ATV

Category: Lajme

  • Britania dislokon trupa shtesë në Kosovë për stërvitje me KFOR-in

    Britania dislokon trupa shtesë në Kosovë për stërvitje me KFOR-in

    Më shumë se 300 trupa nga Mbretëria e Bashkuar do të dislokohen në Kosovë për ato që misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, thotë se janë ushtrime rutinore.

    Këto ushtrime do të mbahen nga 18 shtatori deri në fund të tetorit, ka njoftuar KFOR-i nëpërmjet një komunikate, pa dhënë hollësi se në ç’vend do të zhvillohen ato.

    Kontingjenti britanik, nga Regjimenti Mbretëror i Jorkshërit, do të kryejë një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it, gjatë dislokimit të përkohshëm të tij.

    KFOR-i ka njoftuar se stërvitjet kanë për qëllim “të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit”.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur, po ashtu, se stërvitjet do të mbështesin gatishmërinë e KFOR-it “për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë”.

    Njoftimi për dislokimin e trupave shtesë dhe për stërvitje u bë disa javë pasi KFOR-i zhvilloi atë që e quajti trajnim mbi urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

    Mbi këtë urë, që Kosova po synon ta hapë për qarkullim të automjeteve, KFOR-i ka prani të përhershme.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar autoriteteve në Kosovë që të përmbahen nga një veprim të tillë tani për tani, ndërkaq misioni i NATO-s dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që çështja e urës të zgjidhjet përmes dialogut. /REL

  • Pacientët në QKUK në lista pritjesh nga viti 2020

    Pacientët në QKUK në lista pritjesh nga viti 2020

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës është e mbingarkuar me rreth 10.000 pacientë që lëngojnë në lista të pritjes për shërbime thelbësore mjekësore.

    Zyra e Auditorit Kombëtar gjeti se pjesa më e madhe e tyre endet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pasuar nga Ortopedia, Oftalmologjia, Kardiologjia, Radiologjia dhe Kardiokirurgjia.

    Pritja mesatare atje arrin në gati tre vjet, sipas raportit të Auditorit, që u publikua në fund të muajit të kaluar.

    Auditori e hodhi përgjegjësinë te Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), duke thënë se këto institucione nuk kanë arritur t’i krijojnë kushtet e nevojshme për trajtimin në kohë të pacientëve.

    Ministria nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, ndërsa SHSKUK-ja tha se pritjet e gjata do të vazhdojnë edhe për një kohë.

    Sipas Auditorit, situatës së tillë i kontribuon mungesa kritike e personelit mjekësor, e sidomos anesteziologëve, e cila çon në shtyrjen e operacioneve.

    Katër vjet pritje

    Kujtimit – nga Deçani, pjesa qendrore e Kosovës – iu desh të priste më shumë se tre vjet për të operuar venat në njërën këmbë.

    Radio Evropa e Lirë ka biseduar me të më 9 shtator – ditën kur ishte shtrirë në Kirurgjinë Vaskulare për t’iu nënshtruar operacionit.

    Se sa urgjent ishte rasti i tij, tha se nuk e dinte, por se “pritja ishte e lodhshme”.

    “Ndoshta do të shkoja në ndonjë institucion privat, por nuk i kisha mundësitë. Sistemit publik, po ashtu, i besoj më shumë”.

    Ndërhyrja në vena në spitalet private në Kosovë kushton së paku një mijë euro, ndërsa në QKUK ky shërbim nuk paguhet.

    Në Kirurgjinë Vaskulare të QKUK-së, auditori gjeti edhe raste të pacientëve të regjistruar në listë të pritjes në janar të vitit 2020, të cilët u operuan në prill të vitit 2024.

    Drejtori i klinikës, Hajriz Rudari, numëron dy arsye për këtë: mungesën e anesteziologëve dhe të shtretërve.

    Rastet që presin më gjatë, sipas tij, janë ato me probleme në vena, e që, siç thotë, janë më të lehta.

