ATV

Category: Lajme

  • Vitia shpjegon mungesën e barnave onkologjike: Kërkesa për palbociclib u dyfishua, tenderi i parë dështoi

    Vitia shpjegon mungesën e barnave onkologjike: Kërkesa për palbociclib u dyfishua, tenderi i parë dështoi

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se mungesa e barit palbociclib në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2026 është shkaktuar nga dyfishimi i kërkesave për këtë medikament, ndërsa tenderi i parë për furnizim kishte dështuar për shkak të mungesës së ofertuesve, raporton Ekonomia Online.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së PDK-së, Sala Jashari, në interpelancën lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, dhe mungesën e barnave onkologjike, Vitia tha se palbociclib është futur për herë të parë në Listën e Barnave Esenciale në vitin 2025.

    Ai bëri të ditur se kontrata e parë për këtë medikament ishte lidhur më 17 korrik, ndërsa furnizimi i parë kishte arritur në barnatoren qendrore në Çekukë në mesin e gushtit 2025. Sipas tij, kërkesa ishte më e lartë se planifikimi fillestar, pasi numri i pacientëve që kërkonin këtë bar ishte dyfishuar.

    “Në pyetjen e parë, medikamenti palbociclib është futur për herë të parë në Kosovë në listën e barnave esenciale në vitin për vitin 2025. Menjëherë kanë filluar përgatitjet për sigurimin e tij dhe, duke qenë medikamenti i sapofutur në listë, planifikimi është bërë sipas kërkesave që kanë qenë në klinikën e onkologjisë deri në atë kohë. Në bazë të këtij planifikimi, është bërë planifikimi për 40 pacientë. Ministria e Shëndetësisë e ka kërkuar buxhetin shtesë në Ministrinë e Financave dhe kjo kërkesë është miratuar nga Ministria e Financave. Pas procedurave të nevojshme, kontrata është lidhur me datën 17 korrik dhe, në mes të muajit gusht, ka ardhur për herë të parë ky medikament në barnatoren qendrore në Çekukë. Gjatë kësaj kohe është parë se ka kërkesa më të larta për këtë medikament, pasi që një pjesë e pacientëve të cilët e kanë siguruar më herët privatisht, duke mos qenë në listën e barnave esenciale, kur është futur ky bar në listën e barnave esenciale, kanë filluar normalisht ta kërkojnë këtë medikament në klinikën e onkologjisë”, ka thënë ai.

    “Po ashtu, gjatë vitit 2025, për shkak të mungesës së institucioneve dhe Kuvendit, nuk ka pasur as ndëgjime buxhetore dhe as nuk është miratuar buxheti. Kjo situatë ka vazhduar deri në muajin mars, ku, përkundër kërkesës për rritje të buxhetit, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, është kaluar buxheti me synim që në muajin maj-qershor të bëhet rishikimi. Por deputet i nderuar, ky rishikim nuk ndodhi, pasi në muajin prill u shpërnda Kuvendi dhe u futëm në proces zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit. Si pasojë e dyfishimit të kërkesave për këtë medikament, kontrata është shpenzuar 130% sipas mundësive ligjore që na jep ligji dhe ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100%, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130% për vetëm 9 muaj. Mundësia e hapjes së procedurës së re ka qenë e pamundur pa aprovimin e buxhetit. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit dhe transferit të mjeteve, menjëherë kanë filluar procedurat e reja tenderike, marrë parasysh shpenzimin e shpejtë të këtij medikamenti. Oferta e parë, fatkeqësisht, ka dështuar sepse nuk ka pasur asnjë ofertues. Menjëherë pas dështimit të ofertës së parë, është hapur tenderi përsëri me procedura tash të përshpejtuara dhe, me datën 30 korrik 2026, është lidhur kontrata dhe, me datën 18 gusht të këtij viti, ka filluar liferimi në barnatoren qendrore”, ka shtuar Vitia.

    Vitia tha se gjatë vitit 2026 furnizimi me barna për nevojat e Klinikës së Onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025. Ai përmendi edhe mungesën e autorizimeve të marketingut për disa barna, vonesat në furnizim dhe dështimin e procedurave tenderike.

    “Gjatë vitit 2026, furnizimi me barna për nevojat e klinikës së onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e vitit 2024 dhe 2025, për shkak të arsyeve që i përmenda për barin palbociclib. Shkaqet e tjera të evidentuara në këtë mungesë janë disa barna nuk kanë pasur autorizim marketingu. Shkak tjetër, vonesat në furnizim si pasojë e procedurave, dështimet për shkak të mungesës së ofertuesve dhe, në disa raste, tejkalim i shumës së parashikuar bazuar në listën zyrtare për çmimin e barnave”, tha ai.

