ATV

Category: Lajme

  • ​Ministri Hoti mohon se u është hequr statusi i dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit e të tjerëve

    ​Ministri Hoti mohon se u është hequr statusi i dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit e të tjerëve

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka mohuar raportimet se Qeveria ia ka hequr statusin e dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit, Enver Malokut, Bajram Kelmendit dhe personaliteteve të tjera.

    Ai tha se as Ministria dhe as Qeveria nuk kanë marrë asnjë vendim të tillë.

    “Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit e ka përfunduar punën para shumë vitesh dhe nuk ekziston më si mekanizëm funksional. Të gjithë personat e përmendur vazhdojnë ta kenë statusin e dëshmorit dhe gëzojnë të drejtat pensionale sipas legjislacionit në fuqi. Asnjërit prej tyre nuk i është hequr statusi apo e drejta në pension!”.

    Hoti më pas kritikoi për shpërndarjen e këtij lajmi.

    “Skandaloze është përpjekja që, përmes ‘titujve bombastikë’ dhe teksteve tendencioze, të krijohet bindja se institucionet kanë marrë vendime që nuk ekzistojnë. Ky nuk është gazetari, as raportim dhe as informim. Ky është dezinformim dhe manipulim i rëndë i opinionit publik! Po aq e papranueshme është që mediat që kanë publikuar dhe shpërndarë këto pretendime nuk e kanë marrë as mundin më të vogël që, para publikimit, të kërkojnë një sqarim nga Ministria. Verifikimi i informacionit dhe marrja e qëndrimit të palës përkatëse janë përgjegjësi themelore të gazetarisë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme për familjet e dëshmorëve dhe opinionin publik”, shkroi ai.

  • Përplasje pozitë-opozitë në Kuvend për çështjen e energjisë

    Përplasje pozitë-opozitë në Kuvend për çështjen e energjisë

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ilir Kërçeli, janë përplasur në Kuvend lidhur me importin e energjisë elektrike, prodhimin e KEK-ut dhe përgjegjësinë e Qeverisë për gjendjen në sektorin energjetik.

    Mustafa ka thënë se Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për shkak të rritjes së importit, duke theksuar se KEK-u është ndërmarrje publike dhe se prodhimi i tij nuk po i përmbush kapacitetet e pritura.

    “Zoti Kërçeli po thotë se KEDS-i nuk është i qeverisë, ama KEK-u është, KEK-u është i qeverisë. Po kur po rrit KEDS-u në import? Po rritet, por KEK-u nuk po prodhon aq sa duhet të prodhojë dhe diferencën e kompenson me import. Dhe këtu shtrohet pyetja: Pse po dështon KEK-u?Dhe këtu ju nuk mundeni me i ikë përgjegjësisë, nuk mund të thirreni në zhvillimin e trendëve të jashtëm kur flitet për kapacitetet ekzistuese të KEK-ut. Po ku ne jemi duke bërë investime? I keni marrë rezultatet e atyre investimeve? Jeni duke prodhuar aq, e bile edhe më pak sesa që është prodhuar para shumë vjetësh?Ku janë ato investimet e juaja? Pse po dështojnë blloqet njëri pas tjetrit pas remonteve? E pyeta edhe ministren, por nuk u përgjigj. Secili që përmenda, tre blloqe kanë ndalje njëri pas tjetrit të paplanifikuara pas remonteve që u ndodhën. Shtrohet pyetja: Për kë po bëhen ato remonte?Ku është ajo e para që bën kuptim remontja, kur blloku dështon menjëherë pas remontit? Edhe gjatë kësaj periudhe kur blloku po dështon pas remontit, KEDS-i dhe qytetari prapë po i kthehet tregtarëve të energjisë që kanë lulëzuar në qeverisjen e juaj. Kështu që, mos u mbështetni, mos i ikni përgjegjësisë për sa i përket KEDS-it. Do të thotë, zoti Kërçeli, keni ardhur për shtet me fjalën ‘nacionalizëm të KEK-ut’, me gjashtë vjet që jeni për shtet, për herë të parë e dëgjoj. Kush po ju ndalë bre? Po numrat i keni? Niseni, silleni në Kuvend! Po ke ardhur për shtet? Unë fola tani për nacionalizëm të KEK-ut, sot e dëgjova për herë të parë prej jush. Vazhdoni, sillni në Kuvend çfarë keni me sjellë, edhe kemi me dhënë përgjigje”, tha Mustafa.

    Në kundërpërgjigje, deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka thënë se edhe në rastet kur KEK-u prodhon energji elektrike në kapacitetet e tij, Kosova vazhdon të ketë nevojë për import.

