ATV

Category: Lajme

  • 26-vjetori i Masakrës së Abrisë, Osmani: Jetët e tyre u morën mizorisht, por kujtimi për ta, i përhershëm

    26-vjetori i Masakrës së Abrisë, Osmani: Jetët e tyre u morën mizorisht, por kujtimi për ta, i përhershëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 26-vjetorin e Masakrës së Abrisë, jetët e tyre u morën mizorisht, por siç shkroi ajo, kujtimi për ta është i përhershëm.

    Ajo u shpreh se jemi të përkushtuar për ta ruajtur kujtesën për ta, sikurse siç tha, edhe për të vendosur drejtësi.

    “26-vjet më parë, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu masakrën brutale ndaj 23 anëtarëve të familjes Deliu, nga fëmija 2 vjeç, të rinj, gra e deri te plaku 94 vjeç. Jetët e tyre u morën mizorisht, por kujtimi për ta është i përhershëm. Nuk do të harrojmë kurrë. Jemi të përkushtuar për ta ruajtur kujtesën për ta, sikurse edhe për të vendosur drejtësi”.

    “Sot, nderojmë edhe sakrificën heroike të dëshmorëve të UÇK-së Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë në altarin e lirisë, duke mbrojtur dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë”, ka shkruar Osmani.

  • Aksion i radhës nga Prokuroria Speciale, sekuestrohen banesa, garazhe, lokale e parcela tokësore

    Aksion i radhës nga Prokuroria Speciale, sekuestrohen banesa, garazhe, lokale e parcela tokësore

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar tre persona për shkak të veprës penale “shpëlarje të parasë”, dhe vepra tjera penale. Në kuadër të këtij aksioni janë sekuestruar dëshmi relevante, ndërsa janë lëshuar edhe urdhëra ndalues për banesa e lokale.

    Aksioni është zhvilluar në pesë lokacione të ndryshme, katër lokacione në rajonin e Prishtinës dhe një në rajonin e Gjilanit.

    Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale në periudhën kohore 2020/2024.

    “Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: Tre foldera/dosje me dokumentacion të ndryshëm si kontrata, autorizime, certifikata të pronave të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Një revole e tipit VIZOR 50 cal 7.65, një karikator me 7 fishek, dy karikator të zbrazur të armës AK-47, 58 Cop municione të kalibrave të ndryshëm, 09/copë municione 12/A të armës së gjuetisë. Një veturë BMW ngjyrë e zezë me targa vendore, viti prodhimit 2022, pronë e të dyshuarit (V.C.). Një veturë Volkswagen-VW Tiguan ngjyrë zezë me targa vendore, viti i prodhimit 2017 pronë e të dyshuarit (V.C.). Një telefon HUAWEI. Tre telefonë IPHONE. Një laptop. Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale është lëshuar urdhër ndalues i përkohshëm për: 39 – Banesa të ndryshme, shprehur në (m2) 3,929.52 m2, 30 – garazhe, dy lokale afariste, 17- parcela tokësore të lokalizuar në lokacione të ndryshme të shprehura në (m2) 29,903.00m2, janë bllokuar 5 – xhirollogari të personave të dyshuar ku janë ngrire 179,560.25 €”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

  • Yjet e Realit marrin makina të reja nga sponsori i klubit

    Yjet e Realit marrin makina të reja nga sponsori i klubit

    Skuadra e parë e Real Madridit do të mbërrijë në stadiumin Wanda Metropolitano në derbin ndaj Atleticos me makina të reja, pasi të gjithë ekipi i parë kanë marrë si dhuratë BMW të reja.

    Ky është sezoni i tretë në të cilin BMW do të sponsorizojë klubin madrilen dhe lojtarët e Realit mund të zgjedhin midis pesë modeleve të ndryshme, iX2, iX, i5 dhe 7 midis modeleve 100 për qind elektrike si dhe XM midis modeleve hibride.

    Modelet më të shtrenjta u zgjodhën nga Lucas Vazquez dhe Vinicius Junior, përkatësisht BMW i7 M70 xDrive me vlerë 186,650 euro dhe që ka 659 kuaj fuqi. Kylian Mbappe dhe Jude Bellingham zgjodhën BMW XM, e cila vlen 179 mijë euro dhe ka 653 kuaj fuqi.