  • Masa të shtuara sigurie në Prishtinë para sfidës Kosovë – Izrael

    Masa të shtuara sigurie në Prishtinë para sfidës Kosovë – Izrael

    Një ditë para ndeshjes mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Izraelit në futboll, në kuadër të Ligës së Kombeve, janë shtuar masat e sigurisë përreth stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Të gjitha rrugët që shpien drejt stadiumit të kryeqytetit janë bllokuar nga Policia për qarkullimin e automjeteve, ndërsa në disa pjesë janë vendosur edhe shirita sigurie me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë.

    Kosova dhe Izraeli ballafaqohen të shtunën në orën 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Kosova është e dyta në Grupin B3 me pesë pikë. Pesë pikë i ka edhe Irlanda, e cila renditet në vendin e tretë.

    Synimi i Kosovës është qëndrimi në Ligën B edhe për edicionin e ardhshëm.

    Në dhjetor, Kosova do t’i mësojë kundërshtarët e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028. Kualifikimet nisin në mars të vitit të ardhshëm.

    Kosova dhe Izraeli janë përballur tri herë në të kaluarën. Dy ndeshje kanë përfunduar baras, ndërsa ndeshjen e 12 nëntorit 2023, të zhvilluar në Prishtinë, e kishte fituar Kosova me rezultat 1:0.

  • Kurti takohet me kryeministrin britanik, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës

    Kurti takohet me kryeministrin britanik, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Dublin të Irlandës, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham.

    Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar homologun britanik për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i jep Kosovës.

    Ai ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është partnere dhe aleate e posaçme e Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    “Mbretëria e Bashkuar është partnere dhe aleate e posaçme e Republikës së Kosovës. Jemi mirënjohës e falënderues për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të saj, teksa synojmë e angazhohemi për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Rama nis përgatitjet për festat e fundvitit, thotë se sheshi “Xhorxh Bush” do të ishte përfunduar pa bllokadat e Qeverisë

    Rama nis përgatitjet për festat e fundvitit, thotë se sheshi “Xhorxh Bush” do të ishte përfunduar pa bllokadat e Qeverisë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nisur përgatitjet për dekorimin dhe përshtatjen e kryeqytetit për festat e fundvitit.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se ka dalë në terren së bashku me drejtorët e Komunës, për të parë nga afër punimet dhe mënyrën se si do të përshtatet sheshi për festat.

    Ai ka pretenduar se po të mos ishte bllokuar nga Qeveria për dy vjet, sheshi “Xhorxh Bush” deri tani do të ishte përfunduar.

    “Mos me na pasë blloku Qeveria jashtëligjshëm për dy vjet, sot sheshi ‘Xhorxh Bush’ kish qenë i përfundum”, ka shkruar Rama.

    Megjithatë, ai ka theksuar se këto bllokada nuk do të ndikojnë te qytetarët dhe se Prishtina do të jetë vend i festës dhe pozitivitetit gjatë fundvitit.

    “Prandaj, sot dola në terren bashkë me drejtorët e Komunës, me pa nga afër qysh me e përshtatë sheshin për festat e fundvitit”, ka shkruar ndër të tjera kryetari i Prishtinës.

  • “Studentët më të mirë në vitin e fundit mësojnë gjermanisht”, Tolaj: Mjekët po ikin

    “Studentët më të mirë në vitin e fundit mësojnë gjermanisht”, Tolaj: Mjekët po ikin

    Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se mjekët po ikin nga Kosova dhe nuk po kthehen.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën ka renditur dhe arsyet.

    Po ashtu, ai tha se studentët e mjekësisë në vitin e fundit mësojnë gjermanisht që të largohen më pas për në Gjermani.

  • Nrecaj: PDK nuk e di çka po kërkon, është tallje – Ligji duhej të kthehej në pikën zero

    Nrecaj: PDK nuk e di çka po kërkon, është tallje – Ligji duhej të kthehej në pikën zero

    Njohësi i çështjeve juridike, Anton Nrecaj, ka thënë se kthimi i Ligjit për Specialen në Kuvend dhe votimi që pritet të bëhet nesër nga deputetët është tallje.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën tha se PDK nuk e di as vet se çka po do me këtë ligj, teksa theksoi se ky ligj është dashur të kthehet në pikën zero.

