ATV

Category: Lajme

  • Bislimi mirëpriti ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Kosovë

    Bislimi mirëpriti ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Kosovë

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi mirëpriti sot në takim njoftues ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Karin Boven.

    Kosova dhe Holanda gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ambasadorja Boven në takimin e tyre të parë folën për mundësitë dhe vullnetin për t’i thelluar edhe më tej ato, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe tregtar, por edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.

    Në fokus të bisedës ishin zhvillimet e fundit në fushën e integrimit evropian, zhvillimi ekonomik dhe marrëdhëniet rajonale. Ambasadorja Boven u njoftua rreth qeverisjes së deritanishme, rezultatet në fushën e sundimit të ligjit, indikatorët ekonomikë, përparimin demokratik, si dhe për procesin e dialogut, reformat evropiane, dhe hapat e fundit para dorëzimit formal të Planit të Rritjes te Komisioni Evropian.

    Gjatë diskutimit, u theksua rëndësia dhe nevoja për largimin e menjëhershëm të masave të BE-së ndaj Kosovës në mënyrë që vendi ynë të arrijë potencialin maksimal të agjendës evropiane, gjë që është në interes edhe të Bashkimit Evropian, përveç se Kosovës dhe qytetarëve të saj.

    Ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj Mbretërisë së Holandës për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, për partneritet dypalësh dhe për kontributin e ambasadës së Holandës në fuqizimin e shoqërisë civile në vend, ndërkaq ambasadores Boven i uroi suksese në detyrën e saj të re dhe mirëseardhje në Kosovë.

  • KMDLNj: Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po bëhet për qëllim të përfitimeve elektorale

    KMDLNj: Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po bëhet për qëllim të përfitimeve elektorale

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNj), e ka quajtur për qëllime elektorale Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Përmes një komunikate për media, KMDLNj, ka thënë kërkuar nga partitë opozitare që ta refuzojnë këtë propozim të MD-së, nëse nuk është në përputhje të plotë me kërkesën e opozitës dhe Kushtetutën e Kosovës.

    Komunikata e plotë:

    Ministrja e Drejtësisë, në një konferencë për media dje tha se janë bërë ndryshimet e nevojshme prandaj pritet që së shpejti të dërgohet në Kuvend për votim. Ky ligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese për faktin se ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ligji për Byronë ishte njëri ndër premtimet kryesore të partisë në pushtet andaj edhe po bëhen përpjekje maksimale që ky ligj të bëhet funksional. Ligji për Byronë në vendet fqinje ka siguruar një bazë ligjore për ta luftuar opozitën andaj ka hasur në shumë probleme.

    Edhe në Kosovë partitë në pushtetit bënin përpjekje që përmes politizimit të Byrosë për Konfiskim të Pasurisë, ta luftojnë opozitën duke e kriminalizuar ende pa filluar hetimet për të cilat, në vend të provave do të merrej parasysh mënyra e jetesës dhe gjendja materiale e që paraqet non sens për një gjyqësor me integritet profesional dhe të pavarur. KMDLNj vlerëson se ngutja e MD për miratim të këtij ligji po bëhet për qëllim të përfitimeve elektorale pasi zgjedhjet janë afër. Partitë opozitare duhet ta refuzojnë këtë propozim të MD, nëse nuk është në përputhje të plotë me kërkesën e opozitës dhe Kushtetutën e Kosovës.

    Partitë opozitare, duke rënë në kurthën e pozitës pasi e votuan Marrëveshjen kriminale dhe raciste për burgje me Danimarkën duke e shkelur rëndë parimin kushtetues për barazinë e shtetasve të Kosovës dhe atyre që përkohësisht jetojnë në Kosovë. Ata, ne votimin e tyre në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës, në baza etnike dhe raciste diskriminuan të burgosurit dhe të dënuarit kosovarë duke privilegjuar të dënuarit e importuar nga Danimarka.

    Të dënuarit kosovarë nuk duhet ta pranojnë këtë diskriminim dhe duhet ta kundërshtojnë me të gjitha mënyrat paqësore. Propozimi i MD është manipulim për të fituar vota në zgjedhjet e ardhshme andaj duhet të refuzohet nga opozita. Qeveria e ardhshme duhet ta rishikojë Marrëveshjen raciste për burgje me Danimarkën sepse shkelë sovranitetin e vendit, rrezikon integritetin territorial dhe diskriminon qytetarët në baza etnike, si ata të Kosovës ashtu edhe ata që kundër vullnetit të tyre do të sillen nga Danimarka.

