e vendeve anëtare, kurse dobësia, nga vështirësia për ta shndërruar këtë peshë në veprim të bashkërenduar.

    REFORMIM, JO BRAKTISJE

    Pika më e qartë e Samitit në Nju Delhi ishte reforma e qeverisjes globale. Udhëheqësit e BRICS kërkuan një sistem ndërkombëtar më përfaqësues dhe një reformim të gjerë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë Këshillin e Sigurimit. Kina dhe Rusia përsëritën mbështetjen për aspiratat e Indisë dhe Brazilit për një rol më të madh në OKB, ndërsa deklarata njohu edhe kërkesat e kahershme të Afrikës për përfaqësim më të fuqishëm.

    Kryeministri Narendra Modi e përshkroi rendin ekzistues si një piramidë, në majën e së cilës vazhdojnë të përqendrohet vendimmarrja, ndërkohë që shtetet që preken më shumë prej tyre kanë mundësi të kufizuara për të ndikuar. Sipas tij, reforma e Këshillit të Sigurimit duhet të shoqërohet me ndryshime më të gjeradhe nje reformim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

    Kjo agjendë nuk duhet interpretuar thjesht si refuzim i multilateralizmit. BRICS kërkon më shumë multilateralizëm, por një multilateralizëm më pak të përcaktuar nga institucionet dhe raportet e forcës të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Deklarata e Nju Delhit kërkon më shumë fuqi vote dhe përfaqësim për ekonomitë në zhvillim në FMN dhe Bankën Botërore. Në të njëjtën kohë, ajo mbron Organizatën Botërore të Tregtisë dhe kërkon rikthimin e plotë të mekanizmit të saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

    Mund të thuhet se BRICS (të paktën në mënyrë të hapur) nuk propozon të braktisë sistemin ekzistues ndërkombëtar, por ta riekuilibrojë atë. India, në veçanti, ka kundërshtuar përpjekjet për ta përkufizuar grupimin si një aleancë të mirëfilltë kundër Perëndimit. Nju Delhi mban marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe Evropën, ruan partneritetin e vjetër me Rusinë dhe përpiqet të stabilizojë marrëdhënien e vështirë me Kinën. BRICS i ofron Indisë një hapësirë për autonomi strategjike dhe bashkëpunim me shumë qendra fuqie, pa u rreshtuar përfundimisht me asnjërën.

    SAMITI: EKONOMIA PËRPARA IDEOLOGJISË

    India u përpoq gjithashtu ta orientonte samitin drejt çështjeve konkrete ekonomike. Deklarata parashikon bashkëpunim më të fortë në tregti, financimin e zhvillimit ekonomik, sigurinë ushqimore dhe energjetike, inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën publike digjitale. Bëhet thirrje për zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm dhe kritikë për tarifat e njëanshme, sanksionet dhe masat e tjera ekonomike shtrënguese që vendet anëtare i konsiderojnë të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare. Pavarësisht deshirave dhe spekulimeve të vazhdueshme, BRICS nuk shpalli krijimin e një monedhe të përbashkët. Zyrtarët indianë sqaruan se një propozim i tillë nuk është aktualisht në shqyrtim. Objektivi më realist është nxitja e tregtisë dhe investimeve në monedhat kombëtare, si dhe përmirësimi gradual i ndërveprimit mes sistemeve të pagesave ndërkufitare.

    India ka propozuar edhe lidhjen e mundshme të monedhave digjitale të bankave qendrore për pagesat ndërkufitare. Në teori, një mekanizëm i tillë mund të ulë kostot e transaksioneve dhe varësinë nga kanalet ekzistuese financiare. Në praktikë, pengesat politike, rregullatore dhe teknike mbeten të mëdha, ndërsa përdorimi i monedhave digjitale zyrtare është ende i kufizuar. Ky dallim nuk është thjesht teknik. BRICS nuk është në prag të zëvendësimit të dollarit me një monedhë të re. Përpjekja e tij është më graduale dhe më pak spektakolare, synon ndërtimin e kanaleve shtesë të pagesave, përmes të cilave vendet anëtare mund të tregtojnë në monedhat e tyre. Për Rusinë dhe Iranin, kjo do të ofronte mbrojtje nga sanksionet perëndimore. Për Indinë dhe anëtarët e tjerë, do të sillte diversifikim, pa kërkuar një shkëputje të plotë nga sistemi financiar i mbështetur te dollari.