  • Kurti takohet me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, diskutohet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë

    Kurti takohet me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, diskutohet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë

    Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se  në takimin në kuadër të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, vazhduam bisedën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë.

    “Është e tejet e rëndësishme që, nëpërmjet pranimit në Këshill, Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, shkroi në Facebook Kurti.

  • Aksident trafiku në Emiratet e Bashkuara Arabe, 14 të vdekur dhe 30 të lënduar

    Aksident trafiku në Emiratet e Bashkuara Arabe, 14 të vdekur dhe 30 të lënduar

    Një aksident i rëndë automobilistik ka tronditur Emiratet e Bashkuara Arabe, ku 14 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje masive me 23 automjete në qytetin e Fujairah.

    Sipas Ministrisë së Brendshme, aksidenti ndodhi pak para mesnatës, në hyrje të emiratit lindor, në një moment kur trafiku ishte i ngadalësuar, raporton BBC.

    Ngjarja u shkaktua pasi drejtuesi i një kamioni humbi kontrollin e mjetit, duke u përplasur fillimisht me një automjet tjetër. Kamioni më pas u përmbys dhe goditi disa automjete të tjera që ndodheshin në rrugë.

    Përplasja përfshiu gjithsej 23 automjete, mes tyre pesë kamionë. Pas goditjes, kamioni mori flakë dhe zjarri u përhap me shpejtësi edhe në automjetet e tjera, duke shkaktuar një tragjedi me pasoja të rënda.

    Policia e Fujairah bëri të ditur se 30 persona u plagosën dhe u transportuan në spital. Gjysma e tyre janë liruar pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa të tjerët vijojnë të marrin trajtim. Autoritetet kanë konfirmuar se viktimat dhe të plagosurit i përkasin disa kombësive, përfshirë atë emiratase, omane, indiane, braziliane, pakistaneze, jordaneze dhe egjiptiane.

    Konsullata indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe konfirmoi se mes viktimave ka edhe shtetas indianë, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjet e prekura dhe bëri të ditur se po bashkëpunon me autoritetet lokale për t’u ofruar ndihmë.

    Për shkak të gjendjes së rëndë të disa trupave, autoritetet po përdorin analizat e ADN-së për identifikimin e viktimave. Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, ekipet mjekësore dhe shërbimet e mbrojtjes civile, të cilat ndërhynë për shuarjen e zjarrit, shpëtimin e të plagosurve dhe sigurimin e zonës.

  • Ndryshimet në Ligjin për Specialen, Britania: Druajmë se do të dëmtojnë marrëdhëniet e Kosovës me partnerët

    Ndryshimet në Ligjin për Specialen, Britania: Druajmë se do të dëmtojnë marrëdhëniet e Kosovës me partnerët

    Ambasada e Mbretërisë së bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me synimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar sërish ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Në një reagim të publikuar në Facebook, Ambasada britanike ka deklaruar se ndryshimet e propozuara nuk i shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe mund të dëmtojnë marrëdhëniet e vendit me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.

    Mbretëria e Bashkuar vëren qëllimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar përsëri për ligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kemi frikë se amendamentet e propozuara nuk do të bëjnë asgjë për t’i shërbyer interesave thelbësore të Kosovës dhe do të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë. Kemi marrë plotësisht parasysh forcën e ndjenjave që rrethojnë vendimet e fundit. Ne besojmë se qëllimet e Kosovës mund të përmbushen më së miri duke siguruar që Kosova të vazhdojë të…”, thuhet në reagim.

  • BE-ja kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Ngrenë shqetësime për sundimin e ligjit

    BE-ja kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Ngrenë shqetësime për sundimin e ligjit

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    “BE-ja në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me votimin e mundshëm që pritet të mbahet nesër në Kuvendin e Kosovës për Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagim.

    Ne reagim thuhet po ashtu se ndryshimet e propozuara ngrejnë shqetësime serioze lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht në aspektin e pavarësisë së gjyqësorit, mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësisë së të drejtave procedurale dhe garantimit të llogaridhënies efektive.

    “Gjithashtu, këto ndryshime ngrenë shqetësime sa i përket kushtetutshmërisë së tyre.Që nga kthimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, ne kemi qenë të angazhuar në mënyrë aktive në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive tona tek autoritetet e Kosovës. Këtu përfshihet edhe nevoja për zhvillimin e konsultimeve paraprake përpara miratimit të çfarëdo ndryshimi, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës”, vazhdon reagimi.