ATV

Category: Lajme

  • Sot mbahet protestë në Zubin Potok nga qytetarët serbë

    Sot mbahet protestë në Zubin Potok nga qytetarët serbë

    Qytetarët serbë që jetojnë në veri të vendit kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste sot në Zubin Potok.

    Këtë e ka konfirmuar për EO zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Ai ka thënë ka thënë se protesta do të mbahet në orën 11:00 dhe se arsyeja e proteste s’është bërë e ditur.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar mot me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht në relievin malor.

    Temperaturat minimale sipas IHMK-së do të lëvizin ndërmjet 7-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-25 gradë Celsius ndërsa do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-3 m/s.

    “Kushtet agrometeorologjike vazhdojnë të mbeten të mira për shkak të reshjeve të mjaftueshme të shiut që u regjistruan në ditët e fundit dhe këto kushte të mira meteorologjike e favorizojnë bujkun që mbjelljet e kulturave bujqësore në muajin e ardhshëm t’i kryejnë me sukses”, thuhet në njoftim.

  • ​Shënohet Dita Botërore e Turizmit

    ​Shënohet Dita Botërore e Turizmit

    Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Turizmit.

    27 shtatori është përzgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror më 27 shtator 1970.

    Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) është agjenci e Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për promovimin e turizmit me qasje të besueshme, të qëndrueshme dhe universale.

  • ​14 vjet nga dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit

    ​14 vjet nga dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit

    Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit më 27 shtator 2010, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se ai kishte shkelur aktin më të lartë juridik të vendit duke mbajtur dy poste njëkohësisht – atë të kreut të shtetit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndonëse me funksione të ngrira.

    Sejdiu e bëri publik vendimin për dorëheqje gjatë një konference, me anë të së cilës ai u është drejtuar qytetarëve dhe opinionit.

    “Të dashur, qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës. Qe nga 10 shkurti i vitit 2006, si president i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur”, tha Sejdiu.

    Sejdiu theksoi se kishte mbajtur postin e kryetarit të LDK-së me funksione të ngrira i bindur se kjo nuk paraqiste shkelje të Kushtetutës.

    Sidoqoftë, ai u shpreh se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si instanca më e lartë të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës.

    Para se të publikonte vendimin për dorëheqje, Sejdiu zhvilloi takime të mbyllura me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e Quintit.

    Më pas, Sejdiu i komunikoi vendimin edhe kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Qe nga zgjedhja në postin e presidentit, shumë nga analistët, mediat dhe deputetët kishin rikujtuar Sejdiun se po shkelte Kushtetutën me mbajtjen e postit të kryetarit të LDK-së.

    Por, nismën zyrtare për të proceduar rastin në Kushtetuese, e kishte marrë deputeti i pavarur Naim Rrustemi, i cili tani beson se jo vetëm Sejdiu, por përgjegjës për këtë shkelje janë edhe partneri i tij në koalicion, Hashim Thaçi, dhe i gjithë koalicioni aktual, pasi që, sipas tij, kanë ndërtuar një marrëveshje qeverisëse duke mos e respektuar Kushtetutën.

  • Bllokohen 24 prona dhe 11 objekte në Prishtinë, Graçanicë dhe Novobërdë

    Bllokohen 24 prona dhe 11 objekte në Prishtinë, Graçanicë dhe Novobërdë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë në vazhdën e veprimeve hetimore në çështjen penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga Tatimi”, ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të 24 pronave të paluajtshme dhe 11 objekteve (villa), për të cilat ka dyshim të bazuar se janë përfituar me vepër penale.

    Pronat dhe objektet u bllokuan në Prishtinë, Graçanicë dhe Novobërdë.

    Sipas Prokurorisë, vlera e pasurisë së bllokuar llogaritet të jetë qindra mijëra euroshe dhe sipërfaqja totale e pronave të bllokuara përkohësisht është 55687 metra katrorë.

  • Osmani takon në New York ndihmës-sekretarin amerikan, Jim O’Brien

    Osmani takon në New York ndihmës-sekretarin amerikan, Jim O’Brien

    Presidentja, Vjosa Osmani ka takuar në New York, ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien.

