Një shtëpi në fshatin Brestovik të Pejës është përfshirë nga zjarri ditën e djeshme.
Si pasojë e kësaj zjarri ka filluar të përhapej edhe në një shtëpi tjetër.
Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se njësitet policore dhe zjarrfikësit së bashku edhe me banorët kanë shuar zjarrin në tërësi.
Sipas policisë nuk raportohet për persona të lënduar , ndërsa rasti është duke u hetuar.
“Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë vërejtur një shtëpi që e kishte kapluar zjarri dhe kishte filluar të përhapej edhe në një shtëpi tjetër. Njësitet policore, zjarrfikësit s’ bashku edhe me banorët kanë shuar zjarrin në tërësi. Të lënduar nuk ka, ndërsa lidhur me rastin është informuar edhe prokurori. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Një person i paidentifikuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të riu në Pejë më tre shtator, derisa rasti në Polici është raportuar ditën e djeshme.
Në raportin 24 orësh të policisë, bëhet e ditur se viktima sipas raportimit të babait të tij, ka pësuar lëndime, por ende nuk dihet nëse ka pranuar tretman mjekësor.
Për shkak të frikës, sipas raportimi të ankuesit viktima ka rezervuar një biletë avioni dhe është larguar menjëherë pas incidentit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe kanë gjetur e konfiskuar dy fishekë dhe dy gëzhoja cal-7.62.
Viktima sipas Policisë nuk ka qenë i qasshëm për njësitet policore për t’u intervistuar.
“Me datë 04.09.2024 ankuesi kosovar ka raportuar se, me datën dhe kohën e cekur, persona të panjohur për motive ende të panjohura kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës-djalit të tij. Viktima, sipas ankuesit ka pësuar lëndime, por tretman mjekësor nuk dihet nëse ka pranuar pasi sipas ankuesit i njëjti nga frika ka rezervuar biletën e aeroplanit dhe është larguar. Njësitet në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 2-fishekë dhe 2 gëzhoja cal-7.62 mm. Viktima nuk ka qenë i qasshëm për njësitet policore për t’u intervistuar. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Administrata e Shteteve të Bashkuara pret që niveli i bashkëpunimit dhe mbështetjes për Ukrainën të mbetet i pandryshuar pas riorganizimeve të fundit në qeverinë ukrainase, të njoftuara të mërkurën.
Kjo është sipas këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për komunikimin e sigurisë kombëtare, John Kirby, i cili foli në një konferencë të mërkurën.
“Kjo nuk do të ndryshojë mënyrën se si ne ndërveprojmë me Ukrainën, sigurisht që nuk do të ndryshojë mbështetjen që ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë atyre”, tha përfaqësuesi nga administrata Joe Biden.
Ai gjithashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara në këtë kontekst nuk i ofrojnë asnjë këshillë Ukrainës se si të menaxhojnë demokracinë e tyre.
Siç raporton Ukrinform, disa ministra nga Qeveria e Ukrainës kanë dorëzuar dorëheqjet të mërkurën.
Diaspora kosovare e shpërndarë në shumë vende të Evropës dhe me tej, ka një ndikim të rëndësishëm në Kosovë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në zhvillimin kulturor.
Raportet e diasporës me vendin e origjinës janë shpesh të ndikuara nga dallimet në perspektiva, në mënyrën e jetesës dhe parimeve që i përfaqësojnë.
Në edicionin e parë të sezonit të ri të emisionit “Libero” u trajtua pikërisht tema e rolit të diasporës në shoqërinë kosovare.
Një prej dallimeve kryesore që vihet në pikëpyetje është ai se “A jemi ne ata dhe a janë ata ne?”.
Gazetari Viktor Buzhala ishte njëri nga të ftuarit e këtij edicioni i cili tregoi që diaspora ka rol të veçantë në ekonomi, por që sipas tij duhet të ndikoj po ashtu edhe në aspektin e civilizimit.
“Diaspora është shpirti i ekonomisë tonë. Por, çka pritet prej diasporës? Nga diaspora pritet që kur të vijnë këtu, na të importojmë nga ata civilizim, domethënë një qytetar i yni që jeton në Gjermani, le të vjen dhe të sillet si gjerman e të na tregon pak kulturë gjermane këtu, e jo e kundërta”, u shpreh ai.
Ai theksoi po ashtu që është e çuditshme se si qytetarët evropian shfrenohen dhe nuk tregojnë civilizim gjatë qëndrimit në Kosovë.
