ATV

Category: Lajme

  • Gjenden dy mina e tri bomba dore të pashpërthyera në Shtërpcë

    Gjenden dy mina e tri bomba dore të pashpërthyera në Shtërpcë

    Një person në Shtërpcë ka raportuar se ka hasur në tri mina dhe dy bomba dore të pashpërthyera.

    Në raportin 24 orësh bëhet se njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti i deminimit i policisë ka tërhequr mjetet e dyshuara.

    Policia rastin e ka cilësuar si “gjetje e mjeteve të pashpërthyera”.

    “Drejkovc, Shtërpcë 17.09.2024-13:20. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se ka hasur në mjete të dyshuara (tre mina dhe dy bomba dore). Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i PK-së ka tërhequr mjetet e dyshuara”, thuhet në njoftim.

  • Grenelli shqiptarëve në Detroit: Trumpi duhet të jetë president i ardhshëm

    Grenelli shqiptarëve në Detroit: Trumpi duhet të jetë president i ardhshëm

    Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, është takuar me disa shqiptarë në Detroit të Michiganit.

    Grenell ka postuar disa fotografi në rrjetin social Instagram ku shihet me një grup të shqiptarëve në Amerikë, duke ngrënë ushqim.

    Ai thotë se shqiptarët amerikanë e dinë se Donald Trump duhet të jetë president i ardhshëm i ShBA-së.

    “Shqiptarët amerikanë, në Detroit e dinë se Donald Trump duhet të jetë president i ardhshëm”, ka shkruar Grenell në Instagram.

  • Gjobë ndaj shoferit që bëri tejkalim të kolonës së automjeteve në Ferizaj

    Gjobë ndaj shoferit që bëri tejkalim të kolonës së automjeteve në Ferizaj

    Policia i ka shqiptuar gjobë një 73-vjeçari i cili ka bërë tejkalimin e kolonës së automjeteve duke i rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacionin rrugor.

    Sipas njoftimit nga policia, shoferi me iniciale H.G., është dënuar me 200 euro, dy pikë negative dhe masën mbrojtëse, heqje e patentë shoferit për tre muaj.

    “Policia e stacionit në Ferizaj me datën 17.09.2024 rreth orës 19:00 ka pranuar një informatë ( me foto) nga qytetarët, se në rrugën ’’Reçaku ’’ në Ferizaj një shofer i veturës mercedes ka bërë tejkalimin e kolonës së aumjeteve, duke i rrezikuar pjesëmarrësit tjerë në komunikacionin rrugor. Policia e ka identifikuar shoferin H.G (M/K) i moshës vjeçar 73 vjeçar, të cilit i shqiptoi një gjobë për kundërvajtje sipas ligjit të komunikacionit rrugor, me dënim 200 euro, 2 pikë negative dhe masën mbrojtëse, heqje e patentë shoferit 3 muaj. Me këtë rast Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit. Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thotë policia.

  • Trump i rikthehet fushatës pas përpjekjes së dytë për vrasjen e tij

    Trump i rikthehet fushatës pas përpjekjes së dytë për vrasjen e tij

    Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është kthyer aktiviteteve të fushatës zgjedhore për herë të parë që prej një përpjekjeje të dytë për vrasjen e tij.

    Trump është lavdëruar më 17 shtator se “vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, teksa ka përshëndetur kundërshtaren e tij, kandidaten demokrate Kamala Harris, për kujdesin e treguar përmes një telefonate, raporton AFP.

    Ish-presidenti amerikan ka folur në një tubim para mbështetësve të zjarrtë në Flint, një qytet industrial që dikur ishte qendër e industrisë automobilistike amerikane në qytetin e luhatshëm të Miçiganit, para se fabrikat të mbylleshin për shkak të konkurrencës së jashtme.

    Trump është munduar të lidhë atë që Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) e ka cilësuar si përpjekje të penguar për vrasjen e tij të dielën, në fushën e tij të golfit në Florida, me zotimin e tij për të vendosur tarifa të larta ndaj importit të automjeteve nga Meksika dhe nga Kina.

    “Dhe pastaj habiteni pse sulmohem me armë… E dini që vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, u shpreh ai.

    Kandidati republikan ka thënë se njeriu që dyshohet se u përpoq ta vriste atë ishte ndjekës i asaj që ai e ka quajtur retorikë e presidentit Joe Biden dhe e Harrisit që ngulmon se Trump përbën rrezik për demokracinë amerikane.

    Rivalja zgjedhore e Trumpit, nënpresidentja aktuale amerikane, Harris, e cila bëri fushatë në një shtet tjetër të luhatshëm, Pensilvani, tha të martën se ka kontaktuar ish-presidentin pas sulmit të parandaluar.

    “Bisedova me të për të parë se si është. Dhe, i thashë atij atë që e kam thënë publikisht – nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë”, u shpreh Harris në një intervistë për Asociacionin Kombëtar të Gazetarëve me Ngjyrë.

    Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar bisedën Harris-Trump si “të përzemërt dhe të shkurtër”. Trump ka thënë se Harris “ishte aq e mirë”. /REL

  • Tentoi t’ua japë 20 euro policëve për të mos e dënuar, arrestohet prishtinasi

    Tentoi t’ua japë 20 euro policëve për të mos e dënuar, arrestohet prishtinasi

    Një person është arrestuar në Prishtinë pasi që i njëjti me qëllim që të mos i shqiptohet një tiketë e trafikut për kundërvajtje në trafik, ka tentuar t’ua japë 20 euro policëve.

    Policia bën me dije përmes raportit se me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

  • Ngrihet alarmi edhe në Itali, vendi pritet të goditet nga stuhia “Boris”

    Ngrihet alarmi edhe në Itali, vendi pritet të goditet nga stuhia “Boris”

    Stuhitë intensive që godasin Evropën qendrore po arrijnë tani në Itali, ku paralajmërimet për shi të dendur, erëra të forta dhe përmbytje janë lëshuar në pjesën më të madhe të vendit.

    Përmbytjet janë raportuar tashmë në qytetin qendror të Peskarës, ndërsa alarmet e motit të shërbimit meteorologjik italian zbatohen nga bregu verior i Emilia-Romagna deri në jug, transmeton tch, përcjell Albinfo.

    Paralajmërimet vijnë pasi përmbytjet kanë shkatërruar pjesë të Polonisë, Republikës Çeke, Rumanisë dhe Austrisë këtë javë, duke lënë të paktën 21 njerëz të vdekur.

    Autoritetet në Kroaci, Hungari dhe Sllovaki po paralajmërojnë gjithashtu për përmbytje në ditët në vijim.

    Përmbytjet e konsiderueshme janë shkaktuar nga stuhia “Boris”, e cila solli sasi të mëdha shiu dhe bore në fundjavë.

    Më shumë se 5,000 ushtarë janë vendosur për të ndihmuar njerëzit në Poloninë jugore, duke përfshirë 40,000 banorët e evakuuar nga qyteti i Nysa.

    Ujërat e përmbytjeve po zvogëlohen në disa vende në rajon dhe po përhapen në të tjera, me shkallën e dëmit të zbuluar në qytete polake si Glucholazy. Ura kryesore e qytetit u shemb pasi u dëmtua nga lumi, ndërsa shumë nga rrugët e tij janë mbuluar me baltë.

    Policia polake të martën konfirmoi se të paktën gjashtë persona kanë vdekur, duke paralajmëruar kundër informacioneve të rreme pas raportimeve të mediave që tregojnë se numri i përgjithshëm i njerëzve të vrarë në më shumë se një duzinë.

    Kryeministri i vendit, Donald Tusk, ka shpallur një gjendje një mujore të fatkeqësisë natyrore, me përmbytjet më të këqija që pritet të godasin qytetin e Wroclaw të mërkurën.

    Zonat përgjatë kufirit çeko-polakë janë ndër më të goditurat, ku 15,000 njerëz janë evakuuar edhe në Republikën Çeke.

  • Sulmi ukrainas me dronë nxit evakuime në Rusi

    Sulmi ukrainas me dronë nxit evakuime në Rusi

    Një sulm me dronë nga Ukraina ka shkaktuar një zjarr dhe ka detyruar evakuimin e pjesshëm të banorëve në qytezën e Toropetsit, në pjesën perëndimore të rajonit Tver në Rusi, bënë të ditur autoritetet rajonale të mërkurën.

    Zjarrfikësit u angazhuan në shuarjen e zjarrit, tha Igor Rudenya, guvernator i rajonit që ndodhet në veriperëndim të Moskës, përmes një postimi në kanalin e administratës së rajonit në platformën Telegram. Ai nuk ka bërë të ditur se kë e ka kapluar zjarri.

    Sipas një raporti të publikuar më 2018 nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, Rusia po ndërtonte një magazinë për ruajtjen e raketave, municioneve dhe mjeteve të tjera shpërthyese në Toropets, një qytezë 1000-vjeçare, me popullsi prej rreth 11.000 banorësh.

    Nuk është njoftuar për viktima si rezultat i sulmit të 18 shtatorit në Tver, raporton Reuters.

    Shkollat dhe çerdhet kaluan në mësimdhënie online në distriktin e Zapadnovisnkit, në kufi me atë të Toropetsit, bëri të ditur administrata e distriktit në rrjetin social VKontakte.

    Njësitet ruse të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 54 dronë që Ukraina kishte nisur gjatë natës, për të sulmuar pesë rajone perëndimore të Rusisë, raportuan agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, duke cituar një raport të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

    Guvernatorët rajonalë nuk raportuan për dëme nga këto sulme.