    Banka e Re për Zhvillim mbetet arritja institucionale më konkrete e grupimit. Sipas të dhënave të saj, ajo ka miratuar rreth 42,9 miliardë dollarë financime për 139 projekte. Deklarata e Nju Delhit kërkon që banka të zgjerojë financimin në monedhat vendase dhe të forcojë rolin e saj në infrastrukturën e qëndrueshme dhe zhvillimin afatgjatë.

    Megjithatë, hendeku mes ambicieve të BRICS dhe kapacitetit të tij institucional mbetet i konsiderueshëm. Banka e Re për Zhvillim ka rëndësi, por përmasat e saj janë ende modeste krahasuar me Bankën Botërore dhe me nevojat financiare të vendeve në zhvillim. Prova e vërtetë nuk do të jetë numri i angazhimeve të renditura në deklaratë, por gatishmëria e shteteve anëtare për të siguruar burimet që i kthejnë ato në projekte reale.

    KONSENSUS NËN HIJEN E LUFTËS

    Deklarata e përbashkët shprehu “shqetësim të thellë” për përshkallëzimin e konfliktit në lindjen e mesme dhe Iran, dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale” dhe theksoi dialogun, konsultimet dhe diplomacinë. Mund të themi se deklarata nuk i ngarkoi përgjegjësi të drejtpërdrejtë asnjë shteti. Ky formulim i matur e bëri të mundur në një arë mase unanimitetin, por njëkohësisht tregoi kufijtë e diplomacisë së BRICS. Konsensusi nuk u mbështet te një interpretim i përbashkët i konfliktit, por te një gjuhë mjaftueshëm e gjerë për t’u lejuar vendeve anëtare të ruanin qëndrimet e tyre.

    Kjo gjë nuk do të thotë se marrëveshja ishte pa peshë. Në një kohë kur forumet diplomatike shpesh vetëm riprodhojnë ndarjet gjeopolitike, vendosja e Iranit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Rusisë, Kinës, Indisë dhe shteteve të tjera pas së njëjtës deklaratë ka një domethënie politike. Megjithatë, pajtimi mbi disa parime të përgjithshme nuk duhet ngatërruar me një politikë të jashtme të përbashkët apo me krijimin e një mekanizmi paqeje të BRICS. I njëjti kujdes vlen edhe për Ukrainën. India vazhdon të këmbëngulë te dialogu dhe diplomacia, ndërsa Modi ngriti përsëri nevojën për t’i dhënë fund konfliktit gjatë bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin. Por BRICS mbetet i paaftë të zhvillojë një qëndrim të hollësishëm kolektiv, sepse anëtarët e tij ndryshojnë thellësisht në marrëdhëniet me Moskën dhe Perëndimin.

    INDIA MES KINËS DHE RUSISË

    Një pjesë e diplomacisë më të rëndësishme të samitit u zhvillua jashtë seancave zyrtare. Vizita e presidentit kinez Xi Jinping ishte e para në Indi pas shtatë vjetësh. Kjo vizitë krijoi mundësinë për të stabilizuar marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha të Azisë. Në takimin dypalësh, Modi dhe Xi ranë dakord se dallimet nuk duhet të shndërrohen në mosmarrëveshje të pakontrollueshme dhe shprehën mbështetje për një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme nga të dyja palët për çështjen e kufirit. Diskutuan gjithashtu pabarazitë strukturore në tregti, pasiguritë në zinxhirët e furnizimit dhe nevojën për qasje më të parashikueshme në tregje. Këto deklarata nuk përbëjnë ende një rivendosje strategjike të marrëdhënieve. Ekzistojnë ende mosmarrëveshje kufitare të cilat mbeten të pazgjidhura, mosbesimi i ndërsjellë vazhdon dhe India e sheh me shqetësim epërsinë ekonomike e politike të Kinës brenda BRICS. Megjithatë, takimi tregon përse grupimi ka rëndësi edhe kur deklaratat e tij nuk prodhojnë ndryshime të menjëhershme. Samite të tilla shërbejnë si hapësirë diplomatike ku shtetet rivale mund të menaxhojnë marrëdhëniet pa pretenduar se dallimet janë zhdukur.

