ATV

Category: Lajme

  • Moti sot: I vranët e me reshje shiu

    Moti sot: I vranët e me reshje shiu

    Këtë të mërkurë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

    Temperatura minimale pritet të lëvizë nga 10 deri në 13 gradë, kurse maksimalja e ditës prej 15 deri në 19 gradë Celsius.

    Gjatë ditës pritet të ketë rrebeshe shiu, të shoqëruara me shkarkesa elektrike, teksa era pritet të fryjë deri në 28 km/h.

  • Rasti “Gylenistët”, Apeli shqyrton vendimin e shkallës së parë

    Rasti “Gylenistët”, Apeli shqyrton vendimin e shkallës së parë

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Më shumë se një vit që nga aktgjykimi i shkallës së parë, të martën Apeli ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë dhe mbrojtjes, në rastin e njohur si Gylenistët.

    Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, ishte shpallur fajtor dhe është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Por, mbrojtja e Gashit, para kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së shkallës së dytë, ka pretenduar se aktgjykimi nuk përmban asnjë arsyetim.

    Sipas avokatit, ish-shefi i AKI-së nuk e keqpërdori detyrën zyrtare, por përkundrazi veproi drejt në çështjen e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova.

    Prokuroria Speciale e kishte akuzuar Driton Gashin, për të cilin u tha se pa siguruar asnjë provë se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, kishte rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe me të njëjtin arsyetim ishin dëbuar nga Kosova gjashtë shtetas turq.

    Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, PSRK-ja i akuzonte edhe ish-drejtorin i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi, dhe Rrahman Sylejmanin, ish-drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj, në kuadër të Policisë Kufitare, por ata janë liruar.

    Ndërkaq, edhe organi i akuzës ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë.

    Policia e Kosovës gjatë një aksioni më 29 mars të vitit 2018, në bashkëpunim me AKI-në, kishte arrestuar gjashtë shtetas turq, të cilët akuzoheshin nga Ankaraja për grushtshtetin e organizuar atje.
    Ky rast kishte nxitur reagime ndërkombëtare, për çka Kosova u kritikua për shkelje të të drejtave të njeriut./atvliv.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Fillon gjykimi për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës, ai akuzohet për vrasjen e Ramadan Jakupit dhe rrahjen e 10 civilëve të tjerë

    Fillon gjykimi për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës, ai akuzohet për vrasjen e Ramadan Jakupit dhe rrahjen e 10 civilëve të tjerë

    RAPORTI: NORA LUTA 

    Për maltretimin dhe rrahjen e secilit nga këta civilë, Prokuroria Speciale po pretendon se Shaqir Lutvija nga Komuna e Dragashit është përgjegjës.

    Sipas PSRK-së, Lutvija sa ishte inspektor dhe polic në stacionin policor të Prizrenit gjatë viteve 1998-99, në bashkëkryerje përdori forma të torturës ndaj tyre, përfshirje edhe mjete të energjisë elektrike.

    Si pasojë, organi i akuzës pretendon se Ramadan Jakupi vdiq, ndërsa dhjetë (10) civilë të tjerë nga Rahoveci e Suhareka, kishin pësuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja psikike.

    Por, 64-vjeçari që në pranga u soll në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në paraqitjen e parë mohoi akuzat.

    E tëra që më vihet në barrë nuk është e vërtetë dhe nuk ndihem fajtor, nuk kam marrë pjesë në këto ngjarje.

    Mirëpo, me deklaratën e ish-policit nuk po pajtohen të dëmtuarit, që pritet edhe të dëshmojnë gjatë këtij gjykimi që nisi të martën.

    Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Lutvijës në fillim të këtij muaji./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Përurohen renovimet në Gjimnazin “Ahmet Gashi”, ato u mundësuan falë donacionit nga Ambasada Amerikane në Kosovë

    Përurohen renovimet në Gjimnazin “Ahmet Gashi”, ato u mundësuan falë donacionit nga Ambasada Amerikane në Kosovë

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Rreth 2 mijë nxënësit që vijojnë mësimin në shkollën “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ambientin ku kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës, këtë vit e kanë me kushte më të mira se që i kishte më parë kjo shkollë.