  • “25 vjet pas lufte” – E nevojshme përballja me të kaluarën, konsiderohet parandalim i përsëritjes së historisë

    “25 vjet pas lufte” – E nevojshme përballja me të kaluarën, konsiderohet parandalim i përsëritjes së historisë

    Me rastin e 25-vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovës, Forumi “ZFD”, ka prezantuar hulumtimin “25 vite pas ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, raporton EO.

    Aty u tha se është e nevojshme përballja me të kaluarën, pasi shërben si parandalim i përsëritjes së historisë.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ka theksuar se sfidat e vazhdueshme me të cilat përballet Kosova në adresimin e së kaluarës së saj të dhunshme dhe traumatike.

    Ai ka theksuar nevojën për një qasje holistike ndaj drejtësisë, pajtimit dhe kulturës së përkujtimit.

    “Është kënaqësi me qenë këtu, ne jemi këtu për t’u futur më shumë me prezantuar këtë hulumtim. Ky punim është realitet se ku kemi mbërri për 25 viteve dhe çfarë të bëjnë në të ardhmen. Përballja me të kaluarën është e domosdoshme, puna e drejtësi nuk ka të bëjë me shiku mbrapa por për të krijuar një bazë. Përballja me të kaluarën nuk lejojnë të tjerët të përdorin narrativa të kundërta. Kemi ende shqetësime që parimet e qasjes ku viktima në qendër ende nuk është trajtuar. Ende ka shumë punë që duhet bërë më tutje, mungesa e kompensimin për të gjitha viktimat. Shteti im është përballe me një të kaluarën e ngjashme dhe pas 80 viteve ende përballemi me të kaluarën. Nëse nuk përballesh me të kaluarën përdorët si armë për palët e ndryshme. Prandaj duhet të përballesh me të kaluarën dhe mendoj që është studim i duhur”, ka thënë Rohde.

    Nehari Sharri, Drejtor Vendor i Forumit “ZFD” në Kosovë, thënë se përmes këtij studimi, synojnë të kontribuojnë me fakte të orientuara në statutin aktual, të arriturat, pengesat dhe perspektivat e ardhshme.

    “Pyetja është se pse duhet të fokusohemi në të kaluarën dhe jo të mendojmë për të ardhmen. Por ngjarjet në të kaluarën ndikojnë në të tashmen. Çka nuk duhet të neglizhohet është roli se a kemi mësuar mësim nga kjo. Mund të vijmë në përfundim që nuk kemi nxjerr mësime dhe kjo logjike që nuk kontribuon në një të ardhme më të mirë. Përkundër proceseve politike edhe niveli social është me rëndësi, kane kaluar 25 vjet ku të mbijetuarit kanë përjetuar trauma dhe ato narrative nuk janë biseduar sot. Në shumë raste ka stigma të dyfishtë, mungojnë mbështetje institucionale. 25 vite më herët kemi pasur një zyre ku kemi filluar me projektin jashtë dhe pas 25 viteve jemi prezent në 13 shtete. Fokusi kryesor në Kosovë është me u përballë me të kaluarën, të merremi me plagët shoqërore”.

    Profesori për Historinë dhe Politikën e Evropës Juglindore, Florian Biber ka potencuar se mos përballja me të kaluarën rrit rrezikun për përsëritje të historisë.

    “Nga diskutimet marrëdhënia me Serbinë, dialogu. Kur flet për të kaluarën është sikur të flasësh për të ardhmen, nuk ka të bëjë vetëm me një proces të kaluarën kjo e bënë dialogun më të vështirë. Kanë të bëjnë me pretendimet dhe kjo e bënë procesin më të vështirë. Nuk ka të bëjë vetëm me drejtësi shumë nga diskutimet janë fokusuar në drejtësi, por nuk i ndihmojnë përballjen me të kaluarën. Përballja me të kaluarën i bie parandalimi i përsëritjes së historisë. Përsëritja nuk është temë e nxehtë por me një relevancë akute. Nëse nuk përballemi me të kaluarën, rreziku i përsëritjes është aktive”, ka thënë Biber.