    Marrëdhëniet e Indisë me Rusinë pasqyrojnë të njëjtin ekuilibër të kujdesshëm. Modi dhe Putin diskutuan energjinë, tregtinë dhe Ukrainën, ndërsa India ritheksoi rëndësinë e dialogut dhe të sigurisë së tregtisë detare. Nju Delhi kërkon të ruajë lidhjet historike me Moskën, por pa lejuar që këto marrëdhënie t’ia kufizojnë alternativat diku tjetër. BRICS i shërben pikërisht këtij qëllimi dhe i mundëson Indisë të bashkëpunojë me Rusinë dhe Kinën, ndërkohë që vazhdon partneritetet me vendet perëndimore.

    NJË KOALICION MË I MADH

    Zgjerimi i BRICS ka shtuar shtrirjen gjeografike dhe dukshmërinë ndërkombëtare të tij dhe njëkohësisht e ka bërë grupimin edhe më të vështirë për t’u drejtuar. Vendet anëtare pajtohen se Jugu Global meriton një zë më të fuqishëm, por jo domosdoshmërisht mbi formën që duhet të marrë rendi i ri. Disa e shohin BRICS kryesisht si një instrument për kufizimin e ndikimit perëndimor, të tjerë si një platformë negociuese për reformimin e institucioneve ekzistuese. India i përket kryesisht qasjes së dytë. Theksi i saj te teknologjia, financimi i zhvillimit, siguria ushqimore, qëndrueshmëria energjetike dhe reforma institucionale synon t’i japë BRICS një identitet praktik që nuk mbështetet vetëm te kundërvënia ndaj Perëndimit. Kjo qasje e bën grupimin më tërheqës edhe për shtetet që kërkojnë më shumë autonomi, por nuk duan të detyrohen të zgjedhin mes kampeve gjeopolitike rivale.

    Këtu mund të qëndrojë edhe roli më i rëndësishëm i BRICS. Ai nuk ka nevojë të shndërrohet në një aleancë të unifikuar për të ndikuar në politikën ndërkombëtare. Përmes bashkërendimit të kërkesave për reformën e OKB-së, përfaqësim më të madh në institucionet financiare dhe më shumë hapësirë politikëbërëse për vendet në zhvillim, grupimi mund të ndryshojë vetë termat e debatit global. Ekzistenca e tij pasqyron një botë ku fuqia po shpërndahet në më shumë qendra dhe ku shtetet perëndimore nuk mund të presin më që përparësitë e tyre ta përcaktojnë vetvetiu agjendën ndërkombëtare. Megjithatë ndikimi nuk duhet ngatërruar detyrimisht me kohezionin. Deklarata e Nju Delhit dëshmoi se BRICS mund të flasë ende njëzëri, por me kusht që zëri të jetë mjaftueshëm i gjerë për të përfshirë interesa shpesh të kundërta. Suksesi diplomatik i Indisë ishte ruajtja e konsensusit pa i detyruar shtetet anëtare të pranonin qëndrime të papërballueshme për to. Çmimi i këtij suksesi ishte një dokument më i fortë në aspirata të përbashkëta sesa në angazhime detyruese. Prandaj, rëndësia e samitit të Nju Delhit nuk do të matet me gjatësinë e deklaratës dhe as me parashikimet për ardhjen e menjëhershme të një rendi pasperëndimor, por me pyetje dhe cështje shumë më konkrete. A do të financojë BRICS më shumë projekte zhvillimi? A do t’i lehtësojë pagesat ndërkufitare? A do t’i zvogëlojë pengesat tregtare mes anëtarëve? A do të ketë bashkëpunin në fushën e teknologjisë? A do të ndërtojë koalicione efektive për reformimin e institucioneve ndërkombëtare? BRICS është sot një realitet tepër i madh për t’u shpërfillur. Por nga ana tjetër mbetet tepër i përçarë për të vepruar si një pol i vetëm gjeopolitik. Nju Delhi i shfaqi të dyja këto realitete njëherësh. Grupimi ka fituar një zë më të fuqishëm në çështjet botërore, por çështja vazhdon të mbetet nqs përtej deklaratave të samiteve, a do të arrihet ta shndërrojë zërin në veprim të përbashkët?!.

