ATV

Category: Lajme

  • Orbani në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

    Orbani në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, së bashku me një delegacion nga Qeveria e tij, të qëndrojnë për një vizitë zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut më 26 dhe 27 shtator.

    Qeveria maqedonase njoftoi se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, do ta takojë Orbanin në Ohër. Gjatë kësaj vizite do të ketë gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe mes ministrave maqedonas me homologët e tyre nga delegacioni hungarez.

    Hungaria aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian.

    Në Ohër policia maqedonase ka marrë masat e nevojshme të sigurisë, ndërsa është paralajmëruar ndalim i përkohshëm i qarkullimit, në mënyrë që ta garantohet lëvizje e sigurt dhe e qetë për delegacionin mysafir nëpër qytet dhe rrethinë.

    VMRO-DPMNE në pushtet dhe lideri i saj kryeministri Mickoski konsiderohen të afërt me Orbanin dhe partinë e tij, Fidesz.

    Menjëherë pas formimit të Qeverisë në Shkup në qershor, gjatë samitit të NATO-s në Uashington që u mbajt në gjysmën e parë të korrikut, Mickoski u pajtua me Orbanin që Maqedonia e Veriut të merrte një kredi nga Hungaria në vlerë prej 500 milionë eurosh.

    Më 17 shtator, ligji për kredinë hungareze u miratua në Parlamentin maqedonas.

    Në Hungari ndodhet edhe ish-lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski.

    Pas rënies nga pushteti, ndërsa në vend po zhvilloheshin disa çështje gjyqësore kundër tij, Gruevski u arratis në Budapest në nëntor 2018, ku mori azil politik.

    Në vitin 2013, Orban ishte për vizitë zyrtare në vend, kur iu dha Urdhri “8 Shtatori” për merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit paqësor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Urdhrin iu dorëzua presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, ndërsa ai ishte takuar edhe me kryeministrin e atëhershëm Gruevski.

  • ​Kuvendi s’ka kuorum për votimin për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

    ​Kuvendi s’ka kuorum për votimin për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

    Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Anëtarët e propozuar për votim ishin Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reshica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buqinca dhe Sllagjana Boshkoviq. Partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në votim, teksa kanë kërkuar që ky proces të kthehet në pikën zero.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi ka kërkuar nga deputetët që të mos votojnë për emërimin, meqë konsideroi se janë përzgjedhur militantë partiak.

    “Ne kemi konstatuar që nuk ka gjithë përfshirje të fushave sipas kritereve të konkursit. Shumica e kandidatëve të përzgjedhur janë sociologë, etnologë por jo edhe historianë, që ka qenë një nga kriteret e konkursit. Po ashtu, janë përzgjedhur militantët partiak, siç është rasti i Fahri Shaqirit nga Qendra e Vetëvendosjes në Bardhosh. Prandaj, ne mendojmë që procesi duhet të kthehet në pikën zero. Po ashtu si komision kemi pranuar tri ankesa nga kandidatët dhe asnjë ankesë nuk është shqyrtuar. Kjo është një shkelje procedurale e cila është bërë gjatë këtij konkursi”, deklaroi Dumoshi.

    E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola tha se kjo përbërje reflekton vullnetin politik të komisionit.

    “Kjo përbërje është reflektim i vullnetit politik të komisionit, i cili është përcaktuar për një metodë të veçantë të vlerësimit dhe poentimit. Në vitin 2021 kur kemi zgjedhur përbërjen aktuale, në fakt kjo që tashmë është në largim konsensualisht krejt komisioni në mënyrë profesionale jemi marrë ndoshta në tri-katër mbledhje për të nxjerrë një formulë e cila është shumë e saktë dhe produkti i të cilës kemi menduar që do të reflektojë vullnetin dhe unitetin politik të komisionit. Ka qenë një metodë goxha e sofistikuar”, shtoi ai.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se nuk do të marrin pjesë në këtë proces të votimit.