    Kjo u bë falë një renovimi të mundësuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, donacion ky në vlerë prej 600 mijë dollarëve.

    “Shkolla ‘Ahmet Gashi’ ka pasur nevojë për ndryshime dhe përmirësime rrënjësore për të siguruar që do t’u ofrojë nxënësve mjedisin më të mirë të mundshëm për mësim nxënie për nxënësit. Tani që këto renovime kanë përfunduar, shkolla do t’iu ofrojë nxënësve hapësirë shumë më të sigurt, më të pastër që ata të rriten e piqen dhe t’i ndjekin synimet akademike”, deklaroi ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Falënderues për ndihmën ishin nxënësit e shkollës e drejtori Haxhi Meta.

    “ShBA-ja jo vetëm në këtë rast, por edhe në luftën e fundit në Kosovë na kanë dalë në ndihmë popullit tonë, prandaj jemi mirënjohës gjithë jetën për ndihmën e vazhdueshme që po marrim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, tha drejtori Meta.

    Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    “Është dëshmi e fuqisë së partneritetit dhe të besimit të përbashkët në rolin transformues të arsimit, i cili është themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen jo vetëm të qytetit tonë, por edhe të vendit tonë…”, deklaroi kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

    “Ky gjimnaz i cili me dekada përgatit të rinjtë dhe të rejat në drejtimet shoqërore, duke u dhënë një bazë të fortë me të cilën formohen, për t’u bërë individ të shëndoshë që i duhen shoqërisë tonë. Përmirësimi i arsimit në të gjitha nivelet është objektivi parësor në strategjinë tonë të arsimit…”, u shpreh ministrja Nagavci.

    Në Gjimnazin ”Ahmet Gashi” veç rreth 1300 nxënësve të kësaj shkolle, nga ky vit shkollor mësimin e zhvillojnë edhe rreth 700 nxënës të Gjimnazit “Eqrem Qabej”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Në Kolegjin AAB mbahet tryezë diskutimi për Dhomat e Specializuara

    Në Kolegjin AAB mbahet tryezë diskutimi për Dhomat e Specializuara

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Rreth punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës, këtë të martë është folur në ambientin e Kolegjit AAB.

    Pjesë e saj ishin studentët e Kolegjit AAB, profesorë dhe përfaqësues nga Haga.
    Për përfaqësuesit nga Haga studentët e pjesëmarrësit patën pyetje të shumta rreth gjykimeve që po mbahen atje.

    “Studentët profesorët dhe pjesëtarët e tjerë mendoj që patën pyetje shumë të mira dhe interesante në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe kjo është një nga arsyet që ne vijmë në Kosovë çdo muaj të takohemi me studentët dhe qytetarët e Kosovës, për t’i dëgjuar opinionet e tyre për Gjykatën dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të tyre”, tha koordinatori i Zyrës për informim nga dhomat e specializuara, Michael Doyle.

    Duke komentuar diskutimin që pati me studentët, Michael Doyle, koordinator i zyrës për informim nga Dhomat e Specializuara, vlerësoi edhe bashkëpunimin që kanë me institucionet vendore.

    “Nën ligjet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, institucionet e Kosovës obligohen të bashkëpunojnë. Unë personalisht nuk jam i përfshirë në mënyrë specifike në çështjet juridike, por shohim në shumë raste se ka bashkëpunim të mirë me autoritetet këtu, sidomos kur kemi të bëjmë me persona që lirohen nën kushte të veçanta. Nuk i di detajet e bashkëpunimit por është obligim dhe ka shembuj të qartë për këtë”, shtoi tutje ai.

    Doyle qëndroi në Kosovë si pjesë e vizitave të rregullta që përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara bëjnë në vend./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Patriot Krasniqi i PDK-së takon në SHBA senatorë e kongresistë amerikan

    Patriot Krasniqi i PDK-së takon në SHBA senatorë e kongresistë amerikan

    Kryetari i PDK-së në Itali, Patriot Krasniqi po merr pjesë në Lutjet e Mëngjesit që po mbahen në SHBA.

    Me këtë rast, ai ka njoftuar se ka takuar miq të mëdhenj të Kosovës, senatorë, e kongresistë amerikanë si dhe shumë personalitete të ndryshme e politikan të vendeve të ndryshme.