  • Qeveria Kurti IV mban sot mbledhjen e parë

    Qeveria Kurti IV mban sot mbledhjen e parë

    Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, do të mbajë sot mbledhjen e saj të parë, raporton KosovaPress.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, mbledhja e parë e Qeverisë Kurti IV do të nisë në orën dhjetë.

    Mbledhja do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Kjo është mbledhja e parë e kabinetit të ri qeveritar pas zgjedhjes së Qeverisë Kurti IV

  • PDK sot i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    PDK sot i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Partia Demokratike e Kosovës do t’i drejtohet sot Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.

    PDK-ja pritet të kërkojë vlerësimin e Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë Kurti 4.

    Kjo parti ka njoftuar se në orën 09:00 do të mbajë konferencë për media para objektit të Gjykatës Kushtetuese.

    Në konferencë do të flasin shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

    Sipas njoftimit, gjatë konferencës do të bëhen të ditura detajet e lëndës që PDK-ja do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese.

    PDK-ja kishte paralajmëruar të dielën se do t’i drejtohej Kushtetueses jo vetëm për konstituimin e Kuvendit, por edhe për formimin e Qeverisë Kurti 4.

    Qeveria e re, e drejtuar nga Albin Kurti, u votua të dielën në Kuvend me gjashtëdhjetë e dy vota për.

    Para votimit të Qeverisë, Kuvendi zgjodhi tre nënkryetarë. Kujtim Shala u zgjodh nga radhët e LDK-së, Emilija Rexhepi nga komunitetet joshumicë dhe Tanja Vujoviq nga komuniteti serb. Vujoviq vjen nga Lista Serbe.

    Pas zgjedhjes së tyre, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e konsideroi Kuvendin të konstituuar, ndonëse PDK-ja nuk kishte propozuar përfaqësuesin e saj për nënkryetar.

     

  • “Mos bëni politikë me vendimin e 16 shtatorit në Hagë”, OVL-UÇK me apel për ndërkombëtarët

    “Mos bëni politikë me vendimin e 16 shtatorit në Hagë”, OVL-UÇK me apel për ndërkombëtarët

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar duke shprehur frikë se ndërkombëtarët sikur po paralajmërojnë dënimin e katërshës së UÇK-së në shkallë të parë më 16 shtator, e më pas lirimin e tyre në Apel.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një postim në Facebook ka një apel të veteranëve të UÇK-së për Bashkimin Evropian dhe “ambasadorët e huaj”.

    “Veç çka nuk po thonë direkt: Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm”, shkruan Gucati në Facebook.

    Ai në postimin e tij shkruan po ashtu: “Prandaj, apeli që veteranët e UÇK-së ia drejtojnë BE-së dhe ambasadorëve të huaj është që të mos bëjnë politikë me vendimin e 16 shtatorit në Gjykatën Speciale”.

    APELI i veteranëve të UÇK-së për BE-në dhe ambasadorët e huaj

    Shumë ambasadorë të huaj, sikurse dje edhe BE-ja, në përpjekje për t’i menaxhuar pakënaqësitë qytetare lidhur me Gjykatën Speciale, po thonë: më 16 shtator nuk përfundon gjithçka, sepse palët e kanë Apelin.

    Veç çka nuk po thonë direkt: “Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm”.