    “Nuk mundet as profesor Gola e askush prej deputetëve me ndal procesin e ankimimit të njerëzve të cilët mendojnë se u kanë bërë të padrejtë në atë proces. Unë nuk kam qenë pjesë e procesit e dëgjova deputeten Dumoshi se cfrarë tha. Unë mendoj që as nuk i keni votat për ta kaluar, ne nuk do të marrim pjesë as nuk do të bëjmë kuorum, as nuk do të marrim pjesë në këtë proces të votimit. Kërkoj prej shumicën parlamentare për të parë se a janë 80 deputetë brenda në mënyrë që t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

    Në votimin për emërimin e këtyre anëtarëve kanë marrë pjesë vetëm 58 deputetë. /kp

  • Dështon sërish miratimi i projektligjit për shëndetin riprodhues

    Dështon sërish miratimi i projektligjit për shëndetin riprodhues

    Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes ka dështuar të miratojë projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, pasi votuan vetëm 38 deputetë. Ky amendament është propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, raporton EO.

    Votimi i këtij projektligji ka dështuar në disa seanca.

    Gjithashtu deputetët kanë dështuar që të miratojnë dy marrëveshje ndërkombëtare. Në mungesë të kuorumit nuk janë votuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe ai për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore.

  • Opozita refuzon emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

    Opozita refuzon emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

    Partitë opozitare në kuvend kanë kundërshtuar emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, raporton EO.

    Anëtarët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë këshill janë Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Sllaxhana Boshkoviq.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlorë Dumosh, tha se anëtarët e partisë janë zgjedhur dhe se procesi duhet të kthehet në zero. Ai shtoi se edhe pse Komisioni për Arsim ka pranuar ankesa nga kandidatët, ato nuk janë shqyrtuar.

    “Shumica e kandidatëve janë sociologë, antropologë, por jo historianë, që ishte një nga kriteret e konkursit, si në rastin e Fahri Sheqirit nga qendra e LVV-së në Bardhosh. Prandaj, ne besojmë se procesi duhet të kthehet në fillim. Gjithashtu si komision kemi marrë tre ankesa nga kandidatët dhe asnjë ankesë nuk është shqyrtuar, pra është shkelje e bërë gjatë këtij konkursi”, tha ajo.

    Deputeti tjetër i kësaj partie, Armend Zemaj, tha se është e papranueshme miratimi i këtyre emrave.

    “Është e pafalshme që ky institucion, i cili duhet të jetë i pavarur, jo vetëm po dëmtohet profesionalisht duke larguar njerëz me grada shkencore, por edhe duke u përpjekur të rehabilitojë militantët politikë. Përpjekja për të kaluar kohë në këtë mënyrë me njerëz që nuk janë pjesë e trashëgimisë është e papranueshme.”

    E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se grupi i tij nuk do të marrë pjesë në votim.

    “As profesor Gola dhe asnjë nga deputetët nuk mund ta ndalin procesin e apelimit nëse ka qenë i padrejtë ndaj kandidatëve.

    Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola është shprehur se është mirë që t’u jepet mundësi disa të rinjve.

    “Kjo përbërje është vullnet politik i Komisionit Në vitin 2021 kemi vendosur për përbërjen aktuale, nga e cila po largohemi. Kjo përbërje pasqyron profesionalizmin e Komisionit, por nuk mund të garantojmë se përzgjedhja ka qenë profesionale. Është e vërtetë që disa nuk u përzgjodhën, mund të ishin të mirë, por ky komision mendon se është mirë t’u jepet një shans disa të rinjve”, shpjegoi Gola.

  • Dështon votimi i dy marrëveshjeve ndërkombëtare

    Dështon votimi i dy marrëveshjeve ndërkombëtare

    Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të ratifikohet amendamenti i Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore, raporton EO.

    Përgjegjësinë për ta paraqitur marrëveshjen mori ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku

    “Republika e Kosovës është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore, në qershor të vitit 2009. Marrëveshja për anëtarësim është ratifikuar në anëtarësimin e saj, drejtorët ekzekutiv i bankës kanë rekomanduar që sanksioni 3 i nenit 3 të marrëveshjes që vënë kufizim mbi hua dhënien të hiqet në tërësi nga marrëveshje. Ky parim është miratuar edhe Nga guvernatori të bankës ku përfaqësues janë ministrat e financave të shteteve anëtare. Me që ligji jonë për marrëveshjen ndërkombëtare para jush kemi marrëveshje e cila duhet ratifikuar në Kuvend”, ka thënë Çeku.