    “Koleg i nderuar Mustafa, si ekonomist unë e pres që ju e dini se edhe kur KEK-u prodhon rrymë në kapacitetet që i ka të gjitha, Kosova importon rrymë. Nuk jemi tu bë debat me inatin, por debat me të vërteta. Hajde të sillem kështu, një debat me të vërteta, po shkruhen në parlament, do me thënë. Po ju thoni qytetarëve: ka ra blloku e po duhet me importu! Ti e din që edhe kur prodhon KEK-u, duhet me importu”, tha Kërçeli.

    Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, në kundërreplikë ndaj Kërçelit, ka përmendur shitjen e KEDS-it dhe ka ironizuar me ndryshimet e tij politike.

    “Nuk po jam shumë e sigurt, në atë kohë kur është shitë KEDS-i, a ke qenë edhe ti në atë fotografi me ish-presidentin Hashim Thaçi, se dihet që i ke ndërruar liderët qysh ka ndërruar puna, kjo nuk vlen për të tjerët”, theksoi Ymeri.

  • Kur dhe sa iu rritën pagat për herë të fundit punëtorëve në KEK?

    Kur dhe sa iu rritën pagat për herë të fundit punëtorëve në KEK?

    Nënkryetari i sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se protestat nuk do të ndalen deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

    Ai në një intervistë në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se një rritje simbolike të pagës e kanë pasur në qershor.

    “Kemi pasur rritje të pagave në vlerë simbolike 60 euro në qershor të këtij viti. Mirëpo, kërkesa jonë ka qenë krejt ndryshe dhe ne nuk jemi pajtuar me atë pagë por e kemi shtyrë me shpresë që do të bisedojmë dhe do të negociojmë por kjo nuk ka ndodhur, s’ka ndodhur të bisedojmë as negociojmë derisa ne e kemi dërguar vendimin për protestën që e mbajtëm. Ata na thirrën me datën 9 por s’ka qenë dialog serioz që të ketë rritje të pagave dhe të na e japin pagën e 13-të, që i kemi kërkesa por dialogu u orientua krejt diku tjetër dhe s’kemi marrë asnjë premtim për kërkesat tona”, ka thënë Llumnica.

    Ai shtoi se protesta e radhës do të mbahet pas një jave, në të njëjtën kohë dhe të njëjtin vend.

  • Jashari propozon rezolutë për mungesën e barnave onkologjike, nuk hidhet në votim për mungesë kuorumi

    Jashari propozon rezolutë për mungesën e barnave onkologjike, nuk hidhet në votim për mungesë kuorumi

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka propozuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës përmes së cilës kërkohet ndërmarrja e masave urgjente për sigurimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët onkologjikë.

    Me rezolutën e propozuar kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) të ndërmarrin masa për parandalimin e ndërprerjes së terapive për shkak të mungesës së barnave.

    Jashari ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditëve nga miratimi i rezolutës, t’i dorëzojë Kuvendit një raport të plotë për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026, ku do të përfshihen barnat onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatja e mungesave, numri i pacientëve të prekur, shkaqet dhe statusi i procedurave të prokurimit.

    “Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSUK-së të ndërmarrin menjëherë të gjitha masat ligjore dhe administrative për garantimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët onkologjikë dhe parandalimin e ndërprerjes së terapive për shkak të mungesës së stokut. Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, t’i dorëzojë Kuvendit raport të plotë për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026, me listën e barnave onkologjike që kanë munguar. Kohëzgjatjen e mungesave, numrin e pacientëve të prekur, shkaqet e mungesave dhe statusin e procedurave të prokurimit”, tha ajo.

    Po ashtu, rezoluta parasheh krijimin e një mekanizmi të paralajmërimit të hershëm dhe përcaktimin e stokut minimal sigurues për barnat kritike onkologjike, me qëllim që procedurat e furnizimit të nisin para se rezervat të arrijnë nivelin kritik.

    Jashari ka propozuar gjithashtu që Ministria e Shëndetësisë, brenda 30 ditëve, ta analizojë bazën ligjore dhe financiare për krijimin e një mekanizmi që do të shqyrtonte mundësinë e rimbursimit të shpenzimeve të dokumentuara të pacientëve që kanë blerë vetë barna nga lista esenciale, për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik.

    “Ministria e Shëndetësisë dhe SHSUKK-ja të krijojë dhe zbatojë një mekanizëm të paralajmërimit të hershëm dhe të stokut minimal sigurues për barnat onkologjike kritike, me përgjegjësi të përcaktuar dhe afate të qarta për inicimin e procedurave të furnizimit para se stoku të arrijë në nivel kritik. Ministria e Shëndetësisë të analizojë bazën ligjore dhe financiare dhe, brenda 30 ditëve, t’i raportojë Kuvendit për mundësitë e krijimit të një mekanizmi për shqyrtimin e rimbursimit të shpenzimeve të dokumentuara të pacientëve që janë detyruar të blejnë vetë barna të listës esenciale për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik”, tha ajo.

