ATV

Category: Lajme

  • Aksident mes dy biçiklistëve në Prizren, njëri dërgohet në QKUK

    Aksident mes dy biçiklistëve në Prizren, njëri dërgohet në QKUK

    Një person ka pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në mes dy biçiklistëve në Prizren.

    Policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se personi i lënduar pas tretmanit në spitalin rajonal në Prizren është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Ndërsa, në konsultim më prokurorin, biçiklisti tjetër është dërguar në mbajtje.

    “Ka ndodhur një aksident trafiku në mes dy biçiklistëve meshkuj kosovarë. Si pasojë lëndime ka pësuar njëri nga biçiklistët i cili pas tretmanit në spitalin rajonal në Prizren, është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në konsultim me prokurorin, biçiklisti tjetër është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Vrasje në tentativë në Gjakovë, arrestohen tre persona

    Vrasje në tentativë në Gjakovë, arrestohen tre persona

    Tre persona janë arrestuar në Gjakovë të martën nga Policia.

    Të njëjtit dyshohen se për motive të pa njohura kanë sulmuar me mjete të mprehta-thika dy viktimat meshkuj kosovarë.

    Policia, përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, dhe njëri është liruar.

    “Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se për motive të panjohura kanë sulmuar me mjete të mprehta-thika dy viktimat meshkuj kosovarë. Lidhur me rastin viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, dhe njëri është liruar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • ​Norvegjia do të ndaj 53 milionë dollarë për dronët dhe mbrojtjen ajrore për Ukrainën

    ​Norvegjia do të ndaj 53 milionë dollarë për dronët dhe mbrojtjen ajrore për Ukrainën

    Qeveria norvegjeze do të ndajë 53 milionë dollarë për Fondin Ndërkombëtar për Ukrainën (IFU) për blerjen e dronëve dhe pajisjeve të mbrojtjes ajrore.

    Kështu thuhet në një deklaratë të publikuar në uebsajtin e qeverisë , transmeton Ukrinform.

    Donacioni është një bashkëpunim mes Britanisë së Madhe, Holandës, Lituanisë dhe Norvegjisë.

    “Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë pajisje ushtarake për të mbrojtur veten nga lufta e agresionit rus. Së bashku me vendet e tjera, Norvegjia do të bëjë gjithçka që mundemi për të kontribuar”, tha ministri i Mbrojtjes, Bjorn Arild Gram.

    Norvegjia ka kontribuar më parë në blerjen, ndër të tjera, për mbrojtjen ajrore, pajisje për pastrimin e minave, municione artilerie, automjete transporti, automjete inxhinierike, shtrues, pjesë këmbimi dhe pajisje për mirëmbajtjen e platformave dhe varkave të vogla ukrainase.

  • ​Mongolia shpjegon pse nuk arrestoi Putinin

    ​Mongolia shpjegon pse nuk arrestoi Putinin

    Mongolia është e varur nga energjia, kjo është arsyeja pse dështoi në ekzekutimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar kundër presidentit rus, Vladimir Putin i akuzuar për krime lufte në Ukrainë.

    Kështu ka thënë zëdhënësi i qeverisë mongole në komentin e tij për Politico , transmeton Ukrinform.

    “Mongolia importon 95% të produkteve të saj të naftës dhe mbi 20% të energjisë elektrike. Ky furnizim është kritik për të siguruar ekzistencën tonë dhe të popullit tonë,” tha zëdhënësi.

    Ai shtoi se “Mongolia ka mbajtur gjithmonë një politikë neutraliteti në të gjitha marrëdhëniet e saj diplomatike, siç tregohet në deklaratat e deritanishme.”

    Zëdhënësi i qeverisë së Mongolisë shtoi gjithashtu se vizita e Putinit është “në përputhje me precedentin historik të krerëve të shteteve që së bashku festojnë përvjetorin e fitores nga forcat sovjetike dhe mongole mbi Japoninë në Betejën e Khalkhin Gol në 1939.”

    Siç raportoi Ukrinform, kreu i Kremlinit Vladimir Putin u takua me homologun e tij mongol të martën në Ulaanbaatar. Kjo është vizita e parë e Putinit në një vend që ka ratifikuar Statutin e Romës dhe do të arrestojë liderin rus me një urdhër të lëshuar nga GJNP në Hagë.

    Në mars 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë lëshoi një urdhër arresti kundër Putinit i akuzuar për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse.

    ICC deklaroi se vendi është i detyruar të përmbushë kërkesat e Gjykatës.

    Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës dënoi Mongolinë për mosarrestimin e presidentit rus, Vladimir Putin, pavarësisht urdhër-arrestit të ICC.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-32 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-4m/s.

  • Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit nga MPB-ja, KGjK-ja dhe institucionet e tjera

    Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit nga MPB-ja, KGjK-ja dhe institucionet e tjera

    Të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme.

    Me anë të verifikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të vërtetojë nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenin 30 të tij.

    Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi thotë se deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet

    “Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre të kandidatëve për deputetë”.

    Sipas Elezit, verifikimi i përshtatshmërisë apo aftësisë së kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje/kandidim në zgjedhje, është një kërkesë që buron nga neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    “Sipas këtij ligji, institucionet kompetente me kërkesë të KQZ-së, bëjnë verifikimet e nevojshme që kërkohen. Me qëllim të zbatimit të këtij neni, KQZ, përmes Zyrës për Regjistirim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, do t’iu dërgojë shkresë disa institucioneve për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët nuk mund të certifikohet si kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje”.

    Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvedin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Elezit KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera varësisht natyrës së verifikimit.

    “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim të ligjor”.

  • SHBA dhe Gjermania dërgojnë trupa shtesë në Kosovë

    SHBA dhe Gjermania dërgojnë trupa shtesë në Kosovë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania do të dërgojnë së shpejti trupa shtesë në Kosovë.

    Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, vendet anëtare të NATO-s kanë rritur prezencën me trupat ushtarake në veri.

    E shumë shpejt, 100 ushtarë nga Garda kombëtare e Idaho-s pritet të vendosen në Kosovë.

    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Ushtria amerikane.

    “Operacioni Joint Guardian është një mision i përbashkët nën Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara. Ushtarët do të fokusohen në trajnimin dhe mbështetjen e partnerëve aleatë”.

    “Ushtarët e Task Force Sawtooth kanë punuar dhe trajnuar me zell gjatë 18 muajve të fundit për këtë dislokim”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa edhe Bundeswehri gjerman ka bërë të ditur se 200 ushtarakë do të zbarkojnë në Kosovë.

    “Për vite me radhë, pjesëmarrja gjermane në operacionin e Forcave të Kosovës KFOR u karakterizua nga tkurrja e kontingjenteve”.

    “Megjithatë, meqë shpërthimet në rritje të dhunës kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit që nga viti 2022, Bundeswehr-i po dërgon një kompani operative prej rreth 200 burrash dhe grash në Forcën e KFOR-it të Kosovës në vitin 2024. Me patrullat e saj ajo siguron pak më shumë siguri”, thuhet ne njoftim.

  • Katër vjet nga marrëveshja e Washingtonit dhe njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës

    Katër vjet nga marrëveshja e Washingtonit dhe njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës

    Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para katër vjetësh nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Dokumenti i nënshkruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ishte i shkruar në katër kopje: në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.

    Si rrjedhojë e kësaj marrëveshjeje Izraeli dhe Kosova shkëmbyen njohje të ndërsjellë, kështu që më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem.

    Flamuri i Kosovës dhe ai i Izraelit të vendosur pranë ndërtesës së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

    Në kuadër të zotimeve të nënshkruara më 4 shtator në Uashington, Kosova u pajtua që të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Marrëveshja obligoi edhe Serbinë, që të pezullojë iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

    Më poshtë janë pikat e marrë​veshjes së​ në​nshkruar nga pala kosovare dhe ajo serbe:

    Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.

    Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.

    Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:

    -Autostradën e paqes

    -Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare

    -Lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë

    -Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

    -Projekte shtesë dypalëshe

    -Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.

    -Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare.

    -Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vtit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.

    -Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.

    -Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

    -Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë.

    -Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.

    -Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me SHBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemet e siguruara nga SHBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

    -Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.

    -Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.

    -Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë.

    -Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre.

    -Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

    -Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur.

    -Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.

    -Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.

  • Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Edhe të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Sipas njoftimit nga DhSK-ja, seanca do të fillojë nga ora 09:00.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Sot përurohen dy shkolla në Podujevë, marrin pjesë Kurti e Nagavci

    Sot përurohen dy shkolla në Podujevë, marrin pjesë Kurti e Nagavci

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin do të marrin pjesë sot në ceremoninë e përurimit të dy objekteve të reja shkollore në komunën e Podujevës.

    Sipas njoftimit, ceremonia në shkollën në fshatin Dumosh do të mbahet sot në orën 09:30, ndërkohë ajo në objektin e shkollës në Obrançë nis në orën 10:30.

    Pos Kurtit e Nagavcit, në ceremoni marrin pjesë edhe zyrtarë të tjerë qeveritarë dhe deputetë.