ATV

Category: Lajme

  • Lajçak sot në Prishtinë, përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë-Serbi

    Lajçak sot në Prishtinë, përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë-Serbi

    Bashkimi Evropian do të dërgojë të sot në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm, Miroslav Lajçak, në një përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, mes thirrjeve drejtuar autoriteteve në Kosovë që të shmangin ato që zyrtarët perëndimorë i cilësojnë veprime të njëanshme në veri.

    Zëdhënësi i bllokut,Peter Stano, tha të enjten se “ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

    Lajçak paralajmëroi se vizita në Prishtinë do të jetë pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve të të dyja palëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri të Kosovës.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi pas paralajmërimeve nga një grup i serbëve për mbylljen e vendkalimeve kufitare me Kosovën për shkak të zhvillimeve në veri.

    Një grup qytetarësh në Serbi, tha se synon që nga sot të bllokojë vendkalimet kufitare me kërkesën për tërheqjen e forcave të Policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve të Serbisë atje.

  • Pikat kufitare me Serbinë pritet të bllokohen sot, Kosova kërkon nga qytetarët të shmangin kalimin transit

    Pikat kufitare me Serbinë pritet të bllokohen sot, Kosova kërkon nga qytetarët të shmangin kalimin transit

    I ashtuquajturi “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi ka thënë se nga sot planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.

    Si rrjedhojë, qe dy ditë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    “MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.”

    Ndryshe, Bashkimi Evropian do të dërgojë sot në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm, Miroslav Lajçak, në një përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, mes thirrjeve drejtuar autoriteteve në Kosovë që të shmangin ato që zyrtarët perëndimorë i cilësojnë veprime të njëanshme në veri.

  • Lirohet nga akuza i akuzuari për zjarrvënien në objektin e Gjykatës në Kaçanik

    Lirohet nga akuza i akuzuari për zjarrvënien në objektin e Gjykatës në Kaçanik

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Elmendin Rakës lidhur me akuzën për zjarrvënien në objektin e Gjykatës në Kaçanik.

    Shpallja e aktgjykimit u bë të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti.

    Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Raka po ashtu i ndërpritet edhe masa e paraburgimit nga dita e sotme.

    Gjykatësi Shyti në arsyetimin e këtij aktgjykimi tha se asnjëri nga dëshmitarët e dëgjuar nuk kanë arritur që ta identifikojnë të akuzuarin Raka nëse ishte ai i cili ka kryer veprën penale.

    “Po ashtu, nga video-incizimi si prova kryesore që u administrua në këtë shqyrtim gjyqësor, nuk ka arritur që të identifikohet i pandehuri i cili ka mundur që ta kryejë veprën penale”, tha gjykatësi Shyti.

    Gjithashtu, gjykatësi theksoi se asnjëra nga provat materiale që janë administruar nga Prokuroria Speciale, nuk kanë vërtetuar faktin kyç që i akuzuari Raka të ketë qenë në vendin e ngjarjes atë ditë kur ka ndodhur ngjarja.

    Andaj, sipas gjykatës këto kanë qenë provat kyçe që janë marrë për bazë, kështu që ka marrë aktgjykim lirues.

    Shpenzimet e procedurës bien në barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës, kurse kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk kishte.

    Palët e pakënaqura kundër këtij vendimi, brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit./BetimipërDrejtësi

  • Kosova prezantohet si model suksesi në Konferencën Ndërkombëtare të Burgjeve

    Kosova prezantohet si model suksesi në Konferencën Ndërkombëtare të Burgjeve

    Po vazhdojnë punimet e Konferencës Ndërkombëtare të ICPA-së, e cila po mbahet në Singapor. Në këtë konferencë po marrin pjesë drejtorë ekzekutivë, profesionistë dhe ekspertë të shërbimeve korrektuese nga e gjithë bota.

    Pjesë e kësaj konference është edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, i cili zhvilloi takime të rëndësishme me z. Peter Severin, President i ICPA-së, zj. Natalie Boal, Drejtoreshë Ekzekutive, si dhe homologë e përfaqësues nga shumë shtete të ndryshme të botës si: SHBA, Turqia, Singapori, Franca, Belgjika, Filipinet, Maldivet, Indonezia, etj. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan temat kryesore që lidhen me të ardhmen e shërbimeve korrektuese në nivel global.

    Në këtë konferencë, Këshilltari Global i ICITAP-it për Kundërterrorizëm, z. Bill Sage, prezantoi Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Njësinë e Inteligjencës së këtij shërbimi si një model suksesi. Ai vlerësoi arritjet e njësisë në rritjen e ndjeshme të nivelit të sigurisë, duke e përshkruar atë si një histori suksesi dhe një shembull të mirë për rajonin dhe më gjerë.

    Konferenca po shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërkombëtare në fushën e shërbimeve korrektuese, duke nxjerrë në pah rolin e Kosovës si një kontribues i rëndësishëm në këtë sektor.