    Në propozim përfshihet edhe evidentimi i përgjegjësive institucionale për dështimet ose vonesat në planifikim, prokurim dhe furnizim me palbociklib, biomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026.

    “Ministria e Shëndetësisë të evidentojë përgjegjësitë institucionale për dështimet ose vonesat në planifikim, prokurim dhe furnizim me palbuciklip, biomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026, dhe të njoftojë Kuvendin për masat e ndërmarra. SHSUK-ja të vazhdojë dhe standardizojë publikimin e rregullt të qasshëm dhe të përditësuar të gjendjes së stokut të barnave esenciale në klinikën e onkologjisë, duke përfshirë edhe njoftimin për mungesa të pritshme dhe afatin e parashikuar të furnizimit. Komisioni Parlamentar Përgjegjës për Shëndetësinë të monitorojë zbatimin e kësaj rezolute dhe, brenda 60 ditëve, të informojë Kuvendin për nivelin e zbatimit të saj”, tha ajo.

    Megjithatë, rezoluta nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit. Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit vendosi që seanca të shkojë në pauzë deri në orën 16:30.

  • Shiroka-Pula pret ambasadorin austriak, në fokus investimet dhe mbështetja për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Shiroka-Pula pret ambasadorin austriak, në fokus investimet dhe mbështetja për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve, si dhe mbështetjen austriake për integrimin euroatlantik të Kosovës.

    Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar edhe për mundësitë e rritjes së investimeve direkte austriake në Kosovë dhe intensifikimin e bashkëpunimit tregtar.

    Presidentja Shiroka Pula ka shprehur mirënjohjen për angazhimin dhe kontributin e Austrisë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

    Ajo ka theksuar rëndësinë e investimeve austriake për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, duke vlerësuar se ekziston potencial i konsiderueshëm për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

    Presidentja ka shprehur bindjen se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të karakterizuara nga miqësia e qëndrueshme dhe besimi i ndërsjellë, do të thellohen edhe më tej përmes bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional.

  • Presidentja pret Prattipatin, flasin për zhvillimet politike: ShBA-ja mbetet partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës

    Presidentja pret Prattipatin, flasin për zhvillimet politike: ShBA-ja mbetet partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

    Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me ç’rast presidentja ka theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe funksionimit të plotë të institucioneve.

    Sipas njoftimit, Shiroka Pula ka vlerësuar dinamikën e shtuar të punës së Kuvendit dhe Qeverisë pas tejkalimit të krizës institucionale.

    Ajo ka ritheksuar gjithashtu përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës.

  • Rama: I dyshuari për tjetërsimin e pronave nuk është punonjës i Komunës së Prishtinës

    Rama: I dyshuari për tjetërsimin e pronave nuk është punonjës i Komunës së Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me arrestimin e një personi të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, në një rast që lidhet me regjistrimin e tri pronave komunale në emër të një personi tjetër.

    Rama ka sqaruar se personi i arrestuar nuk është punonjës i Komunës së Prishtinës, por punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe është në varësi të Ministrisë së Kulturës.

    “Për sqarim, zyrtari i dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e pronave në Prishtinë është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në varësi të MINISTRISË SË KULTURËS!”, ka shkruar Rama.

    Ai ka thënë se raportimet që e paraqesin të dyshuarin si punonjës të Komunës së Prishtinës janë të pasakta.

    “Prandaj, raportimet që e paraqesin atë si punonjës të Komunës së Prishtinës janë të pasakta!”, ka theksuar Rama.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, një person ishte arrestuar më 11 nëntor nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

    Sipas Policisë, i dyshuari dyshohet se kishte vërtetuar dokumente të dyshuara, përmes të cilave një person tjetër kishte arritur të regjistronte tri prona komunale në emrin e tij.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai ishte dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

  • “Nuk kishte asgjë për të deklaruar”, por i gjenden 150 mijë euro në veturë– Dogana jep detaje të rastit në Vërmicë

    “Nuk kishte asgjë për të deklaruar”, por i gjenden 150 mijë euro në veturë– Dogana jep detaje të rastit në Vërmicë

    Zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës të Doganës së Kosovës kanë zbuluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës, ku gjatë kontrollit të një veture janë gjetur 150,000 euro të padeklaruara.

    Dogana e Kosovës njofton se të enjten, më 12 nëntor rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët e Antikontrabandës kanë ndaluar për kontroll një veturë, drejtuesi i së cilës, pas pyetjes nga zyrtarët doganorë, ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

    “Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar të veturës, zyrtarët e Antikontrabandës kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara. Fillimisht, drejtuesi i veturës ka deklaruar verbalisht se shuma ishte 120,000 euro, ndërsa pas numërimit është konstatuar se bëhej fjalë për 150,000 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh”, thuhet në njoftim.

