ATV

Category: Lajme

  • Situata në pikat kufitare veriore, Elshani: E qetë dhe pa incidente gjatë natës që shkoi

    Situata në pikat kufitare veriore, Elshani: E qetë dhe pa incidente gjatë natës që shkoi

    Dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjaku dhe Merdarja, janë mbyllur mbrëmë për qarkullim. Ndërkohë, pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.

     Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka treguar për situatën që ka qenë gjatë natës në pikat veriore.

    “Situatë e qetë, pa incidente”, ka thënë Elshani.

    Ndryshe, për mbylljen e dy pikave kufitare të Bërnjakut dhe Merdares, ka njoftuar mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

  • Shtyhet shpallja e aktgjykimit ndaj Trumpit deri pas zgjedhjeve

    Shtyhet shpallja e aktgjykimit ndaj Trumpit deri pas zgjedhjeve

    Shpallja e aktgjykimit kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në rastin penal për blerjen e heshtjes, është shtyrë deri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

    Gjykatësi Juan Merchan tha të premten se e ka shtyrë shqiptimin e dënimit deri më 26 nëntor, ndër të tjera, për shkak të “kornizës së veçantë kohore në të cilën kjo çështje gjen veten”.

    Avokatët e Trumpit, kandidatit republikan për president, kanë përdorur disa manovra ligjore për ta shtyrë shpalljen e aktvendimit, i cili ishte paraparë për 18 shtator.

    Trumpi u shpall fajtor në maj nga një gjykatë në Nju Jork për të gjitha 34 akuzat me të cilat përballej për falsifikimin e regjistrave biznesore të kompanisë, duke u bërë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

  • Në Podujevë zbulohet sot shtatorja e ish-presidentit Rugova

    Në Podujevë zbulohet sot shtatorja e ish-presidentit Rugova

    Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, sot Podujeva organizon ceremoninë e zbulimit të shtatores së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Ceremonia do të mbahet në Parkun e Qytetit, afër ish-objektit të vjetër të administratës komunale.

    Zbulimi i shtatores fillon në orën 13:00. Në ceremoni do të marrë pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani.

  • Rafuna: Blerjet në patundshmëri s’mund të quhen investime të huaja, situata në veri i largon investitorët

    Rafuna: Blerjet në patundshmëri s’mund të quhen investime të huaja, situata në veri i largon investitorët

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Lulzim Rafuna, ka thënë për Ekonomia Online se Kosova është duke vuajtur për investime të huaja direkte dhe se vendi duhet që të punojë shumë për përmirësimin e ambientit e të bërit biznes.

    Ai ka thënë se deklarimet e institucioneve për rritje të investimeve të huaja, janë të pasakta, pasi investimet e huaja janë kryesisht në patundshmëri. Këto investime sipas tij nuk mund të quhen të tilla nëse nuk ka hapje të linjave të prodhimit ose sektorëve të prodhimit.

    “Ne kemi ngritur zërin gjatë këtyre viteve që duhet të punojmë shumë për përmirësimin e ambientit e të bërit biznes, ta bëjmë një ambient miqësor për të ardhur investitor të huaj për të investuar në Kosovë. Kemi bërë edhe kërkesa që të kemi kujdes në pëlqimin e mesazheve sidomos nga udhëheqësit tanë, për arsye se nuk po janë mesazhe që po motivojnë një investitor për të ardhur për të investuar në Kosovë. Po ashtu nuk po janë edhe motivuese edhe për investitor të brendshme që i kemi për ti zgjeruar bizneset e tyre ose për të bërë një biznes të ri brenda Kosovës. Ne jemi dëshmitar që jemi duke vuajtur për investime të huaja direkte. Kur them për investime të huaja direkte për ata që dinë drejtpërdrejt me themelu një linjë prodhimi, ose një sektor të prodhimit, ose një që punësojnë ndoshta jo 1 mijë punëtor por së paku 100 punëtor, 100 jo por 10 punëtor që e kanë për qëllim me e ngrit prodhimin, e kanë me qëllim me rrit eksportin dhe me ndal importin”, ka thënë Rafuna.