    SHKK falënderon Ambasadën Amerikane (INL dhe ICITAP) për mbështetjen e vazhdueshme dhe asistencën e ofruar nga zyrtarët e lartë z. Bill Sage dhe z. Frenk Karam.

  • Punëtorët teknikë në Gjilan në grevë, Hyseni ua rritë pagat 70 euro

    Punëtorët teknikë në Gjilan në grevë, Hyseni ua rritë pagat 70 euro

    Afro 300 punëtorë të ndërmarrjes publike lokale “Tregu” në Gjilan kanë hyrë në grevë që nga e hëna dhe po vazhdojnë ende, me kërkesën për rritje të pagave.

    Në seancën e Kuvendit Komunal të mbajtur sot në Gjilan, kryetari, Alban Hyseni ka njoftuar se ka ndarë 180 mijë euro për punëtorët e tregut.

    Ai thekson se me këtë buxhet janë paraparë që pagat e tyre të rriten me vlerë prej 70 euro.

    “180 mijë euro janë planifikuar që pagat e tyre të rriten me vlerën prej mbi 70 euro, me crast barazohen me punëtorët e tjerë që punojnë me kontrat e rregullta, përmes Drejtorisë Komunale të Arsimit”, theksoi Hyseni.

    Këta punonjës shërbimet e tyre i ofrojnë nëpërmjet ndërmjarrjes publike “Tregu”, e cila është e kontraktuar nga Komuna.

    Ndryshe, paga mujore e punëtorëve të ndërmarrjes “Tregu” është 330 euro, e kërkesat e tyre janë që ajo të bëhet 420 euro.

  • Alarmon drejtori i Klinikës së Psikiatrisë: Fëmijët 9 e 10 vjeç, përdorues drogash

    Alarmon drejtori i Klinikës së Psikiatrisë: Fëmijët 9 e 10 vjeç, përdorues drogash

    Mosha e pacientëve që po kërkojnë ndihmë në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, për shkak të konsumimit të substancave narkotike, është alarmante.

    Sipas drejtorit të këtij institucioni, Faton Kutllovci, kohëve të fundit, këtu po trajtohen pacientë 9 e 10 vjeç.
    “Fatkeqësisht viteve të fundit po rritet numri i përdoruesve e po ulet mosha e tyre. Kemi fëmijë 9 e 10 vjec që vijnë pas përdorimit të substancave narkotike”, ka thënë Kutllovci në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini.

    Sipas tij, ka shumë faktorë që po ndikojnë në këtë gjendje, e më i rëndësishmi është qasja shumë e lehtë në substanca narkotike.

    “Qasja është tepër e lehtë…dëshira për të qenë ‘in’, rrethi e shoqëria, të ndjerit i rritur, të gjithë janë faktorë që ndikojnë në vendimin e fëmijëve për të provuar drogën”, tha Kutllovci.

    Sipas Kutllovcit, ky numër në rritje është duke e shqetësuar gjithë stafin derisa ka shtuar se në këtë klinikë janë vetëm nëntë shtretër të cilët nuk i mbulojnë nevojat.

    Ai ka njoftuar se bashkë me institucionet tjera, janë duke diskutuar ndërtimin e një qendre të veçantë që do të trajtonte personat që kanë varësi të ndryshme.

  • Volker: Perëndimi po e fuqizon Vuçiqin, i cili po minon të tjerët në Ballkan

    Volker: Perëndimi po e fuqizon Vuçiqin, i cili po minon të tjerët në Ballkan

    Ne vazhdimisht themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Vuçiq është shumë i lumtur të pretendojë se edhe ai e dëshiron atë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë ​​dhe po luan me të dyja palët.

    Kështu tha për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe, Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO dhe i dërguar i posaçëm për Ukrainën.

    “Kjo është ajo që SHBA-ja dhe Franca thonë se është politika e tyre – ne duhet ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Por më pas, për ta bërë këtë duke forcuar personin që ruan marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, duket se nuk ka shumë kuptim. Sipas Vuçiq, pamë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekjet për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur Milorad Dodik dhe për të minuar Bosnjën dhe Hercegovinën”, vlerëson Volker.

    Ai thotë se Perëndimi po përfshihet më shumë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa ngadalë po humbet Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

    “E dini, ekziston një shprehje në SHBA që ne shpenzojmë më shumë kohë për armiqtë sesa për miqtë. Vuçiq nuk është armik, por ne harxhojmë më shumë kohë duke u marrë me marrëdhëniet me të sesa për të promovuar vlerat demokratike, institucionet dhe reformatorët në pjesën tjetër. Ballkani Perëndimor”, thotë ai.

  • Kurti pret në takim kryediplomaten finlandeze

    Kurti pret në takim kryediplomaten finlandeze

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e cila po qëndron në vendin tonë për një vizitë zyrtare.