    Por, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk përmendi rajonin e Tverit, që ka rajonin e Moskës në kufirin e saj juglindor.

    Raportimet nuk ka qenë e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa as Ukraina nuk ka dalë me ndonjë njoftim.

    Kievi ka thënë më parë se sulmet e saj në Rusi kanë për qëllim të godasin infrastrukturën ushtarake, energjetike dhe atë të transportit, të cilat janë të rëndësisë kyçe për luftën e Rusisë në Ukrainë.

    Zyrtarët rusë rrallëherë japin hollësi për shkallën e plotë të dëmeve të shkaktuara nga sulmet ruse.

    Teksa Ukraina ka rritur prodhimin e brendshëm të dronëve gjatë dy vjetëve të fundit, ajo ka shtuar sulmet ndaj territorit rus.

    Sulmi më i madh ndonjëherë me dronë nga Ukraina goditi kryeqytetin rus në shtator, duke vrarë të paktën një person, teksa u dëmtuan shtëpi e u ndërprenë fluturime nga aeroportet e Moskës./REL/

  • ​Raportohen në polici tri raste të vdekjeve

    ​Raportohen në polici tri raste të vdekjeve

    Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste ku po bëhet hetimi vdekjes, dy raste në Lipjan ndërsa një tjetër në Prishtinë.

    Në Lipjan raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Sipas policisë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet ne IML për obduksion.

    Derisa në rastin tjetër në Lipjan policia ka njoftuar se në tavanin e shtëpisë ka gjetur pa shenja jete prindin e tij viktimën mashkull kosovar.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet tutje.

    Ndërsa në Prishtinë një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, ndërsa ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e saj. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet tutje në njoftim.

  • Edhe një rund i pasuksesshëm në bisedimet Kosovë-Serbi, krejt çka ndodhi dje në Bruksel

    Edhe një rund i pasuksesshëm në bisedimet Kosovë-Serbi, krejt çka ndodhi dje në Bruksel

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan dje ndaras në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në një raund të ri bisedimesh, mes debateve për situatën në veriun e Kosovës dhe përpjekjeve të BE-së për të shtyrë palët drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

    Lajçak takoi ndaras të dy palët, por nuk pati një takim trepalësh. Emisari evropian ka thënë se është i zhgënjyer që nuk pati takim trepalësh.

    Lajçak ka thënë se i vjen keq që s’u trajtuan çështjet urgjente në një takim trepalësh.

    Ai ka shtuar se do të mbetet në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojnë tutje në javët në vijim.

    “Prita sot në Bruksel dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dhe delegacionet e tyre për takime të ndara. Më vjen keq që nuk i trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbetem në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”, ka shkruar Lajçak të mërkurën.

    Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, ishte Petar Petkoviq ai i cili kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën, por nuk i bëri të ditura se cilat ishin kërkesat.

    “Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare. Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”, tha Bislimi.

    Gjatë takimit atje, u diskutua edhe çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

    Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur se Bislimi ka theksuar se sipas BE-së dhe raporteve të Komisionit Evropian që nga viti 2014, ura duhet të hapet pa vonesa të mëtejme.

    “Mbi lirinë e lëvizjes, zëvendëskryeministri e informoi z. Lajçak mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces.

    Njëherit, Bislimi ka thënë se kjo çështje është trajtuar e dakorduar në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut.

    “Ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, ka deklaruar Bislimi.

    Në anën tjetër, kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviç tha gjatë një konference për shtypin se në takim i ka paraqitur masat e publikuara nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç për zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës, duke nënvizuar se Serbia është e gatshme për kompromis, por pa takime trepalëshe negociatat nuk kanë kuptim.

    Petkoviq ka akuzuar se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk ka dashur të ketë takim trepalësh. “Ai ka refuzuar të takohet me përfaqësuesit e Beogradit, sepse ne kemi insistuar në tema si AKS-ja, shërbime postare dhe çështjet e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Paramendoni kur ai nuk do të flasë për këto gjëra të rëndësishme”, tha Petkoviq.

  • Grabitje e armatosur në Klinë, dy persona me kallash grabiten 3 mijë euro në një pompë të derivateve

    Grabitje e armatosur në Klinë, dy persona me kallash grabiten 3 mijë euro në një pompë të derivateve

    Policia e Kosovës ka njoftuar sot për një grabitje të armatosur në fshatin Volljak të Klinës.

    Sipas policisë, dy persona të panjohur nën kërcënimin e armës AK-47 u kanë grabitur 3000 euro në një pompë të derivateve në këtë fshat dhe janë larguar në drejtim të panjohur.“Fsh.Voljak, Klinë 17.09.2024-02:45.

    Dy viktimat meshkuj kosovarë kanë raportuar se derisa kanë qenë duke punuar në pompën e derivateve, dy të dyshuar të maskuar, nën kërcënimin e armës AK-47 u kanë grabitur 3000 euro dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në njoftim.