    “Në klinikën tonë trajtohen sëmundje të ndryshme, përfshirë problemet arteriale, problemet venoze, e shto këtu edhe patologjinë e shputës diabetike. Ne jemi i vetmi vend në Kosovë, ku merremi me problemet dhe komplikimet e shputës diabetike. Shputa diabetike kërkon trajtim të gjatë në klinikë dhe [mungesa e shtretërve] – përveç mungesës së anesteziologëve – është arsyeja përse krijohen lista të gjata pritjeje”, thotë Rudari.

    Në klinikën që udhëheq ai, janë 24 shtretër për të gjitha llojet e patologjive.

    Sipas stafit, aty mund të pranohen çdo ditë pune nga 24 pacientë, me kusht që ata pacientë të lirohen një ditë pas pranimit.

    Por, kjo është e pamundur të ndodhë, pasi një pacient qëndron në klinikë, mesatarisht, pesë ditë.

    Të dhënat e klinikës nga vitet 2019-2023 tregojnë se aty, çdo muaj, janë trajtuar mesatarisht 106 pacientë.

    Pse anesteziologët janë problem?

    QKUK-ja ka Klinikën e Anesteziologjisë, prej nga specialistët e kësaj fushe angazhohen në sallat operative dhe jooperative të të gjitha klinikave, e që gjithsej janë 32.

    Anesteziologjia ka, aktualisht, 48 anesteziologë.

    Sipas udhëheqësve të saj, numri është i pamjaftueshëm për t’i mbuluar në kohë të gjitha kërkesat.

    “Vështirësitë shtohen edhe për shkak të angazhimit të tyre në kujdestari të shpeshta – çdo të gjashtën ditë e herë-herë edhe çdo të tretën”, thotë drejtori Gazmend Spahija për Radion Evropa e Lirë.

    Kjo klinikë, prej vitesh, përballet me numër të reduktuar të anesteziologëve.

    Shumë prej tyre kanë kaluar në institucione private ose kanë migruar jashtë vendit, kryesisht në shtete të BE-së.

    Deri më tash këtë vit, janë larguar dy, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës. Ndërsa, në periudhën 2019-2023 janë larguar 29.

    Përveç anesteziologëve, janë edhe specialistë të tjerë që largohen nga QKUK-ja.

    Sipas Odës së Mjekëve, në pesë vjetët e fundit janë larguar gjithsej 142.

    Nga kjo odë thonë se arsyet e atyre që largohen, lidhen me kushtet jo të mira në QKUK dhe pagat, vlera bazë e të cilave sillet rreth 1.200 euro.

    Një anesteziolog që është larguar para një viti nga QKUK-ja, por nuk ka dashur të identifikohej dhe të jepte hollësi për institucionin ku është i angazhuar tani.

    “Për një punë të madhe në QKUK, ti paguhesh aq sa paguhen edhe të tjerët që bëjnë punë shumë më të vogla”, tha shkurtimisht ai.

    Në raportin e Auditorit thuhet se SHSKUK-ja, që mbikëqyr QKUK-në dhe shtatë spitalet rajonale të Kosovës, ka zhvilluar gjatë viteve 2019-2023 dy procese të rekrutimit të anesteziologëve.

    Sipas raportit, atëkohë janë rekrutuar vetëm 23 syresh, që do të thotë se nuk janë zëvendësuar të gjithë mjekët e larguar.

    Udhëheqësit e SHSKUK-së thonë se Klinika e Anesteziologjisë ka nevojë për së paku 100 anesteziologë, në mënyrë që shërbimet të ofrohen në kohë.

    Sipas drejtorit Elvir Azizi, mungesa e tyre do të vazhdojë edhe për një kohë.

    Vitin e ardhshëm, specializimin në anesteziologji pritet ta përfundojnë mbi 15 mjekë, por se nuk është e sigurt nëse të gjithë ata do të shërbejnë në sistemin publik, sepse disa e kanë vetëfinancuar aftësimin dhe kanë të drejtë të zgjedhin.

    “Mendoj se me një organizim pak më të mirë mund të ketë përmirësime. Jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Azizi në një mbledhje të bordit të SHSKUK-së që u mbajt javën e kaluar.

    Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në bashkëpunim me SHSKUK-në, bën planifikimin e burimeve njerëzore.

    Por, kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me gjetjet e Auditorit.

    Problemet e tjera

    Përveç mungesës së anesteziologëve, klinikat me lista të gjata pritjesh kanë edhe mangësi të tjera – Oftamologjisë, për shembull, për një kohë i kanë munguar thjerrëzat, ndërsa Ortopedisë protezat.

  • Sekretari i Vatikanit diskuton me Vuçiqin për Kosovën

    Sekretari i Vatikanit diskuton me Vuçiqin për Kosovën

    Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, është takuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka diskutuar, mes tjerash, edhe për Kosovën.

    Vuçiq, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ka thënë se gjatë bisedës ka nënvizuar se “çështja e mbrojtjes, respektimit dhe përmirësimit të të drejtave të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare” në Kosovë është e rëndësisë kyçe për Serbinë.

    Çështje tjetër e rëndësishme, sipas udhëheqësit serb, është “mbrojtja dhe restaurimi i trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, i varrezave ortodokse, si dhe i monumenteve të rrezikuara kulturore, veçanërisht i kishave dhe manastireve ortodokse nën mbrojtjen e UNESCO-s”.

    Vuçiq ka thënë se Serbia “vlerëson lartë” qëndrimin e Selisë së Shenjtë karshi pavarësisë së Kosovës.

    Vatikani është një ndër vendet evropiane që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Qëndrimi i Vatikanit është se zgjidhja në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të arrihet në dialogun që palët zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Temë e diskutimit, sipas Vuçiqit, ka qenë “vazhdimi i dialogut të rregullt politik në të gjitha nivelet, si dhe bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Kishës Katolike”.

    “Theksova se Republika e Serbisë është e vendosur të vazhdojë kultivimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve konstruktive me Selinë e Shenjtë, meqenëse ne i ndajmë pikëpamjet për shumë çështje ndërkombëtare, veçanërisht për mbrojtjen e të krishterëve dhe të trashëgimisë së krishterë, si dhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut të të krishterëve”, ka shkruar Vuçiq.

    Sekretari i Vatikanit, Parolin, arriti në Serbi të martën e 17 shtatorit për një vizitë me rastin e shënimit të përvjetorit të 100-të të themelimit të Kryepeshkopatës së Beogradit.

    Në agjendën e vizitës së Parolinit është edhe takimi me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.

    Viteve të fundit janë zhvilluar disa takime ndërmjet zyrtarëve të Serbisë dhe atyre të Vatikanit.

    Vizita e mëparshme e një zyrtari të Vatikanit në Serbi u bë më 2021 nga kryepeshkopi Paul Richard Gallagher, sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhënie me Shtete.

    Në një komunikatë të publikuar nga Presidenca e Serbisë thuhej se zyrtari i Vatikanit kishte deklaruar se Ballkani Perëndimor mbetet ndër prioritetet e Selisë së Shenjtë.

    Sipas regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Serbi, i kryer më 2022, 86.6 për qind e qytetarëve janë deklaruar se i përkasin besimit të krishterë, prej të cilëve 3.9 për qind janë regjistruar si katolikë./REL/

  • Katër deputetë ftohen në Procesin e Berlinit, dy të pushtetit e dy të opozitës

    Katër deputetë ftohen në Procesin e Berlinit, dy të pushtetit e dy të opozitës

    Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se janë ftuar katër deputetë të Kuvendit të Kosovës në Procesin e Berlinit. Dy janë nga radhët e pushtetit e dy nga radhët e opozitës, raporton EO.

    Këtë e ka bërë të ditur në mbledhjen e këtij komisioni, ku në rend dite ka qenë raporti i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2024.

    “Kemi një ftesë në Procesin e Berlinit me katër deputetë që janë të ftuar. Dy të pozitës dhe dy të opozitës. Nuk ka qenë e specifikuar por janë katër dhe kanë kërkuar që shumica me qenë pozitë, unë e kam te specifikuar që shumica të jenë pozitë dhe andaj kam caktuar dy pozitë dhe dy opozitë”, ka thënë Krasniqi.