    Me të presidentja Osmani ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të dhe hapave tutje në interes të qytetarëve të Kosovës

    ”Takimi i radhës me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, për të diskutuar për thellimin më tutje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, integrimit euroatlantik të vendit tonë, si dhe paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”.

  • Haxhi Shala mbetet në paraburgim, dëshmitari i parë në këtë rast pritet të paraqitet nga mesi i nëntorit

    Haxhi Shala mbetet në paraburgim, dëshmitari i parë në këtë rast pritet të paraqitet nga mesi i nëntorit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim që të hudhet poshtë kërkesa e Haxhi Shalës për rishikim të vendimit, me të cilin i vazhdohej paraburgimi.

    Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Më 19 shtator, kryetarja Ekaterina Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e Haxhi Shalës për rishikim të vendimit të Gjykatës Supreme, në të cilin u hodh poshtë kërkesa e z. Shala për mbrojtjen e ligjshmërisë në lidhje me vazhdimin e paraburgimit të tij”, tha Griep.

    Zëdhënësja tha se Paneli i Supremes ka konstatuar se nuk kishte shkelje të konsiderueshme të procedurës nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili fillimisht e vazhdoi paraburgimin e as nga Paneli i Apelit, i cili e konfirmoi atë vendim.

    “Paneli i Gjykatës Supreme konstatoi se nuk kishte shkelje të konsiderueshme të procedurës nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili fillimisht urdhëroi vazhdimin e paraburgimit, ose nga Paneli i Apelit i cili e konfirmoi vendimin. Duke qenë se z. Shala kërkon rishikim të vendimit të mëparshëm, kryetarja (Trendafilova) caktoi të njëjtit gjykatës: Ekaterina Trendafilova, Kristinë van de Vajngart dhe Daniel Fransen”, tha ajo.

    Ajo tha se në këtë çështje gjyqësore, gjykimi pritet të fillojë më 11 nëntor, ndërsa dëshmitari i parë pritet të dëgjohet në mes datave 11 dhe 15 nëntor 2024.

    Griep gjithashtu njoftoi se datat për seancat përgatitore në këtë rast janë caktuar nga 7 deri 9 tetor, kurse datat 10 dhe 11 janë ditë rezervë në rast që nevojitet kohë shtesë.

    Ajo tha s trupi gjykues urdhëroi Prokurorinë dhe Njësinë për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve të japin informacion të përditësuar në lidhje me sigurinë e dëshmitarëve dhe çështjeve lidhur me ta.

    “Trupi gjykues urdhëroi gjithashtu palët të dorëzojnë çdo parashtrim relevant para konferencave përgatitore, për shembull lidhur me statusin e hetimeve ose dëshmitarë të cilët synojnë të thërrasin. Trupi gjykues bëri të ditur gjithashtu se seancat gjyqësore do t’i caktojë në një mënyrë që shfrytëzon plotësisht kohën në dispozicion në sallë të gjyqit dhe kërkoi nga mbrojtja të bëjë të gjitha organizimet e nevojshme për të qenë të dispozicion të paraqiten gjatë seancave të caktuara. Trupi gjykues urdhëroi palët të japin arsyet për çdo parashtrim konfidencial dhe të bëjnë të ditur kur ato të mund të riklasifikohen”, tha ajo.

    Kurse, në çështjen ndaj Pjetër Shalës, Griep tha se Paneli i Apelit ka miratuar pjesërisht kërkesën e ZPS-së dhe urdhëroi të akuzuarin që të dorëzonte versionin e ndryshuar të njoftimit të tij për apel, por të mos tejkalonte 3 mijë e 200 fjalë. Ndërsa, versioni i redaktuar i aktgjykimit të Themelores në këtë rast, është bërë publik më 24 shtator 2024.

    Gjithashtu, zëdhënësja e DhSK-së tregoi edhe për zhvillimet në rastin e Salih Mustafes, duke shtuar se Paneli i Kushtetueses i cili ishte përzgjedhur nga kryetarja e DhSK-së ka vendosur që të hudhë poshtë kërkesën e përbashkët të ZPS-së dhe mbrojtjes që të shtyjë afatin për kërkesat e tyre referuese në lidhje me kundërshtime të mundshme të vendimit të Supremes, i cili pasoi me vendimin e Apelit për uljen e dënimit ndaj Mustafës.

