ATV

Category: Lajme

  • Teologu Mustafë Bajrami shprehet kritik kur flet për ndërrimin e fesë

    Teologu Mustafë Bajrami shprehet kritik kur flet për ndërrimin e fesë

     

    Mustafë Bajrami ishte i ftuar në emisionin “LIBERO” dhe ka reaguar rreth çështjes së konvertimit të disa personave nga feja myslimane në atë katolike.

    Njohësi i fesë myslimane, ndonëse pohoi që e drejta për përkatësi fetare i takon secilit individ dhe se është një çështje personale, ai nuk pajtohet me deklaratat dhe diskutimet që po zënë vend përmes rrjeteve sociale se ky grup i caktuar i qytetarëve po kthehet në fenë e të parëve.

     “Nuk ka gjë ma alogjike… Nëse po themi se “po kthehemi në fenë e të parëve tanë” atëherë po i bije se po bëhet thirrje që të kthehemi në fenë tonë të ilirëve që ka qenë pagane dhe zoti kryesor ka qenë dielli”, potencoi Bajrami.

    Ai tha që kjo përpjekje është jo logjike dhe po të ishte kjo arsyeja, do të ishte e pakuptimtë, sidomos për kohën që po jetojmë mes shkencës, nivelit intelektual dhe zhvillimit kulturor.

    Teologu gjithashtu bindshëm tha se e konsideron si një thirrje për sulme që po i bëhet besimtarëve të përkatsisë islame, për të shkaktuar turbulencë e përqarje.

    Sipas tij, kjo ka të bëj edhe me politikën dhe përpjekjet serbe për të ngacmuar dhe ndërhyrë në njërën nga vërtytet tona të lashta që është tolerancë fetare.

    Për të shikuar intervistën e plotë të Mustafë Bajramit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Haradinaj: Policia e Kosovës ka presionin politik nga Kurti

    Haradinaj: Policia e Kosovës ka presionin politik nga Kurti

    Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Policia e Kosovës e ka presionin politik të kryeministrit Albin Kurtit, duke thënë se ai po e instrumentalizon këtë institucion “për interesa elektorale sa është në Qeveri”.

    Në prag të përvjetorit të themelimit së Policisë së Kosovës, Haradinaj ka shkruar në Facebook se Kurti mund të mbajë fjalim prekës, por sipas tij, Kurti fjalët i ka vetëm mashtrim.

    “Policia sot nuk e ka kujdesin e Qeverisë, por e ka presionin politik mbi të! Kurti edhe i sulmoi me gurë sa ishte në opozitë, edhe po e instrumentalizon Policinë për interesa elektorale sa është në Qeveri. Ai nesër në 25-vjetorin e Policisë mund t’ju mbajë një fjalim prekës, por prapa fjalëve vetëm mashtrimin ka qëllim. Për pak javë kjo do të përfundojë. Policia është e Kosovës. Qëndroni të tillë. Mos u bëni instrument në duar të pasigurta!”, ka shkruar kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

    Haradinaj ka premtuar se nëse vjen në pushtet, paga minimale brenda Policisë do të jetë 1.000 euro si dhe zyrtarët policorë do të kenë sigurimin shëndetësor.

    “Kur më 6 shtator 1999 u themelua Policia jonë, filloi shtet-ndërtimi në fushën e sigurisë. Nesër bëhen 25 vjet. E uroj Policinë në 25-vjetorin e themelimit! Do të kujtojmë përgjithmonë policët e rënë në detyrë. Kemi shumë punë për ta forcuar dinjitetin, kushtet dhe pajisjet e Policisë sonë. Prioritet do të jetë paga minimale prej 1.000 euro brenda Policisë dhe sigurimi shëndetësor. Modernizimi i pajisjeve të Policisë do të bëhet gjithashtu”, ka thënë ai.

  • Kurti flet për anëtarësimin në BE me shefin e ri të saj në Kosovë

    Kurti flet për anëtarësimin në BE me shefin e ri të saj në Kosovë

    Kryeministri Albin Kurti, në takimin me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së bazuar në vlerat e përbashkëta dhe avancimin e lirive themelore.

    Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Orav dhe i ofroi bashkëpunim të afërt në avancimin e agjendës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

    Ai theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022, është e përkushtuar për të kryer reformat e nevojshme për anëtarësim. Plani i Rritjes së BE-së është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat dhe Kosova është ndër vendet e para në rajon e cila ka dorëzuar agjendën e reformave.

    Kurti foli për rezultatet e qeverisjes në këto gati tre vjet e gjysmë, për avancimin në indekset e demokracinë e sundimin e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik si dhe për programet e reja sociale për nënat lehona dhe fëmijët.

    Tutje, Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për ndihmën dhe kontributin e BE-së dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në avancimin e agjendës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

  • Dy ish-nënkryetarët e komunave paralele serbe intervistohen sot në stacionin policor në veri

    Dy ish-nënkryetarët e komunave paralele serbe intervistohen sot në stacionin policor në veri

    Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.

