ATV

Category: Lajme

  • Shkarkohet nga detyra, prokurorja largohet në lot nga salla

    Shkarkohet nga detyra, prokurorja largohet në lot nga salla

    Një prokurore e Prokurorisë së Tiranës është shkarkuar nga detyra këtë të mërkurë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

    Prokurorja Ornela Rrumbullaku u largua në lot nga salla ku u dha vendimi, siç shihet nga fotot e siguruara nga LSA, raporton A2CNN.

    Gjatë seancës dëgjimore të së hënës, Rrumbullaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa KPK nuk evidentoi probleme sa i përket kriterit profesional.

    Por, asaj iu kërkuan shpjegime për burimin e pasurisë së bashkëshortit të saj, të krijuar nga aksione në disa shoqëri private.

    Prokurorja i kundërshtoi pretendimet e KPK, duke thënë se bashkëshorti nuk kishte investuar para për të blerë këto aksione, por ishte dakorduar me ortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.

  • ​BDI: Skandaloze qëndrimet e Vlen kundër gjuhës shqipe

    ​BDI: Skandaloze qëndrimet e Vlen kundër gjuhës shqipe

    Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që qëndrimet e hyzmeçarëve të VMRO dhe shkelësve të vullnetit të shqiptarëve, kundër gjuhës shqipe janë skandaloze dhe të papranueshme.

    Sipas BDI-së, çdo ditë, të parët e hyzmeçarëve, kryevazalët, dalin me qëndrime arsyetuese për deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kundër gjuhës shqipe dhe përsërisin qëndrimet e VMRO DPMNEsë.

    “Ky hap do të jetë goditja e rradhës dhe më e rëndë që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, legjitimitetit etnik, barazisë në vend dhe marrëdhënieve ndëretnike. Darko Kostadinovski u zgjodh anëtar në Gjykatën Kushtetuese si propozim i VMRO DPMNE, konkretisht ish Presidentit Ivanov, ndërsa u bë kryetar në kohën e kësaj qeveria me legjitimitet monoetnik. Justifikimi nga VLEN dhe mediat e afërta me to për sakatosjen e gjuhës zyrtare shqipe është skandaloz dhe flet ata që janë të shitur, por edhe që po e shesin kombin shqiptar për pozitat e tyre. Presupozimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kryetarit të saj është presion politik mbi gjykatësit dhe bëhet me porosi nga qeveria me legjitimitet monoetnik për ti poshtërsuar shqiptarët”, thuhet në reagim.

  • Malaj: Po punojmë për skemë të re për pensione më të larta

    Malaj: Po punojmë për skemë të re për pensione më të larta

    Ministri i Financave të Shqipërisë, Petrit Malaj deklaroi sot se deri në fund të vitit parashikohet ulje e nivelit të borxhit me 0.7 % krahasuar me vitin 2023, duke çuar atë në nivelin 58.2 %.

    Gjatë një konference për shtyp, Malaj foli për performancë pozitive të ekonomisë gjatë këtij 7-mujori, ndërsa lajmëroi ndërmarrjen e një reforme në skemën e pensioneve, e cila siç theksoi ai ka nevojë për një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit.

    “Në fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pesione më të larta për njerëzit”, tha ai.

    Ai foli dhe për sfidat tij si ministër Financash.

    “Përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe administrimi prudent i buxhetit të shtetit dhe borxhit publik. Në fokus është përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, dhe alokimi i investimeve publike në ato sectorë që kanë kontributin më të madh në ekonomi.

    Në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, faktor të rëndësishëm do të luajë dixhitalizimi, përfshirja e inteligjencës artificiale, projekt për të cilin po punohet me Microsoft. Shpenzimet buxhetore do të orientohen e kanalizohen atje ku ka nevoja sociale, pa humbur fokusin në investimet në sektorë prioritare”, deklaroi Malaj./ATSH

  • ​Britania e Madhe dhe SHBA me opinione të ndara për Izraelin, kjo është arsyeja

    ​Britania e Madhe dhe SHBA me opinione të ndara për Izraelin, kjo është arsyeja

    Britania e Madhe dhe SHBA kanë opinione të ndara lidhur me politikat e tyre në lidhje me Izraelin dhe luftën e tij me Hamasin, pasi qeveria pezulloi disa shitje armësh në vend.

    Të hënën, Sekretari i Jashtëm David Lammy njoftoi se 30 nga 350 licencat e eksportit të armëve në Izrael do të pezulloheshin.

    Ky veprim shënoi divergjenca e parë e shitjes me shumicë të Mbretërisë së Bashkuar me SHBA-në që nga sulmet e 7 tetorit dhe erdhi ndërsa zyrtarët amerikanë po rikonfirmonin mbështetjen e tyre për Izraelin.