Kultura e diasporës është shpesh më e ndikuar nga ambienti ku ata jetojnë, duke krijuar një identitet të përzier që ndonjëherë nuk përputhet plotësisht me atë të Kosovës. Kjo gjë ka kontribuar në mënyrë që disa emigrantë të ndjejnë se ata janë “të huaj” në vendin e prejardhjes. Por në anën tjetër, shumica e familjeve emigrante janë të lidhur ngushtë me Kosovën përmes ruajtjes së traditave dhe kulturës së përgjithshme që na karakterizon si popull.
E pikërisht kjo po i bën ata shpeshherë të shquhen si mbajtës së zakoneve tradicionale. Kjo shihet qartë gjatë sezonit veror kur ata zgjedhin që pushimet e tyre vjetore t’i kalojnë në Kosovë.
Ndonëse ky komunitet dhe ardhja e tyre këtu ka kontribuar historikisht në zhvillimin ekonomik të vendit, mërgimtarët shpesh hasin vështirësi në përshtatjen me ndryshimet e shpejta sa i përket zhvillimit intelektual dhe kulturës moderne që po ndodhin në Kosovë dhe lenë vend për keqkuptime mes diasporës dhe vendaseve.
Kjo ndonjëherë krijon një ndjesi tensioni duke nxitur më tej përplasje të panevojshme.
Raportin dhe keqkuptimet mes të dyjave palëve, Fjolla Hajrizaj e ftuar në ketë diskutim i sheh si çështje të cilën kontribuojnë pikërisht të dyja palët. Sipas saj këto keqkuptime ndodhin sepse ne i japim hapësirë, duke harruar të fokusohemi në mbajtjen e raporteve të mira.
“Nëse ne i lëmë hapësirë më shumë mallit dhe dashurisë që kemi ndaj tyre, falënderimit dhe mirënjohjes për kontributin që ata e japin tek ne, i lënë keqkuptimet në rend të dytë. Është viti 2024, nuk duhet të ndeshemi me probleme si “ I thash e më tha” sepse tregojnë shumë për neve si popull. Tash na është ofrua mundësia që mundemi me shku me e pa jetën që po e bëjnë ata, storjet nuk janë më të një-anshme , tash mund ta kemi një pikturëmë të qartë se si jetojnë, si janë ata në raport me kulturën e vendit pritës, sa nga ajo kulturë na sjellin neve dhe sa ata marrin ata nga kultura jonë, qysh ne e plotësojmë njëri-tjetrin në këtë mozaik”, tha mes tjerash Hajrizaj.
Ndërkohë, ekonomisti Safet Gërxhaliu theksoi se vitet e fundit po shihet një frymë e re e avancimit të individëve që jetojnë në vendet evropiane.
“Unë për vete, kur shkoj sot nëpër universitete evropiane, nëpër banka në Zvicër, nëpër kompani të sigurimeve, spitale, është krenari t’i dëgjosh dhe kontaktosh me shqiptarët. Këta njerëz janë përshtatur me ambientin ku jetojnë dhe definitivisht ta zbardhin ftyrën, por në anën tjetër, kur janë në Kosovë, rrethi i tillë ndikon në sjelljen e tyre”, theksoi Gërxhaliu.
Gjatë këtij emisioni u diskutua edhe për hapësirën mediale që po i jepet diasporës gjatë sezonit të verës, me ç ‘rast shumë deklarata të thëna nga vet qytetarët që vijnë nga diaspora, po bëhen shumë të klikuara dhe po (keq)interpretohen nga mediat.
E për këtë çështje ka reaguar Mirjeta Dervishi, e cila ka vite që jeton jashtë Kosovës. Në një lidhje të drejtpërdrejt nga Gjermania gjatë transmetimit të emisionit, në diskutim me të ftuarit në studio, ajo tha se (mërgimtarët po shfrytëzohen për klikime dhe po bëhet një padrejtësi në trajtimin e tyre, të cilët shkaku i mos njohjes së gjuhës po bëhen pre e meme-ve në rrjetet sociale.
Për të shikuar emsionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mbajti sot ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve numër 68 përmes metodës së likuidimit dhe shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Sipas AKP-së, për 46 asete sa ishin në shitje gjithsej u pranuan 56 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1 milion e 534 mijë e 817 euro.
“Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, si dhe investitorëve të pranishëm. Po ashtu është bërë transmetimi i drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë për të gjithë qytetarët e interesuar që nuk kanë qenë të pranishëm në sallë”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se rezultatet e ofertave mund të gjinden në ueb faqen e AKP-së: www.pak-ks.org.
Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.
Sot, Komanda Rajonale Perëndim e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhuroi një kënd lojërash për fshatin Hoçë e Madhe, në komunën e Rahovecit. Këndi i lojërave është instaluar në qendrën historike të fshatit.
“Në ceremoni morën pjesë komandanti i Komandës Rajonale të KFOR-it Ëest, kolonel Rocco Mundo, drejtoresha e kopshtit lokal, znj. Ljiljana Radiç, dhe përfaqësues i komunitetit të Velika Hoka, z. Miroslav Lukic”, thuhet në njoftimin e KFOR.
Më tej thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX), të cilët janë respektivisht reaguesit e parë dhe të dytë të sigurisë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur sot se në këto 3 vite Shqipëria ka marrë 538 medalje të ndryshme sportive, kjo falë investimeve dhe mbështetjes që është dhënë për lëvizjen sportive në Shqipëri.
Në ceremoninë zyrtare të pritjes së medalistëve Olimpikë në kryeministri, Kryeministri theksoi se “Shqipëria u ofron sportistëve dhe atyre që duan të ngjiten më lartë në sport, kushte që kurrë më parë nuk i kanë pasur. Kishte shumë nga ata që thoshin se ne nuk kishim pse gëzoheshim për këto medalje se këto nuk ishin medaljet tona, nuk ishin medaljet e Shqipërisë, këto nuk ishin medaljet e një rruge pune, përpjekjesh dhe bashkëpunimi të të gjitha forcave për t’ja dalë. Se këto ishin medalje që na erdhën si rezultat i dy djemve të ardhur nga larg, që u gjendën rastësisht këtu në Shqipëri dhe në rrugë kapën autobuzin e skuadrës olimpike, shkuan në Francë dhe morën medalje”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje listën e medaljeve të Shqipërisë në kampionate të ndryshme nga kampionate evropiane, mesdhetare, ballkanike, tek turne të ndryshme ndërkombëtare, nga viti 2021 në vitin 2024.
“Në këto 3 vite Shqipëria ka marrë 538 medalje. Natyrisht që janë medalje të niveleve të ndryshme pot në të gjitha rastet janë medalje ku shqiptarë të të gjitha moshave kanë garuar me të tjerë këtu në Ballkanin e vogël dhe më gjerë në Europë, në turne të ndryshme ndërkombëtarë dhe kanë sjellë 538 medalje. Këto janë medalje të një lëvizje sportive që është vënë në lëvizje në Shqipëri”, theksoi Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se këto medalje janë dallëndyshet e para të një historie që do të sjellë medalje të tjera. /ATSH/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet e sigurisë, si dhe raportet Kosovë-Suedi.
Në komunikatë bëhet e ditur se në takim, presidentja dhe ambasadori Westerlund diskutuan edhe për integrimin euroatlantik të Kosovës, me ç’rast Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Suedisë në këtë drejtim.
Duke qenë se Kosova është 100 për qind e linjëzuar me politikat e BE-së si dhe duke marrë parasysh reformat e kryera në vend, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, presidentja potencoi domosdoshmërinë e vlerësimit të shteteve aspiruese, përfshirë Kosovën, bazuar në merita.
Në takim po ashtu u diskutua edhe për përpjekjet e Kosovës për avancimin e prezencës së saj ndërkombëtare si dhe për hapat tutje sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Tutje bëhet e ditur se presidentja Osmani dhe ambasadori Westerlund diskutuan edhe për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral midis Kosovës dhe Suedisë, përfshirë bashkëpunimin tregtar, investimet potenciale suedeze, bashkëpunimin në fushën e teknologjisë informative si dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Në prag të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës janë mbajtur një sërë aktivitetesh në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke përfshirë demonstrimin e disa njësive speciale të PK-së, prezantimi i Njësisë së Dronëve dhe Anti dronëve, Njësisë me qentë, Njësisë për trajtimin e mjeteve eksploduese (NJTME) e të tjera.
Përveç këtyre, pati aktivitete edhe për fëmijë, si ndeshje basketbolli, recital nga fëmijët, realizim i vizatimeve për Policinë, muzikë dhe vallëzim modern nga Policia dhe fëmijët.
Në këtë organizim mori pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, derisa u shpreh i lumtur për dashurinë që fëmijët kanë për Policinë e Kosovës, potencoi se do të kujdesen që të gjithë ata që kanë vullnet të bëhen pjesë e PK-së.