    E dy ish-nënkryetarët, Ivan Zaporozhac dhe Igor Simiq do të intervistohen sot në stacionin e Policisë në veri të Mitrovicës.

    Ivan Zaporozhac momentalisht është duke u intervistuar në stacionin policor, ndërsa nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq do të intervistohet sot në veri në ora 16:00.

  • Stano: Kosova t’i evitojë veprimet e pakoordinuara që mund t’i rrisin tensionet

    Stano: Kosova t’i evitojë veprimet e pakoordinuara që mund t’i rrisin tensionet

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të evitojnë çdo veprim të njëanshëm dhe hapa të njëanshëm e të pakoordinuar që mund të kontribuojnë në rritje të tensioneve edhe më tepër.

    Stano në konferencë për media është pyetur lidhur me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri dhe ftesës së pesë zyrtarëve të Listës Serbe nga Policia e Kosovës për intervistim mbi dyshimin për “falsifikim të dokumenteve”.

    “Ne kemi një situatë që edhe ashtu është tashmë shumë e paqëndrueshme, e shqetësimi ynë kryesor është…e ky është mesazhi kryesor për autoritetet e Kosovës – të evitojnë çdo veprim e hapa të njëanshëm e të pakoordinuar që kontribuojnë në rritje të tensioneve dhe përshkallëzimin edhe më tepër të tensioneve. Kështu që po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje të zgjidhim më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku i takon – në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano.

  • Më 6 shtator, Lajçak viziton Kosovën

    Më 6 shtator, Lajçak viziton Kosovën

    Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të premten, më 6 shtator pritet të vizitojë Kosovën.

    Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kësaj radhe, sipas burimeve të REL, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin. Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.

    Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas bllokut mund të rrisin tensionet në veri të vendit.

    BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.

    Stano ka folur edhe për ftesën për intervistim të politikanëve serbë nga institucionet e Kosovës, të cilët kanë udhëhequr strukturat paralele serbe, që u mbyllën nga Kosova.

    Ata po dyshohet për “falsifikim dokumentesh”. Por, partia Lista Serbe e ka cilësuar ftesën për intervistim si “përndjekje politike” të serbëve.

    “BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës dhe përcjellim qartë mesazhet tona. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë asaj që kemi thënë më herët. Situata është mjaft e ndjeshme dhe mesazhi është që të evitohen hapat që mund të nxisin tensionet. Shpresojmë të zgjidhim këto çështje aty ku duhet. Vendi është në procesin e dialogut”, tha Stano.

    Më 30 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, që kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

    Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

    Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

    Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

    Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

    Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

  • Gërvalla: Ura e Ibrit duhet të hapet, Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit

    Gërvalla: Ura e Ibrit duhet të hapet, Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se temë diskutimi me homologen e saj finlandeze ka qenë siguria në veri të vendit, ndërsa ka insistuar që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, Gërvalla ka thënë se kjo urë ka simbolizuar ndarje dhe përçarje, ndërsa ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj.

    “Kemi diskutuar edhe për sigurinë në veri të vendit, e në veçanti për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë, e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite, duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe bashkimit. Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj, duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive të tyre etnike”, ka thënë Gërvalla.

    Kryediplomatja kosovare ka thënë se kanë biseduar edhe për sfidat, siç i quajti ajo globale, teksa shpreson që anëtarësimi i Kosovës në NATO të bëhet në mënyrë të shpejtë, siç ndodhi me Finlandën.

    “Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve tona sot u përqendrua mbi sfidat aktuale të sigurisë në Evropë, agresionin rus kundër Ukrainës dhe sjellja agresive dhe hegjemoniste e fqinjëve dhe aleatëve në Evropë, paraqesin një kërcenim të madh dhe serioz për paqen dhe stabilitetin evropian. Ne në Kosovë e kuptojmë më mirë se kushdo tjetër ndoshta rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe të drejtës për vetëvendosje”, u shpreh kryediplomatja kosovare.

    Rolin e NATO-s, Gërvalla e konsideron jetik për stabilitetin e rajonit perëndimor

    “Kosova qëndron fuqishëm në mbështetje të Ukrainës në këtë luftë për liri dhe sovranitet. Për më tepër, roli i NATO-s vazhdon të jetë jetik për stabilitetin e rajonit tonë. Ne jemi të përkushtuar t’i forcojmë marrëdhëniet tona me NATO-n. Synimi i Kosovës është anëtarësimi i plotë në NATO dhe mbetet një objektiv strategjik ku përvoja e Finlandës ku së fundmi u bë anëtare e kësaj aleance, na shërben si një shembull që ne e ndjekim dhe kemi shumë vëmendje”, ka thënë Gërvalla.

