ATV

Category: LAJME

  • Thaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte

    Thaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

  • Trupi gjykues paraqet konstatimet për Limajn, Gecin, Mustafën dhe Gashin

    Trupi gjykues paraqet konstatimet për Limajn, Gecin, Mustafën dhe Gashin

    Gjatë leximit të aktgjykimit në Hagë, trupi gjykues ka paraqitur konstatimet e tij edhe për Fatmir Limajn, Sabit Gecin, Salih Mustafën dhe Latif Gashin.

    Sipas gjykatës, këta persona kanë luajtur rol në zbatimin e një plani që kishte në shënjestër persona të konsideruar kundërshtarë të UÇK-së. Plani, sipas konstatimeve të trupit gjykues, përfshinte identifikimin, arrestimin dhe ndalimin e tyre, si dhe vrasjen në rastet kur kjo konsiderohej e nevojshme.

    Trupi gjykues tha se Limaj, Geci, Mustafa dhe Gashi kanë dhënë kontribut dhe kanë mundësuar zbatimin e këtij plani, ndërsa krimet, sipas gjykatës, janë kryer edhe përmes personave të tjerë.

    Në konstatimet e paraqitura gjatë seancës u tha gjithashtu se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk kishin ndërmarrë hapa për ta ndalur ose për t’u tërhequr nga ky plan.

  • Vëllai i Hashim Thaçit, Nazmiu, del nga salla gjatë leximit të aktgjykimit

    Vëllai i Hashim Thaçit, Nazmiu, del nga salla gjatë leximit të aktgjykimit

    Nazmi Thaçi, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, është larguar nga ambientet e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa po vazhdon leximi i aktgjykimit.

    Sipas informacioneve nga Haga, Nazmiu ka dalë nga salla pasi e ka pasur të vështirë të vazhdojë të ndjekë konstatimet që po paraqiten nga trupi gjykues.

    Largimi i tij ka ndodhur gjatë zhvillimit të seancës për rastin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

    Leximi i aktgjykimit po vazhdon në Hagë, ndërsa gjatë ditës pritet të paraqiten edhe konstatime të tjera të trupit gjykues.

  • Aktgjykimi në Hagë: Trupi gjykues përshkruan rolin e Thaçit në strukturën drejtuese

    Aktgjykimi në Hagë: Trupi gjykues përshkruan rolin e Thaçit në strukturën drejtuese

    Gjatë leximit të aktgjykimit në Hagë, trupi gjykues ka vlerësuar se Hashim Thaçi ka pasur një rol të rëndësishëm në realizimin e qëllimit të përbashkët kriminal të përshkruar në aktgjykim.

    Sipas kryegjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte ndër figurat kyçe në zbatimin e këtij qëllimi.

    Smith tha se Thaçi, së bashku me të akuzuarit e tjerë, kishte emëruar persona të besuar në pozita të ndryshme, me qëllim të ruajtjes së kontrollit brenda strukturave të UÇK-së gjatë periudhës së përfshirë në çështje.

    Sipas konstatimeve të paraqitura nga trupi gjykues, disa prej këtyre personave më pas u përfshinë në kryerjen e krimeve, ndërsa të tjerë kishin dijeni për to.

  • Specialja: Trupi gjykues përshkruan pasojat e rënda të keqtrajtimeve ndaj të ndaluarve

    Specialja: Trupi gjykues përshkruan pasojat e rënda të keqtrajtimeve ndaj të ndaluarve

    Gjatë shpalljes së aktgjykimit në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka paraqitur edhe konstatime lidhur me trajtimin e personave të ndaluar.

    Sipas kryegjykatësit Charles Smith, në disa raste të ndaluarit janë rrahur rëndë, deri në atë pikë sa nuk kanë mundur të qëndrojnë në këmbë. Në konstatimet e paraqitura gjatë seancës u përmendën edhe raste të dëmtimeve të rënda fizike, përfshirë thyerje të gjymtyrëve dhe dëmtime të thonjve.

    Trupi gjykues tha gjithashtu se për disa prej personave të ndaluar, pasojat e këtyre përjetimeve kanë vazhduar edhe pas përfundimit të luftës. Sipas gjykatës, dëshmitë kanë përfshirë raportime për dhimbje të vazhdueshme, vështirësi në ecje, depresion dhe probleme me gjumin.

    Këto konstatime po paraqiten gjatë leximit të aktgjykimit në çështjen ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa trupi gjykues po vazhdon me paraqitjen e gjetjeve të tij.