“Tash ka filluar viti i ri shkollor dhe më bëhet zemra mal kur shohë që fëmijët edhe nxënësit e duan policinë e Kosovës, e cila na e mbron Republikën, e zbaton ligjin dhe iu shërben të gjithë qytetarëve pa dallim…Ne do të kujdesemi që të gjithë ata që e kanë vullnetin dhe përgatitjen të bëhen policë në mënyrë që të na garantojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit. Ju duhet të mësoni sa më shumë e sa më mirë, sepse ju jeni edhe tashmja edhe e ardhmja e vendit tonë”, tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shprehu kënaqësinë për vendosmërinë, ngazëllimi dhe vullnetin e fëmijëve që në të ardhmen t’i shërbejnë vendit duke u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
“Me të vërtetë është kënaqësi me qenë në mesin e këtyre fëmijëve. Ju thatë e tashmja, por edhe e ardhmja e shumë më e mirë se tash. Duke parë këtë vendosmëri, ngazëllim, këtë dashuri të policisë për fëmijët, dhe këtë dashuri të fëmijëve për policinë, unë të gjithëve iu dëshiroj suksese në jetë shfrytëzoj rastin t’i uroj 25 vjetorin e policisë së Kosovës, të kenë sa më shumë suksese dhe sa më pak punë”, potencoi Sveçla.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se janë zhvilluar kapacitetet e policisë, kështu duke arritur të fitojnë besimin e qytetarëve me forcën policore.
Ai potencoi se siguria e qytetarëve të Kosovës është e garantuar ngase sipas tij gjeneratat e ardhshme po shprehin vullnet dhe pasion për t’iu bashkangjitur policisë së Kosovës.
“Jemi të gëzuar edhe të kënaqur që po festojmë këtë përvjetor. Jemi rritur si polici, kemi zhvilluar kapacitetet, por mbi të gjitha mendoj që kemi rritur të fitojmë dhe të mirëmbajmë besimin e qytetarëve tonë me forcën tonë policore. Kjo është gjëja më e madhe, sepse ne jemi policia e këtij populli…dhe vendit tonë, duke mbrojtur kufijtë tanë, duke mbrojtur për ditë sigurinë e fëmijëve tanë, qytetarëve tanë, punëtorëve tanë, arsimtarëve tanë…Siguria e qytetarëve tanë është e garantuar sepse kemi breza të ardhshëm që kanë vullnet, dëshirë dhe pasion për t’iu bashkangjitur policisë t’i shërbejnë vendit të tyre dhe qytetarëve”, tha Hoxha.
Togeri Shukri Islami prezantoi disa prej pajisjeve të ekspozuara të cilat përdoren nga njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive. Bllokuesi i frekuencave, robot kostumi dhe anti droni janë disa nga pajisjet për të cilat Islami tregoi funksionin e tyre.
“Sot i kemi ekspozuar disa prej pajisjeve të cilat i përdor njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive. Pajisja e parë është një bllokues i frekuencave, i cili përdoret në raste kur dyshojmë që mjete eksplozive të cilat janë me teledirigjim. Kemi robot kostumin mbrojtës antibombë, të cilin operatori e vesh në rastet kur shkon tek ndonjë mjet që dyshohet që është mjet shpërthyes si dhe e kemi edhe pajisjen antidron e cila përdoret në rastet kur kemi ndonjë dron duke fluturuar që është i dyshimtë…Është edhe roboti që komandohet përmes komandës prej distancës. Përdoret në raste kur dyshojmë që është mjeti shpërthyes dhe për të mos rrezikuar operatorin, në disa raste e dërgojmë robotin”, tregoi Islami.
Këto aktivitete kanë filluar para disa ditësh dhe do të vazhdojnë deri në ceremoninë qendrore e cila mbahet me 6 shtator, ku pritet të marrin pjesë personalitetet të larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete nga Kosova, rajoni dhe me gjerë. /kp
Nga 16 shtatori punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovës do të nisin grevën.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, pas takimit që ka pasur me punëtorët.
Azemi ka bërë të ditur se punëtorët teknik kanë kërkuar pagë 550 euro, ndryshe kanë deklaruar se nuk punojnë.
“Sot u mbajt takim me punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovës , ku u mor vendim që me datë 16 .09.2024 të fillohet me grevë pasi që pagat e tyre janë shumë të ulëta, ato kërkojnë 550 euro pagë, përndryshe deklarojnë se nuk do të punojnë”, ka shkruar Azemi në Facebook.