  • ​“Pastrimi” do t’i dërgojë borxhlinjtë tek përmbaruesi privat, kaq ditë u jep afat

    ​“Pastrimi” do t’i dërgojë borxhlinjtë tek përmbaruesi privat, kaq ditë u jep afat

    Kompania regjionale e mbeturinave “Pastrimi”, ka njoftuar se do të bëjë procedimin e borxheve në procedurën përmbarimore tek përmbaruesit privat.

    Në njoftim thuhet se procedimi i borxheve do të bëhet për klientët e amvisërisë, bizneseve dhe institucioneve përfshirë edhe institucionet publike të cilat kanë borxhe për faturat e mbeturinave.

    “Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A, pas njoftimeve të vazhdueshme ne media, rrjete sociale si dhe njoftimeve përmes vërejtjeve për pagesë të mbeturinave, njofton që do të bëjë procedimin e borxheve në procedurën përmbarimore tek Përmbaruesve Privat. Procedimi i borxheve do të bëhet për klientët e amvisërisë, bizneseve dhe institucioneve përfshirë edhe institucionet publike të cilat kanë borxhe për faturat e mbeturinave”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, afati kohor i përmbushjes së obligimeve të klientëve për pagesë të faturës së mbeturinave është deri nesër në ora 16:00.

    “Po ashtu, njoftojmë gjithë klientët që Kompania “Pastrimi”, ofron mundësinë e marrëveshjes për riprogramim të borxheve me këste deri 12 muaj. Ju bëjmë thirrje gjithë klientëve të Kompanisë “Pastrimi”, SH.A që të përmbushin obligimet e tyre që kanë ndaj kompanisë sonë sepse në rast të mospagesës së obligimeve (borxheve), ju njoftojmë që borxhet e pa paguara pas datës 06 Shtator 2024 do të procedohen tek Përmbaruesit Privat”, thuhet tutje në njoftimin e kompanisë “Pastrimi”.

  • ​Vuçiq: Nëse do të më lejonin ndërkombëtarët do ta vizitoja Kosovën

    ​Vuçiq: Nëse do të më lejonin ndërkombëtarët do ta vizitoja Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se që nesër do të vinte në Kosovës nëse do t’ia mundësonin forcat ndërkombëtare dhe ato shqiptare.

    “Jo vetëm në Mitrovicë, do të shkoja në Shtërpcë, do të shkoja edhe në Kamenicë, do të shkoja në çdo vendbanim të serbëve por nuk është çështje e zgjedhjes sime, por e vendimeve të tyre”, tha ai.

    Derisa e mohoi se në veri nuk po funksionon asnjë institucion i Serbisë, duke theksuar se atje dhe në komuna tjera po funksionojnë institucionet e arsimit dhe shëndetësisë.

  • Siguria e nxënësve, Komuna e Obiliqit në bashkëpunim me USAID përurojnë parkingun në Plemetin

    Siguria e nxënësve, Komuna e Obiliqit në bashkëpunim me USAID përurojnë parkingun në Plemetin

    Mungesa e një parkingu në shkollën me shqiptarë dhe komunitet ashkali si dhe në atë me serbë në fshatin Plemetin të Obiliqit ka rrezikuar jetën e nxënësve.

    Prandaj, komuna e Obiliqit, në bashkëpunim me kontratën sociale të USAID-it, kanë përuruar sot parkingun në kuadër të projektit “ Përmirësimi i kushteve të sigurisë në shkollat e Plemetinit”, për të garantuar kushte më të mira të sigurisë për nxënësit.

    Nënkryetari i komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi ka thënë se si komunë janë të angazhuar të bashkëpunojnë me të gjitha organizatat të cilat veprojnë në Kosovë, për një jetë më të mirë.

    “Si komunë jemi të angazhuar që të bashkëpunojmë me të gjitha organizatat të cilat aktivitetin e tyre e bëjnë në Republikën tonë, e sidomos me USAID-in me të cilin kemi nënshkruar dhe jemi në mesin e pesë komunave që kemi nënshkruar kontratën sociale”, ka thënë Mjekiqi.

    Ndërsa, nënkryetari i komuniteteve në Obiliq, Sllavisha Jakovleviq ka shtuar se ky projekt është i rëndësishëm në kuptimin e sigurisë të dy objekteve të shkollave.

    “Dëshirojmë që të dëshmojmë që bashkëjetesa është e mundshme. Së bashku me qytetarët kemi marrë pjesë në realizimin edhe të një projekti. Meqenëse nga aspekti financiar nuk është projekt i madh, megjithatë është i rëndësishëm në kuptimin e sigurisë të dy objekteve të shkollave”, ka shtuar ai.