    Kjo është një lojë e pistë politike me shkallët e drejtësisë.

    Gjykata Speciale, që nga fillimi, u ka raportuar diplomatëve, sepse është krijuar dhe mbështetur prej tyre. Ajo nuk ka vepruar asnjëherë si një institucion i pavarur i drejtësisë.

    Madje, më shumë është dukur e shqetësuar për qëndrimet e përfaqësive diplomatike sesa për gjetjet e organizatave ndërkombëtare lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur aty.

    Për gati gjashtë vjet, kjo gjykatë ka prodhuar vetëm narrativë që i ka shërbyer Serbisë.

    Çdo pretendim të Serbisë e ka adresuar dhe rehabilituar. Pavarësisht mungesës së kredibilitetit të dëshmitarëve serbë, i ka pranuar si dëshmitarë. Pavarësisht paqëndrueshmërisë së dëshmive të tyre, pretendimet serbe janë trajtuar si material për gjykim.

    Prandaj, dëshirë e disa ambasadorëve mund të jetë edhe tani që Gjykata Speciale të vazhdojë t’i shërbejë Serbisë me një vendim në shkallën e parë, për ta korrigjuar më pas në Apel, siç po tentohet të na thuhet. Por, një vendim i padrejtë në shkallën e parë nuk zhbëhet me një pafajësi në shkallën e dytë.

    Dëmi për Kosovën bëhet atë ditë. Historia rishkruhet atë ditë. Serbia e shfrytëzon atë ditë.

    Dhe Serbia nuk e pret Apelin.

    Ajo e përdorë menjëherë një vendim të tillë në OKB, në diplomaci, në fushatën për çnjohjet e Kosovës dhe në përpjekjet e saj për ta delegjitimuar Kosovën si shtet.

    Pasojat do të ishin shumë të mëdha edhe brenda Kosovës.

    <iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fhysni.gucati%2Fposts%2Fpfbid02seiLQqvKaJh5pXo3k6h2iubkuh6JbC1CmLWQzZjGHmZ5e7vEM7tQTJGxZYib7fujl&show_text=true&width=500″ width=”500″ height=”531″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share”></iframe>

    Nëse një gjykatë e lidh luftën çlirimtare të Kosovës me kriminalitet të organizuar, dëmi nuk mbetet vetëm në sallën e gjyqit në Hagë. Nga ajo sallë do të kriminalizohej botërisht lufta e UÇK-së.

    Dhe bashkë me të do të prekej edhe legjitimiteti i çlirimit të Kosovës, intervenimi i NATO-s dhe vetë shtetësia e Republikës së Kosovës.

    Nënshkrimi i përfaqësuesit politik të UÇK-së në Rambuje ishte vendimtar për intervenimin e NATO-s. Në koordinim me katër ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, aleanca veriatlantike koordinoi edhe bombardime të ndryshme të caqeve serbe.

    Prandaj, një narrativë që e kriminalizon luftën e UÇK-së nuk prek vetëm të kaluarën. Ajo prek edhe bazën politike dhe morale mbi të cilën u ndërtua shteti i Kosovës.

    Po ashtu, ajo godet edhe karakterin shumetnik të Kosovës, në të cilin bashkësia ndërkombëtare ka investuar që nga viti 1999.

    Gjykata Speciale, në rast të një vendimi të padrejtë, Serbisë do t’i jepte municion të ri diplomatik.

    Një vendim i padrejtë që kriminalizon luftën tonë, në kohën kur Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e veta dhe ta glorifikojë aparatin shtetëror që i kreu ato, nuk prodhon paqe.

    Prodhon plagë të reja. Prodhon tension. Prodhon konflikt të ri.

    Bashkësia ndërkombëtare ka investuar 27 vjet duke na folur për paqe, pajtim dhe bashkëjetesë. Prandaj, duhet ta dijë se paqja nuk ndërtohet duke e poshtëruar drejtësinë.

    Pajtimi nuk ndërtohet duke kriminalizuar viktimën si palë.