  • Specialja: Trupi gjykues konstaton krim lufte ndaj së paku 385 personave

    Specialja: Trupi gjykues konstaton krim lufte ndaj së paku 385 personave

    Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer krimi i luftës i arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave.

    Konstatimi është bërë gjatë leximit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kryegjykatësi Charles Smith po vazhdon të paraqesë gjetjet e trupit gjykues lidhur me krimet e pretenduara në aktakuzë, ndërsa leximi i vendimit po vijon në Hagë.

  • Vëllai i Jakup Krasniqit: Arsye për t’u dënuar nuk ka, krimet i bëri Serbia

    Vëllai i Jakup Krasniqit: Arsye për t’u dënuar nuk ka, krimet i bëri Serbia

    Në vendlindjen e Jakup Krasniqit, në Negroc, familjarë, bashkëluftëtarë dhe bashkëvendas po presin verdiktin e fundit në Hagë, duke besuar në pafajësinë e tij, si dhe të bashkëluftëtarëve Thaçit, Veselit dhe Selimit.

    Vëllai i Jakup Krasniqit, Avdyl Krasniqi, thekson se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe se arsye për t’u dënuar nuk ka.

    “Obligimin njerëzor e kanë kryer me kohë për Kosovë dhe popullin e saj.

    Gjykata ka qenë jo shumë serioze, pasi edhe dëshmitarët kanë qenë jo seriozë, por shpresojmë që gjykata të mbështetet në fakte dhe të marrë vendimin e duhur. Arsye për t’u dënuar nuk ka, pasi krimet monstruoze i ka kryer Serbia”, theksoi ai.

  • Smith në Hagë: Incidentet pas 20 qershorit 1999 nuk cilësohen si krime lufte

    Smith në Hagë: Incidentet pas 20 qershorit 1999 nuk cilësohen si krime lufte

    Kryegjykatësi Charles Smith ka bërë të ditur një nga konstatimet e trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Sipas Smithit, incidentet mbi të cilat janë bazuar akuzat për krime lufte dhe që kanë ndodhur pas 20 qershorit 1999, nuk mund të cilësohen si krime lufte.

    Ai shpjegoi se këto incidente kanë ndodhur pas përfundimit të konfliktit të armatosur ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe dhe se, sipas konstatimit të trupit gjykues, normat përkatëse të së drejtës së luftës nuk zbatoheshin më për personat në fjalë.

    “Incidentet mbi të cilat bazohen akuzat për krime lufte, të cilat filluan pas 20 qershorit 1999, pra pas përfundimit të konfliktit të armatosur midis UÇK-së dhe forcave serbe, nuk mund t’i cilësojmë si krime lufte”, tha Smith gjatë leximit të vendimit.

    Leximi i aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po vazhdon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

  • Me emocione të forta, vëllai i Jakup Krasniqit përcjell seancën në Hagë

    Me emocione të forta, vëllai i Jakup Krasniqit përcjell seancën në Hagë

    Në Hagë po zhvillohet seanca ku po lexohet vendimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në mesin e familjarëve që po e ndjekin me vëmendje këtë proces është edhe vëllai i Jakup Krasniqit.

    ATV sjell pamje nga momentet kur ai shihet i emocionuar teksa nga ambientet e shtëpisë po përcjell zhvillimet e seancës dhe leximin e vendimit.

  • Nëna e Hashim Thaçit nuk e di se sot mund të vendoset për fatin e djalit të saj

    Nëna e Hashim Thaçit nuk e di se sot mund të vendoset për fatin e djalit të saj

    Nëna e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Hyra Thaçi, nuk është në dijeni se sot pritet të merret vendimi nga Gjykata Speciale në Hagë për djalin e saj.

    Këtë e ka bërë të ditur kushëriri i Thaçit, Halimi, i cili ka treguar se familja ka vendosur të mos ia tregojë lajmin në rast se vendimi do të jetë i pafavorshëm, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

    “Ka shumë gjëra që nuk i ka të ditura. Nëse na gëzon Zoti, do t’ia lajmërojmë dhe do të vijmë të gëzohemi bashkë me të. E nëse dënohet, nuk mundemi me i tregu kurrë”, ka deklaruar ai.

    Kushëriri i Thaçit ka thënë se familja dhe të afërmit e tij kanë ndjerë shumë mungesën e tij gjatë viteve të qëndrimit në Hagë.

    Ai ka shprehur shpresën se Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen në shtëpi.

    “Po presim që sa më parë të lirohet. Shumë mungesë kemi pasur për Hashimin, si familje, si shoqëri dhe si krejt Kosova”, është shprehur ai.