    Ai ka kërkuar që investimet në patundshmëri të mos konsiderohen investime të huaja. Ai ka thënë se investime e huaja llogariten në numrin e hapjes së fabrikave e linjave tjera të prodhimit.

    “Ne jemi dëshmitarë që krejt kjo çka quhet prej institucioneve publike investim është në patundshmëri. Është diaspora jonë më së shumti që po kontribuon në blerjen e banesave e shtëpive. Nëse i shohim të dhënat zyrtare të institucioneve kompetente që i kanë lëshuar në Kosovë që është BQK-ja, Agjencia e Statistikave të Kosovës e kështu me radhë, por edhe të dhënat e OEK-ut, shohim që në vitin 2021 ose vitin 2020, ka qenë vit i mbyllur, ka qenë pandemia. Në vitin 2021 kur ishte ai ‘bom’ pas pandemisë kur u hap ekonomia, zinxhiri i furnizimit kur filloj që të funksionoj. Ne në Kosovë kishim 91 për qind të investimeve, këto që po quhen investime të huaja direkte që në fakt janë patundshmëri. 91 për qind e tyre në 2021 i kemi pasur në patundshmëri. Në vitin 2022 ka rënë në 80 për qind, në vitin 2023 kjo ka rënë në 60 për qind. E para ne nuk e nxjerrim si OEK mesataren me i mbledh në mënyrë matematikore. Ne investime e huaja si OEK i masim se sa fabrika ose sa linja të prodhimit janë hapur në Kosovë, sa njerëz janë punësuar, sa ka ndikuar në rritjen e eksportit”, u shpreh ai.

    Kreu i OEK-ut thekson se situata në veri të vendit largojnë investitorët e huaj. Ai konsideron se kontribuues të mungesës së investitorëve janë edhe deklaratat e krerëve institucional për sulm nga Serbia.

    “Deshëm apo nuk deshëm, çështjet e hapura që i kemi më Serbinë janë një pengesë. Tensionet në veri, një investitor para se të vije të investoj në Kosovë gjithmonë e bënë një konsultim me zyrtarët e qeverisë se vetë, dhe e matin rriskun. E dyta pak i kemi kontribuar edhe ne nëpërmjet deklaratave të institucioneve tona se ne do të sulmohemi nga Serbia, pritet që të sulmohemi nga Serbia këto deklarata për një kohë shumë të gjatë qarkulluan në media, në opinion kjo nuk i ka motivuar investitorët. Ne kemi pasur thirrje telefonike në OEK duke pyetur se a do të ketë luftë në Kosovë, ka qenë një absurd i vete kur Kosova është vend i vetëm në Ballkan i cili i ka trupat e NATO të vendosur”, u shpreh Rafuna.

  • Mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë, Sveçla: Qytetarët që duan të kalojnë transit nëpër Serbi po ndalen në mënyrë fashiste

    Mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë, Sveçla: Qytetarët që duan të kalojnë transit nëpër Serbi po ndalen në mënyrë fashiste

    Është mbyllur edhe pika kufitare në Merdarë, ka njoftuar mbrëmë vonë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    Sveçla përmes një shkrimi në Facebook thotë se kjo mbyllje erdhi pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që thotë se kanë ndaluar në mënyrë selektive dhe me qasje fashiste qytetarët që duan të kalojnë transit përmes Serbisë.

    “Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës”, shkroi Sveçla.

    Ndryshe, Sveçla pak orë më parë njoftoi se për shkak të sigurisë së qytetarëve është mbyllur kufiri në Bërnjak.

  • ShBA-ja zbulon paketën e re, 250 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    ShBA-ja zbulon paketën e re, 250 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin, ka njoftuar se armë të tjera amerikane me vlerë të 250 milionë dollarëve do të dërgohen në Ukrainë.