    Javën e kaluar, Kamala Harris i tha CNN se nuk do të lëkundet në mbështetjen e saj ndaj Izraelit.

    “Më lejoni të jem shumë e qartë. Unë jam e qartë dhe e palëkundur në angazhimin tim për mbrojtjen e Izraelit dhe aftësinë e tij për të mbrojtur veten,” tha ajo.

    Më pas, të martën, Matt Miller, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte asnjë ndikim në SHBA dhe se ata nuk do të ndalonin shitjet e armëve.

    Ai tha: “Ata arritën në këtë përfundim. Ne kemi rishikime që janë në vazhdim”.

    Miller tha se të dy vendet kishin folur përpara njoftimit, por se qëndrimi i SHBA mbeti i pandryshuar.

    Duke u larguar nga një pyetje se si ndiheshin SHBA për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar, Miller në vend të kësaj tha: “Mbretëria e Bashkuar është një vend sovran, është një vendim që përfundimisht ata duhet ta marrin.”/SkyNews

  • Krasniqi: 4 shtatori është datë historike për Kosovën

    Krasniqi: 4 shtatori është datë historike për Kosovën

    Deputetja Rrezarta Krasniqi, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ka theksuar rëndësinë e 4 shtatorit si një datë historike për Kosovën, duke përmendur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilat forcojnë lidhjet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në.

    Ajo vlerëson rolin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në këto arritje, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të këtyre marrëveshjeve për të ardhmen euroatlantike të vendit.

    Postimi i plotë:

    4 shtatori është datë historike për Kosovën

    Nga shpallja e pavarësisë, dy marrëveshjet më të rëndësishme për Kosovën janë: Marrëveshja për Stabilizim Asociim me BE-në e vitit 2015 në Qeverinë Mustafa dhe Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020. E para vendos marrëdhënie kontraktuale formale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian sikurse çdo vend tjetër që aspiron anëtarësimin në BE. Ndërkaq, marrëveshja e dytë e vendos Kosovën në një tjetër trajektore të konsolidimit të shtetësisë dhe fuqizimit ekonomik.

    Marrëveshja e 4 shtatorit është historike sepse është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në shtëpinë që ka sjellë gjithmonë gjëra të mira për Kosovën.

    Kryeministri Avdullah Hoti do të mbetet në histori për Marrëveshjen e Washingtonit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës është lidhja më e sigurtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Marrëveshjet në Shtëpinë e Bardhë i sjellin vetëm të mira Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet sepse është e domosdoshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

    Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!🇽🇰🇺🇸

  • Vizita e shefit të CIA-s në AKI – U zbulua pllaka me porosi të veçantë

    Vizita e shefit të CIA-s në AKI – U zbulua pllaka me porosi të veçantë

    Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), në faqen e saj zyrtare ka njoftuar për vizitën dhe takimin që kreu i CIA-s, William Burns, kishte pasur me kreun e AKI-së, Petrit Ajetin, më 22 gusht.

    AKI ka bërë të ditur se në shenjë mirënjohjeje për SHBA-në, CIA-n dhe personalisht William Burns, në objektin qendror të AKI-së është vendosur pllaka simbolike ku janë të vendosura dy emblemat e dy agjencive, CIA dhe AKI.

    Pllakën e kanë zbuluar dy drejtorët, Petrit Ajeti dhe William Burns.

    Në këtë pllakë, përveç emblemave të dy agjencive, qëndron mesazhi që ia kishte transmetuar oficeri ushtarak amerikan Joseph Burns të birit të tij, William Burns-it: “Asgjë nuk mund të të bëjë më krenar sesa shërbimi me nder ndaj vendit tënd!”

  • Kurti: Për të përmirësuar kushtet arsimore çdo vit e kemi rritur buxhetin

    Kurti: Për të përmirësuar kushtet arsimore çdo vit e kemi rritur buxhetin

    Në fshatin Dumosh të Podujevës është bërë përurimi i shkollës së re “Musli Dumoshi”.

    Në përurimi e këtij objekti po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci e kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    Këtu kryeministri Kurti tha se në këto klasa do të rriten e ndritën mendjet e reja. U shprehe se për të përmirësuar kushtet arsimore çdo vit e kemi rritur buxhetin për arsim. Ai po ashtu tha se do të vazhdojnë te rrisin mbështetjen e shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve e sipas tij përkrahja do te jetë e pandërprerë.