    Por mospajtime me këtë ftesë pati deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj. Sipas saj kjo është praktikë e re dhe e instaluar nga kjo qeveri.

    “Në këtë legjislaturë është bërë një gabim sepse përfaqësimi duhet të jetë politike. Praktikat parlamentare janë të kenë përfaqësim politik, pavarësisht a është parti opozitare apo në pozitë. Kjo është praktika më e re e instaluar nga kjo qeveri. Nëse shkojmë në një udhëtim zyrtar nëse ka qenë ftesa se duhen dy opozitë dhe dy pozitë atëherë pajtohem. Nëse nuk ka të specifikuar ftesën nuk bënë. Nuk shkon ashtu është përfaqësim politik”, ka thënë Kadriaj.

    Ndërsa aktivitetet e këtij sesioni, deputetja e AAK-së propozoi që të plotësohen sipas nevojës.

    “Zakonisht plani i punës varet nga agjenta legjislative, ne si komision nuk e kemi pasur asnjë shqyrtim. Për aktivitetet munden me u plotësu dhe koordinuar sipas nevojave. Nuk është plani i punës statik”, u shpreh Kadrijaj.

  • S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet

    S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet

    Në mungesë të kuorumit ka dështuar mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

    Në rend dite ka qenë shqyrtimi i raportit vjetor të punës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2023, si dhe raporti vjetor i punës së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2023.

    Kjo mbledhje e komisionit është shtyrë për javën tjetër.

  • Petkoviq: Bislimi refuzoi takimin trilateral sepse insistova në Asociacion e Urën e Ibrit

    Petkoviq: Bislimi refuzoi takimin trilateral sepse insistova në Asociacion e Urën e Ibrit

    Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se homologu i tij kosovar, Besnik Bislimi, refuzoi të marrë pjesë dje në takimin trepalësh, për shkak të disa arsyeve.

    ”Bislimi ka refuzuar të marrë pjesë në takimin trepalësh sepse delegacioni serb ka insistuar në tema si Asociacioni, shërbimet postare dhe çështja e zbatimit të marrëveshjes për urën”, ka thënë Petkoviq.

    ”Si kryenegociator i Beogradit, gjëja e parë që bëra ishte të diskutoja për masat e qeverisë serbe, të cilat u përmendën edhe nga presidenti i Serbisë në konferencën për media”.

    ”Këto janë ‘masa gjithëpërfshirëse mbrojtëse për popullatën serbe’ në Kosovë dhe masa që nënkuptojnë realizimin e procesit të dialogut, i cili është i domosdoshëm për ne, pasi jemi absolutisht të bindur se vetëm përmes dialogut mund të gjejmë një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës”, ka deklaruar ai.

  • Begaj: Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut, i sjell siguri rajonit

    Begaj: Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut, i sjell siguri rajonit

    Në konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut që po mbahet në Shqipëri, presidenti i shqiptar, Bajram Begaj ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në këtë kartë është një hap drejt sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Në fjalën e tij, Begaj theksoi se bota gjendet në konflikte të përgjakshme siç është në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, të cilat sipas tij, “kërkojnë një qasje të bashkuar dhe një angazhim të përbashkët për t’i adresuar ato në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme”.

    “Ukraina përballet me një agresion të paprecedentë të paligjshëm nga Rusia. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë Ukrainën në bashkëpunim me aleatët strategjikë. Në Lindjen e Mesme që prej një viti kemi përshkallëzim të konfliktit duke krijuar edhe atje një vatër të nxehtë. Këto çështje madhore kërkojnë një qasje të bashkuar dhe një angazhim të përbashkët për t’i adresuar ato në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme”, theksoi Begaj.

    Begaj vuri në dukje se Ballkani Perëndimor përballet me sfida në fushën e sigurisë, ku sipas tij, rajoni i brishtë ndaj “ndikimeve të brendshme dhe të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur”.

    “Rajoni ynë, Ballkani Perëndimor përballet me sfida me specifike, veçanërisht në fushat e sigurisë. Rajoni ynë mbetet i brishtë ndaj ndikimeve të brendshme dhe të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur. Tensionet e krijuara, ndërhyrja nga aktorët e tretë dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike kërkojnë bashkëpunim të thelluar ndër vete dhe me partnerët tanë. Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet”, u shpreh Begaj.