    Dhe stabiliteti nuk ruhet duke luajtur me plagët e popullit tonë.

    Drejtësia nuk është lojë me shkallë, ku dëmi i shkaktuar në të parën harrohet pas vendimit të dytë.

    Bashkësia ndërkombëtare e ka tradhtuar besimin e Kosovës, sepse ia ka tjetërsuar misionin dhe qëllimin Gjykatës Speciale.

    Ajo nuk duhet ta humbasë edhe atë që ka mbetur mes nesh.

    Vendimi i padrejtë nuk sjell paqe, por konflikt.

    Dhe kushdo që sot po luan me këtë zjarr, nesër nuk mund të thotë se nuk e dinte çfarë po bënte.

    Drejtësia nuk mund të jetë e drejtë vetëm në fund. Ajo duhet të jetë e drejtë qysh në fillim.

    Prandaj, APELI që veteranët e UÇK-së ia drejtojnë BE-së dhe ambasadorëve të huaj është që të mos bëjnë politikë me vendimin e 16 shtatorit në Gjykatën Speciale.

    Mos luani më shumë me plagët tona! Mos e bëni këtë gabim!

    Hysni Gucati, Kryetar i OVL-së së UÇK-së

  • Reagon Gjini: Qeveria që u votua sot është jokushtetuese dhe jolegjitime – Alenanca do t’i drejtohet Kushtetueses

    Reagon Gjini: Qeveria që u votua sot është jokushtetuese dhe jolegjitime – Alenanca do t’i drejtohet Kushtetueses

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar si jokushtetuese dhe jolegjitime Qeverinë e votuar të dielën.

    Gjini në një reagim në Facebook ka bërë të ditur se Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që kjo e fundit ta trajtojë çështjen me prioritet.

    “Qeveria që u votua sot është jokushtetuese dhe jolegjitime. Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe presim adresim me prioritet nga kjo e fundit, meqë themelet e kushtetueshmërisë po lëkunden”, ka shkruar Gjini në Facebook.

    <iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fardiangjinii%2Fposts%2Fpfbid02KQGj7kaHPeXWFkyehKAKmqk2PaG2bWFap4fZr8S7EHE8KiJNpv4Tswnf5PYMEqUZl&show_text=true&width=500″ width=”500″ height=”194″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share”></iframe>

    Po ashtu deputeti i kwsaj partie, Besnik Tahiri, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër pas seancën në Kuvend, duke e cilësuar shumicën e re parlamentare si “pa busull”.

    Tahiri ka thënë se pas gati dy vitesh me kriza politike, institucionale, kushtetuese dhe ekonomike, Kosova tashmë ka një Kuvend dhe një Qeveri jashtëkushtetuese.

    “Një shumicë që prodhon kriza në një kohë kur për vendin priten vendime jetike për historinë, por edhe për të ardhmen”, ka shkruar Tahiri.

    Ai ka akuzuar shumicën për “kriza dhe lojëra politike”, duke thënë se vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë parë, sipas tij, “plot makinacione e papërgjegjësi”.

    Tahiri është ndalur edhe te votimi në Kuvend, duke thënë se përmes tij u dëshmua se sa të sinqerta kanë qenë qëndrimet e deputetëve ndaj deklaratave antishtetërore të Listës Serbe.

    Sipas tij, qytetarët kanë dëgjuar sërish premtime të njëjta nga Qeveria Kurti 4, ndërsa vendi nuk ka parë rezultate konkrete.

    “Miliona të shpenzuara pa asnjë projekt të përmbyllur. Kjo po ndodh në një kohë kur kriza e çmimeve ka rënduar jetën e qytetarëve, kur nafta ka arritur në 1 euro e 83 cent, faturat e energjisë kanë prekur kulmin dhe inflacioni për të njëjtën periudhë është rritur në 7.3%”, ka shkruar Tahiri.

    Në fund, nënkryetari i Aleancës ka kritikuar ashpër qeverisjen, duke thënë se “këtyre njerëzve u ka humbur busulla” dhe se, sipas tij, po ia humbin rrugën edhe popullit dhe shtetit.