    Armët përfshijnë municione të mbrojtjes ajrore dhe artileri, shkruan Sky News.

    “Ne po punojmë gjithashtu me aleatët dhe partnerët për të ndihmuar Ukrainën të krijojë sigurinë e saj afatgjatë”, tha Lloyd gjatë një konference për shtyp.

    Udhëheqësit e mbrojtjes të 50 vendeve partnere që mblidhen rregullisht për të koordinuar ndihmën për Ukrainën, dje kanë mbajtur një takim në Gjermani.

  • Osmani pas takimit me ministri turk: Folëm për potencialin e bashkëpunimit në mbrojtje e politikë të jashtme

    Osmani pas takimit me ministri turk: Folëm për potencialin e bashkëpunimit në mbrojtje e politikë të jashtme

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se në takimin që pati me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, e falënderoi atë për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës në çdo etapë.

    Osmani tha se me Fidan folën për potencialin e bashkëpunimit, përfshirë fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes.

    “Me ministrin diskutuam për potencialin e bashkëpunimit përfshirë fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, si dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë. Forcimi i partneritetit midis Kosovës dhe Turqisë mbetet përkushtim i përbashkët”, shkroi Osmani.

    Ministri turk, Fidan, përveç Osmanit, gjatë ditës u takua edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe homologen e tij, Donika Gërvalla.

  • Krasniqi publikon një video të vitit 1999, ditën kur Thaçi inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës

    Krasniqi publikon një video të vitit 1999, ditën kur Thaçi inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ka shpërndarë një video të ish-presidentit, Hashim Thaçi e realizuar në vitin 1999.

    Ai thotë se më 6 shtator të vitit 1999, Thaçi inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës, që pas pavarësisë së vendit u shndërruar në Polici.

    “Në qershor të vitit 1999, Hashim Thaçi me shokët e tij u kthye fitimtar nga frontet e luftës për çlirimin e Kosovës. I vetëdijshëm se pas lirisë, rruga për ngritjen e shtetit sapo kishte filluar, me 6 shtator të po atij viti, Hashim Thaçi, si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës, që pas pavarësisë së vendit u shndërrua në Polici të Kosovës. Që nga ajo ditë, me dhjetëramijëra qytetarë të Kosovës kanë shërbyer në uniformën e vendit të tyre, duke garantuar sigurinë, paqen dhe stabilitetin në vend. Prandaj, sot, në 25 vjetorin e themelimit të Policisë sonë, u shpreh mirënjohjen më të thellë grave dhe burrave që ndër vite kanë shërbyer me nder, përgjegjësi dhe krenari. Kosova, si një histori e bukur suksesi, përveç lidershipit të saj të duhur politik në momentet më të rëndësishme, është meritë edhe e policisë së mrekullueshme të vendit tonë. Urime të gjithë policëve tanë. Jemi me ju dhe krah jush në çdo hap”, ka shkruar Krasniqi.

  • Ushtria izraelite tërhiqet nga kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor

    Ushtria izraelite tërhiqet nga kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor

    Forcat izraelite duket se janë tërhequr nga Xhenini dhe dy kampe të tjera të refugjatëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, pas për më shumë se një javë ushtria kreu operacion ushtarak, që la të vrarë dhjetëra perosna.

    Izraeli thotë se bastisjet në shkallë të gjerë në Bregun Perëndimor synojnë shkatërrimin e grupeve militante dhe parandalimin e sulmeve. Palestinezët druajnë për një zgjerim të luftës në Gazë.

    Gjatë operacionit, zyrtarët e ushtrisë izraelite thanë se kanë shënjestruar militantët në kampin e refugjatëve në Xhenin, Tulkarem dhe Al-Fara, teksa sulmet ndaj civilëve izraelitë së fundi, sipas ushtrisë janë rritur dhe janë bërë më vdekjeprurëse.