    Për 25 vite, forumZFD ka punuar në Kosovë duke mbështetur iniciativat në transformimin e konflikteve jo të dhunshme. Gjatë kësaj periudhe, forumZFD ka batuar një qasje holistike për ballafaqim me të kaluarën e dhunshme në Kosovë dhe rajon, duke nxitur pagën, pajtimin dhe kohezionin social në mbarë Kosovën dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor.

  • 26-vjetori i masakrës në Abri të Epërme, Nura dhe Hamza bëjnë homazhe tek Kompleksi i Martirëve

    26-vjetori i masakrës në Abri të Epërme, Nura dhe Hamza bëjnë homazhe tek Kompleksi i Martirëve

    Në 26-vjetorin e Masakrës së Abrisë së Epërme, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza kanë bërë homazhe tek Kompleksi i Martirëve në Abri të Epërme të Drenasit.

    Së bashku me Nurën e Hamzën për të bërë homazhe ishin edhe deputetë, familjarë e qytetarë tjerë.

    Nura ka thënë se me respektin më të lartë sot përkujtojnë të rënët për liri.

    Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura duke bërë homazhe

    “Me respektin më të lartë, sot përkujtojmë të vrarët e Masakrës së Abrisë së Epërme të Drenasit, në 26 vjetorin e tmerrit serb mbi shqiptarët e pafajshëm dhe të pambrojtur. Lavdi për jetë e mot jetëve të humbura në Masakrën e Abrisë së Epërme! I përjetshëm qoftë kujtimi Diturijen e vogël!”, ka thënë Nura.

    Kujtojmë që Diturije Deliu ishte vetëm tre muajshe kur u ekzekutua nga forcat serbe, 26 vjet më parë.

  • Krasniqi takon të dërguarin e ambasadës Japoneze në Kosovë

    Krasniqi takon të dërguarin e ambasadës Japoneze në Kosovë

    Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, i cili shoqërohej edhe nga kryetari i Federatës së Gjimnastikës ës Kosovës (FGJK), Besim Halilaj.

    Palët biseduan për mundësitë e bashkëpunimit të KOK-ut dhe FGJK-së me Ambasadën e Japonisë në Kosovë dhe vetë shtetin japonez, përcjellë KosovaPress.

    Presidenti Krasniqi e njoftoi edhe me sukseset e sportit në Kosovë, me theks të veçantë në Lojërat Olimpike Paris 2024, për çka Yamanaka vlerësoi lart të arriturat.

  • ​Simpoziumet shkencore, risi e Kongresit Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës

    ​Simpoziumet shkencore, risi e Kongresit Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës

    Krahas ligjëratave nga kirurgë vendorë e ndërkombëtarë risi në Kongresin e katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës janë edhe simpoziumet që trajtojnë tema të ndryshme kirurgjike.

    Disa nga temat e këtyre simpoziumeve janë “Trajtimi Bashkëkohor i Plagës, “Rrugëtimi drejt themelimit të Qendrës se Gjirit në Kosovë”, “Simptomat e traumës ”, “Maksifacial”, “Simpozium satelitor mbi kirurgjinë e hapur dhe endovaskulare” dhe “Simpoziumi për estetikë”.

    Specialistja e citologjisë klinike, Merdita Agai Muhaxhiri tha se simpoziumi i sotëm është pikënisje për formimin e qendrës së gjirit në Kosovë.

    Muhaxhiri, e cila punon në Qendrën Klinike Universitare në Zagreb, theksoi se punimet shkencore sikur këtu që prezantohen në Kongresin e Kirurgëve të Kosovës i japin mundësi avancimit të trajtimit të sëmundjes së kancerit të gjirit në vend.

    “Ky simpozium që mbahet sot është pikënisje për formimin e një qendre ose vazhdimit të një pune të një qendre për kancerin e gjirit dhe citologjia si metodë diagnostikuese në të cilën kam përvojë më shumë se 20 vjet është një metodë e rëndësishme në diagnostikimin dhe menaxhimin e mëtejmë të pacienteve… Ky Kongres apo simpozium satelitor është shumë me rëndësi sepse jemi prezentë specialistë me përvojë te profileve të ndryshme si kirurgjike, interniste, onkologjike dhe diagnostikuese si radiologjisë, patologjisë dhe citologjisë”, tha ajo.