    Për këtë marrëveshje, kanë votuar vetëm 74 deputetë, duke pamundësuar që i njëjti të kalojë.

    Gjithashtu vota të mjaftueshme nuk mori as Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, për shkak të mungesës së kuorumit, vetëm 71 deputetë votuan 69 për dhe dy abstenim.

  • ​Hoti për marrëveshjen me BB: Marrja e kredisë për të mbushur buxhetin është e gabuar

    ​Hoti për marrëveshjen me BB: Marrja e kredisë për të mbushur buxhetin është e gabuar

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se sot, në Kuvendin e Kosovës priten të ratifikohen tri marrëveshje ndërkombëtare: dy me Bankën Botërore dhe një me Bankën Evropiane për Investime.

    Këto tri marrëveshje sipas Hotit burojnë nga marrëveshjet bazë të anëtarësimit të Kosovës në këto banka, të cilat anëtarësime kanë ndodhur në ‘regjimin e kaluar’.

    “Marrëveshja me Bankën Botërore është në shumë prej 90.3 mil euro si mbështetje direkte buxhetore për ligjet që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës. Kjo praktikë e marrjes së kredisë për të mbushur buxhetin është e gabuar. Kreditë e tilla merren në kohë krizash kur ka rënie të të hyrave buxhetore. Zakonisht kreditë në vite normale buxhetore merren për projekte kapitale. Kjo kredi nuk është e reflektuar në strategjinë e borxhit 2025-2027”, ka thënë Hoti.

    Sipas tij Kosova nuk po vuan për mjete, por për politika të mira.

    “Është e pakuptimtë që buxheti të mbahet në llogarinë e Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës, e të merret kredi”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

  • Masakra e Abrisë, Memli Krasniqi: Kjo është historia e Kosovës – kjo është e vërteta e Serbisë

    Masakra e Abrisë, Memli Krasniqi: Kjo është historia e Kosovës – kjo është e vërteta e Serbisë

    Me 26 shkurt të vitit 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe vranë dhe masakruan 23 shqiptarë, që i përkisnin të së njëjtës familje.

    Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se kjo tragjedi nuk mori kurrë dënimin e merituar.

    “Me 26 shkurt të vitit 1998, Dituria ishte gjashtë javëshe. Valmiri ishte dy vjeç. Luljeta ishte shtatzënë, duke pritur një Malësor ose Malësore që të vinte në jetë. Fazliu ishte 94 vjeç”.

    “Dituria nuk mbijetoi që të festonte ditëlindjen e parë. Valmiri nuk u regjistrua kurrë në shkollë. Malësori ose Malësorja nuk erdhën asnjëherë në jetë. Fazliu nuk vdiq në shtrat i rrethuar nga më të dashurit e tij”.

    “Jetët e këtyre të katërve, përshirë 19 anëtarëve tjerë të familjes Deliu, u prenë tragjikisht në mëngjesin e 26 shkurtit në Abri të Epërme nga forcat kriminale serbe”.

    “Kjo është historia e Kosovës. Kjo është e vërteta e Serbisë. Kjo është dhembja me të cilën janë detyruar të jetojnë familja Deliu dhe të afërmit e tyre. Një krim që tejkalon gjithçka që fjalët mund të përshkruajnë. Një tragjedi që nuk mori kurrë dënimin e merituar. Një padrejtësi e përjetshme, për të cilin nuk guxojmë të ndalemi asnjëherë së kërkuari drejtësi”, thotë Krasniqi në një postim në Facebook.

    Ai tha se historia jonë nuk do të harrojë asnjëherë sesa me vlerë është liria që gëzojmë sot dhe sa e vështirë ishte rruga që kaloi populli ynë deri në çlirim, teksa kujtoi edhe tre heronjtë e UÇK-së që tanë po atë ditë në altarin e lirisë, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj.