    Në anën tjetër, tek rasti i ish-krerëve të UÇK-së, Griep tha se më 19 shtator 2024, është miratuar kërkesa e Prokurorisë për të pranuar si prova tri deklarata të dëshmitarëve dhe provat materiale shoqëruese të tyre pasi ato të jenë paraqitur në gjykatë.

    Ajo tutje tha më 20 shtator, trupi gjykues në këtë çështje ka miratuar dy kërkesa të ZPS-së që dy dëshmitarë të dëshmojnë përmes video-lidhjes për shkak të rrethanave të tyre personale.

    Griep njoftoi se gjatë kësaj jave kanë dhënë dëshmi tre dëshmitarë në këtë rast, e që dy prej tyre ishin me masa mbrojtëse ndërsa tjetri ishte Demush Krasniqi.

    Këta tre dëshmitarë sipas saj e çuan në 91 numrin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani në këtë rast gjyqësor, si dhe dëshmitari i radhës pritet të dëgjohet në seancën e caktuar për 30 shtator 2024.

    Griep gjithashtu njoftoi se është hedhur poshtë edhe kërkesa e Isni Kilajt për t’i ndryshuar përkohësisht kushtet e lirimit të tij në mënyrë që ai të udhëtojë për një pushim të shkurtër për në Shqipëri.

    Zëdhënësja e DhSK-së tregoi edhe për zhvillimet në rastin e Salih Mustafës, duke shtuar se Paneli i Kushtetueses i cili ishte përzgjedhur nga kryetarja e DhSK-së, ka vendosur që të hudhë poshtë kërkesën e përbashkët të ZPS-së dhe mbrojtjes që të shtyjë afatin për kërkesat e tyre referuese në lidhje me kundërshtime të mundshme të vendimit të Supremes, i cili dënim u ul nga Apeli.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

  • Takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor në New York, Rama ndan foto përkrah Osmanit

    Takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor në New York, Rama ndan foto përkrah Osmanit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë një foto me presidenten e Vjosa Osmanin, nga selia e BE në New York.

    Përmes një postimi nga Rama, thuhet se fotoja është shkrepur përpara drekës së punës së shefit të diplomacisë europiane Joseph Borrell me liderët e Ballkanit Perëndimor.

    “Me Vjosën përpara drekës së punës së shefit të diplomacisë europiane Joseph Borrell, me liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Rama.

    Rama ndodhet prej ditësh në SHBA, ku fillimisht mori pjesë dhe foli në takimin vjetor të Kombeve të Bashkuara ‘Samiti për të Ardhmen’, me temë “Dialogu për të ardhmen digjitale”.

  • ​Samiti i Kosovës për Paqe e Demokraci, kërkohet më shumë mbrojtje nga sulmet kibernetike

    ​Samiti i Kosovës për Paqe e Demokraci, kërkohet më shumë mbrojtje nga sulmet kibernetike

    Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të ndërmarrin veprime të nevojshme për t’u mbrojtur nga sulmet e ndryshme kibernetike.

    Kështu u tha në panelin e fundit të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci me temën “Siguria kibernetike në Ballkanin Perëndimor: Tendencat aktuale dhe drejtimet e ardhshme”.

    Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, ka folur mbi rëndësinë e mbrojtjes nga sulmet kibernetike dhe ndikimin e inteligjencës artificiale.

    “Në kohë ka pasur ndryshime të rëndësishme, duke përfshirë inteligjencën artificiale, e cila ka ndryshuar mënyrën se si ne e perceptojmë informacionin digjital dhe internetin. Njerëzit gjithnjë e më shumë po mbështeten në inteligjencën artificiale në modele të mëdha gjuhësore për t’u informuar dhe për të përpunuar detyrat e përditshme. Por, inteligjenca artificiale ka ekzistuar le të themi 10 vjet ndoshta, dhe u përhap në dy vjetët e fundit, kështu që është një industri shumë e brishtë në krahasim me industrinë e softuerit, e cila ka ekzistuar për 50 vjet. Veçanërisht rajoni ynë nuk ka bërë shumë për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike dhe ekziston problemi i bashkëpunimit midis sektorit publik dhe privat”, ka thënë Doli.

