ATV

Category: LAJME

  • Konjufca pas vendimit në Hagë: Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, dëm i madh për shtetin

    Konjufca pas vendimit në Hagë: Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, dëm i madh për shtetin

     Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Konjufca ishte i pranishëm në Dhomat e Specializuara gjatë shpalljes së vendimit.

    Duke dalë nga objekti i gjykatës, Konjufca e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të pamerituar.

    “Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, për luftën tonë çlirimtare. Kosova e ka përjetuar vetë luftën, e dimë çka është lufta e UÇK-së dhe ne e dimë që nuk ka pas far mekanizmi kriminal për me cenu asnjë popullatë. Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar”, ka deklaruar Konjufca.

    Ai ka thënë se vendimi, sipas tij, do të ketë pasoja të mëdha për narracionin e Kosovës dhe shtetin e saj.

    “Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Konjufca ka kritikuar gjithashtu faktin që, sipas tij, aktakuza është mbështetur edhe në materiale të ardhura nga Serbia, duke e vënë në pikëpyetje drejtësinë e vendimit.

    “Kur po më kujtohet që aktakuzën e kanë pas Serbi, që janë dënuar 15 vjet në mungesë e kjo gjykatë kinse në emër të popullit me këto dënime drakonike”, ka deklaruar Konjufca.

    Aktgjykimi i shpallur sot dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

  • Publikohet aktgjykimi i plotë i dënimit të Thaçit dhe të tjerëve

    Publikohet aktgjykimi i plotë i dënimit të Thaçit dhe të tjerëve

    Trupi Gjykues sot shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit ishin penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar kundër 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 peronave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.

    Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi Prokurori i Specializuar nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer sulm i përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

    Trupi Gjykues dënoi Hashim Thaҫin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, Rexhep Selimin me 13 vjet burgim dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.

    Aktgjykimi i plotë (KËTU)

  • Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet burgim

    Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet burgim

    Trupi gjykues i Gjykatës Speciale e ka dënuar Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim.

    Krasniqi u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte të arrestimit të paligjshëm dhe ndalimit arbitrar, 4 vjet burgim për trajtim mizor, 20 vjet për luftës, torturë dhe 23 vjet burgim për krime të luftës, vrasje e paligjshme.

    “Dënimi i njësuar është me 25 vjet burgim, në të cilën llogaritet koha e kaluar në burg”, tha ai.

     

  • Rama reagon pas aktgjykimit të Speciales: “Marre”

    Rama reagon pas aktgjykimit të Speciales: “Marre”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi me vetëm një fjalë: “Marre”, duke shprehur, siç duket, kundërshtimin e tij ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara.

    Reagimi i tij erdhi pak pasi trupi gjykues i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së penalisht përgjegjës për krime lufte dhe u shqiptoi dënime me burgim.

  • Gucati: Nuk duhet t’i humbim shpresat, mbetet Apeli

    Gucati: Nuk duhet t’i humbim shpresat, mbetet Apeli

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka dënuar ashpër aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar Gjykatën Speciale si “gjykatë të tmerrshme dhe kriminale”.

    “Sot gjykata arriti të kënaqë Serbinë dhe Rusinë me këto dënime”, tha Gucati.

    Ai tha se shpresat tani mbeten te procesi i apelit.

  • Haradinaj bën thirrje për qetësi: Beteja për drejtësi të vazhdojë në shkallën e dytë

    Haradinaj bën thirrje për qetësi: Beteja për drejtësi të vazhdojë në shkallën e dytë

    Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tani deputet i Aleancës, e ka cilësuar si “të papranueshëm” dhe “të padrejtë” aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi dhe për vazhdimin e betejës ligjore në shkallën e dytë.

    “Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të fitohet në shkallën e dytë”, tha Haradinaj përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet social.

    Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos dëmtojnë pronën dhe të mos rrezikojnë jetën e njerëzve si reagim ndaj aktgjykimit.

    “Nëse e shkatërrojmë Kosovën, u ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, tha Haradinaj.

  • Thaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte

    Thaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

  • Trupi gjykues paraqet konstatimet për Limajn, Gecin, Mustafën dhe Gashin

    Trupi gjykues paraqet konstatimet për Limajn, Gecin, Mustafën dhe Gashin

    Gjatë leximit të aktgjykimit në Hagë, trupi gjykues ka paraqitur konstatimet e tij edhe për Fatmir Limajn, Sabit Gecin, Salih Mustafën dhe Latif Gashin.

    Sipas gjykatës, këta persona kanë luajtur rol në zbatimin e një plani që kishte në shënjestër persona të konsideruar kundërshtarë të UÇK-së. Plani, sipas konstatimeve të trupit gjykues, përfshinte identifikimin, arrestimin dhe ndalimin e tyre, si dhe vrasjen në rastet kur kjo konsiderohej e nevojshme.

    Trupi gjykues tha se Limaj, Geci, Mustafa dhe Gashi kanë dhënë kontribut dhe kanë mundësuar zbatimin e këtij plani, ndërsa krimet, sipas gjykatës, janë kryer edhe përmes personave të tjerë.

    Në konstatimet e paraqitura gjatë seancës u tha gjithashtu se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk kishin ndërmarrë hapa për ta ndalur ose për t’u tërhequr nga ky plan.

  • Vëllai i Hashim Thaçit, Nazmiu, del nga salla gjatë leximit të aktgjykimit

    Vëllai i Hashim Thaçit, Nazmiu, del nga salla gjatë leximit të aktgjykimit

    Nazmi Thaçi, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, është larguar nga ambientet e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa po vazhdon leximi i aktgjykimit.

    Sipas informacioneve nga Haga, Nazmiu ka dalë nga salla pasi e ka pasur të vështirë të vazhdojë të ndjekë konstatimet që po paraqiten nga trupi gjykues.

    Largimi i tij ka ndodhur gjatë zhvillimit të seancës për rastin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

    Leximi i aktgjykimit po vazhdon në Hagë, ndërsa gjatë ditës pritet të paraqiten edhe konstatime të tjera të trupit gjykues.

  • Aktgjykimi në Hagë: Trupi gjykues përshkruan rolin e Thaçit në strukturën drejtuese

    Aktgjykimi në Hagë: Trupi gjykues përshkruan rolin e Thaçit në strukturën drejtuese

    Gjatë leximit të aktgjykimit në Hagë, trupi gjykues ka vlerësuar se Hashim Thaçi ka pasur një rol të rëndësishëm në realizimin e qëllimit të përbashkët kriminal të përshkruar në aktgjykim.

    Sipas kryegjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte ndër figurat kyçe në zbatimin e këtij qëllimi.

    Smith tha se Thaçi, së bashku me të akuzuarit e tjerë, kishte emëruar persona të besuar në pozita të ndryshme, me qëllim të ruajtjes së kontrollit brenda strukturave të UÇK-së gjatë periudhës së përfshirë në çështje.

    Sipas konstatimeve të paraqitura nga trupi gjykues, disa prej këtyre personave më pas u përfshinë në kryerjen e krimeve, ndërsa të tjerë kishin dijeni për to.