  • ZPS për dëshmitarin e 91-të: U keqtrajtua nga pjesëtarët e UÇK-së dhe pa keqtrajtimin e një viktime të vrasjes

    ZPS për dëshmitarin e 91-të: U keqtrajtua nga pjesëtarët e UÇK-së dhe pa keqtrajtimin e një viktime të vrasjes

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten ka filluar dëshminë dëshmitari i 91-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04669 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe pyetjet për atë në seancë private i ka filluar prokurori Cezary Mihailzcuk. Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori, ky dëshmitar më 1999 ishte arrestuar nga pjesëtarët UÇK-së, ku edhe ishte keqtrajtuar. Po ashtu, theksoi se kishte parë keqtrajtimin e një viktime të vrasjes.

    “Në vitin 1999 dëshmitari 04669 është arrestuar na disa pjesëtarë të UÇK-së dhe është dërguar në një kompleks të UÇK-së. Atje, dëshmitari 04669 është keqtrajtuar, është marrë në pyetje dhe është mbajtur në kushte çnjerëzore. Ai, gjithashtu ka parë me sytë e vet keqtrajtimin e një viktime vrasjeje dhe ka dëgjuar rrahjet e disa personave të tjerë të mbajtur të ndaluar bashkë me atë”, tha prokurori, duke kërkuar më pas seancë private për pyetjet e radhës.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë. Nga kjo kohë, një orë janë paraparë për pyetjet e ZPS-së, ndërsa mesatarisht rreth dy orë për ekipet mbrojtëse.

    Gjithashtu, Smith III tha se pyetje për dëshmitarin do të ketë edhe mbrojtësi i viktimave. Pas ZPS-së dhe mbrojtësit të viktimave, mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokates, Shyamala Alagendra tha se ata do të jenë të parët që të do të fillojnë me pyetje.

    Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, përveç Hashim Thaçit, i cili po e përcjellë përmes video-lidhjes. Gjithashtu, virtualisht është prezent edhe gjyqtari Fergal Gaynor.

    Smith gjithashtu tregoi se ka ndryshime edhe në orarin e sotëm të seancës. Ai tha se pushimin e drekës do ta bëjnë në orën 13:00 deri në orën 14:00 për të vazhduar më pas me seancën e dytë deri në ora 15:00, gjithnjë me 45 minuta vonesë në transmetim.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Antidroga zbuloi tri parcela me kanabis në Malishevë, Policia njofton se janë shkatërruar 1757 fije kanabis

    Antidroga zbuloi tri parcela me kanabis në Malishevë, Policia njofton se janë shkatërruar 1757 fije kanabis

    Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë nga Gjakova kanë zbuluar dhe shkatërruar tri parcela të mbjella me 1757 fije kanabis në Malishevë.

    Aksioni është realizuar në orët e para të mëngjesit të 21 shtatorit në një zonë të Malishevës, ku pas verifikimit dhe dokumentimit të rastit, bimët janë shkatërruar në vend-ngjarje.

    Policia njofton se hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar personat përgjegjës për këtë veprimtari të paligjshme.

    Organet e hetuesisë janë angazhuar maksimalisht për të luftuar kultivimin dhe shpërndarjen e substancave narkotike në mbarë vendin.

  • Arrestohen dy persona në Podujevë, iu gjetën rreth 50 qese me mariuhanë

    Arrestohen dy persona në Podujevë, iu gjetën rreth 50 qese me mariuhanë

    Janë arrestuar dy të dyshuar në Podujevë, pasi tek të njëjtit janë gjetur dhe sekuestruar 47 qese me substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë me peshë 80 gramë, tri peshore elektronike, 12 pako të letrave që shërbejnë për mbështjellje të marihuanës, një armë zjarri, një karikator, 24 fishekë dhe një thikë.

    Sipas policisë, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe dy telefona, 1049 euro para të gatshme dhe një fletore me shënime.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se tek të njëjti janë gjetur dhe sekuestruar: 47 qese me substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë me peshë 80 gramë, tri peshore elektronike, 12 pako të letrave që shërbejnë për mbështjellje të marihuanës, një armë zjarri, një karikator, 24 fishekë dhe një thikë. Po ashtu në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe dy telefona, 1049 € para të gatshme dhe një fletore me shënime. Me vendim të prokurorit pas intervistimit njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari tjetër është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.