  • Valtonen: Finlanda e gatshme ta ndihmojë Kosovën në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

    Valtonen: Finlanda e gatshme ta ndihmojë Kosovën në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

    Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, ka thënë se shteti i saj është i gatshëm të bëjë “çfarëdo që është e mundur” për ta mbështetur Kosovën në dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve.

    Valtonen, në një konferencë të përbashkët për medie me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e ka quajtur Finlandën mike të fuqishme të Kosovës.

    Pas takimit të përbashkët, kryediplomatja finlandeze ka thënë se janë të gatshëm të punojnë edhe në raportet tregtare, veçanërisht në digjitalizim dhe energjinë e pastër, me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Finlanda ka qenë dhe mbetet një mik i fuqishëm i Kosovës, kjo është mjaft e theksuar në takimin e sotëm. Si mbështetje e fuqishme për Kosovën, ka qenë që nga koha kur ajo e ka fituar pavarësinë e saj. E kemi mbështetur anëtarësimin e Kosovës në BE, dhe po ashtu mbështesim anëtarësimin e saj në NATO”.

    “Të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishëm. Ne jemi të gatshëm që të punojmë intensivisht për të shtuar raportet tona tregtare dhe për t’i forcuar sektorët premtues, si digjitalizimin, energjia e pastër”.

    “Kemi biseduar për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimin e marrëdhënieve mes palëve. Finlanda është përkrahëse, në kuadër të KFOR-it dhe EULEX-it në stabilitetin për Ballkanin Perëndimor. Ashtu siç është pajtuar në marrëveshjen e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, Finlanda është e gatshme që të bëjë çfarëdo që është e mundur që t’ju mbështes në këtë rrugë”.

  • Kapen 340 kg duhan të kontrabanduar në brezin kufitar Kosovë-Serbi

    Kapen 340 kg duhan të kontrabanduar në brezin kufitar Kosovë-Serbi

    Policia dhe Dogana e Kosovës kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar mes fshatit Dobrosinë në Serbi dhe në fshatin Stublinë të Kosovës.

    Aty është vërejtur të enjten një automjet që bartte duhan të llojeve të ndryshme, gjithsej 340 kilogramë të fshehur në najlon të zi.

    Vlera e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 euro.

  • Lista Serbe del në konferencë: Institucionet paralele ofronin shërbime juridike, nuk e kanë shkelur ligjin

    Lista Serbe del në konferencë: Institucionet paralele ofronin shërbime juridike, nuk e kanë shkelur ligjin

    Përfaqësues të Listës Serbe mbajtën më 5 shtator një konferencë të jashtëzakonshme për media, lidhur me ftesën që kanë marrë nga autoritetet e Kosovës për intervistim. Nga kjo parti, thanë se do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese.

    Autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar se do të intervistohen pesë persona nga pesë institucionet paralele serbe, që u mbyllën në fund të gushtit. Personave që u janë dërguar këto thirrje për intervistim janë zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Në konferencën për media, Igor Simiq, duke folur në emër të personave që kanë marrë këto ftesa për intervistim, tha se ato i shohin si “përndjekje politike” jo vetëm të individëve që kanë udhëhequr institucionet paralele, të cilët janë ftuar për intervistim.

    Ai tha se ky vendim është “persekutim i popullit serb”, pasi sipas tij, institucionet e mbyllura ofronin shërbime për qytetarët.

    “Nuk është çështja se si do të veprojë nesër Igor Simiqi, Ivan Zaporozhiani, por si do t’ia bëjnë njerëzit të cilëve u shërbyen sa ishim në krye [të institucioneve paralele]. Sa i përket këtyre institucioneve, autoritetet e Kosovës gjithmonë e kanë ditur ekzistencën e tyre. Nuk është asgjë e re që këto institucione kanë ekzistuar në këtë qytet dhe për to është diskutuar në nivel ndërkombëtar, dhe është negociuar në Bruksel se sido të funksionojnë këto institucione në të ardhmen”, tha Simiq.

    Më 30 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, që kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

    Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

    Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

    Simiq tha se këto institucione kanë ofruar shërbime juridike për të gjithë qytetarët, dhe “nuk kanë shkelur asnjë ligj”.

    Gjatë konferencës, Simiq, që më herët kishte qenë deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, foli edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.

    Qeveria e Kosovës ka shprehur synimin që kjo urë të hapet, por ka hasur në kundërshtimin e ndërkombëtarëve të cilët kanë argumentuar se për shkaqe sigurie, ura nuk duhet të hapet tani.

    Simiq tha ky është momenti që “bashkësia ndërkombëtare të tregojë fytyrën e saj”.

    “Do të shohim nëse do të bëjnë ndonjë gjë”, shtoi ai.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve serbe. Perëndimi e ka cilësuar këtë si veprim të njëanshëm të institucioneve të Kosovës.

    Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

    Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

    Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht. /REL