    Përveç kancerit të gjirit dhe prezantimit të metodave bashkëkohore për trajtimin e kësaj sëmundjeje, në kuadër të Kongresit Klinik do të mbahet edhe simpoziumi për trajtimin bashkëkohorë të plagëve.

    Liridona Guci, kirurge plastike, thotë se në simpoziumin për trajtimin bashkëkohor të plagës do të praktikohen metoda që ndikojnë në shkurtimin e kohës së trajtimit të plagëve.

    “Do të mbahen dy ligjërata nga dy kolegët tanë si për trajtimin bashkëkohor të plagëve të djegies, po ashtu edhe me vac aparat apo me presionin negativ për plagët kronike dhe akute me defekte lëkurore apo nën lëkurore. Po ashtu, kemi edhe pjesën praktike që do të mbahet nesër nga disa kolegë tanë e të cilët do ta bëjnë demonstrimin e shfrytëzimit të këtij aparati, i cili do të jetë shumë i mirëseardhur për kolegët tanë dhe spitalet rajonale, të cilat do të kenë qasje në trajtimin e plagëve çka do të jenë një lehtësim në zvogëlimin e ngarkesës me pacientë në QKUK dhe një shërbim më afër pacientëve”, tha ajo.

    Në Kongresin e katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës po marrin pjesë ligjërues nga Kosova dhe ata ndërkombëtarë. /kp

  • ​Lajmet e rreme për luftën në Kosovë, janë përhapur në vende specifike që kanë qëndrim jo pozitiv

    ​Lajmet e rreme për luftën në Kosovë, janë përhapur në vende specifike që kanë qëndrim jo pozitiv

    Lajmet për luftën e fundit në Kosovë, e ato për komunitetin serb në Kosovë, në mediat tona e serbe janë ato të cilat po frikësojnë çdo herë.

    Në samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci, (KPDS), është thënë se këto lloj dezinformatash janë përhapur në disa vende specifike që kanë qëndrim jo shumë pozitiv ndaj Kosovës e mosnjohjes së saj.

    Në panelin e shtatë të mbajtur sot, me temën “Demaskimi i gënjeshtrave: Trajtimi i dezinformimit në Ballkanin Perëndimor” Dren Gërguri nga Universiteti i Prishtinës ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, është paraqitur si jo- humanitare, lajme të cila kanë shkuar deri në Afrikën e Jugut.

    “Në rastin tonë ne kishim narrativa të ndryshme false që synonin ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe e paraqiste atë si diçka që nuk ishte humanitare dhe për këtë, ne kemi parë narrativa të ndryshme në kanale të ndryshme në gjuhë të ndryshme gjithashtu, duke shkuar deri në Afrikën e Jugut, dhe jo vetëm në Evropë. Refugjatët shqiptarë janë paraqitur si viktima të NATO-s dhe gjëra të tilla. Dhe zakonisht ato lloj propagandash, ato lloj dezinformatash janë përhapur në disa vende specifike që kanë qëndrim jo shumë pozitiv ndaj Kosovës, mosnjohjes së Kosovës”, ka thënë Gërguri.

    Ndërsa, kryeredaktorja në “Alternativna” Ana Marija Ivkoviq ka theksuar se “Alternativna” ka monitoruar mediat serbe dhe shqiptare nga dhjetori 2023 deri në maj 2024, me të cilën kanë parë se pas rastit të Banjskës, ka pasur përshkallëzim të fushatave dezinformuese brenda mediave.

    Ivkoviq, ka cituar edhe një lajm të rremë që kishte parë, e cila ishte postuar pastaj edhe nga mediat serioze.

    “Ne kemi monitoruar për gjashtë muaj nga dhjetori 2023 deri në maj 2024, jo vetëm mediat serbe, tabloidet serbe dhe mediat pro regjimit, por kemi ndjekur edhe mediat shqiptare të Kosovës për tema të caktuara, që janë marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe tema që kanë të bëjnë ekskluzivisht me komunitetin serb të Kosovës. Ajo që kemi parë është se në njëfarë mënyre, sidomos pas sulmit në Banjska, kemi pasur përshkallëzim të fushatave dezinformuese brenda mediave. Pra, në janar kemi pasur një agjenci të njohur, e cila ka raportuar në natën e Krishtlindjeve ortodokse se, po citoj këtë “shërbimet sekrete serbe po planifikojnë sulm terrorist ndaj serbëve në Kosovë”. Jo vetëm se ky artikull u publikua, por ky artikull u ripublikua edhe nga media të tjera”, ka shtuar Ivkoviq.