    Ndërkohë, vlera financiare e kësaj shkolle është mbi 580 mije euro.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u shprehe se vazhdojnë të punojnë çdo ditë për ofrim e kushteve më të mira për nxënësit. Ajo tha se beteja jonë tani është për avancimin dhe shkollimin e fëmijëve tanë.

    Kryetari i komunës së Podujevës , Shpejtim Bulliqi foli për investimet në këtë shkollë. Tha se ky projekt ka filluar në qershor të 2023 dhe është realizuar me komplet buxhetin e Komunës.

  • Policia shënon 25 vjetorin e themelimit me plot aktivitete

    Policia shënon 25 vjetorin e themelimit me plot aktivitete

    Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të themelimit, Policia e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh të ndryshme, raporton Ekonomia Online.

    Në aktivitetet e parapara, të cilat kanë filluar të mërkurën dhe do të vazhdojnë deri në ceremoninë qendrore e cila mbahet me 6 shtator, pritet të marrin pjesë personalitetet e larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete nga Kosova, rajoni dhe me gjerë.

    Ndër aktivitetet e organizuara jënë garat sportive të cilat tashmë janë realizuar, parada një zyrtar-një fëmijë në dy sheshe të Prishtinës, muzikë dhe vallëzim e prezantime të ndryshme.

    Agjenda e detajuar e aktiviteteve:

    04.09.2024
    10:00 – 14:00: aktivitetet e Policisë në Bashkësi (DPBP) dhe demonstrimi i disa njësive speciale të PK-së në shesh -Vendndodhja: Prishtinë sheshi Zahir Pajaziti.

    Aktivitetet e Policisë në Bashkësi (DPBP)

    Akomodimi – sistemimi i pjesëmarrësve rreth platosë (fëmijët me balona),

    Fillimi i ndeshjes së futbollit: policët e rinj dhe një klub i futbollit U-17,

    Parada sheshi ‘Ibrahim Rrugova’–‘Zahir Pajaziti’ një zyrtar–një fëmijë,

    Recital nga fëmijët dhe realizim i vizatimeve për Policinë,

    Muzikë dhe vallëzim modern nga Policia dhe fëmijët,

    Prezantimi nga Njësitë Speciale të PK-së

    Njësia e Dronëve dhe Anti dronëve,

    Njësia K-9, (njësia me qen),

    Njësia për trajtimin e mjeteve eksploduese (NJTME).

    06.09.2024
    08:00-16:00 – porta e hapur (Drejtoritë Rajonale të Policisë si dhe stacionet policore organizojnë portën e hapur për qytetarë),

    11:00 – 13:00 – ceremonia qendrore -Vendndodhja: hotel Emerald,

    14:00 – 15:00 – Aktivitete tjera.

  • ​Qeveria lë anash nxënësit nga Lugina që jetojnë në Kosovë, nuk subvencionohen për tekstet

    ​Qeveria lë anash nxënësit nga Lugina që jetojnë në Kosovë, nuk subvencionohen për tekstet

    Nxënësit shqiptarë nga Lugina e Preshevës që jetojnë në vendin tonë nuk po subvencionohen për tekste shkollore. Edhe pas fillimit të vitit të ri shkollor, ata nuk janë pajisur me libra e materiale të tjera. Në mungesë të dokumenteve të Kosovës, prindërit e tyre nuk mund të aplikojnë në platformën eKosova për subvencionim. E derisa kjo po konsiderohet padrejtësi nga njohës të sistemit të arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zotohet se asnjë nxënës nuk do të mbes pa tekste mësimore.

    Një prind nga Medvegja i ka thënë KosovaPress-it, se nuk ka mundësi që vet të blejë librat për dy fëmijët e tij

    Agimi, i cili flet në kushte anonimiteti tregon se dy fëmijët të cilët vijojnë mësimin në Prishtinë, ende nuk janë pajisur me libra. Ai tregon se ata kanë lindur në Kosovë, por ai vet është pajisur së fundmi me leje qëndrim.

    “Ndihmë prej shtetit nuk kemi asgjë. As vjet, as sivjet nuk kanë investuar asgjë. Unë i kam dokumentet e Medvegjës, fëmijët janë të lindur këtu në Kosovë, edhe nuk ka asnjë gjasë se do t’i japin librat për fëmijë…Që dy vjet unë jam duke i paguar për fëmijët me parat e mia…Për këtë vit ende nuk kam arritur t’i sigurojë, ende nuk kam arritur të investojë (t’i blejë) librat….Shqetësuese është shumë, por nuk po ke ku qetësohesh”, deklaron ai për KosovaPress.

    Që nga fillimi kur është hapur mundësia për aplikim të subvencionimit të teksteve shkollore, ai tregon se kanë njoftuar ministrinë e drejtorinë e shkollës por nuk kanë marrë përgjigje.