    Po ashtu, kryetari i këshillit të fshatit, Vahudin Ibrahimi shpreson që në të ardhmen t’i përkrahin me projekte të cilat i nevojiten dy shkollave.

    “Ndoshta është një projekt i vogël por është për sigurinë e nxënësve tonë. Shpresojmë në të ardhmen që të na përkrahin me projekte të cilat i nevojitën këtyre dy shkollave paralele njëra serbe, njëra “Pandeli Sotiri”, është shprehur Ibrahimi.

    Ky projekt i USAID ka kushtuar rreth 24 mijë euro./KP

  • “Mashtrim i radhës”, Haradinaj i reagon Kurtit: Ushtria s’është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të tij

    “Mashtrim i radhës”, Haradinaj i reagon Kurtit: Ushtria s’është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të tij

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas takimit të kryeministrit Kurti me ministrat Murati e Maqedonci si dhe komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari në “Ballkonin e Hapur” të Qeverisë.

    Haradinaj ka thënë se është gjithmonë një lajm i mirë kur Kryeministri i vendit takon krerët e sigurisë, mirëpo sipas tij, ky është vetëm një “mashtrim i radhës” i tij.

    “Ushtari i Kosovës vazhdon të ketë pagë € 400, të ketë pajisje personale tepër joadekuate kurse rritjen e premtuar të pagës plotë ushtarë të FSK e arrijnë përmes përmbaruesve”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai shtoi se premtimi i Kurtit se Kosova do të ketë ushtri të detyrueshme doli të jetë vetëm mashtrim ordiner, teksa tha se “Fondi i Sigurisë” më as që përmendet nga ai.

    “Ushtria duhet të trajtohet nga shteti me dinjitet e respekt e jo me mashtrim. Ushtria nuk është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të Albin Kurtit”, ka shkruar Haradinaj.

  • Vullin takon Putinin në Rusi

    Vullin takon Putinin në Rusi

    Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar të mërkurën me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vullin në margjina të një forumi ekonomik në Vlladivostok.

    Në takim, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në platformën YouTube, Vullin ka thënë se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.

    Ai ka thënë se për shkak të qëndrimit të vet, Serbia është nën presion të jashtëzakonshëm.

    “Mirëpo, Serbia, e udhëhequr prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e paktit të NATO-s, që nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të lejojë kurrë që veprime anti-ruse të kryhen prej territorit të saj”, ka thënë Vullin.

    Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë më parë për Zërin e Amerikës se qëndrimi amerikan ndaj Vullinit “dihet mirë” dhe që ai është nën sanksione amerikane.

    Paraprakisht, Bashkimi Evropian u ka thënë mediave në Serbi se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e agresionit kundër Ukrainës, nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit”.

    “BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të paarsyetuar të Rusisë kundër Ukrainës”, ka thënë blloku evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 3 shtator.

    Forumi në Vlladivostik të Rusisë do të mbahet prej 3 deri më 6 shtator.

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se vizita e Vullinit në Rusi nuk përbën “asgjë aq të tmerrshme”.

    “Ne nuk kemi shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Federatën Ruse, nuk është e ndaluar për askënd që të takohet përfaqësuesit e Federatës Ruse”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Vuçeviq ka thënë se Serbia nuk e inkurajon luftën në Ukrainë dhe nuk e mbështet shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

    Ai ka rikujtuar që edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, si kryeministër i një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka qenë së fundmi në Moskë dhe është takuar me Putinin.

    “Nëse Orbanit i lejohet, natyrisht që edhe Vullini mund ta takojë. Nuk shoh ku është ndryshimi apo qasja ndryshe”, ka thënë kryeministri i Serbisë.

    Vullin ka qenë disa herë në Moskë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Ai është i njohur për lidhjet e tij me Rusinë, ndërsa prej 11 korrikut të vitit të kaluar është futur në listën e zezë amerikane për “korrupsion dhe veprime destabilizuese” me qëllim të avancimit të agjendave dhe interesave të tij personale, duke i bërë dëm paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor./REL

  • Agjencia e OKB-së për Motin paralajmëron “alarm të kuq” pas nxehtësisë rekorde

    Agjencia e OKB-së për Motin paralajmëron “alarm të kuq” pas nxehtësisë rekorde

    Rritja e temperaturave duhet të nxisë “alarm të kuq” global, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Mot dhe Klimë të mërkurën, pas rekordeve të thyera sërish në gusht.

    Bota ka regjistruar sërish rekord në temperaturat mesatare të gushtit, për herë të dytë radhazi, kanë treguar të dhënat preliminare të një agjencie të Bashkimit Evropian për Klimën.