    Po ashtu, drejtoresha e programit në “ Zašto Ne” Tijana Cvijetiqanin ka theksuar se arsyeja e publikimit të lajmeve të rreme janë sfidat që kanë mediat. E kjo po bëhet për klikime.

    “Sfida më e madhe do të thosha janë problematikat që ka vetë media. Është një treg i vogël, është një treg që ka shumë pika të shitjes dhe shumë pak fuqi paguese. Pra, konkurrenca për vëmendje është e lartë. Dhe konkurrenca për shikuesit apo lexuesit, në thelb është kthyer në atë që quhet sot, konkurrencë për vëmendjen tuaj, për vëmendjen tuaj online. Një tjetër, natyrisht, është ndikimi politik, dhe në të vërtetë nuk është i njëjtë kudo, nëse flasim për Bosnjën, mund të shihni se ajo që krijon dezinformata në ‘Republica Serpska’ për shembull, është në një shkallë shumë më të madhe, ndikimi politik dhe media e kapur që tashmë mendoj se pothuajse 100 për qind ka ndodhur aty”, ka theksuar ajo.

    Në panelin e fundit të këtij samiti do të flitet për sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor: tendencat aktuale dhe drejtimet e ardhshme./kp

  • Ngazëllim dhe pasiguri për shtetin e paralajmëruar bektashi

    Ngazëllim dhe pasiguri për shtetin e paralajmëruar bektashi

    Pelegrinët bektashi në majë të malit Tomor për të nderuar Abas ibn Aliun, pasardhësin e Profetit Muhamed, i nderuar nga ndjekësit e Urdhrit Bektashi, afër Beratit, në Shqipëri, gusht 2022.
    Shpërndaje

    Nuk dinë shumë se si do të duket e as çfarë do të përfitojnë, por e mirëpresin nismën për krijimin e një shteti për Urdhrin Bektashi në Tiranë.

    Ndjekës të kësaj lëvizjeje, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, thonë se është koha për një qendër të tillë fetare.

    “Është një gjë e mrekullueshme. Nuk e dimë se si do të bëhet, por është një gjë shumë e mirë që bota ta njohë bektashizmin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zalo Qato, besimtar bektashi në qarkun e Beratit.

    Për bektashiun nga Prishtina, Fetah Bakija, është po ashtu një lajm i gëzueshëm – jo vetëm për komunitetin, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, thotë ai.

    “Kurrë ne shqiptarët nuk kemi pasur një qendër fetare, ndërsa kemi qenë kontributdhënës për të gjitha fetë që ekzistojnë në botë”, thotë Bakija.

    Lajmi se Shqipëria “planifikon një shtet të ri mysliman brenda kryeqytetit të saj” mbërriti më 21 shtator në faqet e gazetës prestigjioze amerikane New York Times.

    Një ditë më vonë, më 22 shtator, nisma u bë publike nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një fjalimi që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    “Mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë. Ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”, tha Rama në fjalimin e tij.

    Entiteti sovran i Urdhrit Bektashi, sipas Ramës, do të ndërtohej brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.

    Kryegjyshata: Nuk duam pushtet, por vijim të traditës

    Selia botërore e bektashinjve në Tiranë, e njohur si Kryegjyshata, tha përmes një deklarate për mediat se e mbështet nismën e Qeverisë që synon ta njohë “Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore”.

    Duke theksuar se Urdhri Bektashi do të fitonte sovranitet të ngjashëm me Vatikanin – një qytet-shtet në Itali, ku është selia e Kishës Katolike Romake – Kryegjyshata tha se kjo lëvizje do t’i mundësonte Urdhrit Bektashi ta forconte rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm në botë.

    “Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, thuhet në deklaratë.

    Duke folur për gazetën New York Times, Baba Mondi tha se shteti i ri nuk do të ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata, por do të ketë një shërbim të vogël inteligjence, “sepse edhe ne kemi armiq”.