    Në këtë takim mediat janë lejuar që të marrin pamje në fillim të takimit, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për media.

    Gjatë ditës, ministrja Valtonen është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, si dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

  • ​FBI zbulon informacione sekrete se si rusët përdorën gënjeshtra në BE

    ​FBI zbulon informacione sekrete se si rusët përdorën gënjeshtra në BE

    Qeveria amerikane paditi të mërkurën dy shtetas rusë dhe sekuestroi më shumë se 30 domene interneti të lidhura me një fushatë për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.

    Megjithatë, korniza e informacionit të dhënë në gjykatë nga FBI zbuloi gjithashtu një bombë tjetër: një operacion rus për të manipuluar politikanë, biznesmenë, gazetarë dhe njerëz të tjerë me ndikim gjermanë, francezë, italianë dhe britanikë, shkruan Politico.

    Qëllimi i fushatës së Rusisë në Evropë ishte të mbillte përçarje, të diskreditonte Amerikën dhe të minonte mbështetjen për Ukrainën, një seri të tërë dokumentesh ruse, memorandume dhe procesverbale takimesh mbi zhvillimin e luftës psikologjike.

    Dokumentet u morën nga FBI dhe u dërguan në gjykatë si pjesë e aktakuzave të ngritura të mërkurën. Dosja prej 277 faqesh detajon planet ruse për të fituar zemrat dhe mendjet e evropianëve.

    Një memo nga Agjencia e Dizajnit Social të Rusisë përshkruan një plan për të ndikuar tek publiku përmes postimeve dhe komenteve aktuale në mediat sociale për të anashkaluar filtrat e boteve.

    Agjencia e Dizajnit Social operon nën urdhrat e Sergei Kiriyenko, zv/shefit të shtabit të presidentit rus Vladimir Putin, sipas një dosjeje të FBI-së.

    Dokumenti rus thekson se qëllimi i fushatës është “të provokojë reagime racionale (“pse pikërisht ne duhet të ndihmojmë Ukrainën?”) dhe emocionale (“Amerikanët janë mbeturina të vërteta!”) në audiencë”.

    Operacioni u mbështet gjithashtu në të ashtuquajturat doppelgänger domains për të përhapur artikuj dhe përmbajtje të rreme që dukej se vinin nga media perëndimore.

    Domenet përfshinin falsifikime të Reuters, Der Spiegel, Bild, Le Monde, Le Parisien, Welt, FAZ, Süddeutsche Zeitung, Delfi dhe të tjerë dhe paguheshin me kriptovaluta si bitcoin, pretendoi FBI.

    Operativët rusë e kanë identifikuar Gjermaninë si një objektiv veçanërisht të prekshëm për ndikimin rus. “Gjermanët janë më të varur se francezët”, thuhet në një nga dokumentet ruse. Kjo ndoshta i referohet varësisë ekonomike të Gjermanisë nga gazi dhe eksportet rus.

    “Së pari dhe më kryesorja, ne duhet të diskreditojmë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe NATO-n, dhe së dyti, ne duhet të bindim gjermanët që të kundërshtojnë politikën joefektive të sanksioneve”, citoi FBI të thoshte një memorandum të brendshëm rus.

    Një dokument tjetër nga Agjencia për Dizajn Social përshkruan një operacion të quajtur “Nxitja e konfliktit ndërkombëtar” që synon veçanërisht Francën dhe Gjermaninë.

    Qëllimi i operacionit është “Përshkallëzimi i tensioneve të brendshme, për të promovuar interesat e Federatës Ruse, si dhe për të ndikuar në konflikte në jetën reale dhe për të krijuar artificialisht situata konflikti përmes artikujve të rremë, ndikues, si postimeve dhe komenteve në rrjetet sociale”.

    Dokumenti rus shton se qëllimi është “destabilizimi i situatës sociale” në Francë dhe Gjermani duke “përhapur narrativa shtesë të rreme, video të rreme, dokumente dhe regjistrime të bisedave telefonike, komente në rrjetet sociale dhe citate të rreme dhe reale nga influencuesit”.

  • Presidentja pas takimit me Valtonen: Kosova dhe Finlanda, partnere të palëkundura në mbrojtjen e vlerave evropiane

    Presidentja pas takimit me Valtonen: Kosova dhe Finlanda, partnere të palëkundura në mbrojtjen e vlerave evropiane

    Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit që pati me Ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, ka shkruar se Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura në mbrojtjen e vlerave evropiane.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se e ka falënderuar Valtonen për mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në çdo etapë, përfshirë procesin e shtetformimit, shtetëndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

    Postimi i plotë:

    Në mbrojtjen e vlerave evropiane, Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura!

    Në takim me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e falënderova për mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në çdo etapë, përfshirë procesin e shtetformimit, shtetëndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

    Do të vazhdojmë angazhimin për forcimin e raporteve tona ndërshtetërore. 🇽🇰🇫🇮