    Ai vuri në dukje se shqiptarët janë një faktor konstruktiv në rajon që kanë kontribuar për paqen dhe sigurinë. Në këtë mënyrë, sipas Begajt, edhe Kosova duhet të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut duke forcuar jo vetëm sigurinë e saj por edhe të gjithë rajonit të Ballkanit.

    “Shqipëria do të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe stabilitetin. Shqiptarët e rajonit janë një faktor konstruktiv dhe të moderuar duke kontribuar në paqe, në siguri dhe stabilitet. Ata janë dëshmuar si mbështetës të së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të rajonit tonë. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar vazhdimisht për të përçuar sigurinë në rajon dhe për të promovuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturën euroatlantike. Në këtë rrugëtim është me rëndësi të përfshihen edhe anëtarë të rinj që dëshirojnë të anëtarësohen në iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut dhe në NATO. Anëtarësimi i Kosovës në këtë kartë është thelbësor jo vetëm për sigurinë e Kosovës por edhe stabilitetin e gjithë rajonit. Kosova ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe përbën një faktor kontribuues për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha më tej në fjalën e tij, presidenti Begaj.

  • Aktakuzë ndaj një personi për kultivim të narkotikëve në Viti

    Aktakuzë ndaj një personi për kultivim të narkotikëve në Viti

    Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.A., për shkak të veprës penale ‘’Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’’, nga neni 272 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Sipas aktakuzës, në komunën e Vitisë, më datë 29 Gusht 2024, rreth orës 10:30 minuta, është konstatuar se i pandehuri E.A, pa autorizim, ka kultivuar bimën e kanabisit, ashtu që në afërsi të vendbanimit të tij, ka mbjellë nëntë (9) bimë narkotike ‘’Canabis Sativa’’, me gjatësi prej 80 – 210 cm, të cilat i ka kultivuar me qëllim të prodhimit të substancave narkotike”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor për veprën penale, e cila i vihet në barrë.

  • Kryeministri Kurti merr pjesë në darkën e ftuar nga Presidentja e Komisionit Evropian

    Kryeministri Kurti merr pjesë në darkën e ftuar nga Presidentja e Komisionit Evropian

    Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, më 19 shtator.

    Burime të ATV-së konfirmuan se kryeministri Kurti pritet të udhëtojë nesër për në Bruksel.

    Me këtë takim, Von der Layen do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

    Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

     

  • ​BERZH-i nis linjën e re të kredisë për bankat vendase

    ​BERZH-i nis linjën e re të kredisë për bankat vendase

    Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) sot ka nisur linjën e re të kredisë për bankat vendase për kreditim të mëtejshëm të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në kuadër të programit SME Go Green, me mbështetjen e BE-së.

    Shefi i BERZH në Kosovë, Sergiy Maslichenko tha se ky projekt ka rëndësi për BERZH-in dhe agjendën e gjelbër.

    Ai tha se BERZH-i e ka ndihmuar Kosovën në pavarësinë energjetike dhe sigurinë energjetike.

    Shefi i BERZH-it theksoi se për BERZH-in ky është programi kryesor për ofrimin dhe kanalizimin e fondeve përmes bankave komerciale.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ndërmarrjet e mesme dhe të vogla janë boshti kryesor i ekonomisë sonë.

    Sipas saj ky projekti mundëson qëndrueshmëri në këtë sektor.

    Rizvanolli se Kosova e ka përqafuar strategjinë e gjelbër dhe në këtë aspekt nuk ka kthim prapa, dhe se sa më shpejtë kompanitë të përqafojnë këto politika do të jetë mënyra më e mirë që të jenë të konkurrueshme në treg.

    Kryesuesi i zyrës për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë, theksoi se përmes këtij programi mundësohet që bizneset të jenë më të suksesshme.

    Ai tha se si BE janë krenar që në aspektin e efiçiencës po i ndihmojnë bizneset.