    “Ka ardhur koha të vihet në jetë”

    Nisma e Ramës, megjithatë, hasi në kritikat e kundërshtarëve politikë.

    Në mesin e tyre, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se ajo vjen “për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga mashtrimet” dhe “qëndrimet antishqiptare të Qeverisë Rama”.

    Kryeministri u përgjigj duke thënë se “kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë”, sepse është “në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar”.

    “Të adresosh sot këtë çështje, do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa llogaritur edhe të tjera të mira të mëdha që do t’i sjellë Shqipërisë e shqiptarisë krijimi i një entiteti të tillë sovran në botën e trazuar ku jetojmë”, shkroi Rama në platformën X.

    Aktualisht, në Shqipëri ka shumë pak informacione se si dhe kur do të krijohet ky shtet, apo kush do të marrë shtetësinë prej tij dhe çfarë do të përfitojë.

    Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë asnjë informacion nga Kryegjyshata në Tiranë, e as nga Gjyshata e Bektashianëve të Kosovës.

    Udhëheqësi i kësaj të fundit, Rrauf Radoniqi, tha se nuk mund ta komentojë nismën, për shkak se ende nuk ka marrë ndonjë letër apo dokument zyrtar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, përmes së cilës do të sqarohej zyrtarisht kjo nismë.

    Komuniteti Mysliman Shqiptar tha se “nisma e tillë mund të jetë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit” dhe siguroi përfaqësimin e të gjithë besimtarëve myslimanë, të cilitdo tarikat, “ashtu siç kemi bërë deri më sot”.

    Nga Bashkësia Islame e Kosovës nuk u deklaruan.

    Në shkrimin në X, as Rama nuk dha shumë hollësi.

    “Nga ideja te jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar. Kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota”, shkroi ai.

    I cituar nga New York Times, Rama tha se vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin, ndërsa aleatët e NATO-s si Shtetet e Bashkuara nuk janë konsultuar.

    REL-i pyeti NATO-n, Departamentin amerikan të Shtetit dhe BE-në për këtë plan të Ramës, por nuk mori përgjigje prej asnjërit institucion.

    “Lajm i mirë, por s’e dimë se si do të jetë”

    Pjesëtarët e komunitetit bektashi me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, pranojnë se nuk kanë shumë informacione për shtetin e ri të paralajmëruar.

    Qato, i cili mban postin e sekretarit të Gjyshatës së Qarkut të Beratit në Shqipëri, thotë vetëm se është i lumtur.

    “Ne jemi Kryegjyshata Botërore, kështu që përse të mos jemi shtet, të na njohë bota? Nuk e dimë se si do të funksionojë, se si do të bëhet. Nuk jemi në brendësi të gjërave, e kemi parë në televizor dhe na duket një gjë shumë e mirë”, thotë ai.

    Bakija, si praktikues i Urdhrit Bektashi në Kosovë, thotë se nuk pret që nga shteti i ri eventual të ketë përfitime që mund të ndryshojnë statusin e tij shoqëror.

    “Përfitimin unë e kam njëlloj, si u bë, si nuk u bë, sepse unë i takoj komunitetit bektashian shqiptar, që bën pjesë në komunitetin bektashian botëror. Mua me asgjë nuk më ndryshon statusi im. E vetmja gjë është… që të kemi një qendër botërore ku marrin pjesë, si bektashinj, të gjitha shtetet e botës, të cilat kanë bektashinj në popullatën e tyre”, thotë Bakija.

    Çfarë thonë sociologët?

    Sociologu dhe studiuesi nga Shqipëria, Zyhdi Dervishi, thotë se nisma për krijimin e një shteti të tillë brenda shtetit të Shqipërisë, në përgjithësi, është pozitive.

    “Qendra e bektashizmit botëror është në Tiranë, ka dhe një arsye historike për këtë. Bektashinjtë janë vlerë e madhe për vendin. Mjafton të përmendim vëllezërit Frashëri [rilindasit Naim, Sami, Abdyl]… Nëse kjo nismë funksionon në parametrat logjikë, të zgjuar, humanë, nuk ka asgjë të keqe”, thotë Dervishi për Radion Evropa e Lirë.