    Në përputhje me procedurat ligjore për mosdeklarimin e mjeteve monetare, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë këto veprime:

    • 37,500 euro (25%) janë konfiskuar per mosdeklarim

    • 112,500 euro (75%) janë mbajtur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

    Dogana njofton më tej se lidhur me rastin është njoftuar Sektori i Hetimeve i Doganës së Kosovës, zyrtarët e të cilit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren.

    “Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, me udhëzim të tij, drejtuesi i veturës dhe vetura janë liruar, ndërsa personi është obliguar të paraqesë dokumentacion mbështetës për të dëshmuar prejardhjen e mjeteve monetare.

    Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët se deklarimi i mjeteve monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë është detyrim ligjor gjatë hyrjes apo daljes nga Republika e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Kadrijaj: Shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë, qytetarët po përballen me mungesë barnash dhe kosto të larta

    Kadrijaj: Shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë, qytetarët po përballen me mungesë barnash dhe kosto të larta

    Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kërkuar që shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë, duke thënë se qytetarët po përballen me mungesë barnash, pritje të gjata dhe vështirësi financiare për të siguruar trajtimin e nevojshëm, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që kishte mbetur katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike, Kadrijaj ngriti edhe çështjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

    Ajo tha se shëndetësia nuk duhet të jetë privilegj vetëm për qytetarët që kanë mundësi financiare, por duhet të jetë e qasshme edhe për ata që përballen me kushte të vështira shëndetësore dhe sociale.

    “A është shëndetësia prioritet i kësaj qeverie? Aman bëni prioritet se qytetarët janë në hall. Qytetarët janë në hall. Prandaj shëndetësia nuk duhet të jetë privilegj për ata që kanë buxhet. Edhe kanë mundësi financiare. Shëndetësia duhet të jetë prioritet për ata që janë në kushte të vështira shëndetësore edhe sociale”, tha ajo.

    Kadrijaj përmendi edhe rastin e pacientes që kishte humbur jetën, duke rikujtuar fjalët e saj për pamundësinë për të përballuar njëkohësisht shpenzimet për barna dhe nevojat e tjera jetësore.

    “Kosova ka institucione shëndetësore, profesionistë të përkushtuar dhe strategji zhvillimore, por këto nuk mjaftojnë nëse qytetari vazhdon të përballet me mungesë barnash, pritje të gjata, shpenzime të larta dhe vështirësi për të marrë trajtim në kohë. Kur do të implementohet ligji për sigurimet shëndetësore? Sepse atëherë do të zbutet kjo çështje. Një qytetare që humbi jetën në mungesë të barnave, u pa e deklaruar, po e citoj: “A me jetu a me ble barna? A me jetu a me ble barna?” Dhe kjo duhet të na prekë të gjithëve këtu. Të gjithë qytetarëve. Duhet të na prekë secilin deputet. A me jetu a me ble barna? E sidomos ata që janë përgjegjës, sepse po e qesim në një situatë të tillë njerëzit. A duhet me i ble barnat? A me ble me hungër? Sepse nuk i kanë mundësitë me i ble”, tha ajo.

  • Komuna e Gjakovës apelon për kujdes nga erërat e forta, qytetarëve u kërkohet të kufizojnë lëvizjet e panevojshme

    Komuna e Gjakovës apelon për kujdes nga erërat e forta, qytetarëve u kërkohet të kufizojnë lëvizjet e panevojshme

    Komuna e Gjakovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kufizojnë lëvizjet e panevojshme për shkak të erërave të forta që kanë përfshirë vendin.

    Përmes një njoftimi në Facebook, komuna ka këshilluar qytetarët që të shmangin qëndrimin pranë ndërtesave të larta, pemëve, kantiereve të ndërtimit dhe shtyllave elektrike.

    “Shmangni qëndrimin dhe parkimin nën pemë apo pranë objekteve të pasigurta. Nëse mund ta bëni pa rrezikuar veten, siguroni sendet në ballkone e oborre që mund të barten nga era”, thuhet në njoftim.

    Komuna gjithashtu u ka bërë apel përgjegjësve të kantiereve të ndërtimit dhe bizneseve që të sigurojnë materialet, rrethojat dhe reklamat që mund të paraqesin rrezik për kalimtarët.

    Qytetarëve u është tërhequr vëmendja që të mos u afrohen kabllove elektrike të këputura dhe të mos tentojnë t’i largojnë ato vetë.

    ” Për çdo situatë emergjente apo rrezik për jetën dhe pronën, telefononi 112″, thuhet në apelin e Komunës së Gjakovës.