    Legjislatura e njëmbëdhjetë e Kuvendit të Kosovës është konstituar të dielën me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, sipas kryeparlamentares Albulena Haxhiu.

    Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme zgjodhi Kujtim Shalën e LDK-së për nënkryetar, nga komuniteti jo serb Emilja Rexhepin dhe Tanja Vujoviqin nga Lista Serbe.

    Ndërkaq PDK nuk ishte në sallën plenare, rrjedhimisht kishte tërhequr propozimin e Vlora Çitakut për nënkryetare.

    Paraprakisht, ishte zgjedhur Ardian Gola nënkryetar të premten.

    Gjithashtu të dielën është votuar edhe Qeveria “Kurti 4” në një seancë të jashtëzakonshme me 62 vota për.

  • PDK e konsideron Kuvendin të pakonstituuar dhe Qeverinë jokushtetuese: Do t’i drejtohemi Kushtetueses

    PDK e konsideron Kuvendin të pakonstituuar dhe Qeverinë jokushtetuese: Do t’i drejtohemi Kushtetueses

    Deputeti i PDK-së Arian Tahiri, në një konferencë për media tha se konstituimi i Kuvendit ka hyrë në një fazë që kërkon qartësi kushtetuese.

    A tha se për të gjitha rrjedhat nga seanca konstitutive do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

    “Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se situata e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka hyrë në një fazë që kërkon qartësi kushtetuese. Pas shkeljes së afateve, bllokimit të përsëritur dhe vendosjes së kushteve të reja politike nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë qëndrimin e vet publik edhe në seancën paraprake kur nuk është votuar nënkryetari jonë për nënkryetar të Kuvendit”, tha Tahiri.

    Tahiri tha se Kurti ka shpërfillur rendin kushtetues dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

    “Zoti Kurti ka luajtur gjatë gjithë kësaj kohe me institucionet, ka shpërfillur rendin kushtetues dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I ka shkelur afatet kushtetuese për interesa të ngushta politike dhe ka tentuar të luajë edhe me figurat politike të subjekteve opozitare. Ai gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë manovra politike për ta jetësuar skenarin e tij politik”, tha ai.

    Deputeti u shpreh se çdo gjë që del nga ky Kuvend, do ta dërgojnë në Kushtetuese.

    “Procedimet e sotme dhe konstatimet e tyre se Kuvendi është konstituar janë përtej afateve kushtetuese dhe gjithçka që del nga ky Kuvend, ne do ta dërgojmë për shqyrtim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Kosova duhet të funksionojë sipas rendit kushtetues dhe jo sipas një rendi që tenton ta krijojë Kurti për interesat e tij politike. Ekspertët e Partisë Demokratike të Kosovës tashmë janë duke punuar në përgatitjen e rrastit i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin në tërësi”, shtoi Tahiri.

    Legjislatura e njëmbëdhjetë e Kuvendit të Kosovës është konstituar të dielën me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.

    Kuvendi i Kosovës në seancën konstituive zgjodhi Kujtim Shalën e LDK-së për nënkryetar, nga komuniteti jo serb Emilja Rexhepin dhe Tanja Vujoviqin nga Lista Serbe.

    Ndërkaq PDK nuk ishte në sallën plenare, rrjedhimisht kishte tërhequr propozimin e Vlora Çitakut për nënkryetare.

    Paraprakisht, ishte zgjedhur Ardian Gola nënkryetar të premten.

    Gjithashtu në seancën e së dielës është votuar edhe Qeveria “Kurti 4” në një seancë të jashtëzakonshme me 62 vota për.

  • Kosova bëhet me Qeveri të re

    Kosova bëhet me Qeveri të re

    Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive tjera të komuniteve joshumicë, kanë votuar për Qeverinë Kurti 4.

    Ishin 62 vota për, 8 vota kundër e asnjë abstenim.

    Ndërkohë, Lista Serbe kanë votuar kundër.

    Përndryshe, në këtë seancë kanë munguar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Dy partitë e fundit kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.