    “Por, nëse nisin fushata për të kthyer një pjesë të myslimanëve sunitë në bektashinj, nëse ata përpiqen ta mbivlerësojnë veten e tyre në kurriz të pjesës tjetër myslimane, këtu pastaj do të kemi probleme”, shton ai.

    Dervishi thekson se do të jetë shumë mirë nëse përmes këtij organizimi do të promovohen vlerat e harmonisë fetare.

    Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhiri, nuk pret që nisma ose realizimi eventual i shtetit të ri të bektashinjve përbrenda shtetit të Shqipërisë, të ndikojë te komuniteti bektashi në Kosovë.

    Sipas tij, komunitetet religjioze në Kosovë dhe Shqipëri funksionojnë të ndara, kanë tradita të veçanta dhe specifike dhe kanë pasur zhvillim të ndarë.

    Por, megjithatë, shton ai, themelimi eventual i shtetit të ri do të mirëpritej nga komuniteti bektashian i Kosovës.

    “Unë jam i bindur që kjo ide i ka zënë në befasi edhe përfaqësuesit e feve tjera, sepse nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e tyre. Por, sa u përket balancimeve delikate religjioze, kjo do të mund të krijonte një efekt të ri. Çdo gjë do të varet nga mënyra se si do të dizajnohet një shtet i tillë, vertikalisht”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

    Ai thekson se Shqipëria është e njohur për harmoninë ndërfetare dhe për ndarjen e shtetit nga feja, por tërheq vërejtjen edhe për mundësinë e reagimit të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri.

    “Nëse komuniteti bektashi do të veçohet dhe do të ketë një përkrahje të pakrahasueshme më të madhe nga shteti shqiptar, në raport me komunitetet tjera fetare, atëherë, natyrisht, kjo do të ngjallë pakënaqësi. Logjikisht, edhe komunitetet tjera do të kërkonin të njëjtin trajtim nga shteti”, thotë Muhaxhiri.

    Në fund, ai shprehet skeptik për realizimin e idesë, duke thënë se ajo “kërkon shumë investime” e “rebalancime të pozitave të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri. /Radio Evropa e Lirë

  • KQZ e Kosovës dhe e Shqipërisë organizojnë punëtorinë e përbashkët për shkëmbim të përvojave dhe forcim të bashkëpunimit

    KQZ e Kosovës dhe e Shqipërisë organizojnë punëtorinë e përbashkët për shkëmbim të përvojave dhe forcim të bashkëpunimit

    Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi së bashku me stafin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Repulikës së Shqipërisë vizituan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

    Kjo vizitë i parapriu fillimit të punëtorisë së përbashkët ndërmjet të dy institucioneve në qendër të së cilës është është forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe shkëmbimi i përvojave në lidhje me informimn dhe edukimin e votuesve, votimin jashtë vendit, përdorimin e teknologjisë informative në zgjedhje dhe raportimin digjital të financave të partive politike.

    Në fillim të kësaj punëtorie, kryesuesi i KQZ-së së Kosovës, z. Kreshnik Radoniqi, vuri theksin në bashkëpunimin e mirë mes dy institucioneve, i cili në shumë raste është treguar edhe me ndihmën konkrete dhe mbështetjen logjistike. Me këtë rast, z. Radoniqi kujtoi huazimin e kamerave për nevoja të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2021 dhe gjatë procesit të votimit më 21 prill 2024.

    Gjithashtu, kryesuesi Radoniqi njoftoi edhe lidhur me ecurinë e organizimit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Ndërkaq, Komisioneri Shtetëror, z. Celibashi theksoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve është forcuar dhe ka dhënë rezultate të prekshme për të dy palët. Celibashi theksoi se dy KQZ-të kanë eksperienca sa të ngjashme aq edhe të ndryshme në proceset zgjedhore, ndaj shkëmbimi i këtyre përvojave do të ndihmojë në identifikimin e sfidave dhe marrjen e masave për mirëorganizimin e proceseve zgjedhore.

    Komisioneri Celibashi solli në vëmendje votimin nga jashtë të shtetasve të Kosovës, përvojë e cila do t’i shërbejë KQZ-së së Shqipërisë në përgatitjen e procesit të votimit nga jashtë të shtetasve shqiptarë në vitin 2025.