    “Lutjet e Mëngjesit ishin një mundësi e jashtëzakonshme për të shkëmbyer pikëpamjet tona me shumë personalitete dhe takimet e shumta dy ditëve të fundit, do të më shërbëjnë për të vazhduar edhe më fuqishëm angazhimin tonë të përbashkët për një Kosovë të fortë e diasporë të integruar”, ka shkruar ndër të tjera ai.

  • Osmani kërkon të mos merren seriozisht kërkesat e Vuçiqit: Vetëm fjalë e retorikë

    Osmani kërkon të mos merren seriozisht kërkesat e Vuçiqit: Vetëm fjalë e retorikë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, të mos merren seriozisht pasi, siç tha ajo, ai nuk e do me të vërtetë rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por vetëm dëshiron ta tërheqë vëmendjen e Perëndimit.

    “Kur Vuçiqi flet për rithikimin e tyre [serbëve në institucione], ai i prezanton ato vetëm si fjalë e retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë – që janë përpjekjet e tij, qeverisë së tij, ushtrisë së tij, në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare, të cilat kanë qëllim vetëm dhunën”, tha Osmani gjatë një ngjarjeje në Prishtin.

    Javën e kaluar Vuçiq bëri thirrje për riintegrimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, ndër të tjera, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

    Ai gjithashtu njoftoi më 14 shtator se ka nënshkruar marrëveshjë për rikthimin e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë.

    Osmani, gjatë deklarimit për media, përsëriti se nuk beson se këto janë kërkesa të sinqerta të Vuçiqit, por shtoi se vetë institucionet e Kosovës duhet të punojnë “që të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht etnisë, të jenë të barabartë”.

    “Kjo [mosbesimi ndaj deklaratave të Vuçiqit] nuk do të thotë që ne si institucione të Kosovës të mos punojmë afër me të gjithë qytetarët tanë të nacionalitetit serb, në mënyrë që, në përputhje me procedurat e ligjshme ata të jenë prezent në të gjitha institucionet e Kosovës”, shtoi Osmani.

    Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.

    Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

    Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.

    Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.

    Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte quajtur këto kërkesa “jopaqësore” dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja”.

    “Kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, kishte thënë Kurti në komentin e tij të parë për thirrjet e Vuçiqit, të cilat Bashkimi Evropian i mirëpriti si një lëvizje pozitive./REL/

  • Bislimi: Petkoviq kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën

    Bislimi: Petkoviq kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën

    Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës në dialogun Kosovë, ka thënë se takimi trepalësh me Petar Petkoviqin, kryenegociatorin serb, dhe Miroslav Lajçak, emisarin e BE-së, dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

    Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

    “Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi./REL/

  • ​Përfundon rundi i ri i bisedimeve në Bruksel pa takim trepalësh

    ​Përfundon rundi i ri i bisedimeve në Bruksel pa takim trepalësh

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë zhvilluar takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën në Bruksel.

    Bislimi u takua dy herë me Lajçakun dhe tha se takimi trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

    Për herë të fundit, ata janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

    Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviq ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.

    Sipas burimeve në BE, në takimet e sotme pritet të diskutohen hapat për zbatimin e saj.

    Këtyre takimeve u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.

    Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

    Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik.

    Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në shtator të vitit të kaluar dhe të dy kanë akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive.

    BE-ja, në anën tjetër, përsërit se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve.

    Ajo e ka kushtëzuar integrimin evropian të të dyja vendeve me përparimin në dialog./REL/

  • Nuk ka takim trepalësh, Bislimi e Petkoviq përfundojnë takimet me Lajçakun

    Nuk ka takim trepalësh, Bislimi e Petkoviq përfundojnë takimet me Lajçakun

    Kanë përfunduar takimet bilaterale të Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndaras me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, pa një takim trilateral.

    Kështu konfirmoi për ATV-në, shefi i kabinetit të Bislimit, Klisman Kadiu.

    “Kanë përfunduar takimet, kemi patur vetëm takim bilateral me Lajçakun dhe jo takim trilateral. Te komunikata do të sqarojmë më gjatë”, tha Kadiu.

    Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në rundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.