    Australia, Japonia dhe disa pjesë të Kinës dhe Norvegjisë kanë regjistruar gushtin më të nxehtë ndonjëherë në histori, sipas agjencive meteorologjike.

    “Është e qartë se temperaturat po rriten përtej asaj që do të dëshironim”, ka thënë Celeste Saulo, udhëheqëse e Organizatës Botërore të Meteorologjisë.

    “Kjo po ndodh sepse veprimi ynë nuk është i mjaftueshëm”.

    Ndonëse temperatura e saktë mesatare globale për këtë gusht nuk dihet, Shërbimi i BE-së për Motin, ka thënë se shifra do të jetë mbi rekordin e vitit të kaluar – 16.82 gradë Celsius.

    Saulo ka bërë thirrje për monitorim më të mirë dhe mbështetje të agjencive për motin, meqë beson se “duhen më shumë burime”.

    Teksa ka marrë pjesë në një forum, ajo ka bërë të ditur se Singapori do të jetë qendër rajonale për monitorim të ndotjes së shkaktuar nga zjarret e tokave të punuara dhe tymit.

    Duke qenë vetëm njëra prej dy qendrave të tilla në botë, kjo qendër do të ofrojë informacion më kualitativ për zjarret dhe parashikimet për ndotje.

  • Rizvanolli në Forumin Strategjik të Bledit diskuton për zhvillimin në fushën e energjisë

    Rizvanolli në Forumin Strategjik të Bledit diskuton për zhvillimin në fushën e energjisë

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë pjesëmarrjes së saj në Forumin Strategjik të Bledit, është takuar me ministrin slloven të Mjedisit, Klimës dhe Energjisë, Bojan Kumer, dhe atë të Ekonomisë, Turizmit dhe Sportit, Matjaz Han.

    Gjatë takimit të ministres Rizvanolli me ministrin Kumer u diskutua për zhvillimin në fushën e energjisë, për rritjen investimeve dhe kapaciteteve të reja të energjisë së gjelbër dhe në veçanti për projektet e energjisë nga era.

    Ndërsa në takimin që ka zhvilluar me Ministrin Han, u diskutua për rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë, bashkëpunimin e ndërsjellë mes kompanive kosovare dhe sllovene, ku ministrja Rizvanolli e njoftoi për progresin që ka shënuar Kosova në zhvillimin ekonomik.

    Po ashtu, ministrja Rizvanolli theksoi se për të dytën herë sivjet në Slloveni, mikpritja ishte e ngrohtë dhe diskutimet produktive, ndërsa u shpreh se mezi pret që t’i mirëpresim në Kosovë, me shpresë që kjo do të jetë në kuadër të një forumi ekonomik të përbashkët.

    Ndërsa, dy ministrat slloven shprehen gatishmërinë dhe vullnetin për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik me Kosovën.

  • Ambasadori britanik: Pata një mëngjes interesant në Vushtrri, shpresoj ta vizitoj sërish

    Ambasadori britanik: Pata një mëngjes interesant në Vushtrri, shpresoj ta vizitoj sërish

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, raporton EO.

    Pas vizitës në komunë, kalanë e qytetit dhe përcjelljes së punimeve në sheshin “Adem Jashari”, ambasadori ka thënë se pati një mëngjes interesant me kryetarin Idrizi, më të cilin tha se diskutuan edhe për zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë.

    Hargreaves ka shtuar se shpreson ta vizitojë sërish komunën e Vushtrrisë për t’i parë zhvillimet e ardhshme.

    “Ka qenë një ditë e mrekullueshme. Jam shumë mirënjohës ndaj kryetarit dhe ekipit të tij për mikpritjen e ngrohtë sot”.

    “Një mëngjes shumë interesant, patëm një diskutim interesant për ekonominë, për zhvillimin ekonomik në Vushtrri dhe përreth. I pamë edhe disa nga vendet historike të qytetit. Shpresoj që do ta vizitoj sërish dhe t’i shoh zhvillimet e ardhshme”, ka thënë ai për EO.

    Edhe kryetari i Vushtrrisë e ka cilësuar të veçantë vizitën e ambasadorit, për të cilën iu falënderua.

    “Sot është një ditë e veçantë për neve dhe qytetin e Vushtrrisë sepse kemi mysafir ambasadorin e Britanisë së Madhe, shkëlqesinë e tij, Jonathan Hargreaves. Fillimisht vizituam komunën, kalanë e qytetit dhe tani jemi këtu duke i përcjellur punimet në sheshin Adem Jashari. Është vizitë e veçantë e falënderoj ambasadorin shumë që ka gjetë kohë me i’u përkushtu komunës së Vushtrrisë sot”, ka thënë Idrizi.