    Trupat u tërhoqën nga kampi Tulkarem mëngjesin e së premtes dhe më herët ishin larguar nga Al-Fara. Por, në njoftimin e ushtrisë izraelite u sugjerua se operacioni nuk ka përfunduar ende.

    “Forcat izraelite të sigurisë po vazhdojnë të veprojnë në mënyrë që të arrihen qëllimet e operacionit kundër terrorizmit”, tha ushtria izraelite përmes një deklarate.

    Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, në Bregun Perëndimor është rritur dhuna.

    Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.

    Më shumë se 500.000 kolonë hebre, që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin të cilat konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme, kanë shtetësi izraelite./REL

  • Fidan: Prania e gylenistëve në Kosovë, shqetësuese për Turqinë

    Fidan: Prania e gylenistëve në Kosovë, shqetësuese për Turqinë

    Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, kanë biseduar për hapat që duhet të ndërmerren kundër lëvizjes Hizmet të klerikut Fetullah Gulen, që Turqia i referohet me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

    Gjatë një konference për media më 6 shtator, Fidan pretendoi se kjo organizatë paraqet kërcënim edhe për Kosovën.

    “Folëm edhe për luftimin e terrorizmit, për hapat që duhet të ndërmerren kundër organizatës terroriste FETO [Organizata Terroriste Fethullaiste]. Për fat të keq, prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne. Dua t’iu kujtoj se FETO është kërcënim edhe për Kosovën. Ne duhet ta luftojmë bashkërisht këtë organizatë”, tha Fidan.

    Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.

    Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

    Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

    Ankaraja e ka shpallur terroriste lëvizjen “Hizmet” në maj të vitit 2016, duke i akuzuar mbështetësit e saj për përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke.

    Gulen ka qenë aleat i presidentit aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deri në vitin 2013.

    Turqia vazhdimisht i kërkon Kosovës që të bëjë më shumë kundër lëvizjes Hizmet.

    Në konferencën për media, Fidan tha po ashtu se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe tha se Ankaraja po përgatitet që të nënshkruajë një marrëveshje në fushën e sigurisë me Prishtinën, por nuk dha më shumë detaje për të.

    Duke folur për paqen dhe stabilitetin në rajon, kryediplomati turk, tha se Turqia e mbështet dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Ne besojmë që problemet e Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog. Ne mbështesim përpjekjet për arritjen e normalizimit mes dy vendeve. Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm në këtë kontest. Nëse vjen ndonjë kërkesë, ne si Turqi nuk do të hezitojmë të marrim përgjegjësi në këtë drejtim”, tha ai.

    Kryediplomati turk tha se Turqia dëshiron që këmbimet tregtare të rriten në 1 miliard euro, teksa tha se deri më tani, kompanitë turke kanë investuar 500 milionë euro në Kosovë dhe kanë krijuar 10.000 vende pune.

    Ai po ashtu premtoi se shteti i tij do të vazhdojë mbështetjen në trajnime, por edhe në ofrimin e pajisjeve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Ndërkaq, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, tha se siguria dhe stabiliteti rajonal, ishte ndër temat kyçe të takimit të saj me ministrin Fidan.

    Ajo tha se roli i Turqisë, por edhe i NATO-s është i rëndësishëm në garantimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, teksa akuzoi Serbinë fqinje për veprime destabilizuese.

    “Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin me NATO-n dhe përforcimin e pranisë së saj në vendin tonë si një garanci për mbrojtjen e paqes në rajon. Në këtë kontekst, ne e shohim Serbinë si një kërcënim real për stabilitetin rajonal. Kërcënimet për bllokimin sot të pikave kufitare janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste, por edhe e veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë të cilat shkojnë përtej kërcënimeve verbale”, tha Gërvalla.

    Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin pikëkalimet me Serbinë, pasi tha se një i “ashtuquajtur ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi” ka bërë të ditur se më 6 shtator ka ndër mend t’i bllokojë rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.

    Ky njoftim i MPJD-së u bë në kohën kohë kur autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – duke nxitur edhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare./REL