    Filip Stojanovski nga fondacioni “Metamorfoza”, ka folur mbi rëndësinë e sigurisë kibernetike në transformimin digjital dhe rolin e saj në shoqëri.

    “Siguria kibernetike është njëra ndër prioritetet kryesore në transformimin digjital. Të gjitha konkluzionet tona që çojnë këtu, se cilat janë problemet si në fushën e dezinformimit, ashtu edhe në fushën tuaj të mbivendosur të sigurisë kibernetike, është se kemi të bëjmë me çështje sistematike që duhet të trajtohen në nivel sistematik. Pra, duke përdorur një qasje të shoqërisë së tërë, ku të gjithë sektorët e shoqërisë do të punonin së bashku, dhe duke përfshirë arsimimin mediatik që të konsiderohet jo vetëm i lidhur me median, por si pjesë e një fushe më të gjerë të edukimit digjital dhe që përfshin edukimin për sigurinë kibernetike në thelb”, ka thënë Stojanovski.

    Ekspertja e politikave digjitale dhe inovacionit Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim/Themeluese, Rrjeti i Grave Shqiptare në STEM, Orkidea Xhaferaj ka folur mbi arsyet e sulmeve të ndryshme kibernetike.

    “Ka nga ata që janë të interesuar të bëjnë një lojë, kështu që ata sulmojnë këdo, nuk u intereson se cilat janë përkatësitë tuaja politike, apo në çfarë beson apo jo. Ata janë të rinj që thjesht po përpiqen të hakojnë një sistem apo diçka dhe të kenë ndikim në institucione të caktuara. Janë akterët shtetërorë të huaj që po organizojnë fushata dhe ne kemi dëgjuar shumë gjëra në të gjithë Ballkanin Perëndimor sa i përket sulmeve kibernetike… Ne flasim për kufizim, hapësira qytetare, përshkallëzim të dhunës, shohim dhunë nga lufta offline, nga bota fizike, duke reflektuar botën online. Dhe është bërë gjithnjë e më shumë një çështje e dhunës në botën digjitale duke u përshkallëzuar në botën fizike”, tha ajo. /kp

  • Mbështetet kërkesa e forumit ekonomik të grave nga Odat ekonomike dhe shoqatat e biznesit për vitin 2024

    Mbështetet kërkesa e forumit ekonomik të grave nga Odat ekonomike dhe shoqatat e biznesit për vitin 2024

    Odat ekonomike dhe shoqatat e biznesit përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se e kanë mbështetur kërkesën e forumit ekonomik të grave për të përfshirë ligjin e punës në programin legjislativ të vitit 2024.

    “Gjatë diskutimit të sotëm nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, përfaqësuesit e bizneseve, odave ekonomike dhe shoqatave të tjera biznesore shprehën mbështetje për kërkesën e Forumit Ekonomik të Grave për integrimin e Ligjit të Punës në Programin Legjislativ 2024.
    Të pranishmit vlerësuan me rëndësi të lartë përfshirjen e Forumit dhe përfaqësuesve të biznesit në procesin e hartimit ligjit të punës.
    Ligji i Punës është një nga ligjet kryesore për taksapaguesit në Republikën e Kosovës dhe si i tillë duhet të trajtohet me prioritet nga qeveria këtë vit”, thuhet në njoftim

    Po ashtu Forumi Ekonomik i Grave ndau përvojat e rajonit lidhur me pagesën e lejes të lehonisë dhe kishte një dakordim në mes përfaqësueseve të bizneseve se kjo duhet të jetë barrë e shtetit për taksapaguesit si praktike e suksesshme në vendet e rajonit.

    “Si dhe organizatat e mëposhtme kanë shprehur mbështetje të fuqishme për këtë nismë, duke theksuar se përfshirja e Ligjit të Punës në kalendarin legjislativ është një hap thelbësor drejt përmirësimit të të drejtave të punëmarrësve dhe krijimit të një ekonomie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse: Forumit Ekonomik i Grave, Aleanca Kosovare e Bizneseve, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private, Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve ESNAF Prizren, Qendra për Politika dhe Avokim.

    Forumi Ekonomik i Grave edhe me tutje do te vazhdoj të trajtoj këtë çështje me aktere dhe institucione tjera me ndikim në vend”, thuhet tutje në njoftim.