    “Shkojmë në ministri, ata na thonë shko diku tjetër, drejtoria e shkollës ka thënë që duhet me iu dhënë, ministria po thotë që nuk iu takojnë se nuk i kanë dokumentet e Kosovës. Mirëpo, fëmijët janë të lindur e të rritur në Kosovë”, shton ai.

    Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për KosovaPress, se praktika e subvencionimti të teksteve shkollore ka disa të meta.

    “Praktika e subvencionimit pa dyshim që përkundër që qëllim mirë na ka dëshmuar edhe këtë vit që ka disa të meta brenda sistemit që shumë lehtë kthehen në padrejtësi për prindër dhe nxënës të cilët kanë qasje të kufizuar në platformë. E cila është kjo qasje e kufizuar, pa dyshim janë ata prindër që nuk janë shtetas të Kosovës dhe të cilët e-Kosova nuk i njeh dhe për rrjedhojë aplikimi i tyre bëhet i pamundur, sikurse që është edhe e kundërta kur plot prindër dhe nxënës që nuk janë rezidentë dhe jo anëtar të shkollave në Kosovë, mirëpo të njëjtit përfitojnë nga kjo skemë. Ajo çka është e domosdoshme është që platforma të filtrojë nxënësit në bazë të listave të shkollave të pranuara nga ana e institucioneve arsimore”, deklaron ai.

    Ai thekson se ka raste të keqpërdorimit të këtyre mjeteve, kur diaspora aplikon ani pse fëmijët nuk vijojnë mësimin në Kosovë.

    “Për ata prindër dhe nxënës që janë pjesë të shkollës, apo që për arsye të rezidencës nuk janë të përfshirë në platformë pa dyshim që është padrejtësi, për të cilën kërkohet llogaridhënie pasi që nuk është ndonjë risi. Rikujtoj që aplikimi për subvencionim tash është në vitin e dytë dhe ka plot mësime të mira dhe probleme që janë ballafaquar nga viti paraprak që do të duhej të kishin zgjidhje, sikurse edhe kjo e fundit që padyshim ai komunitet i prindërve në këtë rast të banorëve me prejardhje nga Lugina e Preshevës një trajtim më të dinjitetshëm dhe të barabartë në subvencionim dhe jo vetëm…Në ekstremin tjetër ajo që na është dëshmuar janë aplikime nga banorët jo rezidentë të Kosovës, por që janë me nënshtetësi të Kosovës, platforma ia mundëson atë dhe ky fleksibilitet dhe kjo hapje e platformës karshi kujtdo që është prind dhe që ka nënshtetësi të Kosovës pa dyshim mund të keqpërdoret”, shton Qehaja.

    Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zotohet se asnjë nxënës nuk do të mbes pa tekste mësimore.

    “Tekstet janë për fëmijët të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, por marrë parasysh se kemi numër të konsiderueshëm të fëmijëve sidomos këtu në shkollat në Prishtinë dhe Fushë Kosovës, të cilët janë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, edhe vitin e kaluar kemi gjetur një zgjidhje. Besoj që edhe këtë vit do të furnizohen edhe ata dhe për këtë kemi qenë në bashkëpunim me AShI-në në mënyrë që të adresohet aplikimi i këtyre kujdestarëve ligjor. Por, e rëndësishme është që asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste mësimore”, u shpreh ministrja Nagavci.

    KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës për lehtësirat që po aplikohen për pajisje me dokumente të Kosovës nga banorët e Luginës së Preshevës, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje. /kp

  • ​Sërish forca të shtuara të KFOR-it mbi Urën e Ibrit

    ​Sërish forca të shtuara të KFOR-it mbi Urën e Ibrit

    Sot në mëngjes përsëri janë parë forca të shtuara të ushtarëve dhe automjeteve të KFOR-it mbi Urën e Ibrit, raporton TëVë1.

    Edhe të shtunën trupa e automjete të shtuara të KFOR-it janë parë mbi Urën e lumit Ibër.

    Arsyeja e vendosjes së tyre kishte të bënte me një trajnim që karabinierët italianë e kishin mbajtur.

    “Është një situatë krejtësisht normale për KFOR-in përveç se ka rastis që të jetë sot e shtune dhe ku ne po zhvillojmë një trajnim për situata të caktuara mbi urën kryesore të Ibrit. Kjo është arsyeja pse sot qytetarët po shohin numër më të madh të pjesëtarëve të KFOR-it dhe po iu duket se gjendja është e tensionuar. Po e përsëris situata është krejtësisht normale për neve KFOR-in”, kishte thënë për Kosovapress një burim brenda KFOR-it italian.